MEXHITI OSE “KULLA E KANUNIT”
Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut
Nga Gjon Ndrejaj
Dje mora një e-mail nga miku im danez Torben Knudsen. Kemi punuar së bashku për ligjin e auditimit të brendshëm si dhe për termat e referencës të projektit CARDS. Ai e kishte marrë vesh se tashmë unë isha pa punë dhe pasi shprehte keqardhjen më këshillonte me shaka të mbyllesha në kullën e kanunit dhe të shkruaja libra. Ju sigurisht nuk e dini se për çfarë bëhet fjalë dhe se çfarë kupton Torben me “kulla e kanunit”. Ka qenë një histori interesante për mua por e pabesueshme për Torben, ajo çka do t’ju tregoj më poshtë.
Një fund javë kur Torben ndodhej me mision në Shqipëri ai më ftoi t’a kalonim së bashku. Ishte muaji Qershor i vitit 2002 dhe bënte mjaft vapë. Për këtë shkak zgjodhëm malin e Dajtit për të kaluar fund javën.
Torben, megjithëse i kishte kaluar 62 vjetët ishte mjaft energjik dhe i fortë. Punonte papushim nga mëngjesi në darkë. Ishte pedant por edhe pak zevzek, nuk ambientohej kollaj me situatat dhe mjedisin. Vraponte çdo ditë dhe luante tenis në kohën e lirë me një zyrtar të ambasadës daneze. Mbante syze optike të cilat duhej të ishin me numër më shumë se 10 , që tek ne si me shaka u thonë “bythë kavanozi”. Një herë kishte lexuar në një guidë për hotelin “Artur” që ndodhet në afërsi të Mulletit dhe më tha se donte të flinte atje. Takova pronarin i cili më premtoi se do t’i krijonte të gjitha mundësitë për lëvizje. Madje aty mund të bënte edhe xhiro me kalë , që aq qejf e kishte Torben. Dy ditë pasi u sistemua në hotel më tha se nuk donte të flinte më atje sepse një çift të rinjsh në dhomën ngjitur i bënte zhurmë gjithë natën dhe ai nuk mbyllte sy. Madje ai imitonte edhe veprimet e mundshme të atyre që krijonin zhurmën dhe kjo na shkaktonte të qeshura. U kthye në Tiranë dhe ndërroi nja tre hotele deri në mbarim të misionit.
Atë ditë në Dajt biseda u përqëndrua tek një shtëpi që Torben kishte në fshat të cilën e mirëmbante vetë. Si për t’a bërë më të besueshme atë që rrëfente, ai më tregoi duart që i kishte akoma me kallo kur së bashku me gruan kishte ndërruar çatinë e shtëpisë. Shtëpia e tij ishte prej druri, karakteristike alpine. Ai kishte blerë edhe një shtëpi tjetër në Athinë e cila i pëlqente shumë por për shtëpinë në fshat kishte nostalgji. Ai thoshte se ia kishte blerë gjyshes së tij nga nëna dhe se atje shkonte shpesh me gruan e tij. Torben kishte tre vajza por asnjëherë nuk i lejonte ato të kalonin pushimet me të dashurit e tyre në shtëpinë prej druri, megjithëse ato i luteshin shpesh. Atë ditë si për koincidencë Torben më tha se sot njëra nga vajzat e tij martohet për herë të tretë. Ai nuk e njihte dhëndërrin por vajza i kishte thënë se ishte pilot në aviacionin civil. Unë e urova por nuk munda t’a fsheh habinë për faktin se ai nuk merrte pjesë në dasmë dhe se nuk e njihte dhëndërrin. Ai nuk e zgjati shumë por më tha se kjo ishte krejt e zakonshme për danezët. Ndoshta ishte edhe kjo një nga arsyet që na propozoi t’a kalonim fundjavën së bashku
Për t’ u gjendur në muhabet i tregova Torbenit se edhe unë kisha nja shtëpi në fshat të cilën m’a kishte lënë babai dhe se shtëpia ime ndryshe nga ajo e Torben, kishte dy kate me mure të forta guri, me qoshe të skalitura dhe me çati të mbuluar me tjegulla. I thashë se shkoj shpesh dhe për të mbushur vakumin i tregova një histori që më kishte ndodhur një prej netëve që unë kaloja atje.
Një ditë Marsi në fund javë, së bashku me time shoqe, Davën, udhëtuam për në Perlat. Te kulla mbërritëm në aksham dhe Dava filloi menjëherë nga punët. Ndezi oxhakun dhe filloi të fshijë e të pastrojë. Kishte më shumë se tre javë që shtëpia nuk ishte hapur dhe kishte nevojë për shërbime. Unë dola në verandë dhe po përcillja muzgun që po binte dalëngadalë. Pyeta për kushërinjtë, Gëzimin dhe Gjinin dhe më thanë se janë në një mbledhje të fisit ku po shqyrtohej një konflikt pronësie midis dy familjeve. Teksa muzgu po përparonte dhe kishte ardhur në atë nivel që atje e quajnë se po “prishet nishani i pushkës”, (kjo do të thotë që një pushkatar për shkak të errësirës nuk mund të bashkojë në një vijë thepin, shqekzën dhe objektivin) lart nja njëqind metra dallova një siluetë njeriu që po lëvizte ngadalë në drejtim të kullës. E ndoqa me vëmendje dhe ku u afrua nja njëzet metra nga porta më pyeti. Or ti mik ! Ku e ka portën kjo shtëpi ? Unë ju përgjigja dhe i tregova se ajo ndodhej nja dhjetë metra më poshtë. Ai ju afrua portës e hapi, hyri brenda në oborr e mbylli përsëri si të ishte një njeri i njohur dhe mori drejtimin për nga shkallët e verandës. U ngrita, e prita në krye të shkallëve, i dhashë dorën duke i uruar mirëseardhjen dhe i prina për në odën e madhe të ndenjes. I bëra me shenjë të ulet në anë të oxhakut aty ku miqtë ulen gjithmonë. Zjarri në oxhak kishte filluar të bubulonte dhe megjithëse nuk ishte ftohtë ne e ndiznim vazhdimisht. Filluam të pyeteshim me njeri tjetrin sipas zakonit. Si je, si shkon, a u lodhe fort nga rruga, si i ke robtë, po gjënë e gjallë etj. Ai më pyeste në përgjithësi dhe unë po në përgjithësi e pyesja dhe i përgjigjesha pyetjeve të tij. Fillimisht mendova se ky person duhet të jetë ndonjë nga rrethi i të afërmeve tanë që vinte rrallë në shtëpi për shkak të biografisë dhe kështu unë nuk e njihja. Të tillë ne kemi pasur shumë. Ata vinin gjithmonë vonë në darkë dhe dilnin herët pa zbardh drita që të mos i shihte njeri. Babai im asnjë herë nuk i kishte kufizuar por ata e kuptonin vetë dhe nuk dëshironin të na bënin dëm. Kur jam martuar unë në vitin 1976 njëri syresh erdhi në dasmë ditën e Enjte, bëri adetet dhe u largua dhe megjithëse babai insistoi të kthehej përsëri të dielën, ai nuk erdhi.
Mirëpo miku nuk po më pyeste konkretisht dhe me emër, për nënën ose te afërm të tjerë dhe për këtë arsye fillova të dyshoj në identitetin e tij. Duke i kërkuar më parë falje, i thashë se nuk po e njihja dhe kjo, fillova të justifikohem unë, për shkak se kam shumë kohë që jam larguar për në Tiranë dhe vijmë në fshat shumë rrallë ose për ndonjë sebep. Dava, ime shoqe po ndiqte me shumë kuriozitet bisedën, solli kafen që sapo e përgatiti për mikun.
Pasi e çoi filxhanin e kafesë tek buza dhe e thithi me zhurmën karakteristike dhe pasi u mendua një copë herë, ai më tha se edhe ai nuk po më njihte as mua dhe as shtëpinë ku kishte trokitur. Më tha se quhesh Mexhit B... dhe se vinte nga Arrën-Malla e Lurës dhe se po shkonte për në Burrel. Nga Lura kishte ardhur në këmbë dhe kishte udhëtuar jo më pak se 6 orë. Ishte rreth 60 vjeç fliste shumë ngadalë, dhe vazhdimisht mendohej përpara se fliste, karakteristikë kjo e njerëzve të moshuar. Nuk ma mori mendja dhe as takati që sonte mund të mbërrij në Burrel (duheshin minimalisht edhe tre orë të mira rrugë), tha ai dhe pasi pashë se kulla po nxirrte tym mendova t’a kaloj natën këtu dhe nesër me sabah të nisem për në Burrel. Unë sikur u çlirova nga një makth dhe i thashë menjëherë atë që thuhet në kësi rastesh: “Mirë se të ka pru zoti”. Do të hamë dhe do të pimë ato që na ndodhen.
Vura re që Dava ma bëri me shenjë dhe gjeta rastin që pak më vonë ta pyesja se pse po më kërkonte. Ajo ishte zverdhur në fytyrë dhe më tha se kishte frikë nga ky i panjohur dhe nuk e di se si do ta ja bënim. Unë e qetësova duke i thënë se është një njeri hallexhi dhe nuk ka se si na bën keq. Pasi e qetësova i thashë të na përgatiste darkën. Ne kishim marrë disa ushqime me vete si bërxolla gjysmë të gatshme, domate, tranguj, një pako peta që na i kishte dhënë Liza, motra e Davës, në Rrëshen dhe me to mund të përgatisnim edhe ndonjë byrek. Por të gjitha këto nuk më hynin në sy për një njeri që kishte udhëtuar 6 orë në këmbë. I thashë Davës të shkonte te Gëzimi ose Gjini dhe të shikonte se çfarë ata kishin vënë në zjarr për vete dhe në se kishte fasule të merrte një tas plot.
Ndërsa Dava u largua unë rifillova bisedën e lënë përgjysmë me mikun. Pasi e pyeta si e kishte hallin (kjo tek ne përkthehet si e ke gjendjen e shtëpisë kallaballëkun etj) miku u përgjigj “shëndosh prej zotit” por më tej më shpjegoji se ishte në një gjendje të mjerueshme. Atë dimër e kishte kaluar si do allahu tha ai. Shtëpia dykatëshe ishte djegur dhe bashkë me të edhe lopa, bagëtitë e gjithfarë kishte. Shyqyr zotit i kishin shpëtuar fëmijët (dy vajza dhe një “Voc”djalë) dhe gruaja e sëmurë. Fëmijët i kishte të vegjël pasi ishte martuar për së dyti, në moshën 45 vjeç. Gruaja e parë i kishte vdekur dhe nuk kishte pasur fëmijë me të. Fshatarët i ishin gjendur mjaft afër dhe e kishin ndihmuar të kalonte dimrin por më tej duhej të bënte vetë diçka. Ai ishte nisur të takonte presidentin e vendit Sali Berisha, me shpresë se një miku i tij në Burrel do t’a ndërmjetësonte për këtë. Unë shpreha keqardhjen dhe e inkurajova të mos i humbiste shpresat se do të gjente patjetër një zgjidhje. Ndjeva një dhimbje të thellë për atë njeri i cili me gjithë ato halle mbi kokë nuk përkulej, nuk ankohesh por kishte besim tek zoti dhe presidenti.
Ndërkohë Dava ishte kthyer me tasin plot me fasule dhe pasi përgatiti edhe disa gjëra të tjera u ulëm të hanim darkë. Ju luta të pinim nga një gotë raki por ai nuk pranoi. Unë nuk insistova gjatë pasi e di se myslimanët (burrat e vjetër) nuk venë alkool në gojë. Besoj se darka i pëlqeu shumë pasi hëngri me oreks të madh dhe kisha pasur të drejtë kur i kërkova Davës të merrte tasin me fasule. Ramë të flinim shumë vonë dhe të nesërmen u zgjuam herët. E ndjeva nga zhurma mbi dërrasa se ai ishte zgjuar dhe sapo unë hyra në odë dhe u përshëndetëm kërkoi të ngrihej e të nisej për udhë. Unë nuk e lashë dhe i thashë se do të pinim kafe të cilën Dava e kishte vënë për ta përgatitur. Mexhiti e piu shpejt e shpejt kafen të cilën e shoqëruam edhe me nga një gotë fërnet që më tha se po e pinte për hatrin tim. E përcolla deri tek porta u përshëndetëm, i urova rrugë të mbarë dhe u ndamë. Gjatë kësaj kohe u mata t’i jepja një njëmijë lekëshe por nuk isha i sigurt se do të ma pranonte dhe madje kisha frikë se do të fyhesh. Unë nuk guxova t’ja jepja lekët sepse ai të imponohej nga pamja e jashtme dhe sjellja, si një njeri fisnik dhe madje edhe i pasur. Por ishte i pasur vetëm në shpirt të cilin zjarri dhe fatkeqësitë nuk kishin mundur t’ja digjnin.
Tek i tregoja thelbin e kësaj ngjarje, Torbeni më ndiqte me shumë kërshëri si rrallë herë dhe kur përfundova bisedën më pyeti si me shaka se ku e kisha lexuar këtë përrallë. Ai nuk besonte kurrsesi që një njeri i panjohur të vijë drejt e në shtëpi dhe të mund të qëndrojë si në shtëpinë e tij. I thashë se kjo është e vërtetë dhe një sjellje e tillë, është detyrim i kanunit të maleve të Shqipërisë. Sipas tij shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut dhe pastaj e pronarit i thashë atij. I tregova se kishte pesëqind vjet që ky kanun zbatohej në vendin tonë veçanërisht në krahinat e malësisë. I shpjegova shumë gjëra rreth kanunit dhe ai u mrekullua dhe më kërkoi në se mund të gjendej ndonjë kopje në anglisht.
Sikur unë të mos e kisha pranuar mikun atë natë i shpjegova më tej, kjo do të ishte një turp i madh për mua dhe do të merrej vesh nga i gjithë fshati, pasi ai do të kërkonte strehë tjetër. Kanuni parashikonte dënime të rënda për këto raste. U duk sikur u bind por më kërkoi aty për aty që në ditët e afërta të vizitonim “kullën e kanunit” siç e quante ai. Ne nuk arritëm t’a vizitonim kullën jo për fajin tim dhe atij i mbeti peng një gjë e tillë. Sa herë më shkruan, më pyet në se kam qenë përsëri te “kulla e kanunit” dhe më thotë se do të dëshironte të vinte së bashku me gruan e tij.
Ndoshta një ditë do të vijë.... . Unë tashmë jam aty, te “kulla e kanunit”, duke pritur që të kthehet Torben, Mexhiti, Martini, Vehbiu, Ridvani e të tjerë.
20 Qershor 2006
Shënim: Kjo skicë është marrë nga vëllimi që do të publikojë së shpejti autori, "Shënime për vehte dhe për ju..."
|