Njerëz –mace
Në sofrën e qiellit yjet janë ulur.
Llullat kanë ndezur në zjarrin hyjnor.
Unë rri poshtë sofrës si mace e zbutur,
Pres të më hedhin një kockë-meteor;
Mijra njerëz-mace qiellin e gërryejnë,
Me dhëmbë urani e kthetra plutoni.
Arushës së madhe brinjët ia thyejnë.
Qiellit nga dhimbja i çahet Ozoni.
* * *
Ndoshta se mendoi titani7 Promete.
Kur njerëzve u dhuroi zjarrin e pavdekur.
Ai na e dha për t'u ngrohur,
Por ne e përdorëm edhe për të djegur!
16.05. 1999
Triumvirat
Në vend të paqes “divide et impera”,
I dhanë triumvirët perandorisë.
Kështu menduan, Krasi, Qezari e Pompeu,
Se i dhanë fund, gjakut, tiranisë.
Këtë më kujtuat triumvirë manekinë,
Ndaj një pyetje kam pikë së pari,
Duhet t'u tregoj atyre që s'e dinë,
Cili prej jush është emruar Qezari.
I buzëqeshni njeri-tjetrit plot hijeshi,
Fërkoni duart, fraza artikuloni.
Por herezia nuk luftohet me herezi.
E Drini nuk është jo, Rubikoni!
Rrëshen,
27.08.1991
Dritëhije
Për të praruar gëzimin tonë,
Përshkona o dritë tej e tej.
Inkandeshente të na bëhet zemra.
E meqë gjumi do natën,
Kalo natë, bujtëse tek unë.
* * *
Të lutem Zot!
Ruaj masën,
Duam dritëhije dhe jo hijedrite!
Shkurt 1991
Një stacion faji
Në bibliotekën time dy kartolina.
Një ëngjëll i brishtë e një grua nudo.
Vështrojnë nga unë të druajtur.
Sikur ata vetë paskan faj.
* * *
Në bibliotekën time dy kartolina.
Një kuadrat bosh dhe një grua nudo.
Ndoshta në qiellin e pafajsisë së tij
Ëngjëlli fluturoi, dhe në kuadratin bosh
Mbeti faji im!
21.12. 1992
Kryevepra
Me jashtëqitjet e tij, pa pushim,
Statujën e botës gdhend njeriu i mjerë.
Nga kjo përvojë bëri një zbulim,
Se edhe kryeveprat mbajnë erë.
Gusht 2001
Projekt për bashkim
Viti nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë
Si një ashkël nga shekulli ka nis të çahet.
Dikush po ndahet nga vetja e vet,
Dikush nga të dashurit po ndahet.
Nga zjarri ndahen shkëndijat e nxehta,
Ikin si të marra në eter papushim.
Një zinxhir ndarjesh më duket jeta,
Që mbaron hallkat vetëm në amshim.
O qenie që veten për njerëz e mbani
As në ëndrra ushtat nuk i hodhët.
Bukën e përditshme të ndarë e hani,
E përsëri nga ndarjet nuk u lodhët.
Ju që si njerëz qeshni e qani!
7 Mars 1998
Përrallë!
Na ishte njëherë…. thoshte gjyshja
Sapo hap sytë e jetës!
Na ishte një jetë…..
Them me vete
Kur hap sytë e akullt të vdekjes!
Përrallë pambarim!
31. 5. 1988
Për Gorbaçovin
Duke takuar Theçerin,
A thua gjete Margareten,
Për të ringjallur doktor Faustin?!
* * *
Por Mefistofeli mendonte:
Të ta merrte paqen e popujve,
Për të të lënë vetëm çmimin Nobel!
Shtator 1991
Karroca e vjetër
(Kolegut tim të vjetër ndërtues
që u bë politikan)
Pranë nesh një karrocë me llaç gëlqere
Që e pret fasada t'i vije me teleks.
Epjura mendimesh bluajmë si në betonjere,
Dy forca prerëse e dy konjakë eks!
U zgjova mes llaçit të majmë për tavan.
Karroca e zanatit ma bënte me sy.
Shoku im shkoi u bë politikan,
Unë me karrocën mbetëm prap dy.
Eja këtu o karrocë e vjetër,
Eja këtu e mos ma kij frikën.
Dhe tani që jam thinjur nuk jam bërë tjetër,
Ty nuk të ndërroj kurrë me politikën.
Koleg i lodhur tek bën shëtitje
Tek kthehesh nga Parisi a Berlini
Unë koeficient i harruar në llogaritje
Pi lëng gëlqere e ti “Bianka-Martini”.
Mbete në avione, mbete miku im
Nga rërat e verdha deri në Mon-Blan.
Karroca xheloze akoma e di,
Se ti je ndërtues, jo politikan!
Tetor 1993
Pritja
Para udhëkryqit rri,
Ndoshta mendohem.
(A mund të mendohesh vallë me një meduzë të mishtë në vend të trurit!)
Nuk di në bën vapë a ftohtë,
Veç rrotull meje zukat si mizë –PRITJA!
Asnjë tabelë drejtimi ky udhëkryq nuk paska.
Asnjë tabelë të heshtur.
Veç si në Hades tabela shumëngjyrëshe ulërijnë:
Eja këtej për në….
Eja për…
Eja….
Eja për në theqafje, për në ASKUND!
(ASKUND, vend i dashur i ASKUSHËVE)
* * *
Kam etje!
Lag buzët me shaminë që shtrydha nga PRITJA!
Ti ndoshta po vjen, apo je mirazh?!
Eja t'i japësh jetë këtij udhëkryqi!
Eja dhe Sirenë dhe Circe dhe Nausika!
Unë – Odiseu po PRES në këtë udhëkryq Shile dhe Karibde!
Paske ardhur!
Penelopa në udhëkryq ka ngulur një tabelë – pëlhurë:
PRISNI!
Fjalë e bukur kjo PRITJA! U mësuam me të!
Rrëshen, 25. 1. 1992
|