Festivali XV Shqiptar në New York City 600 – vjetori i Gjergj Kastriotit në sofrën e madhe të muzikës popullore në New York- Nga Klajd Kapinova New York
LEHMAN COLLEGE BRONX NEW YORK. (Lehman Center for The Performing Arts Bronx. N.Y.).
Artistët shqiptarë nga New York - u, Bostoni, Georgia, Michigan – i, Philadelphia, Connecticut etj., sëbashku me këngëtarët, kishin disa orë që kishin ardhur përpara shfaqjes në skenë. Skenografi me përvojë Astrit Tota (Program Manager) me aktivistët, këngëtarin Ludvig Cotaj (Stage Manager), Gjon Chota (Organizing Manager) e rapsodi Gjon Dedvukaj (Advertising Manager) japin orientimet e fundit, mbasi publiku pret siparin e shfaqjes… Ora 6:00 p.m., sipas programit, duhet të fillonte shfaqja, por për arsye të numërit të madh të pjesëmarrësve, fikja graduale e dritave dhe dalja në skenë e artistëve filloi 45 minuta me vonesë. Komiteti Organizativ, si spektatorë ndjek shfaqjen, që kanë përgatitur prej disa muajsh më parë. Si gjithmonë me radio komunikimi në dorë, për të ruajtur lidhjet me stafin gjendet aktivisti i palodhur Nik Gjuravcaj, i cili, prej 15 vitësh është pjesëmarrës në organizimin e festivaleve mbarëshqiptare në New York. Paradës muzikore e valleve popullore, me përkujdesin e vijushëm, i paraprinë stafi i Kishës katolike “Zoja e Shkodrës” dhe Qendrës “Nënë Tereza”. Ai është i përbërë nga Don Pjetër Popaj (Pastor) Mark K. Shkreli (Chairman), Simon Vukël (Vice Chaiman) dhe pjesëtarët e tjerë të palodhur, si: M. Berishaj, N. Camaj, V. Çano, M. Cubi, N. Gjokaj, A. Lulaj, T. Lumaj, I. Mjeku, S. Muhadri, V. Murati, Fran Pllumaj, Hila Popaj, P. Rudaj, Gj. Selca, F. Shala, Gj. Simonlacaj, B. Ukcamaj, E. Xhani, A. Zagreda.
Festivali me histori 15 vjeçare, është përpjekur të idetifikojë grupet artistike në shtete të ndryshme të Amerikës, koloritin e pasur të foklorit në trojet etnike, duke u përpjekur për të mbajtur të bashkuar komunitetin pa dallim feje, krahine e ideje. Gjatë ditës kulturore në manifestimet artistike, janë përkrahur traditat e hershme muzikore burimore të tabanit popullor, duke synuar që ato të ruajnë vijimësinë në të ardhmen. Mysafirët e nderit Të ftuarit special, në mbrëmjen artistike ishin, zyrtari i governantit të New York - ut Mr. Luan Bukolla, i cili, kishte ardhur në emër të Mr. George Pattakit, shkrimtari Agim Shehu me gruan e tij vizitor nga Zvicra, Presidentja e Organizatës “Motra Qiriazi” Anna Kohen, D.D.S., Prof. Dr. Skënder Kodra Kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane, Vera Gjata Sekretare e Përgjithshme e Shoqërisë për të Drejtat e Njeriut “Çamëria” në Boston, pianistja Besmira Kraja, Prof. Dr. Dhorka Dhamo, Mr. Tonin Mirakaj me gruan Miliana, Kryetari i LDK - së për treshtetëshin NY, NJ, CT, dhe n/Kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” Mr. Agim Rexhe, Mr. Hajdar Bajraktari, Mr. Sabit Bytyçi, Mr. Rustem Gecaj, etj. Një biletë me broshurë Të gjithë spektatorët, kur hynin në sallë merrnin nga shërbimi i Theatrit në Lehman Center një broshurë në dy gjuhë për Festivalin XV. Ndryshe nga vitet e kaluara, ky liberth, është konceptuarme artikuj kushtuar evenimentit jubilar kulturor. Në hyrje Sokol Muhadri, paraqet jehonën e vlerave, madhështinë e këngëve e valleve të Festivalit XV shqiptar, që përkon me 600 – vjetorin e lindjes së Gjergj Kastrioti, ku sërisht do të kumbojë dashuria e malli për atdhe, tek lartësohet dhe shkëlqen plot krenari ndërgjegja kombëtare. Publicisti Bardhyl Ukcamaj, në shkrimin “Në prag të Festivalit XV”, ka analizuar manifestimin e madh të botës shqiptare, ndërsa Ndue Gjekaj në punimin e shkurtër, përshkruan vallet shqiptare, si kërcime tradicionale në raste festash dhe organizime popullore, ku më sëshumti bien në sy: vallet lirike, epike etj., që kryesisht luhen nga gratë e burrat. Me interes mund të kundrohet materiali “Kanga majakrahu si hymn shekullor i malësorëve”, përgatitur nga Maria Gjelaj (Martini). Ajo tregon hershmërinë e origjinës së këngëve në Malësi. Prof. dr. Agron Fico, trajton foklorin, si thesar i madh për popullin e vogël, duke risaktësuar shkencërisht lashtësinë, unitetin dhe diversitetin e shpirtit të pasur arbëror. Këto perla, janë ngjizur në shtresa të hershme historiko - shoqërore, duke dëshmuar unitetin krijues artistik të kombit tonë, që i përshkon një fill fin atdhetarizmi. Një portret sintetik e interesant, për artisten Eli Gjezo (Rizo), ka përgatitur publicisti Pierre – Pandeli S! imsia, i cili, përshkruan udhën e kantautores nga Saranda në Amerikë. Poeti e këngëtari Gjokë Vata, analizon, se “vetëm kush mbahet fort mbas traditës, tradita i siguron nji vend të merituem në botën e qytetnueme”. Aktivisti Simon Vukël, në gjuhën angleze paraqitet me punimin: “600 Years of Gjergj Kastrioti 15 Years of the Festival 1 Years to a Free Kosova”, e cila, shoqërohet me një pikturë “Albanian Dancers”, realizuar nga piktori frances Alexandre - Gabriel Decamps (French, 1835). Kompani të ndryshme shqiptaro – amerikane, sollën mesazhet e urimit për Festivalin jubilar. Midis tyre The Pan - Albanian Federation of America VATRA (The HEARTH), shkruan: “Festivalit Shqiptar – këtij manifestimi kulturor me rëndësi të madhe në ruajtjen dhe kultivimin e foklorit tonë në Shetet e Bashkuara të Amerikës” etj.. Gjithçka në gjuhën e ëmbël shqipe Qendra “Nëna Tereze”, pranë Kishë katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar të Amerikës, u paraqitën sërisht me Festivalin tradicional shqiptar. Mënyja e saj, ishte e pasur me këngë, valle, humor, pjesë instrumentale popullore, kostume me ornamente tradicionale të zonave, qyteteve, katundeve e krahinave të trojeve etnike. Kënga e vallja, u mundua të shuaj mallin për atdhe të artistëve dhe 3000 bashkëatdhetarëve spektatorë, që kishin ardhur nga New York - u me rrethina, për të ndarë gëzimin me artistët profesionistë dhe të rinjtë e lindur në Amerikë. Opinione para spektaklit… Bisnesmeni dhe aktivisti kulturor Gjon CHOTA. “Organizimin e Festivalit, e kemi bërë me përkujdesje e pasion, për të bashkuar komunitetin shqiptar në diasporë. Besoj se këtë vit, programi i larmishëm përfaqëson të gjithë trojet me kostume, valle, këngë. Besoj se njerëzit sonte do të mbesin të kënaqur.” Anna KOHEN, D.D.S., Presidente e Organizatës “Motra Qiriazi”. “Sot është një ditë shumë e bukur dhe e shenjtë. Jam krenare që marr pjesë në Festivalin fantasti, ku gjenden grupet e vallëtarëve, këngëtarëve nga të gjitha shtetet e Amerikës. Kështu tregohet kultura jonë, vallet e bukura, veshjet popullore etj. Çdo grup artistik tregon karakteristikën e vendit ku është. Unë dua të falënderoj Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, Don Pjetër Popaj, që sot feston 15 vjetorin dhe shpresoj me kontributin e gjithë shqiptarëve kjo traditë të vazhdojë gjithmonë.” Publicisti veteran Tonin MIRAKAJ, aktivist organizator i hershëm i Festivalëve Shqiptare dhe ish Kryetar Kishës Katolike Shqiptare në New York. “Gjithmonë kemi biseduar ata pak shqiptarë, që ishim në New York, për të ruajtur gjuhëm, traditat e bukura, veshjet popullore, zakonet etj. E kjo dëshirë e përbashkët u kurorëzua më 8 maj 1976, në Festivalin e Arteve Ballkanike në New York, ku ishim të ftuar nga Qendra Ballkanike pranë Dewitt Clinton High School, 100 West Mosholu Parkway, gjatë Javës së Bronx – it. Kemi bashkëpunuar tre besimet fetare katolik, ortodoks e islam, si: Imzot Dr. Jozef Oroshi, Mr. Evans J. Lionil dhe Mr. Hamdi Kaloshi. Atë vit ishte 200 vjetori, i 4 korrikut 1776, Ditës së Pavarësisë së Amerikës. Këtu të ftuar ishin jugosllavët (kroatët), grekët. Komisioni përbëhej nga Tonin Mirakaj (Kryetar) dhe më pas vijnë 21 antarë të tjerë…. Festivali I – rë, u organizua më 20 tetor 1991 në Lehman College, nën kujdesin e Qendrës së Arteve Popullore Bronx, New York, ! grupi “Rozafat”, Shoqata Kulturore Shqiptaro – Amerikane “Zoja e Shkodrës”. Udhëheqës të Festivalit, ishin njohësja e gjuhës shqipe Prof. Miss Jane Sugarman e Mr. Gjovalin Nikçi. Artistët, dhanë dy shfaqje brenda disa orëve. Dy këngëtarët e parë ishin, Mark Vulaj e Zef Lucaj. Dita Shqiptare e Bronx – it, u shpall më 20 tetor 1991, përmes një Proklamate, dorëzuar nga Mr. Bill Adeguado, mua (Kryetari të Komisionit të Festivalit Shqiptar Mr. Tonin Mirakajt). 7 minuta nga kjo shfaqje, u transmetua nga Televizioni Nacional i Bronx – it. Një kontribut të madh, kanë dhënë Don Rrok Mirdita e Don Pjetër Popaj. Kjo është një anë e mirë pozitive, që tregon vlerat e mëdha shpirtërore, kulturore që kemi si komunitet i lashtë në Europë. ” Aktori, regjizori, shkrimtari dhe dramaturgu Xhevat Limani: “Ky është Festivali XV dhe uroj që të bëhet i 50 - ti e pakufi. Mendoj, se është një punë e madhe kulturore, që bëjnë shqiptarët e New York – ut dhe veçmas Kisha katolike “Zoja e Shkodrës”. Uroj për durimin dhe qëndresën, që mbajnë, mbasi të realizosh një Festival nuk është e lehtë. Unë për dy vite, kam qenë në krye të stafit si rregjizor. Festivali, ka mundësi të arrijë nivele më të larta. Duke qenë korrekt e i sinqertë përpara vetës, Zotit e popullit tim, mendoj se Festivali, kërkon një çasje më profesionale. Duhet të lirohemi nga koncepti i klaneve, miqsive, shoqërive dhe improvizimeve. Ky i fundit, është diçka e shëmtuar, e arti nuk pranon improvizime, prandaj mendoj se Festivali, duhet të bie në dorë të atyre, që dijnë se çfarë është kodi e vlera artistike. Edhe kështu sikurse është, ka vlera të mirëfillta. Ai flet për identitetin tonë në diasporën e Amerikës. I uroj çdo pjesëmarrësi e organizatorëve suksese, e! dëshiroj që shqiptarët të vijnë sa më shumë në festivale, sepse dëshmojmë identitetin etnik, me praninë tonë. Kështu trokasim fuqishëm në ardhmërinë tonë.” Luc MALOTA, prej 16 vitesh në New York, sponsorizues dhe bashkëproducent në filmin dokumentar “Gjergj Kastrioti”. “Festivali XV është jubilar. Ai po mbahet në 600 - vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit. Janë përzgjedhur këngë të bukura atdhetare, lirike, valle me tematikë të larmishme nga trevat tona, ashtu sikurse bëhet në Gjirokastër.” Marjan Cubi, Kryetar i Këshillit të Kishës, antar i Komisonit Organizues për Festivalin XV Shqiptar në New York. “Jam pjesëmarrës aktiv qysh në Festivalin e I – rë. Këtu çdo vit mbidhën rreth 3000 përsona, për t'a përcjellë manifestimin etnik. Edhe pse jemi larg nga vendlindja jemi prezent me kulturën për 3 orë në skenë.” Pashk Maksuti, ekonomist. “Kam 10 vjet në Amerikë. Në vitin 1997, isha antar i Komisionit për organizimin e Festivali VII – të. Këtu ruhen traditat shqiptare tek të rinjtë, të cilët vijojnë të kultivohen nga prindërit e tyre me një dëshirë e krenari të madhe. Kjo është një punë e madhe, mbasi kemi të gjithë llojet e kulturës sonë, si: veshjet, muzikën, këngën, vallet, takimet midis njeri tjetrit nga të gjitha viset.” Gjokë Vata, vizitor prej Shkodre. “Është hera e parë, që marr pjesë në Festival. Për mua, është një shfaqje interesante, sepse tregon shpirtin e thellë të atdhedashurisë, që është i ndjeshëm në komunitetin shqiptar të New York – ut. Përgëzoj Kishën katolike, për ngjarjen e rëndësishme patriotike.” Gjergj Kastrioti, mbas 600 vitëve në skenën amerikane
Pjesa artistike kushtuar 600 – vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, e përgatitur nga muzikanti e libretisti i pjesëve artistike për çdo shfaqje kulturore Mr. Fran Shala, hapi siparin e Festivalit XV në New York. Poezitë kushtuar Gjergjit të Madh, ishin në funksion të vetë skenës së Festivalit, realizuar me mjeshtëri artistike nga skenografi profesionist Mr. Astrit Toto, që njëkohsisht ishte edhe regjizori i manifestimit skenik. Më duartrokitje frenetike nga salla, u shoqëruan dy konferencierët e rinj të talentuar Miss Angela Zagreda në anglisht dhe Mr. Valdez Murati në gjuhën antare shqipe. Në paradën e madhe të vitit në New York, komuniteti shqiptar e artistët shpalosën genin e tokës së Arbërit, përmes këngëve, valleve e humorit të hollë popullor. Kalaja e lashtë Krujës, qëndron e gjallë e krenare, prej koloritit të ngjyrave të bukura origjinale, në bedenat e së cilës Gjergj Ynë, Kryetrimi Arbërorit, mposhti me vendosmëri ushtritë mizore të pushtuesve otoman. Një bust i kryeprijësit të gjakut ilir, punuar me përkujdesje nga skulptori Kristaq Kapedani, bëri që spektatorët shqiptarë e amerikanë, të ndjenin jehonën e krismave të shpatave, që sollën në skenë grupi i vallëtarëve popullorë. Kruja, ishte tërësisht e pranishme në miniaturë. Ajo po dëshmonte për historitë e luftrave të Gjergj Kastriotit për 25 vjet me rradhë. Don Pjetër Popaj, me përshëndetjen e tij bëri hapjen e Festivalit tradicional shqiptar në New York. Pasi falënderon mysafirët amerikanë në gjuhën angleze, rikthehet tek të pranishmit shqiptarë, duke u rikujtuar spektatorëve, kënaqësinë që do të ndjejnë të gjithë sonte, duke dëgjuar këngët dhe ndjekur vallet e bukura popullore nga viset amtare. Ai porositi më tej, që t'i ruajmë e kultivojmë më tej traditat, që na lanë amanet të parët tanë në vendlindje, duke ua përcjellur në mënyrë origjinale breznive të reja. Simon Vukël përshëndeti dhe lexoj telegramet e urimit, që i kanë ardhur manifestimit kulturor nga përsonalitet e njohura amerikane. E tillë ishte përshëndetja e Mr. Phil Amicone, Mayor City of Yonkers, etj. Në Festivalin XV, binte në sy pjesëmarrja e të rinjve të lindur e rritur në Amerikë. Orkestra “ALBA”, e veshur me simbolet e flamurit shqiptar, gjatë gjithë kohës ishte shoqëruesja kryesore e interpretuesve në Festival. Në organo orkestranti e kompozitori i njohur Ilir Dangëllia, në klarinet Sokol Asllani, në saxofon Maks Vathi, në përkusion Artan Kushi dhe kitarrë e dirigjim muzikor, mjeshtëri i muzikës Edmond Xhani. I pari këndoi Gjokë Vata, me këngën “Syrin si qershia”, duke ia lënë më pas vendin këngëtarin arbëresh me banim në New York Enrico Granafei, që solli një buçetë me tinguj dhe fjalë të vjetra autentike arbërore të Kalabrisë. Dueti Besim Muriqi e Haki Krasniqi, interpretuan këngën “Nga Kosova në jug të Shqipërisë”. Këngëtarja Dile Gecaj me ndjenja atdhetare e përvojë artistike solli këngën “Për flamur ta lidhim besën”. Mentor Veizi interpretoi putpuri këngësh vlonjate, të cilat u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Koreografia Lisa Shala përmes grupit të vallëtarëve “Rozafati” interpretuan vallen “Festa e Madhe Shqiptare”. Grupi “Bashkimi” nga shteti i Georgia - s, përmes solistit Enver Kabashi u përfaqësua me një këngë për Mitrovicën dhe sërisht ky grup interpretoi putpuri këngësh popullore. Në programin e pasur Grupi “Bashkimi” luajti valle me motive shqiptare, të shoqëruar me çifteli, fyell e tupan. Pjesa e Dytë, u hap me një valle me motive gjakovare, të koreografes Angelina Nika dhe luajtur me pasion nga grupi i valles “Rozafat”. Rapsodët e grupit “Bashkimi Kombëtar” në New York, sëbashku me solistin Shefqet Krasniqi, kënduan këngë për Gjergj Kastriotin, duke ia lënë vendin Nosh Rrok Camaj, i cili, recitoi një poezi krijuar posaçërisht për 600 – vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit. Një poezi tjetër me titull: “Rruga jote është më e mira”, u interpretua nga Sokol Muhadri. Rapsodi me lahutë Gjon Dedvukaj, u paraqit me pjesën muzikore “Lavdi veprës o Fan Noli”, ndërsa Albert Stanaj, përcjellur me çifteli nga motra Alexandra Stanaj kënduan “në Festival më thirri Vitoja”. Potpuri këngësh nga Shqipëria e Mesme, i solli me kënaqësi Demir Zena, i cili, ia la më pas vendin potpurive tëkëngëve korçare, kënduar nga Drita Makashi. Këngët ulqinake i këndoi Haxhi Zeneli, ndërsa Elizabeta Dukaj interpretoi “Kalle, kalle moj rini”. Koreografi i njohur nga Bostoni Bashkim Braho, m! e grupin e tij të valleve “Çamëria”, interpretuan “Vallëzimi Shqipeve” e “Valle me motive nga Çamëria”. Më pas kënduan Fatmira Berçani, Gëzim Nika, Eli Gjezo, Albert Popaj, melodi me çifteli Edmond Xhani, Fitore Mamaqi, Alba Çano, dueti B. Muriqi e H. Krasniqi, A. Krasniqi. Humor me këngë në skenë i sollën aktorët nga Michigani, Gjovalin Lumaj, Albina Ndrejaj e Fran Gjokaj. Çertifikatë nderi i mecenit të kulturës editorit Mr. Mark K. Shkreli Qysh nga viti 1962, Mr. Mark K. Shkreli, ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e palodhur pranë Kishës katolike “Zoja e Shkodrës”, duke kontribuar financiarisht, kulturisht në 15 festivalet e këngëve e valleve. Ai është editor i revistës “Jeta Katolike” (1995 – 2005). Vlerësimi i Mr. Shrelit, në 600 - vjetorin e ditëlindjes së Gjergj Kastriotit vjen sëpari, mbasi vetë ai është marrë me organizimin e aktiviteteve pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” në Hartsdale NY. Këtë vit revista “Jeta Katolike” feston 10 vjetorin e ridaljes së saj, pas një ndërprerje të përkohshme nën emrin “Jeta Katholike Shqiptare” (1965). Çertifikatën ia dorëzoi organizuesi i Festivalit I - rë Mr. Tonin Mirakaj, i cili, i dhuroi edhe një stilograf, në mënyrë, që Mr. Shkreli, të përgatit sërisht shfaqjen e ardhshme mbarëshqiptare. Motivacioni i vlerësimit, ishte: “Në shenjë mirënjohje dhe respekti, me rastin e përvjetorit të Festivalit XV të Këngëve e Valleve Shqiptare.” Në fjalën e tij përshëndetëse Mr. Sh! kreli, falënderoj Mr. Tonin Mirakaj, duke thënë: “Falënderimet e veçanta, duhet t'i shkojnë në rradhë të parë Mr. Tonin Mirakaj, sepse ai është Kryetari i parë i organizimit i Festivalit I - rë. Unë po i pranoj këto, por jo në emrin tim përsonal. Unë në të vërtetë kam bërë më pak se bashkëpunëtorët e mi. Këto vlerësime i përkasin të gjithëve, që për 15 vjet më radhë në organizojnë festivale, pa kurrëfarë shpërblimi, si antarët e komisionit dhe artistët e komunitetit tonë. Emrat nuk mund t'i përmend të gjithë, por nuk mund të rri pa i përmend disa prej tyre. Krahas miqve tanë amerikanë, dua të falënderoj bashkëatdhetarët Nik Gjurashaj, Ismer Mjekun, Fran Shala etj., edhe ata që nuk e përmend dhe ju spektatorë të mrekullueshëm, që vini çdo vit me nda gëzimin bashkë me ne.” Fituesit e Festivalit XV Juria e ngritur pranë Festivalit, pëbëhej Prof. Dr. Dhorka Dhamo, violinistja Semiramiz Kraja, juristi Ismer Mjeku, publicisti e studiuesi Bardhyl Ukcamaj, këngëtari Gëzim Nika, shpallën si fitues të vendit të parë grupin “Bashkimi Kombëtar” New York, vendin e dytë grupi “Bashkimi” nga Bostoni dhe e treta u rradhit grupi i valleve “Rozafat” e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” në New York.
(Shënim, MirditaOnline: Portreti i Gjergj Kastriotit që përcjell materialin është vepër e piktores Venera Lokaj) |