Jeta dhe veprimtaria politike në Itali
Pasi arriti në Romë, filloi të inkuadrohet në jetën e emigracionit politik shqiptar, për të bërë detyrën e tij si nacionalist. Filloi të tregonte për gjendjen e tij dhe se ishte gjendja në Shqipëri nën rregjimin komunist. Filloi të mësonte italisht, por kishte defektet e fillimit. Shqiptimi qëndronte i fortë, siç e bënte nji i huej, por duhej bamun çmos për të komunikuar me njerëzit, për të larguar sadopak atë boshësi që ndjente për rreth.
Roma i pëlqeu dhe nisi ta donte, i pëlqenin kishat e sidomos ajo e Shënpjetrit. Fontanat e shumta të qytetit, rrugët e bukura e të gjelbëruara që i shihte për herë të parë dhe ndjente kënaqësi.
Me 28 Nandor 1951 festa e pavarësisë së Shqipërisë u festua nga të gjithë shqiptarët në mërgim në Romë me kostume kombëtare. U banë diskutime mbushun me plot nostalgji e besim për forcën e shpresën e sejcilit, për rëndësinë që ka çdo sakrificë e cila kurdoherë mban vlera. Gjatë kësaj feste iu afrua mundësia që për herë të parë të fliste në mikirofonin e radios italiane si i ftuar special t'u drejtohej të pranishme dhe popullit të vet.
Filloi të shkruante nga pak në revistën “Shqipëria e Lirë” organ zyrtar i “Bllokut Indipendent” Artikujt e parë ndonëse ishin plot gjallëri nuk i kënaqnin kërkesat e tija.
Merrte pjesë në të gjitha debatet me azilantët politik shqiptarë, me urtësi fliste për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria dhe popullit atje i duhet spjeguar se ato që thuheshin nga komunistët për parajsën që predikonte Marksi në praktikë ishin të parealizueshme dhe kjo parajsë nuk do të arrihej kurrë.
Aktiviteti i tij fillon të shtohet. Nji vit më vonë ftohet nga Moviment Lauranti i Aksionit Katolik Italian, me marrë pjesë në nji cikël konferencash që do të mbaheshin në shumë qytete italiane. Ai e pranoi këtë ftesë, megjithëse ishte në fillimet e gjuhës italiane, por eksperienca dhe të vërtetat që ai dinte i thonte me pak fjalë italisht përballë të huejve dhe nuk dekurajohej aspak.
Në këto konferenca ai përshkruente me aftësi të admirueshme si gjendjen e vuajtjet e tij që kishte kaluar, po ashtu dhe për gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria. Këto konferenca të tija u dëgjuan nga Toskana e deri në Kalabri.
Diskutimet e tij i bante pa pasur përpara asnji shënim, por bazohej në memorien e tij. kur fliste zani i dridhej, përpara syve të tij i dilnin torturat, dhimbjet që populli shqiptar kishte kaluar dhe vuante akoma, të cilat dhe ai vetë i kishte provuar, por tani ndodhej larg vendit të tij.
Të gjitha gazetat italiane jepnin lajme rreth konferencave të tija dhe për aftësitë që ai tregonte që me pak fjalë italisht, arrinte të shuante dyshimet i bante kurioz të pranishmit për të ditur ma shumë për gjendjen në Shqipëri në sallat lluksoze e plot dritë, me njerëz të lirë e të respektueshëm, por në çdo rast mendja nuk i largohej nga vendi i tij tek familja që kishin filluar ta torturonin në fshatrat e rrethit të Shkodrës.
Në bisedat që ai zhvillonte nuk mungonin të ishin prezent dhe komunistë, të cilët donin t'ia sabotonin ato, pasi fjalët e tij ishin akuza të drejtpërdrejta për regjimin komunist në Shqipëri e kudo në botë, dhe ajo nuk i pëlqente atyre.
Filloi të bahej gjithnji e ma shumë publik, në konferencat e tij kudo nëpër Itali dëgjonte duartrokitje, shtërngime duarsh me autoritetet lokale të vendeve ku ai i zhvillonte këto biseda, të cilat i kalonin si në ëndërr. Ai përshëndeste të gjithë, i buzëqeshte me gjithë zemër, i falenderonte për ndihmën e dhanë, ndjente kënaqësinë e përkrahjes dhe mbështetjes dhe këto banin nji sadisfaksion të thellë për të.
E pas gjithë këtyre konferencave të sukseshme, emigrantëve shqiptar ju jepej mundësia të shkojnë në një audiencë tek Papa Pio XII nji delagacion prej 30 vjetësh e midis tyre i takoi fati të ishte dhe ai që të hynte për herë të parë në Selinë e Shejtë ku e ka të ruejtun dhe sot Medalionin e Papës në studion e tij.
Plagosja që kishte marrë në Greqi, nuk duhej lanë pas dore. Mjekët tani i rekomandonin nji pushim në mal, në nji vënd ku do të kurohej, i rekomanduan vendin e quajtur Sondalo në Valtelina. Ai duhej të largohej nga Roma për t'iu përkushtuar shëndetit në këtë vënd klimatik.
Jeta në Valtelina në fillim iu duk e vështirë, pa njohje, pa përkrahje, i dukej një botë që i shmangej rreth tij. Pas nji muaji kurash e pushimesh falë ndihmës që i kishte dhanë U.S.E.P Amerikane. Asistenca për refugjatët politik, gjendja filloi ti përmirësohej. Tani ai fillon të mendojë, sepse në horizont i dilte përpara misioni që i kishte vënë vetes, për të punuar për atdheun e tij nga ku ishte larguar. Me orë të tana qëndronte në verandë duke shkruar në makinë gjithshka që ai kishte parë gjatë kohës shkuar. Gjithnji i qetë dhe i mbyllur, por me sakrifica kërkonte të ishte njeri me kurajo. Në Valtelina i mbrrin lajmi i hidhur e rrënqethës nga Shqipëria se gruaja dhe djali endeshin nëpër kampet e përqëndrimit. Gruas së tij i kishin thanë se burri i saj ishte vrarë në jug të Shqipërisë dhe ajo kishte veshur sipas traditës rrobat e zeza të zisë. Atë e kishin internuar pasi ishte marrë vesht se Gjon Gjomarkaj jetonte në Itali.
Në Valtelina përpiloi një relacion në “Botën e Lirë”, mbi situatën politike e ekonomike fetare, kulturore e shkollore, ekonomike e ushtarake në Shqipërinë komuniste e mbi rezistencën antikomuniste në malet e Shqipërisë. Ky punim arriti tu jepej ambasadave të vendeve perendimore në shtator të vitit 1954. Në relacion paraqitej e gjallë me dëshmi reale jeta e vështirë përtej perdeve të hekurta, kujtime të dhunshme e të trishtueshme, tregime me fjalë të theshta e të pastërholluara, të shkruara me gjak e lot. Ka qënë protesta ma e efektshme për vëllezërit shqiptarë e shkruar në shqip e italisht drejtuar dhe Departamentit SHBA. Në mes të tjerave në referat thuhej: “ Populli shqiptar është më i vjetri i Ballkanit dëshron me qënë i lirë. Territoret shqiptare janë pushtuar padrejtësisht nga fqinjët ballkanik. Shqipëria për shumë kohë ka qënë objekt pushtimi nga të huajt. Aktualisht nën sundimin totalitar komunist dhe shpresa e popullit shqiptar për të qënë i lirë varet nga gjaku që ka derdhur në shekuj, nga drejtësia që do të tregojnë shtete perendimore demokratike në mënyrë të veçantë SH.B.A. kampione të paqës dhe mbrojtësja e popujve të shtypur. Amerika ka qënë gjithmonë mbrojtëse e ekzistencës së Shqipërisë në kohë të vështira nga ana e presidentit Vilson dhe sot kërkon përsëri nga SHBA, ta studiojnë me kujdes pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë që populli shqiptar të gëzojë vlerat e vërteta të lirisë e demokracisë. Ai ruan akoma në arkivin e tij përgjigjet që trupat diplomatike të shteteve demokratike të botës me përgëzime e falenderime dhe sigurimi se këto kancelari do ta studiojnë me vemendje çështjen e Shqipërisë dhe vuajtjet e popullit të saj.
Në Valtelina, në kampin shërues, takohet për herë të parë me profesoreshën Maria Greko nga Palermo. Ajo në librin e saj “Sperano Ancona” i përshkruan mjaft emocioniuese takimet e para të saj: “ Për mua duke qënë e re e kisha të vështirë me kujtue që njeriu të kalonte gjithnji vetëm pa miq, pa lojra, që i kalonte orët e lira pa pushim në verandë. Dilte pak nga dhoma për të heq iluzionet ose me bamë ndonji shëtitje siç mund ta bante nji njeri në qytetin e tij. Pikërisht në nji nga ato orë të lira e takova duke përshkuar luginën e kopshtit. M'u duk një fytyrë e lodhur me dy sy të gjallë, bjond e i thatë. Nuk kuptoja në se ishte nji djalë i plakur para kohe, apo një i vjetër me paraqitje rinore. Ishte i trishtuar, por menjëherë dallova se ishte nji i ri. E takova përsëri dhe më shikonte me trishim, por pas disa kohe të qëndrimit në kamp doli nga hija e trishtuar.
Miqësia e disa viteve midis tyre u forcua. Në atë kohë komunistët e Shkodrës kishin përhapur lajmin se gruaja e Gjon Gjomarkut kishte vdek në burg. Ky lajm i kishte shkuar dhe atij nga Jugosllavia.
Mbas shumë vitesh pa patur tjetër konfirmimin me dekretin e Tribunalit të Vatikanit dhe në bekimin e Papës u martua me Marie Grecon me 5 fruer 1959 në Palermo me të cilën pati dy djem dhe një vajzë të lauruar e me profesione të larta.
Si gjatë kohës që ishte në Romë e Macerata e më vonë në Palermo Gjon Gjomarkaj ka marrë pjesë aktive në drejtimin organizativ të emigracionit politik shqiptar. midis emigrantëve viheshin re mosmarrëveshje, ndasi të ndryshme, polemika kundër njeri tjetrit, shamje e përbuzje, moskuptime e ngatërresa partiake e personale.
Dy patën qënë organizimet kryesore të emigracionit politik në Itali. Blloku Kombëtar Indipendent, krijuar më 1946 dhe Komiteti Kombëtar për nji Shqipëri të lirë më 1949 nën kryesinë e Mit'hat Frashërit.
Duke parë gjendjen aktuale jo të këndshme në rradhët e emigracionit politik shqiptar, Gjon Gjomarkaj mban nji referat të rëndësishëm ku analizon të metat dhe dobësitë e këtij organizmi. Në të theksonte: “Të tregohemi ma të urtë e shumë të matun kundrejt njani tjetrit e të kemi nderimin ma të madh ndaj çdo shqiptari. Të luftojmë përçarjet kundër unitetit, tue fut dasitë fetare me vu në luftë katolikë, myslimanë e orthodoksë. Në Shqipni të marrin për të çmendur po të flasësh për dasina fetare e krahine, të gjithë kemi qëllime shqiptare e patriotike, vetëm ndonji i frymëzuar keq mundet me qenë kundër këtyre mendimeve tona të drejta”.
Pas këtij referati Blloku Kombëtar Indipendent mori tatëpjetën, u nda në grupe dhe disa prej tyre iu bashkuan Lidhjes Demokratike Shqiptare e cila kryesohej nga Eduard Liço. Deri sa funksiononte Blloku Indipendent punonte me moton: “Shqipëria mbi të gjitha, partitë venë e vinë, po SHQIPËRIA të rrojë.”
Lidhja Demokratike Shqiptare që në fillim përcaktoi nji program të qartë politik. Kërkonte çlirimin e plotë të popullit shqiptar nga totalitarizmi, likujdimin e antagonizmave klasore me zhduk shfrytëzimin e keq të njeriut nga njeriu, me sigurue parimin: “ Sejcili sipas aftësisë, sejcilit sipas punës”. Synonte me krijue një shoqëri demokratike në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke zhduk dasinat e klasave e krahinave si dhe fanatizmin në mes të besimeve fetare, kërkonte lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e kulteve fetare, duke përdor të gjitha mjetet e mënyrat paqësore për realizimin e aspiratave kombëtare, për bashkimin e gjithë shqiptarëve në nji shtet etnik indipendent.
Lidhja Demokratike Shqiptare krijoi organin e saj periodik me titull “Shqipnia Demokratike” kjo gazetë drejtohej nga Gjon Gjomarkaj i cili ndërkohë në të ka botuar mjaft artikuj me rëndësi historike, shkencore e kulturore për gjendjen në Shqipëri, traditat e lashta patriotike të popullit shqiptar në të kaluarën deri më 1982.
Në vitin 1964 Lidhja Demokratike Shqiptare tani nën kryesinë e Gjon Gjonmarkajt inkuadrohet në Komitetin Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” që drejtohej nga prof Abaz Ermenji dhe Gjon Gjomarkaj zgjidhet si antar i këtij Komiteti .
Në vitin 1978 me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Gjon Gjomarkajmban nji referat të rëndësishëm në New York, Çikago, Detroit të SH.B.A. ku në të evokonte historinë e lavdishme të shqiptarëve nga ilirët, luftërat që ato kanë bërë kundër asimilimit të dyndjeve romake, bizantine, sllave ndalet tek roli i shtetit të parë të arbërit, pushtimin turk e luftërat heroike të shqiptarëve me kryetrimin Skënderbe e duke u përqëndruar tek rëndësia historike e Lidhjes së Prizrenit, vendimet kryesore të saja në 6 pikat kryesore: besimi, gjuha, pleqësimi, besa, lufta, beslidhja, duke vënë kështu themelet e Pavarësisë, tue marrë formën e nji shteti modern. E vetmja ushtri (forcë e armatosun ishin mirditasit e Preng Bib Pashës, kosovarët e Isa Boletinit dhe malësorët e Bajram Currit) që ishin mësue me ba luftëra me grupe të veçueme nën udhëheqjen e prijsave të tyre.
Duke përkujtuar 100 vjetorin e Lidhjes Prizrenit, ajo asht e të gjithë shqiptarëve të cilët duhet të luftojnë e punojnë për një Shqipëri të lirë etnike, e indipendente dhe vllaznit tanë në Shqipni të fitojnë liritë dhe të drejtat demokratike, siç i ka bërë bota e përparuar.
Ka punuar vite me radhë pranë Qëndrës ndërkombëtare për studimet shqiptare pranë Universitetit të Palermos si administrator i saj dhe mbante lidhje e korespondenca me Radio Vatikanin. |