“LIBRAT KANË MË SHUMË SHPIRT SE DISA NJERËZ QË TAKOJMË”.
(Përcjellje e botimit “Fjalori i auditimit”)-nga:Qeram CIBAKU *
Që nga viti 1494, kur murgu françeskan Luca Paçioli (1445-1510) zhgarraviste analizën e parë të thjeshtëzuar mbi sistemin e partisë dyfishe në kontabilitet , e deri në ditët tona janë rrokullisur shumë ngjarje e sisteme shoqërore, janë krijuar fise apo janë shuar shumë histori endacakësh...Por mbeti dhe u transmetua gjuha mes njerëzish. Sot të anëtarësuarit në IFAC, INTOSAI etj, dhe mbi 100 mijë anëtare të IIA-Institutit të Auditëve të Brendshëm të Floridës-USA nga më shumë se 160 vënde të botës, “shkruajnë” një gjuhë....-gjuhën e auditëve!
Copëza të kësaj gjuhe përpiqet të na sjellë z.Gjon Ndreja me punimin “Fjalori i Auditimit”, i cili këto ditë është në dorën e një lexuesi të zgjedhur. Fjalori profesional i auditimit është realizuar si një shtjellim i më shumë se 300 termave ndërkombëtare me denduri të madhe përdorimi mbi auditimin dhe kontrollin. Ky fjalor anglisht-shqip renditet tashmë përkrah simotrave të këtij lloji për disiplina të tjera shkencore si “Fjalori i termave të ekonomisë politike “ (v.1983), ”Fjalori i termave të filozofisë” (v.2004), “Fjalori i Astronomisë (v.1974), “Fjalori i termave të statistikës” (v.1982), “Fjalor termash juridike, ekonomik dhe biznesi” (v.2002) etj.
Ky fjalor përbën një kontribut të veçante,pasi është punimi i pare i kësaj natyre në fushën e auditimit të sektorit publik e privat në vendin tonë. Bibliografia e pasur,konsultimi me një sere botimesh të huaja të këtij lloji dhe trajtimet plotësuese me informacione të rrjedhshme janë një vlerë për çdo përdorues të fjalorit. Në fakt, pavarësisht titullimit si “Fjalor i auditimit”, për skeletin ndërtimor,kuptimin e lëndën gjuhësore dhe margjinat mbi te cilat materiali lëviz, ai është me shumë një komentar terminologjik mbi auditimin.
Zbërthimet e termave në punim bëhen shkallë-shkallë, nëpërmjet një zbritje të kujdesshme dhe estetike,duke hyrë deri ne hollësira me shpjegime dhe komente të fjalëve si njësi themelore gjuhësore. Agregatet ndihmës që autori ka përdorur në këtë libër janë të shumtë. Kështu, tabelat e krahasimeve,funksionet matematikore etj. i shërbejnë rolit ilustrues të fjalorit. Për terma me rëndësi të dorës së parë,autori ka bërë plotësime nën frymën e Kuadrit të Praktikave Profesionale të Institutit të Auditëve të Brendshëm. Kështu, në trajtimin e komponentëve të riskut të brendshëm, përveç përkufizimit të riskut apo ndërtimit të modelit statistikor për llogaritjen e riskut (AR=IRxCRxDR), jepen dhe sqarime të tjera mbi raportet e nivelit të agregimit dhe standardeve të auditimit apo lidhjet
oportune midis riskut të kontrollit (CR) dhe niveleve të tij të lejuara (DR*) etj.
Në disa aspekte fjalori bën një plotësim organik të Manualit të Auditimit të Brendshëm Publik (botim v. 2004, faqe 472-492). Për shembull,gjatë sqarimit të termit “audit evidencë”, prezantohen dhe stadet e grumbullim-përpunimit e analizës së evidencës së auditit (letrat e punës) sipas kësaj rrjedhe: stadet e pranimit, stadet e planifikimit, stadet e testimit të kontrollit, stadet e testimit themelor deri tek stadi i formimit të opinionit. Kur autori përshkruan evoluimin e objektivave të auditimit, nëpërmjet një histiograme imagjinare ai ngjit nivelet nga ai i “mbledhjes dhe vlerësimit të evidencave të mjaftueshme dhe me cilësi të përshtatshme” në pranimin që “ të jepet një opinion i besueshëm mbi çështje që janë përgjegjësi e një pale tjetër” deri tek aksioma e trupave profesionale për “nivel të lartë sigurie dhe besueshmëri të deklarimeve financiare”-si kauzë e auditimit.
Në prizmin e rregullave të standardizimit të fjalorëve, “Fjalori i auditimit“ nuk ndjek besnikërisht rendin alfabetik. Thyerjet vijnë pasi autori ka ndërtuar “xhepa” të posaçëm në trajtën e skedarëve plotësues, që funksionojnë si agregate të termave kryesore, me qellim orientimin më të mirë të lexuesit.
Në dorën e një game të zgjedhur përdoruesish (auditëve të sektorit publik e privat dhe atyre të teknologjisë së informacionit, ekonomistëve e financierëve, studenteve e punonjësve shkencore,menaxhereve të korporatave etj) është tani “Fjalori i auditimit”.Ai është një vlerë e shtuar profesionale në fondin e këtyre botimeve ende të pakta si “Manuali i auditimit”, “Standartet e auditimit të brendshëm dhe kuadri i praktikave profesionale”, “Kodi i etikës” dhe “Karta e auditimit të brendshëm publik” etj. Ky është një botim i parë,një frymë që duhet inkurajuar fuqishëm, një libër për punën e gjallë e të përditshme të auditit. Ndaj është me vend një aforizëm i C.d’Albanyt se “Librat kanë më shumë shpirt se disa njerëz që takojmë”.
* AUDIT I BRENDSHËM I ÇERTIFIKUAR
|