Tension i madh e trazim
i shpirtit
Të gjitha këto nuk ishin gjëra
të lehta, që mund të perceptoheshin as
përfytyroheshin, prandaj u përjetuan me dhimbje,
sepse u shemben shtyllat bazë të mbijetesës
ndër shekuj, pjesët fondamentale të arsenalit
shpirtëror, prandaj dhe tronditja dhe reflektimi
në vetëdije qe i madh dhe u manifestua me
një çoroditje, inferioritet dhe elementë
të tjerë që s’ishin parë ndonjëherë.
S’kemi pse çuditemi për fenomenet
e ulta të karakterit si: dyfaqësinë,
spiunimet, prapaskenat që rëndomë u ndeshën
tek individë të veçantë, këto
në kohët e mëpastajme manifestohen në
forma nga më të rafinuarat, pasoja të
cilat do të vazhdojnë të ndjehen për
një kohë edhe në të ardhmen.
Nga mohimi i gjithçkaje e izolimi për gjithkënd
shumë njerëz u deprimuan gjerë në
sfilitje, u manifestua komleksi i inferioritetit pasi
një pjesë e vyer e historisë së
vet me të padrejtë u hodh. Mirdita mjerisht
filloi të përmendej nga kategori relativisht
të konsiderueshme njerëzish, më tepër
për burgun famëkeq të Spaçit e
të Qafës së
Barit, se sa për virtytet, traditat dhe njerëzit
e shquar të saj.
Në këtë fat historik të mjerë
e situatë represive shumë njerëz e patën
të vështirë të identifikohen e hipokrizia
doli sheshit. Tinzania filloi të përdoret
si armë kundër të tjerëve e shprehur
kryesisht nëpërmjet anonimatëve, një
pjesë jo e vogël u dashurua me iluzionet dhe
maskat.
Kështu të gjendur jashtë bazave që
themelonin historikisht konstitucionin psikologjik e
shpirtëror të tyre, një pjesë e
mirditorëve nuk e thonin hapur fjalën dhe
nuk ndjeheshin në anën e vet, po në atë
të mohuar dhunshëm, kjo shpjegon edhe përfytyrimet
e shartuara, ato të shkatërrimit, kuptimin
e fshehur të jetës dhe një farë
boshllëku relativ ndjesish që u krijua krahasuar
me pozitat e mëparshme.
Liria, të drejtat, detyrat, përgjegjësitë
kërkojnë një kohë të mjaftueshme
për t’u konvertuar në bindje morale.
Si pasojë e gjithë sa thamë më sipër
mirditori s’mbeti më ai i pari pasi u lëkundën
e pastaj u shembën shtyllat që e kishin mbajtur
gjallë në shekuj: feja, kanuni e prona, mohimi
i të cilave qe i menjëhershëm.
Papritmas mirditorët u ndodhën përballë
thirrjes: o me ne o kundra nesh, që u aplikua në
farefis deri dhe brenda familjes. Jeta tradicionale
pësoi një çakordim të plotë.
Dikush doli malit me forcat çlirimtare e të
tjerë u grupuan tek Guri i Kuq për t’iu
prerë rrugën për në Mirditë.
Tension i madh nervash e trazim i shpirtit. Mirditori
i pangopur me bukë, me rroba te grisura e opinga
lëkure nëpër të cilat shihej ndonjë
gisht këmbe, do të përballonte shkreptima
e ngarkesa të forta. Filluan të vendoseshin
rrathë e mure të dukshëm e të padukshëm.
Natën e ditën sulmohej nga të dy palët
që po kacafyteshin për vdekje... Kishim frikë,
gjithnjë prisnim se kush do të na trokiste
në derë, forcat e ndjekjes a komiteti?! Është
shprehje që dëgjon rëndom nga dëshmitarë
të asaj kohe.
Filloi dhuna e konspiracioni e në këto kushte
të një rrethimi të çmendur besa,
buka e pushka, trinomi që kujton vitet e mëparshme
filluan të lëkunden. Anarkia ishte totale,
e mira deri dje e mirë, sot duhej luftuar, të
zezës deri dje e ndaluar, sot i duhej hapur vend
në sofër.
Krijimi i “njeriut të ri” në fakt
s’bëri asgjë tjetër veçse
nxori dhëmbët e atij njeriut të vjetër,
primitiv, hakmarrës, ziliqar, pre e pasionit, ndjekës
besnik e i verbër i instinkteve fillestare.
Zhveshja pa kushte e njeriut nga gjithçka që
ai quante të shenjtë, bazë të jetës
dhe cytja me forcë, përnjëherësh
e një shporte cilësish, e një karakteri
ideal sipas doktrinës, alternuan rëndshëm
ekuilibrin psiko –emocional të mirditorit
e për rrjedhojë dhe aktivitetin social-ekonomik
të tij.
U bënë veprime të pakuptimta, të
panjohura e të palidhura me mentalitetin mirditor.
U vra djali që ishte në krye të vendit,
Bardhok Biba; u vra mësuesi që hapte shkolla
dhe po përhapte dritë e dije, Ndrec Ndue Gjoka;
u vranë gratë se shkuan në aksion e po
fillonin të mësonin shkollë, gjëra
që as kanuni nuk i parashikonte.
Mirdita ditën e natën ishte e kurthueme në
rrjeta dhe krisma armësh që merrnin jetë
të pafajshme. Një tërmet i vërtetë
bie mbi kokat e këtyre njerëzve e veçanërisht
në shpirtin e tyre. Filloi kompromentimi mono dhe
dopiorol me e pa vijë sjellje, me e pa survejim
e për të gjithë ishin shtrirë kthetrat
e përbindëshit.
Besa, trimëria, zakonet e doket u përdhunuan.
Ja si do shprehej asokohe një vajtimore “
burrat e mirë i mori lufta, o meku em, e ata si
metën, i mytën opingat o miku em.” Epitaf
më të gjetur, më domethënës
e më real njëkohësisht nuk mund të
gjendet për këtë funeral të stisur
vlerash njerëzore.
Nga të mbante njeriu i shkretë. Kryetari i
këshillit të fshatit H takoi njerëzit
e zbritur me parashutë, ata ndër të tjera
i thanë:
-Do të vijmë në dasëm – s’keni
si me ardhë, iu përgjigj ai, forcat e ndjekjes
janë në kambë – e dimë e dimë
thanë ata, dhe erdhën natën, u ngjitën
për muri me një palë shkallë të
gjata e u futën në pullaz. Ushqimet ua sollën
me shumë kujdes duke ruajtur sekretin.
Në dasëm erdhën edhe gjashtë –
shtatë vetë të sigurimit dhe të
forcave të ndjekjes e zunë ballin e dhomës
së miqve me pseudobuzëqeshje e deklerata pompoze
dhe dasma kaloi ... por pas saj në një natë
të errët, kur një fshatar po bluante
në mullirin e fshatit, u ndalua uji i mullirit
e kur i shkreti shkoi të shihte jazin, humbi në
terrin e asaj nate, e sëbashku me kryetarin e fshatit
përfundoi në dyert e hetuesisë ku iu
servirën 20 vjet burg.
|