Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
HISTORI Për anëtarët

Ju jeni: Histori ->Kryengritja (1876-1877)

TEMAT

  Histori që nis me Pirustët

  Mesjeta koha e re, sotme

  Mirdita gjatë pushtimit turk

  Formimi i Lidhjes së Mirditës

  Sistemi i bajrakëve

  Rilindja kombëtare

  Kryengritja e Mirditës 1862

  Kryengritja (1876-1877)

  Lidhja e Prizrenit

  Periudha fund pusht turk

  Kryengritja e vitit 1912

  Krijimi i Besëlidhjes (1912)

  Kriminaliz psikologjik (45-90)

  Edukimi përmes ndëshkimit

  Tension i madh e trazim

  Ndarja e gjallë

  Kufinjtë e të pabesueshmes

  Humbja e palëve

  

  Histori


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

5. Kryengritja e Mirditës (1876-1877)

 

A.Rrethanat në të cilat filloi kryengritja

 

Shumë krahinave në veri e jug të vendit, Turqia u detyrua t'u njohë e respektojë të drejtat vetqeverisëse. Në krahinët malorë vetqeverisëse, Mirdita formonte unitetin më kompakt e të privilegjuar midis krahinave të tjera. Banorët e saj megjithë lidhjen në formën e bashkëpunimit e të vasalitetit që kishin, Kapidanët e saj me Sulltanët e Stambollit, nuk u pajtuan kurrë me pushtuesit e shërbëtorët e tyre vendës. Mirditasit qenë vazhdimisht në luftë për të mbrojtur malet e tyre, doket e të parëve. Në vitet 70 të shekullit 19 kur lufta e mirditasve kundër dhunës turke nuk ishte më e vetme, pasi krah saj ishin ngritur malësi të tjera në veri dhe pothuaj të gjithë popujt e Ballkanit, ishin krijuar kushtet për shkëputjen e plotë nga Turqia. Mbështetur në këtë situatë të brendshme e të jashtme, u riaktivizua një grup intelektualësh nga Shkodra, përsëri me Zef Jubanin në krye, Pjetër e Lorenc Gurakuqin dhe klerikun nga Bulgëri, Prend Doçi. Ky grup nxiti dhe përkrahu lëvizjen e Mirditës, për t'i dhënë asaj karakter të përgjithshëm në Shqipërinë Veriore me qendër Mirditën, rreth së cilës do të mblidheshin në një të ardhme jo të largët të gjitha krahinat shqiptare. Zgjedhja e Mirditës si e vetmja krahinë ku duhej të shpërthente kryengritja, grupi i Shkodrës e mbështeste në disa faktorë. Së pari, mirditasit, megjithëse nuk e njohën drejtëpërdrejt shtypjen e pushtuesit osman, si shumë krahina të tjera të vendit, kishin urrejtje të madhe për ta. Ajo erdhi gjithnjë duke u rritur pas viti 1868 dhe, arriti kulmin në vitet 70 kur turqit morën të gjthë masat për likuidimin e lirive vetqeverisëse që, mirditasit i kishin fituar e mbrojtur me gjak e sakrifica. Së dyti, Mirdita kishte potencial të madh ushtarak, për të cilin kishte aq nevojë lufta kundër hordhive turkomane. Ajo kishte gjithashtu influencë të madhe në të gjithë Shqipërinë Veriore. Kjo krijonte kushte për shtrirjen e kryengritjes ngado nëpër këto krahina. Së treti, preteksi për shpërthimin e kryengritjes ishte më i qartë se kudo gjetkë në Mirditë. Këtu, disa nga krerët e lidhur me trungun e Bibë Dodës dhe që kishin popullin me vete, kërkonin kthimin e P. B. Dodës, i cili mbahej në Stamboll që mga 1868. Kjo i kishte vënë mirditasit në gjendje lufte me Portën, e cila mga ana e saj po mundohej t'a nënshtronte këtë krahinë me ç'do kusht. Grupi i Shkodrës e propagandoi këtë lëvizje jo vetëm në rrethet patriotike vendëse, por dhe në ato që vepronin jashtë Shqipërisë e dinastive fqinjë. Zef Jubani me shokë duke përfituar nga interesimi i qeverisë italiane, të atyre viteve, për lëvizjet antiosmane të Ballkanit, pavarsisht nga qëllimet e saj, nëpërmjet Komitetit italo-shqiptar të Kozencës, u bëri thirrje arbëreshëve të Italisë së Jugut, të ndihmonin moralisht e materialisht vëllezërit e tyre Shqiptar, të cilët ishin ngritur për të drejtat e tyre kombëtare. Në këto rrethana, autoritetet turke të Shkodrës filluan të mendojnë seriozisht për gjendjen e krijuar në Mirditë. Porta e Lartë e mirëinformuar për këtë gjendje, nga frika e bashkimit të kryengritësve mirditorë me ata të Malësisë së Madhe, ç'ka i jepte dorë Malit të Zi t'i dilte doret Turqisë edhe për faktin e lidhjeve që ishin krijuar që më1862 midis Mirditës e atij vendi e frikësuar premtoi, nëpërmjet Dervish Pashës, kthimin e Prengë Bibë Dodës nga Stambolli. Por kjo manovër nuk i siguroi Dervish Pashës vullnetar nga malësitë për frontin e Malit të Zi e as që arriti t'a shuante konfliktin në Miriditë.

 

B. Përgatitja dhe shpërthimi i kryengritjes

Porta e Lartë duke e parë se zjarri i kryengritjes në Mirditë sa vinte e rritej, e ktheu në gusht të 1876, Preng Bibë Dodën nga Stambolli në Shkodër. Autoritetet turke të Shkodrës, me porosi të Stambollit e mbajtën Prengën gati dy muaj në Shkodër duke i propaganduar të ndikonte te mirditasit që të ndërprisnin kryengritjen. Me kërkesën këmbëngulëse të mirditasve, në fund të shtatorit të atij viti, Dervish Pasha e përcolli Preng Bibë Dodën për në Mirditë. Ardhja e tij në vendlindjen kryengritëse, sadoçë ai nuk ishte as udhëheqës ushtarak me përvojë e as figurë politike popullore, i dha hov lëvizjes së armatosur të Mirditës. Grupi i Shkodrës, që ndiqte hap pas hapi zhvillimin e ngjarjeve dhe organizimin e kryengritjes, nëpërmjet Lorenc Gurakuqit ish-sekretar personal i P. B. Dodës, u përpoq ta vërë këtë kryengritje në shërbim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai nxiti P. B. Dodën të hartonte planin e krijimit të principatës së Shqipërisë së Epërme me qendër Mirditën dhe të kërkonte përkrahjen e fuqive europiane. Krijimi i një principate të tillë diku në Shqipërinë Veriore, në situatën e krijuar nga kriza ballkanike dhe e synimeve të shovinistëve fqinjë ndaj trojeve shqiptare, kishte rëndësi të madhe për mbrojtjen e të drejtave kombëtare si ndaj Perandorisë osmane tashmë në shkatërrim, ashtu dhe para Fuqive të Mëdha e dinastive ballkanike që mbeteshin pas tyre. Në këtë situatë kryengritësit e Mirditës dhe krerët patriotë të tyre ishin të vendosur t'a vazhdonin kryengritjen. Për të qenë më të organizuar e për të siguruar përkrahjen e krahinave të tjera fqinje, ata organizuan Kuvendin e 27 dhjetorit 1876 në Shpal. Në Kuvend morën pjesë mbi 3000 burra që përfaqsonin trevat e lidhjes së Mirditës si dhe nga Puka e Malësia e Gjakovës me Ali Inrën në krye.

Ato ditë dhjetori të 1876 dukej se po përsëriteshin shekujt e kaluar, kur krerët shqiptar vraponin nga të gjitha anët drejt Ndërfandës, Dukagjinit, Kuçit e rokupjes për të lidhur besën me shporr përfundimisht dushmanin nga trojet tona. Në Shpal u vendos: “ Të fillonte menjëherë kryengritja në të gjithë Mirditën, të shtrihej ajo në të gjitha krahinat veriore të Shqipërisë, të mos pranohej asnjëlloj kompromisi me turqit, të mos lejohej vendosja e kaimekamit turk në Mirditë, të dërgohej një delegacion në Mal të Zi për të kërkuar armë të tipit të ri dhe municion.”. Pasi i mbylli me sukses punimet Kuvendi i Shpalit, pjesëmarrësit e tij u shpërndanë nëpër krahina, për të organizuar kuvende e ngritur popullsitë e tyre në luftë. Përfaqsuesit e këtij kuvendi u shpërndanë edhe në Malësi të Madhe, Shalë, Shosh e Shkrel, krahina të cilat i mirëpritën vendimet e atij Kuvendi. U krijua kështu gjendja e kryengritjes në të gjithë Shqipërinë e Epërme. Autoritetet turke të Shkodrës, të informuara për këto vendime, të shqetësuar filluan të merrnin masa kundër lëvizjes. Ato mbyllën kategorikisht pazaret e Shkodrës, të Lezhës, të Prizrenit e të Gjakovës për mirditasit; ndaluan kalimin e tyre nëpër trapet e lumenjëve Drin e Mat, shpërndanë shuma të mëdha të hollash në përkrahësit e tyre në Mirditë e në krahinat përreth dhe grumbulluan ushtri të shumta kundruall Mirditës. Ndërkohë kryengritësit rrethuan garnizonin turk të Pukës, kapën rob Kaimekamin e atij rajoni dhe komandantin e garnizonit Zenel Agën e Tivarit megjithë bimbashin Mustafa Agën e Kryeziut, të cilët i nisën për në Orosh ku ishte shtabi i kryengritjes. Kryengritësit dolën në Qafë të Malit duke prerë rrugën që lidhte Shkodrën me Prizrenin, u dislokuan në malin e Kreshtës dhe krijuan lidhje me Matin për të mos u ndodhur krejt të izoluar. Më 18 shkurt 1877, me iniciativën e Prend Doçit u mblodhën 600 burra nga bajrakët e Zhupës në kishën e Rubikut ku vendosën që të mos lejonin kalimin e forcave turke të Lezhës nëpër krahinën e tyre për të sulmuar kryengritësit. Kryengritësit e Mirditës, pas aksioneve të para në kufinjtë e krahinës së tyre, nuk ndërmorën asnjë aksion kundër Shkodrës. Për të mos qenë vetëm kundër ushtrive të shumta të Dervish Pashës, ata pritnin të rifillonte lufta në Mal të Zi e Serbi. Por Princ Nikolla dhe qeveria serbe, që merrnin direktiva nga Petërburgu e shtynë armëpushimin deri në mars të 1877. Ndihmat e premtuara nga Princ Nikolla, mirditasit do t'i merrnin kur të rifillonte lufta më Turqinë. Duke përfituar nga zgjatja e amëpushimit, Dervish Pasha hartoi planin e operacionit mbi Mirditën.

 

C. Operacioni turk mbi Mirditën

 

Masat e marrura nga Preng Bibë Doda për të qetësuar autoritetet turke të Shkodrës, nuk dhanë përfundimet e pritura prej tij. Ato, mbanin në këmbë të gjitha forcat rrethuese ndaj Mirditës. Drevish Pasha i informuar për mospërputhjen e qëllimeve të Prengës me ato të kryengritësve, urdhëroi në fillim të prillit të 1877 sulmin mbi Mirditën. Sulmi i përgjithshëm i ushtrive turke kundër kryengritësve filloi më 8 prill 1877. Ato të komanduara nga Aqif Pasha, Riza Beu dhe Osman Beu sulmuan nga Shkodra, Lezha, Prizreni dhe Mati Mirditën “kokëfortë”. Dërgimi kundër Lëvizjes së Mirditës i 12 mijë turqve kishte për qëllim të shuante shpejt atë, pa filluar lufta me Malin e Zi, për t'i dhënë një mësim të mirë kësaj krahine që ishte bërë prej kohësh nxitëse e luftës së krahinave të tjera kundër Perandorisë osmane. Sulmi mbi Mirditën filloi nga Naraçi më 8 prill 1877. Ai qe i rrufeshëm dhe me kombinimin e të gjitha llojeve të armatimit të kohës. Kryengritësit megjithëse të pakët në numër, me armë të vjetra e municion të pamjaftueshëm, rezistuan ditën e parë, por sulmet e 10 e 11 prillit nuk i përballuan dot dhe u tërhoqën duke lënë shumë të vrarë, e të plagosur në atë front. Më 11 prill të 1877 turqit nisën sulmin edhe nga Lezha në drejtim të Molungut. Në Manati ndodhi përplasja e parë midis tyre e banorëve të Malësisë së Lezhës, që kishin lidhur besën për të mos i lënë turqit të kalonin nëpër krahinën e tyre. Më 13 prill turqit të ndihmuar nga bajraktari i Domgjonit, kishin mundur të delnin në Qafë të Malit dhe të rrethonin Mirditën nga veriu. Më 21 prill, forcat turke prej 4 batalionesh të nisura nga Mati, nën komandën e Avdi Pashës, sulmuan nëpër Kthellë, Oroshin, duke rrethuar kështu shtabin e kryengritjes nga jugu. Në këto momente kritike për popullin e Mirditës, djemtë e së cilës kishin rrokur armët e po vriteshin me turqit në Mnellë, Naraç, Qafë Mali, Zadrimë, Pdhanë e në Kreshtë të Molungut, Prengë Bibë Doda tek i cili mbizotëroi gjithmonë pavendosmëria kërkoi më 14 prill 1877, pranë konsujve francezë e austriakë të Shkodrës, të merrej në mbrojtje nga shtetet e tyre personi i tij familjarisht. “Prengë Bibë Doda,- i shkruan konsulli francez i Shkodrës, Ministrit të Punëve të Jashtme të shtetit të vet, Dukës De Kazo-, po mbledh sot frutin e një sjelljeje të pamenduar, mendjemadhe e të kobshme… azgjëkundi,- vazhdon ai-, nuk u pa Prenga në krye të kryengritësve, i la ata vetëm dhe pa municion, megjithëse kishte marrë shuma të konsiderueshme për këtë qëllim…”. Kryengritësit pa armë e pa municion, pa ushqime dhe të papërkrahur nga Prengë Bibë Doda me përkrahës të tij, pësonin humbje në të katër anët e Mirditës nga ku kishin sulmuar turqit. Forcat turke të nisura nga Lezha thyen qëndresën e malësorëve të këtij rajoni dhe hynë nëpër Velë, Bulgër e Kryezez deri në Livadhëz, nga Naraçi ata pushtuan Mnelën e dolën mbi Kashnjet. Kryengritësit e tërhequr nga frontet ballore, si njohës të mirë të terrenit, me sulmet e befasishme, veçanërisht natën, kur turqit nuk e pritnin, u sollën humbje të konsiderueshme atyre të cilët për të mbuluar humbjet, i hidhnin në lumë ose i groposnin natën kufomat e të vrarëve. Forcat turke të nisura nga Prizreni nën komandën e Osman Beut, pasi zunë Qafën e Malit me 13 prill, pushtuan Fandin e dolën në kufi me Oroshin në mëngjesin e 21 prillit 1877. Më 22 prill, Oroshi, qendra e shtabit të kryengritjes, i rrethuar nga të katër anët prej forcave turke, ra në duart e pushtuesve. Shtabi i kryengritjes bashkë me banorët e këtij fshati, lanë shtëpitë e tyre dhe u strehuan nëpër shpellat e pyjet e bjeshkëve të Oroshit. Oroshi u nëpërkëmb nga turqit, mjaft shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën. Shtabi i kryengritjes, pa Prengë Bibë Dodën u përpoq të rimerrte forcat, të riorganizohej që, në një rast të volitshëm të përzinte turqit nga Mirdita. Më 10 maj 1877, kryengritësit sulmuan komandën turke të Oroshit, e vendosur në Kodër të Mashtërkorit dhe e përzunë përkohësisht atë. Vera dhe vjeshta e atij viti qenë nga më të vështirat për Mirditën. Fshatrat diku të djegura e diku të braktisura nga banorët e tyre u ngjanin shkretëtirave. Rreth 7000 djem të saj, të grupuar na njësi të vogla, në formë çetash qarkullonin nëpër krahinë, e përpiqeshin të siguronin armë e municion, të riorganizoheshin për t'u rënë komandave turke që u vendosën në Mirditë. Fillimi i luftës ruso-turke dhe fitorja e rusëve në Plevna të Bullgarisë, u dha zemër kryengritësve të Mirditës. Ata, duke patur besim në premtimet e Malit të Zi, iu drejtuan edhe njeherë qeverisë së atij vendi për ndihma në armë e municion. Mali i Zi, duke përfituar nga përparimi i shpejtë i ushtrive ruse në janarin e viti 1878, rifilloi luftën me turqit duke i çuar forcat e veta deri në Hot, Krajë e Anamal. Luftën me Turqinë e rifilloi edhe Serbia duke i futur forcat e saja drejt jugut, pothuajse në të gjitha territoret e banuara prej shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni

 

Ç. Rigjallërimi i kryengritjes

 

Rifillimi i luftës me Turqinë i fqinjëve ballkanas, u dha zemër kryengritësve mirditorë, pasi shpresonin në ndihmat e premtuara. Por Mali i Zi me të cilin ishin lidhur prej kohësh mirditasit, nuk ua kishte më nevojën, pasi aleati i tyre i madh, Rusia, i kishte vënë përpara turqit.

Në këto rrethana, krerët kryengritës organizuan mbledhjen e Bjeshkëve të Oroshit, më 20 janar 1878 na të cilën morën vendimin “të sulmoheshin garnizonet turke të Oroshit e Kashnjetit”. Më 25 janar të atij viti rreth 300 kryengritës nën komandën e Marka Gjonit e të Kolë Prengë Kolës sulmuan rrufeshëm e njëkohësisht garnizonin e Oroshit që nuk kishte veçse 300 ushtarë turq dhe të Kashnjetit ku ishte vendosur një bataljion i armatosur mirë në artileri. Garnizonet turke, të zëna në befasi nga sulmi i rrufeshëm i kryengritësve u shpartalluan për një herë dhe u ndoqën deri në Naraç, kufi me Shkodrën ku ishin përqëndruar forca të shumta turke. Në këto rrethana, Valiu i Shkodrës Ali Saib Pasha nisi kundër kryengritjes së ringjallur të Mirditës, Ibrahim Beun me shumë redife dhe urdhëroi myteserifët e Dibrës dhe të Matit të marshonin me ushtritë e tyre për në Mirditë. Në rrethanat e ringjalljes së kryengritjes, Prengë Bibë Doda që ishte mënjanuar nga lëvizja, i fshehur tek disa miq të tij në Mnelë, i shtyrë nga disa agjentë austriakë, njoftoi krerët e Mirditës dhe të krahinave të tjera fqinje “se nuk do të udhëhiqte më kryengritjen dhe se ishte gati të bënte marrëveshje me turqit”. Forcat turke nën komandën e Ibrahim Beut filluan sulmin mbi Mirditën më 30 janar 1878 në drejtim të Naraçit. Kryengritësit që kishin zënë ndërkohë pozitat kyçe në atë front u sollën humbje të thella ushtrive turke. Përpara kësaj qëndrese, turqit u tërhoqën përkohësisht. Më 31 janar, turqit pasi u përforcuan me repartetë freskëta dhe artileri, ndërmorën një ofensivë të tërbuar kundrë kryengritësve, të cilët megjithë qëndresën nuk mundën t'i përballonin repartet e redifeve që mbështeteshin nga artileria. Nënshkrimi po atë ditë i kushteve të paqes midis Rusëve e Turqëve, i dha mundësi komandës turke të Shkodrës, të organizonte operacionin ndëshkimor kundër Mirditës. Valiu i Shkodrës dhe Shtabi i ushtrve turke të Vilajetit vendosën t'a mbytnin në gjak kryengritjen e Mirditës, të likuidonin njëherë e mirë privilegjet e saj dhe të vendosnin këtu administratën e tyre me kaimekamë e zyrtarë osmanë. Për të realizuar këto plane, ushtritë turke u lëshuan mbi Mirditë me të gjitha mjetet e tyre shfarosëse, për ta ç'bërë këtë fole kryengritjesh. Operacioni i dytë kundër Mirditës nisi nga Shkodra dhe Lezha. Ndërkohë në Dibër e Mat përgatiteshin ushtri të tjera të marshonin dret Mirditës. Gjatë marshimit për në Orosh, turqit dogjën vetëm në Mnelë e Vig 70 shtëpi, arrestuan e i dërguan të lidhur në pranga 75 mirditas, shumica pleq. Bashkë me ushtritë turke drejt Mirditës që po digjej, marshoi edhe Dodë Gega me përkrahësit e tij, të cilët më 16 shkurt 1878, hynë për të dytën herë në Orosh. Turqit të egërsuar hynë në Orosh me urë të ndezur në dorë duke e shkretuar ç'të gjenin përpara. Tërë krahina iu nënshtrua reprezaljeve të papara. Vetëm në Orosh, ata dogjën të gjithë fshatin, masakruan e vranë shumë pleq të cilët nuk mundën të ngjiteshin në male si pjesëtarët e tjerë të familjeve. Kështu Lëvizja e Mirditës Dështoi. Lëvizja e Mirditës e viteve 1876-1878, ashtu si shumë kryengritje, që organizoi populli ynë gjatë gjithë atyre shekujve të pushtimit të zi otoman, dështoi sepse: Nuk pati një udhëheqje qendrore, një tërësi të organizuar, pasi ajo mungonte në shkallë vendi. Përpjekjet e grupit intelektual të Shkodrës nuk arritën të shndërroheshin në një udhëheqje të organizuar për malësitë tona. Udhëheqja lokale me Prengë Bibë Dodën në krye nuk mundi të përmbushte aspiratat e një popullsie të tërë e cila kishte vite që gjakosej me pushtuesit. Prengë Bibë Doda të cilit iu besua drejtimi i kryengritjes në Kuvendin e Shpalit, nuk u duk asnjëherë në front, por dhe në Orosh ku qëndroi pothuajse gjatë gjithë kohës së kryengritjes, u tregua i pavendosur. Lëvizja e Mirditës mbeti një lëvizje lokale. Megjithë përpjekjet e mjaft patriotëve dhe të grupit të Shkodrës ajo nuk u shtri në krahinat e tjera të Shqipërisë Veriore. Mirditasve kryengritës u mungonin armët, municioni, ushqimet dhe nuk patën asnjë ndihmë nga jashtë. Megjthëse dështoi, Kryengritja e Mirditës qe një ngjarje me rëndësi në historinë e saj. Ajo bëri jehonë të madhe dhe u përkrah, në fillimet e saj, nga rrethet patriotike të brendshme, bile dhe nga arbëreshët e Italisë. Lëvizja e Mirditës e këtyre viteve, qe kryengritja më e madhe e shqiptarëve kundër reformave të tanzimatit, kryengritja më e fuqishme në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dështimi i saj u dha një mësim mirditasve dhe popullsive të tjera shqiptare.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net