Jeta në vitet 1944 –1954
Në nandor të vitit 1944 Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashist, pushtetin në dorë e morën komunistët. Pikpamjet nacionaliste dhe ato komuniste kishin qënë në opozicion me njëra tjetrën për të ardhmen e Shqipërisëe rrugën që ajo do të ndiqte dhe ato kishin qenë thelluar veçanërisht pas Konferencës së Mukjes më 1943 e sidomos dhe pas largimit të pushtuesve italianë nga Shqipëria.
Komunistët me propagandën e tyre për liri, demokraci e drejtësi patën arritun të banin për vete shumicën dërmuese të popullit shqiptar, i cili jetonte në varfëri e mjerim. Por realisht propaganda e tyre filloi të zvenitej dhe sa vinte e koha tregoi se kishte qënë fallco. Forcat nacionaliste që gjatë luftës Nacionalçlirimtare kishin vënë re tendencën e komunistëve se do të vendosnin në Shqipëri një diktaturë totalitare, krejt ndryshe nga në të vërtetë kishin propoganduar.
Me mbarimin e Luftës dytë botërore, kontradiktat midis komunistëve dhe nacionalistëve u thelluan dhe më tepër. Por në të vërtetë komunistët ishin në kushte më favorizuese.
Në situatën ekzistuese, ndonëse nacionalistët e dinin se lufta e tyre kundër komunizmit ishte e pashpresë, ato e filluan luftën kundër tij, duke patur në gjirin e tyre dhe ato rryma e opinione të ndryshme, të cilat përbanin nji rrezik humbje kohe e energjie, ndërsa pushteti i komunistëve vinte duke u forcuar.
Luftën antikomuniste sipas traditës e sigurisht ma i afti për ta udhëhequr ishte Mark Gjomarkaj, i dplomuar për Jurisprudencë në Itali, njeri me vizion perendimor e demokratik. Ai u vu në krye të udhëheqjes së çetave antikomuniste në veri të Shqipërisë deri sa u vra në vitin 1946, duke mbetur kështu nji hero i traditës e idealeve demokratike. U qëndroi besnik misioneve që i kishte vënë vetes. Nuk u largua nga Shqipëria, megjithëse e shihte qartë se lufta e tij ishte e pashpresë fitoreje, por donte të tregonte vlerat e tij e të demonstronte në popull dhe kundërshtarëve të tij se feja dhe besimi i shqiptarëve nuk kishte vdekur.
Mark Gjomarkaj nuk kishte asnji iluzion dhe e dinte se komunistët shqiptarë mbështeteshin në armët e hueja e kishin nga prapa nji kolonë ushtarake të fortë e të paisun më së miri.
Edhe në kohën kur shumë nacionalistë të tjerë u larguan nga lufta kundër komunizmit, ikën përmes detit, duke vendosun me shpëtue familjen pa asnji mirënjohje për popullin e vet që qëndronte në male. Ai qëndroi në veri të Shqipërisë, duke u përpjekur të organizojë rezistencën antikomuniste.
Në çetat antikomuniste në vitet 1944-1945 u përfshi dhe Gjon Pjetër Gjomarkaj, si një nacionalist, besnik i idealeve të tij. Ai bani jetën e malit sëbashku me kushërinin e tij, Preng Ded Gjomarkaj deri në prill të vitit 1945, kur Qeveria Komuniste shpalli nji amnisti për të gjithë ato që nuk kishin pasun ndonji post të rëndësishëm në rregjimet e mëparshme, faleshin dhe liheshin të lirë.
Duke i besuar amnistisë së shpallur ai qe dorëzuar për të qënë i lirë pranë të afërmëve të tij, por realisht qeveria komuniste nuk e mbajti premtimin e dhamë, Gjonin e arrestuan dhe e dërguan në burgun e Shkodrës, ku ma vonë e dënuan me dy vjet burg.
Tepër rrënqethëse janë tregimet dhe përshkrimet që Gjon Gjomarkaj ka banun kur u dorzua dhe e çuan në burgun e Shkodrës “ Isha i mbyllur në nji dhomë, qëndrova tri ditë në muret e dyshemesë e tavanit krejt çimento, gjithçka ishte e ftohtë e ashpër, mbyllja sytë dhe kërkonja mos me mendue, mos me shikue për rreth e me qëndrue i qetë e i pazemëruar”.
I lidhur kambësh e duarsh më afrohet nji karrike dhe fillojnë pyetjet:
Kush të ka ndihmuar? Ku janë shokët e tu? Cilat ishin planet tuaja?, por unë heshtja dhe isha i betuar të mbanja çdo gja sekret. Në atë moment mendova: Si asht e mundur, më asht premtuar liria dhe si shpërblim po marr torturën. Nuk shqiptoi emrin e askujt, nuk pranoi të firmosë asnji lloj procesi dhe pas disa ditë torturash e dërgojnë në burgun Nr1 të Shkodrës në pritje të gjygjit.
Burgu i Shkodrës ishte nji ndërtesë e vjetër antike, ndërtuar që në kohën e pushtimit turk. Mure të larta 4m; kangjella të larta, vrima të vogla për të kaluar nga nji pjesë në tjetrën. Drejtor burgu ishte Sotir Xharja nga Kavaja, nji njeri trashanik, komunist i bindur, por jo aq aktiv e i ashpër si kolegët e tij, siç ishte sekretari Riza Hoxha nga Shkodra.
Pasi e futën në burg, ju ban formalitete dhe ai mendonte gjithnji pasigurinë e të nesmes, ku nuk dihej se çfarë do ti ndodhte.
Rrinte dhe mendonte se si ajo gjendje mbrenda atij burgu, atij vendi të trishtueshëm sikur të kishte qënë nji kriminel, ku realisht nuk kishte kryer kurrfarë lloj faji, shfryente me vete, por kurrë nuk jepej.
E futën në nji dhomë të madhe, pa shokët e tjerë të burgut. Fytyra të trishtuara, të pa ushqyera, të ashpra, por shumë prej tyre tregonin se ishin njerëz intelektualë. Mendonte se intelektualët ishin armiqtë më të mëdhenj të komunizmit, kurse në poste drejtuese viheshin injorantë e mediokër. Kush ishte i aftë e i shquar përfundonte lehtësisht në burg.
Në burgun e Shkodrës pati një kalvar të vërtetë mundimesh e vuajtjesh, shoqëruar me survejime të shumta që bëheshin edhe nga ish të burgosur që ishin në shërbim të sigurimit të shtetit dhe jepnin të dhana se çfarë flitej e bisedohej ne dhomat e burgut. Për këta persona ai ka mbajtur shënime të shumta, që të ngjallnin neveri për ata persona që kryenin shërbime të tilla ndaj shokëve.
Jeta dhe kushtet në burg ishin tepër të vështira. Ushqim i përditshëm ishte supa pa shije e shoqëruar me bukë misri. Në nji dhomë banonin shumë vetë. Higjiena ishte krejtësisht e papranueshme. Të gjitha këto vuajtje e mundime i kapërceu falë vullnetit që kishte për të rezistuar këtë gjendje. Momente gëzimi për të ishin takimet që ai bante me të fejuarën e tij, Gjyljana Noshajn, të cilin e kishte njoh në Serreq të Dukagjinit, e kishte ndihmuar me informacione e ushqime, ilaçe për çdo gja që ai kishte nevojë. Nji vajzë guximtare, trimneshë e bujare, nji vajzë simpatike shkodrane e cila ja lehtësonte vuajtjet dhe mundimet të dashurit të saj duke qënë dhe ajo vetë e survejuar.
Disa herë vinte për ta parë në burg, për t'i dhënë kurajo e shpresë se agimi i lirisë do të vinte e do të delte prej burgut. Herën e fundit në vitin 1947 përmes kangjellave të burgut i kishte thënë se e kishin vënë në survejim e zor se kemi me u pa ma “mirupafshim Gjon, i rrodhën lot nga sytë, mbuloi fytyrën me duar dhe iku.
Ditët i kalonte në burg me ritmin gjithnji uniformë. Edhe koha në burg për të burgosurit ishte e arrestuar.
Në mesin e majit të vitit 1945, thërritet nga dy policë të cilët e nxorrën jashtë kangjellave të burgut përballë gjykatësit hetues, Zija Dibra që e priste në zyrë. Në tavolinën e tij pa proçesin e famshëm që nuk kishte pranuar për ta firmosur. Hetuesi i kërkoi përsëri të firmoste por Gjon Gjomarkaj nuk mund të ndryshonte mendimin. Në fillim hetuesi u paraqit i qetë, atëror. Mendonte se do t'ia arrinte qëllimit që të firmosej procesi, por kur pa vendosmërinë e tij filloi ta kërcënonte në kundërshtim me ligjin, se nuk duhej përdorur tortura ndaj të burgosurve, por zemërimi i tij arriti kulmin kur pa vendosmërinë për të firmos procesin dha urdhër për të filluar torturat ndaj të burgosurit 18 vjeçar. I lidhën në trup fijen e korentit elektrik duke i përshkruar trupin dhe e lanë pa ndjenja në dyshemenë e ftohët të burgut, duke i lëshuar dhe ujë të ftohtë në trup.
Pasi kaloi nji natë të tmerrshme, u gjend përsëri përballë hetuesit, ku tani i kishin sjellë nji tjetër proces verbal të reduktuar, por dhe ky i randë, ku duhej të tregonte personat me të cilët kishte qëndruar në mal dhe të tregonte udhëheqësit e tij të tjerë.
Në shtator 1945, vjen akt akuza e cila do të lexohej në gjykatë. Ishin gjithsej 17 të burgosur të tjerë. Të gjithve u lexoi akuzën prokurori Arianit Çela nga Korça sejcilit prej tyre. për Gjon Gjomarkajn ishte nji akuzë e gjatë disa faqe që e kishte parë disa herë, dhe i demostronte popullit se ishte firma e tij, por në realitet ishte nji mashtrim. Prokurori hijerëndë e mbylli fjalën e tij: “Shokë, për sa lexuam më sipër Gjon Gjomarkaj asht nji tradhtar, nji armik i popullit tonë. Ai e ka firmosur procesin për krimet e tij dhe populli kërkon drejtësi dhe do të ketë drejtësi, sepse nuk mund të jemi zemërbutë ndaj nji tradhëtari. Menjiherë Gjoni i qe përgjigjur kurrë s'kam qenë e nuk do të jem tradhtar i popullit tim, i atdheut tim, pse jam kundërshtar i rregjimit tuaj. firmën e vendosur në fund të procesit e keni vendosur me mashtrimet tueja në kohën kur unë kam qënë i torturuar nga ju. Ajo firmë është akuzë për ju. Prokurori i tërbuar nga zemërimi filloi të bërtiste përsëri me za të lartë: “ Ti je kriminel, rrjedh nga nji familje feudale tradhëtare”. Përsëri përgjigje e menjihershme e Gjonit: “Familja jonë kurrë nuk ka qënë shtypëse e shfrytëzuese e popullit të Mirditës; nuk ka qënë e pasur; vetëm ka udhëhequr në bazë të kanunit dhe traditës.
Gjygji si ndaj Gjonit dhe të burgosurve të tjerë ishte nji farsë e vërtetë, dilnin dëshmitarë persona që të burgosurit nuk i kishin parë asnjiherë gjatë jetës së tyre. pasi ishte dhanë pretenca e Prokurorit një ditë më vonë do të jepej vendimi i Gjykatës; pasi të ishte ndigjuar dhe fjala e çdo të burgosuri që do të bante mbrojtjen e tij; Gjon Gjomarkaj me shumë qetësi bani një mbrojtje; duke hedhur poshtë me neveri gjithë atë akuzë që bahej ndaj tij.
E megjithatë, kryetari i Gjykatës më në fund ngrihet dhe jep vendimin duke e dënuar Gjon Gjomarkajn pa asnji bazë me dy vjet burg dhe duke i mohuar të gjitha të drejtat civile e ushtarake. Dënimi që i ashpër për këtë të ri të pafajshëm; por ndërkohë treguan aktin i shpirtmadhësisë së tij se ai nuk u tremb dhe e përballoi akuzën me shumë vendosmëri e trimëri.
Pasi kreu dëimin prej dy vjetësh torturash në burgun e Shkodrës; i komunikohet dalja jashtë atyre kangjellave të tmerrshme, ku i pat qenë mohuar çdo lloj lirie për herë të parë kur del tek porta e tij merr frymë lirisht dhe gëzimi i shtohet kur venë re se po prisnin miku i tij Gaspër Tirana dhe e fejuara Gjyljana Noshaj.
Kaloj nji javë në qytetin e Shkodrës me mikun dhe njeriun e zemrës; Gjylin; me të cilën shëtiste i lumtur në lulishtet e qytetit dhe në bregun e Liqenit të Shkodrës; nga ku merrnin energji për dashurinë që po merte formë midis tyre.
Pas 1 jave shkon në Ndërshenë; vendlindjen e dashur; për t'u çmall e takuar të rinjtë e fshatit të cilët e donin dhe e respektonin. Kthehet në Shkodër; por askund nuk mund të gjente punë.
Megjithëse ishte në kushte të vështira ban martesën me Gjyljanën. Dasma e tyre u ba pa kurrëfarë ceremonie për shkak të rrethanave që u ishin krijuar dy bashkëshortëve nga persekutimi komunist. Papunësia u krijoi vështirësi të shumta jetese; por ato disi u përballuan falë punës që bante Gjyli e cila ishte një mjeshtre e vërtetë artizane; që me qëndisjet e saja që përgatiste dhe i shisnin fitonin aq para sa për të mbajtur frymën gjallë.
Gjatë vitit 1947 në Shqipëri u ngritën disa brigada me pune të përqëndruar ku bëhej punë e përqëndruar; e zakonisht në të dërgoheshin mjaft të rinj nga familjet e persekutuara. Gjon Gjomarkaj do të ishte vazhdimisht i shënuar për marrë pjesë në këto brigada; në hekurudhën Durrës – Elbasan dhe vazhdimisht dallohej në punë dhe admirohej për sjelljen e qëndrimit që mbante. Në korrik të vitit 1947; kur ishte në kampin e punës në Kavajë; erdhi urdhëri me zgjedh në mes të rinjve ma të dalluarit, me formuar nji brigadë speciale në Rrogozhinë, ku do të punohej 6 orë dhe do të bahej nji kurs sanitar. Në këtë brigadë që zgjedh dhe Gjon Gjomarkaj dhe përfundoi me rezultate të shkëlqyera, doli i pari midis (500 kursantëve dhe ky lajm që dhanë në gazetën Bashkimi, por emri i tij ishtë shënuar Gjon Pjetri.
Pasi rriti këto rezultate të larta e dërgojnë përsëri në një kurs tjetër në Tiranë për teknik radiologjie të cilën e mbaron me rezultate të shkëlqyera.
Kthehet në Shkodër dhe filloi të punojë si laburant në spitalin e qytetit, por kjo nuk zgjati shumë. Shpejt u njohën me biografinë e tij (relacionet për këtë vinin nga Mirdita) dhe menjëherë pushohet nga puna, dhe me shumë vështirësi pat arritur të gjente punë si punëtor krahu.
Në fillim të vitit 1949 thirret për të kryer shërbimin ushtarak në Pogradec. Largohet kështu nga Shkodra, nga bashkëshortja e tij Gjyljana, e cila së shpejti do të priste dhe lindjen e fëmijës së parë. Gjatë shërbimit ushtarak ndjente ankthin e të qënurit larg bashkëshortes dhe malli për të nuk i largohej, mezi priste t'i vinte lajmi i lindjes së fëmijës së parë, dhe ky lajm nuk vonoi. I kishte lindur djalë të cilin e pakëzuan me emrin Pjerin.
Në 7 Gusht 1949 në Mirditë vritet Bardhok Biba, deputeti i Mirditës, drejtuesi i Partisë Komuniste, ish kushrini i Gjon Gjomarkajt. Lajmin për vrasjen e tij e mori përmes bashkëshortes së tij e cila me anë të një letre e porosiste me kujdes se nuk kishte rrugë tjetër veçse të arratisej nga Shqipëria se do ta kapnin. “Arratisu, ik edhe njëherë ke hallallin nga ana ime. Për mua më mirë të jesh larg e gjallë, se sa afër e i vdekur”.
Pushteti komunist në hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, vari 4 vetë në litar, pushkatoi 10 mirditas të tjerë dhe i hodhën në një varr të përbashkët dhe u internuan në kampe përqëndrimi mëse 500 vetë.
Në nji takim me Gjon Gjomarkajn në Palermo në dhjetor 2002, në vendin ku banon e jeton aktualisht, vuna re se ai vërtetë ndjente keqardhje për atë vrasje, por ja që kështu thonte është jeta. Idealet dhe pikpamjet e ndryshme të ndajnë me vllaun, kur luftohet në kampe të ndryshme kundërshtare, qëllon që sejcili mund të humb jetën për të realizuar qëllimet e veta.
Në ato momente të vështira të gushtit 1949, Gjon Gjomarkaj përgatit planin e arratisjes nga Shqipëria. Në realizimin e këtij plani e ndihmonte nji nënoficer nga Korça, i cili megjithëse ishte komunist kishte pikpamje demokratike. I armatosur niset drejt kufinit grek. Lodhje e stërmundime gjatë rrugës së panjohur. Në përpjekje me forcat komuniste shqiptare e greke merr 5 plagë. Në njërën prej tyre plagoset rëndë në kambë dhe detyrohet të shtrohet në Spitalet e Kastorias e ma vonë në atë të Athinës, ku qëndron për nji kohë të gjatë.
Sëmundja në njërën anë, vetmia e larg familjes e shqetësonin pa masë, por ma në fund falë kujdesit që tregoi Komisioni O.N.U. që bante kontrollin e incidenteve në kufijtë e Ballkanit, pasi e intervistuan tue i kërkuar të dhana mbi gjendjen e tij dhe atë të Shqipërisë, u tha atyre se kërkonte vetëm të mos i këputej kamba që e kishte plagosur shumë randë. U kërkoi ndërkohë që të ndihmohej për të shkuar në në Athinë, si dhe të mos prekej, të ruante me çdo kusht gjithë dokumentacionin që mbante në çantën e tij personale.
Pasi u sigurua nga mjekët se nuk kishte ma probleme të rënda shëndetsore, kërkon të largohet nga Greqia dhe me 3 maj 1951 hyp në nji motoskaf me drejtimin Pire-Venezia, me ndalesë në Bari. Shkonte kështu gjithnji e më larg atdheut, larg familjes e djalit të tij, drejt nji të nesërme të errët e të frikshme, në të cilën nuk mund të dallonte asgja. Piroskafi iu afrua Barit dhe midis gjithë udhëtarëve, zbret në qytetin e panjohur ku asnjeri nuk e priste.
Kërkon nji tren që të shkonte në Romë, kishte nevojë të shihte nji fytyrë shqiptari e të dëgjonte gjuhën që e kuptonte, por në tren dëgjonte biseda pa marrë vesht asgjë pasi nuk e dinte gjuhën italiane. Shikonte nga dritarja peisazhet e bukura natyrore, shihte fshatarët duke punuar dhe mendonte e buzëqeshte, se ato janë njëlloj kudo. Treni pothuajse fluturonte dhe arriti në stacionin e Romës, ngjitet në nji taksi për të shkuar tek kushrini i tij, përsëri në rrugë të panjohura. Pjerin Gjon Gjomarkaj, para viteve '90 ekaloj pjesën më të madhe të jetës në internim në Hajmel. Me akuza fallso e me dëshmitarë të rremë qe burgosur në Spaç të Mirditës, vetëm e vetëm se cilësohej i biri i një të arratisuri politik. Në vitin 1990 kishte varrosur nënën e tij. Shkon në Itali (Palermo) me gruan e dy fëmijët e vet. Në vitin 1993 u emigrua në Kanada ku punon dhe jeton. Dy fëmijët e tij janë me rezultate të shkëlqyera në univeristetin e Ottavës. |