DASHURI INICIALESH
(Romancë)
Më fal, shpirti im, mjellma ime e bardhë, nëse gjuha këtë çast m'u lidh... e zemra po më fërgëllon si zog i lajthitur nga gëzimi... Ndihem aq ngusht para teje, dmth para letrës që po të shkruaj, si ai shkollari para provimit të matematikës.
Qysh kur në gazetë pashë inicialet e tua... në atë faqen spe ciale “vajzat kërkojnë djem”, sytë m'u mbërthyen në ato dy shkronja të magjishme të emrit dhe mbiemrit tënd. Zoti deshi që kërkesa jote “dua burrë” të bjerë në dorën time të papërlyer. Kisha aq kohë që kisha lënë dhe unë inicialet e mia po aty, në faqen tjetër të gazetës “djemtë kërkojnë vajza”, por që ti mund të mos e kesh vënë re... Nuk ua kam thënë kurrë letrave, sidomos atyre të dashurisë, pasi në kohën tonë ato ishin si hartime deputetësh që ia këndojnë gjithë përgjërim zonjës së tyre Parti. Jo se nuk më ka djegur shpirti qysh në rini të thurja letra dashurie. Por mirë që nuk paskësha shkruar atëherë, pasi do të kishte qenë një mashtrim, kur dashuria ime paskëshe pas qenë ti, zogëza e ëndrrave të vona.
Unë që tani kam filluar ta shoh profilin tënd, belin e hollë, të zbulohet në dhomën time si një dritë e praruar. Ti vjen e me lë pa gjumë në të gjitha netët, siç muza e bardhë ka lënë në jermi vjershëtorët e botës. Të shoh dhe përpiqem të më shohësh dhe ti. Por ti, a thua ti?…Oh, jo, unë e besoj, sa fort e besoj, se një ditë të lume ti do të jesh krejt e imja, e shkriftë dhe ëmbël si kadaif. Të lutëm mos të duken lajthitje këto fjalë! Se ku kam lexuar se fjalët që thotë zemra, sido që të jenë, janë të vërteta… nuk gjykohen. E, unë, ç'po bëj unë, po kërkoj një mikeshë, se nuk i bëj dot ballë jetës pa të. Dhe ajo je ti…
Tani, më lejo të shënoj ca hollësira, që i japin siguri lidhjes sonë. Dua që ti të jesh jo më shumë se njezet e shtatë vjeçe, e shumta njëzet e nëntë, dhe ti nuk ka si të jesh më tepër. Patjetër e bukur, shumë e bukur, inteligjente dhe sidomos pa ndonjë histori dashurie. O, s'ka si të jetë ndryshe, ti nuk mund të kesh patur një histori të tillë… Ti do të jesh shpirti im binjak. Sak kjo është një frazë që e shqiptojnë aq shumë ata të rinjtë që nëpër internet kërkojnë njeri – tjetrin, por nuk na prish punë edhe neve. Tamam shpirtin binjak që të mungon do të gjesh te unë. S'ka gjë se ngutesh ta zbulosh sa më parë atë. Ti s'ka se si të mos jesh ashtu siç të kam ëndërruar gjithë këtë kohë, e gjatë një e gjashtëdhjetë e nëntë, e hollë, bionde, me karakter, e ndershme, serioze, me humor, shkurt shpirt njeriu, e dhënë pas burrit që do të jem unë. O Zot mos të ngrëntë syri i keq! Se ka këndej nga ne ca të rinj që i pikin femrat e bukura si ti. Po ti, e di, ma ndjen zemra, je e gatuar për mua dhe… sepse ti ëndërron, vuan e shpreson me mua. Ti sigurisht duhet të kesh dhe një gjuhë të huaj, mundësisht anglisht, si dhe të kesh njohuri në përdorimin e kompjuterit… si i thonë, ato programet bazë... se kështu erdhen kohët…
Sa për mua, unë jam një zotëri i zgjedhur... I urrej donzhuanët dhe për këtë njëherë u zura fytafyt me shefin, që i lëpihej gjer në neveri njërës nga shoqet tona të zyrës… Kam njohuri nga artet e bukura, po dhe nga astronomia. Ka disa vite që zgjidh të gjitha fjalëkryqet dhe rebuset e gazetave dhe tani jam bërë i famshëm në gjithë lagjen. Kur nuk ju del horoskopi disa plakave të lagjes, ato vijnë në derën time dhe unë ua zgjidh fap e fap. Ato ikin pa mend. Kam fituar dhe një konkurs për këtë dhe tani po përgatitem për një tjetër, ballkanik. Edhe me kaq e dashur… më fal për emrin që ende nuk ta di!… ti e ke kuptuar se cili jam unë. A, sa për vese të këqia, mos u bëj merak, jam i pastër si kokrra e mollës. Nuk besoj se është ves të pish nga një teke konjak me kafenë e mëngjesit e nga një cigare pas buke. Mbahem mirë me shendet, ajo që është e rëndësishme shpejt do të kem një çek ta bardhë që ti mund ta plotësosh pa teklif në çdo bankë të huaj… Femrat nuk i shoh me sy, pasi më vdiq gruaja, ndjesë pastë, u vertita do kohë poshtë ballkoneve te qytetit, po askund nuk më nguli syri. S'kishte si të më zinte syri kur unë prisja shpirtin tim binjak që do të ishte ti.
Tani lë të vimë te takimi ynë i deshiruar. Kam menduar dhe për këtë. Do të jetë një ditë me diell, patjetër. Pasdite s'ka gjë, lë të bien po deshën dhe ca pika shiu. Ti do të më presësh aty para Bar-Sahatit në qendër. Do të jeshë veshur me të bardha nga këmbët te koka, me një fustan të shndritshëm, të tejdukshëm. Por mos harro atë... kërthizën, të bekuarën, si një pullë epshndjellëse, atë do ta kesh zbuluar, si ato zonjushat elegante që asnjëherë nuk e harrojnë kërthizën mbuluar, kudo që të jenë, në rrugë, në skenë, në pab...
Unë do të jem veshur me kostum te zi, këmishë të bardhë dhe kravatë ngjyrë vishnje. Jo se nuk shoh mirë… po syzet i mbaj më tepër për modë. Në dorën e djathtë do të jem duke tundur një zingjir floriri…
Kam përgatitur dhe ndonjë surprizë për ty, dmth sapo ti të shihesh në cep të rrugës, unë do të nis të recitoj me zë të lartë një poemë dashurie që e kam shkruar enkas për ty. Kur ti do të jesh më në fund në krahun tim, do të afrohen tri rome fisnike dhe do të shtijnë një fall për fatin tonë të dlirtë. Pastaj unë do të ulem dhe do të zgjidh një fjalëkryq që është fjalëfati i jetës sonë… Në fund patjetër që do të bëjmë planifikimet për muajin e mjaltit që nuk do të jetë kurrë veçse një muaj. Sa për planifikimin familjar, për këtë do të këshillohemi në qendrën përkatëse në kohën e duhur…
Ah, harrova të të them, me dorën e majtë do të kem zënë nipin tim, Stelion… që ka ardhur për pushime dhe do të ikë të nesërmen e ardhjes tënde. Po nuk ka vend për brengosje, e dashur, se dy fëmijët e mi, im bir dhe ime bijë me familjet e tyre, gjenden në emigracion prej vitesh dhe do të jemi krejt vetëm. Krejt në lumturinë tonë të ëmbël... Sepse, ku e kam lexuar kohët e fundit, vetëm njëherë në jetë... Vetëm njëherë buis dashuria e vërtetë... |