Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net

TITUJT E GAZETËS

  Faqe Kryesore

  Editorial-M. Graf

 Apel politikës

  Problemore-autostrada

 Veprimtari artistike

  Politikë

  Ekonomi

  Personazh-Mark Tirta

  Kronika

 Aktuale

  Ekskluzive

  Biznes

  Kritikë-botime

 

 

 

 

 

  

  Faqe Kryesore


KËRKIM

 

 

Lezhë, promovohet Strategjia e Zhvillimit të Rajonit

LEZHË. Është promovuar në Lezhë strategjia rajonale e zhvillimit të këtij qarku në kuadrin e objektivave të Zhvillimit të Mijëvejçarit (OZHM). Për këtë dokument themeltar, i cili do të shërbejë si projekt-ide për alogime projektesh konkrete dhe implementimin e tyre praktik në tërë rajonin e këtij qarku, janë angazhuar disa departamente të këshillit të qarkut nën drejtimin e kryetarit të tij Bardh Rica, zyra dhe drejtori rajonale si dhe pushtetet vendore të këtij rajoni. Si përfundim i gjithë analizave, skicimeve, dokumentimeve të drejtimeve kryesore të zhvillimit etj, është arritur në përpilimin e një dokumenti skupuloz të dhënash dhe hulumtimesh, i cili prêt tashmë skicimin e projekteve konkrete dhe thithjen e fondeve në rrugë të ndryshme për zbatimin e tij. Takimin promovues e ka hapur Bardh Rica, kryetar i qarkut Lezhë, i cili pos faktorëve lokalë për këtë dokument, që sjellë një shërbim të vyer ndaj banorëve të këtij rajoni, ka përmendur dhe ekspertizën e kualifikuar të UNDP-së dhe REC, që e asistuan hartimin dhe përgatitjen e këtij dokumenti. Rica ka theksuar se ky dokument shërben si urë lidhëse ndërmjet shqetësimeve në nivel komune, bashkie dhe qarku dhe trajtimit të tyre, të harmonizuara me ato në nivele kombëtare dhe rajonale, mbështetur në Objektivat e Mijëvecarit. Pozita e favorshme gjeografike e qarkut të Lezhës me 38 vijë bregdetare, që ndodhet në kryqëzimin e të gjitha arterjeve të transportit rrugor, detar, ajror e hekurudhor, ku alternohen relievet e spikatura të natyrës shqiptare, burime të bollshme ujore, florë dhe faunë me shumllojshmëri llojesh e plot bukuri të tjera që zoti e natyra i ka dhuruar këtij rajoni, krijojnë kushte për zhvillim dhe prosperitet të këtij rajoni. Anna Stjarnerclint, përfaqësuese e përhershme e Kombeve të bashkuara në Shqipëri, ka sjellë në vëmendje të auditorit takimin e Kombeve të Bashkuara për Mijëvjecarin në shtator të vitit 2000, kur udhëheqësit e botës u angazhuan të bashkonin forcat për realizimin e një numëri objektivash, për të zvogëluar varfërinë, sëmundjet, analfabetizmin dhe forma të tjera të vuajtjeve njerëzore, të gjitha këto deri në vitin 2015. UNDP, tha ajo në këtë kuadër, ka bërë përpjekje të mëdha për ta sjellë këtë angazhim në nivel vendor, duke ndihmuar qeverisjet vendore më hartimin e raporteve të zhvillimit rajonal ose strategjive me fokus OMZH-të.

Shuhet studiuesi mirditor Simon Prendi

RUBIK. Më 11 prill 2005 vdiq në Tiranë mësuesi dhe studiuesi i njohur mirditor Simon Prendi. Një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme i mori jetën në një kohë kur ai mund të jepte dhe më shumë për vendlindjen e tij. Simon Prendi u lind në fshatin Blinisht në një familje të njohur në krahinë. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes dhe më pas për të vazhduar në konviktin e Rrëshenit nga viti 1952 deri më 1954, ku u shqua si nxënës i vullnetshëm dhe cilësor, ndërsa më pas vazhdon studimet në shkollën pedagogjike të Shkodrës. Shkolla e njohur dhe me tradita “Shejnaze Juka” përgatiste mësues, aq të domosdoshëm për kohën, një nga ata është dhe Simoni, i cili më pas do të shëtiste në shumë shkolla si mësimdhënës që nga Shpali, Orosh, Katundi i Vjetër, shkolla e mesme Rubik etj. Në vitin 1963 dërgohet në shkollën e lartë të kuadrove për tre vjet pranë fakuletit histori-gjeografi në UT e Tiranës. Pas studimeve të larta kthehet sërish në Mirditë, duke ia kushtuar tërë energjitë e tij arsimit në këtë trevë, ku ra në sy si organizator; punon vite të tëra si mësues, pastaj drejtor shkolle dhe për vite me rradhë si drejtor i Kabinetit Pedagogjik në vitet 1980-90. E veçanta e Simon Prendit ka qenë se edhe gjatë punës për rritjen masive dhe cilësore të arsimit në Mirditë, ai nuk la asnjëherë punën dhe studimet e tij në fushën e historisë ku dhe ishte specializuar. Punon për disa vite pranë arkivit të Shtetit në Tiranë si dhe pranë arkivit të Institutit të Historisë në Tiranë dhe Bibliotekës Kombëtare. Me hulumtimet e bëra finalizon maketin mbi “Historikun e rrethit Mirditë”, për periudhën nga pushtimi turk deri në 1939. ndërkohë është dhe hartuesi kryesor i të parit historik të arsimit për rrethin e Mirditës. I çmuar është kontributi i tij në hartimin e disa zërave për Mirditën në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Falë këtij skrupuloziteti në punë shumë prej punimeve dhe hulumtimeve të tij e panë dritën e botimit, por disa prej tyre, edhe pse i pati në projekt të vazhdueshëm, nuk mundi t'i botojë, pasi sëmundja arriti ta mposhtë në moshën 66 vjeçare. Për meritat e treguara Simon Prendi është dekoruar me shumë medalje e urdhëra nga Kuvendi Popullor, me medaljen e punës të klasit të parë, etj. Edhe në periudhën e ndryshimeve demokratike pas vitit 1990 Simoni dha ndihmesën e tij në arsim, ndërsa politikisht drejtoj dhe një parti opozitare në përkrahje të ndryshimeve demokratike. Ai e mbylli karrierën e tij si drejtor shkolle në Gjimnazin e Rrëshenit, pikërisht aty ku vite më parë kishte mësuar dhe vetë. Për ne që e njohim nga afër, gjithë bashkëkohësit dhe mësuesit, Simon Prendi do të mbahet mend si njeri tepër korrekt, organizator i shkëlqyer, që ndihmonte vartësit në çdo moment e rrethanë dhe si një prind model. Me bashkëshorten e tij Drita, edhe ajo mësuese, patën tre fëmijë, të cilët sëbashku me nënën e tyre kanë një obligim të madh për të mbajtur lart emrin e kësaj familje arsimdashëse dhe me shumë kulture në Mirditë. E sigurisht, kur po shkruaj këto rrjeshta për kolegun tim, nuk mund të lë pa përmendur tërë atë respekt dhe nderime që i bëri Mirdita, vendlindja e tij, me rastin e vdekjes, mësuesit të shquar. Banorë të Rubikut, Rrëshenit etj, morën pjesë në ceremonialin mortor në Tiranë ku do të prehet përjetësisht. Nikollë Toma

Po ndotet lumi i Zmesë

RRËSHEN. Prej kohësh syri i qytetarëve gjjithnjë e më shumë po prek një situate mjaft të favorshme për sa i përket rregullit e pastertisë brënda vijave kufizuese të qytetit të Rrëshenit. Shpesh here këtë e ka bërë objekt të kronikave televizive edhe televizioni Mirdita, duke kërkuar sensibilizimin e qytetërave edhe për zona të tjera. Por a është e mjaftueshme kjo për të shpëtuar përfundimisht nga sëmundjet ngjitëse e madje edhe nga ndonjë epidemi, e cila në shumë raste ka prekur jo vetëm zonën tonë por edhe zona fqinje si Laçi etj. Natyrisht, që jo kur hedh vështrimin në zonën që e qarkon qytetin e Rrëshenit. Ajo çfarë ka rënduar së tepërmi situatën është lumi i vogël i Zmesë. Nëse do të mundësohej matja e nivelit të ndotjes në këtë ujë të rrjedhshëm pa dyshim se situata do të rezultojë alarmante. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur qytetarë të të gjitha kategorive e kanë gjetur këtë lumë si më të përshtatshëm për të hedhur mbeturinat e të gjitha llojeve. Aty mund të gjejsh deri edhe lëkurë, zorrë, planca e mbetje të tjera nga therjet e vazhdueshme të thertoreve të ndryshme, mbeturina të tregut të qytetit e deri mbetje te spitalit dhe të maternitetit. Por ajo çfarë është më alarmante njoftohet se diku në afërsi të fshatit Jezull janë hedhur pirgje me pesticide nga ish-rezervat e bujqësisë. Një situatë e tillë ku dominojnë ujërat e zeza, paraqitet dhe në përrenjtë e Kulmes, që qarkojnë qytetin e Rrëshenit, ku janë hedhur mbeturina, por ku rrjedhin dhe ujrat e zeza, të cilat janë burim i sigurtë për epidemi masive, sidomos tek fëmijët.

11 vjet bukën e bekuar për grekët, tani për mirditorët e mij!...

RRËSHEN. Ka ndenjur tërë natën pa gjumë, duke gatuar bukën dhe prodhime të tjera për Ditën e Pashkëve. Por mbi të gjitha bukën. Një nga ato ka qenë për të sajdisur dhe presidentin e Republikës, dhe të bijën e tij, që i kaluan Pashkët në mes besimtarëve katolikë të Mirditës. Ka patur porosi gjithandej në qytet dhe në fshatrat përreth për prodhime të tilla. Janë mbi 400 bukë të llojllojshme të prodhuara vetëm për këtë ditë. Dhe jo si çdo lloj tjetër buke, mbi këtë ka ushtruar shumë zanat, shumë dashuri. Është buka e Pashkëve, buka për t'u bekuar tek kisha, dhe kjo është një simbol i veçantë i kësaj dite të shënuar për katolikët. Ndue Tryci, të cilët i lexohen lehtë sytë e skuqur nga pagjumësia e këtyre netëve, thotë se, zanatin e furrëtarit e ka me shumë pasion. Në fakt, nuk e kam trashëguar, thjeshtë e mësova në Greqi, thotë ai. Ndërsa, i vëllai Gëzimi, (që të dy shquhen nga shtatlartësia), thotë se askush nga shokët që e kanë njohur vite më parë Nduen para '90-s nuk e besojnë se ky mund të jetë kaq i shtruar në punë. -Jo se nuk doja të punoja, thotë Ndueja, edhe kur ishin kooperativa, po për kë të punoja, pyesja veten. Ndërsa pas '90-s të paktën e kuptoj se punoj për veten time, për familjen time, tani më ka kuptim edhe zanati. Fillimisht, rrëfen ai, mora malet e grekut në këmbë për orë të tëra, provova disa lloj punësh, por ajo që më pëlqeu dhe m'u kthye në pasion qe puna e furrëtarit. Zura vënd në një furrë buke, ku prodhonim bukë dhe ëmbëlsira të llojllojshme në Athinë në një lokal që quhej Qipriokigonia (Furrë në një qosh). Atje e mora zanatin së bashku me vëllain tjetër, i cili vazhdon të punojë atje. Prodhonim qindra lloj bukësh e ëmbëlsirash. Sidomos për festa mbyteshim nga kërkesat dhe na duhej të punonim ditë-natë. Për festën e Pashkës dyndeshin qindra klientë grekë e raca të ndryshme për ta prodhuar bukën tek ne. Atje e mësova sekretin e prodhimit të kësaj buke, dhe atë lloj prodhimi e solla dhe këtu. Ma pëlqejnë shumë. Dhe në fakt, kur e vështron bukën që prodhojnë duart e Ndues, nuk ka si të mos shkojë goja lëng nga mënyra sesi e ka rrumbullakzuar, duke i dhënë një ngjyrë shumë grishëse Quhet e llojit kifla, thotë ai, dhe ka në përbërje disa elementë, që nga mielli, sheqeri, veza, gjalpi, qumështi, por dhe aroma, si vanilje, esencë portokalli, mastika, meklepi etj. Për ta zbukuruar atë, në mes të bukës vendosin dhe një vezë me ngjyrë, kryesisht të kuqen, simbol i kësaj dite të shënuar. Ajo që binte në sy sot në orët e para të ditës, tek ishin dyndur qindra besimtarë me ushqimet e tyre në duar, për të marrë bekimin nga monsinjor Cristoforo Palmieri në mjediset e hapura të dioqezës madhështore të Rrëshenit, pos të tjerave ishte dhe buka e prodhuar nga duart e Ndues dhe të vëllait Gëzimit, ndërsa spërkatja e ujit të bekuar mbi të, dukej se i jepte një shembëllim hyjnor këtë natë të lindjes së Krishtit.

Përlat, shkolla e zhytur në ujë

PËRLAT. Jemi në shkollën e mesme të bashkuar në Përlat Qendër. Është shkolla e dytë në historinë e arsimit në Mirditë pas asaj të Oroshit; në vitin 2008 mbush plot 100 vjet, që kur është hapur. Natyrisht, në këtë kronikë speciale, nuk do të flasim për historikun e saj, por për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet ajo. Kamera jonë ka hyrë nëpër mjediset e saj, dhe fjalët do të ishin vërtetë të tepërta për t'u artikuluar në këtë rast, megjithatë për t'ua bërë sa më prezente gjendjen teleshikuesit le të hyjmë nëpër disa mjedise të saj. Duke filluar me mjedisin e jashtëm, një rrethim, që tashmë shumë pak funksionon, mund të hyjë kushdo e të bëjë ç'ti dojë zogu i qejfit aty brenda, madje t'i teket ndonjë të krisuri edhe ta nxjerrë mësuesin prej orës së mësimit. Sepse edhe për ta nxjerrë që andej nuk do shumë punë, pasi as ka derë të jashtme për të qenë, as ka dyer të brendshme, as xhama e as dritare! Një han pa porta i vërtetë, që kurrsesi nuk do ta miratonte emrin shkollë. Televizioni “Mirdita” e ka bërë problem edhe prej vitesh, dhe ishte e pabesueshme, sesi ajo kronikë nuk ka rënë në ndonjë vesh të ndjeshëm për të ndërhyrë fuqishëm në rikonstruksionin e kësaj shkolle, që quhet e mesme e bashkuar, pra që ka fillore, 8 vjeçare dhe e mesme, madje ka dhe një kopësht fëmijësh në katin e parë të saj. Kur ditën e djeshme me kamerën tonë ishim në shkollë, shiu binte me xhyma jashtë, por po kaq rrjedhje shiu hynte dhe brenda në koridore, nëpër klasa, në të gjitha mjediset e saj. Shirat, ujtësimet e kanë bërë punën e tyre, duke kalbur thuajse tërë kanatet e dritareve, dyert dhe çdo pajisje që është vënë aty. Drejtuesi i shkollës Ndrecë Doda, të cilit i është dashur të blejë edhe bojë a gëlqere me lekët e xhepit të tij, apo të ribëjë lyerje të mjediseve, edhe pse figuron e lyrë nëpër projekte e preventiva nga firma fantazmë, që u shërbejnë shkollave në mënyrë të çuditshme pa patur ndokund kontrolle për cilësinë e punëve gjatë verës, e ka të vështirë të flasë para mikrofonit tonë, duke patur dhe një ndjenjë mosbesimi se kjo kronikë nuk do të rregullojë gjësendi, por i vjen shumë rëndë që përkushtimi i tij si mësues dhe drejtues i kësaj shkolle tash që është thuajse në mbyllje të karrierës, ashtu si dhe shumë mësueve të njohur këtu në këtë shkollë me tradita të hershme dhe të tashme, i është shpërblyer në mënyrën më të keqe të mundshme. Ai thotë se shkolla frekuentohet, përlatasit janë arsimdashës, nxënësit vijnë që nga Troja, Tharri, Vadhishta, Proseku, Përlati i Epër, dhe nga këta shumë prej tyre e bëjnë rrugën edhe në këmbë, por më pastaj të nxënit në këtë mjedis është i paimagjinueshëm në një mjedis që nuk grish kënd për t'u shkolluar. Për këtë arsye shumë prindër i kanë drejtuar fëmijët e tyre për në Rrëshen, ndaj dhe kjo është arsyeja që nuk ka fare vitin e dytë, por as dhe një klasë të gjashtë! Dy nxënës, që flasin para mikrofonit tonë tregojnë gjithë aventurën që bëjnë ata dhe prindërit e tyre, që të ndjekin mësimet këtu, edhe pse disa orë larg prej këndej….(sinkron) Flitet shpesh herë për një strategji arsimi, që nis që në kupolën e Memushit, një zot e merr vesh këtë strategji, kur shikon mjedise të tilla shkollash në qendër komune, që gjendet vetëm 15 kilometra larg nga Rrësheni, dhe që ndodhet në një pellg, që nuk është prekur dhe aq nga sindromi i braktisjes masive. Por as mësuesit, dhe as nxënësit, që e prekin çdo ditë më dorë mjerimin e një shkolle, që nuk ka asnjë përngjasje as me kasollet e kohës së Migjenit, nuk e dijnë një gjë, që qindra milion dollarë degdisën nga ustallarët e kupolës së arsimit në majë malesh ku nuk ka as nxënës, as banorë, as mësues dhe as ndonjë perspektivë. Por ama, ka një gjë “të artë” andej, sekserët e investimeve, mund t'i fshehin shumë mirë gjurmët e vjedhjeve duke rrakaqiell ndërtesa të hijshme, që ia vlejnë ditën e përurimeve, dhe vetëm kaq. Ne s'na mbetet gjë tjetër të themi, vetëm të urojmë që dhe kjo kronikë, nuk do të pësojë fatin e së parës, kuptohet për një problem, që parasëgjithash lidhet me fatin e shkollimit të 200 nxënësve të kësaj shkolle, sigurisht, duke i uruar fat të mbarë edhe Strategjisë së Memushit…

 

Palestra e shkollës së mesme, aty ku “vallëzojnë” minjtë

RRËSHEN. Në katin e parë të godinës trekatëshe të shkollës së mesme në Rrëshen, në fund të koridorit, duket dhe një derë e duralumintë, që ashtu si dhe dyert e tjera, të jep idenë e një mjedisi të komoduar brenda. Pamja që të shfaqet përballë është befasuese. Një palestër, që nuk mund të quhet e tillë, madje as si një magazinë e rëndomtë rraçkullinash. Dhjetra tavolina të prishura, stola, dërrasa të zeza, e xhama të hedhur andej këndej. Parketi ka krijuar një si gungë nga lagështira e futur aty, ndërsa për çudi është vënë mbi parketin e parë, ndërsa vetëm një “kal i drunjtë”-kaluçi i dikurshem (!) i orës së fizkulturës, të ngjall fantazinë për t'u kujtuar se këtu dikur ka qenë palestër e shkollës. Tjetër gjë aty nuk ka që të ta kujtojë palestrën. Mësuesi i fiskulturës Shtjefën Pacuku shprehet sjhumë i shqetësuar duke thënë se këtu nuk mund të bëhet mësim, për më keq nxënësit nuk kanë se ku të zhvishen e vishen për këtë orë mësimi kur e zhvillojmë në terrenin sportiv të jashtëm. Më tutje duken ca banjo tërësisht të shkatërriuara dhe mure të lerosura, gjithandej lëvrijnë minjtë, që vijnë nga dritaret e shqyera e pa xhama etj. Edhe pse është relatuar disa herë gjendja në zyrën arsimore, ministri apo bashki për të lëvruar ndonjë fond, askush nuk e ka vënë ujit në zjarr. Ka qenë një palestër shumë e mirë, dhe këtu në shkollën me afro 1000 nxënës, kanë dalë talente dhe janë përgatitur sportistë, përveç faktit të dhënies së mësimit në kushte komode, sidomos në kohë shiu. Edhe në mjediset e jashtm, këndi sportiv është prishur, fusha e voleibollit dhe basketbollit është në gjendje shumë të keqe, po ashtu dhe gropa me rërë ku bëhen kërcimet, hekurat e forcës janë prishur dhe nxjerrë nga aksi nga njerëz të papërgjegjshëm.

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net