UNË NUK DI TË SHKRUAJ NDRYSHE,
VEÇ NË GJUHËN E MIRDITASVE
NGA E KAM PREJARDHJEN
(Intervistë me Kolë Jakovën)
Pyetje: Siç dëshmojnë ish - nxënësit tuaj, ju aty nga viti 1942 keni punuar mësues në shkollën e Shpalit (asokohe qëndër e Nënprefekturës së Mirditës) një ndër shkollat e pakta të krahinës. Ndërkohë para jush në konviktin “Mirdita” të Oroshit kishin shërbyer me devocion mjaft mësues të tjerë shkodranë. A mund t'i sillni në kujtesë për lexuesin e sotëm mbresat e asaj kohe?
Përgjigje: Prej Shkodre më çuan mësues në Shpal të Mirditës për disa arsye politike të asaj kohe, sepse unë isha shprehur kundër fashizmit. Atje më parë kishte qënë një mësues nga Maqellara, (emrin e tij s'e kujtoj dot tani), të cilin e zëvëndësova unë .
Për atë shkollë kam mbresa të jashtëzakonshme. Kjo lidhet me krejt Mirditën. Më ka bërë shumë përshtypje se ishte një varfëri e madhe. Po me gjithë varfërinë që kishin, atje njerëzit ishin shumë të mirë, shumë mikëpritësa, shumë të dashur.
Nxënësit, të cilët hanin drekë aty në shkollë (pasi shkollat ishin verore, dimrit nuk bëhej mësim), më thonin –urdhëro zoti mësues e ha diçka me ne, edhe pse ishin 7-8 vjeçarë, pra të vegjël . Kjo tregon atë mikpritje të jashtëzakonshme të tyre . Pra s'kishte si të mos më bënte përshtypje ajo mikëpritje dhe ruajtja e traditave që nguliteshin qysh tek fëmijët e vegjël të Mirditës.
Unë atje kam qëndruar pak . Pasi u mbyll ai vit shkollor unë ika prej Mirdite me përshtypje të jashtëzakonshme. Por nuk kishte si të mos më bënte përshtypje nga ana tjetër ajo varfëri e madhe që ishte në atë vend.
Në fakt, ç'është e vërteta, edhe unë jam me origjinë prej Mirdite, konkretisht prej Repsi. Prej atje të parët e mi kanë ikur në 1720 dhe kanë shkuar e janë vendosur në një fshat në afërsi të Gjakovës të quajtur Plangqorë. Në atë kohë bëhej një luftë e Mirditës, Pukës etj. me turqit . Pra në kohën e Pjetër Bogdanit. Mehmet Pashë Dëralla i ra Mirditës dhe e detyroi atë pjesë në afërsi të Repsit që të largohej, pasi turqit do të vritnin me kalamanj e me të rritur.
Në Mirditë kishin qenë edhe mësues të tjerë më parë se unë, prej të cilëve unë kam njohur Zef Dodën, një mësues shumë i mirë. Lush Noca i vjetër, drejtor i konviktit “Mirdita” në Orosh. Kam njohur Zef Kuqanin. Mbaj mend Ndue Lumën i cili ka qënë në Rubik. Zef Kuqani ka qënë sipër në një fshat që se mbaj mend emrin, Lec Sekun etj, por ka pasur edhe jaft mësues të tjerë që s'i mbaj mend të gjithë . Kanë kaluar gjashtëdhjetë e ca vjet.
Një përshtypje tjetër që kam prej Mirdite është se mirditasi është shumë i zgjuar dhe për këtë gjë unë po tregoj një rast;
Një mirditas shkon në shtëpinë e Murat Kaloshit në Dibër, i cili kishte çdo natë dhjetë a pesëmbëdhjetë miq në kullën e tij. Mirditasi kishte shkuar me nji zhabë, që të merrte ndonjë fije kallamoq.
Vjen Murati brenda e u thotë miqve;
- Shikoni miq, sonte nuk do të bëjmë kuvend po do të këndojmë. - Kështu miqtë kënduan me rradhë .
Mirditasi, ndenjur atje, dëgjonte, po që të këndonte jo.
Kjo i ra në sy Murat Kaloshit. - Dëgjoni - thotë Murat Aga - Moj Mirditë ty nuk të dëgjova të këndosh?
- Murat Agë - ia pret i mirditasi - nuk e kam të mledhur kallaballëkun e kokës.
Ai e kuptoi se mirditasi i kishte kalamajt pa bukë e i thotë:
- A ta “mledh” një kuintal?
- Hau Murat Agë e si jo! - Këndo tani, këndo!
Këndoi edhe i mirditasi
Të nesërmen thirri kryehyzmeqarin e i thotë. Atij Mirditasit me i dhanë një kuintal kallamoq. Ngarkoja në mushkë e çoja deri ku të dojë, se i kam premtuar mbrëmë .
Kur i mirditasi ishte duke u nisur që të ikte, hoqi kësulën e thotë;
- Jepja o zot të përpjetën kësaj shtëpie, po në maje mos arriftë kurrë.
I bëri përshtypje ketij kryeshërbëtorit e u nis e shkoi te Murat Aga .
- Hë çfarë tha?
- S'mu duk fort në rregull.
- Pse?
- Hoqi kësulën e tha: Jepja zot të përpjetën kësaj shtëpie po kurrë në majë mos arriftë!
- Po pse more çfarë i kam bërë unë atij? Pa ma thirrni!
- Po çfarë të kam bërë unë ty që e ke thënë atë fjalë?!
- Asgjë more, ti më shpëtove kalamajt.
- Po pse the ashtu?
- Hë, Murat Agë. Po në qoftë se mbërrin në majë nuk ka masandej më lart, veç do të biesh teposhtë…
- Ashtu ëh!
I kthehet sherbëtorit e i thotë:
- Jepja edhe një kuintal tjetër!
Pra shiko çfarë filozofie ai mirditas me zhabë. Njerzimi ka qysh kur ashtë krijuar, që me Homo -Sapiensin ka bërë gjithëfarë luftrash që shkon veç përpara, përpjetë.
Pra shprehja e të mirditasit merr kaq vlerë sepse është filozofike, përderisa njerzimi edhe sot mundohet të gjejë një mënyrë që të shkojë përpara.
Për mua i mirditasi edhe pse është i varfër ka një intelekt tepër të zhvilluar.
Mirditasit pra janë të veçantë, sipas mendimit tim, pse kanë një zgjuarsi të madhe, pse unë dëgjoja prej tyre shprehje që zor t'i dëgjosh tjetër kund. Mirditasi kishte edhe dëshirën e madhe të ecte përpara, sidomos në fushën e arsimit.
Miku im, nuk ka gjë më të keqe se varfëria. Ai donte të ecte përpara, po me çfarë?
Mirdita ka pas dy armiq të mëdhenj të përparimit, varfërinë dhe ujqërit.
Kam parë unë me sytë e mi, që prej një lagjeje andej larg i mlidhnin fëmijët e lagjes e i shoqëronin dy veta me pushkë deri në shkollë se kishin frikë mos i hanin ujqërit.
Luftë kundër varfërisë, injorancës, egërsisë. Por gjithësesi i çonin fëmijët në shkollë..
Ujqërit kanë pas ngrënë një mësues, a e din ti, është interesante. Nuk e mbaj mend mirë po më duket se ka qënë viti 1932. Ai ishte mësues në një katund midis Pukës e Mirditës, Riza Rama e ka pas emrin, unë e kam pas në klasë. I varfër i shkreti . Ka qënë gjysma e Nëntorit . Bëri një i ftohtë i madh atje. Rizai i shkretë del që t'ju thotë nxënësve mos hajdeni se ka rrezik dhe e hëngrën ujqërit mësuesin e shkretë. Ishte shumë e vështirë. Unë thashë se kam parë duke i percjellë fëmijët me pushkë për në shkollë, e megjithatë mirditasi donte që t'i shkollonte fëmijët e vet.
Mirdita ishte një vend që nuk e ndihmonte kush. A e din se kush e ka ndihmuar fort atë trevë?
Kleri Katolik në Mirditë ka bërë një punë tepër të madhe. Prandaj Shqipëria duhet t'ja dije për nder Klerit Katolik që në Mirditë ka mbajtur gjallë frymën e nacionalizmit, patriotizmin, shkollën etj.
Ështe për t'jua hequr kësulën e me i nderue për atë që kanë bërë në këto anë. Kërkush tjetër s'e ndihmote mirditasin e shkretë.
Pyetje: Në veprat tuaja letrare në poezi e prozë, por dhe dramaturgji ka subjekte, ngjarje, personazhe motive, të frymëzuara nga Mirdita dhe mirditasit, ashtu si nga viset përreth. Ç'të veçantë ka në karakterin, mbrujtjen e njeriut, rrethanat shpesh dramatike të këtyre maleve që ju i keni bërë objekt të krijimtarisë?
Përgjigje: Unë kam pas dëshirë vazhdimisht dhe më ka bërë përshtypje folklori popullor, si i shprehte populli ndjenjat e tij. Vetë Fishta ka marrë prej popullit. Unë kam marrë prej Fishtës dhe prej popullit ato gjëra që më preknin mua.
Unë po tregoj një gjë që po më bie ndër mend e po e them këtu.
Isha duke parë në skenë dramën “Toka Jonë”, që është si të thuash e Malësisë së Madhe, po në fakt ajo atje brenda ka shumë gjëra që i ka Mirdita krejt.
Kur u vra Murrashi një grua aty në llozhë filloi të qante. Edhe në sallë qanin. Mua më mori gazi.
Ajo ngrihet e me thotë – Hë… ne qamë e ju qeshët?
Po unë kam qarë kur e kam shkruajtur - i them - tani po jua lë juve që të qani .
Pyetje: Poem a “Herojtë e Vigut” u bë shpejt një poemë popullore, që dihej përmendësh apo këndohej me çifteli, në stilin e “Lahutës se Malcisë” te Gjergj Fishtës. Çfarë mund të thoni sot pas afro 45 vjetësh nga koha kur u botua poema ?
Përgjigje: Po , ajo do të qëndrojë . A ka më mirë se të shkruash për Ndoc Mazin i cili thotë;
Lamtumirë o moj Mirditë
Gjaku jonë t'u bëftë dritë
Na ke pritë e na ke qitë
Bukën para na ke shtrue
Bukë e kripë çfar ka qëllue
Na ke la e na ke arnue
Kmishat tona laskarue
Prej rreziqesh na ke ruejt
Ke ndihmue sa ke mujt
Pra për ne keq mos t'ju vij
Se kështu burrave u ka hije
Fjala e folme ne kuvend
La me gjak ma mir zen vend
Unë akoma pra e kam për zemër. Mirditasve kjo u ka bërë shumë përshtypje. Unë, kur kaloja nëpër Mirditë, merrja këte poemë e ua lexoja. Ato vinin e mundoheshin ta mësonin përmendësh me qellim që ta këndonin me çifteli edhe pse ajo nuk ishte botuar. Donin që ta mësonte përmendësh.
Një herë një mirditas edhe pse ishte i laskaruar më tha: - Me e pas, një napolon e jap veç me e mësue me e këndue me çifteli. Dhe me të vërtetë shumë vetë e kane pas mësuar përmendësh dhe e kanë pas kënduar.
Unë jam përpjekur që të hyj në zemër të popullit, tamam ashtu siç mëson Fishta ynë i madh. Ishte një xhandar atje i cili më thoshte:
- Or shoku Kolë, kjo këngë të bën me ra në zarm. Pra xhandari që ishte kundra e thoshte këtë, pa le më…
Unë nuk dija të shkruaja ndryshe veç në gjuhën e mirditasve dhe e ndjeja dhe e ndjej veten krenar që edhe prejardhja ime vetë është prej Mirdite.
Vetë fjala Mirditë është mrekulli. Ështe fjalë shumë e bukur.
Unë jam përpjekur me të tëra mënyrat që të hyj në shpirtin e tyre.
Mbaj mend një grua të re që më tha një gjë të madhe.
O zoti Kolë, frika më e madhe e ne grave nuk ështe vdekja, është turpi.
Sa bukur, ë? Sa bukur!
Ajo fjalë më ka mbetur në mendje. Ajo ishte e re e thoshte “na gratë kena frikë mos turpnohna”.
Mirditasi kishte disa cilësi të pa përsëritshme, si të thuash. Po Mirditën s'e kanë ndihmuar. Gjithësesi edhe shtëpia e Gjomarkajve nuk ka bërë gjë…Unë kam shkruar për to…. edhe tani në pleqëri. A e din pse ? Ajo shtëpi mundeshe të bënte shumë më tepër për Mirditën e jo t'ju shërbente turqve në atë mënyrë.
Megjithatë Mirdita ka nxjerrë njerëz me shumë vlerë, njerëz me vlera të jashtëzakonëshme
Pyetje: Sa dhe si i keni njohur shkrimtarët e mëdhenj të vendlindjes suaj, Fishtën, Mjedën, Koliqin dhe si është përcjell apo përçuar fryma e veprës së tyre në formimin tuaj si shkrimtar epik?
Përgjigje: Unë kushedi sa herë në jetën time e kam kujtuar mësuesin tim të latinishtes Padër Ambroz Marlaskajn. Çfarë burri ishte! Burrë i mrekullueshëm. Nuk di se si me e thënë. Ka qënë trim burrë. Me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, ai na ka futur në shpirt qysh të vegjël dëshirën për atdhenë, dëshirën për të luftuar për çështjen e madhe. Atij i vinte jashtëzakonisht keq qe ne ishim të varfër. Ai e kishte inat varfërinë. Si të them, Mirdita nuk ka pas mundësi, se varfëria është shuplaka e perendisë.
Padër Ambrozi më ka mësuar. Padër Benardin Palaj, Donat Kurti, e disa figura të tjera, por ajo që më mbetet në mendje është figura e Padër Ambroz Marlaskajt.
Kur pati ardhur në Shqipëri nga Italia shkova dhe e takova. Ai më ka dashtë shumë.
Më vjen ndër mend edhe diçka tjetër. Kam qënë 12 vjeç, dhe pata shkruajtur një vjershë te cilën akoma e mbaj mend. I frymëzuar nga padër Ambrozi e Padër Benardin Palaj.
Shqipni e mjerë, Atdhe i të parëve
Ti për gjithë herë qe e shqiptarve
Por në ditë të sotit çfar të ka qëllue
Veç nima e Zotit me na ndihmue
Se më duket thellë në do punë ke hy
Sa s'ka gja që e nxjerr të mjerën Shqipëri
Këtë vjershë ma pa babai kur e shkuajta. Ne ishim shumë të varfër.
“ Po për këtë të kam çuar në shkollë? Ti don me më fik derën e shtëpisë. Ne të fikur jemi, po me na fik tamam. Se nuk të bëjnë gjë ty po mua, se më thonë se e ke mësuar ti…”
Mua më kishte mësuar Padër Ambroz Marlaskaj.
Padër Fishtën e kam njohur. Edhe për këtë po të tregoj diçka. Isha duke shkuar rrugës këmbzbathur, kur pashë Dom Ndre Mjedën duke biseduar me një burrë. Dom Ndreun e njihja edhe pse isha kalama.
Nxori do pare e ja dha atij burrit. Nejse u largua ai burri e ju afrova unë.
- Hë more çun çfar ke që vjen vërdallë? A ti je ai që ke shkruajtur;
Struku struku i shkreti plak
Por del dimri me kosë në dorë
Gjethe bari ka kosit
Çet ballkoni plot me borë
E plaku i shkretë tu i mërdhif
I thotë vedit me za pak
Struku struku i shkreti plak
Filloi me qesh Mjeda. Eh çfar burri ka qënë!
- Po pse je zbathur?
- S'kam - i thashë.
- Po mirë do të vijë koha me shkue ne shkollë, se ështe duke ardhur vera, këmbëzbathur do të shkosh?
- Po çfar të bëj! Ne jemi të varfër, nuk kemi.
- Si ta thonë emrin më pyeti. E shënoi emrin.
U hapën shkollat. Shkova në shkollë Kur një ditë më thërrasin në drejtori .
- Ky është, i thotë Mjeda Fishtës. Ky është ai kalamani që të kam folur.
- Hë more - tha - Shko e laj këmbët. Shko e laja këmbët, - i tha Kolë Gjergjit (shërbëtorit).
Lava këmbët, kur shikoj përmbi tavolinë një palë kapucë e një palë çorape. Këpucë të reja.
- Vishi - tha dhe m'i veshën të dy Fishta e Mjeda. Fishta në atë kohë ishte drejtor i shkollës Françeskane. Atë natë fjeta me këpucë prej qejfit .
Fishta më ka dashtë shumë. I vetmi me të cilin kam pas pak ashtu… ka qënë Padër Antoni, me të cilin u grinda e ika u regjistrova në gjimnazin e shtetit dhe ndryshova rrjedhën e studimeve për të mos u bërë Për Fishtën kam pas respekt të madh, por më tepër kam pas nderim për Mjedën
Pyetje: Prend Doçi, Ambroz Marlaskaj, Nikoll Gazulli, Dom Dod Koleci e të tjera figura të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare nga Mirdita kanë filluar të dalin në dritë vetëm vitet e fundit. Cili do të ishte gjykimi juaj për vendin dhe rolin e tyre në panteonin e vlerave kombëtare
Përgjigje: Mirditasi turkun e ka pas inat. Mirdita ka pas trima e burra që kanë ditë të ruanin identitetin kombëtar. Shtëpitë që kanë ndihmuar turkun, mirditasi nuk i ka përkrahur. Varfëria ishte e tejskajëshme. Ata i luteshin Zotit.
Klerit katolik dhe atyre figurave të klerit që ju përmendët prej Mirdite duhet t'ua dijë për nder Shqipëria për atë që kanë bërë. Kleri Katolik ka mbajtur gjallë kulturën.
Po të them dy gjëra të thjeshta fare;
Muzikën kush e ka bërë në Shqipëri? Jezuitët dhe françeskanët.
Po marrim sportin. Kush e ka përhapur në Shqipëri? Jezuitët sepse ishin italjanë .
Ato i kanë sulmuar sepse ishin të huaj. Po në fakt ato kanë bërë shumë gjëra të mira. Edhe gabime kanë bërë po më mirë me një orientim drejt Italisë sesa nga Jugosllavia apo nga Maqedonia e Greku . Sot e kësaj dite akoma bëhen hatara pikerisht për këto gjëra.
Pra orientimi i klerit katolik ka qënë nga perëndimi.
Pyetje: Diçka tjetër që nuk kemi prekur nëpërmjet pyetjeve por që mund të thoni me tej ju rreth vlerave te saj, rreth kanunit apo lahutës të cilat e kanë bazën atje mes maleve te Mirditës?
Përgjigje : Gjakmarrja ka qënë një shuplakë e madhe. Kanunin disa sot e hedhin krejtësisht poshtë. Por ai ka qënë përmbledhja e gjithë dijes nëpër shekuj. Natyrisht ka anë negative por dhe mjaft gjëra janë manipuluar. Kanuni është një visar që nuk duhet trajtuar ashtu se në qoftë se ka mbijetuar populli një faktor është edhe kanuni.
Pyetje: Si e shpjegoni ju që vepra aq të mëdha siç janë Lahuta e Malësisë apo Kanuni i Lekë Dukagjinit zënë fill pikërisht në këtë trevë?
Përgjigje: Puka, Dibra, Tropoja, Kurbini në mes të të cilave e në zemër të të cilave është Mirdita, kanë një botkuptim të përbashkët. Kështu prej Mirdite do të dilnin pa tjetër vepra të mëdha. Mirdita qe e varfër në fakt, por ka nxjerrë burra të mëdhenj.
Shtëpi të ndryshme e kanë manipuluar. Po Mirdita ka qëndruar në manyrë të çuditshme.
Më vjen keq kur kujtoj. Kam qëndruar dy javë në zonën Pukë - Mirditë se kisha vëllanë atje, ai ishte më i vogël. Kur kam kthyer në shtëpi nuk më zinte gjumi i natës. E pyesja veten vallë a janë gjallë ato njerëz atje? S'kisha parë një varfëri të tillë si në Mirditë të cilën e kam pas dhe e kam për zemër, e kam dashur dhe kurdoherë me krenari, gjithkujt i kam thënë se origjinën time e kam prej Mirdite. Më vjen ndërmend Ndrec Ndue Gjoka. Ai përpiqej me gjithë shpirt. Ndrecën e vranë. Ahmet Çoku ishte shefi i arsimit në Shkodër. Pse, more, shkolla janë ato, thoshte Ahmeti, kur ne i thoshim se ka hapur pesëdhjetë shkolla. Pse shkolla janë ato të shtruara me rrëgosë përtokë?
- Po pse mos i don me mobilje ti shkollat në Mirditë?
Ai nuk kapte dot konceptin kryesor. Ai i donte shkollat me komoditete dhe silleshin shumë keq fillimisht me Ndrecën, i cili u la në harresë.
Një ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve, mbasi ishte vrarë Ndreca, vjen N. Hoxha , së cilës Shuteriqi, i cili ishte Kryetar i Lidhjes, i thotë se ka thënë Kola se një mësues në Mirditë ka hapur 48 shkolla.
- Ik more – thotë ajo. E pamundur!
- Ai ngul këmbë - thotë Shuteriqi
- Po ne nuk dimë asgjë. Komiteti Qëndror nuk din gjë!
- E thërrasim Kolën. Sipër në llozhë është.
- Ç'është ajo fjalë që ke hap Kolë, se një mësues në Mirditë ka hapë 48 shkolla?
- Po - i them.
- Edhe po, thua prap!
- Po , po i ka hap, shoqja Nexhmie. Posi i ka hapë? Shtron rrëgozat, ul kalamajt. Ka shkuar në Shkodër tue ble e tue mledh lapsa të vjetër, fletore e nisi për në Mirditë
- Po ne nuk dimë asgjë për këtë?
- Po nuk keni si të dini se ato që drejtojnë arsimin në Shkodër, nuk i duan shkollat me rrëgoza, po ama me mësue kalamajt. Ato i duan të mobiluara.
Ju drejtua Dhimitrit. - Merre në telefon Mirditën.
Jo 48, përgjigjet Mirdita, po 51 shkolla.
- Kolë si nuk na ke thënë për këtë?
- Unë besoj se ju kam thënë . Po ju jeni atje lart në krye e unë mendoj se i dini të gjitha.
Pastaj u bë një kongres, me duket se Kongresi i Dytë dhe Hoxha e tregoi ketë ngjarje e ne mes të tjerave tha se po të kishin punuar të gjithë mësuesit kështu, analfabetizmi me kohë do të kishte shkuar në arkiv a diçka kështu .
13 Maji 2002 ralizuar në shtëpin e Kol Jakoves në Tirane
|