Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
HISTORI Për anëtarët

Ju jeni: Studime historike -> E drejta dokësore

TEMAT

  Lëvizja (1920-1922)

  E drejta dokësore

  Rrjeti rrugor në Mirditë

 Arkivi-Studime të ndryshme

  Beteja e Kosovës

  Shqipëria Katolike e Veriut

 

 

 

  

  Histori


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

XHEMAL MEÇI

VËSHTRIM NË TË DREJTËN DOKESORE TË MIRDITËS

Prej shumë vitesh Mirdita më ka tërhequr me të veçantat e saj, për historinë dhe etnokulturën e saj. 48 vjet më parë, 1953, u emrova mësues në Kaftallë të Kërthpulës, në ish- bajrakun e Dibrrit. Për tre muaj bujta në një familje të madhe pesëkunorshe, në familjen e Pal Sutës, ku pata rastin të njihesha me organizimin e kësaj familjeje të madhe, me ndarjen e kryerjen e detyrave prej secilit; me pritjen e përcjelljen e miqve, që në atë shtëpi gati ishin për natë.

Më pas, vit mbas viti kam bërë përpjekje për t’u njohur në mënyrë të programuar me historinë dhe etnokulturën e Mirditës, krahas asaj të Pukës, aq sa interesi shkencor për të panjohurat e Mirditës më ka udhëhequr të përshkoj gjithë luginat e Fandëve që nga veriu në jug deri në Shkallë - Fand, Malshejti, Guri i Gëziqit, Guri i Kuq, Mërkurth me Zajsë, Kthellë e Epër, Kaçinar me Bukmirë, Kolori, Vig, Rrajë e Velës e mjaft katunde të tjera.

Këto ekspedita më kanë afruar më shumë me Mirditën, ku kam gjetur mikpritje e bujari, ku jam njohur me të veçantat e të përbashkët e saj etnologjike. Nga të gjitha këto kam vënë re se një nga pasuritë më të mëdha të Mirditës është edhe E Drejta Dokesore e saj. Por, nga kjo pasuri e madhe, ndofta, sot do të ishte më me interes të hidhnim një vështrim në institutin e Pajtimit të Dhèut, të shprehur në popull në trajtën Paqtimi i Dheut, kurse në Fand në trajtën Pajtozi i Gjomarkut.

Në K L D, botim i vitit 1933, mbledhur e kodifikuar prej Shtjefën Gjeçov Kryeziut, Pajtimi i Dhèut del vetëm një herë në ? 1142, ku radhiten tagret e krenëve dhe të derës së Gjonmarkut; “Kur del për pajtim të dhèut ka tager më razogj (dy hae bukë). Këtë ? e plotësojnë disi ? 969 e 970, ku shkruhet: “Pajtimi i gjakut bahet dy mëndyrësh: - Me të himë të dashamirëve të shpisë së të vramit e të famullitarit (mënyra e parë); - Me të dalun të krenëve, të derës së Gjonmarkut e të djelmve të flamurit (mënyra e dytë).

Siç shihet këtu është ajo që në të dy mënyrat ka vend për plotësim e saktësim, por kryesorja, ballafaqohemi me lëndë aq të pakët për këtë institut me kaq rëndësi.
Hulumtimet e bëra në terren dhe në botime tregtojnë se “Krye shtatë vjetësh Gjomarku, Kapidani i Mirditës, me krenë e bajraktarë, ka tagër e detyrë me thirrë Kuvendin e Shpalit për Paqtim të Dhèut. Kuvendi i Shpalit me Gjomark, krenë e bajraktarë, pleq e strapleq, lajmëtarë e gjobëtarë, cakton ditën kur me fillue Paqtimi i Dhèut.” Njëkohësisht, ky Kuvend kërkon që të “Lypet me marrë masa me sigurue mashkujt në gjak, për mos me lejue zbatimin e matejshëm të gjakmarrjes.”

Ditën e caktueme Kapidani me krenët e mëdhaja të Mirditës fillon paqtimin katund për katund ene shpi për shpi në çdo dhè të Mirditës. Në çdo katund thirren krenët e bajraktari me pleq e strapleq për me gjykue e pleqnue, me falë e paqtue çdo varrë e vrasë.” Por në vazhdim të këtyre normave theksohet mendimi për raportet krenë e Gjomark me dhè e katund duke u dhënë pa ekuivok : “Pa dhè e katund nuk bahet kamë para”. Këtu del qart tagri i krenëve të dhèut me bajraktar, pleqt e strapleqt e katundeve brenda kufijve të tyre, ku nuk kanë të drejtë të hyjnë, të pleqnojnë e të vendosin Gjomark e krenët e mëdhaja pa bashkëpunuar me këta të dhèut e të katundit.

Por njëkohësisht edhe dhèu me katundet e veta ka detyrë që brenda kufijve të vet t’u prijë krenëve të Mirditës me Gjomark dhe t’u binden shtëpi për katund për çdo vendim të dalur nga Kuvendi i Shpalit.

Pajtimi i Dhèut kërkon pajtimin e gjaqeve mbarëkrahinor pa përjashtim. (Dihet se gjaku i mikut nuk hynë në pajtim me Kanu).

Për ta lehtësuar dhe shpejtuar pajtimin e gjaqeve krenë me Gjomark marrin me vete edhe famullitarin, i cili prin me kryq në dorë; kurse krenët e dheut me bajraktarin, pleq e strapleq katundesh e fisesh përgatitën për çdo gjak që duhet të pajtohet. Zakonisht pajtimi shtëpi për shtëpi e katund për katund zgjat, simbas gjaqeve që duhet të pajtohen, por jo më shumë se dy ditë.

Pajtimi i gjakut gjatë veprimit të Paqtimit të Dhèut bëhet simbas ritit tradicional, pavarësisht se këtu pajtimi organizohet dhe udhëhiqet “nga lart”, në se mund të shprehemi kështu.

Sa i lashtë është ky institut kanunor është vështirë të gjendet në terren, po aq në arkiva e biblioteka.

Dr. Pal Doçi te “Mirdita vatër e qëndresës antiosmane”, na njeh me një dekret të Portës së Lartë me të cilin Bibë Doda më 1837 caktohet Kapidan i Malit të Mirditës, ku duhet të kryejë edhe pajtimin e gjaqeve në Mirditë.

Në një relacion të zv/konsullit të Austrohungarisë në Shkodër,dërguar më 1857 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, shkruhet: “Në Mirditë qëndron ende zakoni i lashtë gjerman i udhëtimeve gjyqësore të kryetarit (Kapidanit) nëpër mbarë vendin, i quahtur këtu vojvodin, të cilin Bibë Doda do ta nis nësër.”

Në vazhdim, në një relacion tjetër të vitit 1879 theksohet se Kapidani i Mirditës “lajmroi se ai tani do të fillonte vojvodin, dmth me gjithë suitën e tij të shkonte shpi më shpi për pajtim të gjaqeve.”

Këto materiale arkivore, nga njëra anë, dëshmojnë se vojvodin, kupto këtu krenët, vojvodët, siç quheshin me termin sllav, të cilët bashkë me Kapidanin e Mirditës, dilnin për Pajtimin e Dhèut, me sa duket, ishte një term zyrtar në administratën e asaj kohe. Por edhe në popull, sidomos në zonat kufi me Pukë, është ruajtur termi vojvodë për kreun, prijsin, plak dhèu siç e quante Mirdita në përgjithësi. Kështu, në Bajrakun e Dibrrit, është njohur vojvoda i Kashnjetit, Paluca, kreu i Bajrakut të Dibrit dhe një prej krenëve të mëdhaja të Mirditës. Gjithashtu vojvoda i Gojanit të Madh e Gojanit të Vogël, të Gojanit të Poshtëm apo Gomsiqes së Poshtme, të quajtun ndryshe : vojvoda i Spaçit të Vogël.

Nga ana tjetër, vojvodin/vojvodini qenka një e drejtë e lashtë dokesore, që ngjasoka me një doke të tillë të lashtë gjermane, ngjasime këto që vinë nga ngjasimet e formacioneve ekonomike-shoqërore në stade të ngjashme zhvillimi historikoshoqëror.

Në disa dokumenta, si edhe botime, vërehet tendenca për ta lidhur pajtimin tradicional mbarëkrahinor të Mirditës me një zabitname, me një proces të mbajtur gjatë pajtimit të gjaqeve prej një përfaqësuesi të administratës osmane dhe se kjo veprimtari gjoja u bëka me kërkesën, shtyrjen dhe praninë e autoriteteve osmane.
Në këtë çështje është marrë veçanërisht Pal Doçi, i cili ka arritur në përfundimin se Pajtimi i Dhèut nuk është vepër as e ndërhyrjeve osmane, as vetëm e Gjonmarkut me krenët e mëdha të Mirditës, por vepër e përbashkët e të gjithë krenëve me bajraktarë, pleq e strapleq të katundeve e dhenave të mbarë Mirditës, ku sigurisht, krenë me Gjomark kishin rolin e vet.

Sigurisht, s’ka se si të ishte ndryshe, për derisa Mirdita ishte një krahinë autonome që shquhej mes krahinave autonome të veriut për rolin e të veçantat e saj, që zbatonte plotësisht të Drejtën e saj Dokesore. Prandaj, s’ka se si t’u bindej dhe t’u nënshtrohej dekreteve sulltanore për zabitname, për një çështje kaq delikate dhe kaq të rëndësishme, siç ishte pajtimi i gjakut mbarëkrahinor në afate të caktuara. Por, kuptohet se autoritetet osmane përpiqeshin të shfrytëzonin këtë institut tradicional dokesor mirditas e të mbarë maleve shqiptare, për t’u paraqitur në opinionin e konsullatave të huaja në Shkodër e më tej, sikur kishin fituar kaq autoritet në male sa të dekretonin e të zbatonin vepra kaq humane me dimensione krahinore dhe mbarëkombëtare. Pra, këtu kemi të bëjmë më shumë me një dinakri në kuadrin e përpjekjeve të Portës së Lartë se gjoja edhe malet, siç ishte Mirdita e panënshtruar, po i bindej autoritetit sulltanor.

Lashtësia dhe zbatimi tradicional i këtij instituti për pajtim gjaqesh në mbarë Mirditën, duket edhe në përdorimin e termit dhèu, një term paraosman të cilin e ka shpjeguar mjaft mirë Mark Tirta. Emërtimi dhèu në Mirditë, si edhe në Pukë, përgjithësisht ishte një njësi tokësore me përmasat dhe atributet e bajrakut. Prandaj, jo rastësisht Mark Tirta thekson faktin se Mirdita përbëhet prel 12 dhènash, duke njanuar kështu termin osman bajrak.

Tani besoj se nuk do të ishte pa vend të shtrohej pyetja në se mund t’i shërbejë gjendjes aktuale ky institut i rëndësishëm tradicional. Përgjigja mendoj të ishte : mjafton vullneti i mirë mbarë shoqëror me intelektualë, shoqata e organizata shoqërore në bashkëpunim me pushtetin vendor, si edhe klerin për të arritur në ripërtritjen e këtij instituti tradicional të pajtimit mbarëkrahinor dhe ndërkombëtar.
Sigurisht, në përshtatje me kushtet e sotme.

Shembull tipik ka qenë viti 1945,fill mbas Luftës, pas 26 vjetësh kur u arrit Pajtimi i Dheut, mbarëkrahinor për N/prefekturën e Mirditës, si edhe në Pukë e më gjërë.
____________________________
B u r i m e t

1. Shtjefën Gj. Kryeziu, Kanumi i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, ? 969. ?
970. ? 1142;
2. E drejta zakonore shqiptare, ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 1989,
f. 193.
3. Dr. Pal Doçi, Mirdita vatër e qendrës antiosmane, Tiranë, 1999, f. 152 -
157.
4. Prof. As. Dr. Kahreman Ulqini, Bajraku …… Tiranë, 1991, f. 75 - 80.
5. Prof. Dr. Mark Tirta, Rreth njësive etnografike…. Kultura Popullore 2/1982
f.71.
6. Burime në terren, Mirditë dorëshkrime të autorit;
7. Sinan Prendi, Histori : Mesjeta Koha e re dhe e sotme, “Mirdita”, Rrëshen,
1999, f. 107;
8. Xh. Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, Tiranë, 1997.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net