Hyjnesha e Pyllit
Kohët e fundit ka dalë në qarkullim libri për fëmijë Hyjnesha e Pyllit i autorit Ndue Dedaj, të cilit, nisur dhe nga fakti se është i pari libër artistik për fëmijë i botuar në Mirditë, i drejtuam dy-tre pyetje:
Keni shkruar libra të natyrave të ndryshme, letrar, historik etj., ndërsa ka dalë në qarkullim dhe një libër i juaj për fëmijë me titull “Hyjnesha e pyllit“. Si u shkrua ky libër?
Me sa duket ky libër kishte nisur të shkruhej prej kohësh. Tani që ai është botuar, në dorëshkrimet e mia, gjej fabula, detaje, skicime tregimesh për fëmijë të viteve '80, që i kisha harruar se i kisha… Por le të kthemi në kohën kur ky libër u ngjiz vërtet. Im bir, asokohë nja katër - pesë vjeç, më kërkonte vazhdimisht t'i thoja përralla, po unë nuk dija asnjë. Aq më tepër që ai i “porosiste”: përrallë me lule, me zog, me ujk, me tigër dhe ngulte këmbë që përralla të ishte patjetër njëra nga këto. Dhe i donte njërën pas tjetrës… Mirëpo unë nuk kisha qenë fatlum nga kjo anë. Gjyshja ime ma pati mbushur kujtesën me plot histori e ndodhi të së kaluarës, me luftëra e barut, po përralla as i pata kërkuar, as më pati thënë, pos disa rrëfimeve të frikshme me kuçedra a dragoj, kur unë bëja gabime. Nëna dinte këngë të vjetra përmendësh, po përralla nuk mbaj mend të më ketë thënë. Kështu që fëmijëria ime nuk u mbrujt me përrallën që vinte që nga fëmijëria e njerëzimit. Duhet thënë se dhe në letërsinë tonë apo më tej në memorien e shoqërisë “revolucionare” nuk ishte dhe aq përzemër përralla asokohe, por më shumë këndimet moraliste për fëmijët. Shtoju këtyre dhe mangësitë e formimit tim kulturor e letrar në këtë anë. Nga ana tjetër, as zonja ime, Maria, nuk ishte fort e kënduar për punë përrallash, që t'ia thoshte të birit, më të voglit. Por si t'ia bëja tani që im bir i donte përrallat nga unë?
Dhe vërtet, si ia bëtë, kur një prind nuk mund të heshtë të paktën ndaj kërkesës së fëmijës së tij për t'i thënë përralla?
Nisa të stisja përralla të thata, po ato nuk i pëlqenin. Kur i thoja ndonjë me lepurush ai ia priste “Kjo nuk është përrallë e bukur”. Si duket përralla të bukura nuk i thonin as edukatoret në kopshtin e paradites me gjithë dëshirën e mirë. Nuk kishte asnjë shpëtim: përrallat duheshin krijuar! Sa të më “kthehej” mua fëmijëria, sa të dilnin librat me përralla të zgjedhura, sa të mësonte dhe ime shoqe të rrëfente përralla bëhej vonë për tim bir. Përrallat do t'i krijonim bashkë. Një pjesë unë, një pjesë ai, gjersa të binim dakort dhe pastaj të rrëfenim të njëjtën përrallë. Për atë bota e larme nuk kishte të vërteta, por vetëm përralla, madje vetë ajo ishte një përrallë e madhe… Kështu krijuam një tufë përrallash ta pashkruara, që unë i quajta “Përrallat e Irdit”. Tani lus Zotin që ai nga ana e tij të mos thotë: “Këto janë përrallat e Babit!?”
Tani që libri është botuar, çfarë keni për të thënë?
Shumë pak fjalë. Të pëlqehet nga lexuesit e vëgjel, dhe si një detyrim prej mësuesi për ta. Të falenderoj z. Vlash Kaçorri, një artist i talentuar i arteve figurative, që bëri me aq përkushtim ilustrimet e librit, si dhe z. Franz Ëinsauer që e mundësoi botimin e këtij libri, pa hërruar dhe kontribues të tjerë që i kanë dhe nuk i kanë emrat në frontespic, si Viktor Gjikola, Zef Zefi apo ime bijë Riviera, e cila në fakt ka meritë të veçantë në maturimin dhe fatin e këtij libri... Por dhe gazetën “Mirdita”, e cila me aq impenjim dhe seriozitet i përcjell rast pas rasti botimet e shkrimtarëve dhe studiuesve mirditorë, aq sa kur na “humb” ndonjë gjë e çmuar që më vonë na duhet, me siguri e kemi aty, në fletët e saj, të cilat meritojnë shumë më tepër vlerësim e mbështetje sot. Përgatiti: Esmeralda Dodaj
Autori që po troket në aristokracinë e Mirditës
-( Shënime rreth librit « Mirdita në vizionin filatelik të autorit Gjon Marku)-
Quhet Gjon Marku, biokimist dhe agronom në profesion, politikan gjithashtu, studiues, gazetar dhe poet. Mbi gjithçka në veprimtarinë e tij vë librat dhe studimin, jo se i neglizhon të tjerat. Por, kur duam ta veçojmë nga grupi i intelektualëve mirditorë, të angazhuar në lëmitë e artit dhe të kulturës, duhet të përmendim filatelinë, pasi ai është i vetmi mirditor në Mirditë, ndoshta dhe më gjërë që e ka ushtruar artin e koleksionimit, madje herët që në moshën studentore. Objekt i këtij shkrimi nuk janë koleksionet e tij të pasura, që e rendisin në një vend të lamuar në rang vendi, por ndihmesa e tij si studiues, pikërisht në këtë fushë. Në fakt, një koleksionist me një pasuri të tillë numizmatike në një vend tjetër do të nderohej e ndoshta do të pasurohej, ndërsa tek ne vlerësimet mund të vijnë edhe me vonesë, ndonëse gjithësesi ato do të vijnë patjetër. Arti i koleksionimit është me origjinë aristokratike dhe në fakt edhe në kohët moderne ushtrohet më së shumti nga aristokracia, sepse ajo ishte e interesuar t'u linte brezave të ardhshëm shkëlqimin e vet, të përjetësuar ndër vepra arti, qofshin pulla postare, monedha, piktura, skulptura, e tjerë. Dy nga familjet më të fuqishme shqiptare që kanë jetuar në Evropë, Durrësakët dhe Albanët kanë lënë koleksione shumë të pasura. Kështu Durrësakët në Vilën e famëshme të tyre, që u bë edhe Pallati Mbretëror i Savojës kanë lënë një koleksion jashtëzakonisht të pasur pikturash të piktorëve më të mëdhenjë të Rilindjes, ndërsa Aleksandër Albani, nipi i Papës Klementi XI qe njohur zyrtarisht si koleksionisti i dytë në botë për kohën e vet. Në librin e tij Gjoni është marrë më shumë me Mirditën. Që në titull ai shpalos synimin e tij për të dëshmuar se edhe në kohët e vona, kur mirditorët mbaheshin për burra të pushkës dhe të besës, në fakt mbetën një popull artist. Koleksionin e filatelistëve mirditorë me banim në Shkodër që përmndet në librin e Gjon Markut guxoj ta quaj aristokraci e Mirditës. Dy nga koleksionistët e njohur : Prengë Bibë Doda dhe Pashko Vasa kishin titullin osman « Pashë » (Gjeneral). I pari rridhte nga familja e njohur e Gjomarkajve, ndërsa i dyti ishte aristokrat i bërë vetë si nga forca e mendjes, një kollos i vërtetë, ashtu dhe nga aftësitë si burrë shteti dhe ushtarak. Pa u nisur nga motive krahinore koleksionistin Ndoc Xhuxha (Gjinaj) guxoj ta quaj të fisit tim. Ai ishte nga Xhuxha, se këtë e dëshmon mbiemri që mbante, por mbiemri tjetër Gjinaj dëshmon se ai ishte i fisit të Gjinajve të Xhuxhës. Këtë mbiemër e ka mbajtur edhe një djalë tjetër i këtij fisi, që nuk ka jetuar në Fanë, i quajtur Gjon Gjinaj. Gjon Marku në librin e tij ndriçon një fushë të panjohur dhe të mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve, prandaj me të drejtë mund të konsiderohet si personi që hap një shteg të ri në njohjen dhe vlerësimin e vlerave më të mira të popullit të vet. « Ishte Preng Bibë Doda i pari që arrin të shtypë pullën e parë shqiptare lokale në vitin 1883…ishte i pari që dërgoj në Vatikan koleksionin numizmatik të monedhave » ,- thekson Gjon Marku në kapitullin e parë të librit të tij. Përmes librit të studiuesit Gjon Marku lexuesi mëson se pulla « Posta vetkeverisëse e Mirditës » nuk u emetua për herë të parë në vitin 1921, kur u shpall e ashtuquajtura « Republika e Mirditës », por shumë kohë më parë. Në faqen 13 të librit, jepet koleksioni i pullave të nxjerra nga Preng Bibë Doda që në vitin 1883 dhe në faqen 16 e njejta pullë, (mbase jo në të gjitha detajet) jepet në vitin 1921. Domethënë pulla « Posta vetkeverisëse e Mirditës egzistonte tashmë. Duhet theksuar se në të dy rastet emetimi i saj pati krahas të tjerave edhe një funksion politik. Në rastin e parë mund të konsiderohet si veprim patriotik, sepse në Shqipërinë e pushtuar shfaqja e elementëve të mëvetësisë qoftë edhe në një pjesë të territorit të vendit, kishte pasoja pozitive në të gjithë Atdheun, ndërsa në rastin e dytë pasojat janë negative. Gjithësesi, siç vëren autori emetimi i kësaj pulle « ishte bërë për të përmbushur më tepër një qëllim politik, se sa filatelik » . Megjithatë Gjon Marku arrin me mjeshtëri t'i largohet intrepretimit politik të ngjarjes, duke u evidentuar në këtë rast thjeshtë si studiues filatelist. Kapitulli tjetër « Motivi mirditor në pullën postare shqiptare » sjell në mënyrë të qartë një pjesë të pasurisë mirditore në thesarin e kulturës kombëtare. Pullat « Kostumi i gruas mirditore », « Dhoma mirditore », »Djepi i Mirditës », »Vallja e kapuçave », « Pashko Vasa », « Gjergj Fishta », »Përkrenare ilire, Perlat, Mirditë » e sjellin me dinjitet Mirditën në radhë me të gjithë krahinat e tjera të vendit. Filatelia nga vetë natyra e saj është përzgjedhje vlerash, prandaj koleksionisti dhe studiuesi filatelist Gjon Marku përmes punës së tij po sjell për Krahinën tonë ndihmesën e vet të çmuar. Me botimin e këtij libri ai troket në aristokracinë e Mirditës, duke përvijuar në horizont një vend edhe për veten e tij. Filatelia shqiptare e përfshin edhe Gjon Markun në klubin e këtij arti aristokrat.
Prend Doçi Dora d'Istrias
Në vitin 1870 Imzot Prend Doçi i shkruante princeshës dhe shkrimtares së njohur Elena Gjika për ta nxitur që të angazhohet në çeshtjen kombëtare shqiptare. Mënyra poetike përmes të cilës ky atdhetar i madh i drejtohet princeshës shpalos edhe një herë shpirtin patriotik dhe poetik të Doçit. Edhe kjo vjershë është pjesë e veprës së çmuar të rilindasit të shquar.
Dheu em, me trima plot njiherë si pyll,
E vetme tash, ço ballin tand mos kjajë,
Shkëlqen mbi ty ma i mbrami e i dritshmi hyll,
E djemëve i kallxon gjithë këto travajë
Për gëzimin tand gjithë mallet kanë lulëzue,
Kërset kadal kadal për ty nji prrue.
………………………………………………………………….
Kjo s'asht,jo s'asht kjo mendje e Dorës sonë
Coi zanë Helena, por ka folë tu msha
Ka folë n'vajtim e zani u da. Fort vonë
Do të ndalet ai: gjithë tokën ka përla.
Ai za s'asht vaj, bumbullon gjithkah si rrfe.
……………………………………………………………
Ah Dorë, mba zanë e kthe në gushllim,n'uzdajë
Vajtimin tand, pse Ti për kta ke le.
Mendo se vllaznit Tuej janë ba raje,
Janë shkelun gjithkund, gjithkund vu shej e pre.
Na jemi hupë, prej së naltës qiell harrue,
Ndër sy të gjithëve popull i mallkue.
Ip dorën ip, e nalta Dorë,
do të çohet prap prej baltet do të lulëzojë.
Ip dorën, Dorë gjindjes sate, nji kunorë,
Po të falim na, po t'njofim të gjithë për Zojë.
Mermerin të dhenun mbi një kajk ma të ranë,
Ka nisun për nipat naming tand nji zanë.
Justin Rrota, Litratyra shqype, faqe 154.
“Tregimet e Pal Doçit janë si vera e vjetër... ”
Kur Pal Doçi ishte afirmuar në fushën e shkrimeve dhe studimeve historike për vetëqeverisjen apo qendresën e Mirditës, kur kishte sjellë përmes monografive jetën dhe veprën e Prend Doçit, Ambroz Marlaskajt, Dedë Gjo Lulit, Mehmet Shpendit etj., pra, kur ishte bërë 80 vjeç, befas del para lexuesit me një libër me tregime, atë me titull “Këtë nuk e vret as pushka”, duke treguar se brenda tij kishte qenë dhe shllimi i një letrari. Shkrimtari i njohur, poeti dhe studiuesi Dhori Qiriazi, në përcjellje të librit shkruan se “tregimet e Pal Doçit janë si vera e vjetër që sa më shumë të rrijë, aq më e mirë bëhet.” Tregimet e këtij libri të parën veçanësi kanë qasjen drejt një tematike historike, që lidhet kryesisht me ngjarje të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Janë në tërësi copëza ndodhish e historish nga e shkuara e malësive shqiptare. Autori duke qenë një hulumtues burimeve të vjetra të shkruara, ka gjetur fabula intriguese për rrëfime artistike, që janë përftuar nga poetika e dokumentit, ashtu si dhe nga kallëzimet e historive që ai ka dëgjuar në kullat e Malësisë së Madhe apo Mirditës nga burrat në zë. Pasioni i fortë për historinë ka rezultuar këtu në një pasion dhe për letërsinë. Tregimet janë në prurjen, mbrujtjen dhe stilin e letërsisë së traditës, çka vihet re në poetizimin e historisë, memorializimin e personazheve, gjuhën gegnishte me stilema e leksik të rrallë të trevave veriore. Ndodhi, rrethana apo personazhe të njëqind vjetëve më parë vijnë përmes një koloriti të kthjelltë pikërisht të kohës së tyre, sikur autori të ketë qenë “fshehur” qysh atëherë diku në atë teater të hershëm ngjarjesh, duke vështruar nga afër skenat e tregimit “Edhe ky s'mori dot gja”, që do të ishte i përshtatshëm për një film sa dokumentar aq dhe artistik. Pal Doçi ka kultin e historisë, figurave të saj, malësorit me tipare fisnike, të gjuhës së folur të vendlindjes. Motivet e së kaluarës kanë shtegtuar gjatë me të, deri sa ka ardhur një ditë që janë letrarizuar nga pena e tij. Autori i individualizon personazhet, por shpesh i sheh si të mirë dhe të këqinj, dhe jo ndryshe, çka nga këndveshtrimi i letërsisë së sotme ndonjë personazh ngjan si i paragjykuar, si figura e priftit etj.Në tregimin „Ajo ishte vajzë“ autori sjell një tjetër atmosferë nga e kaluara, duke skicuar karaktere njerëzish si Dokë Valmori dhe e bija Lula. Doket e maleve, virtytet si burrëria, tradita, nderi etj. janë pasioni i Pal Doçit në studime e tregime. Edhe emrat e personazheve janë si nga kohë të vjetra: Lula, Zoga, Nora, Sokoli, Shpendi, Bora. Kjo prozë mund të rroket në kundrajën dokësore, gjuhësore, toponimike, prurjeve të së hershmes. Autori ka dëshirë të nxjerr në pah figurat e dashura për të, ato të malësorëve të zgjuar që dijnë të dalin nga situatat e komplikuara, përmes zgjidhjesh të mençura. Në këtë kuadër të vjen në vështrim tregimi pikant “Kur nuk gjykohet ka vetëgjykim”, ku fshatari kalivaras (mirditas) ka sensin e drejtësisë, që edhe kur përfaqësuesi i ligjit nënprefekti nuk e zbaton atë, ai e ndëshkon sipas kanunit të tij. Ka dhe një lloj ironie, satire kur autori ka për qëllim të ndëshkojë veset. Në disa tregime interesante si i “Nëntëdhjetë e pesti” e të tjerë vihen re elemente autobiografike të autorit nga fëmijëria e tij në kërkim të shkollimit. Nga tregimet më të arrira janë dhe “Komiti i vogël”, “Takimi” dhe do të ishte mirë të kishte dhe më tepër tregime të tilla që e pasurojnë temetakën dhe frymëmarrjen e librit. Ashtu siç mendojmë se do të lipsej dhe lehtësimi i disa tregimeve me sens të dukshëm patriotik nga frazat deklarative a patetike.
|