Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
LETËRSI Për anëtarët

Ju jeni: Letërsi -> Ndue Dedaj - Burri-Grua

AUTORËT

  Darka e fundit...

  Kthimi

  Burri-Grua

  Guri i nuses

  Dashuri Inicialesh

  Sulltani për gjueti

  

  Letërsi


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

BURRI - GRUA

 

 

U shpështoll mes teshave të shtratit, ashtu rrëmujshëm, pa e kuptuar mirë se ç'kishte ndodhur. Mbulesa sa nuk i zu frymën. Preku me dorë nëpër shtrat, por... nuk kishte burrë afër. Ndjeu një ngazëllim të brendshëm, nga që iu duk se kishte shpëtuar. Por serish u trondit. Ishte në dilemë. A nuk ishte zhvirgjëruar vetëm pak më parë? A nuk ia kishte gjetur më në fund anën Zefi, që i ngjitej prej 25 vjetësh... dhe ashtu... fak-fak puna ishte kryer, e tash nuk ishte më ajo që kishte qenë, por si të gjitha gratë e tjera, biles ajo ishte zhvirgjëruar nga dashnori. Se burrë as kishte patur, as nuk kishte. Nuk e fshihte se ashtu në fshehtësi, pa iu dhënë asnjëherë, ajo e kishte dashur Zefin, e kishte dashur aq shumë, saqë sa herë ndahej prej tij, qante fort. Ai kurrë nuk mund ta besonte se ajo kishte një shpirt aq të butë, mbuluar prej tisit burrëror të dukut të saj... Ah, ç'them dhe unë, po si do të vinte pas meje njëzet e pesë vjet, po të mos e kishte kuptuar se përtej dukut tim burrëror, isha unë, e vërteta, si çdo femër që don dhe praninë e mashkullit, dhe fëmijën, dhe familjen, çdo gjë pa të cilën nuk mund të kuptohej qenia femër... Preku dhe njëherë nëpër krevat, por ai, Zefi nuk ishte aty, kishte hyrë si një frymë, ishte shkrofëtirë në trupin e saj dhe ia kishte krisur e ikur... Jo, kishte qenë vetëm imazhi i tij. Në të vërtetë trupi i saj ishte si më parë, i paprekur.

 

...Kishte prerë gërshetat e gjata e të bukura, por nuk kishte vënë qeleshe mbi krye, kishte veshur tirq e xhamadan, kishte ngjeshur armët në brez, një pisqollë, nje jatagan dhe pushkën në krah, kur merrte udhë të largët. Kishte ndërruar sa hap e mbyll sytë gjithçka femërore, duke u shndërruar në burrë. Nuk thirrej më Dila e Vokërr Gjinit, por Gjon. Akti ishte shpallur publikisht në kishë, dhe të gjithë tashmë e dinin se Dila ishte një virgjëreshë, që kishte vendosur ta ngryste jetën burrë dhe jo grua siç e pati bërë nëna. Nuk kishte qenë faji i saj aspak. Para saj të tjera vajza për një arsye a një tjetër kishin bërë të njejtën gjë, dmth ishin kthyer në burra. Dhe të gjithë nën zë e pranonin se gratë-burra ishin të fisme në gjithë krahinën.

Kur Dilen e pati lënë i dashuri i saj, ajo pati ndjerë brenda vetes rebelimin. I dashuri i saj Pal Zogu, në fëmijërinë e tij kishte qenë i fejuar me një vajzë tjetër. Se nga shtysa e familjes, se nga çka tjetër, Dila nuk e kishte marrë vesh, veç një ditë Pali i kishte thënë se nuk mund të martoheshin bashkë, pasi ai do të merrte për grua të fejuarën e tij të parë. Dila nuk kishte thënë asgjë, i kishin rrëshqitur nja dy pika loti, pa i parë as ai. “Punë për ty. Shko te ajo...” Kaq i kishte thënë vajza e lënduar në shpirt dhe kishte ikur shtegut. Dashuria e saj me Palin kishte qenë disi mjegullore si një vizllim drite, me ato shikimet e hijshme e të dridhura të zemrës. Sa qenë të dashuruar, as Pali nuk kishte kërkuar, as ajo nuk ishte shtyrë më tepër në marrëdhëniet e tyre. Ata e dinin se një hap më tej ishte me rrezik... Sidomos ajo e dinte mirë... se ja, si vjen puna... ai befas kris e ikën.... dhe ty të lë turpin... kishte arsyetuar së fundmi Dila dhe, pa e vrarë mendjen më, kishte marrë vendimin e prerë, të mos ishte më gruaja e askujt. Nuk kishte dënim më të lartë, më suprem për një burrë, madje për gjithë racën mashkullore, se sa ky i rebelimit të një femre. Me atë gjest ajo kishte ndëshkuar jo vetëm Pal Zogun, po gjithë burrat e tjerë të dheut. Ndëshkimi ishte i hatashëm, duke u kthyer vetë ajo, gruaja, në llojin e tyre, dmth në burrë. Një fuqi të tillë fëmërore askush nuk e kishte shqyrtuar ndonjëherë, se nga e kishte gjithë atë shpërthim të brendshëm që nuk e ndalte asnjë ligj e fe. Kishte thënë Dila e Vokërr Gjinit se do të kthehej në burrë dhe me u zhbi malet vendimi i saj nuk thyhej a tjetërsohej. Të tjerët mbetej vetëm ta pranonin, nëna, babai, vëllau, motra, shoqnia, prifti, kryeplaku... Gjonin.

Flokët e Dilës së fshehur nën Gjonin nuk e kishin humbur ngjyrën as tash që i kishte kapërcyer të dyzetat. Vetëm kur ato i rriteshin disi dhe merrnin atë trajtën e hershme, ajo e kuptonte se nuk ishte në të vërtetë Gjoni, paçka se së jashtmi ishte e mbuluar me diçka të rrejshme, që ishte duku mashkullor. Shi ajo gjë që te të tjerët ishte harruar te ajo, femërsia, befas te gruaja - burrë ngrinte krye stuhishëm.

Njomsia dhe ëmbëlsia e ndjenjave ia lëngëzonin krejt trupin, sidomos në atë pjesën përveluese, sa gati i zihej fryma. I merreshin mendtë për një çast, buzët i dridheshin lehtë, donte të shtrihej mbi barin e njomë plot lule ermuese, të ndiente frymën e Zefit ta guduliste në fytyrë, por me mundim mbinjerëzor i kapërdinte ndjesitë e veta. Asnjë lëkundje nuk kishte, as kur Zefi ia lakmonte puthjen aq fort aty në shtegun e kroit... Normat e moralit ishin kthyer ne tabu, paçka pashenjtërisë së tyre herë - herë. Ecte krenare mes kreshtash, pa u tutur se dikush mund t'i dilte përpara për t'i kërkuar dorën për martesë a dashurinë e fshehtë, shkonte në mbledhje me burrat, dhe ata e nderonin më tepër se veten, si një zotni të ardhur nga larg, sepse ajo kishte bërë diçka përmbi ata, i kishte sfiduar, duke humbur femërsinë e saj për të fituar burrësinë e tyre të ashpër. E kishte bërë gjithçka me vetëdije, pikërisht në revoltë kundër llojit mashkullor. Kush e di se ç'gjë tjetër mund të bënte një femër... Fundja tash të gjithë e dinin për burrë. Brezi i dytë që kishte ardhur në jetë, që i binte të ishin fëmijët e saj, as që e dinin tashmë se Gjoni nuk ishte vërtet ai, porse brenda tij ishte ende Dila e hershme e një rinie të vyshkur, krejt e ndryshme nga shumica e vajzave të atyre maleve. Dhe t'ua thoje se kishte ngjarë kështu e ashtu, ata me siguri nuk do ta besonin. Si u kthyeka gruaja në burrë?!...

Vetëm ai, Zefi, asnjëherë nuk kishte parë Gjonin e vrullshëm e energjik që shfaqej në sy të gjithëve, por atë, Dilën e brishtë, që e kishte lakmuar që në rini. Ta kishte ditur se Dila do të merrte atë vendim të pakthyeshëm, do t'i kishte dalë përpara, do t'i kishte lëshuar be e rrufe, do t'i kishte lëshuar Zotin... dhe mbase do ta bindte ta merrte për grua... po ajo nuk kishte pritur aspak.

 

Aq shumë iu lezetua ajo natë që sikur kishte zgjuar te ajo hormonet e vajzërisë e tash si një shije e pakuptueshme fërgëllonte brenda saj. Kishte ecur njëzet e katër orë, thuajse pa pushuar, nga Mali në Shkodër e nga Shkodra në Mal, pa e hequr pushkën e gjatë nga krahu. I kishin thënë të flinte atë natë në Ujëz, po nuk kishte pranuar. Sikur e kishte ndjellur ai mulliri i nemur në breg të Lumagjinit. E, pra, as që e kishte ndarë mendjen ta kalonte natën aty. Por kur po kalonte, i foli mullicaku: or Gjon, a je tue bujt sonte këtu, se të zuni nata e deri në Mal asht dhe tri orë... Gjoni u ndal dhe ndërroi dy fjalë me mullicakun. Andej nga bregu po vrahej. Ndoshta me zë shiu deri në shtëpi... Ndoshta... dhe ftesës së dytë të mullicakut iu përgjigj se po rrinte. Hoqi pushkën dhe e vari në gozhdën e barakës së mullirit.

Mullicaku ishte njeri pa njeri, i kishin vdekur prindërit dhe e kishin lënë jetim. Ungji i tij i kishte gjetur punën më të përshtatshme për të, të bluante te mulliri... Kurrë nuk mundi të bëhej shtëpi, siç thuhej, të kishte dhe ai një vatër të tijën, me grua dhe fëmijë. Por asgjë nuk shkoi ndër mend nga këto atë çast. Se dhe Gjoni që kishte sonte mik ishte po ashtu, fatkeq, që nuk i kishte ecur jeta. Madje ishte shndërruar në tjetër lloji, në llojin e tij. Jo, atë, mullicakun, fati e kishte lenë të paktën siç kishte qenë, burrë, dhe fati nuk kishte dashur që ta... kthente në grua.

Gjithë darka shkoi me biseda burrash mes Gjonit dhe mullicakut. Gjoni kishte harruar që ishte dhe grua, kurse mullicaku as që u kujtua më se Gjoni kishte qenë një herë e një kohë Dilë dhe se në trupin e tij kishte diçka që e bënte atë të mos ishte burrë... por ajo gjëja e vagëllt ishte e fshehur nën petka të shajakta burri dhe askush nuk e kishte zbuluar deri atëherë. Dukej se ashtu do të shkonte në atë botë, si një tabu, si diçka që kurrë nuk do të prekej e përkdhelej nga dora e dikujt a të pershkohej nga ai indi mashkullor gjer në marramendje. Si do të kujtohej mullicaku për të, kur nuk ishte kujtuar për vashërinë e vet ndonjëherë... e zonja. Aq herë e kishte kthyer mbrapsht Zefin me shpirt të dërmuar, që i ishte lutur t'ia falte atij virgjërinë e për çka ai asnjëherë nuk ishte martuar. Prapë ai vazhdonte ta priste Dilën, dhe pse e dinte se ajo kurrë nuk do të ndërronte mendje e të kthehej te vetja e saj e parë.

Pasi hëngrën darkë, shtruan të flinin. Jashtë u dëgjuan vetëtima. Filloi një shi i furishëm. “Bëre mirë që ndalove, ku do të veje kështu” tha mullicaku, kur po shtriheshin ndërsa çurku i shiut zhurmonte anëve të barakës së mullirit të vjetër. “Po, po...” miratoi Gjoni. Ishin shtrirë pranë e pranë. Sa herë Gjoni kishte shkuar krushk e kishte fjetur në një odë me burrat e tjerë, ashtu ngjit e ngjit. “Bëre mirë...” përsëriti mullicaku, por fjalët e tij nuk u dëgjuan se shiu sa nuk po e shkulte barakën. Kishte rënë mesnata e asnjërin nuk po e zinte gjumi. Moti kishte pushuar së shungulluari, vetëm përroi po gjëmonte si asnjëherë. “Nuk ka bërë vaki të fryhet e ushtojë kaq fort ky lumë...” Gjoni nuk iu përgjigj... Qepallat e rënduara nga pagjumësia po i mbylleshin, ani pse shiu binte i rrëmbyeshëm. Në atë përgjumje të lehtë, befas pa veten tjetër. Një dhomë e shndritshme dhe ajo Dila mes saj, e vetme, me flokët lëshuar dhe atë këmishën e natës, të bardhë, të bardhë, as veshur as zhveshur. Një dritëz e verdhë hëne hynte nëpër dritaren me perde të vogla të qendisura dhe binte fasha-fasha mbi shtratin për dy veta që i fanitej i paduruar. Pati një marramendje të lehtë, të çuditshme, pastaj një ankth të fortë. Në atë jermi një valë e nxehtë e përshkoi ndërveti... Po kredhej në një endje të paprovuar, teksa priste të hynte nga dera një fytyrë djaloshare që pas pak merrte tipare burri dhe i shëmbëllente asaj të Zefit. Ai nuk po hynte, kurse ajo mezi po e priste. Habitej dhe vetë si e kishte flakur si një pardesy të vjetër atë mashkullsinë e saj të njëzet vjetëve. Mahnitej me format e trupit të saj të derdhur, aq sa i dukej se asnjëherë nuk kishte qenë Gjon. Po ajo fytyra që i shëmbëllente asaj të Zefit nuk po hynte atë natë të kredhur me hënë...

Të nesërmen dita gdhiu tjetër ditë. Një ditë e kthjelltë si pika e lotit. Si të mos kishte qenë nata e mbrëmshme ajo që sa nuk i kishte shkulur me gjithë çati... Doli nga mulliri, por nuk e kishte pushkën në krah, as flokët e lidhur, iku ashtu pa e kuptuar tamam se ç'kishte ndodhur me trupin e saj.

Nata e mbrëmshme i kishte marrë gjithçka... të shenjtë. U trondit për një çast kur u kujtua se kishte humbur virgjërinë. Por nuk kishte fuqi të mendonte më tej. I bëhej se ashtu turbull ende gjendej në atë kolovitje të ëmbël, nën shtrëngimin e krahëve dhe trupit të mullicakut që e kishte ngërthyer poshtë vetes. Nuk ndjeu urrejtje për atë njeri, që e kishte lënë pas e që nuk do të kthehej kurrë më në kthinën e tij. Ai nuk i kishte bërë asgjë për ta urryer, për më tepër për t'u rebeluar ndaj tij, e bashkë me të, dhe njëherë kundër krejt racës mashkullore... Ç'rëndësi kishin të gjitha të tjerat tashmë, se kush e zgjati i pari dorën... ashtu përgjumshëm mbi tjetrin... Ndoshta kishte qenë mullicaku që ashtu instinktivisht kishte shkuar dorën mbi fundbarkun, dhe ngadalë, dhe mbi atë gjënë e mësheftë të trupit të saj... pastaj gjithçka nuk kishte qenë më nën kontrollin e tyre. Ndoshta vetë ajo, ndezur përbrenda nga prania e atij burri në shtrat dhe epshi i papritur, i ndrydhur brenda saj për aq e aq vite, ishte tërhequr drejt trupit të atij njeriu të brishtë, i cili në fillim mund të ishte tronditur nga sjellja e Gjonit, duke harruar se ai kishte qenë njëherë Dilë! Apo ndoshta ai mullicaku asnjëherë nuk e kishte ditur se Gjoni ishte një burrë - grua, dhe sa të kundroje m'at'anë dukut do të zbulohej hiri femëror i Dilës. Ndoshta ai, po ta dinte të vërtetën, nuk do ta kishte lutur të bunte atë natë në mulli, sidomos nuk do të shtrihej në një shtrat me të... Ndoshta...

Kishte më në fund një cak, përtej imagjinatës.

                                                                                                            

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net