PEISAZH VJESHTAK 
Arratinë morën zogjtë,
më gjëkundi s'duken,
Era me fyllin e vdekjes
së botës ngjan,
Në shenjë lamtumire jetike
gjethet lëkundën
Përjetësisht përqafojnë
kraharorin e tokës nënë.
Çau rrufeja retë
drithërohet qielli,
Me gjuhë memece vajton
gjakun e shitur,
Bijtë e shqipes ikën,
votra shkret mbeti,
I vetëm harabeli
pranverën duke pritur.
Qyteti u mbulua nga perde e zezë
Filloi të shetiste muzgu i mbremjes
Bardhësinë e borës që ra përdhezë
Si magjistricë e mori errësira e natës.
Paralajmërojnë se makinat ikën
Zhurmat e mbytura mbi gurët e xhadesë
Fjalët e njerëzve që kishin bredhur ditën
Largohen tutje në shurdhërinë e mjegullës.
Vetmi e tronditur në trungun prej lisi
Lakuriq në vendin e shpresës së thyer
Deri në agim shtegtar dhe vetë plisi,
guri i mallkuar në sinagoga falur.
Të gjithë në këtë botë duke qarë trokasim
Tokë me shumë emra, po i njejti planet
Çdo ditë urrejmë, njeri-tjetrin flakim
Planet që e ha enigma e vet. |