KËRKIM |
 |
|
 |
|
Bashkëpunoni me gazetën, kontaktoni në adresën: gazetamirdita@mirditaonline.net
Meditime pedagogjike në familjen e mësuesisë
-Të mësuesit Mark Lazri-
PERLAT. Para pak muajsh mësuesi i gjeografisë Mark Lazri nga Përlati Qendër, që në një farë mënyre ka “marrë me këmbë” përgjatë një stazhi të gjatë thuajse tërë zonat e Mirditës në shkolla të ndryshme, promovoi librin e tij, që i kushtohet arsimit, lëmia e tij më e dashur, profesion të cilin sëbashku me gruan e tij po mësuese ua ka mëkuar dhe fëmijëve të tij, dhe është ndër rastet e rralla në Mirditë, por dhe më tej, që e tërë familja të merret me mësuesi, duke përcjellë breza mësimdhënësish.
Libri i ri i mësuesit Lazri, ndryshe nga herë të tjera ku promovimet bëheshin në vendin ku ai jep mësim dhe banon në Përlat, kësaj rradhe u bë në mjediset e pallatit të kulturës, ku merrnin pjesë mësues, miq të autorit, profesorë dhe studiues si dhe autoritete të pushtetit vendor.
Në parathënien e tij prof. dr Murat Gecaj, që mori pjesë në këtë promovim, sjell momente konfidencialiteti domethënëse për këtë pasionant të mësuesisë në Mirditë.
“Këto ditë në banesën time në kryeqytet ra zilja e telefonit. Sakaq mora dorezën dhe nga larg dëgjova zërin e njohur të kolegut dhe veteranit të arsimit, Mark Lazri. “Do të vij aty dhe do të takohemi, është fjala për çështje profesionale…”. Menjëherë më shkoj mendja se miku im i kahershëm do të ketë përgatitur diçka për botim, se kohë më parë më kishte folur për këtë gjë. Pas publikimit të librit tjetër me titullin simbolik ”U plakëm gjatë një nate” (esse), ai nuk do ta kishte të vështirë të përmblidhte shkrimet e tij kryesore, të botuara herë pas here në shtypin tonë qëndror e lokal.
U mbushën më shumë se 30 vjet nga koha qëkur jam njohur me Markun. Na kishte lidhur ngushtë arsimi ynë kombëtar, pasqyrimi i jetës së shkollave tona në faqet e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku unë shërbeja afër 22 vjet. Jemi takuar sa e sa herë në redaksinë e saj dhe kemi biseduar si kolegë për tematikën e shkrimeve, për pasqyrimin në faqet e gazetës sa me mirë të jetës arsimore dhe kulturore në krahinën e Mirditës. Gjithnjë buzagaz i mirëpriste mendimet e këshillat e çdo anëtari të redaksisë dhe pastaj shpejtonte të na dërgonte shkrimet e tij plot jetë e vërtetësi. Kështu rritej shkrim pas shkrimi e vit pas viti…”
Familja e mësuesisë
Familja e mësuesit Mark Lazri është ndër të veçantat familje, ku profesioni i mësuesisë duket se ka bërë çerdhen e vet, me një histori të llojit të vet, që nis me vetë ata, burrë e grua. Dhe më pas për të vazhduar me të dy fëmijët e tyre, Adelinën dhe Arturin.
Pak fjalë nga portreti i tyre:
Mark Lazri, kryen arsimin e lartë në fakultetin histori-gjeografi si dhe studimet pasuniversitare në fushën e pedagogjisë. Ka dorëzuar desertacionin për gradën e “doktorit të shkencave”, dhe është ndër ata mësues kur pasioni nuk njeh moshë, energjik dhe impulsiv si në rrugën e nisur të bukur dhe të vështirë të dituridhënies. Pos të tjerash, jo thjeshtë si një hobi, ka ardhur dhe pasioni për të shkruar si bashkëpunëtor i zellshëm i “Mësuesit”, “Revistës pedagogjike”, gazetës “Mirdita” etj. Ka botuar tre libra, ndërsa vazhdon me të njëjtin pasion detyrën e mësuesit, të alternuar dhe si drejtues në disa shkolla të Mirditës.
Vitore Lazri, gruaja e Markut, një ndër mësueset më të përmendura të shkollës me histori në arsimin mirditor, atë të Përlatit. Për disa vite ka dhënë lëndët gjuhë-letërsi në Malaj e Përlat. Ndërsa tani është mësuese në ciklin e ulët të shkollës Përlat. Profesionin e mësueses, edhe pse kaq i lodhshëm në një periudhë të gjatë të përvitshëm, nuk do ta ndërronte me asgjë tjetër. Qindra nxënës që dalin nga duart e saj, nuk e harrojnë atë për dituritë që ua ka përcjellë në mënyrë shumë cilësore.
Adelina Lazri (Nikolli), vajza e çiftit mësues, ka mbaruar arsimin e lartë në gjuhë-letërsi, ndërsa punon në mbrojtjen e anglishtes. Për pesë vit rrjesht ka dhënë letërsinë në shkollën e mesme Përlat në gjurmë të prindërve të saj mësues.
Artur Lazri; ka mbaruar fakultetin kimi-biologji. Është pasionant i gjuhëve të huaja, ka mbrojtur me diplomë gjuhët anglisht dhe frëngjisht si dhe komunikon mirë në italisht si dhe spanjisht. Është mësues i lëndës së kimisë në shkollën e mesme Përlat, dhe i pëlqen që është në këtë profesion në gjurmët e prindërve të tij.
Të katër mësuesit e një familjeje, janë mësimdhënës në këtë shkollë të mesme të Përlatit. Ndërkohë që kanë dhe dy vajza të tjera, Mimozën dhe Rinën, e para maturante dhe e dyta në klasën e tetë. Përparojnë shumë mirë në mësime dhe gjatë verës nuk e kalojnë kot, por me mësimin e gjuhës së huaj, anglishtes.
Ndonëse familja Lazri banon në fshat, duket se është e lidhur shumë pas librit, mbi të gjitha punët ata e konsderojnë atë. Fshati e mban për mirë në gojë këtë familje pasionantësh mësuesish, nga më të rrallat në Mirditë, ku një familje e tërë, është e lidhur me këtë profesion humanistësh të vyer.
Kështu dhe një libër meditimesh pedagogjike nga Mark Lazri, nuk vinte prej një trualli bosh.
---------------------------------------------------------------------------------------------
Shpallen qytetarë nderi:
Imzot Rrok Mirdita
Këshilli i bashkisë Rrëshen, ka shpallur qytetar nderi të Bashkisë Rrëshen Shkëlqesinë e Tij Imzot Rrok Mirdita, për kontributin e tij në rritjen shpirtërore të bashkësisë katolike.
Gjatë 12 viteve të shërbesës së tij arqipeshkvnore është kujdesur në mënyrë të veçantë që Kisha Katolike të plotësojë nevojat më të ngutshme të të gjithë shtresave të popullsisë. Është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që misionarët të veprojnë në Kryedioqezë, të angazhohen në fushën e arsimit, të shëndetësisë, ndihmës sociale, mbrojtjes së fëmijëve, mbështetjes së famlijeve në vështirësi, strehimit të të braktisurve etj, etj.
Nën kujdesin e tij janë hapur me dhjetra kopshte, shkolla fillore, tetëvjeçare dhe të mesme, disa qendra sociale, shkolla të formimit profesional, qendra strehimi për fëmijët e braktisur, qendra të shërbimit shëndetësor, një qendër për rikuperimin e vartësve të lëndëve toksike etj, ku mund të gëzojnë shërbime cilësore mijëra qytetarë pa dallim feje dhe prejardheje shoqërore.
Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkv Metropolit i Kryedioqezës Tiranë-Durrës, është shpallur si i tillë nga Papa Gjon Pali i II në janar të vitit 2005
Profesor doktor Mark Tirta
Gjithashtu është shpallur qytetar nderi me propozimin e bërë nga shtëpia botuese “Mirdita”, gazeta “Mirdita” dhe shoqata “Abat Doçi”, edhe prof.dr Mark Tirta, pedagog në UT dhe punonjës shkencor në Institutin e Kultiurës Popullore, nën motivacionin:
Ka kontrinbuar në njohjen e kulturës popullore shqiptare si etnolog, ka botuar mnjë varg librash shkencorë si “Migrimet e shqiptarëve”, “Mitologjia ndër shqiptarë”, “Etnologjia shqiptare”. Ka mbi 300 artikuj shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit, në kuadrin e botimeve të Akademisë së Shkencave.
Ndërsa me propozim të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të rrethit e drejtuar nga piktori Pjetër Marku, është vlerësuar “Nderi i Qarkut Lezhë”.
Është ndër krijuesit e Muzeut Historik të Mirditës, pedagog në UT prej 30 vitesh. Ka dhënë leksione në disa universitete të Europës duke dhënë një kontribut të çmuar për përhapjen e kulturës popullore shqiptare. Ka iniciuar dhe drejtuar konferenca shkencore dhe botime për Mirditën dhe ka kryer studime të posaçme për këtë krahinë.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Nostalgji studentësh nga Bolonja
BOLONJA. Sejcili ka nostalgji sidomos kur shikon fotot të cilat kanë fiksuar në celuloid pjesë nga mosha më e bukur, ajo e shkollës së mesme. Por për cilindo mbetet më e bukura mbrëmja e matures, çasti kur sejcili merr udhë të tjera në jetë, larg mundësive që të ofron mosha e adoleshencës. Pikërisht kjo festë e maturantëve është kthyer në festë për tërë qytetin e Rrëshenit. Kjo mbrëmje e cila për maturën time mban datën 11 korrik e vitit për bashkëqytetarët tanë përcillej si të ishte një natë e magjishme e ndarjes së “Oskarëve” për yjet e Hollivudit. Të gjitjë njerëzit dalin në rrugë për të parë dhe përshëndetur maturantët me veshjet dhe lukun e tyre të përzgjedhur.
Por pas asaj mbrëmje të mrekullueshme e që për sejcilin mbetet një kujtim i paharruar, fillon një jetë më me shumë përgjegjësi dhe kërkim vizionesh për të ardhmen e sejcilit prej nesh. Pavarësisht mundësive ekonomike të prindërve tanë ne zgjodhëm rrugën për të vazhduar shkollimin në shkollat tona të larta (Tiranë, Shkodër etj) por edhe jashtë vëndit si në Itali e gjetkë. Të shumtët nga ajo maturë përfunduam në Itali jo se nuk na pëlqente të shkolloheshim në Tiranë apo Shkodër, por kjo ishte rruga më e lehtë për ne, pasi ishte (është) korrupsioni në Shqipëri që nuk na lejoi të fitonim konkurset e famshme pranë këtyre universiteteve.
Pra zgjodhëm rrugën më të lehtë pasi në universitet italiane hyrja është e lehtë dhe pa probleme. Por jo gjithmonë ndodh ashtu siç parashikohet. Nuk dua të flas për vështirësitë pasi mund të shqetësohen të afërmit në vendin tonë, por gjithësesi ato janë të panumërta. Por përpos vështirësive maturantët dinë të bëjnë gjëra të bukura. Një foto e vendosur në një faqe interneti nga festimi i i përvjetorit të 20-të të një mature në shkollën e mesme të Rubikut, na nxiti të organizojmë në Bolonja katërvjetorin e festës së madhe të organizuar në Rrëshen me rastin e përfundimit të shkollës së mesme. Nën drejtimin e DJ Winter Lewis Ilir Gjoka ose “Rrapi” siç e thërrasin të gjithë, Klodian Dodës dhe Ermelinda Gjikolës, organizuam përkujtimin e kësaj dite në një nga restorantet greke të qytetit. Pikërisht në këtë aktivitet nuk munguan Ender Kaçorri, Florian LLeshi të ardhur nga Forli, Rubensa Hoxha, Mirgen Jaku të ardhur nga Bergamo, Aldor Bazhdari, Edmond Mandrea, Dritan Biba, Rajmonda Canga nga Verona, Bledi Ndreca, Nikolin Paloka nga La-Spezia, Ariola Bushulli, nga Roma, Lekë Çupi nga Milano, si dhe shumë të tjerë.
Pas një darke tipike shqiptare kaluam në një nga pub-et e zonës universitare deri në orët e para të mëngjesit, ashtu si katër vite më parë në mbrëmjen e maturës. Ishte një moment i mrekullueshëm teksa shikonim shokët dhe shoqet e shkollës të mbledhur si atëherë, por këtë rradhe në nje shtet tjetër. Finishi i kësaj feste pati vendimin për t’u mbledhur sërish pas katër viteve, këtë rradhë ndoshta në Shqipëri me shumë prej nesh të diplomuar në universitete të ndryshme brënda dhe jashtë vëndit.
Nga Bolonja:
Artur Reçi
----------------------------------------------------------------------------------------------
Reportazh
Zadrimë, aty ku po merr udhë “një laps shprese”…
LEZHË. “Ambasadorët e Paqes”, u pagëzuan si të tillë në vitin 1997, kur në horizontet e errëta të Shqipërisë feksej vetëm kaos, vrasje e dhunë. Qe një grup fëmijësh të Zadrimës të udhëhequr nga edukatorët e tyre, që ndërmorën një inisiativë që kurrë nuk do ta mendonin se do të merrte përmasa të tilla; ata vendosën të mblidhnin nëpër rrugë gjithë gëzhojat e zbrazura nga papërgjegjshmëria e më të rriturve. Mblodhën me mijëra gëzhoja me idenë e vetme që të PASTRONIN FSHATRAT nga shenjat e dhunës. Vetëm me kalimin e kohës lindi ideja të realizonin me gëzhojat e mbledhura një KËMBANË që të shpërndante tinguj paqeje për të gjithë botën: dhe sot ajo këmbanë pasi bëri udhëtimin në shumë qytete të Italisë, në pothuaj tërë qytetet shqiptare dhe ato të Kosovës, ndodhet tashmë në qendër të Tiranës për t’u kujtuar të gjithëve angazhimin për paqe.
Por tani ata i janë drejtuar një nisme të re po kaq të denjë sa ajo e atyre viteve nën një moto të re:
“Jam një laps në duart e Zotit”
Don Antonio Sharrën, këtë misionar fisnik italian, siç e quajnë banorët e zonës, moderatori I këtyre nismave interesante dhe të frytshme, e gjetëm në mes të rinjëve në shtëpinë e Ambasadorëve të Paqes në Baqel të Blinishtit. I sheh në tavolinën e rrumbullakët kur flasin, debatojnë, ata që para tetë vitesh ishin fëmijë, që flinin dhe zgjoheshin me të vetmen ëndërr, si të përhapnin paqe në atdheun e tyre që ishte në prag konflikti civil.
Këta dhe dhjetra të tjerë sollën në vëmendje të shqiptarëve Këmbanën e Paqes në ditët e vështira të Shqipërisë (1997), ndërsa sot janë mbledhur për një tjetër mision po aq të rëndësishëm nën moton “Një laps shprese!”. Është vërtetë interesant gjetja intriguese për të hyrë në ndërgjegjen e fëmijëve, adoleshentëve, por dhe të tjerëve, gjithkund dhe kudo. Bëhet fjalë për një laps shumëngjyrësh, lapsi misionar, ideuar dhe prodhuar nga “Infanzia Missionaria Italiana”.
Elona, Sandri, Frederika dhe Matija, Erjola, Anna, Aida, Rudina, Eduarti, Valbona, Arta sëbashku me suor Eurikën dhe don Antonion në këtë tryezë të rrumbullakët, si stafi më i ngushtë i një rrethi që do të zgjerohet pas pak ditësh, kanë menduar ta përhapin këtë nismë të lindur nga fraza e jashtëzakonshme e Nënë Terezës “Jam një laps në duart e Zotit”, duke prodhuar 50.000 lapsa shprese për t’i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.
Ata rrëfejnë se objektivi kryesor është ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe të rinjëve shqiptarë në lidhje me devijimet e të miturve në Shqipëri dhe nxitja nëpërmjet “lapsit të shpresës” e formimit dhe edukimit për solidaritet e drejtësi shoqërore. Nëpërmjet një formimi të shtrirë në të gjithë territorin shqiptar qëllimi është të sensibilizohen të rinjtë të tregojnë interes dhe të mos rrijnë indiferentë ndaj problemeve të moshatarëve në vështirësi, dhe në mënyrë indirekte t’u transmetojnë pak qetësi dhe shpresë të miturve, të cilëve u dhunohen të drejtat natyrore etj.
Për shpërndarjen e lapsit Ambasadorët e paqes do të nxisin këtë nismë nëpër shkollat shqiptare, shoqatat, organizatat, kongregatat rregulltare, famullitë e grupet rinore, nëpërmjet aktiviteteve rikrijuese dhe formuese.
-Një “laps shprese” është një vegël në duart e fëmijëve, është një shenjë simbolike solidariteti ndaj vëllezërve të pafat, -thotë don Antonio. Figura e lapsit me sentencën e mrekullueshmë të Nënës Terezë, do të na shoqërojë në të gjithë muajt e vitit 2006, për të kujtuar që nuk duhet pushuar asnjëherë së shkruari “faqe shprese”. Sëbashku me lapsin ata do të shpërndajnë dhe një kalendar për 2006 të tyre nën moton “Të tjerët në shtëpinë time”, në gjuhën shqipe dhe italiane. Ky laps, ky kalendar u drejtohet gjithë fëmijëve shqiptarë pa kurrfarë dallimi shoqëror apo besimi fetar, dhe për këtë çelësi magjik ka qenë ky laps nën frazën e Nënë Terezës, nënës së gjithë shqiptarëve.
Shërbimi alternativ
Yshtur nga mësimet e don Tonino Bellos, duket se prej këtu po lind dhe një nismë e re interesante, ajo e shërbimit alternativ. Thjeshtë të rinj që nuk kanë dëshirë ushtrinë, jetën ushtarake, apo mission dhe bindje antimilitarizëm?! Të rinjtë që po e përfaqësojnë këtë flasin për bindjen antimilitare, ndërkohë që sipas tyre “nuk është arma që të bën burrë” dhe se Atdheut i shërbehet dhe në mënyra të tjera.
Për të qenë konkret në nismën e tyre, në kalendar kanë shënuar me këtë laps shprese: “Jam 17 vjeç. Ka për të më ardhë letra për ushtar. Por mua nuk më bind ky lloj shërbimi”. Duke sjellë në vëmendjen e të rinjëve se ka dhe një mënyrë tjetër për t’i shërbyer atdheut, është shërbimi alternativ, një shërbim që të jep mundësinë të ndihmosh ata me shumë nevojë. Dhe për këtë në vitin 2003 ka dalë një ligj që i jep të drejtë çdo të riu që beson se jodhuna është forcë e madhe në shërbim të species njerëzore.
Po çfarë duhet të bëj unë, pyet i riu për të kryer këtë lloj shërbimi, meqë nuk beson dhe aq se arma e bën burrin burrë! Nëse je bindur kësisoj, paraqitu në Zyrën e Mobilizim rekruktimit, që e ka për detyrë të informojë dhe të të ndihmojë për procedurat, dhe kjo rrugë ka të bëjë me paraqitjen e gjashtë dokumenteve.
Por mbi të gjitha rëndësitë e kohës mbetet për ta përhapja në tërë Shqipërinë e “Lapsit të Shpresës”, të frymëzuar nga e lumnueshmja Nënë Tereza.
-----------------------------------------------------------------------------------------------
Vitrina e “Mirditës”
Në këtë rubrikë në mënyrë të përmuajshme do të sillen në vëmendjen e lexuesit të gazetës librat dhe botimet e ndryshme të mirditorëve kudo ata janë si dhe suksesin që ato e realizojnë në Shqipëri apo jashtë vendit.
Autori: Ndue Dedaj
Studiues dhe shkrimtar i njohur në qarqet intelektuale më tej Mirditës, drejtues i shtëpisë botuese “Mirdita”, punon mësues i letërsisë në shkollën e mesme Rrëshen, vazhdon të prodhojë papushim si dhe të “sitë” librat që kalojnë përmes shtëpisë botuese që drejton, pra “Mirdita”.
1.“Shembja”,
Është romani i parë i tij pas disa librave studimorë, monografi, eseistik, libra me tregime, vëllime poetike etj. Autori e sheh Shembjen si një process universal dhe trejton filozofikisht këtë proces. Ai i ndërthur përsonazhet e tij në një mënyrë tërheqëse.
„Shembja“ përcillet nga recensa e të mirënjohurit Dhimitër Xhuvani, dhe tregimtari Zef Zefi . Botuar nga shtëpia botuese „Mirdita“ dhe shtypur në shtypëshkronjën Ger në Tiranë
Autori: NIKOLLË LOKA,
Studiues i njohur, jeton në Tiranë, disa vite punoj në Belgjikë, tani gazetar në gazetën e përjavshme shumëfaqëshe “POLITIKA”, ka nxjerrë në treg kohët e fundit një kolanë librash që lidhen me Ilirinë.
1. “Dinastite iliro-shqiptare” eshte shperndare ne Kosove, Zvicer dhe brenda vendit tone, kryesisht ne librarite e permendura si “Bardha”, “Friend's Book House”, “International Albania” dhe “Agolli”. I vleresuar ne rrethet akademike ne Tirane dhe Kosove.
2. “Genivs Illvrici“ (42 perandoret ilirë te Romes), eshte ne qarkullim, i blere kryesisht nga studiues. I derguar edhe ne Kosove e Zvicer.
3. “Iliria Biblike” po shitet ne librarite e librit te huaj dhe ne Kosove. Ka perpjekje per ta shitur ne Austri. Nderkohe eshte present ne te gjitha bibliotekat e instancave qendrore te pushtetit, qe nga Presidenti, Kryeministri e me radhe; ne te gjitha perfaqesite diplomatike perendimore, si dhe po shitet ne eliten intelektuale, studiues te fushave te ndryshme, prifterinje vendas dhe te huaj, si dhe intelektuale te njohur te Shqiperise. Meriten per publicitetin e librit e ka dhe bashkautori Gjet Kola.
Autori: Gjon Marku
Banon në Rrëshen, i pasionuar pas filatelisë por dhe bibliotekave dhe arkivave, krahas punës në sektorin e agronomisë, shkruan, publikon dhe në disa revista e gazeta tej fushës së tij.
1. “Varri nënë dardhë” tregime 2005
Është libri i dytë me tregime i autori Gjon Marku, pas atij me titull “Njeriu që vinte dhe ikte natë”, botuar disa vite më parë. Ky vëllim me tregime përmban gjashtëmbëdhjetë tregime. Nën siglën e “Shtëpisë botuese Mirdita”, shtypur në shtypshktonjën GEER në Tiranë , e mërënjohur tashmë për librat cilësorë që përgatit.
2. “ Mësuesi në kujtesë Preng Pjetër Filopati”, monografi 2005
Mësuesi në Kujtesë Preng Pjetër Filopati një monografi kushtuar të parit mësues laik të Mirditës i cili për 30 vjet me rradhë iu kushtua fushës së arsimit në trevën e Mirditës, Matit, Dibrës. Monografia sjellë edhe një historik të shkurtër të arsimit në Mirditë në fazat e para të tij.
Autori: Gjet Ndoj
1.Udha e Shqiptarëve
Autori vjen pas „E Vërteta mbi shqiptarët“ me këtë libër që mëton t’u flasë lexuesve për gjeopolitikën, sistemin rrugor dhe qytetërimin. Ndërsa duket se mbështetet në një farë aksiome se „ne shqiptarët menduam gabimisht se rruga për në Europë kalon përmes Athinës, por që në fakt rezultoj një kurth që do të na pengoijë shumë kohë për të kaluar atje ku e kemi vendin natyral“.
Autori: Walther Peinsipp
1.“Populli i shqipeve të malit“
Shtëpia botuese „Mirdita“ ka botuar së fundi librin e autorit Vvaltr Paincip „Populli i Shqipeve të Malit“, autori është njëri ndër ata hulumtues të huaj që merret me Mirditën, me traditat dhe zakonet e saj. Në këtë libër fokusohet kryesisht e drejta jonë dokësore.
Libri i këtij autori vjenë për herë të parë në shqip i përkthyer nga gjermanishtja nga Gladiola Kraja, dhe botuar nga Shtëpia Botuese „Mirdita“, shoqëruar me një parathënie të studiuesit dhe shkrimtarit Ndue Dedaj.
Shënim i redaksisë: Janë të lutur ata persona që botojnë libra, ose ente botuese që kanë lidhje me Mirditën, të na dërgojnë përmuajshëm librat që botohen dhe nga një shënim të shkurtër, pasi këtu mendojmë se bëhet dhe njohja më e mirë për lexuesin mirditor, por dhe më tej.
---------------------------------------------------------------------------------------------
Nikollë Përshqefa, ta sfidosh stresin me punë
RRËSHEN. Nikollë Përshqefa është banor i qytetit të Rrëshenit prej më se 30 vitesh, jeton në një pallat pesëkatësh të këtij qyteti. Ka gruan dhe tre fëmijë. Është një familje krejt e zakonshme, e pazë dhe që nuk bie në sy të qytetit. Ka qenë dikur drejtues kooperative, dhe drejtues rinie, ndërsa ka patur pasion punën me bimët, vreshtat dhe pemëtoret.
Deri në vitin 1992 ka qenë i punësuar në shtet siç dëshëron të thotë ai, ndërsa pas këtij viti, me prishjen e kooperativave dhe të N.Bujqësore, u “prish” dhe vendi i tij i punës si specialist arash. Por 56 vjeçari nuk mundi të vegjetojë si parazit e as të sillej zyrave të asistencave sociale apo të regjistronte veten si i papunë. Ndryshe nga ata qindra e mijëra që iu drejtuan zyrave pwr dy kacidhe ndihmë sociale, Nikolla preferoj t’u drejtohej të zotërve të tokave në rrethinat e qytetit, toka të tilla djerr që ishin gjithandej. Mundi të marrë dikund një dynym dhe e mbjell me perime, misër, dhe vreshta. Për dy vite fillon të marrë prodhimet, por pas dy vitesh, i zoti i tokës djerr e ndërpret “kontratën” me të, ndërkaq Nikolla është shpërngulur në një vend tjetër, një copëz tokë që ia ka huajtur i ndjeri Sandër Reçi, të cilën e ka lënë amanet për këtë njeri punëtor.
Ka ngritur vreshtë me disa lloj varieteshë, ka mbjellur pemë gjithfarësoj dhe shartuar të tjera, ndërsa hobi nuk ndalet vetëm këtu, por dhe tek bimët medicinale. Janë 46 lloje të tilla, të tëra bio, që i fal natyra, dhe u shërben njerëzve jo thjeshtë për para, madje “të të këputurve” nga gjendja ekonomike ua jep falas ato. Të habit me pasionin që ka dhe kur numëron dhjetra sëmundje që shërojnë bimët mjeksëore, sipas të cilit duhet të kthehen në traditë familjare.
Me frutat e stinëve të ndryshme prodhon dhjetra lloje rakish, likerna etj, dhe tek shtëpia e tij, në vend të wiskyt, mund të serviresh me një gotë nga këto pije të mrekullueshme, që e lënë ku e ku Wiskyn a pije të tjera “firmato”.
Ka një konstrukt ku “dhjamosja” nuk duket gjëkundi; lëvizja e përditshme, është në natyrën e tij, puna që në mëngjes deri në darkë, por pa u stërmunduar, dhe kjo ka bërë që të mos e ndjejë dhimbjen në shtat. Është një altruist i vërtetë nga natyra, ndonëse ky “term” nuk i pëlqen dhe aq për bindjet politike që ka; dhe ndonëse ky sistem nuk i pëlqen ai, është përshtatur për mrekulli dhe nuk ia merr dorën kujt për të jetuar kohën tamam.
“Njerëzit nuk stresohen nga varfëria, por nga mungesa e punës; unë nuk kam stres, se e kam gjetur punën!”, kjo është sentencë e tij filozofike për kohët e sotme, dhe kësaj i përgjigjet në punën e përditshme sa tek vreshti, tek shtëpia, tek laboratori i likernave apo tek kazani i rakisë, apo aty ku përgatit melhelmet për të sëmurë e nevojtarë.
------------------------------------------------------------------------------------------
60 vjetori i shkollës së Prosekut
MIRDITË. Mirdita, edhe pse një ndër krahinat më të vuajtura të vendit, në ashtin e saj të mocëm ka patur arsimdashjen, dhe të parët nxitës të arsimimit të banorëve të këtyreve anëve sipoas relacioneve janë priftërinjtë, të cilët nën veladon kishin dhe abetaren apo matematikën. Prend Doçi, abati i përmendur i Mirditës, themeluesi i shoqatës së mirënjohur “Bashkimi” në Shkodër, në vitin 1899 hapi të parën shkollë shqipe në Orosh, ndërsa pak vite më vonë hapën dhe ajo e Rrëshenit dhe e Rubikut. Ndërsa në Përlat hapet aty nga viti 1918. Vite më vonë do të hapej dhe një shkollë tjetër në Prosek, madje në orët e para të pasçlirimit.
Kur kjo shkollë vitin e kaluar mbushi 60 vite, në një mjedis të bukur u organizua përkujtimi ceremonial i këtij përvjetori në fshatin Prosek. Dita e këtij përkujtimi i përngjante një feste të vërtetë të tërë fshatit, ndërsa më emocionuese, e bënte këtë festë ardhja e tërë brezave të mësueve që kanë dhënë mësim këtu prej 60 vitesh dhe e një dyzine të tërë nxënësish, që u ulën fëmijë në bankat e kësaj shkolle dhe sot janë me thinja.
Një ndalesë tek muzeu i shkollës e sjell çuditshëm atë kohë, kur njëri nga pleqtë ka të shënuar shprehjen proverbiale: “Varfnia s’ka c’na ban, jemi regj me të. Padia, ajo duhet heq. Me padie s’e heqim kurrë qafet varfërinë. Po e mposhtëm padijen, besa or burra, do të jetojmë ma mirë, do jemi me sy qel e jo qorra. Ka qenë fjalë e kryeplakut të asaj kohe”
Dhe kësioj u thellua varfëria për të fituar shkollën, vetë fshati mblodhi gurë, tjegulla, gëqere, para dhe ndërtoj një shkollë të re.
Promovimi i librit të mësuesit vendas Ndue Lleshaj “Sëbashku një jete”, që i kushtohet 60 viteve udhë të kësaj shkolle, ishte njëra nga veprimtaritë mbresëlënëse të zhvilluara atë ditë. Emra dhe statistika që sjellin vitet e mundit dhe sakrificës të njerëzve të dijes. Por ajo që tërhoqi më shumë ishin kujtimet e mësuesve të ardhur nga rrethe të tjera që nga vitet 1950, dhe shquheshin në këto ardhje mësuesit shkodranë. Tre prej tyre Shkëlzen Shkreli, Vehbi Ramadani, Esat Jegeni, të cilët edhe pse me aq vite mbi supe nuk kanë munguar të vinin në këtë përvjetor të 60-të të shkollës, me shumë emocion kanë rrëfyer për vitet që kaluan këtu, mundin, vështirësitë, peripecitë por dhe kënaqësitë që morën prej këndej.
Në bankat e shkollës para 60 vitesh u ulën vetëm djem, por pak vite më vonë, ishin prezentë dhe vajzat e fshatit, ndërsa po ato vite do të çante akullin e konservatorizmit të thellë një mësuese, Pashke Lleshi, bijë Ulqini e martuar në këtë fshat. Ajo do të ndikonte në emancipimin e fshatit, por do të shihej me irritim nga ata që nuk e donin emancipimin dhe “daljen e faqes së zezë” të femrës së fshatit, ndaj një ditë ca namuzli për ta poshtëruar e zënë dhe e qethin. Kështu ajo lë punën aty nga viti 1946. Por vite më vonë në Prosek do të vinin mësuese nga zonat e tjera të vendit ashtu si dhe do të dilnin breza mësuesish edhe nga fshati. Njëra prej tyre Violeta Koçi, e cila është mësuese në Durrës, kujton para të ftuarve emocionet e ardhjes dhe ndenjes këtu para 30 vitesh.
Më pas janë derdhur tinguj të këngëve dhe përshëndetjes përmes një montazhi letraro muzikor të grupit artistik të kësaj shkolle dhe kujtimeve të mëpasme të lira nëpër mjediset e shkollës, në lëndinën aty pranë dhe më pas në një drekë për të ftuarit.
Vetë drejtori i shkollës Kol Bardhoku, një mësues dhe drejtues pasionant, që ka më se një vit që merrej me këto përgatitje, tregon për ambiciet e mëtejshme, duke theksuar faktin se dëshira dhe përkushtimi, mund të vijojnë traditën e mirë të arsimimit të fëmijëve edhe një fshat si Proseku.
Matilda Ndoja
Pllanë, një shkollë model për shurdhmemecët
LEZHË. Kujtdo që i takon të kalojë afër një fshati në hyrje të zonës-territor të Lezhës, më i pari fshat i këtij rajoni, m’u në hyrje të tij është e pamundur të mos bjerë në sy një kompleks, i cili në qarkimin e një blerimi gjithëstinor ku mbizotëron tuja dhe bredhi, merr me vete një ndjesi, si i vetmi vend ku dhe dimri nuk mund të quhet zemërak.
Na kanë thënë se do të përjetoni diçka surprizë në këtë mjedis ngjitur me kishen e re, por sapo afrohesh nuk e merr dhe aq për të vërtetë grishjen që dikush është munduar të të ofrojë për këtë vend, sepse duket si një ndërtesë hijerëndë aspak e zhurmshme, dhe pak a shumë përfytyrimi shkon deri aty sa e shumta brenda duhet të ketë ndonjë prift apo murgesha që luten në qetësinë e tyre vetmitare. Sepse, përnjëmend aty s’pipëtin gjë. Dhe aq më tepër fëmijët që kërkojmë ne…
Roja që takojmë aty na fton gjithë mirësi në “shtëpinë pa njeri” në dukje, kur fillon e hapet me ne dhe merr vesh qëllimin përse jemi aty. Këtu bëhen mrekullira, thotë ai, dhe fillon të sjellë argumentet që lidhen me ambulancën falas për banorët, ilaçe, ndihma për të vobegtët që u jepen prej vitesh, por sidomos na kujton se brenda mund të jenë afro 200 fëmijë edhe pse aty nuk dëgjohet as dhe një cicërimë.
Nga gjithë kjo fillimisht përfton një ndjesi jo dhe aq të mirë, sepse instiktivisht kërkon të dish ç’bëjnë këta fëmijë aty, si të ngujuar në këtë ndërtesë hijerëndë?! Dhe aq më tepër kontakti i parë me motrat e këtij rregulli, nuk është dhe aq i paqtë, më saktë të themi, dyshues i përdyanshëm, ne dhe ato! Nën syzet e motër Loretës që vjen nga Italia, duket se hetimi zhbirues për ne gazetarët ka zënë vend tej ca syve që duken herë dyshues, por dhe plot mirësi. Me siguri ajo pyet veten: “ç’duan këta këtu, nga u ra në mendje ky vend?!...”
Duket se nuk u pëlqen aspak mediatizimi i punës që bëhet, por më e keqja shpesh herë na dyshon si paparacë, shija e hidhur e priftit të Don Boskos, duket se ka mbërritur tek çdo mision i tillë dhe se “marren”-thënë shqiptarçe, e kanë marrë për pjesë edhe të tyre, shpesh herë dhe diskretituese me pa të drejtë, kur në mediat shqiptare nuk është e vështirë që më një të rënë të lapsit të njollosesh religjione e misione humane skutë më skutë. Megjithatë “akujt” pak e nga pak fillojnë e shkrihen, deri sa vendosim besimin e ndërsjelltë për të hyrë në tërë “enigmat” e këtij misioni të veçantë.
Shurdhememcët, aty ku mësohet integralisht
Ka shkolla të posaçme për to, ashtu si dhe libra e metodika të posaçme, por këtu mësohet në një mënyrë krejt tjetër. Më saktë, këtu nuk dallon nxënësi normal nga ana fizike në këtë aspekt nga ai që ka probleme me të folurin dhe të dëgjuarin. Edhe pse hyn nëpër klasa dhe vështron se ku janë “ata”, nuk vë re ndonjë dallim ndër fëmijët e atyshëm, dhe këtu qëndron esenca e qëllimit të kësaj shkolle të rrallë në Shqipëri. Ajo që mund të bëjë të dallueshëm fëmijët shurdhmemecë janë kufjet tek veshi, aparati i dëgjimit, të sjellë nga Italia si një porosi e veçantë për ta. E folura e tyre përkon tërësisht me lëvizjen e buzëve të mësueses dhe ata merren vesh përpikmërisht për çdo shkronjë e fjalë!
Në çdo klasë me 12 fëmijë gjithsej, 2 a 3 janë shurdhmemecë, të cilët kur hyn brenda në klasë nuk para i dallon nëse mësuesja nuk u drejton pyetjen. Përgjigjet e tyre vijnë me të hapurit e gojës dhe shqiptimit disi të zorshëm, ku flet më tepër buza dhe drita e syve që bie pingultazi mbi atë të mësueses.
Edlira është njëra prej mësueseve të këtushme, ka një mënyrë sjelljeje engjëllore me fëmijët, është diplomuar për italisht, ka punuar përkthyese, ndërsa thotë se rastësisht hyra këtu, por duket se ka qenë dhe punë e Zotit për t’u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Mirësia e fytyrës së saj dhe komunikimi i ëmbël duket se i vë urat shpirtërore në mes saj dhe fëmijëve shurdhmemecë, kryesisht, kaq shpejt e natyrshëm. Ndërsa flet dhe e shikon fëmijën në dritë të syrit forma e buzëve të saj merr po atë të fëmijës që e pyet aty në dërrasë të zezë. Përdorimi i shenjave është shumë i kufizuar dhe duket se me të folur merren vesh edhe fëmijët me njëri tjetrin.
Edhe mësuesja Rita, e cila ka vetëm një vit eksperiencë këtu, thotë se ndjehet mjaft mirë, ndërsa ka nxjerrë në dërrase të zezë Adin nga Tirana në klasë të parë, ai përpikmërisht i korespondon bashkësitë e numërave në qarkimin me shkumës të bardhë në dërrasën e zezë. Aldoja është nga Rrësheni, dhe mësuesja e tij shprehet se ka një vullnet të hekurt si askush fëmijë, të përpin në dhënien e orës së re të mësimit.
.
Klasat e “riedukimit”
Kur mësueset Mirela dhe Rovena të ftojnë për tek një ambient që e quajnë “special”, duke na përmendur “klasat e riedukimit”, na lë një shije të hidhur si term, por që gjithë keqkuptimi daravitet kur shohim se si punohet aty në mënyrë të diferencuar me fëmijët e kësaj natyre; një mënyrë të ndërtuari shumë interesante të mësimdhënies që ka të bëjë me riaftësimin maksimal dhe në mënyrë të pavarur të tyre. Momenti kur ne jemi aty, mësuese Mirela po punon me një tregim të ilustruar me nxënësin e klasës së katërt Kreshnikun. Punohet një javë në punë të pavarur deri sa çdo gjë shkon në perfeksion. Të njëtën gjë bën dhe mësuese Silvana me një fëmijë në moshë më të vogël.
Ato nuk kanë mbaruar për mësuesi, por pesë vite eksperiencë kanë bërë të tyren dhe ato janë formuar si mësuese që do t’ua kishte zili çdo mësues i këtyre klasave integruese të dy kategorive të fëmijëve.
Më pastaj zbresim për tek dy grupet e kopshtit ku japin mësim Entiola dhe mësuese Flora. Admiri është një fëmijë i shkathët shurdhmemec, që vjen nga Tropoja, por që miqësohet shumë shpejt me ne kur na sheh me mjetet e gazetarit në duar, është një botë njerëzore tejet e ndjeshme, dhe të rrish ca minuta me të, të bën të ndjehesh shenjt! Ka dëshirë të fotografojë me aparatin tonë dhe ne provojmë. Mësuese Flora vjen nga Puka, dhe thotë se është mrekulli të punosh këtu me këta fëmijë dhe më këto kushte që kanë plotësuar motrat e Bashkësisë së Zellit Hyjnor..
Historia e fillimit
Kjo shkollë e llojit të vecantë në vendin tonë zë fill para 5 vitesh me dy klasa të vogla, ndërsa tani numëri i fëmijëve ka arritur në 169, nga këto me aftësi të kufizuara apo siç quhen shurdhmemecë 25, të ardhur që nga Shkodra, Tropoja, Tirana, Laçi a rajone të tjera.
Motër Margerita, që ka një eksperiencë mbi 25 vjeçare në Itali dhe këtu me këtë kategori fëmijësh, rrëfen se para pesë vitesh, kur ne punonim këtu në mision, ka qenë një prind që erdhi me një fëmijë të tijin që nuk dëgjonte, u afrua me shumë ndrojë për të kërkuar ndihmë. Me atë fëmijë filluam projektin tonë që do të zgjerohej. Për suor Margeritën nuk është e drejtë kur disa prindër i fshehin shmangiet fizike të fëmijëve, si goja, veshi apo deri dhe handikapatët duke i mbajtur ata të “ngujuar” nëpër shtëpi, larg syrit të botës! Ndaj dhe misioni ynë është t’i integrojmë këto shtresa me fëmijët e tjerë, sepse edhe këta janë njëlloj si të tjerët.
Duke kaluar një ditë të tërë në mjediset e kësaj shkolle tepër të veçantë e të rrallë për nga mënyra sesi ajo funksionon, kur i shikoje këto motra drejt e në sytë e tyre, pyetja tunduese që të vinte vetvetiu ishte: nga e marrin ato gjithë këtë besim, këtë mirësi për të shërbyer me kaq përvujtmëri ndaj këtyre fëmijëve dhe njerëzve në nevojë?!.
Suora Margerita të heton menjëherë në bisedën me të dhe atë çfarë mendon gjatë bisedës dhe pak nga pak të zbërthen tërë veprimtarinë e tyre dhe Atin shpirtëror të tyre.
Annibale, nga i pasur në “baba i jetimëve dhe të varfërve””
Annibale Maria i Francës, që është babai shpirtëror i këtij misioni të vendosur dhe këtu në Pllanë të Lezhës ashtu si dhe në qindra misione në tërë botën, është quajtur si “një njeri për të tjerët”, ka lindur në Mesina të Italisë më 5 korrik 1851 në një familje qytetare shumë të pasur. Në moshë fare të re, gjatë adhurimit të kungimit, burim frymëzues i jetës së tij, ndjen për frymëzimin hyjnor epërsinë e lutjes në punën e prirjes. Në moshë të re ndjeu qartësisht thirrjen për prift i shtyrë nga zelli për të shpëtuar gjithë njerëzit, veçanërisht të varfërit dhe jetimët; iu kushtua përkrahjes njerëzore e shpirtërore në një nga zonat më të varfëra e të degraduara të qytetit të tij, lagjia Avinjone. Pikërisht në këtë lagje, rrënjësisht e transformuar nga aktiviteti i tij apostolik, nisën Jetimoret Antoniane (më 1882 ata femërorë, dhe më 1883 ato mashkullorë) për të strehuar, ndihmuar e formuar qytetarisht e nga ana fetare rininë nevojtare.
Të tërhequr nga mëshira e tij shkuan me të burra e gra, që u dhanë pas të njëjtit apostulat. Kështu më 1887 themeloj Bashkësinë e Bijave të Zellit Hyjnor, dhe më 1897 Bashkësinë e Rogacionistëve të Zemrës së Jezusit, me detyrën për të jetuar e përhapur mësimin e Krishtit sipas nevojës në prirje për lutjen, në shërbimin për të vegjëlit dhe të varfërit, si dhe në territorin misionar.
Prift i ditur dhe i zellshëm, kultivoi dhe predikoj dashurinë për Fjalën e Zotit, Kungimin, Marinë Virgjëreshë, të Shenjtët, duke manifestuar besnikëri të veçantë dhe shpirt bindës për Papën, Peshkopët, pasaardhësit e idhtarëve. Ndjen fort synimin misionar.
Shenjti Annibale e përfundoj jetën e tij tokësore, e jetuar në ushtrim heroik e të qëndrueshëm dhe në rritje për virtytet kristiane, më 1 qershor 1927 në Mesina (Mehalla Fiumara Guardia).
Është njohur unanimisht si “parakryes i vërtetë e mësues i zellshëm i punës moderne të thirrjes” e si “baba i vërtetë i jetimëve dhe të varfërve”.
Gjon Pali II e ka shpallur të LUM me 7 nëntor 1990 dhe TË SHENJTE me 16 maj 2004.
Gj.M
---------------------------------------------------------------------------------------------------------
Shugurohen edhe dy ipeshkëv
LEZHË. Përmbyllet me dy meshat celebruese të zhvilluara njëpasnjë dy ditë të fillimjanarit 2006 cikli shugurues i tre ipeshkvinjëve në dioqezat shqiptare, për dy ipeshkvinj të tjerë në dioqezat e vendit tonë, duke e çuar në tre numërin e ipeshkvinjëve të dekretuar nga Papa Benedikti i XVI.
Vau i Dejës, Shkodër
Në një mjedis festiv me pjesëmarrjen e mijërave besimtarëve e autoriteteve të ndryshme fetare dhe atyre civile, në Katedralen e re "Nënë Tereza" në Vaun e Dejës të Shkodrës u zhvillua ceremoniali shugurues i ipeshkvit të dioqezës së Sapës, monsinjor Dodë Gjergjit. Shugurues në këtë ceremonial ka qenë shkëlqesia e tij Nunci apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri imzot Giovanni Bulaitis, ndërsa bashkëshoqërues metropolitti i Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra si dhe ipeshk i Kosovës imzot Mark Sopi.
Shugurimi i Vitales në Pllanë
Gjithashtu është bërë dhe ceremoniali i tretë shugurues i ipeshkvit të dioqezës së Lezhës Ottavio Vitale që shërben si administrator apostolik prej 12 vitesh. Vitale, pastor dhe humanist i njohur, ka preferuar që shugurimi i tij të bëhet në kishën “Shën Annibale M.Di Francia” të Pllanës së komunës së Zejmenit, pasi ai i përket familjes së etërve rrogacionistë, dhe vetë prifti i njohur e ka bërë moto të punës e veprimtarisë së tij urdhërin “rogato”, sipas mësimeve të At Annibale. Ceremonia ka qenë madhështore ndërsa si shugurues ka qenë imzot Angelo Massafra, ndërsa bashkëshugurues Nunci Apostolik Giovanni Bulaitis dhe imzot Rrok Mirdita.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
Plehëra “klandestine” nëpër akset nacionale
RUBIK. Rrugët shqiptare duken se janë kthyer në mall pa zot, përderisa mbi to mund të bëjë kujtdo çfarë t’i teket e ç farë t’i dojë zogu i qejfit. Të hapë rrugë pa rrugë ku të dojë e si të dojë, të hapë kanal e të mbyllë kanal pa i marrë ndokujt leje dhe e pa rregulluar prishjen e bërë, të vejë “bërdunga”, pranë shtëpisë apo lokalit që posedon aty ku kalon rruga, dhe më keq akoma t’i mbushë anësoret e rrugëve përplot me plehëra e mbetje inerte.
Dhe jo vetëm për lokalet e rrugëve, që tashmë dihet se nuk kanë ndonjë kosh ku të hedhin mbeturinat, por dhe për qytetet është gjendur si vendi më i përshtatshëm për “jashtëqitjet” e tyre. Dhe për këto bëma në kurriz të këtyre rrugëve komunitare dhe ekstrakomunitare, as që i hyn ndokujt gjemb në këmbë.
Ja, le të shohim në këtë vend, kur sapo kalon kufirin e Mirditës, një tog i madhe plehërash duket se po bën sheshin e vet të ndenjes dhe kompostimit të mëtejshëm, duke u shtrirë gjer poshtë në lum. Plehërat kanë krijuar një pirg goxha të madh dhe punonjësit e grumbullimit të tyre u duhet t’u vënë zjarrin, që të lëshohet sadopak vend për të hedhur të rejat. Mendohej se janë të Rrëshenit apo të Rubikut, por jo, bashkia e parë ia ka nisur kësaj pune që prej Krojit të Shnapremtes dhe pasi e ka ndotur mirë e mirë atë pjesë ka rënë më poshtë, por nuk mbetet prapa dhe bashkia e Rubikut. Drejtuesit e këtyre bashkive ankohen se nuk kanë një pikë të tillë depozitimi ndaj janë gjetur këto pjerrësi ndanë lumit Fan. Sipas zyrva të shërbimeve në këto bashki, ndanë këtij aksi rrugor hidhen çdo muaj afro 800 tonë mbetje urbane, që janë bërë bezdisëze për kalimtarët, sidomos për ata, që ndalen për t’u çlodhur nga udhëtimi i gjatë që nga Kosova a Kukësi, tek vendi i quajtur Kroi i Shnapremtes, një krua i dëgjuar në këtë aks rrugor, ku janë ndërtuar dhe dy bar-restorant-motele, për t’u shërbyer këtyre kalimtarëve, që vijnë nga ana e anës, por që ballafaqohen me erën e rëndë të djegieve të mbeturinave të qytetit ditë për ditë. Por përvec ndotjes së vendit dhe të lumit, për kalimtarët era e rëndë që kudërmon këtu është e padurueshme, dhe sidomos për ata që i zë shpejt makina.
Ndërsa çuditërisht, për mbrojtjen e mjediset nga ndotës të tillë ka dhe një zyrë të tillë në Lezhë, por ata nuk bëhen të gjallë për të parandaluar këtë masakër mjedisore që po u ngjet lumenjëve të Mirditës e më poshtë deri në Adriatik.
--------------------------------------------------------------------------------------------
-Flet eksluzivisht për gazetën “Mirdita” inxhinieri Xhevahir Ngjeqari, “i pabarabarti” i ZONE e LIRE të A. Çanit në TV KLAN-
Rruga Durrës-Kosovë nuk ka nevojë për tunel
Zoti Ngjeqari, jeni parë kohët e fundit të “eksploroni” terrenin nga është parashikuar të kalojë rruga Durrës-Kosovë, pikërisht në segmentin Rrëshen-Kalimash, me se lidhet kjo vizitë juaja, nëse e quajmë kështu?
Kam qenë me disa specialistë të tjerë, dhe kjo ka lidhje me faktin se mua më pëlqen t’i shkel terrenet nga kalojnë rrugët dhe koridoret para se të hedh vija në letër. Në njëfarë mënyre meditoj në tërë gjatësinë e terreneve, dhe meqenëse ju keni rënë në “gjurmët” tona të lëvizjes, dua t’u them se vërtetë specialistët, herë thonë një gjë e herë një tjetër, herë japin një shifër kostoje e herë një tjetër, herë përcaktojnë një vijëdrejtim e herë një tjetër; ose nuk e kanë shkelur atë vend me këmbë, ose duan ta zagjasin pambarim përfundimin e kësaj rruge, pra si të thuash janë sabotatorë të saj. Natyrisht, të ngrihesh nga Tirana dhe të bësh rikonicione në malet e Thirrës madje dhe të flesh atje, nuk është gjë e lehtë, për më tepër kur thjeshtë ne duam të japim një mendim alternativ, sidomos për pjesën më të vështirë dhe të diskutueshme të kësaj rruge, atë Rrëshen-Kalimash dhe posaçërisht diskutimin e hedhur në tryezë, me tunel apo pa tunel në hyrje të Thirrës. Të tjerët besoj se nuk e kanë shkelur atë vend, pasi japin vetëm një variant, atë me tunel, ndërsa ne kemi parë imtësisht të gjithë variantet dhe jemi të idesë pa tunel, që do të ulte koston të paktën me 90 milion euro.
Cili është koncepti fizik i trasesë rrugore, mos kemi këtu ngatërresa në trajtimin teknik? Dhe cilat janë pjesët kryesore të koridorit të Mirditës?
Koridori i Mirditës është një hipotenuzë ose një rrugë natyrale e shkurtër që niset nga Miloti dhe përfundon në Kukës-Morinë në një gjatësi që nuk i kalon të 120 km. Traseja nga Miloti në Rrëshen ndjek rrjedhën e lumit Mat dhe atij Fan, dhe në këtë zonë funksionon rruga nacionale që kalon nga Rubiku. Ndërsa nga Rrësheni në Kalimash traseja rrugore akopion shtratin e lumit Fan i Vogël, përgjithësisht bregun e majtë të rrjedhës. Aktualisht ka një rrugë rurale që ka shërbyer për të lidhur zonat e thella si dhe për shfrytëzimin e pyjeve. Lugina e Fanit kalon në zemër të Mirditës dhe kjo është dhe arsyeja që e kemi emërtuar koridorin me të njëtin emër.
Ndërsa nga Kalimashi në Kukës funksionon rruga nacionale e asfaltuar që të çon për në Kukës e deri në kufirin kosovar. Nga përshkrimi kuptohet se në pjesën e parë Milot-Rrëshen dhe në pjesën fundore Kalimash-Kukës-Morinë ka rrugë të asfaltuar, e cila ka nevojë për rikonstruksione. Por në planin teknik dhe vështirësitë ndërtimore këto janë pjesë më të thjeshta për t’u trajtuar dhe ndërtuar.
Pjesa që shërben si urë lidhëse në mes Rrëshenit dhe Kukësit është gjatësia Rrëshen-Kalimash, e cila aktualisht ka përdorim sezonal ose nuk kalohet fare. Për të shkuar nga Rrësheni në Kalimash (Kukës) duhet të shkosh përgjatë basenit ujëmbledhës të lumit Fan i Vogël në basenin ujëmbledhës të luginës së Drinit, që në planin fizik duhet të kalosh lartësitë 1300 metra mbi nivelin e detit. Pikërisht në këtë lartësi kalon dhe gjurma e rrugës rurale, që lidh Rrëshenin me Kukësin. Dhe për të lidhur Kukësin me Rrëshenin nga lugina e Fanit, mungon pikërisht koridori rrugor Rrëshen deri në Kalimash, i cili ka një gjatësi 60-65 km. Kjo hapësirë ka nevojë të studiohet, dhe kjo duhet ndërtuar më së pari. Është pikërisht ky segment që përfaqëson koridorin e Mirditës. Është ky segment që nuk është prekur fare as nga ana teknike dhe as ndërtimore. Këtu kanë filluar prej vitesh prapaskenat dhe djallëzitë që maskohen pas elementëve teknikë. Nuk ka si të mos pyetet sot: si ka mundësi që nga tre pjesë që përbëhet koridori i Mirditës, janë hartuar projekte dhe rikonstruksione për pjesët që ekzistojnë si rrugë nacionale dhe nuk është hequr asnjë vijë dhe nuk është realizuar asnjë proçes ndërtimi për segmentin Rrëshen-Kalimash. Kjo është paaftësi, krim ekonomik dhe konflikt i pastër interesash.
Me sa thoni dhe ju, lidhur me studimin, projektimin apo ndërtimin, ka patur shumë pasaktësi teknike dhe ekonomike, kush fshihet në paskuintat e mosndërtimit të këtij aksi kaq të rëndësishëm mbarëkombëtar, dhe ajo që na intereson më tepër, cilat do të ishin perspektivat e ndërtimit?
Në planin moral dhe politik, të paktën nga Majko-Legisi, Berisha-Zogaj, etj, kanë patur predispozicionin e duhur për ta ndërtuar këtë trase rrugore, por në vitet 2002-2005, të paktën këta dy të fundit nuk patën forcë të realizojnë objektivat e parashikuara. Ndërsa në gjendjen aktuale, kur Berisha është në pushtet dhe drejton me qeverinë e tij, ata e kanë deklaruar si prioritet katërvjeçar, por para se të japin një afat të tillë, mendoj se duhet ta azhornojnë gjendjejen aktuale teknike dhe organizative në vend, e cila deri më tash nuk ekziston fare.
Në planin ballkanik duhet thënë se ka një presion ekonomik të fortë, që pengon me të tëra mënyrat ndërtimin e koridoreve shqiptare, si bregdetare ashtu dhe tokësore. Koridori i Mirditës është nga ato koridore rrugore, i cili realizon kalimet nga Nishi (Serbi) në Shëngjin me mbi 200 km më pak krahasuar me kalimet nga Dubrovniku për në bregdetin e Adriatikut. Pengesat vijnë nga lart dhe jo nga poshtë; nga poshtë gjenden format teknike për ta penguar. Në vitin 2005 format dhe mënyrat për të braktisur ndërtimin e trasesë rrugore, kur burimi ekonomik ishte siguruar plotësisht, ishin ashiqare, të hapura, hipokrite, mizore, kriminale. Kush do të përgjigjet për këtë braktisje të qëllimshme, përse nuk janë hartuar të paktën projektet kur financimet nuk kanë munguar?!...
Në planin teknik baza materiale, teknike dhe organizative ka qenë në gjendjen më të zezë. Kështu në 2002-2005 janë shpenzuar 2,2 million dollarë për studime dhe projektime dhe rezulton se janë kryer studime dhe projekte për pjesën e parë Milot-Rrëshen dhe për pjesën fundore Kalimash-Rexhepaj (Kukës). Ndërsa pjesa kryesore, ose trungu kryesor Rrëshen-Kalimash ka vetëm studime teorike ose të bazuara mbi studime ekzistuese, apo studime të firmave të huaja të cilat kanë patur si konkluzione të dhënat e specialistëve vendas. Ka qenë bërë një studim skrupuloz nga studiues mirditorë dhe kuksianë, por që nuk janë marrë në konsideratë.
Kjo pjesë e rrugës Rrëshen-Kalimash duhej të studiohej, projektohej, ndërtohej, realizohej e para dhe para gjithçkaje. Por për fat të keq, “talebanët” e projekteve, në vitin 2002 deklaruan se nevojiteshin 274 milion dollarë dhe në vitin 2005 deklaruan për 550 milion euro dhe tani së fundi e kanë zbritur në 300 milion euro!
Gjendja teknike dhe organizative për fillimin e kësaj trasje është në pasaktësi të plotë, objekti nuk ka një detyrë projektimi të saktë dhe prej kësaj respektivisht të gjithë elementët që rrjedhin janë të pasaktë. Duhet një grup specialistësh që urgjentisht të azhornojnë gjendjen teknike. Në këto kushte projekti për zonën Rrëshen-Kalimash duhet t’i nënshtrohet një procedure tenderi të hapur ose direkte me kontratë penale juridike dhe jo penale ekonomike. Sepse realisht çfarë ka ngjarë: duke shfrytëzuar emrin e një organi konsultativ si Këshilli Kombëtar i Rrugëve, ministri paraardhës ia delegoj shumë pjesë të projektit dhe supërvizionit studios me të cilin e lidhnin konflikte interesash. Deri në vitin 2006, siç e thamë, janë shpenzuar 2,2 milion dollarë për studime, por për zonën Rrëshen-Kukës nuk ka një të tillë. Edhe pjesa e parë Milot-Rrëshen është kaluar si trase në krahun e kundërt të rrugës ekzistuese që kalon nga Rubiku, trasenë e re e kanë kaluar mbi atë hekurudhore, dhe kjo do të sjellë ura të shumta shtesë që shtojnë edhe shpenzimet edhe kohën e bërjes së rrugës. Ndaj dhe pjesa e parë ka mjaft probleme. Në planin tekniko-organizativ kjo anarshi e ka vendosur ndërtimin e Koridorit të Mirditës në hullinë e mosndërtimit, dhe ngatërresa më e madhe në këtë proçes është kusaria për të grabitur para nga studimet!
Jeni ndalur shumë kohë në segmentin Rrëshen-Kalimash, duket se keni një përfytyrim të saktë për të, a mund të sqaroni disa detaje sidomos për kalimin e rrugës përmes tunelit siç dhe është përcaktuar në studime?
Në planin fizik hapësira Rrëshen-Kalimash përfaqëson dy lugina në shpinë të njëra-tjetrës; nga ana e Rrëshenit gjendet ajo e Fanit të Vogël, ndërsa nga ana e Kukësit një nga luginat e basenit të Drinit. Lugina e Fanit të Vogël ka një gjatësi prej 50 km. Nga ana gjeodezike lugina e Fanit të Vogël nga Rrësheni në Mashtërkor kalon në shtrat të thyer, të mbyllur dhe me vështirësi nga ana studimore. Ndërsa nga Mashtërkori në Domgjon, lugina e Fanit hapet në kuptimin e gjërësisë së seksionit, rrjedha e lumit është e shtruar dhe nuk ka asnjë vështirësi profesionale për të hartuar projektet e zbatimit. Nga Domgjoni në Sang-Xhuxhë dhe nga Xhuxha në Thirrë profili i rrugës rurale pjerrësohet dhe traseja merr karakter kodrinoro-malor. Ndërsa në Thirrë rruga arrin lartësitë 750-900 metra. Nga Thirra në Shënmëri të Kukësit me një gjatësi mbi 18 km traseja alpine ngjitet dhe zbret në kuotat 950-1100-1200-1300-1313-1250-1200-1100-970, duke formuar dhe pjesën më të vështirë dhe pothuaj të pakalueshme të rrugës. Në këtë zonë gjurma e trasesë është jashtë kushteve teknike.
Për të realizuar kalimin nga Thirra në Kalimash studimet ekzistuese të para ’90-s dhe ato të viteve 2002-2005, pothuaj janë të njëjta, madje duket se autorët e kanë kopjuar atë të vjetrin, i kanë rregullur shprehjet në anglisht dhe ja kanë shitur shtetit 1 milion dollarë!
Për të realizuar kalimin në këtë zonë studiuesit e “prenotuar” ndërtojnë një tunel nga Thirra në përrojn e Kalimashit me gjatësi 4,2-5-6 km a më shumë. Në një nga variantet, hyrja e tunelit nga ana e Thirrës bëhet në kuotat 860 metra, ndërsa dalja në kuotat 840 metra mbi nivelin e detit. Nga dalja e tunelit deri në Kalimash traseja e re akopion shtratin e përroit me gjatësi mbi 7 km deri sa takon rrugën nacionale Kalimash-Kukës. Kërkesat teknike dhe intensiteti i mjeteve kërkojnë që të ndërtohen dy seksione tuneli. Pavarësisht se zgjidhjet më shumë të izoluara studiuesit kanë deklaruar se për ndërtimin e tuneleve nevojiten rreth 110 milion dollarë. Ndërsa për 7-8 km rrugë nevojiten rreth 18 milion dollarë, pra për gjithë këtë distancë 128 milion dollarë. Në këtë rast nuk ka asnjë oponencë studimi, as kontroll apo grup pune që të ndjekë këtë objekt kaq të rëndësishëm.
Cila janë zgjidhjet që propozoni konkretisht ju për kalimin nga Thirra në Kalimash, e për më tepër për eleminimin e tunelit?
Kalimi nga Thirra në Kalimash përbën dhe thembrën e Akilit në këtë koridor. Sepse nëse nuk do të ishte kurrizi i malit që ndan basenin e lumit Fan i Vogël me atë të Drinit, traseja rrugore do të ishte ndërtuar me kohë. Ne iu kushtuam punës në terren dhe këtu qëndruam shumë gjatë, pikërisht në kurrizin e malit Thirrë-Kalimash. Kemi kryer disa kalime të drejtpërdrejta nga Thirra në Kalimash. Kemi arritur në përfundimin e zgjidhjes teknike të kalimit këtu përmes dy varianteve pa tunele, me një trase rrugore që plotëson të gjitha kushtet teknnike. Trasje rrugore shtesë fillon pak a shumë në kuotën ku fillon tuneli dhe përfundon në Kalimash (Kukës), afërsisht në pikën ku del dhe rruga dhe tuneli i studimit shtetëror. Në variantin e parë shtohen 7,4 km rrugë më tepër me pjerrësi 1-4% ndërsa në variantin e dytë shtohen 11,3 km rrugë më tepër po me të njëjtën pjerrësi. Vlera ekonomike e ndërtimit të trasesë së re kushton 33-40 milion dollarë, ndërsa tuneli dhe rruga e parashikuar nga ndërtimi shtetëror kushton 128 milion dollarë. Kësisoj ne parashikojmë të ulim koston me 80-96 milion dollarë. Ne dyshojmë se si stuiduesit shtetërorë dhe autorët e huaj nuk kanë qenë real në përcaktimet e tyre dhe se ata nuk e njohin mirë terrenin, dhe se gjithcka është bërë për të grabitur para nga projektet e pabëra si duhet.
Në këto kushte ne kërkojmë që të ngrihet një këshill teknik i pavarur para se të paraqitet dokumentacioni i zgjidhjes teknike për zëvëndësimin e tunelit me trase rrugore të hapur. Tuneli edhe mund të hapet kur të ketë fonde, por natyrisht, pasi rruga të bëhet. Fundja ne kërkojmë ballafaqim teknik. Nga ana tjetër, ne i mëshojmë një pikë të rëndësishme uljes së kostos, duke e zbritur atë deri në kufirin e 200 milion dollarë, aq sa përcaktohet një infrastrukturë rentabël.
Ju mendoni se duhen shpejtuar ndërtimi dhe në këtë kuadër cilat janë detyrat administrative qeveritare?
Nëse qeveria e re e ka seriozisht ndërtimin e këtij koridori, nevojitet që ministri përkatës apo vetë kryeministri duhet të gjejnë kohën të hartojnë një plan pune, i cili në esencë të analizojë tre çështje kryesore moi objektin e studimit aktual dhe perspektiv. E themi këtë sepse shohim se ende janë ata administratorë nëpër grupet e ministrit paraardhës, tepër të paafta, hipokrite, pa forcë profesionale, pa njohje të objektit, pa kurajo civile, që vegjetojnë dhe bëjnë ende ligjin për projektimet. Kështu specialistët e degës teknike në Ministrinë e transporteve dhe drejtorinë e rrugëve e gjetën kohën për t’u bërë pjesë e prokurimeve të drejtpërdrejta për 40 milion dollarë, por nuk gjetën kohën qoftë dhe njëherë të prononcohen apo të denoncojnë zvarritjet e qëllimshme të këtij koridori, madje që yshteshin nga braktisja e tij. Aktualisht ata po presin me makth për të përlarë dhe ato 5 milion dollarë të tjera për projektet e zonës Rrëshen-Kalimash, duke përdorur zgjidhjet e grabitura apo ato të nxjerra nga studiuesit e Mirditës.
Do të thoja se programi duhet të ezaurojë këtë dokumentacion:
E para, të evidentojë dokumentacionin e arshivuar teknik, ekonomik, dokumentacionin në proces, koston e studimeve, ndërtimeve, detyrën e projektimit dhe gjithcka që ka arrshiva lidhur me projektin në fjalë, në gjendjen aktuale dhe sa është publikuar mbi koridorin e Mirditës.
E dyta, të evidentojë vlerësimet dhe konceptet teknike mbi detyrën e projektimit, dimensionet e këtij koridori, fazat dhe arritjet e studimit për zonën Rrëshen-Kalimahs, për zonën e tunelit, përse janë studiuar zonat më të thjeshta, në ç’fazë janë projektet e tyre, është punuar me studime pjesore apo të plota etj. Sa kohë dhe shpenzime nevojiten për projektin e plotë të zbatimit. A ka mundësi të realizohet projekti me kosto dhe kohë të reduktuar.
E treta, lidhet me vlerësimet organizative, cila është skema organizative e drejtimit, kontrollit, azhornimit si strukturë fizike, teknike, projektimi, zbatimi etj. I tërë ky aktivitet do të mbesë në dorën e supërvizorit të jashtëm, një studio private projektimi apo një kontrolli të dyfishtë. Në planin e organizimit e ndërtimit zona Rrëshen-Kalimash duhet të jetë prioritare në zbatimin e punimeve, qoftë dhe pjesore graduale.
Në konceptim e moralit qeveritar kryeministri Berisha hodhi dorashkan për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, ministri i transporteve deklaroj dhe afatet, por i takon stafit teknik dhe ekonomik të Ministrisë të përgatisin “armët” teknike dhe prapavijën që të fitohet beteja e ndërttimit të trasesë rrugore.
Bisedoj: Gjergj Marku
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Profil
Pandora: kënga më rilindi!
-Nga “rrethi i kujtesës”, në një këngëtare hit-
Kur me këngëtarin e njohur mirditor Gjin Dona po flisnim për këngëtaret dhe artistët mirditorë, që kanë marrë zë në skenat shqiptare dhe më tej, më përmendi një emër që nuk para e kisha dëgjuar aq shumë, “Pandora”! Nuk po bëja dot lidhjen e emrit me figurën dhe gjithçka ka qenë befasi kur m’u desh të shtyhesha disa vite në historinë e dhimbshme të një vajze, që tashmë padyshim mund të renditet ndër këngëtaret më të mira femra të vendit. Quhet Drita Gjeta, por thërritet me emrin helen Pandora, atje ku kreu dhe shkollën e mesme si arsye e një emigrimi me të atin para disa vitesh.
Pa dashur të shtyhemi shumë në histori të trishta që nuk është mirë të kujtohen tash e parë, e që lënë shenjë në jetën e një njeriu, e aq më tepër të një vajze të mitur, që fundja e kapërcen çdo traumë me një stoicizëm të pashoq, në mendje po më vinin disa krahasime, ndërsa bisedoja me të dhe shikoja para meje një çapkëne të hedhur, por shumë të përmbajtur në bisedë, të zonjën e vetes dhe shumë e përzemërt me njerëzit dhe kolegët, mbi të gjitha e apasionuar çmendurisht pas këngës. Mbi të gjitha një brumosje artistike e padëgjuar në raste të tilla, kur siç e pohon vetë e ka nisur nga hiçi dhe mosdëshira për këngën sa ishte e mitur.
Ta quaja “H’oselito”, mbase dhe do të shkonte, kur zëri brilant me ngjyrosje timbri autentik lidhet dhe me histori të trishtë sa për një film tejet të prekshëm, temë të cilën do ta kishte zili një kineast holliëudian, por vendosa ta krahasoj me “rrethin e kujtesës”, sepse Pandora-Drita e ka fituar jetën. Dhe për këtë ia dedikon atë këngës, kësaj fuqie magjike që është në gjendje të bëjë çudi tek njeriu.
“Pandora, kjo këngëtare e dëgjuar, e kërkuar në dëgjim nga femrat dhe meshkujt”, -shkruan njjë gazetë kosovare, -femra që i ka lidhur në një vend trupin, zërin dhe zemrën; sportive, por dhe provokuese; sensuale deri në joshje dhe e përmbajtur deri në profesionalizëm; këngëtare, pse jo dhe fotomodele, një hajthmëri tërheqëse dhe natyrë e dashur. Për gjithçka në jetë thotë se i falenderohet Zotit. Me ndonjë album që i përshtat sipas shijes së çdo moshe ka sfiduar producentët që i kanë afruar këngë qytetare, ato të stilit blues, xhaz a rokenrol, siç thuhet në shtypin kosovar, një rrugë që e kishte trazuar më parë Eda Zari.
Por Pandora është vetvetja, e thjeshtë në të kënduar dhe shumë profesionale, pëlqen mosshtirjen dhe të kënduarit “live”. Synon më tej, por me këmbë në tokë. Ja dhe biseda e zhvilluar tek shtëpia e saj në Thumanë të Mamurrasit.
Biseda
Si t’ju thërrasim?
Si të keni dëshirë, edhe pse në dokumente quhem Pandora, një emër i helenizuar kur isha në Greqi para disa vitesh, kur mbarova dhe shkollën, natyrisht njerëzit në vendlindje më njohin me emrin Drita, por qarqet artistike dhe spektatori është përshtatur me “Pandorën”.
Atëherë, Pandora, keni krijuar një “shtrat artistik” interesant deri më tash, si thoni?
Mendoj se po, por gjithnjë jam në kërkim të më të mirës. Kjo varet nga njerëzit. Nëse të presin mirë, edhe emri rritet.
E kishit menduar se një ditë do të bëheshit artiste, këngëtare e dëgjuar?
Të them të drejtën jo, sepse e nisa me shumë vonesë këtë rrugë, por ka qenë dora e Zotit që më ndihmoj të jem këtu ku jam, dhe jam shumë e kënaqur.
Pra, gjithçka e lidhni me fatin, por ju e keni filluar dikur shkollën e artistike?
Mbaj mend se kur isha e vogël babai më dërgoj në shkollën artistike në Shkodër, por jam kthyer për një javë, sepse e ndjeva veten të paaftë për këtë punë. Gjithçka ndodhi më vonë, para 5 vitesh.
Cili është ky moment?
Thjeshtë duke ndenjur në shtëpi, shikoja këngëtaret në televizion dhe thoja: “përse të mos e provoj dhe unë?!”,, sepse gjithnjë e kam patur një ide se këngëtari kishte një jetë tjetër, ndaj guxova.
Ka një moment kur njeriu kalon një traumë, që lë gjurmë në jetë, dhe don ta suportojë, mendon se muzika e kalon më mirë këtë?
Po, kënga më ka ndihmuar shumë mua në këtë aspekt, ndaj jetën ia dedikoj këngës, ndaj e jetoj me shpirt atë, edhe pse çdo njeri ka një histori të veten, të mirë apo të keqe, të trishtë apo jo.
Si i kujtoni fillimet e para artistike?
Kam shkuar në Kosovë, shikoja këngëtare të tjera, hetoja në imtësi çdo gjë të tyre; si shkonte muzika, rendi i gjërave, cilat këngë pëlqeheshin, fillova të azhornohesha me shijet e spektatorit e me rradhë. Mësoja çdo ditë nga tre katër këngë që të zgjeroja repertorin, sepse nuk mund të mbetesha pas të tjerave.
Ballafaqimi i parë me publikun kosovar ka qenë i tipit “tallavaje”, apo diçka tjetër, ishte i lodhshëm, apo duhej mbijetuar?
Të them të drejtën është një rrymë, nëse e quajmë kështu që e kërkon rinia sot dhe bën edhe para, që natyrisht më duheshin, por mua gjithnjë më kanë pëlqyer këngët e shtruara të Shqipërisë së mesme.
Cilat janë qytetet që keni shkelur më shumë atje?
Dua të jem e sinqertë, unë jam një këngëtare që kam dalë nga restorantet, sepse aty kam nisur, por dhe aty kam kënduar me këngëtare shumë të mira, ato më kanë dhënë përkrahje, duke më njohur timbrin e zërit ato më kanë dhënë kurajo, se duhet të zgjeroja repertorin e këngëve të shtruara që pëlqeheshin në një masë të madhe në qytete të ndryshme në Kosovë, Maqedoni apo Zvicër.
Pse keni qenë kaq e lidhur me këngët e Shqipërisë së mesme apo ato të Pagarushës në Kosovë?
Po, këto nuk vdesin kurrë, janë Nexhmia Pagarusha, Fitnete Rezha, Havza Zyberi, Vaçe Zela e me rradhë, janë një botë më vete e artit shqiptar. Sado të largohet koha këngët e tyre rigjallërohen nga brezat dhe pëlqehen. Kanë një këngë dhe tekst shumë domethënës, janë fjalë e ritme që mbesin brez pas brezi.
Është interesant, jeni nga Veriu dhe këndej këngëtari shquhet për disa ngjyresa karakteristike, si ka mundësi që ju jeni dhënë në këto këngë?
Jam munduar të këndoj të gjitha krahinat, por më ka pëlqyer shumë ajo e Shqipërisë së mesme, ka profesionalizëm aty ndaj më pëlqen.
Cilat janë këngëtaret tuaja të preferuara?
Janë shumë që nga ato që përmenda apo Parashqevi Simaku, Merita Halili, pa folur për brezin Zyberi e me rradhë, e deri tek Artiola Toska e të tjera, po ashtu në Kosovë, Shyrete Beluli, Elmaze Jashari, Ramadan Krasniqi, Lori e të tjerë.
Kemi vënë re që këto këngëtaret e mira këndojnë në kolazhe, jeni ju atje?
Kam marrë pjesë vetëm në një kolazh, dhe kam dëshirë të jem përkrah Shyretës, Mahmut Fehratit e të tjerë, sidomos për këngët folklorike.
Përveç jetës artistike në lokale e taverna, keni qenë këngëtare e skenës kosovare, kur morët pjesë?
Kam kënduar vazhdimisht në skenat kosovare; në festivalin “Polifest 2004” m’u dha çmimi i interpretuesit më të mirë të këngës “Edhe yjet vdesin”, pastaj në “Polifest 2005”, ku u laurova për paraqitjen skenike më të mirë, pastaj në “Nata Fest” në Maqedoni etj, dhe e mirëpritur nga publiku.
Si morët pjesë atje?
Thjeshtë e pashë në televizion, datën e pjesëmarrjes, ndaj doja të isha atje. E bëra këngën dhe e dërgova ku ishin shumë këngëtarë, por u kualifikova.
Kënga ishte e bukur ritmikisht, nga ana muzikale apo dhe teksti?
Po ishin tërë komponentët, por mua më frymëzojnë shumë tekstet e këngës, ndaj mundohem t’i jap shpirt atij teksti të bukur me interpretimin.
Si u prit kënga?
Shumë mirë, por në mes 19 këngëtareve të përmendur të Kosovës nuk e prisja që të merrja çmim, madje më pritnin në një mbrëmje mature në Maqedoni dhe duhet të shkoja shpejt atje, kur m’u përmend emri im “Pandora” për çmimin e interpretuesit më të mirë.
Ju e vazhdoni intensivisht jetën artistike në Kosovë, Zvicër, Maqedoni dhe Shqipëri, si ia dilni?
Tani kam krijuar një rend tjetër pune, nuk jam më e përnatshme, vetëm fundjavët kur njerëzit dalin e pushojnë, këto ditë i pëlqej të jem në aktivitet.
Skena të grish vazhdimisht pas debutimit të parë në Polifest?
Natyrisht, kam qenë dhe në Maqedoni etj. Ndërkohë në festivalin e kaluar jam vlerësuar për paraqitjen më të mirë skenike në Kosovë.
Si ngjau kjo?
Në këngën e vjetshmë kam patur dhe koreografinë, të një grup danc, me një veshje sensuale që shkonte me të timen dhe që bëri përshtypje.
Shoh që keni disqe të tëra, cilat pëlqeni?
Kam vërtetë shumë, dëgjoj shumë muzikë, dhe sidomos më pëlqejnë këngët e vjetra, sidomos ato të Shqipërisë së mesme.
Përse ngjet kjo, nuk ju pëlqejnë këto rrymat e reja si Hip-Hop apo të tjera që e tërheqin rininë sidomos?
Ato këngë unë nuk i këndoj, por kjo nuk do të thotë se nuk më pëlqejnë, përshëmbull në Kosovë “Ritmi i Rrugës” ka një ekip shumë të mirë këngëtarësh, i dëgjoj vazhdimisht.
Të thonë se je nga ato këngëtare që josh me këngë vetëm moshat e kaluara?
Varet, sipas vendit bëhet kuvendit, moshat e reja pëlqejnë shumë tipin e “tallavave” dhe jam detyruar të shkoj pas këtyre kërkesave ashtu si dhe për moshat e tjera, jemi në këtë profesion për të përmbushur të gjithë shijet.
Cili ka qenë albumi i parë i juaji?
Ka disa kohë që e kam nxjerrë atë album me titullin “Prapë ti” me 8 këngë dhe kënga më e bukur ka qenë një me motiv turke e kënduar nga një këngëtare e njohur turke me piano, më pëlqeu shumë e mora dhe e përktheva.
Ka një tonalitet shumë të lartë, si e keni arritur?
Është e vërtetë, por kam arritur deri atje në interpretim dhe është pritur shumë mirë.
Pse të ka pëlqyer?
Ka një tekst shumë të bukur, një hit për gjininë femrore; ne femrat që vuajmë nga dashuria, si na humbin, si na lejnë, çfarë duhet me ba për me i kthye etj, etj.
Aktualisht po punoni për albumin tjetër?
Shpresoj deri nga muaji korrik të realizojmë, por është një album me spektër të gjerë, sepse po punoj me kompozitorë të njohur nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova. Do të jenë tërë llojet e zhanreve, të lehta, të vjetra, ritmike etj, një përshtatje për të gjithë.
Jeni parë ne festivalin e fundit të RTSH, nuk e di si e kishte kënga?
Po kam interpretuar këtë festival me këngën “Pritja”, tekst i Gjergj Jorgaçit dhe muzikë të Gramoz Kozeli, një këngë e mirëpritur.
Kush u kujtua për Pandorën në këtë rast?
Ai që u kujtua për këtë ishte kompozitori i njohur Gjergj Jorgaqi dhe Gramozi. Ata më shtynë të eci përpara. Kur më dëgjuan për së pari ngelën të befasuar. Kisha dëshirë të merrja pjesë që vitin e kaluar por nuk pata mundësi. Jam e kënaqur me pjesëmarrjen, sepse ne këngëtarët kemi diçka të keqe, po morëm pjesë dikund, patjetër duam çmim, mua nuk më ngacmon kjo gjë.
Dmth, kurrë nuk keni futur miq a dhe shpërblim siç përflitet për këngëtarë në jo pak raste për të rrëmbyer një çmim?
Jo, dua ta meritoj diçka që vlerësohem dhe jo të bëj marifete për ta marrë me pameritim.
Kur e dëgjon këngën e këtij festivali ka një tekst interesant, sikur ka një lidhje me historitë tuaja, kërkon një ëndërr, kërkon një fat?
Po, çdo këngëtari i mungon diçka, ashtu si çdo njeriu. “Më takon edhe mua ëndërra të kem”, është një varg që thotë shumë, në fund të fundit çdo njeri rron me shpresa, me ëndërra, për t’u bërë diçka në këtë jetë.
Ti mendon se je bërë “diçka apo shumëçka”?
Shumëçka, nuk mund të them, por pak po.
Keni një album shumë të pasur në foto, dukeni sikur përshtateni shumë dhe për fotomodele?
Të them të drejtën në jetën e përditshme jam shumë sportive, nuk para merrem shumë me veten, por kur kam diçka “special”, merrem shumë me lukun, ndryshoj tërësisht, jam tjetër njeri me grimin, me flokët etj. Sportivitetin e tregoj dhe në skenë, pasi fustanet dhe salltanetet më japin shumë siklet, por kur e do puna të ndryshoj e bëj dhe këtë.
Keni përcjellë një sensualitet tundues për publikun në Polifest, pati pargjykime?
Është e vërtetë megjithëse pati një luftë paragjykimesh për ekstravagancën e veshjes, por nuk zgjati shumë, desha t’u them publikut se di të ndryshoj dhe e bëra këtë gjë për të marrë dhe çmim për paraqitjen skenike befasuese.
Jeni e dëgjuar si këngëtare tashmë, edhe nga ana ekonomike thoni se nuk jetoni keq, po përse banoni këtu në Thumanë?
Më pëlqen, është qetë, ndërsa Tiranën ja ku e kam, fare afër. Këtu më përshtatet ambienti, njerëzit nuk më njohin, shkëmbej përshëndetje dhe kaq. Jam shumë mirë se kam dhe vëllain afër, por si qytetin e vendlindjes sime, Rrëshenin nuk ka kund në botë.
Vini shpesh atje?
Natyrisht, më merr malli për gjithë të njohurit e mij e të tjerë dhe për këtë shumë shpejt në një turne që do të nis nëpër Shqipëri, të parin do ta nis nga qyteti im, Rrësheni, brenda muajit shkurt të këtij viti.
Cilët janë njerëzit më të dashur të tuaj?
Janë dy fëmijët e vëllait, Nirvana katër vjeç dhe nipçja 9 vjeçar Leonardi.
Cilat janë projektet tuaja?
Sa më shumë punë, albumi i ri, videoklipe, turrne etj. Do të punoj më shumë në Shqipëri këto kohë. Unë çdo gjë e kam bërë vetë falë këmbënguljes për t’u bërë dikush, askush nuk mund të thotë se e mora Pandoren dhe bëra kështu e ashtu.
Keni përmendur shumë mësuesit tuaj të parë?
Po, ka qenë Gjin Dona, mësuesi i muzikës, kam bashkëpunim artistik me të, është sjellë vazhdimisht si prind me mua. Ne kemi një duet bashkë dhe besoj se do të jetë i mirëpritur. Pa harruar dhe mësues Paulin Tushën.
Mendoni se e keni realizuar ëndërrën?
Jam bërë dikush, por duhet shumë punë dhe për këtë po punoj shumë dhe gjithnjë.
Diçka për gazetën “Mirdita”?
Është kënaqësi dhe nder që po bëhem personazh në faqet e këtij botimi kaq të këndshëm të vendlindjes sime.
Bisedoj: Gjergj Marku
----------------------------------------------------------------------------------------------
Deputeti Gjovalin Prenga: jemi të përmbajtur me pushtetin
Pyetje: Zoti Prenga, së pari ju urojmë ardhjen në faqet e gazetës “Mirdita”, e cila në fakt u “rizgjua” pas disa muajsh, ndaj dhe pyetjen e parë do ta drejtojmë në këtë sens; si e ka ndjerë veten deputeti i një krahine “xhep” si Mirdita, kur ajo gjendet në një memecëri të skajshme mediatike?
Përgjigje: Mungesa e gazetës “Mirdita” ndofta është ndjerë më shumë sepse ka koençiduar edhe me mbylljen e përkohshme të “TV Mirdita”. Që të dyja përbëjnë përpjekje të lavdërueshme për instalimin e mediave në Mirditë. Në këtë pikëpamje rifillimi i gazetës tuaj është një lajm i mirë dhe uroj që të jëtë rifillimi i fundit. Përsa i përket raporteve te mia me gazetën “Mirdita” dëshiroj të ridimensionohen duke mbetur në thelb miqësore.
Pyetje: Qeveria e re përmes zotit Berisha, bëri para një muaji një bilanc publik për 100 ditëshin e parë të punës së saj; vetë deputeti i Mirditës, me ç’bilanc vjen para zgjedhësve të tij, në këtë “pak më shumë se 100 ditësh”?
Përgjigje: Me bilancin e qeverisë, 100 ditëshi është një mekanizëm që tregon frymën e re të qeverisjes, e cila reflektohet në nivel nacional por edhe në nivel lokal, kryesisht si një qëndrim i ri i ekzekutivit dhe i nëpunësve të shtetit ndaj detyrës publike dhe qytetarëve. Në thelb qeverisja ka synuar të përvijohet sipas përkufizimit të Kryeministrit “qeverisje e shërbimit dhe e shërbesave ndaj qytetarëve”. Por që të jem konkret po ju përmend si rezultat të qeverisjes së re faktin që pushtetet lokale në Mirditë në buxhetin e vitit 2006 përfitojnë grant nga buxheti qëndror rreth 40 % më tepër (e thënë në shifra absolute, rreth 500 mijë dollarë).
Pyetje: Thelbi i fushatës tuaj të para 3 korrikut ka qenë “drejtim me duar të pastra”, dmth, e përkthyer në çdo qelizë të organizmit “shtet”; në fakt sa keni ndikuar që t’i pastroni “këto duar” në institucionet e Mirditës, apo ishte thjeshtë një deklarim fushatesk në një opinion të ndjeshëm ndaj fenomenit të korrupsionit?
Përgjigje: Ka një të vërtetë në pyetjen tuaj sepse shpesh mandati qevërisës i marrë nga PD lexohet si mandat antikorrupsion. Në Mirditë proçesi është parë jo vetëm në këtë këndvështrim dhe akoma nuk ka përfunduar. Ne kemi bërë disa zgjidhje që, po të përdorim cilësimin tuaj, premtojnë në përfytyrimin tonë “drejtim me duar të pastra”. Por veprimtaria e tyre është nën monitorim, qoftë edhe tuajin si media dhe është një proçes i vazhdueshëm. Besoj se edhe ju nuk keni pritur që të realizohet brenda një dite.
Pyetje: Keni qenë shumë të interesuar për rrugën Durrës-Kukës-Kosovë para 3 korrikut, pos të tjerësh dhe ju që aspironit poltronin e deputetit keni qenë kritik me zvarritjet në punimet e atjeshme dhe abuzimet me taksën Majko, ç’gjë të re kemi nga ai front?
Përgjigje: Është fiksuar si prioriteti kryesor në fushën e infrastrukturës për qeverinë e re së bashku me aksin Fier – Vlorë. Duke falenderuar brigadën e xhenios për punën që kanë bërë, ju them që në konceptimin e kësaj qeverie ky aks nuk është më subjekt i punës së kësaj brigade dhe as i ritmit të qeverisjes tjetër. Unë kam garanci se brenda këtij 6 – mujori përfundojnë gjithë procedura e shpronësimeve dhe tenderimi i projektit. Mbase dhe më parë.
Pyetje: Nga ana tjetër, ka ndonjë projekt të ri sa i përket rrugëve në Mirditë, lidhjeve me zona të tjera, për të cilat, ju mendoni të bëni lobing me deputetët e zonave fqinje?
Përgjigje:Unë kam bashkëpunim si me deputetin e Lurës Z. Xhomara, me të Burrelit Z. Minxhozi, ashtu edhe me deputetin e Lezhës Z. Bumçi me të cilët na lidh edhe interesi për akset rrugore që përshkojnë Mirditën. Konkretisht po vazhdon hartimi i projektit të asfaltimit të aksit Prosek-Përlat. Ardhja e rrugës Durrës –Kukës deri në Mirditë e shndërron Rrëshenin në një nyje dhe do të lehtësojë edhe lobingun për akset rrugore interkomunale.
Pyetje: Të vijmë tek veprimtaria parlamentare, mund të thoni se ku konsiston angazhimi juaj atje dhe si vendosen korelacionet në mes zonës ku jeni votuar, problemeve të njerëzve këtu dhe qeverisë apo parlamentit?
Përgjigje: Unë jam i ri në parlament ndërsa nuk jam i ri në zonë në kuptimin e njohjes së problemeve. Aq më tepër përvoja që kam patur në pushtetin lokal më ka bindur për nevojën e pasjes së lidhjeve të ngushta mes të zgjedhurve lokalë dhe deputetit. Në këtë kuptim unë e shoh veten si avokat pranë qeverisë të projekteve të pushtetit lokal.
Pyetje: Si i realizoni takimet me njerëzit, ka një adresë ku ata mund t’i drejtohen deputetit të tyre?
Përgjigje:Jam i hapur për sa më shumë kontakte. Unë banoj në Rrëshen, kam një zyrë pranë bashkisë dhe numri im i telefonit është publik si dhe adresa e e-mail-it. Ju jeni i lirë t’i publikoni edhe nëpërmjet gazetës tuaj.
(e-mail: gjovalinprenga@yahoo.com) cel: 0682077424)
Pyetje: Duke qëndruar sërish këtu, në konceptim e marëdhënieve me njerëzit dhe drejtuesit vendorë, emërimet etj, keni stimuluar “skifterët partiak”, apo e perceptoni veten deputet i të gjithëve në një pushtet gjithpërfshirës?
Përgjigje: Nuk e kuptova mirë pyetjen. Si personalisht por edhe qeveria e koalicionit në pushtet mbështetet mbi filozofinë liberale të djathtë që sygjeron sjelljen në mënyrë të përmbajtur me pushtetin. Eshtë në dorën tuaj ta emërtoni këtë filozofi, mbase edhe si gjithëpërfshirëse.
Pyetje: Po të vijmë tek veprimtaria e Partisë Demokratike, komentohet se është lënë në hije puna atje dhe të tërë janë turrur pas posteve, dhe duket si parti “pa kokë”, por që thonë se ju ende i imponoheni, do të ketë ndryshime dhe kush do të jetë në krye të saj?
Përgjigje: Besoj se e keni fjalën për degën e Partisë Mirditë, por ju them se nuk jeni i saktë në kuptimin që ka patur rendje pas posteve. Mjafton të përmend që kryesia me konsensus ka konsideruar për poste dhe aleatët tanë në koalicion, dhe në tërësi fryma ka qënë konsensuale. Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes unë jam i mandatuar si edhe drejtuesit e tjerë të Degës së PD-së nga një konferencë dhe mandati është 3-vjeçar.
Pyetje: Si i mendoni zgjedhjet lokale, do të mund të përftoni po atë raport që keni aktualisht, apo konsumimi i shumë figurave të PD-së lokale e ka bërë punën e vet dhe ju si parti do t’u duhet të paraqitni një ekip të ri kandidatësh?
Përgjigje: Zgjedhjet lokale janë një test. Meqë përfaqësuesit tanë në këtë mandat janë në mazhorancë në shumicën e njësive, ne do të analizojmë sigurisht performancën e secilit. Por personalisht mendoj që pushteti lokal në tërësi në Mirditë ka arritje edhe me mbështetjen e dobët buxhetore që i është dhënë nga qeverisja që shkoi. Shpesh këto arritje janë bërë objekt i shkrimeve në gazetën tuaj. Mos të harrojmë se të zgjedhurit lokalë kanë edhe një vit përpara, një vit me buxhet më të mirë. Për ekipin e kandidatëve do të vendosin forumet, sigurisht duke konsideruar edhe atë që ju e quani konsumim dhe unë dua ta quaj përvojë.
Ju faleminderit dhe urime për vazhdimin e gazetës !
Bisedoj: Gjergj Marku
----------------------------------------------------------------------------------------------------
Reportazh per qytetin qe jeton me futbollin
-Me yjet e futbollit shqiptar ne Rubik!-
Nga Dëfrim Methasani
RUBIK. Rubiku, eshte qyteti qe gjithmone me ngjall emocione, veçmas kur atje shoh yje te sportit apo te artit. E diela e fundit e janarit, kishte nje dedikim krej te vecante, per ata njerez qe ne fakt meritojne më shume kenaqesi te tilla. Mbreti i futbollit shqiptar Panaoj Pano, zbret bashke me trajnerin legjende bardheblu, Enver Shehu dhe ish futbollistin e Partizanit dhe kombetares, Sotir Seferi, ne fushen e futbollit.
Ne gjashte vjetorin e tyre, drejtuesit e shoqates sportive "Boys Albania", vendosen qe kete feste ta realizojne pikerisht aty, ku fshihen bukurite natyrore dhe respekti njerezor, poshte asaj kishe te mrekullueshme qe duket se ka nje emer te madh, jo vetem ne Shqiperi, por edhe ne Ballkan. Kupa "Panajot Pano", ka vene perballe ekipet e moshave te ketyre skuadrave, ku trajneret e tyre punojne me aq pasion. Nje ceremoni mbreselenese i ka papaprire kesaj dite festive, ku pershendetjet e kryetarit te bashkise Mark Ruçi dhe presidentit te shoqates sportive, Artur Pengili, jane shoqeruar me ovacione nga publiku i shumte. Emocione ngjallen edhe pershendetjet e mjeshtrave te mirnjohur, Pano, Shehu e Seferi, qe duket se rilindin si nje here e nje kohe, mes ketyre njerezve qe dijne te falin aq ngrohtesisht respekt. Nje kupe me vete edhe ne emrin e kryebashkiakut rubikas, Mark Ruçi, qe meriton pergezimet e rastit, per gjithe mbeshtetejen qe i jep veprimtarive te tilla sportive. Dhurata te shumta edhe per djemte futbolliste, qe me perkushtim kane vite qe sterviten, nga trajneri Ilir Gjergji dhe bashke me drejtuesin pasionant te sektorit te sportit ne bashki, Viktor Pepa, apo gjyqtarin dhe organizatorin e talentuar Prenge Gjergji, perbejne nje grup per tu admiruar.
Loja ka qene e pelqyeshme dhe golat e shumte nuk kane munguar. Por pakkush ka pyetur per rezultatin, ne ate mrekulli qe gjalleroi futbolli dhe njerëzit e tij. Kupa shkoi ne duart e miqve, qe u ndjene te mahnitur nga mikpritja tipike mirditore e qytetarëve rubikas, por edhe nga loja e pelqyeshme e djemve. Madje portjeri i ekipit te Rubikut ka merituar kupen e me te mirit.
Edhe pse loja mbaroi, futbollistet, trajneret dhe publiku e kishin te veshtire te largohen drejt shtepive te tyre. Foto e intervista te shumta, me yjet e futbollit, nga sportdashesit e zjarrte te ketij qyteti te vogel, por me zemer te madhe. Pano ka deklaruar se vinte per here te dyte ketu, por qe sa here te vij, do me dukej si hera e pare, per nga kenqesia qe perjetoi ne nje qytet teresisht tifoz te Partizanit dhe te tij personalisht. Nderkaq ai ndihet i lumtur qe kupa ne emrin e tij, u zhvillua aty ku ai ndjehet si ne shtepine e tij. Po kaq i emocionuar ishte edhe trajneri i mirnjohur, Enver Shehu. Nuk e kisha pare asnjehere Rubikun, por e besova qe njeriu respektin me te madh e gjen sa me shume i largohet metropolit, pikërisht ne qytete te tilla ku asnjehere nuk harrohen figurat e sportit. Edhe Sotir Seferi, ka shprehur ndjesine e tij, duke deklaruar se te gjitha keto mbresa do t’i botonte ne shtypin sportiv dhe ne nje bibliografi qe po pergatiste per futbollin.
Koleget e mi te "A1", kane punuar me deshire, per pergatitjen e nje telereportazhi, qe ne fakt eshte pak, per gjithçka u realizua ne ate fushe modeste te futbollit, ndersa nje tjeter program pergatiste gazetari i radio Tiranes, Piro Ruvina per degjuesit e shumte brenda dhe jashte vendit. Me shume se nje detyrim profesional edhe per mua ne Telesport, ka qene nje detyrim moral per te pershkruar nje dite te tille me yjet e futbollit, ne qytetin tim te zemres.
Pas ndeshjes, nje dreke e perbashket, ka miqesuar me shume femijet futbolliste, te cilet kane vendosur te ngjiten te kisha e rralle e ketij qyteti, qe ngrihet si nje cope diell, mbi shkembinjte e bardhe, qe rrezatojne zemrat e malësoreve.
Autobuzi eshte larguar, duke marre me vete grupin e sportisteve, ndersa Pano, Shehu, Seferi e miqte e tyre, kane qendruar me gjate, ne qytetin qe din te respektoje dhe mirepresë yjet e futbollit shqiptar dhe te gjithe dashamiresit e tij.
Faleminderit Rubikut, sepse dhe kjo nuk eshte pak!...
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Gjon Ndoj:
do të luftoj korrupsionin dhe evazionin në tatime
Zoti Ndoj, keni pak ditë që drejtoni degën e tatim-taksave në Mirditë, si e konsideroni qenien tuaj këtu, politikisht apo jeni përzgjedhur si specialist i kualifikuar i kësaj fushe?
Është një pyetje që kërkon sinqeritet në të rrëfyer, sepse kam vënë re se shumë persona pasi bëhen titullar pretendojnë se nuk kanë lidhje me politikën, ndërsa në personin tim kjo nuk është e vërtetë, ashtu siç nuk mund të them se kam ardhur këtu 100 % politikisht, realisht ky vend pune delikat i kërkon të dyja anët:
Pra, kam besimin e forcën politike që sot drejton vendin, por nga ana tjetër jam një nga ekonomistët me përvojë që ka Partia Demokratike në Mirditë, ndërsa së fundi i jam nënshtruar dhe një testi që e kërkon statusi i shërbimit civil.
Realisht, keni menduar të operoni me një platformë të re menaxhimi në këtë sektor?
Po përpiqemi të aplikojmë në tërë sektorët koncepte të reja dhe stil të ri pune, sidomos sa i përket mardhënieve të bisnesit me degën e tatimeve. Vështirësitë janë jo të vogla, që vjen më së pari nga fakti që sistemi tatimor është i ndërlikuar dhe vështirësitë shihen si tek bisnesmenët, që janë objekt i tatimit, ashtu dhe vetë punonjësit tanë.
Për lexuesin e gazetës, mund të jepni një panoramë të shkurtër të bisnesit në Mirditë, që i interferohet punës suaj fiskale?
Harta e bisnesit tek ne është e përqëndruar kryesisht në dy qytete, atë të Rrëshenit dhe të Rubikut, ndërsa bisneset në komuna dhe fshatra janë tejet modeste. Në llojet e bisnesit determinon tregtia me pakicë dhe disa firma ndërtuese që e bazojnë veprimtarinë e tyre nga fondet e buxhetit të shtetit, ka dhe disa punishte dhe artizanate, por mungojnë ndërmarrjet dhe sipërmarrjet e mëdha, madje pa asnjë joint-venture.
Ka apo jo bisnes informal në Mirditë dhe në ç’raport gjendet me atë që vepron brenda ligjit fiskal?
Për sa kohë ka bisnes do të ketë dhe evazion fiskal dhe kjo vjen nga marifetet e lloj-llojshme, ashtu si dhe papërgjegjshmëritë dhe veprimet korruptive, qoftë dhe të organeve tatimore. Por sa |