Hyrja dhe puna në Vatikan
Vatikani qendra botërore e kristianizmit, në historinë e tij mijvjeçare do të shënoi nji ngjarje me të vërtetë shumë të madh për mirditasin Gjon Gjomarkajn me dekret të Selisë së Shejtë ai pranohet të punojë si redaktor pranë Radio Vatikanit, seksioni i gjuhës shqipe në vitin 1980.
Pranë kësaj Radio ai kishte dhanë ndihmesën e tij si bashkëpuntor i jashtëm që pas thirrjes së parë në audiencë nga Papa Piu XII. Ai qe bërë i njohur me shkrimet e intervistat e tija në botën katolike. Zani i tij tingëllues u ba shumë shpejt i njohur në botën shqiptare dhe për këtë fillon menjiherë të marrë përgëzimet nga ish drejtori i Radio Vatikanit për gjuhën shqipe imzot Zef Shestani. Në një kohë kur ai ishte me pushime i shkruente vartësit të tij të ri: “Zani yt ka marrë hov e s'të ndal asgja. Në këtë mënyrë jeni nderi i programit tonë e për të mirën e vendit tonë”.
Hapja e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe ka qënë nji dhuratë e çmuar e Selisë së Shejtë ndaj popullit shqiptar. Kjo radio që prej kohës së krijimit të saj më 3 tetor 1951 ishte jo vetëm në shërbim të Selisë së Shejtë, por dhe nji ushqim shpirtëror për të gjithë të krishterët, për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, sepse përmes saj çdo ditë u shkonte të krishterëve mesazhi i zëvëndësit Pjetri, mesazhi i ngushëllimit e durimit, qëndresës e ngrohtësisë vllaznore, i shpresës dhe i paqës të tanë popullit në Atdhe.
Të gjithë shqiptarët jashtë Shqipnie e pritën hapjen e kësaj radioje amtare me gëzimin ma të madh e me mirënjohje të thellë tue vërtëtue dhe nji herë atë që Selia e Shenjtë nuk i kishte harrue, por ishte gjithmonë pranë tyre e me ta ndante vuajtjet e shpresat. Radio Vatikani varej nga Selia e Shenjtë, por seksionit të gjuhës shqipe i qe lanë nji autonomi e gjanë në veprimet e veta, si në zgjedhjen, ndërtimin e përpunimin e materialeve për transmentim. Ajo punonte me moton Fè e Atdhè, sipas nevojave të popullit shqiptar, tue pas parasysh gjithmonë problemet kryesore, tue qenë pranë shpirtërisht në rastet ma të vështira të tij.
Misioni i kësaj Radio erdhi gjithnji tue u rrit, duke pas parasysh egërsinë e rregjimit komunist ndaj besimeve fetare, egërsi kjo që u shfaq me shembjen e institucioneve fetare, me persekutimin e klerikëve e deri me shpalljen jashtë ligjit besimin në perendinë, duke u shpallur kështu Shqipnia i pari shtet ateist në botë, prandaj kësaj radioje u desht të intensifikonte ma shumë punën e saj.
Gjon Gjomarkaj e nisi punën me shumë vrull e dashuri e plot pasion pranë Radio Vatikanit. Cilësitë e tij morale e njerzore ishin vërtet nji bazë e fuqishme për ta realizuar misionin, zani i tij pranë kësaj radioje përmes mikrofonit qe vendimtar për të mbajtur vazhdimisht gjallë besimin tek zoti, që ky besim të mos shuhej kurrë në kundërshtim me ato që propogandonte regjimi komunist.
“Ju flet Radio Vatikani”
Gjon Gjomarkaj punoi me vrull të jashtëzakonshëm për të dhanë nji mori programesh në mënyrë që në Shqipni të arrihej liria e plotë, liri fetare e respektim i të drejtave njerëzore, pasi shqipëtarët po përjetonin nji persekucion të plotë fetar në ateizëm e duhej që rinia shqiptare të besonte tek zoti, tek krijuesi i gjithësisë. Gjon Gjomarkaj ka qënë kërcënuar me vdekje nga Tirana dhe agjentët e Beogradit që të mbyllte gojën, por ai asnjëherë nuk u tremb dhe zani i tij në mikrofon tingëllontë ma me fuqi e bindje se sistemi marksist do të shembej nga vetë popujt që i kishte robnue dhe vërtetë gardhi i hekurt i sistemit komunist u shemb pa gjakderdhje ashtu siç propogandonte Radio Vatikani dhe siç dëshmonte Papa Gjon Pali i Dytë. Veprimtaria e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe nga njëra anë e tërbonte rregjimin e Tiranës dhe bantë çmos që programet e saj të mos dëgjoheshin, por nga ana tjetër ato programe u dëgjonin fshehtas nga të gjitha moshat e mbusheshin me gëzim duke ju lutur e falur krijuesit të gjithësisë.
Është e vështirë të përshkruash punën e gjatë disavjeçare të Gjon Gjomarkajt pranë kësaj radioje nga një ish bashkëpuntor i jashtëm, në asistencë, redaktor i niveleve të ndryshme e ma në fund drejtor i kësaj radioje. Nga e gjithë kjo veprimtari voluminoze, do të ndalem në disa nga emisionet ma të rëndësishme të përgatitura e transmentuara prej tij.
“At Giovani Fausti martir i fesë” përshkruan si u shkatërrue shtëpia e jezuitëve në Shkodër, muret u hapën, u shkatërruen varret e entëve italianë. Më 31 dhjetor 1945 qe arrestue në Shkodër At Fausti, rektor i seminarit Papnuer dhe i kolegjit saverianum. Atë Faustit ju ba një gjygj kukull ku dënimet jepeshin gjithnji nga komunistët në pushtet. At Fausti ndonëse ishte bamun kockë e lëkurë nga torturat e tmerrshme të sa muajve i përballoi ato me qetësinë e të fortit, me vendosmërinë e Jezusit. Me 4 mars 1946 e nisën drejt vendit të pushkatimit. Përpara se t'u rrëzonte nga plumbat e gjaksorëve komunist brohoriti me za të lart “ Rroft krishti mbret” gjaku i kulluet i At Faustit vaditi kështu tokën e Shqipnisë.
Buletini nr 1 i Radio Vatikanit 1988
Në vitin 1986, Papa Gjon Pali i dytë ban nji takim me shqiptarët e mërguem në botë. Gjon Gjomarkaj merr pjesë në këtë takim si emigrant e ndërkohë dhe si redaktor i Radio Vatikanit. Në nji buletin të radios e përshkruen duke u ndalur tek fjalët e Papës, i cili theksoi se: “ Unë e jetoj martirizimin e popullit tuaj. Ju jeni përfaqësues të thjeshtë të tokës martire të Shqipërisë e cila gjeografikisht asht shumë afër e moralisht shumë larg. Kisha, u tha shqiptarëve Papa Vojtila nuk mund të zhduket nga zemra, sepse asht krijue nga shpirti i shenjtë. Shqiptarët shkuen tek Papa për t'i dëshmue se zemrat e tyre, ndjesitë e tyre dhe besimi në zotin janë ma tepër se kurrë të gjalla dhe se kqyrin me plot shpresë e besim kishën e Romës, për deri sa nji ditë Gjon Pali i dytë të mundet me vizitue Shqipërinë lirisht së bashku me bijtë e saj”
Ky takim qe zhvilluar në Famullinë Romake të Shën Grigorit VII më 26 prill të vitit 1986.
Tepër mallëngjyese jepet në Radio Vatikan audienca private që Papa Gjon Pali i dytë bani me 6 maj 1988 me rreth 250 shqiptarë të ardhur nga Amerika e Europa. “ Ky takim tha Papa i mbush zemrat tona me përmalli. Shoh në fytyrat tueja fisnikërinë e lashtë të popullit shqiptar, por shoh dhe përmallimin tuej për Atdhe e tokën e shqiponjave, nji komb shumë fisnik për kujtime e tradita të lashta e të shkëlqyeshme që ka ba luftra të pandërprera për liri. Toka juej aq e afërt gjeografikisht asht shumë e dashtun për mue. Megjithë zemër ndaj me ju shpresën që kisha tash 2000 vjet rrënjosur në tokën shqiptare të mundet me fitue dhe njiherë lirinë, për të qënë element e mjet bashkimi kombëtar dhe nji faktor i rëndësishëm paqe në zemër të popullit tuaj. Buletin nr4 viti 1988.
Në kohën kur persekucioni ndaj fesë qe shtuar, kishat e mbyllura, faltoret e dërmuara e të shkatërruara, klerikët e burgosur e të pushkatuar, Radio Vatikani ( Seksioni i gjuhës shqipe) u përpoq që të ruante atë thesar kulture kishtare kombëtare, ato vlera fetare, që mjerisht regjimi komunist po mundohej me i zhduk, por nuk po ja arrinte qëllimit dhe për këtë nji rol të madh po luante pikërisht Radio Vatikani në këtë drejtim, i cili demaskonte shtypjen e të drejtave e lirive themelore të njeriut në Shqipëri, demaskonte shtypjen dhe persekucionin komunist duke i torturuar njerëzit kampet e përqëndrimit dhe me burgosje politike. Për të gjitha këto misione nuk ka munguar falenderimi e përgëzimi ndaj tij nga ana e Selisë së Shejtë.
Emisionet e Radio Vatikanit u kanë qëndruar gjithmonë afër shpirtnisht Kosovës e bijve të saj, gjithnji në vuajtje e të shtypur nga të huajt. Programet e Radios kanë denoncuar pa ndërprerje përpara botës vuajtjet që kishin pësuar kosovarët për të vetmen arsye se ky popull kreshnik kërkonte vetvendosje për fatin e tij, kërkonte paqë e drejtësi në trojet e veta, kërkonte po ato të drejta që kishin popujt e tjerë të fiksuara nga karta e Kombeve të Bashkuara.
Në disa emisione me kurajo asht demaskuar dhe politika e padrejtë europiane ndaj kombit shqiptar pas luftës së parë botërore, që tokat shqiptare u cunguan dhe ju dhanë Jugosllavisë, Malit të Zi, Greqisë. Shqipëria qe kështu i vetmi vend në botë që kishte kufirin e saj të ndamë me bashkombasit e saj.
Radio Vatikani në gjuhën shqipe me guxim demaskoi dhe përpjekjet djallëzore që patën bërë jugosllavët për të shtënë në dorë Radio Vatikanin ( Seksionin e gjuhës shqipe), duke vënë në shërbim të saj mjerisht dhe ndonji nga klerikët shqiptar, por kjo manovër djallëzore e tyre nuk u realizue asnjiherë, përderisa ky program u drejtua nga Mons Zef Shestani e pas tij nga Gjon Gjomarkaj.
Gjatë kohës së aktivitetit tij në Radio Vatikan, Gjon Gjomarkaj ka paraqitur dy studime të cilat janë cilësuar nga më të mirat dhe janë depozituar në Arkivin e Selisë së Shenjtë.
Studimi i parë: “Kisha shqiptare dhe martirët e saj dje e sot”. Ky studim qe vënë në dispozicion të redaksisë qëndrore në përshtatje me qëllimet misioniare të Papës për apostolikët në lutjet e nandorit 1983, për lirinë fetare të shqiptarëve. Shqiptarët thuhej në studim janë bijtë e një kombi të vogël në numër por rezistentë e të fortë si shkëmbejt e bardhë graniti të maleve të tyre.
Kanë shpëtuar pothuajse për mrekulli. E në këtë mrekulli që kisha nuk asht e vetmja autore, por sigurisht e pa dyshim një faktor esencial. Ky pohim asht nji realitet historik, sepse siç shkruan doktor Orlhon nga Viena në Hyllin e Dritës më 1940 se rëndësia e kishës katolike për popullin shqiptar asht e madhe. Historia e popullit shqiptar asht histori e luftës shekullore e nuk mund të ndahet nga ngjarjet e kishës, nga vlerat e klerit.
Historia e kristianizmit në këtë studim fillon nga shekulli i parë para lindjes Krishtit, vazhdon pastaj gjatë mesjetës, më vonë me pushtimin turk, kohën e Rilindjes Kombëtare, duke u mbyllur në kishën katolike në periudhën e komunizmit, gjendjen e saj kur mbi të u ushtrue nji persekucion i pashembullt. Në Shqipëri ekzistonin 10 Dioqeza, 117 kisha, dy seminare, 357 priftërinj e motra, shkolla katolike ku nga këto kanë dalë shkrimtarë të afirmuar e edukatorë kompentenë. E gjithë kjo veprimtari misioniare u shkatërrua me ardhjen e komunistëve në pushtet e u arrit deri atje sa Shqipëria vendosi në Kushtetutë shpalljen se ishte shtet ateist.
Studimi përshkruente se si priftërinjtë katolikë u dërguen në burgjet e ndryshme e disa prej tyre qenë zhdukur. Shqipëria ishte vendi me më shumë të burgosur politik se asnji vend tjetër. Në Shkodër 1300, Balsh 4000, Vlorë 900, në Spaç të Mirditës 3500, në Tiranë 1500 etj. ndërsa mjaft të tjerë ishin dërguar në kampet e përqëndrimit në Berat, Burrel, Ballsh, Bulqizë, Torovicë, Tepelenë, Ishëm, Novoselë, Mifol, Papër e Piqerras. Pjesa më e madhe e të burgosurve si dhe atyr që ishin në kampet e përqëndrimit ishin katolikë.
Vendet e kultit u shëndruen në shtëpi kulture, palestra sportive, zyra të llojeve të ndryshme. U shkatërruan kampanelat e kishave, kryqet e varreve, statujat kishtare. Më shumë se 2169 kisha e xhami nuk kishin ma asnji shenjë. E ndonëse kisha dhe besimi katolik pësuan persekucionin ma të thellë në historinë njerzore, në fakt feja e mbjellë në zemrat e traditat e popullit shqiptar nuk e lëkundi asnjiherë besimin ndaj zotit. Funksioniarët e lartë të shtetit komunist deklaronin: “ Feja nuk asht akoma e çrrënjosur në tokën tonë dhe kristianizmi ka akoma rranjë të thella në popullin tonë. Feja asht akoma vepruese në masën puntore e tek armiqtë e popullit tonë. Këto shikojnë me besim e simpati drejt Vatikanit. Të tillë armiq veprojnë në organizimet tona e në rradhët tona. Këto pohime ishin provë e shëndritshme se zoti nuk kishte vdekur akoma në Shqipëri.
Me 5-7 tetor 1984, Papa Gjon Pali II bani nji vizitë në komunitetin arbëresh në Kalabri, nga mikrofoni i Radio Vatikanit, Gjon Gjomarkaj foli për historinë e këtij komuniteti, i cili ishte larguar nga vendi i origjinës, Shqipëria 5 shekuj ma parë dhe ato akoma ruajnë gjuhën, kulturën shqiptare dhe besimin katolik. I kushtoi vemendje rolit të madh që ka luajtur komuniteti shqiptar në Itali. Shqiptarët nuk gjenden vetëm në Kalabri por edhe në Siçili, gjë për të cilën flasin dy dokumente të lëshuar nga Giovanni d'Aragona, mbret i Siçilisë i cili kishte thënë se refugjatët shqiptarë janë larguar nga vendi i tyre me qenë se turqit u kishin pushtuar tokat e tyre. Ato janë kristianë dhe njerëz me shumë vlerë, prandaj i lamë të stabilizohen në tokën e Siçilisë. Dokument i lëshuar me 8 e 18 tetor të vitit 1467.
Nga hetimet e rregjistrimet e ndryshme, rezulton se sot në 100 e ma shumë komuna e pjesë komunash me origjinë shqiptare në Itali, në 45 prej tyre ruhet gjuha amtare. Ka rreth 114.783 shqiptarë që flasin gjuhën shqipe si ma poshtë:
Provinca Palermo 11.190
‘' Cantazaro 9.817
‘' Conzenca 54.975
‘' Taranto 5.969
Potenza 12.745
‘' Foggia 2.910
‘' Campobasso 14.938
‘' Avellino 2239
Gjatë vizitës në Kalabri Papa Gjon Pali iu drejtua dy prej kryetarëve të komunave ku vareshin katolikët shqiptarë: “ Ato kanë ardhë para 5 shekujsh pas vdekjes së Skënderbeut, janë bij të lavdishëm të nji toke që kanë përqafuar katolicizmin. Heroi i tyre mundi që për 25 vjet me radhë të mbajë të lirë popullin shqiptar nga invazioni turk e pas vdekjes tij shqiptarët kërkuan azil politik, sepse në vendin e tyre nuk gjetën kushte të përshtatshme në profesione në lirinë e fesë dhe këtu në Kalabri e Siçili gjetën nji pritje të ngrohtë dhe këtu shohin se këta shqiptarë përtej 5 shekujve ruajnë gjuhën e traditat e tyre, ruajnë në kujtesë heroin e tyre të madh ,Gjergj Kastriotin. Nji parardhës i këtyne shqiptarëve që banojnë këtu, Papa Klementi XI ka qënë me origjinë shqiptare.
Gjuha shqipe theksoi Ati Shenjtë nuk asht as gjuha e perendimit as e veriut të Europës, por asht një gjuhë e vjetër, nji gjuhë që i ka dhanë kulturës poetë e shkrimtarë me famë si: Lek Matrenga 1560- 1619, Girolamo De Rada 1814- 1903, Antonio Santori 1819- 11894, Gabriel Dara Giusepe Serembe 1843- 1894, Giuseppe Schiro 1865 1927 etj. pikërisht për rëndësinë që ka gjuha shqipe ajo duhet të ruhet.
Më vjen keq tha më mbyllje të fjalës Papa Gjon Pali dytë arbëreshëve të Italisë që vllaznit tuej të përtej detit nuk mund ta manifestojnë besimin ndaj zotit si ju për shkak të persekucionit komunist, por nuk ka vdek zoti në zemrat e popullit shqiptar. Asht frika që asht fshehur në zemrën e njeriut e në qetësi në sigurinë e zotit.
Ishin pikërisht këto dy studime të kryera nga Gjon Gjomarkaj si rezultat i akumulimit e hulumtimeve të njohurive të tija, studime këto që u vlerësuan në mënyrë të jashtë zakonshme nga Selia e Shenjtë dhe Drejtoria e përgjithshme e Radio Vatikanit. Ato u banë shkak që të rritet gradimi i tij deri në redaktor i nivelit 8-të që ishte niveli ma i lartë dhe në vitin 1988 të emërohet drejtor i Seksionit të gjuhës shqipe në Radio Vatikan.
Nga mikrofoni i Radio Vatikanit i kushtoi nji kujdes të madh kremtimit të ngjarjeve madhore të kaluarës lavdishme historike shqiptare në shumë emisione të tija. Çdo 28 nandor u drejtohej bashkombasve të tij.
Me rastin e festës së shpalljes së pavarësisë për ta kremtuar këtë festë solemne të popullit shqiptar dhe kurrë të mos e humbnin shpresën se ditë të bardha do të vijnë patjetër për të.
Seksioni i gjuhës shqipe në Radio Vatikan demaskoi genocidin e vazhdueshëm që regjimi serb i Titos e ma në fund ai i Milosheviçit bante ndaj popullit kosovar që nga viti 1945 e deri në largimin përfundimtar të serbëve nga Kosova, si rezultat i luftës së drejtë që bani populli kosovar dhe ndihmës së madhe që dha ish presidenti Klinton, duke e shpartalluar kështu racizmin serb në qender të Europës.
Në një promemorje drejtuar Papa Gjon Palit dytë i bahej e qartë se shqiptarët e Kosovës po e vuajnë padrejtësisht diskrimin e pushtimit serbo malazes me humbje jetë njerëzish, u janë mohuar të drejtat legjitime siç i kanë njerëzit e tjerë në Europë. Në këto vitet e fundit situata asht tmerrësisht e rënduar dhe mund të bahet shpërthyese jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë zonën ballkanike. Nevojitet akoma ndihma juaj, lutja juaj, zani juaj në mbrojtje të vllaznëve tanë të atij regjioni, sepse nuk kanë zà, sepse asht shuar britma e tyre me lotët e tyre, me ankthin e tyre.
Shejtëri
Lutemi ndihmoni edhe nji herë me evitue të tjera viktima, të tjera humbje gjaku të vllaznëve kosovarë që kërkojnë paqësisht të drejtat e tyre si komb e si popull.
Tematika e informacioneve që jepte Radio Vatikani ishte e larmishme duke trajtuar problemet më të rëndësishme për kombin shqiptar.
Në nji emision të datës 1 gusht 1989 iu kushtua martirëve të Kombit e fesë, të cilët ishin nga familje myslimane, ortodokse e katolike me tradita të lashta atdhetarie e besimi, e nga këto familje janë pushkatuar me dhjetra vetë, si familja e Litajve të Lumës ka dhanë 14 martirë, familja e Merlikajve të Krujës 7 martirë, familja e Blloshmit të Elbasanit 8 martirë, familja e Lolajve të Lumës 13 martirë, familja e Cekut të Lumës 10 martirë, familja e Kaloshve të Dibrës kreshnike 9 martirë, familja e Menajve të Lurës 7 martirë. Familja e Përnocajvetë Fanit të Mirditës 5 martirë, familja e Gjomarkajve 7 martirë një prej të cilëve ishte vajza e re 22 vjeçare Marie Tuçi e cila u torturua në mënyrë çnjerëzore. Familja e Çupajve të Kurbinit 10 martirë. Familja e Melyshajve të Kthellës 6 martirë, familja e Mirajve Milot 9 martirë, familja e Mirakajve Pukë 5 martirë, familjen e Lufit Selitë 9 martirë. E për të gjithë këto martirë populli shqiptar pret ditën e drejtësisë, demokracisë për t'u ndërtuar atyre nji përmendore të artë në altarin e atdheut.
Në emisionin e datës 25 prill të vitit 1992 u dha nji informacion i plotë për ndihmën që ka dhënë Selia e Shenjtë dhe Papët e Romës në vite: Papa Nikolla i V-të 1447-1485 nderoi e respektoi heroin kombëtar Gjergj Kastriotin dhe e ndihmoi atë e i dha krahë për luftë kundër pushtuesve turq i cili habiti botën me luftërat triumfuese kundër armiqve zaptues. Papa Kalisti III i dha Skënderbeut titullin Atlet i Krishtit dhe e emëroi kryegjeneral për luftë kundër otomanëve dhe i dha ndihma financiare. Papa Pio II në vitet 1458 1464 shkon në Ankona dhe përgatiti nji kryqëzatë me hy në Shqipëri me kurorëzue Skënderbeun “ Mbret të Epirit”, por mjerisht nji sëmundje që e mundonte prej kohësh ja mori jetën. Papa Pali II 1467-1471 ftoi të gjithë princat e krishterë të ndihmojnë Kastriotët dhe kur Skënderbeu shkoi në Romë përveç nderimeve që ju banë i dhanë dhe 5 mijë duka, tue i premtue dhe ndihma të tjera financiare. Po ashtu përkrahën Shqipërinë dhe pas vdekjes Skënderbeut Papa Pio V-të, Klementi VIII-të, Pali V-të, Urbani III-të. Papa Klementi i XI i gjakut shqiptar me anë të Venedikut ndihmoi kelmendasit në luftë kundër turqve, dha ndihma financiare për studentët shqiptarë, në kolegjin “Propaganda Fide” Papa Benedikti XV-të ndërhyni më 1919 pranë SH.B.A. që të shpëtojnë Korça e Gjirokastra që kërkohej t'u dhurohej grekëve.
Selia e Shenjtë e ka ndihmuar Shqipërinë në lamin kulturor në hapjen e një varg kolegjesh e shkollash në gjuhën shqipe tue dhanë fonde për mbajtjen e tyre si dhe duke dhënë shtypshkronjën ku u shtypën më tepër se 500 libra dhe botoheshin revistat “ Hylli i Dritës” “ Leka” etj. edhe gjatë regjimit komunist Selia e Shejtë dhe Papët e Romës, nuk e braktisën kurrë popullin shqiptar, dhe ndanë me ta vuajtjet e tij. Hapja e seksionit gjuhës shqipe në tetor 1951 ishte nji ndihmë e çmuar për popullin shqiptar. Transmentimet e përditshme në gjuhën shqipe jepnin mesazhe paqeje, shprese, durimi e besimi të plotë në zot se edhe për këtë popull do të agonte dita e lirisë dhe e demokracisë. E ja pra liria dhe demokracia u realizuan e për të parën herë në histori Papa Vojtila viziton Shqipërinë dhe populli shqiptar pa dallim feje i tha Atit të shenjtë me gjithë zemër e përvujtni:
“ Mirëse na erdhët Ati ynë dhe i paqës në botë”.
Pas shëmbjes sistemit komunist në Shqipëri Radio Vatikani dha një emision të përgatitun nga shërbimi i Sergio Centofanti e Gjon Gjomarkaj ku thuhej se Shqipëria asht një vend në kërkim të kryqit.
Pas dhjetra vjetësh ateizëm të shtetit shqiptar filloi besimi dhe Kryetari i Këshillit Ministrave Ylli Bufi kërkoi të takohet me Papën në Vatikan. Shqipëria tani ka hapur një faqe të re, mohon ideologjinë marksiste – leniniste dhe hapet drejt Europës. Kishat u hapën dhe në to po futen dhe njerëzit e besimit mysliman.
Emisioni vazhdonte me pyetjet: Çfarë tip kulture mundet me lind tani në Shqipëri? Dhe përgjigja ishte: Ne jemi të bindur se ekziston një histori shqiptare. Shqipëria ka nj kulturë, ka një histori dhe në këto momente Shqipëria asht gati me tregue vlerat e saj të vërteta historike e kulturore që formojnë nji pasuri që për afër pesë dekada ka vuajtur dhe ka qënë e izoluar e tani do të ngrihet ma lart, do të vijnë ditë të reja për kulturën, zhvillimin e besimin. Emisioni përfundonte me pyetjen: përse ka rënë vonë komunizmi në Shqipëri? Po asht e vërtetë. Komunizmi në Shqipëri ka rënë vonë, më vonë se sa në vendet e tjera të lindjes e kjo sepse fati i Shqipërisë gjatë 25 vjetëve nuk ka qënë i barabartë me ato të vendeve të tjera të lindjes. Shqipëria ka qënë e izoluar nga perëndimi dhe nga Lindja, e izoluar nga të gjithë e nga kudo. Për këtë arsye lëvizja demokratike ka ardhur me vonesë.
Gjatë 12 vjetëve të punës në Vatikan me mikrofonin e tij ai nuk pushoi së punuari me pasion e përkushtim për të realizuar misionin që i kishte vënë Selia e Shejtë Seksionit të gjuhës shqipe, detyrë të cilën Gjon Gjomarkaj e realizoi me profesionalizëm dhe vazhdimisht ka marrë përgëzime e falenderime nga funksioniarët më të lartë në Vatikan, e urimin ma të mirë që Ai e mban asht ai që i ka ba NANA TEREZË me 15 gusht 1992 kur ai qe takuar me të në Shirokë të Shkodrës, kur po celebrohej një meshë e shenjtë e cila u transmentua dhe nga Radio Vatikani. Ishin grumbullue me mijra besimtarë në shpat të malit për të asistuar në celebrimin e meshës në prani të Shejtëreshës gjallë, Nanës Terezë… Nuk ndihej as nji za i mijra njerëzve që ishin rreth Altarit të improvizuem përveç cicërimave të zogjëve, që mu duk se po i kushtojshin kangët e tyne si mirseardhje Nanës Terezë.
Ishin tre karrike, një për Nanën Terezë, një për Presidentin e parlamentit shqiptar Pjetër Arbnori dhe e treta për mua. Mbasi u përshëndetën më dha shej të ulem… pas pak kthehet nga unë, më mori dorën e djathtë në duart e saja e me nji të kqyrun të ambël e buzëqeshje specifike më tha ndër të tjera këto fjalë: “ Zoti të bekoftë e tue më shtërngue dorën me duart e saja të buta e të ngrohta vazhdoi përsëri…. “E sheh Gjon, që dhe lutjet tueja nëpërmjet mikrofonit të Atit Shenjtë në Vatikan për muej e vjet shkuen në vend”.
Me lot në sy e përmallim pohova thëniet e saja me shtërngim duarsh. Po mjerisht ishte takimi i fundit për ne të dy, sepse ajo u nis për në Kalkuta të Indisë dhe unë për në Radio Vatikan në Romë.
E pra këto vite pune në Vatikan nuk janë nder e krenari vetëm për Gjon Gjomarkajn por janë më tetër nder e lavdi për Mirditën që pati përfaqësuesin e saj si ambasador shpirtëror në kryeqendrën botërore të katolicizmit.
Në gusht të vitit 1992, kur Gjon Gjomarkaj mbas 43 vitesh po vinte në atdheun e vet. Autoritetet shtetërore i premtuan se do ta emëronin Ambasador të Shqipërisë në Vatikan dhe kjo qe pritur shumë mirë nga Selia e Shejtë. Por premtimi i bërë nuk u realizua, u ndrue mendimi e deri më sot nuk asht sqaruar ky skandal, se cilat kanë qënë motivet e zëvëndësimit të tij të papritun e të padëshirueshëm nga Selia e Shejtë. |