Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
   

Ju jeni: Letër e hapur Arif Kutleshit nga Hans Joachim Lanksch

TEMAT

 Mbijetesa hebraike, besa  

 Ora e kapedanëve trokiti  

 Deri kur do shahet Kadare 

 H. Lanksch për Kadarenë  

 Kultura dhe integrimet 

  


  


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Letër e hapur Arif Kutleshit -nga Hans Joachim Lanksch        

                 
S'due me komentue gjatë e gjanë stilin e letrës suej në të cilën i drejtoheni nji personi, që s'e njihni fare, me "ti" e me "mik" tue ia fye, njikohësisht, prejardhjen ("kamxhikun e çifutëve...").

2.      S'âsht e këshillueshme me shkrue për gjana për të cilat shkruesi nuk din gjâ. Si mund të shkrueni për Stephen Schwartz, personin e të cilit nuk e njihni fare, se "shitesh me islamin"? Për çdo besimtar të cilësdo fe âsht fyemje e randë po t'i thuhet se SHITET me fenë dhe besimin e tij. A keni kuvendue ndonjiherë me zotin Schwartz për besimin e tij musliman, a keni shkëmbye letra me tê rreth punëve të fesë? Jo, sepse po të kishit bâ nji gjâ të tillë, nuk do kishit shkrue fjalë groteske për "Besëlidhjen Tënde të vjetër" apo "kemi ndërruar njësoj si ti tri katër fe e kultura", sepse do dinit se Stephen Schwartz nuk âsht, nuk ishte dhe kurrë nuk ka kenë me fe hebraike. Babën e ka pasë hebre, por nanën jo. Simbas parimit hebraik të halakha-së, fëmija i përket fesë hebre vetëm e vetëm prej anës së nanës. Stephen Schwartz nuk âsht konvertue, sikurse e pretendoni ju, dhe as nuk ka ndërrue dhe as nji fe, sepse âsht rritë si jobesimtar dhe feja e parë që e ka pranue âsht ajo muslimane. Nuk mund të shoh ndonji të keqe nëse ai, sikurse shkrueni ju, "e do hebraizmin". Fundja, edhe unë si katolik që jam e respektoj, e çmoj dhe e due trashigiminë e pasun fetaro-kulturore judaike sepse hebrejtë – siç e tha Papa Gjon Pali II – janë vllaznia jone e vjetër.

3.      Ju e zgjanoni fjalën e çuditshme të shkrimtarit Ismail Kadare se "Shqiptarët e kanë kuptuar që unë përfaqësoj këtu kulturën e tyre, si të thuash një simbol më tepër mbi flamurin e Shqipërisë." (Ismail Kadare, Gazeta ”Aleanca”, Tiranë, 20.08. 1994) tue e quejtë atê "shteti ynë", "kultura jonë", "Antologjia jonë", "Emancipimi ynë".  Vaj medet! E gjorë kishte me kenë kultura shqiptare po të përbâhej antologjia
e saj, permbledhja e saj e vetme vetëm prej nji shkrimtari! Kishte me kenë e udhës me marrë në dijeni se Kadareja s'âsht shêjtní kombëtare dhe as ndonji frymore mbinatyrore, transcendentale, por nji shkrimtar. Me gjithë kultin rreth tij, ai mbet se ç'âsht – nji shkrimtar, pretendim ky që s'âsht shamje por nji konstatim. Kultura shqiptare nuk mund t'emancipohet vetëm me anë të nji pene të vetme sikur të mos kishte edhe pena të tjera, sikur të mos ekzistote letërsia e vjetër shqiptare, letërsia e arbëreshëve t'Italisë, letërsia e Rilindjes dhe letërsia e kolosëve të modernes. Nuk qëndron pretendimi juej patetik kinse "Ne s'kemi tjetër, të këtij dimensioni, të këtyre përmasave, përveç Kadaresë". Duket se e paskeni "harrue" Kutelin, Lasgushin, Camajn, Trebeshinën, Rreshpjen. E harroni gjithë letërsinë e sotme shqiptare prej Elvira Donesit deri te Ridvan Dibra, prej Ardian Kyçykut deri te Gazmend Krasniqi, prej Romeo Çollakut deri te Olimbi Velaj etj.  etj., letërsi kjo që nuk mund t'emancipohet sepse "Emancipimi ynë" monopolizohet me emnin e Ismail Kadaresë.

4.      Schwartzi e kritikon Kadarenë. Schwartzi s'e don Kadarenë. Schwartzi âsht i mendimit se Kadareja nuk kishte me meritue Nobelin. Dhe – a po rrëzohet bota shqiptare? Toleranca shqiptare a merr fund sapo thuhet nji fjalë kritike për Kadarenë? Pse përzihet prore kritika me shamjen e poshtër sapo âsht fjala për shkrimtarin Kadare? Për shundin blasfemik të Dan Brown ("Sakrileg") nuk âsht nervozue as nji penë shqiptare, ama kur thuhet veç edhe nji rrokje kritike për Kadarenë, qarqe të përcaktueme çohen në kambë me histeri qaramane sikur t'ishte fjala për blasfeminë mâ të randë të Zotit t'Amshueshëm.

5.      Dy citate:

a)     
"… realizmi socialist është periudha e fundit dhe kulmore e letrave shqipe…"
(Ismail Kadare, revista letrare "Nëntori", nr. 1, 1990, f. 56)

b)     
U hartua "Thirrja",
Themeluesi i Partisë zgjati dorën për firmë.

Firmë e tillë s'ish dukur asgjëkund, asnjëherë.
Një firmë e gjatë.
Kostelacion me pesë fjalë.
(S'ish firmë senjori me shumë tituj e ndere).
Nënshkrimi i madh i Partisë qe hedhur:
"Komiteti Qendror i PK Shqiptare".

Ajo s'ish firmë,
Ajo ish vetëtimë
Në qiell të revolucionit me re dhe suferinë.
Duke nënshkruar dokumentin e parë,
Shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë.

(Ismail Kadare, Shqiponjat fluturojnë lart, 1966)

 

-------------------------------------------------------------------------------------------------

Shënim MirditaOnline: Debati i drejtohet shkrimit të z. A. Kutleshi mbi këtë çështje, lexoni shkrimin e z. A. Kutleshi:

LETËR E HAPUR NJËFARË STEPHEN SCHWARTZ-it Ose: deri kur do të lejojnë shqiptarët të shahet Kadareja?

Të lidhura me këtë temë :

Kadare, i adhuruar nga të huajt, i anatemuar nga shqiptarët -nga Gjergj Marku       

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net