MIRDITA NË PERIUDHËN
E FUNDIT TË PUSHTIMIT TURK
1. Ngjarjet e viteve 1911 në Mirditë
Gjatë vitit 1910 mirditasit nuk këmbyen
asnjë zjarr armësh me turqit e rinj sadoqë
ata vazhdonin të kërkonin dorëzimin e
armëve dhe mobilizimin e rekrutëve. Në
vitin 1911 kjo gjëndje “qetësie”
ndryshoi. Malet e Mirditës po mbusheshin me çeta
komitësh, veçse veprimtaria e tyre ishte
e përqëndruar kryesisht në sulmet ndaj
garnizoneve osmane të Kashnjetit, të Oroshit
dhe të Rrëshenit. Sulmet e tyre ndaj këtyre
pikave, i detyruan autoritetet turke të Shkodrës,
të dërgonin për në këtë
krahinë 4 batalione redifësh që kishin
kishin mobilizuar për ruajtjen e qytetit. Veprimtaria
kryengritëse në këtë rajon mori
karakter të vendosur në bajrakët e Kthellës,
në janar 1911.
Çetat e këtyre bajrakëve rrethuan qeveritarin
turk të Rrëshenit, i cili kishte marrë
urdhër nga qeveritarët e Durrësit, të
mobilizonin rekrutët e regjistruar gjatë vitit
1910. Mydyrri i Rrëshenit duke mos patur forca
për të qëndruar, ai kishte vetëm
15 zapti me vete, u largua nga Rrësheni më
1 shkurt të atij viti. Autoritetet turke të
Durrësit, duke menduar se konflikti me banorët
e këtij krahu vinte si rrjedhojë e qënies
musliman të Mydyrrit, caktuan përkohësisht
si zëvendës të tij Çaushin e zaptive
për Rrëshenin, Preng Nikoll Gjokën. Kjo
nuk i qetësoi kryengritësit e Kthellës,
përkundrazi ajo nxiti krerët të organizonin
mbledhje në çdo bajrak e të lidhninm
besën midis tyre për të mos iu nënshtruar
administratës së re turke. Në mars 1911
përfaqësuesit e bajraqeve të Selitës,
Kthellës dhe Rrëzës u mblodhën në
Kodër të Liqenit, lidhën besën dhe
vendosën: “…Të mos dorëzonin
armët, të mos jepnin taksën për
bagëti dhe të mos shkonin në ushtirtë
turke…”. “…Në kohën
e fundit,- raportonte Konsulli Austro-Hungarez i Durrësit,-
ketu ka zënë vend kërkesa për autonomi.
Dëshira për pavarsi qenka mbjellë në
malësitë e këtushme prej të ardhurve
nga Kosova…”.
Në mars të vitit 1911 plasi kryengritja e
Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin
në krye. Kelmendasit i çuan fjalë Mirditës
të mos dorëzonte armët e të bashkohej
në luftën kundër armikut shekullor. Gatishmërinë
e shpërthimit të kryengritjes në Mirditë
e shfrytëzoi arbëreshi Terenc Toçi,
i cili ishte nën influencën e qarqeve qeveritare
italiane. Ai organizoi mbledhjen e disa “përfaqsuesve”
të Mirditës e të disa krahinave të
tjera fqinje, më 22 prill 1911 në Kimëz.
Ai ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë
e Shqipërisë. Terenc Toçi u lexoi të
pranishmëve një thirrje në të cilën
thuhej: “…Të ngrihen të pangriturit
e të rroknin armët që të bëhej
Shqipëria vetëm për Shqiptarët,
e lirë dhe veturdhëruese…”. Kjo
qeveri qe një akt formal, dhe nuk u përfill
në botën diplomatike të jashtme e as
mori mbështetje në krahinat e tjera Shqiptare.
Në platformën e shpërthimit të kryengritjes
në Mirditë dhe krahinat fqinje të saj,
Toçi parashikonte çlirimin e Lezhës
për të dalë në Shëngjin prej
kah do të vinin ndihmat italiane, pastaj do të
sulmohej Kruja e do të ngrihej mbi gërmadhat
e kalasë së krujës flamuri kuq e zi i
Shqipërisë. Vendimet e Kimzës u përkrahën
nga Zadrima, Mëshkalla, Mazreku dhe Sheldia përfaqsuesit
e të cilave kishin marrë pjesë në
mbledhjen e Kimzës. Gjendja e kryengritjes përfshiu
një territor të gjerë në Shqipërinë
Veriore, ku rolin kryesor e luanin Mirdita dhe Malësia
e Madhe. Po ndërsa kryengritjen në Malësi
të Madhe e udhëhiqnin Dedë Gjo Luli,
Mehmet Shpendi e Luigj Gurakuqi në Mirditë
e udhëhiqte Terenc Toçi, njeri me prestigjin
e duhur në këtë zonë. Preng Bib
Doda në këtë kohë ndodhej në
Shkodër.
Për të ulur turrin e mirditasve, Veli Pasha
nisi në maj të atij viti ushtritë për
në Mirditë. Betejat midis ushtrive turke dhe
të atyre kryengritëse të Mirditës,
të zhvilluara më 14-16 maj në Mnelë,
Naraç, Gomsiqe e Kallmet qenë ndër
më të përgjakshmet. Ushria turke la në
fushën e betejës 750 ushtarë si dhe 7
mylazima, kurse nga kryengritësit 20 të vrarë
e rreth 40 të plagosur. Megjithë sukseset
e korrura në luftimet e majit, ushtrive të
shumta turke, armëve me qitje të largët
e artilerisë së tyre nuk mund t’u bëhej
ballë për shumë kohë, me armët
e pakta e të vjetra, kryesisht huta, pushkë
më stralle e pak novica, prandaj kryengritësit
nisën 25 burra për në Mal të Zi,
për të marrë 2000 pushkët e premtuara
qysh më parë. Por Mali i Zi si gjithmonë
armik i shqiptarëve, e vlerësonte të
panevojshme, madje e shihte si pengesë për
politikën e tij, lëvizjen e shqiptarëve
të veriut me flamurin kombëtar, prandaj nuk
i dhanë armët e premtuara. Mirditasit u kthyen
duarbosh nga Cetina.
Në këto rethana ata nisën 7 persona për
në Itali, për të kërkuar armë
e municion. Ndërkohë turqit përgatiteshin
t’i binin me ushtri të shumta Mirditës,
për të shpartalluar lëvizjen e tyre.
Kryengritësit, të informuar për përgatitjet
që po bëheshin në Shkodër kundër
tyre, nëndrejtimin e Prengë Marka Prengës
sulmuan më 4 qershor të atij viti Lezhën,
çliruan gjysmën e qytetit dhe ngritën
flamurin kombëtar në kala të Lezhës.
Garnizonit të Lezhës i erdhën ndihma
nga Shëngjini, ku ishin dislokuar shumë ushtri
turke për të mos lejuar ndërhyrjen italiane,
veçanërisht armët e municionin e kërkuar
nga kryengritësit. Pa mundur të përballonin
ushtritë e shumta turke dhe armët moderne
të kohës të tyre, kryengritësit
u tëhoqën, për të pritur armët
e municionin që mund të vinte nga jashtë,për
të rimarrë forcat e për t’u rënë
në rrethana të reja e më të favorshme
përfundimisht turqve. Pas ndërprerjes së
përkohshme të kryengritjes, në Mirditë
ajo u ndez e furishme në korrik-gusht të atij
viti në Velë e në Fand. Që në
vitin 1910, për të mos iu nënshtruar
kërkesave të Sh. T. Pashës mjaft velnjakë
me Kolë Tomën në krye dolën malit
duke formuar një çetë të vogël.
Çeta e Velës u bë e njohur, veçanërisht
në vitin 1911 pas pjesmarrjes së saj në
ngjarjet e Rrëshenit dhe qëndresën ndaj
ushtrive turke të garnizonit të Lezhës
në korrikun e vitit 1911.
Kaimekami i Lezhës, Muhamet Insan, pasi mori pëlqimin
e Valiut të Shkodrës, organizoi më 25
korrik 1911 një ekspeditë kundër çetës
“zullumçare” të Velës.
Ekspedita e Kaimekamit, megjithëse përdori
dhunën e pamëshirshme, dështoi. Kryengritësit
velnjakë, të cilët kishin zënë
pozicione të përshtatshme e kyçe, i
detyruan turqit të tërhiqeshin. në korrik-gusht
të atij viti kur çeta e Velës me Kolë
Tomën, luftonte për jetë a vdekje me
ushtritë turke të garnizonit të Lezhës,
Kaimekami i Mirditës ali Fehmiu, me urdhër
të Valiut të Shkodrës mësyni Fandin
me 150 ushtarë, për të shuar veprimtarinë
keqbërëse e kryengritëse të atij
krahu. Kaimekami u fut thellë në zonën
e Fandit, deri sa më 17 gusht të vitit 1911
u rrethua keqas prej komitës në qelë
të kishës së Fandit dhe u shpartalluan
duke lënë disa të vrarë dhe krejt
armët e municionin në duart e kryengritësve.
Kaimekami me ushtarët e çarmatosur u kthye
i mundur në Orosh. Ngjarjet e zhvilluara në
territoret e Mirditës gjatë vitit 1911, megjithëse
spontane e të shkëputura nga njëra-tjetra,
treguan se djemta e kësaj krahine ishin gati të
rroknin armët nën një udhëheqje
kombëtare për lirinë e vatanit. Ato qenë
prelud i pjesëmarrjes së Mirditës në
Kryengritjen e përgjithshme shqiptare për
pavarsi.
|