Mirdita në vitet
e Lidhjes së Prizrenit
A. Mirdita në formimin e Lidhjes së
Prizrenit
Lidhja e Prizrenit u formua pak dita pasi
turqit shtypën me zjarr e hekur Lëvizjen e
Mirditës. Banorët e kësaj krahine megjithëse
të djegur e të sakatuar nga operacioni ndëshkimor
i ushtrive turke, ndoqën me shqetësim lajmin
e parhapur në rrethet patriotike, për vendimin
e Shën Stefanit, të cilat cënonin rëndë
integritetin territorial të vendit. Përfaqsuesit
e Mirditës vrapuan për në Shkodër
për t’u marrë vesh merrethet patriotike
të atij qyteti, se ç’duhej të
bënin.
Llesh Nikoll Përmargjeta i Spaçit, Ndue
Mark Prendi i Kthellës, Preng Llesh Biba i Oroshit
dhe Dedë Kola i Kashnjetit bashkë me krerët
e Malësisë së Shkodrës nënshkruan
protestën që, rrethet patriotike të Shkodrës
i dërguan Vezirit të Madh në Stamboll
më 12 qershor 1878, me të cilën e lajmëronin
se nuk pranonin lëshimin e asnjë pëllëmbë
toke nga trojet e tyre. Po atë ditë ata firmosën
kërkesën drejtuar Kryeministrit anglez, Kontit
Bikosfild në Kongresin e Berlinit, në të
cilin thuhej që: “Shqipëria nuk mund
të përfaqësohej në atë Kongres
nga qeveria turke, shqiptarët qofshin katolikë,ortodoksë
a muslimanë e urrejnë pushtuesin osman, po
aq sa urrejnë çdo pushtues tjetër të
huaj… Ashtu sikur nuk jemi e nuk duam të
jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të
gjitha forcat tona kundër cilitdo që kërkon
të na bëjë sllav, austriak apo grek.
Ne s’duam të jemi tjetër veçse
shqiptarë…”.
Në këtë kohë disas krerë të
Mirditës dhe të krahinave fqinje të saj,
i dërguan Kongresit të Berlinit të 18
qershorit të 1878 kërkesën për njohjen
e principatës autonome të Mirditës nën
drejtimin e Preng Bibë Dodës. Ato ditë
kur politika austriake e franceze nxitën hartimin
e kërkesës për krijimin e “shtetit-principatë”
të Preng Bib Dodës, më 24 qershor 1878,
Komiteti i Shkodrës nisi për në Prizren
delegatët e vet për të marrë pjesë
në mbledhjen e komitetit kombëtar të
Prizrenit. Bashkë me delegatët e Shkodrës
dhe të krahinave të tjera në Prizren
shkuan edhe përfaqsuesit e Mirditës, Llesh
N. Përmargjeta, Prengë Ll. Biba e Ndue M.
Prendi, e ndërsa në Prizren përfaqsuesit
e popullit Shqiptar betoheshin për të mos
lëshuar trojet e të parëve, në Berlin
Fuqitë e Mëdha morën nëpër
këmbë interesat kombëtare shqiptare,
duke i copëtuar tokat e saj midis shteteve ballkanike.
Ai forum ndërkombëtar me nenin 113 të
protokollit 13 datë 5.07.1878 njohu “autonominë
e Mirditës”. Miratimi i “Autonomisë
së Mirditës” nga Kongresi i Berlinit
sipas kërkesës së Kontit Francez Saint-Vallier,
shkriu në një premtimet e Napoleonit III-të
me dëshirat e Preng Bib Dodës për krijimin
e Principatës së zgjeruar të tij në
Shqipërinë Veriore, por mori nëpërkëmbë
autonominë e Shqipërisë dhe vetë
egzistencën e saj. Ato ishin për shkatërrimin
e Lidhjes së Prizrenit. Por nga ana tjetër
ky akt flet më së miri për njohjen që
Mirdita kishte siguruar në arenën ndërkombëtare,
pozicionin e saj tepër të rëndësishëm,
njohje kjo e merituar dhe e paguar me gjak në shekuj
të tërë mosnënshtrimi dhe luftrash
të pandërprera për shporrjen e pushtuesit
otoman. Dy ditë pas njohjes së “Autonomisë
së Mirditës” në Berlin, më
7 korrik 1878, përfaqsuesit e Mirditës, që
morën pjesë në mbledhjen e Komitetit
të Prizrenit, bashkë me delegatët e Shkodrës
e malësive të tjera, organizuan një miting
me banorët e qytetit ku shpallën botërisht
“formimin e komitetit qendror të Lidhjes
së Shqiptare, krijimin e komiteteve krahinore dhe
të Ushtrive të Lidhjes”. Më 10
korrik u formua nënkomiteti i Shkodrës prej
15 vetësh, në të cilin u thirr të
merrte pjesë edhe Preng Bib Doda.
Mirditasit patriotë, duke parë qëndrimin
e P. B. Dodës dhe të Fuqive të Mëdha
ndaj çështjes shqiptare, ishin gati të
jepnin ndihmesën e tyre në mbrojtje të
trojeve Shqiptare që i lëshoheshin Malit të
Zi dhe Serbisë. Në shërbim të nënkomitetit
të Lidhjes për Gjakovën, që drejtohej
nga Abdulla Pashë Dreni u vunë 60 djem të
zgjedhur nga Mirdita. Për besën e dhënë,
ata treguan heroizëm në ngjarjet që u
zhvilluan në kullën e Abdulla Pashës
më 5 shtator 1878. Ketu gjetën vdekjen 30
prej tyre.
B. Qëndresa ndaj politikës nënshtruese
në vitet e lidhjes.
Autoritetet turke të Shkodrës,
duke mos përfillur qëndresën e prerë
të mirditasve, për të mos lënë
në krahinën e tyre kaimekamë e nëpunës
turq dhe as vendimet e Kongresit të Berlinit për
këtë krahinë, emëruan,në tetor
1878, Jusuf Sokolin-Kaimekam dhe Zydi beun komandant
të ushtrive turke në Mirditë. Guvernatori
i Përgjithshëm i Shkodrës Hysen Pasha,
urdhëroi ndërtimin e një kazerme të
re dhe rindërtimin e disa të tjerave për
strehimin e ushtrive që tash e mbrapa do të
qëndronin në Mirditë. Këto veprime
të autoriteteve turke, acaruan konfliktin me mirditasit
dhe vunë në lëvizje diplomacinë
franceze dhe austriake, të cilat kishin marrë
në Mbrojtje Mirditën në Kongresin e Berlinit.
Ambasadori francez në Stamboll, Furnie kërcënoi
Vezirin e Madh të Stambollit: “…Me
urdhër të qeverisë sime kërkoj të
respektohet neni 13 i protokollit të Berlinit…”.
Por Porta e Lartë nuk i mori parasysh kërcënimet
e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha.
Jusuf Sokolin bashkë me Zydi Beun i largoi nga
Kashnjeti, ku qenë vendosur, vetëm sulmi i
kryengritësve të komanduar nga Kolë Prengë
Markola natën e 20-21 nëntorit të atij
viti. I informuar për ngjarjet e Kashnjetit, Hysen
Pasha dha urdhër të merreshin masa për
të mos lejuar mirditasit të mësynin Shkodrën.
Masat e autoriteteve turke ndaj Mirditës dhe krahinave
të tjera të malësive tona, çuan
në mbledhjen e Oroshit, shkurt 1879 ku u vendos
për vazhdimin e qëndresës ndaj masave
nënshtruese që po ndërmerrnin autoritetet
e Shkodrës dhe u zgjodh delegacioni për në
Kuvendin e Lezhës. Ky Kuvend u mblodh më 6
mars të 1789. Në të morën pjesë
përfaqsuesit e të 12 bajrakëve të
Mirditës, ata të Pukës e të Malësisë
së Shkodrës. Në atë Kuvend u vendos
t’i kërkohej Sulltanit që në krahinat
e tyre, në organet qeveritare, të mos kishte
më veçse shqiptarë që të
drejtonin vendin në bazë të dokeve të
krahinave, dhe largimin e Hysen Pashës si Guvernator
i Shkodrës. Porta e Lartë, më 21 gusht
1879 zëvendësoi Hysen Pashën me Ali Hajdar
Pashën, i cili emëroi më 17 tetor të
atij viti Kaimekam për Mirditën Mehmet Agën
e Podgoricës dhe si Muhavin Kolë Prengën.
Emërimi i Kolës si këshilltar i Kaimekamit,
bëri përshtypje të madhe në konsullatat
e huaja të akredituara në Shkodër, në
popullin e atij qyteti dhe në Mirditë.
Mirditasit menduan se u shit Kola, ndërsa konsujt
e huaj, veçanërisht ai i Francës dhe
i Austrisë u indinjuan me Guvernatorin i cili nuk
po zbatonte Protokollin e Berlinit. Këta ia shprehën
pakënaqësinë e tyre Ali Hajdar Pashës,
i cili u përgjigj: “…Emërimi i
Mehmet Agës si Kaimekam dhe i Kolë Prengës
si Muhavin i tij janë një provë për
nënshtrimin e Mirditës dhe përçarjen
e Lidhjes Shqiptare.”. Mirditasit e betuar për
të mos lejuar vendosjen e Kaimekamëve turq
në krahinën e tyre zunë shtigjet dhe
nuk e lejuan Mehmet Agën të vendoset në
Kashnjet. Prej aty u larguan edhe ushtritë turke
që ruanin atë rajon. Kaimekami në pamundësi
për të ngritur zyrën e tij në Kashnjet
për të zbatuar urdhërin e Guvernatorit,
nguli çadrën në një kodër
të Mnelës, afër ushtrive turke. Ndërkohë
qeveria franceze dhe ajo austro-hungareze në rivalitet
me njëra tjetrën, luftonin në fushën
diplomatike për të vendosur influencën
e tyre mbi këtë krahinë. Konsulli francez
i Shkodrës, i cili, ndiqte hap pas hapi ngjarjet
në Mirditë në raportin që i dërgon
MPJ të shtetit të vet, kërkon ndërhyrje
pranë Portës së Lartë për ruajtjen
e status-quos në Mirditë sipas Protokollit
13 të Kongresit të Berlinit dhe për faljen
e P. B. Dodës.
Konsulli austro-hungarez nga ana e tij, i shkruan qeverisë
së Vienës: “…Mbrojtja e Mirditës
do të jetë shumë e dobishme për
prestigjin tonë në Shqipëri…”.
Orvatjet e kësaj diplomacie nuk gjetën mbështetje
në popullin e thjeshtë të Mirditës.
Ai kishte rrokur armët për të mbrojtur
trojet e veta nga reformat centralizuese osmane, synimet
e Fuqive të Mëdha dhe të Dinastive shoviniste
të ballkanit. “Mirditasit-siç shpreheshin
vetë diplomatët e huaj,- i urrejnë njëlloj
si turqit dhe sllavët e grekët…”.
Edhe në këto vite, populli i Mirditës,
me rezistencën e tij po i shërbente me vendosmëri
çështjes shqiptare, që u shtrua për
zgjidhje në Prizren. Lufta e tyre qe një mesazh
për Fuqitë e Mëdha se lufta e nisur nuk
bëhej vetëm kundrë Turqisë, por
edhe kundër synimeve të tyre.
C. Mirditasit-repart i ushtrive të Lidhjes Shqiptare
Më 3 prill 1880 u krijua në Shkodër
Komiteti i Mbrojtjes me Hodo Beg Sokolin në krye.
Rrethet patriotike të Shkodrës duke patur
parasysh vendosmërinë dhe potencialin ushtarak
të Mirditës thirrën P. B. Dodën
të merrte pjesë në këtë Komitet
duke i premtuar atij se do ta njihnin si Kapidan mbi
Mirditën, Pukën e Lezhën. Po ashtu ai
u zgjodh dhe nënkryetar i atij Komiteti. Kushtrimi
i lëshuar nga Komiteti i Mbrojtjes për të
mbrojtur Hot, Grudë e Kelmend u ndie fort në
Mirditë. Ato ditë pranvere të viti 1880
në ç’do shtëpi mirditore bisedohej
për të rrokur armët me i dalë zot
vatanit. Gjendja e kryengritjes ishte krijuar në
të gjithë Shqipërinë Veriore. Kuvendi
i Shpalit i 27 prillit 1880 vendosi të dërgoheshin
për tek forcat mbrojtëse të Hotit, të
Grudës e Kelmendit 2500 burra. Kontigjenti i parë
prej 800 burrash u nis më 28 prill. Ata ishin nga
bajraku i Spaçit, Oroshit e Kushnenit dhe, më
1 maj u nisën dhe 800 të tjerë. Ata,
pasi u bashkuan e bënë një pushim të
shkurtër në Kallmet, më 4 maj 1880 të
veshur me kostumet e bukura të krahinës e
të armatosur të gjithë me pushkë
të moçme, të prirë nga flamuri
kombëtar, hynë në mënyrë demonstrative
në Shkodër, sikur të mos kishte asnjë
pushtues në atë qytet. Pasi pushuan dy ditë
në Shkodër, më 6 maj u nisën nga
Kastrati e kaluan me lundra nga skela Hani i Hotit dhe
prej andej hynë në Tuz. Me mbërritjen
e mirditasve forcat kryengritëse u bënë
rreth 12 mijë vetë. Mirdita në vitet
e Lidhjes së Prizrenit dha ndihmesën e saj,
jo vetëm duke ngritur zërin e protestës
kundër Portës së Lartë që nxori
trojet tona në pazaret e shovinistëve fqinjë,
por edhe duke dërguar përfaqsuesit e saj në
Prizren e në Komitetin e Shkodrës dhe duke
vënë forcat e saj luftarake në dispozicion
të Komitetit të Mbrojtjes së Shkodrës.
Në vitet e Lidhjes u ngrit më lart ndërgjegjja
luftarake e mirditasve, duke iu bërë krah
forcave patriotike në luftën për autonominë
e Shqipërisë sa diplomatët e Fuqive të
Mëdha ato vite raportonin: “…Shpirti
i krenarisë kombëtare dhe i pavarësisë
tek mirditasit ngrihet më lart nga cilësitë
luftarake, shumë të theksuara të tyre…”.
|