Prof. Asoc-Dr.
Ing. Pal NIKOLLI
RRJETI RRUGOR NË MIRDITË DHE
PERSPEKTIVAT E ZHVILLIMIT TË TIJ
1. Rrugët dhe jeta sociale
Rrugët janë ndër objektet
më të lashta të ndërtuara nga njeriu.
Shqipëria duke patur një pozitë të
veçantë në Gadishullin e Ballkanit,
që në periudhat më të herëshme
është përshkuar nga mjaft arterie të
rëndësishme rrugore. Ajo jo vetëm që
ka një fushë mjaft të gjërë
bregdetare prej Shkodre në Vlorë, por me anën
e luginave të Drinit, Shkumbinit, Devollit dhe
Vjosës lidhet me brendësinë e Gadishullit
dhe këndej me Lindjen. Gjatë këtyre luginave
u zhvilluan në kohët e moçme rrugët
kryesore të vendit që shërbenin si për
shkëmbime ekonomike midis Adriatikut dhe Lindjes,
ashtu edhe si rrugë strategjike ushtarake. Ato
kanë patur gjithashtu një rëndësi
të veçantë edhe në zhvillimin
e marrëdhënieve ekonomike e në lidhjet
e popullit tonë me popujt fqinjë.
Në fundin e shekullit të XIX, në trevat
tona numëroheshin rreth 150 rrugë karvanesh
apo qerresh të shtruara përgjithësisht
me kalldrëm dhe rreth 84 ura druri apo guri të
ndërtuara mbi lumenj e përrenj të ndryshëm.
Sot nga 84 ura të vjetra që janë në
mbrojtje shtetërore, 72 janë nga periudha
ndërmjet shekujve XV-XIX dhe vetëm 12 ura,
edhe ato në gjendje rrënojë, trashëgohen
nga antikiteti dhe mesjeta e para pushtimit turk.
Edhe në trevën e Mirditës, megjithëse
me një reliev mjaft të thyer e malor, që
në kohëra të vjetra kanë kaluar
një sërë rrugësh e janë ndërtuar
mjaft ura. Ky rrjet komunikacioni i cili përgjithësisht
kalonte nëpër luginat e lumenjëve Fandi
i Madh e Fandi i Vogël, ka ndikuar së tepërmi
edhe në zhvillimin e jetës ekonomike e sociale
të Krahinës e rajoneve përreth. Nëpërmjet
sistemit rrugor, Mirdita ka patur lidhje me tërë
viset kufitare por nëpërmjet tyre edhe me
rajone të tjera prej Lezhe e Shkodre e deri në
Prizren e Prishtine etj.
2. Rrugët dhe urat
në kohën e vjetër deri në shek.
XIX
Ndërsa në Shqipërinë e Jugut në
kohën antike ishin tri rrugë transversale
(ajo që lidhte drejtpërdrejt Durrësin
me Apolloninë, rruga gjatë luginës së
Vjosës dhe rruga Apolloni - Vlorë - Orikum
- Llogara - Finiq - Butrint) që fillonin nga deti
dhe hynin në viset e brendëshme të gadishullit,
në veri të vendit tonë ekzistonte vetëm
një rrugë e tillë. Ajo e kishte fillimin
prej dy stacioneve: prej Lezhës (e cila ka qenë
një kryestacion i udhëve që vinin për
në Shkodër, që nga Vau i Dejes për
në Pukë e Prizren si dhe i një rruge
për Durrës) dhe prej Shkodrës; te dyja
degët bashkoheshin tek Vau i Dejës dhe që
këtu rruga e bashkuar kalonte për në
Pukë, Vau Spass dhe Kosovë. Kjo rrugë
përmendet pas pushtimit të vendit prej romakëve,
por nevojat e vendit e kanë dashur që ajo
të ketë ekzistuar që në kohët
më të lashta. Rruga në Veri u ndërtua
në radhë të parë për arsye
ekonomike.
Një rrugë që lidhte Mirditën me
detin në kohën e mesjetës, ka qenë
ajo që fillonte në Lezhë dhe shkonte
në qendrën e Mirditës në Orosh (harta
1). Për këtë rrugë, megjithëse
kishte njëfarë rëndësie, sepse shërbente
për shkëmbimet ekonomike, nuk ka shumë
të dhëna historike nga kohë të herëshme.
Për këtë flet vetëm P. Koroneli
(në hartën e Koronelit, botuar në Venedik
më 1688, gjenden të shënuara dy rrugë
të veriut) i cili jep shënime mjaft të
hollësishme sa që duhet të besojmë
se ka kaluar vetë andej, meqë përshkruan
çdo kapërcim përroi, çdo va,
çdo qendër etj.
Harta 1. Rruga e Oroshit në kohën e mesjetës
Rruga fillonte në Lezhë, kalonte anës
veriore të Kodrës së Kalasë dhe
arrinte në Mërqinjë, 4 km larg, ku ishte
rezidenca e peshkopit të Lezhës në kohën
e pushtimit turk. Prej këtej rruga kalonte për
në Rraboshtë dhe arrinte në Kallmet,
qendra e mëvonëshme e peshkopit të Lezhës.
Buzës së përroit të Lushit, rruga
ngjitej për në Qafën e Kreshtës
dhe zbriste nga ana tjetër te katundi Fregen; duke
vazhduar pas përroit te Dibrit kalonte nëpër
Ungrej (këtu rruga bashkohej me degëzimin
e rrugës Durrës - Lezhë - Shkodër
që vinte nga Zadrima, në Jug të Vaut
të Dejës, në fshatin Naraç dhe
vazhdonte në Mënelë, Vig e Kalivaç)
dhe arrinte në Vau Kryp, ku kapërcente përroin
e Dibrrit. Këtu bashkoheshin rrugët për
në Fregën, Ndërfandë, Orosh dhe
Kaçinar.
Prej Simoni, nëpër Shkalën e Madhe, rruga
arrinte te kisha e Shën Palit. Pastaj kalonte në
Blinisht të Mirditës, prej nga zbriste në
Fandin e Vogël. Duke vazhduar anën e majtë
të këtij lumi, rruga arrinte në Mashterkorë
e prej andej në Abacinë e Mirditës, në
Shën Aleksandër, në Malin e Shenjtë
të Oroshit. Një degëzim vazhdonte nga
Mashtërkori, nëpër Fand: Klos, Qafa e
Kumbullës, Ura e Vezirit dhe kalonte në Kosovë.
Gjatë shekullit XIX në Shqipërinë
e Veriut u ndërtuan edhe mjaft ura prej druri.
Për trevën e Mirditës përmendim
një urë mbi lumin e Zi, urën e drurit
mbi lumin Fand midis Gojanit dhe Kalivarit, urën
tek Vau i Madh po mbi lumin e Fandit etj. Urat me hapësira
të mëdha janë zgjidhur me mbështetje
kollona druri në mesin e shtratit (ura mbi Fandin
në Kalivar) ose mbi këmbë murë guri
në shtrat (ura e lumit të Zi).
Urat e drurit më interesante gjatë shekullit
të kaluar ishin ato me një hapësirë
me trarë konsol të inkastruar në muret
anësore me gurë. Ura simetrike e drurit me
konsola trarësh tek Vau i Madh mbi Fandin e Madh
gjatë rrugës Shkodër - Vau i Dejës
- Orosh, ndërmjet fshatrave Blinisht dhe Simon
ekziston edhe sot (foto 1). Ajo, si një realizim
teknik me interes, spikat për nga proporcionaliteti
i veprës me sfond grykën e Fandit të
Madh dhe në fillim të këtij shekulli
është parë nga autorë të ndryshëm
si Degrandi më 1901, Baldaçi më 1917
dhe Nopça më 1925.
Interes paraqet edhe ura e Gjin Marka Kolës mbi
Fandin e Vogël e ndërtuar rreth shek. XVIII,
që lidh Blinisht e Shën Pal me Orosh
Foto 1. Ura simetrike e drurit me konsola trarësh
tek Vau i Madh mbi Fandin e Madh gjatë rrugës
Shkodër - Vau i Dejës - Orosh, ndërmjet
fshatrave Blinisht dhe Simon
3. Rrugët në kohën e re
deri në ditët tona
Në kohën e re (1875-1938), administrata turke
kishte plane për ndërtimin e një sërë
rrugësh në provincat e pushtuara, veçanërisht
në Maqedoni e Shqipëri, por ato mbetën
përgjithësisht në letër. Në
këtë kohë u ndërtuan vetëm
disa rrugë si Manastir - Korçë - Janinë,
Berat - Këlcyrë, Durrës - Tiranë,
Shëngjin - Shkodër etj. Kështu, më
1912, vendi ynë trashëgoi nga sundimi turk
rreth 160 km rrugë qerresh, ndërsa, Mirdita
nuk trashëgoi asnjë km rrugë të
ndërtuar nga administrata turke.
Në periudhën e Luftës së Parë
Botërore (1914-1918), prej ushtrive austro-hungareze
u përmirësua dhe u zgjerua rruga e karvaneve
Kallmet - Blinisht - Orosh - Qafë e Kumbullës
- Ura e Vezirit - Kullat e Lumës - Prizren. Kjo
ishte me rëndësi të madhe pasi realizonte
lidhjen e vetme me Kosovën. Rruga Shkodër
- Orosh është zgjeruar në vitet e Luftës
së Parë Botërore për qëllime
ushtarake. Kësaj rruge i bashkoheshin rrugë
të tjera.
Brenda viteve 1926-1937, me huanë e SVEAS (Sviluppo
Economico dell'Albania - "Zhvillimi ekonomik i
Shqipërisë") u ndërtua rruga që
fillonte tek Ura e Matit dhe vazhdonte në Rrëshen
- Kullotë e Pashës - Burrel - Klos - Bulqizë
- Ura e Topojanit - Peshkopi. Më 1938 rezulton
të jetë ndërtuar edhe rruga Rrëshen
- Kukës.
Rrjeti rrugor ekzistues i Mirditës në përgjithësi
është rrjedhojë i punës pas viteve
1944. Në periudhën 1944-1990 u ndërtuan
rrugët e Kaçinarit, Repsit, Gurth-Spaçit,
Munellës, Fandit, Thirrës, Nënshejtit,
Fushë-Lugjes, Malajt etj.
Sot të gjithë fshatrat dhe njësitë
e tjera të Mirditës janë të lidhura
me rrugë. Dendësia e rrjetit rrugor për
tërë rrethin e Mirditës është
41.9 km/100 km2, ndërkohë kur për tërë
vendin dendësia e rrjetit rrugor është
42.7 km/100 km2 ose rreth 12 % më e madhe se ajo
e rrethit të Mirditës. Sipas komunave dendësia
e rrjetit rrugor jepet në pasqyrën 1.
Pasqyra 1
| Nr |
Komuna/bashkia |
Dendësia e rrjetit rrugor |
| 1. |
Bashkia Rrëshën |
36.2 km/100 km2 |
| 2. |
Bashkia Rubik |
19.5 km/100 km2 |
| 3. |
Komuna Kthellë |
40.9 km/100 km2 |
| 4. |
Komuna Selitë |
60.5 km/100 km2 |
| 5. |
Komuna Orosh |
53.5 km/100 km2 |
| 6. |
Komuna Fan |
51.1 km/100 km2 |
| 7. |
Komuna Kaçinar |
31.3 km/100 km2 |
Dendësia e rrjetit rrugor ka vlerë
minimale për bashkinë Rubik dhe vlerë
maksimale për komunën Selitë. Ndryshimi
i vlerës maksimale me atë minimale është
41 km/100 km2
Me rëndësi të veçantë për
trevën e Mirditës, është edhe hekurudha
Milot - Rrëshen - Klos, e cila përfundoi deri
në Rrëshen më 1988. Edhe matanë
Rrëshenit, trupi i hekurudhës përgjithësisht
është ndërtuar, por punimet u ndërprenë
pas shkatërrimeve të viteve 1990-1991. Hekurudha
Milot - Klos lidh qendra të rëndësishme
si Rubik, Ndërfushaz, Rrëshen, Perlat (Urakë),
Burrel e Klos. Ajo fillon tek stacioni i Milotit dhe
kalon nëpër luginën e lumit Mat deri
në Skuraj, në luginën e lumit Fand deri
në Rrëshen dhe përsëri në luginën
e lumit Mat për zonën Urakë - Burrel
- Klos. Pjesa Milot - Rrëshen e hekurudhës
është 25 km dhe ka 11 ura të mesme e
të mëdha., ndërsa ajo Rrëshen -
Urakë, 17 km dhe ka rreth 15 ura të mesme
e të mëdha.
4. Perspektivat e rrjetit rrugor në
Mirditë.
I.
Në dhjetë vjetët e fundit
të shekullit XX, gjithnjë e më gjërë
po përdoret praktika e krijimit të koridoreve
të transportit. Për vendin tonë sot paraqesin
interes të jashtëzakonshëm koridori 8
(Perendim-Lindje) dhe koridori turistik (Veri-Jug),
ndërsa për Mirditën paraqet interes koridori
Tiranë - Prishtinë ose Durrës - Prishtinë
dhe pikërisht pjesa Milot - Kukës nëpër
luginën e lumit Fandi i Vogël. Sektori Ura
e Fandit deri në Klos, do të kishte elementët
teknikë më të mirë mundshëm,
nëse do të ndiqej drejtimi nga Ura e Fandit
nëpër grykën shkëmbore të Fandit
të Vogël deri në Mashtërkorë
e pastaj nëpër rrugën ekzistuese Mashtërkor
- Klos. Hapja e kësaj rruge të re gjatë
Fandit të Vogël nuk paraqet asnjë problem
teknik të veçantë për kohët
e sotme, nuk ka shkarje, nuk kërkon vepra arti
të rëndësishme, ka vetëm gërmime
me eksploziv në shkëmb. Në Klos fillon
e vetmja ngjitje, ku duhet të ndiqet me përmirësime
rruga ekzistuese deri përtej Xhuxhës, të
vazhdohet ngjitja me rrugë të re deri aty
ku të shihet më e përshtatëshme
për të ndërtuar tunel rreth 3-4-5 km
të gjatë, për të dalë në
luginën e Drinit të Zi. Pastaj zbritet përsëri
me rrugë të re nga ana e Surroit dhe arrihet
tek Ura e Liqenit, në hyrje të Kukësit,
me një zbritje të vetme.
Ndërtimi i rrugës Ura e Fanit - Ura e Liqenit,
në hyrje të Kukësit, e cila shkurton
së paku 30 km., ka rëndësi të madhe
jo vetëm për Kosovën, Kukësin e
Tropojën, pasi i afron ato së tepërmi
me Tiranën e Durrësin, por edhe për Mirditën,
pasi krijon premisa për një zhvillim ekonomiko
- shoqëror të saj.
Katër njësi administrative të Mirditës,
ose 70 % e popullsisë dhe territorit (bashkitë
Rubik e Rrëshen, komunat Orosh e Fand) nga shtatë
që ka gjithsejt, do të përshkoheshin,
në një gjatësi rreth 70 km, nga koridori
Durrës - Prishtinë, i cili do të quhej
koridori i dinamikës ekonomike të trevës,
po të kemi parasysh burimet mineralmbajtëse
të Rubik - Dervenit, gurin dekorativ të Rrasfikut,
pyjet e lisit të Qafë-Mollës dhe Kulmes,
Minierën e Spaçit, pyjet masive të
Oroshit, Zepës, Thirrës e Qafë-Kumbullës
etj.
Ndërtimi i rrugës Ura e Fandit-Mashtërkor
(bregut të Fandit), rikonstruksioni i asaj Mashtërkorë
- Fand dhe ndërtimi i pjesës Fand - Kukës
deri në Prishtinë, do të bëjë
të mundur gjallërimin e jetës ekonomike
në një nga zonat e varfëra të Mirditës,
atë të Fandit (harta 2).
II.
Hekurudha Milot - Klos, vepër e madhe
me vlera të konsiderueshme, duhet të përfundojë
e të vihet në funksionim sa më shpejt.
Sipas llogaritjeve të bëra në vitin 1985,
për ndërtimin e kësaj hekurudhe duheshin
3560000 m3 lëvizjë dheu, 312000 m3 betone
e beton arme, 90000 m3 mure guri, 138 copë tombino,
112 ura të vogla e të mesme, 48 ura të
mëdha, 2484 m tunele, 75000 m3 beton tunelesh,
62.8 km linjë kryesore, 31.8 km linja të dyta
dhe 14.7 km linja për degëzime.
Sipas llogaritjeve te vitit 1985, ngarkesa e hekurudhës
Milot-Klos, për vitin 1990, ishte parashikuar 1
miljon ton në zonën Klos - Rrëshen dhe
1.7 miljon ton për pjesën Rrëshen-Milot.
Nisur nga sa u tha më lart, nga parashikimi i ndërtimit
të stacioneve kryesore hekurudhore (që pjesërisht
janë ndërtuar) në Rubik, Rrëshen,
Urakë (Përlat), Burrel e Klos si dhe stacioneve
të tjera në Skuraj, Munaz (për lidhjen
e degëzimit të ish-uzinës së shkrirjes
së bakrit në Rubik), Batrën e Vogël
(për lidhjen e degëzimit të ish-uzinës
së ferrokromit Burrel) si dhe nga parashikimi i
ndërtimit të degëzimeve hekurudhore të
ish-uzinës së rafinerimit të bakrit Rubik,
ish-uzinës së shkrirjes së bakrit Rubik
etj, duket qartë se përfundimi i ndërtimit
të hekurudhës Milot - Klos do të sjellë
zhvillimin e viseve nga kalon dhe të Mirditës
në veçanti.
Pjesa më e madhe e këtyre punimeve kanë
përfunduar. Në vitet 1986-1990 u kryen volume
të mëdha pune, u shpuan tunele mjaft të
vështira, si ai i Prosekut, u bënë ura
të mëdha si ajo e Tarazhit dhe 4-5 ura të
tjera mbi Mat e Fand etj. Thënë ndryshe, mbaruan
afër 100 % punimet në pjesën Milot -
Rrëshen dhe mbi 70 % e punimeve gërmuese e
mbushëse nga Rrësheni në Klos (harta
2).
III.
Rruga Rrëshen - Urakë - Burrel
është një arritje me parametrat teknikë
më të mirë të mundshëm. Një
përmirësim i kujdesshëm, zgjerim e asfaltim
i saj, dhe ndërtimi i një ure mbi liqenin
e Ulzës (ndoshta paralele me atë hekurudhore)
do të afrojë së tepërmi Matin e
Dibrën me Mirditën, me Tiranën e Durrësin.
Kështu, do të rritet qarkullimi i mallrave
e njerëzve, e për pasojë do të begatohet
treva e Mirditës e ato përreth saj. Rikonstruksioni
i rrugës Rrëshen - Urakë - Burrel do
të bëjë të mundur edhe një
shpërndarje të mirë të drejtimeve
të mjeteve të transportit. Kështu, do
të zvogëlohet numri i mjeteve që kalon
në rrugën Rrëshen - Milot për në
Burrel dhe nga ana tjetër do të gjallërohet
gjithë zona duke filluar nga Përlati, Uraka
e më tej (harta 2).
IV.
Rruga Rrëshen - Lurë është
një tjetër aks me rëndësi për
trevën e Mirditës. Aktualisht, gjurma e saj
është pothuajse e përcaktuar në
mënyrë të përshtatëshme. Prej
Përlati, rruga duhet rikonstruktuar e asfaltuar
në mënyrë që të lehtësohet
komunikimi i njerëzve e mallrave për në
zonën turistike të Lurës (liqejt e Lurës
janë me bukuri të rrallë. Megjithëse
ndodhen në rrethin e Dibrës, ato janë
më afër Rrëshenit - 57 km. Nga Kurbneshi
ato janë 17 km) e qendrat kurative si p.sh. Kroi
i Bardhë (ndodhet në JP të Kunorës
së Selitës. Uji i burimit (kroit) ka veti
të rralla kurative) etj. Nga ana tjetër, përmirësimi,
zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Përlat - Kurbnesh
- Lurë, do të ndikojë në zhvillimin
ekonomik të njerës prej komunave më të
varfëra të Mirditës, asaj të Selitës.
Në këtë komunë ka mundësi zhvillimi
të turizmit (në Mërkurth ka shpella karstike
me thellësi të ndryshme deri në dhjetra
metra. Më e madhja është Shpella e Mërkurthit
në VL të fshatit, ku sapo kalon hyrjen ndodhet
një hapësirë me një volum mbi 230
m3 prej nga fillojnë zgavrat në formë
labirinthi. Ne JP ndodhet Shutreja, një shpellë
karstike 8 - 10 m e thellë ku shihet kalimi i ujrave
nëntokësorë), por për këtë
duhet ndërtimi i infrastrukturës
Harta 2. Koridori Durrës - Prishtinë,
pjesa Milot - Kukës nëpër luginën
e lumit Fandi i Vogël (I); hekurudha Milot - Klos
(II); rruga Rrëshen - Urakë - Burrel (III)
dhe rruga Rrëshen - Lurë (IV)
Literatura:
1. A. Baldaçi, Intinerari Albanesi,
Roma 1917.
2. A. Degrand, Souvenirs de la Haute Albanie, Paris
1901.
3. D. Shkurti, D. Pjetri, Mirdita midis një hekurudhe
të dështuar dhe një autostrade të
ideuar, gazeta "Mirdita", nr. 2, Tiranë,
Mars 2001.
4. F. Nopça, Albanien, Bauten, Trachten und Gerate
Nordalbaniens, Berlin und Leipzig, 1925.
5. J. Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në
Shqipëri, Tiranë 1983.
6. N. Dedaj, Kaçinari, Sh. B. "Mirdita",
Tiranë 2000.
7. N. Tusha, Mirdita në fokus, Sh. B. "Mirdita",
Tiranë 2000
8. P. Nikolli, Rruga Lezhë - Orosh në kohën
e mesjetës, gazeta "Mirdita", Tiranë,
27 maj 1990.
9. V. Shtylla, Rrugët dhe urat e vjetra në
Shqipëri, Sh. B. "Toena", Tiranë,
1997.
10. Z. Rakacolli, Dy rrugët e shekullit XXI që
do të na lidhin me Kosovën, gazeta Shekulli,
Tiranë, 23 gusht 1999. |