VEÇORI TË LËVIZJES POLITIKO-SHOQËRORE NË
MIRDITË
GJATË VITEVE 1920-1922
Në rrjedhën e zhvillimeve historike
të kombit tonë krahina e Mirditës, si
gjithë krahinat e tjera të vendit, ka qenë
një zonë, zhvillimi historik i së cilës
ka pasur veçoritë e veta të cilat janë
trajtuar jo pak. Tek kjo trajtesë synoj të
vë në dukje një pjesë të atij
procesi, gjatë një periudhe të caktuar,
pikërisht në etapën e viteve 1920-1922.
Zgjedhja nuk është e rastësishme. Qoftë
nga kufijtë kohorë, qoftë nga përmbajtja
e procesit historik i cili pati tiparet e veta që
unë synoj ti evidentoj në këtë kumtesë.
Procesi historik në ato vite u shpreh nga një
kompleks lëvizjesh politiko-shoqërore të
cilat afirmuan më tej tiparet e lëvizjeve
të mëparshme, por në realitetet e reja
politiko-shoqërore i shtuan edhe veçori
të tjera historisë së kësaj krahine.
Periudha së cilës i kushtohet kjo trajtesë
përfaqëson një nga etapat më kulmore
të historisë së kombit tonë. Sapo
kishte mbaruar Kongresi i Lushnjes i cili siç
ka vënë në dukje Mit-hat Frashëri,
- theksoi “ në aspiratat e kombit idenë
e indipendencës absolute dhe të integritetit
të vendit duke u dhënë të kuptojnë
edhe të huajve, botës politike se vendi punon
sipas parimeve të kombësisë duke u mbështetur
mbi të drejtat e tij, pa qenë vegël e
ndonjë pushteti të huaj” . Vendimet
e Kongresit shpëtuan vendin nga copëtime të
mëtejshme, riformuan shtetin e pavarur shqiptar
dhe shënuan kthesë historike për gjithë
kombin. Kongresi krijoi organet e piramidës së
lartë shtetërore. Duke analizuar qëllimet
e vendimeve të Kongresit, Lumo Skëndo ka theksuar
se ato synonin të “ të realizonin brenda
në Shqipëri një qeveri thjesht kombëtare
për të gjithë vendin, synonin bashkimin
( e tërë krahinave të vendit –H.K.)
rreth një autoriteti të vetëm….
duhej vendosur autoriteti (nënkupto autoriteti
i pushtetit qendror-qeverisë-H.K.) …. duhej
krijuar administrata, duhej forcuar disiplina dhe formuar
njësia kombëtare” . Pra "qëllimi
themelor i lëvizjes politiko-shoqërore ishte
ndërtimi i shtetit” . Siç ka theksuar
studjuesi kanadez Austin, filloi një periudhë
kthese në jetën e brendshme politike, periudhë
me përmbajtje dhe detyra të reja, sepse synohej
të vihej në jetë një rend i ri politik
dhe shoqëror 4 që synonte dhe kërkonte
një ndryshim të madh e të menjëhershëm
politik 5 .
Më 1920, gjashtë vjet pas luftës (parë
botërore –H.K.) (1914-1918), të ndjekur
nga dy vjet anarki politike ( 1918-1920), patriotët
shqiptarë që iu vunë punës për
ndërtimin e shtetit dhe të kombit, u përballën
me shumë probleme…. Shqipërisë
i duhej të ndërtonte si kombin – shtet,
ashtu dhe të forconte identitetin kombëtar
në një kohë kur situata nuk ishte aspak
në favor të saj. Kryesorja në rendin
e ditës për shumicën e burrave të
shtetit ishte të siguronin mbijetesën e Shqipërisë
si një shtet i pavarur dhe ajo të gjente vendin
e vet në Ballkanin e pas-Versajës.
Këto ishin detyrat historike që realitetet
e reja politiko-shoqërore nxorrën para çdo
shqiptari. Cili ishte raporti, qëndrimi dhe kontributi
i mirditasve për zgjidhjen e këtyre detyrave?
Mbi të gjitha duhej dhe kërkohej një
kuptim inteligjent, vlerësim politik kombëtar
dhe praktik i interesave historike të realiteteve
të reja dhe i garantimit të ardhmërisë
së vendit të popullit dhe të kombit.
Gjykimi objektiv, larg subjektivizmit dhe vlerësimi
realist e me vërtetësi historike i fakteve
dhe dokumenteve që do t’u parashtroj më
poshtë dhe vendosja e tyre në shtratin historiko-politik
të kohës, përmbajtjen dhe detyrat e të
cilit i përshkrova më lart, më lejojnë
të pohoj pa mëdyshje se ndër alternativat
e ofruara në skenën politike e sociale të
vendit, krerët dhe populli i Mirditës zgjodhën
alternativën më të mirë, më
të sigurtë për zhvillimin dhe garantimin
e shtetit shqiptar. Zgjodhën alternativën
progresive, demokratike që sillte qëndrueshmëri,
rend e mbi të gjitha afrimin e shtetit shqiptar
me Oksidentin, me botën perëndimore. Kjo për
mendimin tim përbën një nga veçoritë
themelore të lëvizjes politiko-sociale të
banorëve të kësaj krahine. Pohoj kështu
sepse në morinë e alternativave për zgjidhjen
e detyrave të problematikës shqiptare të
kohës, mirditasit patën aftësinë,
mençurinë dhe prirjen të zgjidhnin
e të bashkoheshin me alternativën që
garantonte të ardhmen e Shqipërisë së
pavarur dhe sovrane.
Tani më lejoni të parashtroj faktet dhe argumentet,
disa nga të cilat janë të njohura për
këtë auditor të nderuar.
Më 23 shkurt të vitit 1920, d.m.th vetëm
21 ditë nga përfundimi i Kongresit të
Lushnjes, krerët e Mirditës e të Pukës
i drejtuan një letër Prefekturës së
Shkodrës nëpërmjet së cilës
i jepnin “Fjalën dhe besën Qeverisë
së re të Tiranës”7 dhe shprehnin
gatishmërinë e tyre të plotë se
ishin “gati me mish e me shpirt për çdo
ndihmë që kishte nevojë atdheu me ndihmue”8
dhe luteshin që Qeveria e Tiranës të
“jepte urdhën një orë e ma parë
që ndër këto krahina (të Mirditës
dhe Pukës - - - H. K.) të vendosej administrata
dhe xhandarmëria”9. Kjo letër ka tri
probleme kryesore: besën që i jepnin mirditasit
Qeverisë, gadishmërinë për t’u
vënë me mish e me shpirt në shërbim
të interesave të Shqipërisë e të
shtetit shqiptar dhe kërkesën për shtrirjen
e administratës civile dhe ushtarake shtetërore
në krahinën e tyre, d.m.th përfshirjen
e tyre në procesin e bashkimit e të unitetit
shtetëror të vendit. Në këtë
mënyrë ata ripohonin e kërkonin një
Shqipëri të pavarur dhe përshpejtimin
e procesit të bashkimit e të krijimit të
njësisë politike shtetërore.
Njëherazi shpallnin botërisht edhe vetpërcaktimin,
qëndrimin, raportet e marrëdhëniet e
tyre me këtë shtet, për qënien e
tyre brenda kësaj bashkësie10. Çdo
studjues sadopak i vëmendshëm, domosdo do
të ndalej në analizën e kësaj letre,
sepse përmbajtja dhe synimet e saj kanë elemente
shtetformuese, bashkuese, organizuese e jo përçarëse.
Pse e bëjmë një pohim të tillë?
Ja pse: Gjashtëmujori i parë i vitit 1920
përfaqëson një periudhë e cila,
për mendimin tim përbën një nga
fazat më delikate të historisë së
shtetit e të popullit shqiptar, sepse, pas Kongresit
të Lushnjes u shtrua detyra e bashkimit të
menjëhershëm e të domosdoshëm të
të gjithë krahinave e zonave të vendit
brenda kufijve shtetëror të 1913-ës,
të njohur e garantuar nga Fuqitë e Mëdha.
Qeveria e zgjedhur nga Kongresi u përpoq të
realizonte këtë detyrë, pra të merrte
nën kontrollin dhe administrimin e saj gjithë
territorin e shtetit shqiptar të 1913-tës.
Përpjekjet e saj, diku ndeshën në rezistencën
e okupatorëve që ende ndodheshin në Shqipëri
që nga Lufta e Parë Botërore, diku përparuan,
diku tjetër qeverisë iu desh të manovronte
me forma të ndryshme kombinative etj.
Ndërsa në Mirditë banorët e saj
kërkuan vetë vullnetarisht të përfshinin
krahinën e tyre nën pushtetin e qeverisë
qendore. Kështu qëndrimi dhe prirja e mirditorëve
përputhej me angazhimin dhe përpjekjet e qeverisë
për plotësimin e nevojës dhe domosdoshmërisë
historike, madje kontribuonte në përshpejtimin
e përmbushjes së tyre. Me këtë akt
ata u dëshmuan vizionarë të së ardhmes,
jo nostalgjikë të së kaluarës. Cili
ishte shkaku? Për ta spjeguar këtë, le
të shkojmë më tej në arsyetimin
tonë. Kërkesa përfaqëson një
fakt dhe një burim historik, sepse na jep mundësi
të njohim edhe mendimin politik e shoqëror
jo thjesht të hartuesve të saj, po edhe të
popullit që qëndronte pas tyre, ngaqë
çështja e shtruar për zgjidhje nuk
ishte çështje personale, apo e një
grupi personash. Padyshim kërkesa shprehte vullnetin
politik të një komuniteti, të formuluara
në një dokument si mendim politik dhe shoqëror.
Vetë mendimi ishte shprehje e një procesi
historik që tregonte se tek mirditasit ishte konsoliduar
ndjenja e bashkësisë së interesave, ndjenja
shtetformuese, për t’u përfshirë
në një shtet të përbashkët
gjë që ndihmoi në kapërcimin e prirjeve
lokaliste dhe të separatizmit patriarkal, fetar
e feudal11. Mendimi i tyre shikonte e synonte të
ardhmen e gjithë vendit e të popullit, jo
të kaluarën e tyre.
Disa javë më pas, Luigj Bumçi, asokohe
anëtar i Këshillit të Lartë të
Shtetit Shqiptar, siç duket i nxitur nga letra
e mësipërme, vajti në Mirditë12
për të shqyrtuar gjendjen dhe problemet e
integrimit politiko-administrativ dhe sidomos çështjen
e vendosjes të administratës shtetërore
në atë krahinë. Ai konstatoi se mirditasit
punonin për këtë qëllim dhe për
përfshirjen e krahinës së tyre nën
pushtetin e Qeverisë së Tiranës.13 Por
dihet se gjatë dhe pas verës së vitit
1920 populli shqiptar u angazhua në Luftërat
Çlirimtare për dëbimin e pushtuesve
të huaj nga territoret e shtetit shqiptar dhe sigurimin
e tërësisë territoriale benda kufijve
të 1913-ës. Me fitoret e Luftërave Çlirimtare,
të Vlorës, të Dibrës, të Koplikut
të vitit 1920 u arrit dëbimi i pushtuesve
të huaj jashtë territoreve të Shtetit
Shqiptar. Këto suksese në fushën ushtarake
u shoqëruan me veprimtari politiko-administrative
për bashkimin dhe përfshirjen e tërë
krahinave të vendit nën juridiksionin dhe
pushtetin e Qeverisë të zgjedhur nga Kongresi
i Lushnjes. Fitoret politike e ushtarake në rrafsh
të bendshëm u pasuan nga një sukses i
madh në rrafsh ndërkombëtar, në
dhjetor 1920 Shteti Shqiptar u pranua anëtar i
Lidhjes së Kombeve dhe u njoh nga Fuqitë e
Mëdha.
Sukseset gjatë vitit 1920 lehtësuan shqiptarët
nga pesha e detyrimeve për çlirimin e mbrojtjen
e tërësisë territoriale të vendit
dhe i lejuan ata, që në vitin 1921, të
përqëndroheshin thuajse totalisht në
zgjidhjen e detyrave të brendshme veçmas
për ndërtimin e konsolidimin e strukturave
shtetërore të administatës civile dhe
ushtarake.
Në këtë proces u përfshinë
menjëherë Mirditasit të cilët e
ndjenë dhe e kuptuan përgjegjësinë
e tyre qytetare për domosdoshmërinë e
çuarjes më tej të fitoreve të
arritura. Ata, në fillim të vitit 1921, dërguan
një përfaqësi të tyre në Tiranë
e cila u takua me përfaqësuesit14 e qeverisë.
Në emër të mirditasve sërishmi kërkuan
që Qeveria të ngrinte sa më shpejt administratën
civile e ushtarake në krahinën e tyre. Qeveritarët
u zotuan t’a realizonin sa më parë kërkesën.
Përsëritja e kërkesës përbënte
një hallkë dhe dëshmi të re të
vazhdimësisë së procesit të mbështetjes
që mirditasit i kishin dhënë më
1920 përpjekjeve të Qverisë Shqiptare
për bashkimin e gjithë krahinave të vendit
nën një pushtet qendror dhe pandërprerje
i jepnin edhe më 1921 për krijimin e konsolidimin
e unitetit administrativo-shtetëror15 brenda kufijve
të 1913-ës. Realiteti i ri politik në
fillim të vitit 1921, i shprehur dhe përfaqësuar
nga përmbushja thuajse e plotë e procesit
të bashkimit, kërkonte institucionalizimin
dhe sanksionimin juridiko-kushtetues të unitetit
politik shtetëror. Këtë detyrë e
përmbushi parlamenti i parë pluralist shqiptar
që realizonte parimin kushtetues të përfaqësimit
të gjithë vendit e Shtetit dhe njëherazi
institucionalizonte e sanksiononte njësinë
politike shtetërore.
Ai ishte i vetmi organ i piramidës së lartë
shtetërore në të cilin u arrit përfshirja,
bashkimi e mbledhja e përfaqësuesve të
popullit të të gjithë krahinave dhe të
gjitha forcave politike e sociale të vendit në
një institucion të përbashkët16.
Parlamenti doli nga zgjedhjet që u organizuan për
herë të parë në Shqipëri. Fushata
elektorale u zhvillua në shkurt-mars 1921. Ajo
përbënte një moment të rëndësishëm
politik sepse zgjedhjet parlamentare ishin dukuri e
re dhe proces politik që organizohej e zhvillohej
për herë të parë në të
gjithë hapësirën territoriale shtetërore.
Jo vetëm për këto arsye zgjedhjet kishin
vlera historike, por edhe sepse po të vështrohet
synimi, roli dhe rezultatet e tyre ato merrnin kuptimin
e një ngjarjeje të rëndësishme politike
nga që kishin vlera juridiko-kushtetuse, sepse
përfaqësonin sanksionimin e fitoreve ushtarake
e politike të arritura nga shqiptarët gjatë
1920-ës.
Cili ishte qëndrimi i mirditasve gjatë fushatës
elektorale për zgjedhjet e para parlamentare? Nuk
do të ndalem në pasqyrimin e zhvillimit të
fushatës, sepse këtë e kanë trajtuar
me hollësi të tjerë para meje, ndaj është
çështje e njohur. Por do të theksoj
një dukuri mjaft kuptimplote që ndodhi atëhere
në Mirditë. Disa analistë kanë vërejtur
se pavarësisht luftës së ashpër
politike gjatë fushatës elektorale në
zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri
votat i mblodhi patriotizmi dhe jo partitizmi
17. Votuesit shqiptarë preferuan të zgjidhnin
patriotët. Zgjedhjet e vitit 1921, si zgjedhjet
e para në atë fillim shekulli, që zhvilloheshin
në një vend ballkanik i cili pjesën më
të madhe të historisë së tij e kishte
kaluar në robëri, megjithatë dëshmuan
për disponimin e qartë e të plotë
patriotik të votuesve shqiptar18.
Aq fuqishëm e hapur u shpreh kjo ndjenjë saqë
12 bajraktarët e Mirditës nuk pranuan të
ngatërroheshin në mosmarrëveshjet e myslimanëve
me katolikët në zgjedhjet e Shkodrës,
por mbrojtën, siç u shprehën ata, “vetëm
shqiptarllëkun-pa ndryshim feshë”.
19. Fitorja e patriotizmit në zgjedhjet parlamentare
shënoi një sukses tjetër politik mbi
“armiqtë e shtetit shqiptar dhe mbi kundërshtarët
e konstituimit demokratik parlamentar të tij, të
cilët, pikërisht gjatë zgjedhjeve të
para parlamentare, luajtën fuqishëm letrën
e përçarjes krahinore, fetare e territoriale
për të sfiduar e kërcënuar njërin
nga shtetet më të reja europiane, të
njërit nga popujt më të vjetër të
Europës”,20 siç është shprehur
Reginald Hibbert.
Qëndrimi i palëkundur i mirditasve në
pozitat e shqiptarizmit tregonte se ata mbi gjithçka
kishin ndjenjën kombëtare, se në vetëdijen
e tyre politike dominonte preokupacioni për fatet
e vendit e të Shtetit. Kështu ata dhanë
kontributin e vet të çmueshëm në
fitoren e patriotizmit shqiptar gjatë zgjedhjeve
të para parlamentare, rrjedhimisht ndihmuan në
fitoren e konstituimit demokratik parlamentar të
shtetit Shqiptar. Kjo vërtetonte edhe një
herë se ata, tashmë u ishin larguar mentaliteteve
tradicionale lokale e konservatore dhe kishin krijuar
një gjykim, mentalitet e moral politik të
ri bazuar në ndërgjegjen e psikologjinë
kombëtare dhe vetëdijen politike, dhe po të
na lejohet të shprehemi me fjalët e M. Frashërit-kishin
fituar “aftësinë për t’i
parë punët nga këndi i gjerë, nga
ana publike dhe e përgjithshme për të
mos e ndarë veten nga kolektiviteti kombëtar”21.
Dihet se Qeveria e Tiranës e zvarriti realizimin
e premtimeve që u kish dhënë mirditasve,
gjë që u përpoqën ta shfrytëzonin
armiqtë e Shqipërisë, sidomos serbët.
Por shumica e krerëve dhe gjithë populli i
krahinës qëndruan të palëkundur
në pozitat atdhetare e kombëtare. Nëpërmjet
një letre drejtuar qeverisë më 18 maj
1921 mirditasit, krahas denoncimit e demaskimit të
veprimtarisë të serbëve e të veglave
të tyre, shprehën sërishmi vendosmërinë
për të përkrahur politikën e bashkimit,
e të konsolidimit të shtetit shqiptar. “Qeveria
të jetë e sigurtë- theksohej në
letër se… jemi kundra lidhjeve me qeverinë
serbe…shumica e krerëve dhe populli gjithë
mbarë janë shqiptarë, atdhetarë
e dëshirojnë e presin me padurim ardhjen e
qeverisë në malet tona”22.
Nuk mendoj të ndalem në analizën e përmbajtjes
së letrës, sepse është shumë
e qartë problematika, ashtu edhe synimet e saj,
por nuk mund të rri pa u përqëndruar
sadopak në analizën e dy detajeve. Nuk ishte
e rastit që në letër vihej në dukje
përkatësia nacionale dhe etnike e mirditasve,
kur pohoej: ”shumica e krerëve dhe populli
gjithë mbarë janë shqiptarë atdhetarë”.
Së dyti në këtë frazë cilësohej,
jo pa qëllim të caktuar, “shumica e
krerëve”, pra nënkuptohej se pakica
nuk ishin të tillë, ndërsa për popullin
nuk bëhej ndarje por thuhej “ populli gjithë
mbarë” d.m.th. pa përjashtim. Pra letërshkruesit
bëjnë dallim midis krerëve, të cilët
i ndajnë në dy grupe, shumicë dhe pakicë,
dhe popullit që është i pandashëm,
solid në qëndrimin e vet atdhetar.
Pse ndodhte pikërisht kështu? Theksimi i përkatësisë
nacionale e etnike shqiptare, qoftë për popullin,
qoftë për shumicën e krerëve, nga
letërshkruesit ishte përgjigje direkte dhe
kundërvënie e hapur publike dhe deklarim botëror
përballë theksimeve të përkatësisë
fetare që aq shumë i mëshonte asikohe
propanga serbe.
Pra pohimi i mësipërm i mirditasve ishte përgjigje
e drejtpërdrejtë dhe hedhje poshtë e
propagandës dhe e diversionit serb për përçarjen
e shqiptarëve në fe e krahina. I vështruar
më thellë, ky pohim i mirditasve provonte
edhe një herë atë që kishte thënë
dekada më parë Vaso Pasha “Feja e shqiptarit
është shqiptarija”, pra ndjenja kombëtare
mbi çdo ndjenjë tjetër. Fryma demokratike
dhe tiparet kombëtare si bashkëshoqëruese
të karakterit mirditor dhe të lëvizjeve
të tij politiko-shoqërore ishin veçori
të tjera shumë të rëndësishme
që ata manifestuan asokohe. Këto veçori
të tyre i vuri në dukje Hil Mosi kur theksonte
se “përpjekjet e serbëve shkuan bosh
përpara atdhetarizmit dhe dëshirës së
vendosur të shqiptarëve të Mirditës
për të përkrahur qeverinë e tyre
kombëtare”. Shqiptarizmin e mirditasve e
pohoi edhe Bajram Curri, i cili në një letër
që i dërgoi Ministrisë së Luftës
më 26 maj 1921, ndër të tjera nënvizoi
se sado që serbët u përpoqën”
për të shtyrë Mirditën kundra Qeverisë
Shqiptare, populli i Mirditës nuk është
tue i ndigjue”24.
Por sikurse theksuam qeveria nuk tregoi vëmendjen
e duhur, e zvarriti përmbushjen e zotimeve që
kish marrë para përfaqësuesve të
mirditasve. Neglizhenca e qeverisë nuk i tuti.
Mirditasit besnikë ndaj interesave të Atdheut
e të Shqiptarizmës në çdo rrethanë,
më 31 maj 1921 mbajtën një Kuvend në
Blinisht ku morën pjesë krerë e vegjëli25
nga Blinishti, Oroshi, Spaçi, Kushneni, Dibri,
Fani etj. U analizua situata e vendit. Ndonëse
u kritikua qeveria për mosplotësimin e zotimeve,
pjesëmarrësit shqyrtuan e vlerësuan “nevojat
e vendit”26. Duke u dhënë përparësi
interesave mbarëkombëtare, hodhën poshtë
me neveri pikëpamjet dhe tendencat që kërkonin
përçarjen e vendit “në ana e
krahina”27. Shprehën edhe një herë
vullnetin politik të të gjithë mirditasve
dhe vendosmërinë e tyre për të përkrahur
e mbështeur qeverinë shqiptare, me të
cilën, theksuan ata “ jemi me njet e me zemër
dhe do të mbajmë besën e vatanit”28.
Dhe kësaj kredoje politike mirditasit i qëndruan
besnikë me konseguencë edhe në vitet
e mëpastajme.
Mund të vazhdoja gjatë duke parashtruar dokumente
të tjera, si argumenta dhe dëshmi të
ideve e të mendimit politik e shoqëror progresiv
e kombëtar të mirditasve në ato kohë
të vështira e të turbullta. Por nuk dëshiroj
të spekulloj me durimin tuaj. Sidoqoftë do
t’ju lutem të më lejoni të ndalem
sadopak në një dukument që për mua
ka rëndësi të posaçme, sepse është
me burim të huaj, vjen nga Lidhja e Kombeve, forumi
më i lartë ndërkombëtar i kohës.
Është fjala për një raport i të
dërguarve të Lidhjes së Kombeve. Në
nëntor 1921, Lidhja e Kombeve dërgoi në
Shqipëri një komision hetimor për të
mbledhur të dhëna rreth ngjarjeve dhe situatës
politiko-sociale29. Komisioni shkoi në mjaft zona
dhe krahina të vendit, midis tyre dhe në Mirditë.
Në çdo zonë e krahinë, fshat e
qytet, ku shkoi komisioni takoi e bisedoi me zyrtarë
e njerëz të thjeshtë, qyetarë e
fshatarë, klerikë e pari, krerë e kapidana,
shkurt me njerëz të shtresave, niveleve, feve
e krahinave të ndryshme. Prej tyre grumbulloi të
dhëna të çmueshme të cilat i përmblodhi
në një raport të gjatë e të
hollësishëm mbi veprimtarinë e konstatimet
e tij në Shqipëri të cilin ia dërgoi
më 20 dhjetor 1921 Lidhjes së Kombeve.
Në rastin tonë na intereson të vështrojmë
atë pjesë të raportit ku pasqyrohen konstatimet
dhe konluzionet që arritën anëtarët
e Komisionit hetimor gjatë vizitës e takimeve
që zhvilluan me banorë dhe krerë të
Mirditës.
Para se sa të përshkruaj në detaje vizitën
e tyre në Mirditë më duhet të bëj
një parantezë me anë të së
cilës do të spjegoj shkaqet dhe qëllimet
e vizitës së Komisionit Hetimor të Lidhjes
së Kombeve në Mirditë. Gjatë vitit
1921 qeveria jugosllave dhe shtypi i Beogradit kishin
ndërmarrë një fushatë të gjerë
antishqiptare nëpërmjet së cilës,
si ngaherë, synonin “të provonin”
paaftësinë shtetformuese e organizative të
shqiptarëve. Për këtë qëllim
“shtypi jugosllav më 1921 shkruante për
trazira serioze në krahinën e Mirditës,
ndonëse Qeveria Shqiptare i kishte përgënjeshtruar
vendosmërisht ato zëra”30. Lidhur me
problemet e kontestuara midis palës Jugosllave
dhe asaj Shqiptare Këshilli i Lidhjes së Kombeve
gjatë tri ditëve nga 17 deri më 19 nëntor
1921 31 mbajti tri mbledhje në të cilat u
dëgjuan përfaqësuesi i Shqipërisë
dhe ai i Jugosllavisë. Beogradi përpiqej të
zmadhonte ngjarjet në Shqipëri. Në Gjenevë
Noli u gjend përballë akuzave të delegacionit
jugosllav se Qeveria e Tiranës ishte vegël
e çifligarëve myslimanë dhe nuk mund
të ruante kontrollin në të gjithë
vendin dhe se në Shqipëri kishte dy qeveri32.
Duke propoganduar trazirat në Shqipëri qarqet
jugosllave shpresonin të bindnin faktorin ndërkombëtar
se “qëndrimi i njëzëshëm i
popullit (ndaj qeverisë qendrore – H.K.)
nuk ekzistonte33”.
Pas debatit u adoptua një rezolutë e posaçme
ku ndër të tjera i jepej porosi komisionit
hetimor që “të mbikqyrte çdo
ndihmë që mund t’i jepej nga jashtë
ndonjë lëvizjeje lokale që mund të
turbullonte paqen e brendshme në Shqipëri”34.
Në raportin e Komisionit, dalin qartë në
pah burimet e trazirave që pengonin normalizimin
e gjendjes së brendshme (të shtetit shqiptar
- H.K.), hidhen poshtë paragjykimet dhe spekullimet
e ndryshme mbi paaftësinë e shqiptarëve
për vetqeverisje dhe sillen dëshmi të
qarta të konsolidimit të vazhdueshëm
të pushtetit qendror35.
Le t’i kthehemi problemit tonë, pra vajtjes
së komisionit hetimor në Mirditë, takimeve
që zhvilloi atje, përshtypjeve e konstatimeve
rreth gjendjes dhe qëndrimit të mirditasve
ndaj problemeve që preokuponin shtetin e shoqërinë
shqiptare asikohe.
Komisioni arriti në Mirditë më 9 dhjetor
192136 dhe u vendos në Orosh, ku siç shkruhet
në raport--,krerët dhe popullsia e fshatrave
përreth u mblodhën për t’ia uruar
mirëseardhjen përfaqësuesve të Lidhjes
së Kombeve”37. Meqënëse nuk shoqëroheshin
nga përfaqësues të Qeverisë së
Tiranës, siç pohojnë vetë “anëtarët
e komisionit patën mundësi të bisedonin
lirisht”38. Gjatë takimit ata u thanë
krerëve “të flisnin hapur për ankesat
e tyre”39. Biseda u zhvillua e lirë, e qetë,
e hapur dhe e sinqertë. Është për
t’u theksuar se në bisedë u shpreh edhe
një herë pozicionimi i patundur, i vendosur
dhe konsekuent i Mirditasve në linjën e idealeve
atdhetare. Të katër krerët pohuan se
“ ishin të kënaqur të ishin qytetarë
të një Shqipërie të pavarur dhe
se dënonin”40 këdo që i kundërvihej
kësaj pikëpamjeje. Në këtë
pohim dallohen dy momente: së pari jo vetëm
dëshironin por shprehin kënaqësinë
e vullnetin politik të ishin qytetarë të
një Shqipërie të pavarur, pra, të
një shteti të pavarur e sovran dhe kundërshtonin
ato qarqe të brendshme e të jashtme që
përpiqeshin ta minonin këtë proces, dhe
që propagandonin se mirditasit nuk njohin e nuk
donin të njihnin pushtetin e Qeverisë së
Tiranës.
Në të vërtetë, sikurse e theksuam
më parë, qoftë në vitin 1920 qoftë
më 1921 përfaqësuesit e Mirditës
ftuan qeverinë të dërgonte përfaqësuesit
e saj e të ndërtonte administratën shtetërore
në krahinë . Madje siç theksojnë
anëtarët e komisionit, krerët e Mirditës
në fund të pesëmbëdhjetë ditëshit
të parë të dhjetorit 1921, shkuan vetë
në Tiranë për të bërë
betimin qeverisë qendrore41 e për të
shprehur edhe një herë besnikërinë
e tyre ndaj saj. Pra fjalën e pasuan me veprën.
Momenti i dytë që dua të veçoj
është fakti se ata pohuan hapur dhe shpallën
botërisht para përfaqësuesve të
komunitetit ndërkombëtar se nuk pajtoheshin
kurrsesi dhe kundërshtonin me vendosmëri politikën
e përçarjes, pra ishin për ruajtjen
e forcimin e unitetit politik shtetëror të
vendit. Mendoj se kjo dukuri përbënte një
pikëpamje konstante e të qëndrueshme
të mirditasve që përputhej plotësisht
me interesa historike e politike të vendit, popullit
dhe shtetit shqiptar.
Edhe në vitet e mëpastajme mirditasit u përfshinë
në lëvizjet politiko-shoqërore për
demokratizimin e jetës së vendit. Është
ngjarje historike që përfaqëson një
trashëgimi virtytesh kombëtare, përparimtare
e demokratike, fakti që në zgjedhjet për
Asamblenë Kushtetuese Mirdita mbështeti dhe
përkrahu pa rezerva e votoi për kandidatët
e opozitës demokratike të udhëhequr nga
Luigj Gurakuqi42. Sikurse dihet opozita demokratike
organizoi e udhëhoqi përpjekjet e lëvizjen
për vendosjen e rendit demokratik në Shqipëri,
që e afronte Shqipërinë dhe Shtetin Shqiptar
me Perëndimin, me Evropën.
Pra koncepti politik i Mirditasve për rrugën
e zhvillimit politik e ekonomik të vendit pranonte
alternativën demokratike, më të përparuarën
në sfondin e mendimeve dhe alternativave pluraliste
të kohës. Kjo dëshmonte se fryma kombëtare,
prirjet demokratike dhe tiparet progresive ishin veçori
themelore të pandryshueshme të lëvizjeve
dhe qëndrimeve politike të mirditorëve
gjatë viteve 1921-1924. Duke shprehur në mënyrë
sintetike vullnetin politik të mirditasve deputeti
mirditor Ambroz Marlaskaj në tribunën e Asamblesë
Kushtetuese të vitit 1924 deklaroi botërisht
se krahina e Mirditës fatin e vet e ka “
të lidhur me fatin e Shqipërisë mbarë”
|