DR. FRANZ BARON NOPCSA: SHQIPËRIA KATOLIKE E VERIUT
(Përktheu nga gjermanishtja: Arif Kutleshi)
Kur të kujtosh se Shqipëria nuk është shumë më larg nga bregdeti i frekuentuar nga turistët , -dalmatin, se sa Esztergom nga Budapeshti, pothuajse habitesh nga sa pak njerëz deri tash është vizituar pjesa malore e këtij vendi. Mungesa e komfortit dhe zani i keq, janë pengesat, që shumicën e vizitorëve e detyrojnë ta anashkalojnë Shqipërinë. Fakti, që këtu mbretëron mungesa e komfortit, askush tash s´mund ta mohojë, por që nga ana tjetër, një vizitë në pjesën katolike të Veriut do të ishte më e rrezikshme se sa një shëtitje e mbrëmjes në paralagjet e disa qyteteve të mëdha të Europës, kjo mbetet për tu hulumtuar. Në bazë të një përvoje përmbi gjashtëmujore pothuajse do të dyshoja në këtë. Ngatërresa të vogëla të paevitueshme, të cilat eventualisht mund të kenë edhe konsekuenca të mëdha, ta merr mendja që gjithkund e gjithëherë prandaj edhe në Shqipëri të ndodhin, kjo porse nuk është e veçanta- e këtij vendi. Përkundrazi: pakëndshmëritë e paparashikueshme ndodhin në Shqipëri më rrallë se tjetërkund, sepse me një aftësi të vogël të përshtatjes- në mentalitetin e njerëzve të këtushëm dhe me disa fjalë të mira këtu mund të arrihet shumë më shumë, se në çdo pjesë tjetër të Europës. Ato ´historitë e vetëpërjetuara të cubnive´ të atyre që e kanë vizituar Shqipërinë e Veriut, burojnë vetëm nga jozhdërvjelltësia e rrëfimtarëve. Unë gjithashtu, autori i këtyre rreshtave, do të dija të ofroja diçka të ngjajshme nga përjetimet personale nga Shqipëria, por edhe unë mund ta konstatoj – me sa vijon, vërtetësinë e fjalisë : Mea maxima culpa. Në rend të parë falënderojë zotërinjtë konsujë të monarkisë së dyfishtë austro-hungareze August Kral në Shkodër dhe Baron Gyula Bornemissza në Durrës, si dhe vicekonsujtë Kraus dhe Edl, që një program moti të përgatitur munda ta realizoj në nëntor 1905, duke i rënë gjashtë muaj malësisë së Shqipërisë së Veriut këmbë, kryq e tëthuer, në përcjellje vetëm të banorëve të këtushëm.Përveç përkrahjes së zotërinjve të zënë ngojë, të cilët unë i falënderojë ngrohtësisht, më ndihmuan edhe një sërë faktorë të tjerë. I tërë Episkopati dhe kleri tjetër katolik i Shqipërisë së Veriut, personalisht porse i përzemërti Monsignore Primus Doçi, Abat nullius* në Mirditë më kanë ndihmuar parreshtur dhe për të kushedi të satën herë sollen dëshmi për ekzistimin e mikpritjes së famshme shqiptare. Sa u përket vendësve, të ashtuquajturit kinse banorë të egër, kjo s´është pikëpamja ime. Për mua kjo është popullata më simpatike, të cilën unë, e kam parë ndonjëherë nëpër të gjitha ato vende që kam shkelur. Imazhi i prishur në pjesën më të madhe bazohet vetëm në shpifjet e armiqëve të saj politikë, përkatësisht të serbëve. Unë vetëm mund të them, që në mesin e popullatës katolike të malësisë shqiptare vërtetë kam gjetur miqë të mirë e besnikë. Që nga Jezoli deri në Mërtur, nga Spaçi deri në Bugjon, në Orosh, në Shalë, në Shosh ose në Gimaj, gjithkund takova unë njerëz edhe pse të varfër e pak të arsimuar, por në çdo pikëpamje miqësorë, të ndershëm e të hareshëm, besnikë dhe shumë intelegjentë, të cilët do të më mbeten prore në kujtesë. Nëse hapësira dhe rrethanat e tjera nuk më pengojnë, do të doja t´i përmend me dëshirë një nga një, një vistër emrash të miqëve e të njohurëve të mi.Se shqiptarët bëjnë pjesë në trungun gjuhësor Indo - gjermanik, se janë pasardhës të Ilirëve të vjetër, - pra nuk janë në farefisni me popullsinë sllave -, është e ditur në qarqet shkencore, por në ato laike megjithatë mbretëron përgjithësisht pikëpamja, simbas së cilës shqiptarët trajtohen si popull sllav. Në këtë kontekst fjalët sllave në gjuhën shqipe tashmë nuk dëshmojnë kurrgjë hiç, sepse ky konstatim në të cilin duan të bazohen, do të ishte i njejtë sikur njeriu nga të njëjtat arsye të donte diçka të ngjajshme të pohonte kur është fjala për Hungarinë dhe gjuhën e saj. Kur është fjala për gjuhën shqipe do të doja të përmend vetëm disa të dhëna linguistike: shqiptarët nuk numërojnë si serbët ´jedan, dva, tri, cetiri´ etj. Porse, ´një, dy, tre, katër pesë, gjashtë, shtatë, tetë, për 6, 7, 8 kanë forma krejtësisht të veçanta, që në asnjë gjuhë tjetër të Europës momentalisht nuk i gjenë. Si shtigje të tjera të piketuara të gjuhës shqipe do të ishin mes tjerash përdorimi i një forme të shquar dhe të pashquar të emrit-, mbas të cilit vehet mbiemri dhe i cili ndahet me një nyje (i, e, t). ´Pferd´shqip thuhet ´kalë´, ´Kuh´: lopë, ´Fleisch´: ´mish´, ´Brot´ : ´bukë´( krahaso fjalën gjermanisht ´backen´-pjek-ur), ´die Erde´ : ´tokë´, ´Wasser´ : ´ujë´ etj. Disa fjalë, si katund, (das Dorf), çoban, (das Hirte), dhe stan, (die Sennhütte), janë sigurisht me prejardhje të huaj dhe gjejnë përdorim që nga Shqipëria përmes tërë Ballkanit deri në Rumani dhe në Jug të Transilvanisë. Ndoshta ´bora´ (der Schnee) mund të ndërlidhet me bora, borën, dhe të ftohtit që sjell erën e karsteve të Istres. Më duket se vërtetë duhet të jetë domethënëse kthimi i emrave Velja dhe Dalmata në Shqipëri dhe në Dalmaci; më tutje janë emrat Lissos (tash Lezha) dhe Lissa (në Istër), Arbëria (Albanien) dhe Arbe në Dalmaci, me gjasë gjithashtu jo pa interes. Toponime të tjera, si Livadhia dhe Gropa ose për shembull Shpella e Belovuk-ut (Höhle des weissen Wolfes) janë me siguri me prejardhje sllave. Skala gjendet me të njëjtin kuptim në Greqi (p.sh. Kakai Skalai Salamis). Çafa kuptimi themelor i së cilës është i përbashkët në të dy gjuhët: shqip e rumanisht, etj etj ? Varianti i dialektit gegë i gjuhës shqipe në viset për të cilat unë flas këtu, në përgjithësi shfaqet në këto tri dallime: ai i Shkodrës, i Malësisë së Madhe (në veri të Drinit) dhe ai Mirdites. Një vendas mundet ndërkaq të dallojë (në të folur) madje një banor të Lezhës nga një të Shkodrës. Dallimi kryesor i të folmes së Shkodrës nga ajo e Malësisë (së Madhe) ka të bëjë në mes të tjerash në atë që, q - ja e fundit e shkodranve, ndeshet si ç dhe gj, për shembull tek fjalët çafa (Bergsattel), dhe Gjoni (Johan). Mirditori njihet sepse në vend të formave guri (der Stein) dhe gurra (die Quelle) përdor formën gjuri, respektivisht gjura. Në gjuhën e tyre Albanët quhen Shqiptarë dhe mbasi që shqipes i thuhet Adler (der) atëherë, kjo e ka kuptimin si ´pasardhës të Shqipes´. Në mënyrë krejt të ngjajshme në të vërtetë do të formohet nga katund - (das Dorf) katundar, (der Dörfler); mal - (der Berg), malësor - (der Bergbewohner), etj. Emri Arbaniten prej nga pastaj gradualisht doli emri Albaner - Shqiptar ( i italianizuar: Albanezi), përmendet qysh te klasikët e vjetër grekë, ndërsa nga Osmanët këta u quajtën Arnaut. Me ortografinë e gjuhës së shqiptarëve shikuar nga gramatika teorike, keq qendron puna,: së pari- në Shqipëri në të vërtetë ka shumë, tepër, tepër shumë analfabetë, (origj.: viel, sehr viel, viel zu viel Analfabeten); së dyti,- dhe kjo është edhe më e rëndësishme -, s´janë -përveç atyre, të cilët mund të lexojnë e të shkruajnë- të një mendjeje, mbi atë se, si duhet t´i transkribojnë ato zanore me të cilat gjuha e tyre është e pasur në gjuhën latine, për të cilat, ajo nuk ka shenja të veta. Sikur lufta e derisotme mbi këtë çështje të mos ishte kaq e rreptë - që të mos e dëmtonte në shkallën më të lartë tërë kulturën e vendit, atëherë kjo do të ishte një temë – (fletë) rrufe falënderuese, e cila do të merrej si tepër qesharake. Në këtë vend të vogël deri sot janë në përdorim kaq shumë ortografi me baza të ndryshme, sa që është vështirë, vetëm të mbahet në mend, numri i tyre; përveç kësaj, sot e kësaj dite shumë shqiptarë të arsimuar madje edhe nëse zotërojnë shkrim-leximin, megjithatë, ka mundësi që shkrimet e grupeve të tjera të mos munden fare t´i lexojnë. Është për t´u pritur që këtu me kalimin e kohës, do të këtë, më shumë ortografi (alfabete) - se sa që do të ketë njerëz të gatshëm për lexim. Partikularizmi, që qysh në këtë çështje ngatërron çdo gjë, ta merr mendja që është i një natyre të përgjithshme, se sa që mund të duket në shikim të parë, sepse ky është një tipar themelor i karakterit të shqiptarit.
*Marrë nga libri : ´DAS KATHOLISCHE NORDALBANIEN´, Wien 1908
*Vër. Përk.: quhet ´nullius´ sepse nuk kishte qytet
|