Krerët politikë të Prishtinës as kur bashkohen, as kur ndahen nuk janë e mira e Kosovës.
Titull që nuk shkruhet me qejf, titull që nuk vihet në krye të një shkrimi pa dhembje në zemër, por kjo është e verteta tragjike e « elitës » politike dhe e Kosovës së sotme shqiptare. Para Luftës Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar, « elita » politike ishte unike rreth qëndrimit të turpshëm: «Të rrimë e të presim duarkryq », në kohën që Serbia po vepronte me një vendosmëri dhe një zell të pashoq për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët me mjete legale e ilegale, me dhunë e me «të mirë », hapur e fshehur…» ! Gjatë atyre viteve të turpshme për kombin shqiptar vepronin një « dorë » shqiptarësh, për të cilët nuk kishte vend gati në asnjë faqe të shtypit të shkruar në gjuhën shqipe dhe në mediat tjera, që flisnin shqip! Media shqiptare ishte rezervuar pothuaj se qind për qind për kryepacifistin (meqë ka vdekur nuk po e quaj me emrin që ishte), Rugova dhe për sejmenët e tij të shumtë që i mbanin « ison ». E njëjta gjendje ishte edhe në Shqipërinë Londineze, ku sundonte kryevandalisti, Berisha, dhe bandat e tij të shpërndara anekënd shtetit shqiptar! Për shqiptarët që mendonin dhe përpiqeshin për çlirimin e krahinës më të madhe shqiptare nën pushtim, Kosovës, ishin rezervuar ndjekjet, kallëzimet, burgjet, torturat dhe shpeshherë edhe vrasjet prapa shpine. Faqet e gazetave shqipe dhe mediat tjera elektronike u hapën (mjerisht) vetëm me grykën e pushkës dhe me flakët e Luftës së UÇK-së. Sot, shtatë vjet pas përfundimit të Luftës, e dimë të gjithë se si, ku, kur, kush, çka, si dhe pse ndodhi? Mund të ketë akoma « skuta » të pandriçuara të kësaj Lufte dhe të bëmave të aktorëve te saj, por në përgjthësi dihet dhe njihet zhvillimi i kësaj Lufte. Pas «përfundimit » të Luftës Antipushtuese Çlirimtare, krahu politik i UÇK-së, LPK-ja dhe Drejtoria politike, (me ndonjë përjashtim) u shndërruan në parti politike. Kjo parti sot quhet Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e udhëheq, Hashim Thaçi. Normalisht të gjithë njerëzit (me ndonjë përjashtim) që hynë në këtë Parti kishin një qëllim dhe ideal të përbashkët : « Finalizimin e Luftës së UÇK-së dhe të vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës (jo të « kosovarëve ») me mjete politike dhe demokratike me një zgjidhje minimale për Kosovën, shtet i pavarur dhe sovran. Ky ishte programi dhe koncepti i PDK-së për çështjen e Kosovës. Mirëpo, UNMIK-u dhe disa qendra ndërkombëtare kishin program dhe koncept tjetër. Ata, të bindur se kthimi “klasik” i Kosovës nën Serbi ishte i pamundur dhe nuk ishte interes as i Serbisë, ndërtuan strategjinë dhe taktikën e tyre të “shkëlqyer” për krijimin e një Kosove shqiptaro-serbe nën maskën dhe parullën e një Kosove “multietnike”. Zbatimi i këtij programi tragjik për Kosovën nisi me një kërkesë formale, që Shtajneri (kryeadministrator) i bëri Këshillit të Evropës (1 nëntor 2002) për të hartuar programin e “decentralizimit të Kosovës”. Ky program voluminoz u hartua nga një Mision evropian dhe iu dorëzua zyrtarisht Hari Holkerit (UNMIK-ut) nga shefi i këtij misioni, Karlo Çivileti, më 18 nëntor të vitit 2003, kurse flamurin për zbatimin e këtij projekti antishqiptar e ngriti, Lutfi Haziri, e mbajti lartë qeveria Rexhepi, kurse e finalizoi « grupi negociator » i ndihmuar nga Serbia dhe « plani i saj për Kosovën » me « ndërmjetësimin » e Atisarit. Të bindur se këto programe antishqiptare për Kosovën mund të pengohen vetëm nga ata që kishin kaluar rininë e tyre burgjeve të Serbisë dhe që kishin organizuar dhe drejtuar edhe Luftën Antipushtuese Çlirimtare të UÇK-së, UNMIK-u dhe shërbime të tjera të specializuara morën “masat” e gjithanshme për thyerjen, “zbutjen” dhe “tredhjen” e drejtuesve kryesorë të krahut që përfaqësonte vullnetin dhe dëshirën e popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar. Disa prej tyre u “lanë” të pasurohen, disa u ndoqën me Gjykatën e Hagës, disa u futën burgjeve të UNMIK-ut, disa u vranë dhe u zhdukën pa nam e nishan, për shumë të tjerë u hapën dosje “kërcënuese” dhe “shantazhuese”, etj., etj.. Natyra e këtij shkrimi, të dashur lexues, nuk na lejon të lëshohemi në fakte e ngjarje të shumta të këtyre shtatë viteve e ca dhe t’i shtjellojmë ato, sepse do të duhej bërë një libër. Por, secili prej jush, të nderuar lexues, është dëshmitar i viteve, ngjarjeve dhe njerëzve. Bëra pak “histori” me qëllim që të vijmë në përfundimin se strategjia dhe taktika e UNMIK-ut dhe e organizmave të fuqishëm ndërkombëtarë për nënshtrimin politik, ekonomik, moral dhe shpirtëror të Kosovës u realizua vetëm pas thyerjes dhe nënshtrimit të atyre që e bënë Luftën dhe që i kishin dalur zot Kosovës dhe mbarë Shqipërisë Verilindore (Shqipërisë së pushtuar). Kjo ishte fitorja e parë e madhe e UNMIK-ut dhe “sponzorëve” të tij. Të tjerat shkuan si në vaj… Holkeri, me ndihmën e zyrave dhe shërbimeve të huaja formoi “grupin shqiptar për bisedime me Serbinë” (pakica serbe ishte përfshirë në grupin e Beogradit !). Këtë “grup” pati “nderin” ta shpallte, sipas urdhërit të Holkerit, Rugova. U munduan ta “legjitimojnë” me një votim në Kuvend, por dështuan (u bë një maskaradë). Në shërbim (dekor) të këtij “grupi”, përveç H. Thaçit, u vu edhe e tërë udhëheqja e ngushtë e PDK-së (nënkryetarë dhe sekretarë). Shpresa e popullit të Kosovës se “PDK-ja nuk do të lëshojë pe kurrë në dëm të Kosovës”, u tund keq… Drejtuesit e PDK-së u pajtuan qind për qind me “decentralizimin” dhe “mbrojtjen” e kishave, pra me krijimin e territoreve serbe në Kosovën shqiptare !! Askush nuk priste nga LDK-ja më shumë, madje as kaq, por të gjithë, madje edhe anëtarë e simpatizantë të LDK-së, prisnin shumë më shumë (me të drejtë) nga PDK-ja për mbrojtjen e interesave jetike të Kosovës. Ky unitet i çeliktë me LDK-në dhe satelitët e saj po thellohet edhe më tej. Edhe shkuarja e Thaçit në Mitrovicë me Sejdiun, Çekun, Berishën, Hysenin, etj., këtë qëllim kishte. Ata, sikur u thoshin shqiptarëve të Mitrovicës, sepse në Veri nuk ua mbante të shkonin: “Megjithëse Mitrovica dhe Kosova është e ndarë, megjithëse Kosova nuk po bëhet shtet sovran, megjithëse fati i Kosovës dhe e ardhmja e saj janë vënë në PIKËPYETJE më shumë se kurrë pas LUFTËS, ne jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë, sepse kështu na ka porositur Rykeri, Solana e rykera e salana të tjerë”. Shqiptarët pyesnin njëri-tjetrin: “A thua ky “grup” tragjiko-komik kështu do ta mund Serbinë, do ta bashkojë Kosovën dhe ta bëjë të paktën shtet më vete?”. “Mos me ta marrë mendja”, thoshte ndonjëri. “Po t’ishte se bëhet kështu Kosova, duke qëndruar duarkryq dhe urtë e butë, do ta bënte ai « rahmetlia », që vdiq duke pritur njohjen formale (zyrtarizimin) të asaj të shkrete pavarësi”, ia këpuste tjetri… Këta ishin shqiptarë që nuk ishin lejuar të hynin në sallën, ku “grupi” zhvillonte monologun e tij, sepse nuk kishte guxim apo nuk kishte fytyrë të takohej me qytetarët, që i kishin zgjedhur t’ua mbronin interesat e tyre dhe të vendit të tyre. Pikët e humbura, legjitimitetin dhe besimin tashmë të tronditur shefat e PDK-së kan nisur ta kërkojnë te “dosja” e preferuar e Veton Surroit, që ka emrin Nexhat Daci! “Bashkimi” kësaj radhe i PDK-së me ORA-në për ta lëshuar Kuvendin dhe tash edhe për ta bojkotuar, me “sebepin” e krijimit të një komisioni hetimor, i cili do të hetonte edhe shpërdorimet dhe vjedhjet e mëdha të parasë publike, është vërtetë qesharak… Kjo parti, që nuk u tërhoq nga Kuvendi, kjo parti që nuk e bashkoi dhe nuk po e bashkon “opozitën” dhe gjithë forcën politike, ekonomike, shpirtërore dhe morale shqiptare për t’i mbrojtur interesat jetike të Kosovës karshi Serbisë dhe miqëve të saj, bashkon “opozitën” për një çështje kaq të “vockël” karshi rreziqeve dhe kërcënimeve të përditshme të Serbisë dhe miqëve të saj për lirinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës së sotme! Këto sjellje dhe veprime të PDK-së do të ishin të mirëpritura dhe të domosdoshme pas përmbushjes së vullnetit minimal të popullit shqiptar të Kosovës për shtet sovran, i vetmi standart që kishte detyrim ta përmbushte « elita » politike, po tw ishte e Kosovws dhe pwr Kosovwn. Sot edhe fëmijët e djepit, edhe gurët e sokakut e kuptojnë se për Kosovën nuk është çështje “dosja” Daci, as korrupcioni, as shëndetësia, as partia, as feja, as zgjedhjet në LDK, por Çështje është Kosova shqiptare: “Të jetë a të mos jetë”? Çdo çështje tjetër, çdo politikë tjetër, çdo veprim tjetër dhe çdo propagandë tjetër, siç po bënë për çdo ditë “grupi” dhe mediat e UNMIK-ut e të këtij “grupi” është në kundërshtim të hapur me interesat madhore të Kosovës… Në fund të fundit nuk ka asnjë mundësi të luftohet korrupcioni, krimi i organizuar, shpërdorimet, e të tjera dukuri të dëmshme për shoqërinë tonë me këtë status që ka Kosova dhe me UNMIK-un zot shtëpie. Kush nuk e di se uzina që prodhon dhe shpërndanë këto dukuri quhet UNMIK ? Pa këtë « uzinë » do të ngordhnin edhe ata shqiptarzinjë (shërbëtorë të UNMIK-ut), që janë të gatshëm t’i « hanë » dhe t’i bëjnë rrush e kumbulla edhe gurët e Kosovës. Duke i njohur mirë rrethanat politike në Kosovë dhe rreth saj kam frikë se kjo “lojë” është e sajuar nga “elita” (“grupi”) politike e Kosovës dhe “mësuesit” e saj, sipas shembullit të asaj që po ndodh dhe sajohet edhe në Tiranën zyrtare, edhe te shqiptarët e “Maqedonisë”, me qëllim që të largohet vëmendja e popullit shqiptar të Kosovës dhe e mbarë kombit nga thelbi, nga çështja që është shtruar për zgjidhje dhe që po rrezikohet me zgjidhje që nuk do t’i kënaqin shqiptarët. Kam frikë, gjithashtu, uroj të mos jetë kështu, se kjo “lojë” është kurdisur edhe me qëllim që të mos mblidhet më Kuvendi, i cili po i sjell kokëqarje “grupit”. Ky do të ishte një puç i plotë ndaj institucioneve të krijuara nga UNMIK-u. Po e quaj puç i plotë, sepse njëfarë puçi tashmë është bërë. “Grupi për bisedime me Serbinë” ka përqëndruar, me pëlqimin dhe kërkesën e UNMIK-ut dhe të qendrave tjera antishqiptare, të gjitha kompetencat e lejuara nga UNMIK-u në duart e tij! Kuvendi i Kosovës ishte shndërruar në një klub debatesh shterpe… Kritikat e rrepta të deputetëve për “grupin”, nismat për shkarkimin e tij, nismat kundër “decentralizimit” dhe nismat për shpalljen e Kosovës shtet sovran ose për referendum e kanë trembur shumë “elitën” e mjerë politike dhe patronët e kësaj “elite”… Prandaj, çdo politikan, intelektual, hoxhë, prift (që ndjehet shqiptar) dhe çdo shqiptarë (kudoqoftë) që e do Kosovën, të paktën shtet sovran dhe pa Serbinë, duhet të jetë syqel dhe të veprojë sa nuk është bërë tepër vonë (veç jemi vonuar), madje edhe kur flenë një sy ta mbaj hapur për lirinë e kërcënuar të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar…
|