Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Refleksion-Në zemër të Mirditës

TEMAT

 Jo vetëm shënime udhëtimi

Toka e Katedraleve

 Stresi në punë

 Karta e Bolonjës

 Luftë gazetës "Mirdita"

 Një jetë për JETËN...

 Beselidhja

 Politikanët shqiptarë

 Në zemër të Mirditës  

 Statusi i Kosovës

 "Zogu i Zi" dhe Korbi i Zi  

 Historia dhe Kodi Penal

Inxhinjer Zabjelini

 Auditimi i vetëm

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Shqipëria si iu duk ose Ekzotika shekullore -Në zemër të Mirditës

Përkthyer e përgatitur nga: Ardian Klosi

G. L. Jaray gazetar frëng, ishte njëkohësisht gjeograf dhe studiues i çështjeve kombëtare. Ka shkruar një radhë studimesh për koklavitjet nacionale të ish-perandorive Austro-Hungareze dhe Turke. Për herë të parë erdhi në Shqipëri më 1909, ku qëndroi më së shumti në Veri e u mor me pasion me problemin e komunikacioneve. Në librin e tij “L'Albanie inconnue“ (Shqipëria e panjohur), botuar më 1913, shpalosi një sërë projektesh për linja hekurudhore, të cilat do ta bënin vendin kryeqendrën e tregtive ballkanike. Por pavarësia dhe armiqësia e fqinjëve serbë e grekë, e bënë Shqipërinë edhe më të izoluar seç kishte qenë.

Tabloja e mëposhtme është e vitit 1909.

Oroshi është një nga qendrat kryesore të fisit të madh katolik të mirditorëve. Shtëpitë rrinë të shpërndara mbi një shpat që qarkohet prej një ledhi malesh, nga fundi i luginës deri në çukën e pjerrtësisë, ku ndëpritet edhe rruga e ngjitjes. Në një si bregore ngrihet kulla e princit të Mirditës, dikur i syrgjynosur nga regjimi i vjetër, e pastaj i kthyer sërish në vend nga xhonturqit, që megjithatë e mbajnë nën mbikëqyrje të rreptë. Pesëqind metra më lart, mbi një hundë shkëmbore që shtrihet në drejtim të Adriatikut, abati me mitër [nullius, dmth. me varësi të drejtpërdrejtë nga Roma, shën. i përkth.] i Oroshit ka ngritur selinë e tij verore. Së fundi, e ndarë prej shtëpive nga një humnerë, ngrihet kisha e famullisë, e rrethuar prej disa godinash që strehojnë abacinë, shkollën dhe vendtakime me besimtarë. Zbres nga maja e malit për të ardhur te kisha, duke përshkuar një pyll bredhash, ku kuptoj, nga një rrjetë shtigjesh të mirëmbajtura, se këtu ka organizim. Po presin mbërritjen tonë, mbledhur mbi një lëndinë përpara kishës, kapedani i Oroshit, vikari, shërbëtorë të shumtë dhe banorë të thjeshtë. Sapo që shquhet në largësi më i pari i kuajve tanë, ia nisin festimet. Pushkët e mbushura plot shkrehin batare që lëshojnë një gjëmim të jashtëzakonshëm, me një jehonë të qindfishuar prej mali në mal; nga majat e tyre përgjigjen të tjera krisma, kuajt ngrihen kas, shpërthimet dyfishohen, e pastaj zbraz të shtëna edhe karvani ynë, teksa shqiptarë e sovarë ngazëllejnë, ngaqë fjalën e kanë marrë armët. Kapedani i Oroshit na uron mirëseardhjen para portës së madhe. Në krah të tij rri gatitu një oficer turk, i cili më kumton se ka dalë të më presë tok me një shpurtë me urdhër të guvernatorit të përgjithshëm të Shkodrës. Një vikar i ri më njofton me keqardhje se vetë prifti nuk ndodhet aty, por se do të kujdeset ai për mua, duke më pritur në famulli. Tanimë ora e ka kapërcyer njëshin, dielli përvëlon pa mëshirë në një ajër të nxehtë, kështu që hyjmë gjithë ëndje në një sallë të madhe e të freskët buke, ku na shërbejnë në stil europian një drekë që s'ka të sharë. Deri këtu kanë depërtuar ndikimet perëndimore; abati i Oroshit ka sjellë nga mërgimi i tij jashtë vendit shije që i kanë paraprirë edhe ndërtimit të famullisë. Dhoma ime mund të quhet luksoze, aq sa për një hop gënjej veten se do të gjej edhe një banjo; por më thonë se këtë salltanet mund ta kisha vetëm në rezidencën verore, e cila tash ndodhet mbyllur meqë mungon abati. Kaloj në Orosh disa ditë të këndshme pushimi e mirëqenieje; së bashku me vikarin, kapedanin, oficerët dhe disa shërbëtorë bëjmë shëtitje të gjata me kuaj që na ndihmojnë ta njohim më mirë vendin dhe banorët e tij. Në njërën nga këto ditë shtyhemi deri në kullën e kapedanit të Oroshit, një fortesë e vërtetë e shkatërruar dikur nga artileria turke, por e rindërtuar më pas; shpërndarë kudo përreth ngrehinës së sotme sheh mollokë viganj guri që dëshmojnë se sa e rreptë ka qenë lufta. Është një tarracë që sundon krejt luginën; prej këtu mund të komunikosh lehtë me anë sinjalesh me zjarr e tym me kishën e Oroshit, që ndodhet ndonjë orë larg. Marka Gjoni, që rëndom quhet kapedani i Oroshit, është i pari i fshatit dhe i përket familjes së madhe të Gjenakut, e cila lind princët trashëgimtarë të Mirditës. Zotërimet e tij të pasura shtrihen mbi një pjesë të madhe të vendit, megjithatë banesa e vet në brendësi është e thjeshtë dhe e zhveshur sikurse pothuaj gjithë shtëpitë shqiptare që kam parë. Kapedani dallon nga të tjerët vetëm prej veshjes, pasi mban petka europiane, përveç kapeles; po të mos kishte atë feste mbi krye, mund ta merrje fare lehtë për ndonjë nga pasunarët e fshatrave tona. Një përjashtim i vërtetë për gjithë malësorët shqiptarë: nuk mban asnjë armë me vete, përveç një bastuni që është edhe shenja që ka si prijës. Kush udhëton nëpër këtë vend, e kupton se këto fise janë më të përparuarat nga gjithë të tjerat në Shqipërinë veriore, dhe se qytetërimi që nuk është larg e dëften vetveten nga një sërë shenjash. Në brendësi të territorit të Mirditës mbizotëron rendi; kudo njihen dy autoritete që pothuajse nuk ekzistojnë në fiset e tjera. Njëri është autoriteti civil, i përfaqësuar nga princi dhe nga krerët e familjes trashëgimtare që rrinë nën urdhërat e tij; tjetri është autoriteti fetar që i takon abatit me mitër të Oroshit dhe famullitarëve të tij.

Princi është i pari i familjes së shquar të Gjenakëve, që e kanë vatrën e tyre në Orosh, e që rrjedhin, sipas rrëfimeve, prej Lekë Dukagjinit të madh, i cili sundonte në vitet 1400 Shqipërinë e veriut e që i dha emrin e tij edhe ligjit të kodifikuar si Kanun, atij ligji të cilin edhe sot fiset vazhdojnë ta njohin si rregullues të përbashkët. Duke ia pasur frikën ndikimit të princit, sulltani Abdul Hamid e kishte syrgjynosur atë në një mërgim të praruar në Azi të Vogël. Ato vite vetmie të detyruar princi Prenk Pasha ia kushtoi kultivimit të mendjes së vet. E njeh në mënyrë të përsosur gjuhën dhe letërsinë frënge; kontakti me punët e Europës ia ka çelur mendjen deri në atë pikë sa ndokush mund ta quajë edhe skeptik, por ai këtë gjë e ekuilibron më së miri me një përshpirtshmëri të thellë, e cila e ka shpënë deri në Romë ku i ka bërë nderimet e tij papës. Është më anë tjetër afarist i zoti dhe diplomat i shkathët. Pallati i tij në Shkodër, mjaft i thjeshtë nga jashtë, është si njëfarë muzeu, ku rrinë krah e krah sixhadet e pasura orientale, qilimat e shkëlqyeshëm, mobiljet me inkrustrim dhe armët e moçme. Aty banon thuajse gjithmonë; pas revolucionit të vitit 1908 xhonturqit e thërritën nga mërgimi i tij, të shtrënguar prej trysnisë së shqiptarëve, megjithatë nuk ishin gati t'ia linin vendin në dorë, pasi mund të bëhej sovran i vërtetë. Mirditorët nuk e lëshojnë nga goja emrin e tij; kur shpërtheu revolucioni dhe u shpall Kushtetuta, fiset e vilajetit të Shkodrës menduan se tashmë e kishin siguruar autonominë, ndaj erdhën t'i faleshin valiut; vetëm mirditorët nuk vajtën, duke i thënë guvernatorit të përgjithshëm: “Princi ynë ende nuk është në liri; vetëm kur të kthehet te ne, do të vimë t'ju falemi“. Kështu, vetëm kur mbërriti Prenk Pasha në Shqipëri, fiset e Mirditës i dërguan delegatët e tyre në një kuvend solemn që u mbajt në Spal. Mirëpo aty nuk u festua dhe aq Kushtetuta sesa rikthimi i princit; ky nga ana e vet foli për paqtim, duke u kërkuar fiseve të bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe të hiqnin dorë nga grabitjet. Vullneti i tij u bë ligj: që nga ajo kohë në Mirditë mbretëron paqja dhe rendi. Popullsia është e kënaqur me çlirimin e Prenk Pashës, por do që ky ta qeverisë vërtet e zyrtarisht vendin. Mirëpo pushteti qendror, mosbesues e dyshues, i kërkon princit të ndërhyjë vetëm kur mendon se ashtu ia do interesi, pa pranur ta njohë si guvernator trashëgimtar të Mirditës. Mirditorët nuk janë separatistë, por e duan autonominë e tyre mbi gjithçka tjetër e, edhe duke e pranuar sovranitetin turk, kërkojnë që të vetëqeverisen sipas dokeve të tyre të moçme. Kjo traditë thotë që pushteti civil duhet të ushtrohet nga princi, i ndihmuar nga mbajtësit e flamurëve dhe nga pleqtë. Flamurtarët, apo bajraktarët, janë gjithsej pesë, komandantë në kohë lufte dhe autoritete eprore të fshatrave në kohë paqeje. Titullin e kanë të trashëgueshëm, qysh prej kohësh kur të parët e tyre e patën fituar atë me trimërinë e treguar ndër beteja. Në krah të tyre është edhe një këshill prej njëzet pleqsh që sheston çështjet administrative; edhe ata përfaqësojnë familjet më të vjetra. Në këtë mënyrë pushteti civil tradicional te mirditorët është i trashëgueshëm në të gjitha pjesët e tij, dhe duket se askush nuk do që të ndryshohet sadopak gjë. Sa herë që turqit kanë kërkuar, duke shkelur traditat vendore, t'i diktojnë popullsisë mirditore guvernatorë të caktuar nga ata vetë, kanë shpërhtyer konflikte të përgjakshme. Pa vonuar shumë janë vrarë krerët e fshatrave të emëruar nga autoritetet otomane; atëherë ka pllakosur represioni, valiu i Shkodrës ka dërguar në male regjimente ushtarësh që u vinin zjarrin shtëpive të kryengritësve; por herët a vonë pushtuesve u është dashur të largoheshin nga ky vend për të kthyer në gazerma, e atëherë mirditorët fillonin përsëri të vetëqeveriseshin...

Lidhja kombëtare në Shqipëri është mjaft më e fortë nga ndarjet fetare. Në brendësi të Perandorisë Otomane, vendi i banuar prej fiseve shqiptare mund të marrë autonominë, e të organizohet si njëfarë Zvicre ballkanike e përbërë nga katër ose pesë kantone të konfederuara; njëri në veri me qendër Gjakovën, i banuar nga myslimanë; një në veriperëndim që do të përfshinte Shkodrën dhe Mirditën, pothuajse krejt katolike: një ose dy në qendër me një shumicë myslymane e pakicë ortodokse, një në jug përreth Janinës, krejtësisht ortodokse. Por turqit, në vend që t'i pajtojnë popullatat e territoreve që ende u kanë mbetur në Europë, duke respektuar besimet e traditat e tyre, gjakojnë një politikë asimilimi e otomanizimi, e cila, mendoj, mund të shpjerë vetëm drejt katastrofës dhe shembjes përfundimtare të perandorisë së tyre.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net