Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Refleksion-Historia dhe Kodi Penal

TEMAT

 Jo vetëm shënime udhëtimi

Toka e Katedraleve

 Stresi në punë

 Karta e Bolonjës

 Luftë gazetës "Mirdita"

 Një jetë për JETËN...

 Beselidhja

 Politikanët shqiptarë

 Në zemër të Mirditës

 Statusi i Kosovës

 "Zogu i Zi" dhe Korbi i Zi 

 Historia dhe Kodi Penal  

 Inxhinjer Zabjelini dhe Unë

 Auditimi i vetëm

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

HISTORIA DHE KODI PENAL- A mund të dënohet historiani?

nga Ardian Ndreca

Historia asht shumë shpesh nji stafetë fatkeqsinash njerzore aq sa ndonjiherë njerzit ndiejnë nevojën me u mbrojtë prej saj, tue ndërshkue me anën e kodit penal të gjithë ata që e mohojnë historinë.
Mund të duket diçka e panatyrshme që rolin edukativ dhe pedagogjik që duhet të losin mësimi i historisë ta marrin përsipër kodi penal, por gjatë shekullit të kaluem kjo ka qenë nji praksis normale e shoqnive të mbylluna, - siç i quente K. R. Popper.
Para pak ditësh (dhjetor 2005) parlamenti i Republikës Çeke aprovoi Kodin e ri penal, në të cilin parashikohet nji nen i cili dënon me burgim prej 6 muej deri në 3 vjet të gjithë ata që mohojnë krimet komuniste në ish-Çekosllovakinë komuniste dhe në vendet tjera satelite të Moskës. Duhet përmendë se nji nji ligj i ngjashëm funksiononte në Çeki edhe përsa i përket krimeve naziste.
Kush mund të mohojnë historinë dhe pse?
Nuk asht e vështirë me dallue ata që e mohojnë historinë, e vështirë asht me hetue ata që e falsifikojnë atë. Mbasi ata që e mohojnë janë mâ së shumti injoranta të ekzaltuem, aktivista dhe epigonë të kohnave të shueme, ndërsa ata që e falsifikojnë janë mâ së shumti historianë apo diçka e përafërt.

* * *


Kur flasim për historinë flasim kryesisht për faktet dhe për interpretimet e tyne. Faktet mund të mohohen, të harrohen, të shtrembnohen... e kjo gja në vetvete përban nji interpretim të tynin. Por jo gjithçka mund të mohohet.
Vetëm tue iu referue kohëve moderne sot nuk mund të mohohet terrori revolucionar që pasoi Revolucionin francez të vitit 1789, s'mund të mshehet shfarosja e indianëve të Amerikës, shitja e skllevënve prej arabëve në Afrikën lindore, genocidi ndaj armenëve prej turqve; s'mund të minimizohen krimet e kolonizatorëve europianë, s'mund të mohohen krimet e nazizmit dhe ato të komunizmit, s'mund të heshtet përpara qëndrimit të çekëve ndaj gjermanëve të rajonit të Sudeteve në vitet 1945-'46, as përpara foibave të titistave në rrethinat e Triestes, as ndaj krimeve të Mao Ce Dunit, të Pol Potit, Ho Shi Minit, Kim Il Sungut, Fidel Kastros, Enver Hoxhës; s'mund të harrohen krimet makabre të nji serie diktatorësh afrikanë.
Nuk mund të mohohen 20 milion të vdekun si pasojë e terrorit komunist në BRSS, 6,5 milion në Kinë, 1 milion në Vietnam, 2 milion në Kamboxhia, 1,5 milion në Europën e Lindjes, 150 mijë në Amerikën Latine, 1 milion e 700 mijë në Afrikë, 1 milion e 500 mijë në Afganistan... e shifra totale arrin, simbas studiuesit Stéphane Courtois, në 100 milion vetë.
Nuk mund të mohohet fakti që në vitin 1922 në parajsën sovjetike vdiqën prej mungesës së bukës 5 milion vetë, s'mund të mohohet as “sprastrimi i madh” (1937-1938) i kryem prej Stalinit, i cili simbas dokumenteve të botueme prej studiuesit të mirënjohtun Robert Conquest, eliminoi 690 mijë persona; s'mund të mohohet shfarosja e kozakëve të Donit, internimi i 2 milion kulakëve në vitet 1930-'32, s'mund të mohohet internimi dhe braktisja në vende të shkreta e mija polakëve, balltikëve, moldavëve, tatarëve, ingushecëve, çeçenëve, gjermanëve të rajonit të Vollgës. S'mund të mohohet masakrimi i 22 mijë ushtarakëve polakë në pranverën e vitit 1940 në pyllin e Katinit (sot Bjellorusi) prej sovjetikëve.
Nuk mund të heshtet për shfarosjen e 6 milion ukrahinasve në vitet 1932-'33 si pasojë e shkatërrimit ekonomik që solli kolektivizimi i detyrueshëm dhe industrializimi i vendit. Kanibalizmi, vrasjet, banditizmi dhe pushkatimet në masë ishin shfaqje të zakonshme të kësaj tragjedie të popullit ukrahinas.
Vetëm Papa Piu XI pati guximin me çue zanin në vitin 1933 kundër kësaj katastrofe vdekjepruse të shkaktueme prej ideologjisë komuniste, por asokohe Europa nuk kishte veshë me ndie fjalët e tija, edhe pse figura liberale dhe antikomuniste të mirëfillta si Churchill-i i kishin të qarta përmasat dhe damet e asaj tragjedie.
Atyne që edhe sot mbrojnë idealin komunist dhe vazhdojnë me ba dallimin ndërmjet atij ideali dhe realitetit të mjerueshëm që ka krijue ai ideal, ne i themi se vetë marksizmin nuk e pranon dualizmin ndërmjet idesë dhe realitetit, prandaj ai realitet i mjerueshëm nuk asht tjetër veçse mënyra normale sesi ajo ideologji e transformon njeriun dhe shoqnín njerzore.
Pemët njihen vetëm prej frutave që prodhojnë!
Por nga ana tjetër nuk mund të mohohen 15 milion civilat e vramë prej nazistave në vendet e pushtueme, 5 milion e 100 mijë hebrenjtë e zhdukun, 3 milion e 300 mijë robët rusë, 1 milion e 100 mijë të internuemit në kampet e përqendrimit, - pa njehë këtu masakrat dhe terrorin e ushtruem sa herë që trupat gjermane sulmoheshin prej civilave të armatosun.

* * *


Në nandor të këtij viti (2005) asht arrestue në Graz të Austrisë historiani anglez David Irving, i cili akuzohet se në vitin 1989 ka mohue publikisht holokaustin. Krim ky që në Gjermani dhe në Austri dënohet deri në 20 vjet burg. Probleme me drejtësinë kanë pasë dhe kanë edhe historianët revizionista gjerman Germar Rudolf, Ernst Zundel dhe zvicerani Jurgen Graf, mbasi interpretimet e tyne historike nuk përputhen me të dhanat e historiografisë zyrtare. Ndër të tjera ata mohojnë numrin e hebrenjve të zhdukun si pasojë e terrorit nazist dhe ekzistencën e dhomave të gazit në kampet perëndimore të Reich-ut, psh. në Mathhausen (Austri).
Kohët e fundit edhe kreu i Republikës islamike të Iranit, Ahmadinexhad, ka mohue publikisht holokaustin, por ky mohim nuk ka lidhje dhe rranjë të përbashkëta me antisemitizmin perëndimor, por vjen si pasojë e antisionizmit arab – i cili i mohon deri edhe të drejtën e ekzistencës Shtetit të Izraelit. Merret vesht se në pohimet e Ahmadinexhadit nuk ka pretendime historike, por thjesht shfrime të urrejtjes antisioniste.
Ndryshon puna me D. Irving-un, i cili mbetet nji njohtës i pashoq i historisë së Reich-ut III dhe i dokumenteve arkivore që i përkasin kësaj periudhe. Kjo kompetencë i njihet prej shumë historianëve të kësaj epoke, shumë prej të cilëve s'kanë të bajnë aspak me revizionizmit historik të Irving-ut.
Lind pyetja: a mund të arrestohet historiani D. Irving vetëm pse nuk e mendon si pjesa tjetër e kolegëve të tij?
Tue u nisë prej legjislacionit të ri çek, nji problem i tillë kishte me lindë edhe për ata që mohojnë krimet e komunizmit. A mund të arrestohen dhe të dënohen me burgim të gjithë ata që mohojnë faktet dhe shifrat e mâsipërme?
Duhet thanë me zâ të naltë se me mohue krimet e totalitarizmit nazist dhe atij komunist përban nji akt moralisht të dënueshëm, por gjithsesi njerzit nuk mund të burgosen vetëm tue u nisë prej opinioneve të tyne, pse po të pranohet ky parim atëherë demokracia tregon dobësinë e saj. Nuk mund të mbrohet sistemi demokratik tue i mohue të tjerëve të drejtën me mendue ndryshe prej nesh. Tjetër gja janë veprimet, nxitja e dhunës, terrorizmit, financimi i tyne etj.
Çfarë qëndrimi duhet të mbajnë legjislacioni shqiptar ndaj atyne që mohojnë krimet e komunizmit në vendin tonë dhe në vendet tjera ku kjo ideologji ka sundue?
Mendoj se Kodi penal nuk mund të zëvendësojnë kurrë mësimin e historisë dhe objektivat e saja pedagogjike, prandaj historiani që ka opinione të papranueshme nga pikëpamja historike, që ka synime revizioniste dhe mbërrin deri atje sa me fye ndërgjegjet e njerzve në përgjithsi, apo të nji etnie e të nji race – nuk duhet të burgoset. Mendimi i lirë duhet pranue edhe atëherë kur asht krejtsisht i kundërt me realitetin, ajo që nuk duhet pranue asht nxitja e urrejtjes ndaj nji populli dhe nji race dhe përgatitja shpirtnore (që shkon krahas me atë ushtarake) për revanshe dhe për lufta të reja.
Sa për në vendin tonë, mendoj se ata që mohojnë krimet e komunizmit mund të «dënohen» në dy mënyra: tue i detyrue me bâ ekskursione të shoqnuem prej ekspertash në vendet ku ka pasë kampe përqendrimit dhe burgje në kohën e komunizmit dhe së dyti tue i detyrue me lexue me zâ të naltë proçes-verbalet e hetimeve dhe të proçeseve të zhvillueme prej regjimit komunist. Prandaj asht e randësishme që ndonjeni prej burgjeve të famshme si ai i Qafës së Barit apo Spaçit të kthehen në muzeum për me ruejt kujtimin historik të asaj periudhe.
Kodi penal nuk ka efekte pozitive në lamije të historisë, mbasi do të ketë gjithnji prej atyne që do të preferojnë me u përballue me të dhe me burgun, vetëm e vetëm që të mund të pohojnë idetë e tyne të çmenduna.
Nuk asht pra burgu që i shëndoshë të “çmendunit”, ata që mund të shëndoshen mund të shëndoshen vetëm prej kulturës dhe shoqnisë që dënon dhunën dhe të gjitha diktaturat.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net