HISTORI QË NIS ME PIRUSTËT
MIRDITA ARKEOLOGJIKE
Arkeologjia është
një shkencë historike, e cila zbulon dhe analizon
gjurmët e njerëzimit në kulturat parahistorike,
para lindjes së dokumentave të shkruar. Gërmohet
për të gjetur vendbanime të lashta e
varre, për të zbuluar materialet dhe teknikat
e ndërtimit të tyre, stolitë, veglat
e punës, armët etj. Forma, ngjyra, dekoracioni,
mjeshtria ndryshojnë me kalimin e viteve, duke
u dhënë mundësi shkencëtarëve
që të datojnë gjetjet e lashta. Kështu
epokat arkeologjike në Europë dallohen:
- koha e gurit deri rreth vitit 2600 p.e.s.
- koha e bakrit deri në vitin 2100 p.e.s.
- koha e bronzit pas vitit 2100 p.e.s.
- koha e hekurit midis viteve 1100-500 p.e.s.
- periudha e qyteteve Ilire, rreth viteve 500-200 p.e.s.
- periudha e pushtimit romak nga viti 200 p.e.s. deri
në vitin 400 e.s.
- periudha e hershme bizantine, rreth viteve 400-500
e.s.
Nëpër këto periudha lëviz dhe arkeologjia
shqiptare dhe ajo e Mirditës.
Monumentet arkeologjike të Mirditës i përkasin
kryesisht mesjetës së hershme shqiptare, që
njihet ndryshe me emrin: Periudha Arbërore. Dëshmi
janë varrezat e shumta zbuluar pothuajse në
gjithë territorin e Mirditës: Kaçinar,
Bukmirë, Shpal, Bukël, Malaj, Tarazh, Sheshaj,
Përlat, Prosek, Baz etj. Varret e kësaj treve
janë në traditën e të ndërtuarit
të varreve në Shqipëri që nga periudha
e hershme e bronzit, rreth 2000 vjet p.e.s. Në
to janë zbuluar sende të përdorimit të
përditshëm, ku ndër më të rëndësishmet
vlerësohen veglat e punës, stolitë, armët
(thika, sopata, maja heshtash e shigjetash, mburoja,
fibula, vathë, varëse etj.)
Materiali arkeologjik i vorrezave arbërore ka ngjashmëri
me fondin e kulturës ilire të gjetur dhe ne
treva të tjera të Shqipërisë.
Në Mirditë ka mjaft monumente arkeologjike
që presin eksplorimin e mëtejshëm, siç
është fusha Papërdhok në Kalor etj.
Gjetjet arkeologjike të Përlatit, Gëziqit,
Mërkurthit, Bukmirës etj, janë dëshmitë
e para të jetesës në këtë trevë.
Ato i përkasin periudhës së gurit të
latuar dhe datohen rreth 4500-2500 vjet p.e.s. Të
dhënat janë zbuluar kryesisht në shpellat
e Mërkurthit, të Valit etj, çka flet
se vendbanimet e para kanë qenë shpellat.
Në të gjitha periudhat që nga neoliti
i vonë, bronzit, e hekurit kemi vijimësinë
e jetës në Mirditë. Jetesa me ato çka
u dhuronte natyra, për shumë kohë u shoqërua
edhe me përgatitjen e veglave të punës
dhe të armëve.
Dalja e bakrit e sidomos e bronzit, sjell transformime
të rëndësishme jo vetëm në
sigurimin e ushqimit dhe mbrojtjen nga egërsirat,
por dhe mbrojtjen nga grupet rivale, të cilat kishin
filluar të përvijonin ngulimet e tyre, por
dhe kërkonin vazhdimisht ngulime të reja më
të përshtatshme për jetesë. Në
këtë mënyrë, filloi organizimi i
njerëzve në grupe dhe fise që zotëronin
territore ende të papërcaktuara. Në këtë
periudhë kemi dhe ngjizjen e fisit të pirustëve
me një shtrirje relativisht të gjerë.
Gërmimet arkeologjike të kryera në vende
të ndryshme si në Përlat, Baz, Urakë
etj, flasin për një prani të madhe të
popullsisë ilire që nga shekulli VIII-VII
p.e.s.
PIRUSTËT
Gjeografët dhe historianët i vendosin Pirustët
në Mirditën etnologjike si dhe në Matin
e mesëm. Territori i tyre ishte kodrinor,malor
dhe mineralmbajtës. Këta banorë duke
shfrytëzuar pasuritë natyrore, të cilat
duhet të kenë qenë më së shumti
në sipërfaqe, filluan mjeshtërinë
e përpunimit të metaleve, bakrit, arit, argjendit.
Dëshmi janë të dhënat për ekzistencën
e minierave të Bulgërit dhe të Fanit,
por dhe mbetjet e shumta të shkrirjeve, si dhe
emërtimet që kanë lidhje me zejet e metaleve:
farkë, gurë etj. Mbështetur në këtë
mjeshtëri të njohur të tyre, perandori
romak Trajani transferoi shumë pirustë në
Transilvani për përpunimin e arit.
Iliria, duke zënë territorin më të
madh të Ballkanit, tërhoqi vemendjen e Romakëve
që ishin të etur për pushtim territoresh
dhe pasurim të vazhdueshëm. Fillimisht Pirustët
qëndruan asnjanës ndaj sulmeve që romakët
bënë ndaj fiseve të tjera ilire, por
kjo s’do të vazhdonte gjatë, pasi do
të kërcënoheshin dhe ata. Lufta politike
midis Pompeut dhe Qezarit joshi Pirustët për
të sulmuar zotërimet e Qezarit në jug
dhe pasi i zotëruan ato u drejtuan drejt Romës.
Qezari nuhati pasojat, ndërpreu luftën me
Galinë dhe përqëndroi tërë
forcat kundër pirustëve të cilët
për afro 50 vjet nuk u ngritën më, por
ruajtën territoret e tyre nga ndonjë sulm
i mundshëm. Pas luftrave të shumta dhe qëndresës
së fiseve Ilire dhe të Pirustëve, ata
në vitin 12 të e.s. u mundën keqas. Lufta
me Romën fisit të Pirustëve i kushtoi
shtrenjt, popullsia u pakësua dukshëm qoftë
nga lufta, por dhe nga skllavërimi i banorëve,
djegjet, plaçkitjet etj. Krahina e rralluar prej
banorëve është ripopulluar në kohët
e mëvonshme, si nga shtesa natyrore e popullsisë,
ashtu dhe nga ardhjet prej territoreve të tjera,
siç lëvizin njerëzit në çdo
kohë të historisë.
Kështu dalëngadalë vendin e bashkësive
fisnore e zunë bashkësitë fshatare. Formimi
i këtyre bashkësive çoi në ngushtimin
e territorit të fisit të Pirustëve dhe
kështu shfaqet një emërtim i ri në
përputhje me gjeografinë e re - Ndërfandë.
Sipas gjasëve, i njëkohshëm me kalimin
e emërimit Iliri në Arbëri.
Gjetja e objekteve të njejta në të gjithë
territorin në të cilin shtrihet Mirdita etnologjike,
është tregues i jetës në vijimësi
të pandërprerë nga i njejti popull.
Zbulimet arkeologjike jo të pakta në Prosek,
Përlat, Kaçinar, Bukël, Tarazh, Malaj,
Bukmirë, Kodër Rrëshen etj, dëshmojnë
për një kulturë të zhvilluar materiale
në mesjetën e hershme dhe midise. Veglat e
gjuetisë dhe të punës janë treguesit
më të rëndësishëm të zhvillimit
të kësaj popullsie, duke mos përjashtuar
këtu dhe zbukurimet e veshjeve të grave të
kësaj treve
SHTETI I ARBËRIT
Ndër gjetjet më me vlerë,
jo vetëm të Mirditës, është
Stema e Arbërit e zbuluar në Gëziq, në
rrënojat e kishës së vjetër të
Ndërfanës. Stema është një
shqiponjë me një kokë, me vështrim
djathtas. Sipas të dhënave është
simbol i Dukagjinëve. Së bashku me këtë,
është gjetur dhe Mbishkrimi epigrafik i arkitraut
të Bazilikës së Shënpremtes së
Ndërfanës. Dokumentet, sëpari përmendin
Progonin, i cili kishte hedhur themelet e shtetit që
në fund të shekullit XII dhe kishte sunduar
Arbërinë për 9 vjet, deri në vitin
1199, kur do t’ia linte drejtimin e shtetit djalit
tij të madh Gjinit, i cili për gjatë
8 vjetëve sundim do t’a konsolidonte këtë
shtet. Më pas është Dhimitri, që
po 8 vjet do të jetë në krye të
shtetit, deri në vitin 1215, në kulmin e lulëzimit
të tij.
Ku e kishte selinë Shteti i Arbërit? Të
dhënat e derisotme janë në favor të
Ndërfanës, pasi në këtë kohë
ishte një qendër e rëndësishme fetare
dhe mbishkrimi i gjetur mund të hedhë dritë
mbi princët e Arbërisë dhe epiqendrën
e shtetit të tyre.
Arbërit dhe territoret që zotëronin shpesh
u bënë lakmi e interesave të Perandorisë
Romake të lindjes dhe princëve të ndryshëm
të perendimit, por dhe e mbretrive të sllavëve
të jugut. Lufta me pushtuesit Anzhuinë ishte
fillimi i një lufte të re, që do të
ndiqej nga pushtime të tjerë. Viti 1279 është
viti i humbjes së parë për arbërorët,
pasi humbën në luftë dy përfaqësues
të shquar të dy dyerve të mëdha
të kohës: Vlad Blinishtin dhe themeluesin
e derës së Dukagjinëve, Duka Gjin Tanushin.
Familja Blinishti shfaqet fillimthi si dera më
me zë e mesjetës. Ka dhe një fshat në
Zadrimë që quhet Blinisht me banorë të
shpërngulur nga malet e Mirditës. Në
shekullin XII-XIV, kur kjo familje pati zenitin e saj,
Shënpali, vetëm dy kilometra prej Blinishtit,
kishte Kuvendin Benediktin, një nga kuvendet më
të rëndësishëm të Arbërisë
në kohën e mesjetës. Nuk ka të dhëna
se kishte një kuvend të tillë në
Blinisht të Zadrimës (kisha e këtij fshati
mban emrin e kishës së Blinishtit të
Mirditës, Shën Shtjefni). Familja Blinishti
falë diplomacisë së saj zgjeroi mjaft
territoret. Mirëpo rritja e kësaj dere solli
konflikte të shumta midis sundimtarëve të
tjerë arbërorë, por dhe me serbët,
duke humbur dhe luftën me këta të fundit.
Një ndër dyert që po rivalizonte hapur
me atë të Blinishtëve ishin Dukagjinët.
Pas kreyngritjeve të viteve 1319-1336, kur në
territoret e Blinishtëve po vendoseshin Dukagjinët,
një pjesë e popullsisë për t’i
shpëtuar sundimtarit të ri u nis drejt fushës
,duke u vendosur kryesisht në Zadrimë e duke
marrë me vete dhe emrin e fshatit prej nga erdhën,
tipar ky i mjaft banorëve që shpërngulen
nga njëri territor në tjetrin. Dukagjinët
siguruan daljen në Adriatik dhe sunduan mjaft territore.
Jemi në një periudhë kur ka mjaft lëvizje
të popullsisë nga njëri territor në
tjetrin, nxitur nga pushtimet e ndryshme, por dhe për
të siguruar kushte më të mira jetese.
Kësisoj nis e shfaqet dukuria e dobësimit
të fisit dhe e krijimit të bashkësive
fshatare mbi bazë territoresh të përbashkëta.
Për shumë kohë territori që zotëronin
Dukagjinët do të përkonte me territorin
që do të quhej Mirditë më vonë.
Toponimet e shumta me emrin Lekë në Mirditë,
që çojnë tek Lekë Dukagjini, janë
një dëshmi që në këto troje
sundimtarë kanë qenë Dukagjinët.
Kuvendet Benediktine të Shpalit dhe i Shënllezhdrit
në Orosh, Stema e Arbërit në Ndërfanë,
janë tregues se zotërit e këtyre territoreve,
pavarësisht emrave të tyre, e kanë patur
epiqendrën në këtë vijë qendrash
të afërta me njëra-tjetrën.
Në vitin 1417 për herë të parë
në rregjistrat kadastralë të Venedikut,
gjejmë emrin Mirditë, si mbiemër i Gjon
e Pjetër Mirditës, në Manzabardh të
Shkodrës, tregues ky se emri i fshatit apo krahinës,
ka qenë i formësuar më parë se ata
të linin trojet e tyre, të paktën që
me rënien e derës së Blinishtëve,
derë e cila ka qenë shumë afër vendit
prej të cilit mendohet se ka dalë e ka marrë
përhapje emri Mirditë.
|