GJATË RILINDJES
KOMBËTARE
1. Qëndresa ndaj politikës nënshtruese
të Portës
Në një periudhë të
gjatë kohe prej 60 vjetësh, nga 1771 deri
në 1831, Turqia nuk ndërmori ndonjë ekspeditë
ndëshkimore kundër Mirditës. Në
këtë periudhë ajo ishte e lidhur me Bushatllinjtë,
përkrah dhe nën drejtimin e të cilëve
luftoi për t’u shkëputur nga pushteti
qëndror osman. Por kur ora e Bushatllinjëve
ra më 1831, autoritetet turke që u vendosën
në shkodër, Ali Namik Pasha e Hafiz Pasha
që mori sundimin e Shkodrës më 1834 pasi
nuk mund të likuidonte me forcën e armëve
venomet tradicionale të Mirditës, nxiti ngatërresat
vëllavrasëse. Pas vdekjes së Dodë
Prengë Lleshit, i helmuar nga një grua shkodrane
në vitin 1828, në derën e Gjonmarkëve
plasi sherri për trashëgimin e sundimit. Biba,
të cilit i takonte trashëgimi, ishte i mitur.
Llesh Gjoka, i njohur me emrin Lleshi i Zi , ishte i
zënë me luftërat që vazhdonte të
bënte Mustafa Pasha, krah të cilit luftoi
tërë jetën. Në këto rrethana
, sundimtarët e Shkodrës caktuan si sundimtar
në derën e Kapidanëve, xhaxhain e Bibës,
Nikoll Prengë Lleshin, i cili do të kujdesej
për qeverisjen e vendit në bazë të
kanunit, deri sa të burrërohej Biba. Më
1831 Lleshi i Zi u internua nga Mehmet Reshit Pasha
kurse Nikollën e mori me vete dhe e bëri kryekomandant
të ushtrive pararojë të tij në luftën
që zhvilloi në vitin 1833 në Azi të
vogël.
Gjatë viteve që Nikolla ishte larg Mirditës,
në derën e Gjonmarkëve plasi sherri midis
pinjojve të asaj dere, ashtu dhe midis oroshasve.
Sa u kthye nga Azia e Vogël, Nikolla u mundua të
qetësonte me urtësi e drejtësi grindjet
për pushtet midis këtyre, duke mbajtur afër
vetes më të madhin e më të urtin
prej tyre Markun, por ky normalizim qe i parkohshëm.
Pasi u nis për në Azi të Vogël,
Nikoll Prengë Lleshi, në shkurt të vitit
1834, sundimtari i Shkodrës, Hafiz Pasha caktoi
si përfaqsues të Mirditës pranë
tij, Gjokë Dedë Lleshin, i cili ishte munduar
dhe më parë të drejtonte Mirditën
si sundimtar turk, por populli i Mirditës nuk e
njohu Gjokën si përfaqsues të tij pranë
Guvernatorit të Shkodrës. Në këto
rrethana autoritetet turke të Shkodrës, nxitën
pakënaqësitë që egzistonin prej
kohësh midis oroshasve e djemve të Lleshit
të Zi, që përfunduan me vrasjen e të
tre djemve të këtij të fundit, dhe tre
oroshasve, në fillim të qershorit të
vitit 1836, ditën e Shllezhdrit, tek Kisha e Oroshit.
Ngatërresat vëllavrasëse, të nxitura
nga turqit, dhanë rrjedhojat e para, por këto
sa kishin filluar.
Kthimi nga internimi i Lleshit të Zi në verën
e vitit 1837, shënoi rritjen e gjakderdhjeve vëllavrasëse.
Lleshi i Zi i pezmatuar për vrasjen e të tre
djemve të tij nga oroshasit, megjithë ndërhyrjen
e klerit dhe të qeveritarëve osmanë për
pafajsinë e Nikollës në këto vrasje,
vrau Nikollën në tryezë të bukës.
Nga kjo vrasje Lleshi i Zi nuk fitoi e nuk gëzoi
asgjë përveç urrejtjes, jo vetëm
të orashasve por të tërë Mirditës,
urrejtje që përfundoi në vrasjen e tij
disa javë më vone, nga një luras i nxitur
nga e ëma e Nikoll Prengë Lleshit.
Pas vrasjes së Nikollës dhe të Lleshit
të Zi, sundimin në derën e Gjonmarkëve
e mori Gjokë Doda, të cilin nuk e njohu kush
për të parë. Përpjekjet e tij për
të mobilizuar mirditasit kundër kryengritjes
së Tafil Buzit në Shqipërine e Jugut
dështuan plotësisht. Autoritetet turke të
Shkodrës u munduan të mobilizonin, me porosi
të Stambollit, forcat e parregullta të Mirditës,
për t’i hedhur përkrah ushtrive të
tyre kundër kryengritjes së Shkodrës,
të udhëhequr nga Dasho Shkreli e Hamza Kazazi
në vitin 1835, por kjo shkaktoi kryengritjen e
vetë Mirditës në maj të atij viti.
Kryengritësit e Mirditës shkatërruan
të gjitha urat e Drinit dhe zunë rrugën
Shkodër - Prizren. Në kuvendin mbarëkrahinor
që organizuan në qershor të atij viti
në Shpal, mirditasit vendosën: “Të
vriteshin megjithë familje e t’u digjeshin
plang e shtëpi cilitdo që do të guxonte
t’u jepte bukë e ushqim ushtrive të
rregullta të Sulltanit ose do të ndihmonin
në shtypjen e kryengritjes”.
Fitorja e kryengritjes së Dasho Shkrelit e vitit
1835 vuri në lëvizje edhe krahinat e tjera
shqiptare. Lëvizjen e filluan bejlerët e Prizrenit,
Pejës, e Prishtinës në shtator të
vitit 1839. Për shuarjen e kësaj lëvizjeje,
Serasqeri i Rumelisë, përveç përgatitjeve
që bëri në manastir, thirri në ndihmë
dhe Bibë Dodën, që zuri vendin e Gjokë
Dodës, i cili vdiq në vitin 1837, me mirditasit
për të ndëshkuar me zjarr e hekur banorët
e Prizrenit. Bibë Doda, për të plotësuar
detyrimet që kishte ndaj sulltanit e për të
fituar që në fillim konsideratën e qeverisë
turke, u përpoq me krenë e bajraktarë
të mobilizonte mirditasit për në frontin
ku i thirrte kryezoti, por nuk ia arriti dot. Porta
e Lartë edhe me reformat e reja, Tanzimatin, që
vuri në veprim sulltan Abdyl Mexhiti më 3
nëntor 1839 nuk i cënoi venomet tradicionale
të Mirditës dhe të malësive të
tjera, veçanërisht në etapën e
parë të zbatimit të tyre.
Përkundrazi, ajo, për t’i patur krah
këto malësi, për potencialin ushtarak
të të cilave kishte shumë nevojë,
u afroi krerëve e bajraktarëve të Mirditës
tituj e grada dhe u lidhi shpërblime të përvitshme,
që t’i perdorte këta, me forcat e parregullta
të tyre kundër krahinave të tjera që
kundërshtonin reformat. Për të evituar
pjesmarrjen e mirditasve në lëvizjet popullore
të Kosovës, qeveria e Stambollit, duke mos
patur besim në autoritetin e Bibë Dodës,
në fillim të vitit 1844 lëshoi një
urdhër, sipas të cilit, ndaloheshin mirditasit
të kalonin nëpër krahinat e tjera fqinje,
pa qenë tëpaisur me një leje kalimi.
2. Në luftë kundër armiqve
të Turqisë
Në vitin 1849 Stambolli i dha titullin
Pashë Bibë Dodës dhe rinjohu privilegjet
e Mirditës, me kusht që Pasha të merrte
pjesë në luftë me një ushtri prej
10000 vetësh. Kjo e largoi Bibë Dodën
nga bshkëpunimi me Serbinë. Nga ana tjetër
Sulltani urdhëroi pezullimin e zbatimit me force
të reformave në krahinat e panënshtruara
të Shqipërisë veriore dhe fali krerët
e lëvizjes shqiptare, të cilët i kishte
burgosur apo internuar gjatë operacionit të
viteve 1843-1847. Në këtë mënyrë
Porta e Lartë krijoi një bazë mbështetjeje
në Shqipëri e cila iu bë krah në
luftën kundër Malit të Zi më 1852
dhe Rusisë 1854. Princi Danilo i Malit të
Zi, në vitin 1852 bëri disa ndryshime në
formën e qeverisjeses së shtetit të tij.
Kjo cënoi interesat e Turqisë, e cila mobilizoi
në luftë kundër këtij vendi ushtri
të mëdha nga Stambolli, nën komandën
e Omer Pashës si dhe mjaft shqiptar nga veriu e
jugu.
Në frontin turko-malazez shkuan 2000 mirditas me
Bibë Dodën në krye, dhe shumë shqiptarë
nga jugu me Gjolekën e krerë të tjerë
të lëvizjes së 1847. Mali i Zi megjithëse
i rrethuar nga të gjitha anët, u shtrëngua
në qëndresë dhe bëri kërdinë
në ushtrinë turke. Omer Pasha dhe shtabi i
atyre ushtrive qe duke u asgjësuar sikur të
mos vihej në veprim zgjuarsia dhe trimëria
e reparteve të Mirditës. Ata u morën
krahët malazezëve dhe zunë pozicione
kyçe prej të cilave mbrojtën shpinën
e ushtrive turke në tërheqje. Në këto
luftime ranë mbi 80 mirditas dhe mjaft të
tjerë nga malësi e Shkodrës dhe jugu
me gjithë Gjolekën. Pa marrë akoma veten
nga disfata që pësoi në Mal të Zi
Turqia e pa veten përballë Rusëve, ne
korrik të vitit 1853, të cilët filluan
luftën dhe korrën disa fitore në frontin
e Danubit dhe në det. Në këtë situatë
Porta e Lartë lëshoi thirrjen për të
mbrojtur “fenë islame”, po kësaj
thirrjeje iu përgjigjën pak njerëz të
asaj feje. Në Shqipëri thirrja e Sulltanit
u përkrah vetëm nga Bibë Doda, tek i
cili sa vinte e piqej dëshira për t’i
ngjitur shkallët e hierarkisë së kohës.
Për të plotësuar kërkesën e
Stambollit, Bibë Doda mobilizoi 10000 mirditas.
Në fillim të vitit 1854 taborret e Mirditës
mbërritën në brigjet e Danubit.
Ato u rreshtuan me forcat e Omer Pashës që
drejtonte luftimet në atë front. Pashai turk
urdhëroi Bibë Dodën t’i kalonte
mirditasit m’atë anë të Danubit.
Rusët që ishin më të organizuar
e më të armatosur mësynë me ushtri
të mëdha. Omer Pasha duke parë mësymjen
e hovshme të rusëve, ndaloi kalimin e ushtrive
turke duke i lënë të vetëm mirditasit.
Ata duke e parë veten të humbur përballë
tërë asaj ushtrie nga njëra anë
e Danubit ujëplot nga ana tjetër, pa ndihmën
e ushtrive turke, shkrinë një nga cilësitë
e larta që zotëronin e trashëgonin, zgjuarsinë
dhe trimërinë. Fillimisht u shtrënguan
në qëndresë, pastaj si me një komandë
u shtrinë në mënyrë të paregullt
me pushkë pranë. Rusët duke i konsideruar
të vrarë, mësynë furishëm përpara.
Pasi kaloi e tërë ushtria ruse drejt Danubit
për t’u hedhur m’atë anë
të tij kundër Omer Pashës e ushtrive
të tij, mirditasit u ngritën, dolën nga
pyjet e ranishtet si të mbinin nga toka me një
kushtrim të njëzëshëm, u lëshuan
në shpinë të rusëve, të cilët
të hutuar nga kjo e papritur e të sulmuar
nga ushtritë e Omer Pashës të cilat kaluan
me të shpejtë Danubin u shpartalluan plotësisht.
Beteja e Danubit si më e përgjakshmja dhe
më fatalja për ushtritë ruse, fitorja
e bujshme e ushtrive turke, e rriti famën e mirditasve
si trima e të zgjuar dhe i siguroi Bibë Dodës
grada, dekorata e dhurata prej sulltanit dhe Napoleonit
të III që luftonte përkrah Turqisë.
Sulltan Abdyl Mexhiti me dekretin nr. 124 i dha Bibë
Dodës gradën “Gjeneral Brigade”
dhe një dekoratë të lartë perandorake.
Kurse Napoleoni i III i dhuroi atij “shpatën
e argjendë” në shenjë miqësie
dhe premtoi ta merrte në mbrojtje Mirditën
në arenën ndërkombëtare të
atij shekulli. Gradat dhe dhuratat që mori Kapidani
nuk e shuan zemërimin e Mirditasve, të cilët
megjithëse i dhanë fitoren Turqisë, jo
vetëm nuk fituan asgjë por e quanin veten
të humbur nga pabesia e Omer Pashës dhe e
Bibë Dodës. Pas betejës së Danubit,
ata nuk pranuan të luftonin më për Turqinë.
Përpjekjet e gjeneralit Bibë Doda, pasi u
kthye nga pritjet e bujshme që i bëri sulltani
në Stamboll, për t’i nisur mirditasit
në frontin e Krimesë, ku ushtritë turke
ishin bllokuar keqas nga ato ruse, nuk dhanë asnjë
rezultat. Mirditasit u nisën për në Mirditë.
Në këto rrethana Bibë Doda u detyrua
të largohej nga fronti i luftës në verën
e vitit 1856.
|