Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Bota-problemet, sfidat dhe prioritetet e saj

TEMAT

 Bota pas 11 shtatorit

Rezistenca ndaj komunizmit

 Kosova, rreziku i ricoptimit

 Antikatedralistët

 Joseph Oroshi

 Sejdi Veseli

 Diaspora në pasqyrë

 Rikthimi nostalgjik

Miti i përçarjes

Fundviti dhe politika

 Bota, problemet, sfidat  

 Kosova, bisedimet e Vienës 

 Hosana shpëtimtar

 

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Bota -problemet, sfidat dhe prioritetet kryesore të saj- nga Alfred Kovaçi

Ndërsa 2005 kaloi për tu bërë pjesë e historisë, një gjë e tillë nuk është e vërtetë për problemet dhe sfidat me të cilat globit dhe njerëzimit do t'i duhet të ballafaqohet në vitin në të cilin neve sapo hymë dhe me tej. Një miliard njerëz në botë ndjejnë mungesën e ujit të pijshëm, fakt që çon në përhapjen e sëmundjeve si malaria e shume të tjera. 800 milion vetëve u mungon ushqimi i mjaftueshëm, dhe si rrjedhojë shumë prej tyre edhe po vdesin nga uria. Dy miliard njerëzve u mungon shërbimi sanitar dhe higjena, gjë që, po ashtu, çon në përhapjen e sëmundjeve vdekje-prurëse. Dy milion veta vdesin çdo vit si pasojë e AIDS-it, tragjedi që po rrenon shoqëritë dhe ekonomitë, jo vetëm të Afrikës ku SIDA është e përhapur më shumë, por në të katër anët e botës. Sot në botë ka 175 milion migrantë ndërkombetarë, dhe shumica e tyre jetojnë në botën "e trete" të pazhvilluar, situatë që rëndon jo vetëm gjëndjen e migrantëve vetë, por edhe të shteteve ku ata jetojnë, pasi këto shtete, ashtu të varfra, nuk kanë fuqinë të sistemojnë dhe integrojnë popullatën e tyre dhe lëre pastaj atë që është e shpërngulur, si pasojë e konfliketeve ne vendet e tjera ku konfliktet etnike, fetare e rracore janë një realitet i hidhur, siç është provuar edhe me konfliktet etnike në Kosovë dhe Ballkan. Për me teper, në bote jetojnë 940 milion vetë që jane ne analfabetismi, dhe si të tille në disavntazh për të avancuar veten e tyre dhe për të kontribuar për shoqërinë që i rrethon, fakt që çon në mosarritjen e potencialit njerëzor për të kontribuar në kulturë, politikë, shoqëri civile, zhvillim ekonomik dhe përparim te gjithanshëm. në shumë vende. Ndërsa së fundmi, por e rëndësishme po ashtu, klima e botës po ndryshon dhe se parashikimi është se disa miliarda njerëz do të vuajnë pasojat e ngrohjes globale. Të mesipërmet mund të jenë disa nga problemet më madhore që bota ka sot, por bashkë me problemet e së sotmes vijnë edhe sfidat për të nesërmen. Ndalja e konflikteve, qëndrueshmëria klimaterike, reduktimi i sëmundjeve të transmetueshme, arsimimi i të pashkolluarve, qeverisja e mirë dhe luftimi i korrupsionit, krijimi i qëndrueshmërisë financiare, zhdukja e kequshqyeries dhe urisë, ulja e migracionit illegal dhe sigurimi i levizjes së lirë të popullsinë, krijimi i kushteve të pranueshme sanitare dhe lëvrimi i ujit të pishëm, si dhe ulja e subvencioneve dhe e barierrave tregtare. Por si mund të trajtohen këto sfida dhe cilat duhet të jenë prioritet? Së pari. Sikurse shuarja e konfliktit në Evropën Përendimore në 1945-ën solli krijimin e një Evrope të re, të bashkuar dhe në paqe, sot dhe në të ardhmen, shuarja e konflikteve kudo në botë do të sillte një efekt të ngjashëm. Konfliktet, megjithatë, si në rastin e Kosovës dhe Ballkanit, mund të shuhen vetëm nëpërmjet kombinimit të diplomacisë dhe ndërhyerjes ushtarake, por edhe nëpërmjet mbështetjes ekonomike. Pavarësisht se shumë njerëz mendojnë se ndërhyerjet për vendosjen e paqes i duhen lënë Kombeve të Bashkuara, rasti i Bosnjes, dhe disa raste të tjera, sugjerojnë se ndërhyerja e Kombeve të Bashkuara mund të jetë e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Diplomacia e OKB- ës është e fuqishme ne arritjen e marrëveshjeve për shuarjen e konflikteve, por fuqia e saj ushtarake për zbatimin e tyre len shumë për të deshiruar. Si rrjedhim, është imperative që aftesia diplomatike e Kombeve të Bashkuara të mos deshtoi. Por, ne menyre qe ajo te mos deshtoje, atëherë është e nevojshme që një forcë ushtarake dhe efektive, që në të kaluaren e ka provuar veten sit e tillë, të marrë në dorë zbatimin e marrëveshjeve të negociuara nga OKB-ja. Është jorealiste të pretendohet që egziston një organizatë ushtarake perfekte që do të siguronte zbatimin e marrëveshjeve te OKB-ës, por NATO, me suksesin e saj relative në Ballkan dhe gjetkë ka treguar se është organizata ushtarake më e pregatitur dhe më pragmatike për tu marrë me këtë punë. Pra, nëse bota dëshiron të mos dështojë në pakësimin e konflikteve, uljen e dyshimeve ndërmjet kombeve, rritjen e bashkëpunimit, konsolidimin e paqes dhe sigurisë globale, si dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë të vendeve, atëherë ndërhyrjet e Kombeve të Bashkuara duhet të shoqërohen me vullnetin praktik të NATO-s për të ndihmuar në implementimin e marrëveshjeve që kanë për qellim shuarjen e konflikteve. Një gjë është e sigurtë; kostoja për të krijuar siguri dhe stabilitet global nuk është aspak e përfillshme në krahasim me përfitimet që paqja globale sjell. Kete e ka provuar progresi ne Evropen Perendimore, SHBA, Australi, Japoni etj. Nga kjo pikëpamje, shuarja e konflikteve duhet të jetë një nga prioritetet më madhore që duhet trajtuar nga komuniteti ndërkombëtar, pasi është pikerisht ky komunitet që do të dalë i fituar apo i humbur si pasojë e ndërhyrjes apo e neglizhencës. Së dyti. Ndryshimet klimaterike kane filluar të cenojne jo vetëm natyren , por këto ndryshime, cdo vit e më tepër, po grryejn shtepi, si dhe po marrin edhe jetë njerëzish. Shumica nga ata që merren me studimin e klimës kanë dalur në perfundimin se shkaku kryesor eshte clirimi i dioksidit të karbonit që, perditë e më shumë, njeriu vetë shkaton nëpërmjet aktiviteteve te tij. Zgjidhja është taksimi i dioksidit të karbonit si dhe nxitja e firmave të fuqishme për të investuar në avancimin për krijimin e një teknologjie që do të mundësonte uljen e dioksidit të karbonit. Këto zgjidhje, megjithatë, janë tepër të kushtueshme, që është një nga arsyet se përse presidenti amerikan Bush dhe administrata e tij nuk e nënshkruan marrveshjen e Kyotos. Ndërsa është e vërtetë se në kohën afatgjatë (në këtë rast afatgjatë nënkupton shekuj të paktën) kostoja mund të jetë shumë më e vogël sesa përfitimet, në kohën afatshkurtër dhe afatmesme kostoja për të paguar për dioksidin e karbonit bëhet jashtezakonisht e madhe dhe se perfitimet janë të vogla. Në fakt, nëse gjeneratat e sotme do të investonin për të ndaluar prirjen e ngrohjes së tokës, atehere kjo në fakt do të thotë se gjeneratat e sotme do të paguanin vetëm tarifen e një sipërmarrje të tille, dhe se nuk do t'i vjelnin përfitimet e ketij investimi. Sigurisht, e mira e një investimi të tillë do të ishte se gjeneratat e ardhëshme do të jetonin në një planet dhe klimë më të qëndrueshme dhe jo me shumë surpriza të hidhuara si uraganet apo përmbytjet. Megjithatë, debati mbi ndryshimet klimaterike mund të konsiderohet si i ri, dhe si i tillë ky debat mund të katë nevojë të vazhdojë edhe më tej, pasi ka opinione dhe konkluzione të ndryshme edhe në mesin e shkencëtarëve që merren me egzaminimin e ndryshimit të klimës dhe pasojave të saj. Si i tillë, problemi i ndryshimit të klimës, edhe pse duhet trajtuar si nje prioritet , dhe si i tille sidomos në të ardhmen ndërsa teknologjia avancon më tej, ai megjithatë nuk mund të konsiderohet si problemi më kryesor, pasi ai nuk është as akut, ta zëmë sic mund të jetë problemi urisë dhe i shumë konflikteve në Afrikë dhe gjetkë. Së treti. Është tashmë një fakt i padiskutueshëm që arsimimi, bashkë me teknologjinë janë dy nga motorrët që i japin jetë dhe hov emancipimit shoqëror dhe zhvillimit ekonomik. Keshtu psh, shume studime tregojne se edukimi, jo vetëm që i jep individit një culturë më të madhe, shance më të medha për të gjetur një punë më të mire, por edukimi i jep edhe shoqërise para më shumë nga taksat, qetësi dhe kohezion shoqëror më të madh nëprmjet rritjes së komunikimit dhe bashkëpunimit, si dhe produktivitet me të madh nëpermjet përdorimit të teknologjise. Po ashtu, teknologjia e internetit, që tashmë është bërë pjesë e përdorimit të përditshëm në perendim, jep jo vetëm më shumë mundesi dhe alternativa për individit, por ajo ka shërbyer dhe mund të shërbejë si një nga alternativat kryesorë të transfomimit të ekonomive në vende të varfera. Vënia ne funksionim e teknologjise, dhe sidomos asaj të informimit, do tu mundesonte ekonomive që jane të varura nga sektori primar, të transformoheshin dhe të bëheshin ekonomi të shërbimeve, pa kaluar procesin e industrializimit i cili i ben dëm mjedisit, harxhon shumë kohë dhe para, si dhe në shumë raste nuk është aq shumë fitim-prurës në krahasim me sektorin e shërbimeve. Nëse interneti do të ishte i përhapur në një vend si Shqiperia dhe nëse shqiptarët do të ishin të trajnuar për ta përdorur atë, atëhere nëpërmjet internetit një prodhues shqiptar mund të kishtë një potencial klientësh nga e gjithë bota, dhe si rrjedhim do te ishte më shumë i fuqishëm dhe do të kishte më shumë të ardhura Megjithate, përsakohë që komuniteti ndërkombëtar dhe sidomos perëndimi i zhvilluar dështon në dhënien e ndihmës së mjaftueshme financiare vendeve të varfëra për ndërtimin e shkollave, blerjen e librave, trajnimin e mësuesve dhe për instalimin e teknologjise, atëhere 940 milionët analfabetë do të mbeten akoma të tillë. Kjo jo vetëm që nuk duhet të ndodhë pasi bota e zhvilluar i ka që të gjitha mundësitë që të kontribuojë në uljen e analfabetizmit në vendet e varfëra, por kjo nuk duhet të ndodhë sepse nga një investim i tillë nuk do të përfitonin vetëm vendet në zhvillim apo të pazhvilluarat, por edhe vendet e zhvilluara, pasi do të kishte një lëvizje më të madhe të profesionistëve dhe njerëzve të kualifikuar si dhe do të kishte edhe më shumë tregti ndërkombëtare. Prandaj, duke ditur, dhe duke qënë të sigurtë për këtë, se nga teknologjia dhe arsimimi vijnë avantazhe dhe mundësira të panumërta, atehere investimet në arsim dhe teknologji duhet të jenë jo vetem një nga prioritetet madhore të komunitetit ndërkombëtar, por një prioritet i padiskutueshëm i qeverive shqiptare, të cilat duhet të marrin shembullin e Malajzisë e cila, për shumë vite me radhë, ka investuar rreth 20 përqind të buxhetit të saj shtetëror në arsim dhe teknologji. Së katerti. Në një raport të "Transparency International" Shqipëria, mbase për herë të parë, zuri vendin e parë në Evropë. Për fat të keq, fjala ishte për korrupsion. Por korrupsioni nuk është vetëm një problem shqiptar. Ai është një problem i botës në zhvillim sidomos, e si i tillë është edhe një problem ndërkombëtar. Bashkë me koston e qeverisjes së keqe, kostoja e korrupsionit shkakton dëme që i bëhen të ardhmes së një vendi, rajoni, apo edhe kontinenti, sikurse është rasti i kontinentit afrikan. Në një raport të financuar nga Mbretëria e Bashkuar thuhej se një nga shkaqet kryesore, në mos më kryesori i prapambetjes së kontinentit të Afrikës ishte keq-qeverisja dhe korrupsioni i lartë, sidomos nga ana e atyre që qeverisnin. Në Shqipëri, keq-qeverisja solli skemat piramidale, korrupsioni krijoi monopole qeveritarësh, dhe humbësi del shtresa e varfër e popullit, që mbase ne Shqiperi, si në shumë vende të botës, është shtresa më e madhe që egziston. Prandaj është me rëndësi jetësore që në vendet ku ka probleme me qeverisjen dhe korrupsionin të bëhen ndryshime, si nëpërmjet trainimit të gjykatësve, politikanëve, administratës publike, ashtu edhe në krijimin e hallkave kontrolluese dhe pergjegjësi-kërkuese për ata që bëjnë korrupsion dhe qeverisin në mënyrë të papërgjegjshme. Qeverisja e mirë dhe ulja e korrupsionit do të thotë të ulësh kostot dhe kohën për krijimin e bizneseve të reja, të ulësh burokracinë në funksion të eficencës, dhe t'i japësh më shumë shance ekonomisë së tregut dhe shtetit për të qënë me të sukseshëm në shërbimin ndaj popullit. Inkurajimi i qeverisjes së mirë dhe luftimi i korrupsionit janë, në fakt, edhe parakushtet për të arritur objektin e zgjidhjes së problemeve të tjera me të cilat bota ballafaqohet sot. Prandaj, nëse komuniteti ndërkombëtar dëshoron të korrë suksese në fusha të tjera, atëhere OKB-ës, OSBE-së, KE-së dhe Bashkimit Evropian do tu duhet të bëjnë më shumë në dhënien e ndihmesës juridike, profesionale dhe monetare për vendet e prapambetura që kanë probleme me zhvillimin e demokracisë dhe institucioneve qeverisëse, si dhe veshtirësi në luftimin e korrupsionit. Së pesti. Edhe pse për shumicen e njerëzimit është, sigurisht, e papranueshme që, ndërkohë që bota e zhvilluar jeton në luks, 800 milon banorë të tjerë, në botën e prapambetur, vuajnë dhe vdesin, ne menyre te panevojshme, si pasojë e mos-ushqyerjes apo keq-ushqyerjes. Por bota sot, nëse e ka vullnetin e mirë, ajo i ka të gjitha mundësitë që kequshqyerjen, urinë dhe pasojat negative që vijnë prej saj, t'i bëjë histori. Kështu psh, në kohën afatshkurtër një nga rrugët e mundshme është që bota e zhvilluar të japë ushqime falas botës që po vdes nga uria, në vend që të hedhë në kosh miliona tonelata me ushqime, ashtu sic, sot, bota e pasur bën cdo ditë. Megjithatë, zgjidhja afatgjatë duhet të jetë teknologjia. Me teknologjinë që Amerika, Evropa, Japonia dhe Australia, posedojnë për prodhimin e ushqimit të modifikuar gjenetikisht, dhe nëse kjo teknologji do të vihej në funksion të të varfërve, atëherë kequshqyerja dhe uria do të pushonin së egzistuari në të ardhmen. Së fundmi, shumica e njerëzve, që e kuptojne se cfarë është tregtia ndërkombëtare, janë dakord me mendimin që tregtia e lirë është një nga faktorët që nxit zhvillimin e shpejtë. Por, ky argument zbehet nga fakti se shtetet më të zhilluara te botes subvencionojnë fermerët joeficentë të tyre, gjë që çon deri në kolapsin e fermerëve në vendet e botës në zhvillim që në kushtet normale të tregtisë së lirë do të ishin më efiçentët. Shumë nga këto vende në zhvillim varen, në të shumtën e rasteve, vetëm nga bujqësia. Por, përsa hohë që subvencionet bujqësore vazhdojnë të dominojnë agrikulturën në perëndim, për aq kohë s'do të kemi një tregti realisht të lirë në kuptimin global. Prandaj, një tjetër sfidë dhe prioritet duhet të jetë reduktimi në paktën i subvencioneve dhe nxitja e tregtisë së lirë. Ironia është se me heqjen e subvencioneve nga ana e perëndimit nuk përfiton vetëm bota në zhvillim, por edhe ajo e pasur gjithashtu. Deri më tani ka qënë presioni dhe rreziku për politikanët dhe jo argumenti ekonomik ajo që ka parandaluar heqjen e subvencioneve apo heqjen e barrierave tregtare. Në të ardhmen duhet një lidership politik kurajoz që të bëjë hapin e duhur edhe pse kostoja politike për politikanët mund të jetë humbja e pushtetit. Për të konkluduar, bashkë me trajtimin e epidemive si malaria, HIV/AIDS -i, dhe të tjera sëmundje, të cilat duhen trajtuar me prioritet të veçantë, zhdukja e kequshqyerjes dhe luftimi i urisë duhet të jenë prioritetet më kryesore për globin dhe njerëzimin. Kjo sepse, sipas shumë studimeve dhe parashikimeve, kostoja e këtyre sipërmarrjeve do të jete jo më shumë se 39 miliard dollarë ndërkohë që përfitimet mendohet të jenë 40 herë më të larta. Ndërsa, ajo që nuk ka gjasa të jetë prioritet akut për njerëzimin është luftimi i ndryshimeve klimaterike, pasi në kete rast, sipas parashikimeve te disa studimeve, kosto-ja per luftimin e ndryshimeve klimaterike do të ishte jashtëzakonisht e madhe, me shume se 425 bilion dollarë, ndërkohë që përfitimet neto mendohet se do të ishin rreth 475 bilion dollarë amerikan. Prioritet për njerëzimin duhet të jenë fushat ku një investim realist dhe i arritshëm sjell perfitime të shumëfishta, dhe jo ku një investim jashtëzakonisht i lartë, dhe i papërballueshëm edhe për ekonomitë si ajo amerikane, mund të sjellë vetëm stabilizimin e klimes por pak gjëra të tjera. Kështu që, edhe pse komuniteti nderkombetar duhet t'i ketë prioritet shumë nga ato që u përmendën, si dhe shumë probleme të tjera që nuk u trajtuan, prioriteti më kryesor, megjithatë, duhet të jetë luftimi i epidemive dhe urisë, pasi këto kanë qënë shkaku i humbjeve më të mëdha për njerëzimin, dhe luftimi i tyre do të jetë shkatari kryesor i përfitimeve për të gjithë neve. Paratë bota i ka. Problemet bota i din. Edhe disa mënyra për zgjidhjen e tyre dihen. Por, bota e zhvilluar dhe komuniteti ndërkombëtar gjeti vullnetin të ndërhyente në sfiden për Kosoven dhe popullin e saj, pyetja kësaj here është nese komuniteti ndërkombëtar do të ketë vullnetin e mjaftueshëm për tu përballur me sfida të tjera që shqetësojne të gjithë globin. Një gjë është gati e sigurte megjithatë, sikurse ndërhyerja ne Kosovë solli paqen dhe shpresen, mosndërhyerja ne zgjidhjen e shumë problemeve te tjera, që bota ka sot, rrezikon të rezultojë në të kundërtën. Por, edhe sikur, në të ardhmen, veprimi nuk do te jetë global, gjë që te paktën bien ndesh me globalizmin nëse ndodh kështu, atëherë të pakten veprimi duhet të jetë në nivel lokal, që nënkupton, se vende individuale si Shqiperia, Kosova, Maqedonia, apo edhe rajone si Ballkani, duhet të bashkohen në kapërcimin e problemeve dhe sfidave, nëpërmjet luftimit të korrupsionit, përmirësimit të demokracisë dhe qeverisjes, sheshimit të konflikteve të panevojshme qe tejkalojne debatin qytetar, dhe shpërveljen e mëngëve për të punur shumë dhe për tu bërë pjesë e Evropës paqësore dhe progresiste, në mënyrë që, në të ardhmen, edhe vende si Shqiperia, në cilësinë e anëtareve të BE-së, të bëhet pjesë e zgjidhjeve globale.

Nga: Alfred Kovaçi -Student në London School of Economics and Political Sciences (LSE)

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net