Edukimi përmes ndëshkimit...
Mirëpo në planin psiqik u ndjenë
devijime të mëdha dhe vërejmë, se
kemi një trandje të thellë të ndërgjegjes.
Mirditori me karakter të qëndrueshëm
të përvijuar ndër shekuj, i pavarur nga
askush, u gjend para vijave të ashpra.
Duke analizuar këtë rrafsh është
fakt që mbi ta për vetë specifikën
e krahinës, presioni ka qenë më i madh
se në zona të tjera dhe në raste të
caktuara trauma ka qenë më e thellë.
Për shumë arsye Mirdita u vu në qendër
të goditjeve dhe ndryshimi apo siç quhej,
edukimi përmes ndëshkimit publik në fragmente
të shpejta kohore ka qenë i paarsyeshëm.
Goditja u shpërnda njëherësh në
shumë njerëz, familje e fise, me tej valë-valë
në forma të tjera preku gjithë rrethin
e afërm të këtyre familjeve.
Pozicioni i Mirditës në fokus të ngjarjeve
të mëdha historike të vendit si dhe rezistenca
e pozicionimi jo pragmatist i parisë së vendit
në momente të caktuara u keqpërdor dhe
u shoqërua shpesh me idenë e përgjithësimit
e më tej të ndëshkimit kolektiv.
Familje të tëra ndër më të
njohurat në vend u përjashtuan nga jeta shoqërore,
shkolla, organizimi dhe nga gjithçka që
kishte të bënte me zhvillimin. Ky rrebesh
me mënjanim, diferencim dhe eleminim, veç
problemeve të karaterit individual dhe mohimit
të çdo të drejte për ta, Mirditës
i kushtoi rëndë, pasi një pjesë
elitare e intiligjencës dhe e trurit të saj
doli jashtë funksionit.
Sikur të mos mjaftonin këto, të tjera
ide u fabrikuan nga mendje diabolike për Mirditën,
ku më shumë e ku më pak ato tentonin
më së pari thyerjen e kryeneçësisë,
zhbërjen e të qenit unike, përçudnimin
e historisë e për rrjedhojë, të
së ardhmes së saj. Manierat qenë të
shumta, sepse kolonat mbajtëse të kësaj
ndërtese të mbrapshtë ideologjike kishin
të bënin me tronditjen shpirtërore të
ndërgjegjes së kësaj krahine, që
u thellua me copëtimin në disa rrethe.
Kjo uli kredibilitetin historik dhe shënoi fundin
real të aleancës dymbëdhjetë flamurëshe,
ku rrethi i krasitur i Mirditës përmbante
veç gjysmën e tokave. Ky, para se një
proces administrativ, ishte akt politik, cungim shpirtëror
dhe së dyti dobësim i pozitave të Mirditës
që gjithmonë kishte luajtur kartën e
“të fortit”.
Mjafton të kujtojmë se në shkrimet e
vjetra flitet që nga kjo krahinë nxirreshin
dymbëdhjetë mijë luftëtarë
e herëherë shifra shumë më të
frikshme për të vërtetuar se Mirdita
gjithnjë qe një faktor aktiv në tryezën
e fateve të kombit, falë intelektit, forcës,
pozicionit, vlerave dhe aleancës që mbartte.
Prandaj ndarja përbënte jo vetëm një
thyerje ndërgjegje dhe force, por edhe përspektiva
e saj vihej në pikëpyetje. Ky organizëm
i amputuar tashme lëngonte, trungu i ngelur ndihej
i pafuqishëm, ndërsa pjesët e aneksuara
rretheve fqinje ishin pothuaj inegzistente.
Duke humbur koncepti i të tërës, amullia
në pjesët mbetëse ka qënë e
madhe dhe shtypja “per kontinuitatem” qe
me e pamëshirshme.
Së dyti, gjithë veprimtaria social ekonomike
organizohej prej qindra vjetësh në bazë
të kanunit të Lekës. Kanuni ishte kushtetuta
që përmblidhte në miniaturë të
gjitha institucionet pushtetore, të gjithë
korpusin e marrdhënieve sociale, ekonomike e morale
të kodifikuara mbi specifikat e psikologjisë
së zonës të ngjizura në kohezionin
etnologjik që shprehnin e përbënin universalitetin
e mahnitshëm mirditor. Me këtë mekanizëm
Mirdita kishte siguruar autonomi e vetëqeverisje.
Me një të rënë, sa hap e mbyll sytë,
ky amfiteatër vlerash, kjo pune voluminoze që
shpreh në fund të fundit dhe etapa evolutive
dhe cilësi psikologjike u ndalua, u anatemua dhe
as që u tentua një rivlerësim i tij,
një ultrafiltrim në dritë të rrethanave
të reja, ose së paku t’i jepej vendi
që i takonte, duke ngritur lart vlerat që
ai mbartte e natyrisht duke venë në dukje
anët negative, mentalitetet prehistorike dhe gjykimet
arkaike. Përkundrazi, ai që në fillim
u etiketua primitiv, reaksionar, një kapitull i
mbyllur, një antivlerë, gjë e cila poshtëroi
bartësit edhe la gjurmë në psikikën
e çdo njeriu.
Shumë kohë më parë mirditori, dijetari
dhe poeti i madh Fishta thoshte: “...mjerisht
disa ndër ata bij të fisit shqiptar që
mbahen për intelektualë e udhëheksa të
fateve e të shorteve të kombit po që
shkolla nëpër të cilën patën
përshkuar nuk mrriti me ua qerue shpirtin prej
do parimeve sterilizuese e shkatrrimtare e as me ua
hjekë at imashk pedatizmi e kulimllëku, vagabondë
modernë që ata quajnë “kulturë”,
përbuzin e kërveshin buzën mbi rëndësi
të vendimeve të kanunit doktar...”.
Megjithëse, ndoshta, grushtin më të rëndë
e dha lëvizja kundër fesë, pasi ajo për
Mirditën, pranohet nga të gjithë, se
i kishte kaluar caqet e një religjioni dhe ishte
bërë një me identitetin, personalitetin
e karakterin mirditor.
Ashtu si gjithëkund feja u ndalua, porse këtu
dha efektet më të rënda, pasi me të
ishin të lidhura figura legjendare, udhëheqëse
mirditore, klerikë dhe atdhetarë të shquar
si Doçi, Fishta, Kaçorri, Marlaska përfaqësuesit
më tipik të progresit dhe civilizimit mirditor
e kombëtar, atdhetarë e tribun të lirisë,
të cilët u anatemuan dhe u mohuan.
|