DARKA E FUNDIT E MUJIT DHE HALILIT 
Në Pallatin Kreshnor kishte rënë zija. Askush s'e kishte pritur atë çfarë shihej se po ngjante nga ora në orë. Shefi i protokollit kishte njoftuar darkën e fundit pa dhënë asnjë shpjegim më tej. Rojat ishin tepër të preokopuar, kishin varur kokat dhe shpatat. Sidomos shpura e idhëtarëve, të mbledhur nga të gjitha anët e Kreshnajës nuk dinte ku të futej. Ishin idhëtarët e Mujit në njërën anë e idhëtarët e Halilit në anën tjetër. I vetmi çast që ata më në fund, si për çudi, nuk po shiheshin vengër mes tyre. Zotërit e lartë ishin mbledhur me Zonjat e tyre të larta në kullën e epër dhe po flisnin ethshëm. Nuk dihej ende se cili do të ishte fundi i tyre. Mundej një furtunë e vërtetë sipas gjithë gjasëve, e ata, pastëmëdhenjësit e përjetshëm, prap do të thyenin shpatat në duele të përgjakshme si idhujtarë që ishin... O Zot, po zotërit e tyre dhe mund t'i braktisnin?! Gjithçka mund të pritej. Muji dhe Halili ishin vëllëzër, po motra ishin dhe Mujana dhe Halitha.
Sidomos një gjë nuk e kuptonte askush në Kreshnor, cili kishte qenë ai shkak madhor që i kishte shtyrë dy Zotërit e hijshëm të vendosnin për darkën e fundit, e cila nuk dihej mirë se ç'do të ishte, porse ama një gjë dihej, që nuk do të ishte si darkat e tjera; do të ishte nje darkë disi mortore dhe nëse nuk do të kishte të vdekur. Cili pra ishte ai rreng që i kishte shtyrë dy kreshnikët të shtronin darkën e fundit. Nënshefat, zëvendësndihmësit, nënzëvendësndihmësit, nuk kuptonin asgjë. Disa nga më të paduruarit vendosën të flisnin njëhërë më kryekëshilltarin e Kreshnores, se mos ai, si më pranë të mëdhenjve, kishte mundur të zbulonte diçka të rëndësishme. Por kryekëshilltari i lartë vetëm sa rrudhte supet. Ata e dinin shumë mirë se ai ishte mjaft i hollë dhe nuhaste gjithçka, ai sa herë i kishte vënë në dijeni miqtë e tij dhe të paduruarit për ato që kishin në mendje Dy Zotërit, dhe natyrisht dilte gjithnjë ajo që ai kishte paraparë. Kurse në këtë rast ai kreshnik i urtë nuk mund të parashihte asgjë rreth asaj që i kishte shokuar të gjithë e lënë pa mend.
Më kurreshtarët dhe më të paduruarit se pse menduan se do të ishte mirë të flisnin njëherë më rojetarin plak që kishte nja shtatëdhjetë vjet pa lëvizur nga porta e rëndë e selisë. E gjetën në shtrat, mezi merrte e jepte, fjalët mezi i nxirrte nga goja. S'ia lëshonte më gjuha. Ca ia mbante, ca ia lidhte pas nofullash. Ata u tmerruan kur e panë ashtu, si një bredh të rrëzuem; apo nuk ishte i vetmi kreshnik mbi shpinë të tokës që as që donte t'ia dinte për çka pritej të ndodhte. “Ky me siguri di gjithçka”, arsyetuan ata. E ngucën e e ngucën aq shumë sa ai... për habinë e tyre... dha shpirt, pa u shpjeguar asgjë. Si duket kishte gjykuar se çfarë kishte patur për të dhënë ia kishte dhënë kësaj jete.
“Vetëm këtë punë mund të bënte ky në këtë moshë”, thanë ata dhe dolën duke e lënë aty si një shtatore të bardhë në gjumë.
Nuk patën më kohë për përsiatje e hamendje të tjera pasi ra këmbana. Shpura e idhëtarëve si e lërosur, pa fjalë, zuri vend në sallën e madhe të ngrënies. Por andej nga dera e brendshme nga i kishin mbërthyer sytë të gjithë nuk hyri askush. As kamarierët nuk po dukeshin me gotat dhe pjatancat me ferlik të pjekur që nxirrte avull. Ç'darkë është kjo e bekuar, përshpëriti dikush nga të paduruarit dhe të zemëruarit.
Po shuheshin shpresat se dikush do te hynte për t'iu thënë të paktën një fjalë. Kur stolat e drunjtë filluan të kërcisnin e ata po bëheshin gati të ngriheshin, kur salla u errësua përgjysmë e jashte u ndien ca si bubullima të lehta që erdhen duke u shpeshtuar e bërë më të zhurmshme, bash atëbotë, aty para syve të tyre, u shfaq profili i hequr i Rojtarit Plak, që sapo kishte dhënë shpirt aty në kthinën e tij të vjetër ngjitur me selinë e Kreshnores. Fantazma mbante në duar nje lëvore lisi që e shpështolli, duke u përpjekur te shqiptonte ato çfarë ishin gdhendur aty... Kur Rojtari Plak me flokë të shprishur e të pluhurosur po nxirrte fjalën e parë si nga fundi i një pusi, jashtë, diku në vetminë e natës, u dëgjua një e shtenë e ftohtë, e turbullt, e vakët. Pam! Si të kishte ndodhur hataja, figura e rojtarit plak u përmjegullua gjersa u zhduk.
Njerëzit u shushatën. Kjo qenkësh darka e dreqit! Ç'emër tjetër mund të kishte një këso darke që vetëm darkë nuk ishte. Gjysmë-errësira e sallës ishte theksuar dhe më. Dhe pse kishte kaluar mesnata, gjumi ishte tretur. Sytë ngulës nga deriçka e brendshme nuk ushqenin më asnjë shpresë. Gjithçka kishte marrë fund. Ende nuk iu kishte ikur trishtimi nga pamja e fantazmës së Rojtarit Plak. Iu bëhej se ai plak kishte treqind vjet që kishte vdekur e prap ishte ngjallë. Nëpër natë vazhdonte të jehonte ajo krisma “Pam”, që veshët e tyre të shurdhuar tashmë nuk e dallonin mirë në ishte “Bam”. Ishte “tesha e vogël” me barut që e kishte krijuar atë mrekulli të frikshme, që ende s'i kishte gjetur një emër as shpikësi i saj. Ishin të vetmit ata, kreshnorët, që do të iknin nga ato të shtënat e sapofilluara, kurse qeniet njerëzore jo vetëm nuk do të frikeshin në kullat e tyre, por gjithnjë e më shumë do të turreshin pas të shtimeve… bile ato do të gjaksonin dhe shpendët e kafshët e pyllit…
Më të paduruarit, të ardhurit rishtaz, panë njëherë andej nga kati i lartë i Selisë ku mbase shkriheshin në gaz a në vaje Zonjat e larta të Mujit dhe Halilit. Një Zot e merrte vesh këtë punë, ndoshta ato ishin ende duke bërë tualetin e darkës së shpallur… Por tashmë dukej se ky ishte një ngushëllim i kotë. Pikërisht kur po bëheshin gati të shpërndaheshin për të marrë sekush një sy gjumë, ia behu përsëri figurina e Plakut Rojë që kishte dhënë shpirt nën gulshet e tyre, të etur për të mësuar të fshehtën e fundit. Ai tani si dukej nuk do te ikte pa kumtuar diçka të pazakontë. Edhe kur matanë sallës gjigande, në hijetinën e natës u dëgjua serish “Bam” (tani krisma dëgjohej e plotë), figurina nuk lëvizi, vetëm sa u drodh paksa. Ai hapi prap atë lëvoren e lisit si përgamenë të lashtë të nxjerrë nga dheu dhe zu të mërmëriste ca fjalë të vjetra të harruara, që mezi i nxirrte nga qiëllza...
Fliste ai, apo kumbonte salla? Kumbonte nata?…
Nuk ishte zëri i kufomës së plakut, po zëri i përzier, i përzishëm i Mujit dhe Halilit… “Ju duhej ta kishit ditur se një ditë do të mbaronte kjo histori. Çdo shërbim, në mos dhe çdo mision, e ka një fund. Ne i mundëm krajlitë, i shpëtuam bashtinat e kullotat tona, ne e bëmë Jutbinën. I rrëmbyem dhe të bukurat e dheut, Tanushën më dhëmbët si gurët e lumit fill pas shiut kur i shndrit dielli... I krijuam lahutat… bëmë dhe marrëzi plot… E, pra, ç'kuptim kishte që të rrinim dhe më! Po të rrinim, do të bëheshim të tepërt për të gjithë, dhe për ju që na vështroni si të ndërkryer. Afërmendësh që do të na e donte zemra të kishim dhe më famë, lavdi, orgji, por kjo do të shndërrohej në një rrezik të pashoq për ju… Sepse ju duhej të vazhdonit të flijoheshit për ditë për tekat tona. Ja, kjo nuk ju ka shkuar ndërmend asnjëherë!… Përse ju duhet të vazhdoni të ktheheni në gurë, në cungje, të ngrirëni akull nga zanat e mbrapshta të korijeve të larta! Ju gati u shuat nga huqet tona?”
Pati një çast heshtimi solemn. Po zbardhte drita e bashkë me të dhe dita e lume. Idhujtarët e patën të zorshme t'a kapërdinin aq shpejt atë ligjeratë aq të të drejtpërdrejtë.
“Si është e mundur që dy zotërit po ikin kështu me vullnesën e plotë të tyre? Apo kjo është... vullnesa e Zotit? Jo, jo, Zoti nuk përzihet në të tilla gjëra!”
Vrisnin mendjen se mos ishte ndonjë tradhëti, që e kishte ujdisur djalli, siç ai dinte t'i mbrapshtonte punët, për t'i zhbirë. Domethënë, që djalli të kishte hyrë fshehurazi në pallat dhe t'i kishte shtrënguar gjer në mundim zotërit të dorëhiqeshin nga kjo botë?
Muji dhe Halili që e ndienin zemërimin e heshtur të idhëtarë-idhujtarëve të tyre, u panë sy në sy dhe ia nisën dhe njëherë me atë zërin e tyre të njëjtësuar:
“Hëm, e shohim se gjendeni në pikë të hallit. Nga të vemi tani që gjithçka mbaroi, thoni? Por nuk ka vend për hamendje, dilema, përsiatje koti, sidomos për vonesë. Ne e bëmë si e bëmë historinë tonë të përbashkët... fituam betejat me krajlitë... Por, pse ta fshehim, e kishim fort për zemër dhe fuqinë tonë pushtetse mbi të gjithë e mbi çdo gjë... Për qindra vjet i sunduam kreshtat, lugjet, fiset, krahinat, ligjet, lëvizjet, kundralëvizjet, qeverisjet, popujt... se kishim ju sigurisht nga prapa! Ju e mbani mend si krijuam e shembem principata, si krijuam e shuam mbretëri, si bëmë revolucione, si shpallem republika, si ndërruam rende e sisteme politike... Tani popujt nuk kanë më nevojë për sundim, po për prijëtarë të urtë...”
Pastëmëdhenjësit e humbën dhe më tepër nga ato fjalë, ndaj nuk këmbëngulën më në ndenjen më gjatë të zotërve. Thjesht u bënë ca pyetje të fundit:
“A do të ringjalleni?”
“Kuuurrë!”
“A nuk janë ringjallur të gjithë të lartit e kësaj bote gjer më sot?”
“Ne... Kuuurrë!”
“A nuk janë ringjallur, sidoqoftë, mitet?
“Ne dimë një gjë që askush nga të Ringjallurit nuk mundi ta dinte, thjesht kuptuam se për ne u bë vonë...”
“Vooo…n..n?”
“Po lahutat, rapsoditë, lahutarët, çetinat a do t'i merrni me vete?”
“Këtu qëndron thelbi i ikjes sonë. Ç'kuptim ka kjo gjë, që ne të marrim gjithe trashëgiminë që krijuam? Ajo është kujtesa juaj e nesërme, kujtesa më e rrezikuar... Të ardhurit së voni nga vise të largëta e duan atë patjetër, si të veten... E bashkë me të ata duan të fusin nën sundim krajlish dhe trojet ku lindem... Por ajo, kujtesa, ju përket juve!”
“Po a nuk është njëlloj si të rrini ju, si të rrijë kujtesa juaj?”
“Ah, ky është problemi që mendjet e zakonshme nuk e rrokin. Se ta marrë e mira, ne asnjëherë nuk ju lamë të mendonit. Menduam ne për ju… Po të rrimë prap, ju prap do të jeni pa mendje. Por u bë vonë, po zbardh drita e ne s'mund të jemi më këtu!.. Ne vetëm një na ka kuptuar, Rojtari Plak. Nuk është e vështirë të kuptoni sekretin e vdekjes së tij. Ne e kishim vdekur përgjysmë atë. Ashtu na duhej. Por këto gjëra të ngatërruara ju më mirë do t'i kuptoni nesër…”
Atje tej u dëgjua një “bam - pam.” Të gjithë dolën përjashta. Kishte rënë dielli.
“Fort po shndrit ai diell e pak po nxeh”.
Ishte zëri si i derdhur në bronz i një lahutari. Apo në lahutar ishte shndërruar ai, Roja Plak i Kreshnores. |