Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
HISTORI Për anëtarët

Ju jeni: Histori -> Sistemi
i bajrakëve

TEMAT

  Histori që nis me Pirustët

  Mesjeta koha e re, sotme

  Mirdita gjatë pushtimit turk

  Formimi i Lidhjes së Mirditës

  Sistemi i bajrakëve

  Rilindja kombëtare

  Kryengritja e Mirditës 1862

  Kryengritja (1876-1877)

  Lidhja e Prizrenit

  Periudha fund pusht turk

  Kryengritja e vitit 1912

  Krijimi i Besëlidhjes (1912)

  Kriminaliz psikologjik (45-90)

  Edukimi përmes ndëshkimit

  Tension i madh e trazim

  Ndarja e gjallë

  Kufinjtë e të pabesueshmes

  Humbja e palëve

  

  Histori


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Vendosja e sistemit të bajrakëve

Qëndresa e vazhdueshme e Mirditës dhe e krahinave fqinje të saj kundër dhunës osmane, i detyroi turqit të ndryshojnë politikën e tyre ndaj këtyre krahinave. Në gjysmën e dytë të shekullit 17, turqit u munduan të futnin në varësinë e tyre e ti shfrytëzonin kryesisht për qëllime ushtarake, Kuvendet e malësorëve. Futja në dorë e autoritetit të Kuvendeve nga pushtuesit në rrethanat e mungesës së një klase feudale vendase qe e pamundur. Kuvendet ishin institucioni i vetëm vetqeverisës që trashëguan nëpër breza malësorët, vendimet e të cilëve ishin të prera, si një shprehje e vullnetit të popullit. Ato nuk mund të cënoheshin nga askush. Mbështetur tek ky autoritet i Kuvendeve turqit u përpoqën t’a futnin në dorë këtë institucion popullor, për të shuar rezistencën e banorëve të malësive dhe ndërmjet autoritetit të tyre, të mobilizonin ushtri për luftërat pambarim që bënte Perandoria Osmane. Për t’ia arritur këtij qëllimi, turqia në fund të shekullit 17 krijoi institucionin e bajrakut.

Ajo i ndau krahinat malore veriore e verilindore shqiptare në njësi të vogla administrative, të cilat i quajti bajraqe. Sistemi i bajrakëve në Mirditë u vendos plotësisht në gjysmën e parë të shek 18. Turqia duke mos patur besim tek njerëzit e caktuar prej saj si bajraktarë i grumbulloi bajrakët e Mirditës në një njësi administrative me territore më të gjera se ato të bajrakut, pa cënuar privilegjet e bajraktarëve, në krye të të cilës caktoi një sundimtar, të cilit në vitet 40 të shekullit 18 ia njohu titullin Kapidan. Ky titull iu dha për herë të parë Mark Kolë Gjokës nga Maria Tereza mbretëresha e Ausrtro-Hungarisë, me kërkesën e luftëtarëve mirditas në vitin 1739. Kapidanët e Mirditës kishin varësi te Valiu i Shkodrës dhe te Stambolli.

Në vitin 1738-1739 shpërtheu lufta midis koalicionit europian me në krye Austrinë dhe Perandorisë turke. Për të përballuar ushtritë e koalicionit, Turqia u bëri thirrje krahinave malore të Shqipërisë Veriore, t’i shkonin në ndihmë me forcat e tyre të parregullta. Pasi u pleqërua kjo thirrje e Sulltan Mahmutit të I-rë, u vendos të shkonin në luftë përkrah Turqisë duke zgjedhur si prijës të atyre ushtrive qefalinë e Oroshit, Mark Kolë Gjokën. Sulltan Mahmuti i I-rë me kërkesën e mirditasve për shërbimet e bëra në ato luftime, ua rinjohu atyre privilegjet e fituara në vitin 1684, i dha Mark Kolë Gjokës titullin Kapidan, u lidhi mirditasve një subvencion të përvitshëm prej 100 barrë drithi dhe urdhëroi të shkruheshin këto privilegje në një fletë bronxi. Këtu e mbrapa, mirditasit i pranuan pinjojt e kësaj dere t’u prini në luftë sa herë duhesh të ngriheshin edhe ata, përkrah Turqisë apo dhe kundër saj dhe ajo derë u njoh, “dera e kapidanëve”. Në vitin 1774, Veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati i kërkoi aleancë Gjon Markut me mirditas duke marrë përsipër t’ua njihte privilegjet e mëparshme, si dhe malësorëve të tjerë, me kusht që të dërgonin ushtarë një burrë për shpi në rast nevoje, për të luftuar nën urdhërat e tij brenda kufinjëve të Sangjakut. Kuvendi i burrave i mbledhur në Shpal në pranverën e vitit 1774, për të shqyrtuar kërkesat e pashait, vendosi lidhjen e Mirditës me Bushatllinjtë e Shkodrës. Kështu Mirdita e prirë nga Kapidanët, luftuan për 60 vjet rrjesht përkrah Bushatllinjëve.

Më 1775 i biri Mehmet Pashë Plaku, Karamahmuti vazhdoi konfliktin që ishte ndezur prej kohësh midis babait të tij e Ahmet Kurt Pashës së Beratit, për zgjerim territoresh e influencash. Me ushtritë e Karamahmutit shkuan edhe 2000 mirditas nën komandën e Gjon Markut. Beteja u zhvillua më 12 shtator 1775 në afërsi të Peqinit. Ushtritë e Pashait shkodran u mundën. Aty mbeti i vdekur dhe Gjon Marku me 60 mirditas, pas një qëndrese të fortë të tyre, sa lejuan tërheqjen gjallë të Pashait. Kujtimin e Gjon Mark Kolës, si udhëheqës popullor, e trajtuan burrat e Mirditës në odat e miqve e në kuvendet e burrave, e pasqyruan në shkrimet e tyre kronistët e kohës edhe shumë vite pas vdekjes së tij. Lidhja me Oxhakun e Bushatllinjëve qe një lidhje e qëndrueshme që zgjati deri në vitin 1831 kur ora e Bushatllinjëve ra me arrestimin e Mustafa Pashë Bushatit bashkë me Lleshin e Zi në kala të shkodrës nga Mehmet Reshit Pasha. Lidhja e Mirditës me sundimtarët e Shkodrës, për hir të traditës, vazhdoi edhe pas rënies së Bushatllinjëve, bile deri në vitet 30 të shekullit 20. Udhëheqja e forcave të Mirditës nga Gjonmarkajt në luftëra të ndryshme në vende të Ballkanit, fitoret e arritura, veçanërsisht, pas viteve 40 të shek XIX u dhanë emër atyre edhe jashtë vendit. Veçanërisht beteja e vitit 1854 në Danub kundër Rusëve, lartësoi emrin e Mirditës dhe të Bibë Dodës që drejtonte ato ushtri.

Veziri i Madh i Stambollit, Omer Pasha i dha titullin Pashë, Bibë Dodës, ndërsa Napoleoni i III-të, që luftonte përkrah Turqisë, ç’veshi shpatën e argjendë e ia dhuroi Bibë Dodës për suksesin që korrën ushtritë e tij, dhe e mori në mbrojtje Mirditën. Në gjysmën e dytë të shekullit 19 e mbrapa për Mirditën dhe udhëheqësit e tyre filluan të interesoheshin pothuajse të gjitha oborret mbretërore të Europës. Ato porositën konsujt e tyre në Shqipëri dhe në vende të tjera fqinje, të studionin, secila për hesape të veta, oragnizimin shoqëror të Mirditës, forcën e këtij uniteti krahinor dhe rolin e Gjonmarkajve në këtë krahinë. Popullarizimi i studimeve të tyre për pasuritë kulturore-doke e zakone dhe ato natyrore, xhehe e pyje në kancelaritë Europiane, çoi në trajtimin e një politike të veçantë të Fuqive të Mëdha ndaj kësaj krahine, sa në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) u morën nëpërkëmbë interesat e kombit shqiptar, kurse një pjese të tij, Mirditës iu njoh autonomia vetqeverisëse dhe u detyrua Porta e Lartë t’i respektojë venomet tradicionale të njohura “ob antique” të saj. Udhëheqja e mirditasve për gati 300 vjet nga Gjonmarkët, çoi në ndërkombëtarizimin e emrit të krahinës së Mirditës, ashtu si dhe zgjuarsia e trimëria e mirditasve lartësoi derën e Gjonmarkëve në shkallët e hierarkisë së kohës, deri Pashë.

Mirditasit përkrah Bushatllinjëve për shkëputje nga Turqia

Në gjysmën e dytë të shekullit 18 sistemi feudal ushtarak turk u mbërthye nga anarkia dhe çthurja e plotë, kjo në Shqipëri çoi në formimin e dy pashallëqeve të mëdha,ai i Bushatllinjëve ne veri, dhe ai i Ali Pashës ne jug. Të dy pashallëqet shqiptare, për të realizuar politikën e tyre të pavarur nga Porta e Lartë, kishin nevojë për fuqinë ushtarake të Mirditës. Lidhja me Mirditën, në një kohë kur kishte me vete edhe gjithë malësorëte tjerë katolikë, i dha forcë e krahë Mehmet Pashë Bushatit dhe pasardhësve të tij. Në vitin 1795, Karamahmut Pasha mësyni Prizrenin për ta çliruar e për ta bashkuar me Pashallëkun e tij. Në këtë aksion u mbështet kryesisht në luftëtarët mirditas. Pretendimi për ta futur në Pashallëkun e tij edhe Malin e Zi e shtyni Karamahmut Pashën të sulmonte drejt tij në verën e vitit 1796. Në betejën e 11gushtit të atij viti, mirditasit treguan besnikërinë e tyre ndaj Bushatllinjëve. Ata zunë shtigjet kryesore nëpër të cilat ushtritë malazeze sulmuan ato të Karamahmut Pashës dhe e ndaluan vrullin e tyre, duke shpëtuar kshtu si Vezirin e plagosur, që ishte në rrezik të zihej gjallë nga malazezët, ashtu dhe ushtrinë e tij nga shpartallimi i plotë i saj. Megjithë humbjet Karamahmuti nuk hoqi dorë nga pushtimi i Malit të Zi.

Në vjeshtën e po atij viti, ai në krye të 20000 luftëtarëve, ndër të cilët edhe 6000 mijë mirditas ai mësyni Malin e Zi në drejtim të Piprrit e të Pulabardhit. Beteja e 25 shtatorit 1796 qe një nga betejat më të përgjakshme që zhviloi Karamahmut Pasha. Veziri i Shkodrës la në atë betejë mbi 3000 të vdekur e po aq të plagosur. Aty gjeti vdekjen edhe vetë Karamahmuti. Në këto luftime, qëndresa e mirditorëve qe e pashoqe. Mirditasit duke shpresuar në shporrjen e pushtuesve osmanë, luftuan me heroizëm e vendosmëri përkrah Bushatllinjëve. Por, këto përpjekje u duk se morën fund me vdekjen e Karamahmutit. Më 1806 mirditasit, për hir të traditës që tashmë qe krijuar, shkuan me Ibrahim Pashën kundër kryengritjes së Serbisë. Këtu ai preu pabesisht prijsin e reparteve të Mirditës, Kolë Mark Gjokën dhe mirditasit të cilët u tërhoqën nga fronti i luftës. Pas vdekjes së Ibrahim Pashës më 1810, në luftën që plasi për trashëgimin e Oxhakut të Bushatllinjëve, Mirdita përkrahu tarafin e të miturit Tahir Pasha. Këtë e përkrahte dhe Ali Pashë Tepelena që kishte mësy Shqipërine e Veriut, me shpresë që të bëhej tutor i tij. Me këtë rast Ali Pasha krijoi lidhje me Mirditën dhe përforcoi gardën personale të tij me tre taborre djem mirditorë. Në këtë situatë grindjesh në Shkodër, fermanin e Vezirnisë e mori Mustafa Pasha, nipi i Ibrahim Pashës. Mustafai në vitin 1812 lidhi miqësi me Ali Pashën dhe në vitin 1813 u pajtua me Mirditën së cilës i riktheu një pjesë të bajrakut të Dibrrit i cili i qe aneksuar Shkodrës që në kohën e Mehmet Pashë Begollit. Në vitin 1831 mbi 8000 mirditas e malësorë të tjerë u rreshtuan në ushtrinë e Mustafa Pashës që u nis për t’u zënë rrugën ushtrive osmane të cilat kishin mësy Shqipërinë për t’i dhënë fund qëndresës së Vezirit të Shkodrës e për t’a prishur atë pashallëk.

Heroizmi i mirditasve në këtë betejë qe i paarritshëm. Ata, siç thonë kronistët e atyre luftimevev zunë një qafë mali e nuk i lanë për dhjetë ditë rrjesht ushtritë turke të kalonin e t’u binin pas shpine ushtrive të Mustafa Pashës. Më 12 maj 1831 mirditasit pa kurrfarë shprese për ndihmë braktisën pritën duke lënë shumë të vrarë e të plagosur në ato luftime të përgjakshme dhe u kthyen një pjesë në Mirditë e pjesa tjetër u ndry në kala të Shkodrës me Mustafa Pashën, i ndjekur këmba - këmbës nga Mehmet Reshit Pasha dhe i rrethuar në kala pa asnjë shpresë, në dhjetor të atij viti, Mustafa Pasha bashkë me Lleshin e Zi iu dorëzuan Reshit Pashës. Ata u internuan, i pari në Stamboll, kurse Lleshi në Janinë. Ra kështu ora e Bushatllinjëve.

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net