MË MERR 
O Zot
Më merr atje
Ku ekziston veç heshtja
Atje ku mëkate nuk ka
Atje ku gjithçka e merr vdekja.
Më merr atje
Ku zhgënjimi si një hije
Venitet para nesh
Atje ku s'mundem të qaj
Ku s'mundem të qesh.
Më merr
Por ti je kaq i madh o Zot
E di
S'më merr dot…
RETË
Retë e bardha
Si lejlekë të përgjumur
Zvarriten hapsirës së qiellit
Me nge
Nxjerrin nga xhepat e tyre
Të bollshëm
Shiun që bie, shkulmon
Mbi ne
Pastaj largohen
Po si të përgjumura
Me një nënqeshje pafajësie
Mbi buzë
Duke lënë pas
Një mjegull turbulluese.
Retë… |