RRESHENI
Rrësheni është qendra administrative e rrethit të Mirditës që nga viti 1949. Ndodhet në pellgun e Ndërfanës, në anë të lumit Fani i Vogël dhe përshkohet nga përroi i Zmesë. Vendi ku shtrihet qyteti quhej Fushë Lumth dhe kishte pak banorë. Rrësheni ka disa institucione të administratës publike: bashki, komisariat policie, gjykatë, prokurori, drejtori lokale të arsmit, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimit pyjor, degë të tatim-taksave, agjensi te bankës së kursimeve, zyrë të rregjistrimit të pasurisë etj; shkollë të mesme dhedy shkolla 8- vjeçare, pallat kulture, muze, bibliotekë, kinema, arkiv, shtëpi botuese, shtyp dhe televizion lokal, spital dhe sherbime të tjera shendetësore.
Sheshi në qendër të qytetit mban emrin “Abat Prend Doçi”, kurse rrugët kryesore mbajnë emrat: “At Gjergj Fishta”, “Shën Vinçensi”, “Rruga e Arbërit”.
Në të kaluarën ka patur disa ndërmarrje shtetërore, kurse tani ka një rrjet të gjërë të bisnesit të vogël tregtar dhe prodhues etj. Ushtrojnë veprimtarinë private: 97 njësi tregtare, l4 njësi prodhuese, 91 njësi shërbimi, l4 kompani ndërtimi etj.
Rrëshenasit dallohen për bashkëjetesë në komunitet, mirëkuptim dhe si bashkëpunues në nisma dhe projekte për zhvillim.
Rrësheni është 74 km nga Tirana.
RUBIKU
Rubiku është qyteti i dytë i Mirditës pas Rrëshenit. Para l990-ës një nga qytetet industriale më të njohura të vendit, dhe qendra më e rëndësishme e industrisë së bakrit në Shqipëri. Që në vitet '30 të shekullit XX Rubiku ka patur minierën e bakrit dhe më vonë dhe metalurgjinë e uzinën e rafinimit dhe përpunimit të bakrit. Në Rubik ka patur ndërmarrje gjeologjike, ndërmarrje të ndërtim minierave etj. Në Rubik që nga viti l969 ka funksionuar shkolla e mesme industriale, që përgatiste metalurgë, teknikë gjeologë, teknikë miniere etj., ndërsa sot përgatit mekanikë, hidrosanitarë dhe elektriçistë tre vjeçarë.
Rubiku është qendër e vjetër historike me disa monumente të mesjetës, si kishën e Shën Salvadorit, kalanë e Judejve etj.
Rubiku është bashki që nga viti l992 dhe administron veç qytetit dhe fshatrat e zonës perreth: Vaushkjezë, Velë, Rraja e Zezë, Munaz, Katundi i Vjetër, Fierzë, Fang, Rrasfik.
Në Rubik ka bërë investime të dukshme sidomos Shoqata Austri-Shqipëri e përfaqësuar nga zonja Mariannë Graf, në objekte shkollore, kulturore, të shendetit publik etj
OROSHI
Oroshi është një emër i rëndësishëm i historisë dhe kulturës kombëtare. Fshati i vjetër përmendet si bërthamë e krijimit të krahinës së Mirditës në shekullin XV. Përbëhet nga fshatrat: Grykë Orosh, Nënshejt, Lgjin, Mashtërkor, Bulshar, Ndërshenë, Lajthizë që janë të vendosur në një terren të thyer nga Fani i Vogël, në pjerrësitë dhe lartësitë e Malit të Shejtë.
Oroshi ka qenë qendër e Abacisë së Mirditës, kuvendit benediktin dhe e selisë së Gjomarkajve, kapidanëve të Mirditës.
Bjeshkët e Oroshit përmendën si ndër më të bukurat në Mirditë me lëndina, pllaja, burime, kullota, shpella etj.
Nënshejti me burimet e ujit të rralla, Fushat Lugje e të tjerë favorizojnë një turizëm malor të preferuar.
Qendra e komunës së Oroshit është në Reps, 28 km nga Rrësheni.
SPAÇI
Zonë në jugperëndim të Munellës,në të djathtë të lumit Fani i Vogël,që përfshin Gurth Spaçin, Kodër Spaçin, Mushtën etj. Dëshmohet që nga shekulli XVI (l529).Në Spaç ka qenë një nga minierat më të mëdha të bakrit e piritit në shkallë vendi. Spaçi është i vendosur në një terrentë thyer malor. Banorë të shumtë të tij në dy shekujt e fundit janë shpërnglulur në Mnelë, zonën e Vaut te Dejës etj. Në Spaç ka qenë një nga kampet e të burgosurve politikë.
Gjegjani
Gjegjani dëshmohet si fshat i vjetër i pirustëve.Është i vendosur në të majtë të Fanit të Madh. Gjegjani është komunë dhe përfshin fshatrat Gjegjan, Gojan, Dom, Rras, Kalivare, Kimëz, Mesul, Shkozë të cilët në anën etnologjike i përkasin Mirditës. Ky areal mirditas shtrihet deri në Qafë të Malit,deri në kufijt më të epërm të Mirditës,ku ajokufizohet me Pukën dhe Kukësin. Gojani është një fshat i përmendur në Veri për punimin dhe tregtimin e enëve të dheut sipas mjeshtrisë tradicionale. Në Kalivare dëshmohet kisha më e vjetër e datuar e Mirditës me një mbishkrim të vitit ll54.
FANI
Një hapsirë gjeografike e Mirditës, në luginën e Fanit të Vogël dhe lartësitë perreth, që shtrihet nga Shtrungaj përkufi me Oroshin e gjer në Malin e Runës, përkufi me Kukësin. Ka qenë i banuar që në periudhën e ilirëve, siç dëshmojnë Qyteza e Batrave, Rrethi i Qytezës, Gurra e Domgjonit, ndër monumentet më të njohur të trevës.Për herë të parë, Fani si emër përmendet në një dokument të vitit l387 dhe gjithnjë më vonë në rregjistrat kadastralë,relacionet kishtare etj. Në shekujt XVI-XVI dhe në periudhën e Rilindjes ka qenë në luftëra të vazhdueshme kundër pushtuesve turq. Në vitin l929 Fani kishte 240 shtëpi.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX Fani u konfigurua si një zonë dhe qendër me peshë për Mirditën,komunë me l5 fshatra e rreth l0 mijë banorë, prej të cilët në dhjetëvjeçarin e fundit jo pak janë shpërngulur për në zonat fushore.
SHENPALI
Fshat i lashtë i Mirditës në shpatin juglindor të Majës Kopil,në lartësinë 550 m. Ndër qendrat më të hershme e më të përmendura të trevës së Mirditës, dëshmuar që në shekullin XI-XII për praninë e kuvendit benediktin.
Në Shënpal janë organizuar për disa shekuj kuvendet më të rëndësishme historike të Mirditës.Te Lisat e Shpalit afër kishës ka qenë “parlamenti” i krahinës së Mirditës.
Luftime të ashpra kundër pushtuesve gjermanë janë zhvilluar me l9-22 tetor l944. Lufta e Shpalit u krye në kuadrin e mësymjes së Divizionit II Sulmues për çlirimin e Shqipërisë së Veriut.
Shpali ka qenë qendër e Nenprefekturës dhe e Rrethit të Mirditës deri në vitin l949.
Blinishti , afër Shpalit ka qenë vendbanim i Familjes arbërore të Blinishtëve që më l274. Ka patur kishën e njohur të Shën Shtjefnit. Në juglindje të Shënpalit, në kodrat që zbresin nga fshati Kullaxhi drejt luginës së Fanit të Vogël gjendet Bukli , ku është zbuluar varreza e kulturës arbërore e shekullit VI-VIII e. s., e zbuluar në vitin 1963. Kultura materiale e kësaj varreze është e ngjashme me kulturën e Komanit dhe të varrezave të tjera të periudhës arbërore. Bukli është një pikë referimi për arkeologjinë e Mirditës.
SELITA
Kurbneshi përmendet në dokumente që në shekullin XV. Gjendet në lartësitë e maleve të Selitës, rrëzë Gurit Gjon, një shkëmb natyror monumental. Qyteti i Kurbneshit ishte i vendosur në të majtë të lumit të Urakës. Ngritja e tij nisi me hapjen e minierës së bakrit në vitin 1956 dhe me ndërtimin e fabrikës së pasurimit më 1960, e para e këtij lloji në Shqipëri.
Kurbneshi sot është qendra e komunës Selitë,që përfshin fshatrat: Kurbnesh, Zajs, Lufaj, Bardhaj, Lëkundë, Kthellë Epër, Mërkurth, Kumbull.
Kurbneshi ndan me Lurën në kufirin lindor,në Qafën e Merkurthit. Disa nga lartësitë malore të Kurbneshit janë Kunora (E përbashkët me Lurën), Valmori, Didhja, Mulli, Tranga.
Kurbneshi është 43 kilometra nga Rrësheni.
GOMSIQJA
Është fshati më perendimor i Mirditës, përkufi me Shkodrën, në anë të rrugës Shkodër-Fushë Arrës. Në Gomsiqe At Shtjefën Gjeçovi mblodhi lëndën kryesore të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Në Gomsiqe ndodhet një nga urat më monumentale të vendit tonë. Në Gomsiqe u formua njësiti i parë partizan i Mirditës.
Fshatra të tjerë të kësaj zone perëndimore janë Korthpula, Kaftalla, Vrithi, Mnela dhe Vigu. Ky i fundit u bë i njohur sidomos për epopenë heroike të Heronjve të Vigut gjatë luftës nacionalçlirimtare, të cilët ranë në gusht të vitit 1944 në përpjekje.
Në Korthpulë dhe në Vig ka patur miniera të vogla kaoline.
KASHNJETI
Qendër e bajrakut të Dibrrit në të kaluarën. Përbëhet nga fshatrat Rras i Butë, Gjobardhaj, Kashnjet, Kalivaç, Fregën, Ungrej, Kalor, Sukaxhi, Gjazuj. Ka patur disa vendbanime të lashta të kohës së bronzit në trojet e fisit ilir të pirustëve. Ndër dëshmitë historike janë vendi i quajtur Qyteza, tumat e Fushës Papërdhok Kalor, një përkrenare bronzi e zbuluar në Fregën, disa rrënoja kishesh të hershme etj. Përroi i Dibrrit që përshkon Kashnjetinështë i veçantë, pasi rrjedh nëpër këtë territor nga peremdimi në lindje, ndryshe nga të gjithë lumenjtë e tjerë. Ungrej në vitet '20 ishte qendra e Nënprefekturës së Mirditës. Kashnjeti sot administrohet nga një komunë me qendër në Ungrej.
|