Toka e Katedraleve”, kryemetafora e re e Mirditës -nga Gjon MARKU
Mirdita, me atë çka fsheh brenda thelbit të vet etnokulturor, ka tërhequr e vazhdon të tërheqë vëmendjen e dijetarëve të shumtë të vendit e të huaj, cilësuar ndonjëherë si “…ma e zgjedhuna pjesë e Shqipnis”, siç shkruhej në shtypin i viteve 30. Janë nga më spikaturit krahasimet dhe thëniet për Mirditën dhe mirditasit nga koha në kohë e nga njerëz të shquar. Kjo trevë që e mbrujti qëndresën ndër shekuj, afro njëqind vjet më parë, nga rilindasi ynë Risto Siliqi është thirrur: “Trimëresh e dheut/ I Arbënis fis i kryekreut” apo nga historiani i njohur Zef Mirdita “shtyllë e katolicizmit dhe mbrojtëse të identitetit kombëtar”; për të ardhur në kapërcyell të shekullit që lamë pas, kur poeti, publicisti e studiuesi vendas Ndue Dedaj do ta cilësonte Mirditën, jo rastësisht, në mënyrë proverbiale “Tokë Katedralesh”, duke e fiksuar këtë metaforë të pazakontë në kujtesën e brezave.
Shfaqur si autor shkrimesh e reportazhesh të herëpashershëm, për rreth 30 vjet në shtyp, krijuesi dhe studiuesi mirditor Ndue Dedaj, pasi vë në qarkullim librin poetik “Ajzbergu i Hanës” gjashtë vjet më parë, jep për lexuesin njërën ndër veprat e tij më të ralizuara, studimin e plotë “Toka e Katedraleve” (1999), që në vetvete është një vepër serioze historike, e mbështetur mbi burime të mirëfillta shkencore, ku pasqyrohet rava 2000-vjeçare e krishterimit Mirditë, një ndër trevat më në zë të Shqipërisë.
Nuk është e rastit që autori e nis studimin e tij që në fillim të viteve 90 dhe punoi për afër një dhjetëvjeçar, duke shkruar e rishkruar, si nga mungesa e dokumentacionit, ashtu dhe nga përvoja e paktë e tij gjer atë kohë në rrafshin e studimeve. Në një intervistë ai thotë se kisha katolike e Mirditës kishte mbetur kisha më e paepur, sepse ajo ruajti të pazhbërë një bashkësi njerëzore dhe një bashkësi vlerash, nën katoliçizmin, që nënkupton dhe synimin e autorit për ta rindërtuar këtë bashkësi vlerash përmes veprës së tij.
Kishën katolike e sheh si pjesë të pandarë të jetës së shoqërisë, si udhëheqësen shpirtërore dhe si një faktor të rëndësishem të frymëzimit të qëndresës, kulturës, arsimimit, ndoshta si më të parin e më të vlefshmin gurë në themelin e kulturës sonë kombëtare. Historia e krishterimit vjen natyrshëm dhe e plotë pa qenë aspak qëllim në vetëvete. Një nga mbresat me të forta që fiton që në takimin e parë me këtë libër është shkathtësia e frazës, e stilit të zhdërvjelltë. Autori me mjeshtri e tërheq lexuesin nëpër veprën e vet, e familjarizon me të dhe e bën të ndjehet në një lëvizje të përhershme ku shmanget monotonia e faktomania lodhëse. Deshmitë e panjohura dhe gjurmët historike, mbledhur me mundim në një litaraturë të përhumbur apo dhe gojëdhënat, integrohen falë edhe gjuhës së zgjedhur, të rrjedhshme e të figurshme, të përdorur. Kjo dhe nga se ai është në radhë të parë një poet.
Studiuesi i shquar prof. Zef Mirdita në parathënie shkruan se ky libër “ do të jetë i mirëseardhur edhe për brezat e ata individë, të cilët mbas 6 shkurtit 1967-ës filluen me rrënue kishën katolike…”
Libri nis me një vështrim hyrës në trajtën e esesë për Mirditën, që nëpër histori kishte qënë vatër e kulturës dhe qëndresës, po në radhë të parë e vazhdimësisë së pandërprerë të jetës, kur shkruan: “bleronte mot pas moti lisi i tamblit” e “lisi i gjakut”. Duke shfletuar faqet e librit përfytyrojmë një areal të gjërë vlerash krahinore me rrezonacë kombëtare, ku duket se rrugëtojnë së bashku nëpër shekuj motivet e mëdha të ekzistencës me tragjeditë e medha. Që në kreun e parë ai shpalos bindjen e tij se Kisha Katolike i ka afruar shqiptarët me perëndimin, me kulturën dhe zhvillimin e vendeve të tjera perëndimore. Në këtë kendvështrim vetë kontributi i Mirditës, i klerit dhe kishës katolike të ritit latin marrin një kuptim të veçantë. Po aty ai ndalet edhe në mbishkrimet e hershme, në gurët dhe në kumbonët e kishave apo në ritet pagane, të cilat shpesh ecin bashkë me shoqërinë shqiptare deri vonë. Këto mbishkrime të vjetra janë dëshmi e madhe e asaj kulture të mbrujtur e të ruajtur ndër shekuj në Mirditë e në disa nga viset përreth, edhe pse barbaritë e pushtimet pamëshirshme kanë rrënuar e zhdukur mes tjerash edhe veprat tona të kultit. Mendoj se është trajtuar me argumente bindëse ajo se pse Mirdita mbeti katolike, ku autori rreshton faktorët: historikë, kulturorë, gjeografikë, religjiozë, diplomatikë, dokësorë etj.
Autori gjen një mënyrë origjinale për të organizuar strukturën e brendshme të veprës, një fill që e mban atë në një lidhje të fortë e të logjikshme duke spikatur tërësia homogjene që nga fillimi në fund të saj. Kështu kjo vepër bëhet komplekse ku ndërlidhen një mori përjetimesh shpirtërore e një pasuri e pashterrshme e botës njerëzore; duke u kthyr në një dëshmi e madhe e asaj kulture e dije, identiteti e qëndrese, arsimi e diplomacie si rrallë kund tjetër.
Përmes intensitetit të mendimit si dhe një prurjeje të pazakontë informacioni historik autori shtjellon në kreun e dytë: “Abacitë e Mirditës dhe kuvendet benediktine”; duket se prej këndej ka buruar, siç buron i kulluar uji i bjeshkëve tona, metafora madhështore, proverbiale, titulli mjaft domethënës i veprës: Toka e Katedraleve . Një metaforë e pazakontë që mban një peshë dhe një ngarkesë emocionale e historike, që tashmë ështe ngulitur në ndërgjegjen e të gjithëve dhe duket e pashqitshme më prej saj.
Duke operuar në një mënyrë të shkathët e të lirshme, shpesh në stilin e esse-së, ai gjurmon rolin dhe kontributin e abacive të vjetra, të cilat ishin kthyer në çerdhe të dijes e të kulturës. Në këto kuvende benediktine përgatiteshin klerikë të lartë për gjithë Shqipërinë, madje dhe për Raguzën, citon ai Shuflain. Ansambli kishtar në Mirditë në tërësi, në Orosh, Ndërfanë, Rubik e Shpal, abacitë e famshme, shkollat si pjesë e veprimit të tyre në të mirë të kulturës, arkitektura e papërsëritshme, rezidencat ndihmëse shpalosin sipas veprës qendra të rëndësishme urbane, sociale e kulturore me peshë në historinë, jo vetëm të Mirditës, por të mbarë Shqipërisë. Përshkruan fretërit e bardhë, benediktinët, të cilët, siç shkruan Mons. Rrok Mirdita i kanë dhënë vulën e qytetërimit të mesjetës dhe kanë hedhur themelet e kulturës moderne, dhe për faktin se vetë ishin njerëz të sakrificës.
Një fakt i rrallë, dhënë në libër përmes përshkrimit poetik, për të cilin pothuajse nuk dihej asgjë, janë pemët monomentale të Malit të Shenjtë Ultinjtë, që kishin rrugëtuar prej Rome për tu ngulur atje në malin e shenjtëruar të Oroshit, ndoshta 900 vjet më parë. Vetë Mali i Shenjtë me rezidencat kishtare është cilësuar si një dekor plot hijeshi e madhështi, një qytezë e rrallë e krishtwrimit, një “katedrale” e pamoshë.
Oroshi zë vend të dukshëm në monografi për faktin se ai ka një peshë të veçantë në historinë e Mirditës, të Veriut e në atë mbarëkombëtare. Nga Oroshi niseshin letrat për kancelaritë e larta të Europës. Aty gjenden gjurmët e hershme të krishterimit. Oroshi është objekt i vashdueshëm kërkimi e hulumtimi prej dhjetra vitesh nga studiues të ndryshëm, fiksuar në kujtesën historike si tempulli i dijes e kulturës, i fesë dhe atdhetarizmit, i diplomacisë dhe mençurisë. Shpalosen hap pas hapi në libër rrënjët e krishtërimit e qytetërimit, qoftë nga dokumentet historike, rrënojat aktuale, arkeologjia e më së shumti nga burimet bibliografike. Abacia vjen nëpër histori si institucion i kultit dhe kulturës, prej nga ku prelatët e mëdhenj, Zarishti, Krasniqi, Doçi, Gjinali e Gjini kryenin misionin e tyre të lartë në gjurmë të benediktinëve të moçëm, si misionarë të kulturës dhe qytetërimit, shpesh përmes vështirësish të mëdha, luftërash e trazimesh, shkatrrimesh e rrënimesh barbare, vjedhjesh të vlerave unikale, siç ishte Arka e Shenjtit, apo djegiesh, siç ishte rasti i arkivit të abacisë më 1896.
Jo më pak e rëndësishme, me një histori të dokumentuar nëpërmjet burimeve historike, vjen abacia e Ndërfanës, me mbishkrimin e famshëm epigrafik, si një qendër kryesore e Principatës së Arbërit. Abati i saj kishte një status të veçantë dhe ishte si i dërguar i Papës me mision jo vetëm në Shqipëri. Ndërfana e shpalos madhështinë e vet të mesjetës me gjithçka.
Autori gjithashtu ia shkund mirë pluhurin e harresës së gjatë abacisë së Shën Palit në Blinisht. Shpali shihet prej tij si një vend me status të lartë fetar ndër shekuj, po që fiton ndërkohë dhe një status politik duke marrë zë për kuvendet e burrave të Mirditës apo si qëndër e nënprefekturës së saj në gjysmën e parë të shekullit XX.
Kreu mbi Abacitë e Mirditës duket interesant dhe impresionues për vetë atë lëvizje e shtrirje në hapësirë dhe kohë. Autori përherë është në hetim dhe fikson momentet më kulmore të historisë, zbulon të fshehtën e të padukshmen, mjeshtërisht e me një gjuhë të skalitur, ai lidh organikisht faktet dhe dokumentet duke nxjerrë në pah triumfin e dijes e të kulturës mbi rrënimet e shkatërrimet e vazhdueshme, sfidën e këtij populli mbi natën e errët të pushtimit turk, i cili në kufijt e Mirditës kishte portat e veta të izolimit.
Peshën dhe rolin e kuvendit Françeskan të Rubikut autori preferon ta trajtoi në një kapitull më vete. Ngritur në shkëmb, në njërën nga luginat më të bukura të botës, siç e cilëson meshtari dhe shkrimtari austriak Fabian Barcata luginën e Fanit, Kisha e Rubikut mbërrin në ditët tona si një monument i rëndësishëm i mesjetës, me arktitekturën e saj të veçantë, si njëra ndër kishat më të vjetra të rajonit dhe më gjërë. Afresket e kishës së Rubikut trajtohen sipas të dhënave të Ipen-it, ashtu siç evidentohet vendi që ka patur ky kuvend françeskan në lëvizjen kombëtare për pavarsi.
Më pas rindërtohet e kaluara e kishave kryesore të Mirditës, mbështetur në gjurmimet arkivore, relacionet kishtare dhe vëzhgimet në vendrrënojat e tyre. Krijohet një topografi e Shën Demetrit (Kalivare), Shën Kollit (Orosh), Shën Shtjefnit (Blinisht), Shën Mërisë (Kaçinar), Shën Gjergjit (Gjunalë), Shna Vlashit (Malaj), Shën Mërisë (Perlat), Shën Llezhdrit (Selitë), Shën Mëhillit (Kashnjet), Shën Kollit (Spaç) etj, bazuar kryesisht në të dhënat e relacioneve të Shtjefen Gasprit (1671) dhe Vinçens Zmajeviçit (1703). Lexuesi i painformuar për këto objekte dhe rolin e tyre jo vetëm kishtar, fiton një kujtesë të munguar, pa të cilën njohja e tij për rrjedhat historike do të ishte e mangët. Kishat dhe klerikët e maleve të Mirditës e të mbarë Veriut ishin kthyer dhe në misionarë të dijes e shkollës, të pajtimit e progresit social, sidomos pas riorganizimit të Abacisë së Oroshit në vitin 1888 nga Abat Doçi.
Treva e Mirditës së hershme, në kufijtë e saj etnologjikë, eshtë ndër më të mëdhatë e të lavdishmet, për të cilën kancelaritë e katedrat europiane nuk reshtën së foluri e së hulumtuari heret e vonë. Albanologu i shquar gjerman Peter Bartl në një intervistë për Mirditën shkruan: Kushdo që do të merrej me historinë e Shqipërisë në shekullin e 19-të, nuk mund t'ia dilte më anë pa u marrë me Mirditën . I orientuar nga ky këndveshtrim shkencor, libri "Toka e Katedraleve" i Ndue Dedajt fiton një shtrirje shumë më të gjërë se treva e bërë objekt studimi, aty gjendet Shqipëria si e tërë me të gjitha ngjarjet e mëdha. Duke filluar që nga kuvendet mbarëkombëtare e ndërballkanike, abacitë dhe kuvendet benediktine, përpjekjet për arsimin dhe gjuhën shqipe, shkollat, ndër të parat shqipe etj. Aty janë klerikët, shkrimtarët e dijetarët e mëdhenj Fishta dhe Doçi, Marlaskaj e Mjeda, Gjeçovi e Bardhi etj, shumë prej tyre lënë në harresë për shumë kohë. Vijnë për të parën herë të ringjallur e me peshen e duhur të fjalës së thënë për to, pas pesëdhjetë a më shumë vitesh , gjuhëtari Dom Dodë Koleci, etnologu e folkloristi Dom Prend Suli, historiani Dom Nikoll Kimza, apo ipeshkvi i parë i dioqezës së Mirditës Imzot Zef Gjinali, që i kishin kushtuar jetën Mirditës, kulturës e etnokulturës së saj. Bie në sy pikëveshtrimi nga duhet parë vepra e munguar e Prend Doçit , një vështrim krejt origjinal, sipas të cilit, Doçi nuk ka shkruar pak, por thuajse gjithmonë pa emër dhe se ai e vetësakrifikoi talentin e tij për veprën kolektive të shoqërisë Bashkimi që ai kryesonte.
Prej kishave të tyre mes maleve, si antarë apo bashkëpunëtorë të shoqërisë së njohur “Bashkimi”(1899) mjaft priftërinj kishin shpenzuar energji për kryerjen e hulumtimeve e studimeve të papërsëritshme. Prelatët e kishës katolike që së herëshmi kishin vënë gurët e themelit në gjuhën e kulturën kombëtare, me një atdhetari të kulluar, që nga Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e gjer Gjeçovi, ku dhe trualli i Mirditës ishte kthyer për shekuj në pishtar i shqiptarisë. Është e qartë pse prej Europës rendnin konsujt e albanologët, historianët e gjuhëtarët të gjenin ashtin e traditës së ruajtur të pastër, të preknin e të shihnin vetë nga afër zakonet e doket gati mitike e unikale. Trualli prej nga ku ishte dokumentuar kushtetuta monumentale, palca etnike e qëndresës, Kanuni i Lekë Dukagjinit , apo vepra e shquar e epikës sonë Lahuta e Malësisë , të cilat autori i monografisë i sheh të ngjizura në fillesë në Gomsiqen e Mirditës, ku shërbyen Gjeçovi e Fishta.
Në epilog autori ngërthen si në një tablo sinoptike persekutimin e kishës dhe të klerit katolik shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe ringjalljen e besimit dhe të kishës në vitet 90.
“Toka e Katedraleve” është nga ata libra që bën vend shpejt e që pati një jehonë të menjëhershme. Një libër i lindur nga mungesa e deshmive dhe memoria e shuar e brezave, çka ia rrit vlerën. Për ta shkruar librin autori ka punuar gjatë, duke përdorur shumë mënyra: vështrimin historik, përshkrimin, dëshminë autentike, mbishkrimin, analizën, kronikën, portretin, esse-në, reportazhin e gjer figurshmërinë letrare. Kjo është një pasuri e stilit të këtij autori, që buron nga qenia e tij një krijues e levrues i disa fushave.
Kanë qenë jo të pakta vlerësimet e personaliteteve të sotëm të letrave. Kështu akademiku Zef Mirdita, shkruan : “Asht me randësi të theksohet se autorit Ndue Dedaj i ka shkue për dore me dhanë një pasqyrë të qartë dhe të randësishme të veprimtarisë së klerit katolik mirditas në ruajtjen e qëndresës së popullit shqiptar gjatë historisë.” Dom Ndoc Nogaj e konsideron “libër të bukur dhe me vlera të mëdha historike…që paraqet me besnikëri jo vetëm punën e madhe të bame nga Kleri Katolik Shqiptar por edhe qëndresën e papërkulur të popullit martir të Mirditës në shekuj”. Imzot Zef Simoni, ipeshkëv : “Asht fort e saktë fjala e z. Ndue Dedës në librin e vet me aq vlerë “Toka e katedraleve”, me stil konkret e të shpejtë të mirditasve, kur flet për Mirditën tue thanë se “ndërrimi i besimit do të ishte i barabartë më humbjen e tyne”. Prof. Dr. Mark Tirta shkruan se “në stilin e të shkruarit të këtij libri janë shkrirë bashkë fjala e zgjedhur, e ëmbël, poetike e poetit, me saktësinë dhe fisnikërinë e studiuesit korrekt e të kujdeshëm, është e ngopur me dëshmi të mbledhura nga autori me shumë përkushtim në terren, në mbishkrime, në arkiva e në burime të shkruara.” Studiuesi i vjetër i historisë së Mirditës, Dr. Pal Doçi, pasi i shkoqit meritat e librit në tre kendveshtrime, përmbyll: “për këtë vepër të lavdërueshme, desha të theksoj se Ndue Dedaj, tue mos qenë në institucione shkencore, por vetëm një mësues gjuhe e letërsie i një treve malore, pa e shtyrë e nxitur kush, veç nga ndjenja e përgjegjësisë si intelektual i formuar për t'i shërbyer historisë së vendit të vet, pasqyrimit të së vërtetës historike, ka bërë një punë që duhet t'ia kenë zili ata që marrin rrogën në institucionet shkencore…”
“Toka e Katedraleve”, tashmë është një libër i kërkuar këtu dhe në diasporë. Mund të thuhet se është e para vepër e plotë e shkruar në Shqipëri për krishterimin nga një laik, dhe ky është një fakt tjetër domethënës.
Vepra të tilla nuk duhet të kalojnë jashtë vëmendjes dhe të instancave që akordojnë çmime.
|