NIKOLL TOMA
Nji Mirditas Në Vatikan -monografi mbi Gjon Gjomarkajn
FËMIJËRIA DHE ORIGJINA E FAMILJES
Në Shqipërinë veriore, midis lumejve Mat dhe Drin ndodhet nji krahinë me emrin e bukur, MIRDITË, dhe në verilindje të saj në rranxën e malit Nanshejtit, fshati i bukur i NDËRSHENËS, ku banonte familja e PJETËR PRENG GJONMARKAJT. Ai qe rritur në mjedisin e kësaj familje të dëgjuar princërore, që pat kultivuar në shekuj idenë e pavarësisë e të mos nënshtrimit ndaj çdo pushtuesi të huaj, që Mirdita të qeverisej në bazë të dokeve të saja.
Pjetër Gjomarkaj pati gëzimin e madh të krijimit të familjes me lindjen e 4 djemve dhe dy vajzave. GJON GJOMARKAJ, ishte djali i tretë i Pjetrit. Ai u lind me 16 gusht 1927. Që në vitet e para të jetës u ndesh me vështirësi të shumta ekonomike, e fatkeqësi të jashtëzakonshme që ndiqnin njëra tjetrën.
Në vitin 1931 i vdiq nana, dhe për të përballuar më mirë jetesën, familja qe vendosur në Qafmollë. Por edhe këtu nuk iu ndanë fatkeqësitë. Vëllai i tij ma i vogli, Prenga u dogj në zjarr, dhe në vitin 1933 i vdiq babai në moshën 47 vjeçare, duke mbetur kështu jetim në nji gjëndje tepër të vështirë ekonomike.
Duke e parë gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin fëmijët e Pjetër Gjomarkajt, kujdesi për ta e morën xhaxhallarët e tyre Gjoka e sidomos Deda, të cilët u përpoqën me të gjitha mundësitë e tyre në përputhje me kushtet e kohës për t'i ushqyer këta fëmijë jetimë dhe për t'u dhanë atyre shkollë.
Gjon Gjomarkaj, mësimet e para i mori në shkollën e Oroshit, në fillim duke bamun nji rrugë të gjatë, ku përballohej me të ftohtit e dimrit, e ndonjiherë dhe pa ngranë, me mungesën e librave dhe të fletoreve, dhe pas vitit të parë ai doli i pari i klasës dhe ju dha bursë për në konviktin e Oroshit dhe shkollën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në mësime.
Mësuesit shkodranë duke parë rezultatet e tij i patën rekomanduar të vazhdonte më tej shkollën, por ai nuk mundi të marrë bursë për dy vite me radhë. Pas dy vjetësh me ndihmën e Beqir Valterit, i cili kishte miqësi me Ministrin e atëhershëm të Arsimit, i krijoi mundësinë që të vazhdonte mësimet pasi të konkuronte për shkollën e mesme.
Konkurohej për 17 bursa nga 150 konkurues dhe Gjon Gjomarkaj fiton konkursin për në shkollën e Mesme Bujqësore në Golem të Kavajës, nji shkollë me reputacion shumë të madh për atë kohë, e cila qe hapur nën kujdesin e amerikanëve.
Jeta në shkollën e Kavajës për Gjonin ishte shumë interesante. Tani ai ishte më i pjekur, i pëlqenin mësimet, dita për të ishte më e qetë, jeta në shkollë ishte më e bukur. Në bankat e shkollës, të rinjtë krahas mësimit filluan të diskutonin dhe për probleme politike e ekonomike në të cilën ndodhej Shqipëria.
7 prilli i vitit 1939 e gjeti në bankat e shkollës. Shqipëria u pushtua nga fashistët e Musolinit. Gjoni si dhe mjaft të rinj të tjerë të kësaj shkolle e pritën me urrejtje e indinjatë këtë pushtim. Që në vegjëli ai ishte edukuar me ndjenjën e nacionalizmit, i ishte mbrujtur ideja e përbuzjes së çdo dominimi të huej dhe rrinte e mendonte fashistët italianë janë të parët që po pushtojnë Mirditën time e cila ka qënë gjatë gjithë historisë e panënshtruar nga të huajt.
Urrejtja për fashistët italianë, si në mbarë rininë shkollore shqiptare sa vinte e rritej dhe në shkollën e mesme në Kavajë. Nxënësit e kësaj shkolle filluan të organizonin manifestime e protesta kundër pushtuesve fashistë. Këto veprimtari patriotike e atdhetare, Gjon Gjomarkaj i ndiqte dhe ishte pjesmarrës i vazhdueshëm në to, duke treguar kurdoherë zgjuarsi dhe qetësi e ekuilibër.
Në shkollën e Kavajës filluan të bëheshin dhe organizimet e para politike partiake, por ai nuk mori pjesë në asnji nga këto grupime politike. Fliste hapur kundër pushtimit fashist dhe ndonëse në moshë të re, dënoi gabimin e rëndë që bani kapidani i Mirditës Gjon Marka Gjon, i cili përkrahu manovrat e pushtimit fashist, duke u bamë kështu pjesë e qeverisë fashiste, ishte senatori i Italisë, veprim ky që binte ndesh me traditën e shndritshme të indipendetizmit që kishte ndjekur familja e Gjomarkajve dhe vetë Mirdita për shekuj me rradhë.
Gjon Gjomarkaj mbeti besnik i ideve patriotike e atdhetare për pavarësinë e Shqipërisë dhe mburrej me të vërtetat historike të padiskutueshme se shqiptarët kishin luftuar në rrjedhën e shekujve gjithmonë për të qënë vetëm të lirë e të pavarur, se dinjiteti i kombit duhej të vihej në vënd. Pikërisht për këto ide e pikpamje që ai manifestoi pas pushtimit fashist që ai kishte si dhe shumë shokë të shkollës, qe cilësuar nga fashistët italianë si komunist. Në një nga biografitë e tij, Gjoni ka shkruar se ai ishte i mbrujtur me idetë e traditës së katolicizmit, të indipendtizmit dhe kurrsesi nuk mund të isha komunist. Mënyra ime e të menduarit i kishte rrënjët në idealizëm, për mbrojtjen e lirisë e të drejtësisë së përgjithshme, për të qënë nji nacionalist i vërtetë.
Në dhjetor të vitit 1942, në atë prag të vitit të ri, qëlloi që 25 të rinj të fisit Gjomarkajve të takoheshin e mblidheshin në Ndërshenë. Midis të gjithëve vlonte urrejtja ndaj pushtimit fashist. Midis nesh tregon Gjon Gjomarkaj ishte dhe Bardhok Biba, kushrini i tij. Ai na foli për organizimin e protestave kundër pushtuesve fashistë italianë. Ai fliste qartë e thjeshtë, dukej më i pjekuri dhe më i maturi. Fliste për vuajtjet, varfërinë e padrejtësinë, për idealet shekullore të pavarësisë, dhe në të vërtetë fjalët e tij u mbështetën nga të gjithë të rinjtë e Gjomarkajve; por për fat të keq, këto mendime e ide të përbashkëta që patëm në fillimin e luftës kundër pushtuesve fashistë, më vonë filluan të ndryshonin midis nesh, bile të ishin diametralisht të kundërta si rrjedhojë e grupimeve të ndryshme politike në radhët tona.
Në verën e vitit 1943 Gjon Gjomarkaj shkon për të kaluar pushimet e shkollës në Tiranë, tek kushriri i tij Preng Ded Gjomarkaj, i cili ishte me gradën kapiten në polici. Aty ai vihet në kontakt me puntorë, fshatarë, hallexhinj. Diskutonte me ta për gjendjen ekonomike e politike që po kalonte Shqipëria e bashkë me ta shfrynte dhe ai urrejtjen për fashizmin italian që kishte okupuar Shqipërinë.
Këto takime e biseda të tija u vunë re shumë shpejt dhe dikush kishte spiunuar tek komisari i policisë, Nush Temali, i cili e izolon nji natë në burg, por falë ndërhyrjes kushrinit të tij, i shpëtoi atij ndëshkimi të rëndë dhe ju dha nji teser që të besohej se është person që nuk duhej të ndiqej.
Gjatë vitit 1943-1944 vazhdoi studimet në shkollë dhe i përfundon me rezultate të shkëlqyera në mësime, duke realizuar kështu atë ëndër të tij që ai kishte pasur për t'u shkolluar, për t'u bam ma i vlefshëm për veten e tij dhe shoqërinë.
ORIGJINA E FAMILJES
Gjon Gjomarkaj flet kurdoherë me simpati e krenari për origjinën e familjes së tij. Për origjinën e familjes Gjomarkajve janë bërë mjaft studime e punime të ndryshme, nuk mungojnë ato pozitive e negative kundër kësaj familje dhe vetë ai ka bërë disa studime shkencore rreth origjinës familjes së tij dhe në to venë re se ka nji realizëm në pasqyrimin e veprimtarisë së kësaj familje. Ai dënon prepotencën e injorimin që i bëri kësaj familje rregjimi komunist, duke u nisur nga përcaktime politike e ideologjike për ta etiketuar këtë familje si shtypëse e pamëshirshme, si shfrytëzuese e popullit të Mirditës. Por ndërkohë duhen pranuar dhe ato raste kur ndonjë nga kapidanët e kësaj familje kanë vepruar në kundërshtim me traditat e Mirditës dhe vetë vijës politike indipendiste që ndiqte familja e Gjomarkajve.
Cilido që i vlerëson me objektivitet ngjarjet dhe faktet e historisë së Mirditës, venë re se kjo krahinë për shkak të pozicionit të saj gjeografik në qendër të maleve të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si nji krahinë katolike, ka qenë në shekuj nji kala e fortë e shqiptarizmës, nji vatër e fuqishme e qëndresës antiosmane për pesë shekuj me radhë. Mirdita ishte krahina që është qeverisur kurdoherë në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës së shkruar: ai kanun ka qënë nji domosdoshmëri për të drejtuar jetën e bashkësive fshatare.
E pikërisht në këtë Mirditë, në këtë kala të fortë të katolicizmit shqiptar ka udhëhequr për shekuj me radhë familja e Gjomarkajve, si një familje e dëgjuar, e cila ka lanë jehonë të fortë jo vetëm në historinë e Mirditës, por dhe në atë kombëtare e ma gjanë.
Në një nga relacionet e shekullit XIX; botuar në gazetën Albania më 1898 në mes të tjerave thuhej. “Në të gjitha shtëpitë e para e të moçme e ma të përmendurat; që me të shtruemit e ramit të Shqipnisë në dorë të turqve, ishin të hjekun me shpatë përmbi krye me i ra mohit fesë e në nji farë mënyre dhe kombësisë të parëve të vet, veçnji që i thonë dera e Gjomarkut i erdh mbarë tue mos u përkul atij ngushtimi e përderi sa vjet kaluan qëndroi me besim e dashuni të atdheut tue ruejt nderin e shqiptarisë deri në ditët tona”.
Poeti i madh i kombit shqiptar, Patër Gjergj Fishta ka dhënë nji përcaktim të shkëlqyer rreth vlerësimit të familjeve të dëgjuara shqiptare në veprën e tij madhore “Lahuta e Malcisë”kur shkruan
Ai asht trimi Frashër Begu
Që gjithkund e qiti shtegu
I la nam toskënisë
Faqe të bardhë i la Shqipnisë
Mandej vjen nji Qefali
Preng Bib Doda djalë zotni
Për kah mosha mjaft i ri
Por i vjetër në pleqni.
Siç shihet poeti ynë i madh vlerëson kontributin e oxhaqeve shqiptare dhe e rendit familjen e Gjomarkajve në vendin e dytë.
Pushtetin e saj familja e Gjomarkajve e ka bazuar gjithnji tek lidhjet që ka patur me popullin e Mirditës. Pra kjo familje nuk ka qënë nji familje feudale siç kanë qënë ato të disa krahinave shqiptare.
Gjomarkajt kanë ushtruar pushtet në Mirditë vetëm në kohë lufte, ndërsa në kohë paqeje ishte organ suprem për marrje vendimesh në bazë të drejtës zakonore. Realisht kjo familje nuk ka qënë as shtypëse, as shfrytëzuese në krahinën e Mirditës dhe për këtë le t'u referohemi disa neneve të kanunit:
Prona e familjes Gjomarkut është e caktueme me kufij si çdo pronë tjetër.
Çdo dam që bante nji i familjes Gjomarkut, dami banun prej tij çmohej, gjykohej e dënohej.
Me ra në kundërshtim krenët me Gjomarkun, ai mbledh popullin burrë për shtëpi e vendimeve të kuvendit Gjomarku i rrinte (pra ai pranonte NT).
Nga viti 2002 e deri më tani në disa takime e biseda të bame me Gjon Gjomarkajn kemi debatuar për punimet e ndryshme rreth origjinës familjes Gjomarkajve. Jam ndjerë i befasuar me vlerësimet reale të tija. Mendon se duhet shkruar me shumë për kontributin që kanë dhanë disa prijës të kësaj familje duke filluar që me Lleshin e Zi, Bib Dod Pashën, Preng Bib Dodën, Kol Prengën, Preng Markolën por nuk heziton t përmendë dhe ndonjë aspekt negativ, duke kritikuar ato vrasje që kanë ndodh brënda për brendafamiljes Gjomarkajve për motive të ndryshme. Flet për kontributin e madh që ka dhënë Marka Gjoni kapidani i Mirditës gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1911-1912, por ndërkohë ndalet dhe analizon gabimin që ai bani më 1921, duke bashkëpunuar me serbët, pavarësisht nga gabimet që bani qeveria e asaj kohe ndaj tij. ai nuk duhej të mbështetej kurrë tek qeveria e Beogradit. Në disa takime e biseda të bëra me emigrantët politikë shqiptar në Itali ka kritikuar gabimin e bam nga kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, i cili ka qënë pro pushtimit fashist me okupue Shqipërinë.
Familja e Gjomarkajve realisht ka patur meritën e krijimit të unitetit të fuqishëm të 12 bajrakëve të Mirditës, të cilët në rrjedhën e shekujve qenë bam simbol i forcës, mençurisë, atdhetarizmit, vllaznimit e humanizmit. Mirdita me Gjomarkajt në krye qe krahina e mikpritjes e bujarisë fisnike e besës dhe e burrnisë, krahina ku ma së miri se kudo problemet e saja i zgjidhte kurdoherë në kuvendet e burrave, formë kjo e nji demokracie direkte.
Janë pikërisht këto tradita të Mirditës dhe aftësia e prijësve të saj, Gjomarkajve që e kanë bam këtë krahinë të jetë e njohur dhe e afirmuar jo vetëm në Mirditë e Shqipëri, por edhe në Stamboll, Vjenë, Cetinë, Beograd, Romë e Paris etj.
Studiusja Maria Greco në librin e saj “ La Casa dei Gjomarkaj” asht marrë me studimin e origjinës së familjes së Gjomarkajve, duke u përpjek të hedhë dritë se ato janë pasardhës të Dukagjinëve. Sigurisht kjo tezë megjithë dëshirën e mirë që përmban mbetet ende e padokumentuar plotësisht.
Nuk mungojnë dhe teza tepër dashakeqëse e sigurisht dhe pa asnji bazë shkencore që duan ti nxjerrin Gjomarkajt me origjinë sllave. Bazuar në shumicën e dokumentacionit të deri më tanishëm origjina e Gjomarkajve na rezulton se ato janë të ardhur prej Pashtrikut të Gjakovës.
Pa u ndalur shumë tek origjina e familjes, vemendja i duhet drejtuar gjithnji veprimtarisë së saj dhe patriotizmit të mirditasve të cilët kanë bërë që Mirdita të njihej para se është njohur Shqipëria dhe prijësit e familjes së Gjomarkajve kanë qënë në poste kryesore drejtuese duke filluar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e më vonë në Qeverinë e Vlorës, Kongresin e Durrësit.
Veprimtaria e personaliteteve që ka nxjerrë familja e Gjomarkajve ka qënë e vijueshme. Ato i kanë dhënë emër Mirditës, ashtu si Mirdita u ka dhënë emër atyre si prijës.
Të kesh titullin “Pashë”, “Princ”, “Kapidan”. “Gjeneral Brigade”, ofiqe që rrallë familje e dëgjuar i ka patur në Shqipëri, është nji nder i madh për historinë e krahinës së Mirditës por edhe për atë kombëtare.
Privilegjet që Mirdita të mbetej e panënshtruar ndaj pushtuesve turq, Gjomarkajt i patën arritur në sajë të marrëveshjeve që patën lidhur me Stambollin, të cilat kanë vazhduar për ma se tre shekuj megjithë incidentet e herëpashershme, sepse Turqia ishte shtet ma i madh dhe donte t'ia hiqte ato privilegje që u kishte dhanë mirditasve, dhe Mirdita nji krahinë e vogël kundrejt tyre, por rezistonte në kërkesat e saja për të qënë e lirë dhe e pavarur.
Ja cilët kanë qënë kapidanët e Mirditës:
Bib Dod Pasha emrue kapidan e kajmekan i Mirditës, aprovue nga Porta e Lartë e Stambollit nga viti 1820 deri më 1868. I përmendur në fushatat luftarake e sidomos me trimnitë që ka treguar në luftën e Krimesë. Vdiq i helmuar nga turqit.
Gjon Marku i thirrun Gjoni Marlleshit ka qëndrue 8 vjet kajmekan .
Preng Bib Doda (Pasha) i internuar dy herë në Turqi, nji diplomat e udhëheqës i shquar politik i kohës. Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, pjesmarrës në Qeverinë e Vlorës, nënkryetar i zgjedhun në Kuvendin e Durrësit më 1918. Kapidan në vitet 1876-1880 dhe në vitet 1908-1919, u vra nga italianët më 1919, pasi e kishin pengesë kryesore në realizimin e planeve të tyre skllavëruese për Shqipërinë.
Kol Prenga i thirrun dhe Kol Prenga i madh i barkut të Preng Markolës, emnue kapidan prej vitit 1880 deri në 1902 duke qënë 22 vjet kapidan i Mirditës, i njohur për urtësi e drejtësi.
Preng Kol Prenga emnue kapidan i Mirditës tue i zan vendin babës së tij, kapidan në vitet 1902-1905.
6. Marka Gjoni, kapidan i Mirditës në vitet 1905-1908 dhe për herë të dytë nga viti 1919-1924 pas vdekjes së Preng Pashës.
7. Gjon Marka Gjoni, kapidan i Mirditës në vitet 1924-1939 deri në fillimin e luftës dytë Botërore, vdekur në emigrim në Romë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga tabelat gjeanologjike të përpiluara nga studiues anglez, francezë,italianë e arbëreshë për familjen e gjomarkajve. Të gjithë këto kapidanë të Mirditës kanë qënë nga 4 barqe kryesore të Gjomarkajve, dhe jo duke u përpjekur apo veçuar, apo mos i përmënd disa prej tyre.
Duke u ndaluar disi gjatë në origjinën e familjes Gjomarkajve do të gjenden dokumenta të shumta, por midis tyre do të veçoja dhe nji relacion të shkurtër të shkruar nga Ali Beg Rama më 6 dhjetor të vitit 1957 në Macerata të Italisë, ku ai jetonte dhe puonte si emigrant politik: “ Nga nji familje e madhe si kjo e Gjomarkajve shumë e vjetër dhe me nji të kalueme ma shumë të mirë se të keqe, do të ishte e padrejtë të mos përmendej në historinë kombëtare shqiptare tue cilësue pjestarët e saj si ato të mirët e patriotë, si ato të këqinjtë jo patriotë”.
Duke analizuar jetën dhe veprimtarinë, si dhe origjinën e familjes së Pjetër Gjomarkajt, them me bindje se dhe ai e radhit veten e tij ndër personalitete te shquara të familjes së Gjomarkajve nga ai rrjedh.
Nji ndër kangët e bukura popullore mirditore bën nji përcaktim mjaft të bukur për personat apo personalitetet e shquara që i duhet dedikuar jetës së tyre:
“ Jo nuk shuhet kurrë trimnia
sado vonë flet historia
ajo shkruhet në letër e gurë
kush ka qënë do të mbetet burrë”.
Në librin “ Mirdita dera e Gjomarkut, Kanuni, Ndue Gjo Marku ka shruar se Gjon Marka Gjoni ka thanë se un Kunorën e Skandërbegut nuk e kapërcej përtej Adriatikut veç lidh kambësh e duarsh: e Gjon M; Gjoni ska shkue në Rromë. Në gazetën Corriera della Sera 9 prill 1939 në një telegram drejtuar Ekselencës së Tij: kryetarit të Qeverisë Italiane në Romë është shkruar: me shpëtuar Shqipërinë nga korrupsionet e nga dekompozimet në të cilat është duke percepitue i lutemi të madhit Duçe të fashizmit me ndërhy Italia. Jashtë kësaj nuk ekziston e nuk do të ekzistojë kurrë shpëtimi për vendin tonë. Ne ju kërkojmë Ju me këtë mesazh që nga thellësia e zemra e popullit tonë patriot shqiptar me i ofruar Viktor Emanuelit III kunorën e mbretit shqiptar.
Kapidan thirrej në Malësitë e Shqipërisë çdo mashkull i fisit Gjomarkajve. Ai që i printe Mirditës thirrej “ Princ ose kajmekan i Mirditës.
|