Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
HISTORI Për anëtarët

Ju jeni: Histori -> Krijimi i Besëlidhjes (1912)

TEMAT

  Histori që nis me Pirustët

  Mesjeta koha e re, sotme

  Mirdita gjatë pushtimit turk

  Formimi i Lidhjes së Mirditës

  Sistemi i bajrakëve

  Rilindja kombëtare

  Kryengritja e Mirditës 1862

  Kryengritja (1876-1877)

  Lidhja e Prizrenit

  Periudha fund pusht turk

  Kryengritja e vitit 1912

  Krijimi i Besëlidhjes (1912)

  Kriminaliz psikologjik (45-90)

  Edukimi përmes ndëshkimit

  Tension i madh e trazim

  Ndarja e gjallë

  Kufinjtë e të pabesueshmes

  Humbja e palëve

  

  Histori


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Krijimi i Besëlidhjes (1912)

Lufta kundër pushtuesve osmanë, pavarsisht nga sukseset e korruar në muajt prill-maj 1912, shtroi para kryengritësve të Mirditës nevojën për Bashkim edhe me krahinat e tjera fqinje. Për të siguruar këtë bashkim, kryengritësit e bajrakëve të Kthellës organizuan për këtë qëllim mbledhjen e Perlatit, më 15 maj 1912, në të cilën u thirrën edhe përfaqsues kryengritësish nga Mati dhe Dibra. Të mbledhurit lidhën besën për të luftuar bashkërisht kundër ushtrive turke që mund të mësynin krahinën e tyre nga Tirana apo Lezha. Tre ditë më vonë u mblodhën në Zejmen 30 krerë nga Mirdita dhe Bregu i Matës dhe drejtues çetash kryengritëse. Problemi kryesor që u diskutua qe; “Bashkimi dhe lufta kundër turqve”. Këtu u vendos: “…Të liheshin mënjanë armiqësitë dhe gjaqet, të sulmohej Lezha duke zaptuar fillimisht depon e armëve, për të armatosur kryengritësit dhe pasi të vendosej në atë qytet një qeveri kryengritësish, të vazhdonte sulmi në drejtim të Zadrimës dhe të Shkodrës”.

Pas këtij Kuvendi kryengritësit e Mirditës dhe të Bregut të Matës u quajtën “Të besëlidhurit”. Në zbatim të këtyre vendimeve, më 21 maj të 1912 qindra besëlidhur sulmuan forcat turke të Rroboshtës. Turqit, megjithëse të shumtë në numër nuk mundën t’u bënin ballë kryengritësve dhe u tërhoqën për në Lezhë, duke lënë 20 të vrarë dhe shumë të plagosur në atë betejë, por dhe kryengritësit patën humbje. Këtu mbeti i vrarë dhe i bërë copa-copa nga një gjyle topi, Mark Nikoll Përndoj. Po atë ditë kryengritësit e pjesës tjetër të Besëlidhur sulmuan ushtritë turke në Gomsiqe, Kurthpule e Kalivaç ata zunë rob 300 ushtarë turq, të cilët pasi i çarmatosën i lanë të kthehen në Va të Dejës. Më 28 maj mbahet Kuvendi i Shpalit, ndërkohë që më 29 maj 1912, kryengritësit sulmuan Lezhën.

Luftimet e Lezhës qenë shumë të ashpra. Kryengritësit e Mirditës treguan akte të larta trimërie e heroizmi, por qytetin nuk mundën t’a merrnin, pasi komanda turke e Shkodrës kishte dërguar që më parë përforcime të mëdha në Lezhë. Pasi siguruan një sasi armësh nga Dibra, të besëlidhurit sulmuan më 15 qershor 1912 forcat turke në vendin e quajtur “E Çara e Trapit”. Përkrah burrave kryengritës në këtë betejë luftuan dhe gratë. Kjo betejë qe tepër e përgjakshme, kryengritësit lanë në fushë-betejë 8 të vdekur ndër to dhe 2 gra si dhe mjaft të plagosur, kurse turqit lanë mbi 300 të vrarë e të plagosur. Më 22 qershor lufta u ndez e ashpër në afërsi të Zejmenit.

Atë ditë një repart turk prej 600 vetash ishte nisur nga Lezha për në Krujë për të shoqëruar Kaimekamin e Lezhës me shumë municion ngarkuar në kuaj. Të Besëlidhurit që kishin zënë shkallën e Pëdhanës e Minjollës hapën zjarr mbi repartin turk. Lufta zgjati disa orë. Kryengritësit nën parullën: “O sot o kurrë asht dita me dekë!”, u lëshuan si rrufe mbi turqit që lanë në këtë betejë 187 të vrarë e të plagosur, ndër ta dhe vetë Kaimekamin dhe 20 mushka të ngarkuara me municion e materiale të tjera luftarake në duart e kryengritësve. Këtu ra duke luftuar heroikisht Preng Nikoll Kthella. Ngjarjet e 22 qershorit u përjetsuan në vargjet:

Kush asht trim e kush asht djalë,
n’atë Zejmen të tanë me dalë.
Nisi pushka ushtime tue value,
shumë janë vra, me shumë varrue.
Menë nizamet nëpër heniqe,
plot njëqind e tetëdhjetë vigje.

1. Kuvendi i Rubikut

Beteja e Zojmenit ashtu si të gjitha betejat e tjera që u zhvilluan në pranverën e atij viti dhe fitoret e korrura, rritën moralin luftarak të të Besëlidhurve dhe njëkohësisht dhe besimin ndër ta në fitoren përfundimtare mbi pushtuesin. Por nën dritën e zhvillimeve të kohës, kur kryengritja ishte përhapur nga Kosova gjer në jug, kur veprimtaria e patriotëve Shqiptar ishte shtuar së tepërmi për te arritur autonominë e Shqipërisë në bazë të 12 pikave të kërkuara në “Librin e Kuq” të Gerçes, duheshin ndërmarrë aksione më të forta, më të organizuara. Par të shqyrtuar këto probleme u mblodh më 26 qershor 1912 Kuvendi i Rubikut. Në këtë Kuvend, përveç të Besëlidhurve u ftuan të merrnin pjesë edhe patriotë nga Kurbini, Kruja e Tirana. Pas bisedimeve që u zhvilluan në atë tubim patriotësh u vendos që të mos pushohej lufta kundër turqve deri sa ata të jepnin liritë e kërkuara nga shqiptarët. Në Rubik u vendos të sulmohej Durrësi e të ngrihej në atë qytet flamuri kombëtar si dhe të dërgohej në Prishtinë një delegacion për të mbështetut kërkesat e patriotëve shqiptarë për pavarësinë e Shqipërisë, në bisedimet me palën turke. Në Kuvendin e Rubikut morën pjesë Gjin Pjetri në emër të Kurbinit dhe Mahsar e Refik be Toptani në emër të Krujës e Tiranës.

Pas Kuvendit të Rubikut të Besëlidhurit ndërmorën dy aksione të rëndësishme kundër forcave turke. Më 15 korrik ata shpartalluan një batalion turk që mësyni nga Lezha Bregun e Matës. 50 turq që mundën të shpëtonin u kthyen rrugë e pa rrugë për në Lezhë. Kjo fitore u dha zemër kryengritësve të mësynin me 20 të atij muaji Shëngjinin, por nuk e morën dot, pasi atë e mbronin qindra ushtarë të armatosur me artileri. Më 22 korrik, ditën që forcat kryengritëse të Rrafshit të Dukagjinit hynë në Prishtinë të pritur nga populli si çlirimtarë, në Stamboll u formua një qeveri e re e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha, i cili urdhëroi të ndërpriten veprimet luftarake në Shqipëri dhe caktoi një komision për të shkuar në Kosovë që të merej vesh me shqiptarët. Më 27 korrik u nis për në Prishtinë delegacioni i caktuar në Rubik i përbërë nga Marka Gjoni, Gjin Pjetri e Avdi Toptani. Ato ditë u nisën për në Prishtinë edhe delegacionet e Krujës e të Tiranës, por bisedimet me komisionin turk të kryesuar nga Ibrahim Pasha kishin filluar më 2 gusht 1912, pa mbërritur përfaqsuesit e Shqipërisë së Epërme e të Mesme dhe as mandati i Shqipërisë së Jugut.

2. Qëndrimi ndaj ushtrive serbe

Kur Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin përpiqeshin të siguronin përkrahje nga jashtë dhe të merreshin vesh me krahinat e ndryshme të vendit, për thirrjen e një Kuvendi mbarëkombëtar, serbët pasi pushtuan Lumën, duke kaluar nga Qafa e Kumbulës hynë në Mirditë në bajrakun e Fandit. Çetat kryengritëse që vepronin në atë krah, filluan rezistencën, por ushtritë serbe deklaruan se kalonin nëpër atë krahinë vetëm duke ndjekur turqit, armikun e përbashkët. Kjo bëri që të ndërpriten veprimet luftarake me serbët. Atë natë, ushtritë serbe ngritën shatorrët rrëzë malit nga Shëngjini deri në Konaj dhe të nesërmen në Orosh. “Këto dy ditë qenë më të vështirat e udhëtimit tonë”-, shkruan njëri nga komandantët e atyre ushtrive, Kosta Novakoviç. “…udhëtuam edhe tre ditë të tjera nëpër Vaun e Madh e Fregën deri sa doli para nesh Lezha… Gjatë rrugës takonim kudo njerëz të armatosur me martina, pushkë turke apo austriake në shul, me rrethatore plot xhepat me municion krahaqafe…Ne jemi komita të krishtera u përgjigjeshin ata pyetjeve tona duke ecur krenar përskaj ushtarëve tanë, disa prej grave mbanin armë të vogla në brez dhe zakonisht thika…”.

3. Mirdita në përkrahje të qeverisë së Vlorës

Populli i Mirditës, i lodhur në luftrat e gjata kundër pushtuesve osmanë e priti me gëzim thirrjen e përfaqsuesve të Kombit në Kuvendin e Vlorës. Në tërë krahinën, mbrëmjeve pranë zjarrit dhe çetat e armatosura nëpër male, bisedonin për iniciativën e guximshme të patriotëve tanë. Mirdita caktoi për në atë Kuvend edhe përfaqsuesit e vet, por vështërsitë e mëdha të udhëtimit nuk i lejuan ata të mbërrinin në vend ditën e caktuar. Megjithë këtë, ata i miratuan të gjitha vendimet e atij Kuvendi të Madh Mbarëkombëtar.

Kuvendi i Vlorës shpalli më 28 nëntor 1912: “ Daljen e Shqipërisë më vete”. Sihariqi i madh gëzoi popullin e Mirditës, i cili pas gjithë atyre luftrave, shikonte në vendimet e atij Kuvendi mundësinë e çlirimit të vendit dhe të zhvillimit shoqëror të tij. Ky lajm i gëzueshëm u përshëndet më 1 dhjetor 1912 me brohoritje e batare pushkësh, që shoqëruan ngritjen e Flamurit Kombëtar në Kishën e Rubikut. Po atë ditë u ngrit flamuri edhe në Pushkash. Lajmi, për Daljen e Shqipërisë më vete u përhap brenda ditës në të gjithë Mirditën dhe për në Rubik u nisën përfaqsues nga të gjithë bajrakët e saj. Të nesërmen, më 2 dhjetor, në Kuvendin e këtyre përfaqsuesve u miratua përshendetja që përfaqsuesit e 12 bajraqeve, bashkë me ata të Kurbinit e të Bregut të Matës i dërguan Qeverisë së Përkohshme në Vlorë. Përfaqsuesit e 12 bajraqeve shprehnin besnikërinë e tyre ndaj qeverisë së Vlorës dhe gadishmërinë e popullsive të atyre krahinave për ti shkuar në ndihmë asaj në të gjtha rrethanat që mund të krijoheshin.

Shpalljen e pavarsisë e përshëndeti me batare pushkësh dhe popullsia e bajrakëve të Kthellës në mbledhjen e organizuar në Malaj më 25 dhjetor 1912. Në ato çaste gëzimi, atë ditë, në kumbanorën e kishës Malaj, u ngrit madhërishëm flamuri kuq e zi i kombit.

Shpallja e pavarësisë dhe krijimi i Qeverisë së Vlorës kryesuar nga I. Qemali qe kurorëzimi i tërë atyre luftrave që bëri i gjithë populli shqiptar me pushtuesit e zinj otomanë. Mirdita përfaqsonte trevën më të panënshtruar më të palëkundur, prijëse e përhershme në luftën për liri.

Shpallja e pavarësisë shënoi një etapë të re në historinë e popullit tonë, etapën e luftës për mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë dhe për vendosjen e një rendi të ri e demokratik.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net