Kush e ndërtoi Gurrën e Domgjonit?
nga Nikoll LOKA Deri më sot është pranuar se Gurra e Domgjonit është njëri ndër ujësjellësit më të rrallë në Ballkan. Kur është quajtur kështu, kanë patur parasysh se vetë kryeqyteti i Perandorisë Bizantine dhe qyteti më i mirë i asaj kohe në botë ndodhej pikërisht në këtë Gadishull. Duke marrë në konsideratë mjeshtërinë shumë të lartë të ndërtimit, ku së pari bie në sy ana arkitekturore e veprës, mendoj se duhet dalë përtej hipotezës tradicionale se “meqenëse Domgjoni kishte nevojë për ujë, u ndërtua nga vendasit një ujësjellës për vaditje”. Në ndihmë të kësaj hipoteze vjen edhe fakti se domgjonasit janë vërtetë muratorë të zot. Dakort muratorë të zot, por Gurra është ujësjellësi i vjetër më i mirë i Shqipërisë dhe ndër më të mirët e Ballkanit. Kur themi kështu kemi parasysh edhe qytete shumë të rëndësishme si ai i Durrësit, Shkodrës, Butrintit dhe Apollonisë. Një ujësjellës i tillë në një fshat, apo qytezë të vogël e fare pak të rëndësishme, kur Iliria ishte e mbushur me qytete të mëdha, duket disi jo e zakonshme. Edhe nëse do të ishte vërtetë kështu, atëherë ata burra arkitektë dhe muratorë të zotë do ta kishin përsëritur veprën e tyre në një ujësjellës të dytë, në Fanë dhe në territoret e tjera shqiptare. Për një vepër të tillë kishin nevojë të gjitha qytetet pa përjashtim. Gurra e famëshme e Domgjonit nuk është ndërtuar nga vendasit, por as nuk ka rënë në formën e ndonjë mrekullie atje në mes maleve, që ngërthejnë shumë histori dhe legjenda. Rrethanat ekonomiko-shoqërore na çojnë në një hipotezë më të besueshme : ishte shekulli VI, në krye të Perandorisë Bizantine kishte ardhur Justiniani i Madh ilir, i cili mbrojtjen e Ilirisë e bëri çështjen e tij personale. Në territoret ilire në atë kohë u ndërtuan dhjetra qyteza të reja dhe u fortifikuan dhe u rindërtuan dhjetëra të tjera. Edhe qyteza e Domgjonit, e cila duhet të kishte qenë një kështjellë me mure rrethuese, brenda të cilës duhet të kishte patur kishën, (aty ndodhet kisha e sotme), banesa për strehim dhe objekte të tjera, që i dhanë atributet e qytezës. Në fakt, qyteza e Domgjonit, nuk duket se është ndërtuar në pozicion kyq mbrojtës, siç janë majat e maleve, kodrave, e tjerë, si dhe gjendej larg rrugës së njohur romake që kalonte nga Shkalla e Konajve në Batra, Qafa e Komit, për në Kukës në drejtim të Nishit. Ajo nuk është krijuar thjeshtë për të luftuar. Ka shumë mundësi të kishte shërbyer më shumë si residence e ndonjë komandanti të shquar, i cili mund të ishte i ngarkuar me ruajtjen e rrugës shumë të rëndësishme që të çonte në Nish dhe që çuditërisht pjesën më të vështirë e kishte nëpër territorin e Fanit, që forcat mund t'i kishte nëpër pikat e vrojtimit dhe kalatë pranë rrugës, ose mund të ishte edhe një vendstrehim për popullsinë në rast lufte, sepse ndonëse e vendosur në vend pothuajse të sheshtë dhe të papërshtatshëm për luftë, qyteza e Domgjonit si hapësirë ofron mbrojtje të mjaftueshme; rrugët për të shkuar në Domgjon kalojnë nëpër qafa kodrash e malesh dhe nëpër grykën e lumit, nëse vihet nga Gjagza. Mbrojtja e Domgjonit nga terreni ka qenë detyrë relativisht e lehtë. Nuk përjashtohet mundësia që zyrtarë perandorakë shumë të njohur të asaj kohe, të joshur edhe nga pasuritë nëntokësore të arit dhe bakrit, kanë preferuar që të banojnë në Fanë dhe duke shfrytëzuar pozitën e tyre të lartë për të ndërtuar një venbanim model, ku ujësjellësi është vetëm ajo që na ka mbetur. Dokumentat e kohës së Justinianit tregojnë se në rajonet metalmbajtëse të arit, argjendit, bakrit, e tjerë, ku përfshihet edhe Mirdita e sotme, ka patur nëpunës perandorak, që merrej me administrimin e kësaj pasurie dhe parandalimin e vjedhjeve të saj. Rrënojat e qytezës janë mermer i papërpunuar dhe gjysëm mermere, që na dëshmojnë një ndërtim luksi, që nuk e kemi as në qytetet e mëdha dhe të njohura. Meqenëse arkitektët më të mirë vinin nga kryeqyteti, projektuesit e ujësjellësit duhet të kenë ardhur prej andej, ndërsa përsa i përket bazës materiale, ndoshta dhe mjeshtërit janë gjetur në vend. Gurra e famshme e Domgjonit, e projektuar nga arkitekti perandorak, deri më sot vetëm ka fituar cilësimin si njëri ndër objektet më të rëndësishme hidraulike të asaj kohe në Ballkan. Një vlerë e tillë duhej të ishte marrë me kohë në mbrojtje nga shteti. Intelektualët mirditas duhet të jenë të parët që t'a ngrijnë zërin për këtë pasuri të Mirditës, Shqipërisë dhe Ballkanit. Në guidat për Shqipërinë, si dhe në guidat e ndryshme tematike për Europën, Mirdita pasqyrohet denjësisht me Abacinë e Oroshit dhe Manastirin e Rubikut. Gurra e famshme, monumenti shumë intrigues për studiuesit nuk përmendet. Emri i saj duket se ndoqi fatin e ndërtuesit, ndonëse ujë i pastër kristal rrjedh e rrjedh dhe ujësjellësi i dëmtuar ngjan ende si kryevepër, që në Shqipëri nuk u pasua nga një i dytë as në kohët e mëvonshme.
Dëshmorët Gëziqi, “një Borovë e dytë”…
Nderohen 13 dëshmorë të Gëziqit
Me rastin e 60 vjetorit të çlirimit të atdheut, çuditërisht, në një sallë çerek të mbushur kryesisht me mosha të kaluara, u nderuan 13 banorë të Gëziqit, që u vranë dhe masakruan nga gjermanët në tetor të vitit 1944, me titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”, dhënë nga komisioni përkatës shtetëror. Gëziqi njihet si një urë lidhëse e rëndësishme nga Tirana-Milot-Rrëshen-Shpal, për të vijuar në drejtim të Kosovës. Kjo ishte kthyer në një nyje të rëndësishme për dy palët luftuese, partizanët dhe gjermanët. Vetë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kishte dhënë urdhër të goditeshin forcat gjermane në kalimin nga Gëziqi, ndërsa në tërheqje për nga veriu i vendit ishte korpusi XXI gjerman, komandanti i tij kishte urdhëruar që të mbahej e hapur me çdo kusht rruga Milot-Rreshen-Shpal-Pukë, e cila ishte e vetmja rrugë nëpër të cilën mund të sigurohej tërheqja e forcave në drejtim të Veriut të Shqipërisë. Në luftën e Gëziqit ranë në fushën e betejës 22 partizanë, kryesisht nga Jugu i vendit. Po në këtë luftë u vranë e masakruan 13 banorë të fshatit si Frrok Ndre Marku, Gjergj Preng Biba, Gjet Dod Bardhi, Gjela Mark Gjoni, Gjet Dod Prenga, Mara Pjetër Bardhi, Mara Llesh Doda, Mrika Gjet Doda, Llesh Dod Prenga, Ndre Gjok Gjeta, Nikoll Vorf Cara, Preng Dod Bardhi e Vorf Preng Biba. U dogjën më shumë se gjysma e shtëpive të banimit, së bashku me qelën e kishës së Gëziqit. Lufta e Gëziqit që zgjati 6 ditë, në datat 20-26 tetor të vitit 1944 ishte një nga luftërat më heroike të brigadave VII e XXII sulmuese. Ajo përbën një nga betejat më të përgjakshme që zhvilluan forcat e divizionit II në veri të Shqipërisë. Gëziqi i vitit 1944 vjen si shesh lufte dhe beteje të përgjakëshme dhe në kujtimet e njërit prej oficerëve gjerman (drejtues i divizionit 279 të ushtrisë fashiste), që luftoj në Gëziq, konkretisht të oficerit Herman Frenk, i cili mes të tjerash pohon se “... ushtarakët gjermanë tashmë mendojnë se asnjëri nuk ka më shpresë të dalë i gjallë nga Shqipëria ...”. Dhe duke vlerësuar luftimet e zhvilluara në territorin e Mirditës, e cilëson atë si njërën ndër më të përgjakshmet e më të vështirat luftëra të zhvilluara nga ai dhe formacionet ku ai bënte pjesë në territorin e Shqipërisë”. Fatkeqësisht, kjo luftë ende vazhdon të shihet me ngjyresa politike, por dhe organizimi i veprimtarisë jubilare linte për të dëshëruar. Asgjë më tepër nuk ka Borova e Jugut se sa Gëziqi i Veriut, një masakër e pashembullt në civilë, por nëse në Borovë, gjithçka nderohet si nga pushteti rozë apo ai blu, dhe madje arrihet dhe të “vilet” ndonjë dëmshpërblim nga pasardhësit e gjermanëve, në Mirditë nuk ndodh e njëjta gjë; këtu gjithçkush është i gatshëm të trillojë gjithfarë historish, dhe teorizime idiote, pa kurrfarë bonsensi për të nderuar këtë fshat martir, mbi të gjitha për t'i treguar Shqipërisë dhe botës të vërtetën e madhe se ka patur dhe një “Borovë të Dytë”.
|