NJË DITË 
Një ditë do të rrëmbej
Petalet dhe rrënjët e luleve të reja
Dhe do t'i rimbjell në dheun
E brishtë të trupit tim.
Një ditë si vetvetja do të riçelin
Në emrin e një stine,
Gjethe të parëna të një ëndrre.
Një ditë do të bëhen
Fletët e dyndjes së një kohe…
Një ditë do të rrëmbej
Petalet dhe rrënjët e luleve të reja
Do t'i hedh në një mrekulli,
Një mrekulli ndër të tjera…
LARGIM I HESHTUR
Po ikën…
Meteorët si qirinj po fiken.
Malli do vijë i zhveshur,
E plotë heshtja do bjerë,
Vetmia mbi supin tim
Kokën do mbështesë
E tanishmja s'do ta kuptojë
Fletën e shkruar…
Dhe një lot të dlirë.
Ti po ikën… matanë
oqeanit ta pa anë.
|