Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
HISTORI Për anëtarët

Ju jeni: Histori -> Personalitete të shquara mirditase

TEMAT

  Kalendari Historik

  Shënime historike

  Mbretëresha e maleve

  Papët me origjinë Shqiptare

  Personalitete të shquara

  Pirustët

  Malet që bartin histori

 Histori e shkurtër e Kosovës

 

 

  Histori


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

PERSONALITETE TË SHQUARA MIRDITASE

 

Mirditorët i kanë dhënë gjatë gjithë kohës vendit personalitete të shquara të shkencës, dijes dhe kulturës. Unë nuk jam dakort me pohimet se «  Mirdita po rilind, po shpallet, e tjerë  ». Tjetër gjë është, se duke mos qenë vend i urbanizuar, një pjesë e jetës intelektuale mirditase është bërë në vende të tjera, kryesisht në Shkodër ,por edhe në qytetet e Kosovës , ku shumica e familjeve mirditore të arsimuara preferonin të jetonin. Nëse do të bëhet ndonjëherë një studim i plotë për mirditorët e qytetit të Shkodrës, Prizrenit, Gjakovës në një vështrim perspektiv prej disa shekujsh, do të shohim se një pjesë me vlerë e elitave të tyre janë ose mirditas të vjetër, ose mirditas të rinjë.Në galerinë e personaliteteve mirditase hyjnë edhe personazhet e këtij shkrimi.Tipari i përbashkët që i lidh ata ndërmjet tyre, përveç origjinës, është se  të gjithë kanë studiuar në Austri . Me këtë rast duhet theksuar ndihma bujare e kombit austriak, tradicionalisht mik i yni për arësimimin e bijëve të Mirditës dhe në tërësi të gjithë shqiptarëve.

Ndue PALUCA , lindi në Gjakovë në vitin 1881, në një familje prej Mirdite . Kur ishte shtatë vjeç shkon në Prizren, ku vazhdoi shkollën fillore deri më 1897. Niset në Austri për studime të mëtejëshme në Normalen e Klagenfurtit me bursë studimi prej Qeverisë Austriake . Aty merr pjesë edhe në shoqërinë kulturore shqiptare «  Dija  ». Kthehet në Atdhe dhe fillon punën si mësues në Prizren , pastaj kalon mësues i gjuhës shqipe në koloninë arbëreshe të Zarës në Dalmaci . Në vitin1912 transferohet në shkollën e Shkupit deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, ku sherbeu edhe si përkthyes në konsullatën Austro-hungareze.Shkon në Vjenë për të vazhduar studimet e larta në Akademinë Pedagogjike . Në vitin 1917 kthehet përsëri në Shkodër si kujdestar i studentëve të rinjë shqiptarë që do të vazhdonin shkollat në Austri . Aktivizohet edhe në veprimtaritë atdhetare ; merr pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës në vitin 1920, ngarkohet edhe me detyrën e nënprefektit të Mirditës me qendër në Orosh, në vitin 1922. Pastaj kalon përsëri në profesion, mësues në Normalen e Elbasanit më 1924, në gjimnazin e Shkodrës në vitet 1927-1934, në gjimnazin e Tiranës më 1936-1944. Në këtë vit emigroi jashtë, në fillim në Salzburg të Austrisë deri në vitin 1952, pastaj në Buffalo të Shteteve të Bashkuara, ku i kaloi të gjitha ditët e mbetura të jetës deri më 30 nëntor 1958. Ndoi zhvilloi edhe veprimtari botuese pedagogjike, ndonëse nuk i'u përkushtua me aq zellë kësaj pune. Është bashkautor me Kolë Kamsin dhe Ernest Koliçin në librat Shkollë e Jetë, Libër Folklori dhe Historia e Shqiptarëve të Italisë.

Dom Gjon Bisaku, lindi në Smaç të Gjakovës nga prindër të ardhur prej Fanit të Mirditës. Studimet e para dhe seminarin papnor i përfundoi në Shkodër dhe pastaj shkoi në Insburg të Austrisë për studime teologjike. Kthehet famullitar në fshatrat e Gjakovës . Më 1921 arrestohet nga autoritetet serbe për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare. Pasi lirohet e vazhdon sërish veprimtarinë e tij deri në vitin 1929, kur kalon ilegalisht kufirin, pasi kishte përgatitur një material prej 52 faqesh, së bshku me Dom Shtjefën Kurtin dhe Dom Luigj Gashin, në lidhje me masakrat serbe ndaj popullësisë së pafajëshme shqiptare. Ky material u paraqit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, në janar të vitit 1930. Në vitin 1930 dhe deri sa vdiç më 1943 shërbeu si famullitar në dioçezën e Durrësit. Ka shkruar në revistat e asaj kohe me pseudonimin «  Plaku i Drenicës  », veçanërisht në revistën Leka .

Dom Anton Zogaj, lindi në Kthellë në vitin 1902, por u rrit në Gjakovë . U arsimua në Shkodër . Në vitin 1920 mbaroi Seminarin Papnor. Shkon për studime të larta teologjike dhe filozofike në Austri. Diplomohet në vitin 1932 dhe menjëherë fillon punën si sekretar i Dioçezës së Durrësit, ku ishte Ipeshkëv Vinçens Prenushi .Arrestohet në vitin 1945 dhe pas një viti hetimesh pushkatohet, në moshën 44 vjeçare, më 31 dhjetor të vitit 1946.

Marie Paluca (Kraja), këngëtarja më e madhe e këngës popullore shkodrane, mjeshtrja e madhe e muzikës klasike është vajza e Ndue Palucës . Ajo lindi në vitin 1911 në Zarë të Dalmacisë, ku i ati punonte si mësues i gjuhes shqipe. Arësimin fillor e kreu në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër , ndërsa arsimin e mesëm dhe të lartë i përfundoi në Austri, ku diplomohet në Konservatorin e Gracit në vitin 1934. Kthehet në Atdhe dhe punon në Shkodër si mësuese në shkollën Femërore  «Donika Kastrioit » dhe në vitin 1936 fillon punën, përsëri si mësuese në Institutin Femënor «Nana Mbretëreshë» në Tiranë, deri në vitin 1946, kur kjo shkollë u mbyllë. Në vazhdim punon në Radio Tirana dhe mekrijimin e Teatrit të Operas dhe të Baletit , Maria është njëra ndër solistet e para të tij. Në vitet e mëvonëshme, përveç karrierës brilante artistike, i përkushtohet edhe veprimtarisë pedagogjike, si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve dhe në vitin 1961 e në vazhdim është edhe shefe e Katedrës së Kantos . Po këtë vit i jepet titulli më i lartë artistik Artiste e Popullit. Del në pension më 1974, por nuk i ndërpret veprimtaritë kulturore artistike. Jetoi si princeshë e kulturës shqiptare , deri sa u shua më 26 nëntor 1999.

Kolë Mirdita ka lindur në Shkodër . Arësimin fillor dhe të mesëm i përfundon në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta në fakultetin Filozofik të Gracit . Pas dy vjet filozofie kalon në jurisprudencë, ku doktoron më 1928. Kur ishte student bashkëpunoi me revistën « Djalëria  » të shoqërisë Albania, si dhe shkroi tregime dhe vjersha e dy drama. Pasi kthehet në Atdhe fillon punën si funksionar në ministrinë e Drejtësisë . Që nga viti 1932 dhe në vazhdim i përkeqësohet shëndeti. Vdiç më 3 tetor 1936 në senatoriumin Prossomato të Lombardisë në Itali.

 

Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi i rezervohen autorit dhe MirditaOnline

NIKOLLË LOKA



Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net