Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: -Analiza-Politika dhe feja...

TEMAT

  Promemoria

  Shqiperia, shteti klon

  Kosova, rrugëzgjidhjet

  Pronat Shqiptarëve

  Suedia dhe Shqiptarët

  Premtimet e Nanos

  Bardhok Biba- dossier

  Identiteti shqiptar

  Politika dhe feja

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

POLITIKA DHE FEJA: BALLAFAQIMI PUBLIK SFIDË PËR SHQIPTARËT

Prej nga duhet të fillojë njeriu kur i hyn trajtimit të këtyre çështjeve aq universale dhe aq kundërthënëse, siç janë politika dhe feja? Si amerikan që jam, më kanë mësuar se politika dhe feja janë të ndara dhe s'duhet të përzihen kurrë. Kushtetuta jonë e ShBA-ve i referohet kësaj çështjeje që në hyrje. Ajo i ndalon qeverisë sonë të përforcojë apo të përkrahë çfarëdo religjioni të veçantë, çfarëdo kishe apo çfarëdo besimi tjetër. Kësaj çështjeje tradicionalisht i referohemi si ndarja kushtetuese e Kishës nga Shteti. Por, megjithatë edhe në Amerikë janë ngritur pikëpyetje të shumta lidhur me atë se ku ndeshen e ku përplasen politika dhe religjioni. Çështjet siç janë, fjala vjen, aborti, e drejta e homoseksualëve, iniciativat me bazë në “besim” (kryesisht programe të fushës së mirëqenies sociale që drejtohen nga kisha të caktuara) e madje edhe prania e 10 Komandamenteve në ndërtesat qeveritare e kanë polarizuar elektoratin amerikan aq shumë sa që edhe zgjedhjet presidenciale tani po humbin ose po fitohen me ndryshim shumë të vogël votash. Përzierja publike e kishës me shtetin është e papranueshme në mos e neveritshme për shumicën e amerikanëve dhe këtu qëndron edhe sfida e imazhit publik të shqiptarëve, të cilët deri me aktivizimin e Lidhjes Qytetare Shiptaro-Amerikane në vitin 1989 nuk e kanë shfrytëzuar lobimin e stilit perëndimor dhe marrëdhëniet publike për t'iu kundërvënë qeverisë serbe e greke si dhe propagandës së kishës ortodokse kundër tyre sipas të cilave shqiptarët ishin të ashtuquajtur “myslimanë radikalë” dhe “terroristë të UÇK-së që mbajnë lidhje me “celula të caktuara të Al-Kaidës” në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Të gjithë shqiptarët e dinë se këto pohime janë gjepura të pashembullta që fabrikohen e përdoren për qëllime krejt politike, nga serbët me qëllim që ta kthejnë Kosovën dhe nga grekët me qëllim që t'i kontrollojnë zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në Maqedoni. Por çfarë di dhe çfarë beson populli amerikan për popullin shqiptar? Çfarë mendojnë vendet kyç të Evropës Perëndimore - veçanërisht vendet të cilat janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në duart e të cilave qëndron fati i të ardhmes së kombit shqiptar prej shtatë milionësh që jeton në territor unik në Ballkan, i ndarë padrejtësisht, para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore në gjashtë juridiksione politike me qëllim që shqiptarët të mbaheshin me lak në fyt dhe të nënshtruar nga sllavët dhe nga grekët. Serbët dhe grekët, në veçanti, po e vazhdojnë “luftën e tyre të shenjtë” kundër popullit shqiptar si ndaj popullit që ato e quajnë pasardhës të turqve otomanë, të cilët e pushtuan gadishullin e Ballkanit, për ta mbajtur më pas atë nën thundrën e vet për 500 vjet me radhë, duke përfshirë këtu edhe Serbinë dhe Greqinë. Ata në mënyrë arrogante i fajësojnë shqiptarët, të cilët deri në shekullin e XV-të ishin që të gjithë të krishterë, pse u konvertuan në myslimanë dhe pse ende po e vazhdojnë ta mbajnë këtë fe në Evropën e tyre të krishterë. Unë besoj se jemi në pikëkthesën kryesore të historisë së popullit shqiptar. Dhe tani çështja kryesore që shtrohet para nesh është nëse jeta politike, ekonomike dhe shoqërore e të gjithë shqiptarëve në Ballkan do të përmirësohet apo do të përkeqësohet edhe më tej. A do të dalë Kosova nga vartësia prej administratës ndërkombëtare dhe a do të çlirohet tërësisht nga Serbia dhe Jugosllavia gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm? A do ta largojë populli i Shqipërisë qeverinë e korruptuar të Fatos Nanos në zgjedhjet e korrikut për t'i hapur rrugë demokracisë reale dhe nismës së lirë atje? A do ta vejnë në jetë sllavët e Maqedonisë në tërësi decentralizimin lokal dhe marrëveshjen e Ohrit gjatë këtij viti, në mënyrë që shqiptarët më në fund të mund ta fitojnë barazinë ekonomike dhe politike dhe drejtësinë shoqërore në këtë vend? Po pas fitores së pavarësisë nga Serbia, Mali i Zi, a do t'i trajtojë më në fund qytetarët e tij shqiptarë me drejtësi, respekt dhe barazi? A do ta pranojë Greqia gjenocidin e saj kundër shqiptarëve çamë të Greqisë Veriore dhe mohimin që i po bën ajo edhe sot e kësaj dite gjuhës shqipe si dhe shkeljen e të drejtave të tjera të njeriut të rreth 500.000 shqiptarëve, duke i përfshirë këtu çamët, arvanitasit dhe emigrantët e vendosur atje nga Shqipëria përkohësisht në kërkim të punës për të cilën, tash për tash kanë nevojë? A do ta implementojë Serbia më në fund marrëveshjen paqësore me UÇPMB-në në Luginën e Preshevës, në mënyrë që të 100.000 shqiptarët, që në vitin 1956 iu shkëputën Kosovës padrejtësisht për t'iu aneksuar Serbisë, t'i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe privilegjet e fqinjëve të tyre serbë? Mos vallë duhet të presim që dikush tjetër t'i përmirësojë e t'i verë në binarë padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar? Mos vallë duhet ta lëmë tërë punën në shprehjen “dhashtë zoti” ose “inshallah” e të rrimë mënjanë duarkryq pa bërë asgjë, ndërkohë që kundërshtarët tradicionalë të popullit shqiptar, në radhë të parë Serbia, Greqia dhe Rusia nuk po reshtin së planifikuari për ta shtrirë edhe më tej nënshtrimin politik dhe skllavërinë ekonomike mbi shqiptarët në Ballkan? (Në qoftë se ka të atillë që dyshojnë në saktësinë e këtij pohimi, të tillët i lus t'ia hedhin të paktën një sy shkallës së papunësisë në Kosovë - rreth 60 për qind , në Shqipëri rreth 40 për qind, në rajonin e Luginës së Preshevës rreth 75 për qind, mosnjohja e të drejtave politike, njerëzore dhe ekonomike për një gjysmë milioni shqiptarë në Greqi dhe të ardhmes shumë të pasigurt për 60.000 shqiptarë në Mal të Zi e 800.000 të tjerët në Maqedoni). Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe organizmat e tjera simotra të saj, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Komiteti Shqiptaro-Amerikan për Çështje Publike, nëpërmjet lidershipit të tij vullnetar nën udhëheqjen e një ish-kongresisti amerikan të përkatësisë shqiptare dhe të Shirli DioGuardit, botuese profesionale, autore dhe profesioniste e fushës politike si dhe bordi i drejtorëve që përbëhet nga 43 shqiptarë etnikë të cilët i përfaqësojnë të gjitha trevat e të shtatë milionë shqiptarëve në Ballkan dhe të 15 milionë të tillëve në mbarë botën dhe të cilët japin një pjesë të madhe të fondeve për përmbushjen e objektivave të Lidhjes Qytetare, kanë vendosur të veprojnë në mënyrë edhe më të bashkërenduar për t'i luftuar makineritë propaganduese të Serbisë dhe të Greqisë. Mestitull: Dhe duke i sjellë në New York dhe Washington D.C. Ipeshkv Sopin, At Lush Gjergjin dhe At Shan Zefin ne dërguam një mesazh të fuqishëm se shqiptarët i kanë në harmoni të plotë tri religjione, islamin, krishterimin katolik dhe ortodoks. Ajo që bëmë në Hotelin Sheraton të Nju-Jorkut më 15 maj, ajo që bëmë me udhëheqësit fetarë, të krishterë dhe hebrenj, më 16 maj dhe ajo që bëmë me liderët fetarë dhe politikë në Uashington nga 17 deri më 20 maj ishte një diçka jo vetëm efektive por edhe historike. Në parim ne pranuam sfidën e ballafaqimit publik të serbëve dhe grekëve me ithtarët e tyre, duke iu përgjigjur miteve të tyre të proklamuara publikisht (të paktën që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore) për popullin shqiptar. Duke u bashkuar me liderët hebrenj dhe me liderë të tjerë politikë dhe fetarë në Pesëmbëdhjetë vjetorin e Lidhjes Qytetare, që krejt rastësisht koincidente me gjashtëdhjetë vjetorin e motrave dhe vëllezërve tanë hebrenj të liruar nga kampet naziste të vdekjes në vitin 1945, ne u dërguam një mesazh të fuqishëm të gjithë amerikanëve se shqiptarët janë popull shumë tolerant që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kishin shpëtuar të gjithë hebrenjtë që kishin jetuar në Shqipëri dhe në tokat shqiptare rreth saj dhe të gjithë hebrenjtë që kishin pasur fatin të iknin nga Evropa Perëndimore, nga Serbia dhe Greqia e të hynin në Shqipëri apo në tokat shqiptare në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Dhe duke i sjellë këtu peshkop Sopin, At Lush Gjergjin dhe At Shan Zefin për të qëndruar përkrah nesh e për të folur në darkën që u organizua në Sheraton si dhe për të dëshmuar më pas më 18 maj para Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në përbërje të plotë në Uashington, nën drejtimin e përbashkët të liderëve të Kongresit nga të dy krahët politikë, kryetari Henri Haid – (Henry Hyde) dhe kongresisti Tom Lantosh – (Lantos), ne dërguam një mesazh të fuqishëm se shqiptarët i kanë dhe i mbajnë në harmoni të plotë tri religjione, islamin, krishterimin katolik dhe ortodoks. Serbia dhe Greqia do të dëshironin që amerikanët këtë imazh të mos e mësonin kurrë, por ky është realiteti i përvojës shqiptare në Ballkan dhe në gjithë botën dhe ne e shpalosëm atë në Nju-Jork dhe në Uashington në sytë e të gjithëve që ta shihnin nga afër. Tani ne i kemi hapur rrugë luftës në opinion dhe në marrëdhëniet publike me Serbinë dhe me aleatët e saj në Kombet e Bashkuara dhe kjo është një fushatë të cilën ne duhet ta fitojmë gjatë këtij viti, nëse duam që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj nga Serbia një herë e përgjithmonë. Për ju që nuk e patët mundësinë dhe rastin të merrnit pjesë në darkën historike të pesëmbëdhjetë vjetorit tanë - “Përshëndetje tolerancës, rezistencës dhe shpresës: Në kujtim të Besës dhe të Holokaustit”, ju njoftoj se ne atë natë nderuam tre hebrenj të mëdhenj amerikanë, Harvey Sarner, që shkroi librin “Shpëtimi në Shqipëri”, që është një tregim për shqiptarët që kishin rrezikuar jetën e tyre për t'i shpëtuar hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, që atë natë iu dha të gjithë të pranishëmve, Norman Gershman, fotografin e arteve të bukura që gjatë vitit të kaluar i bëri dy udhëtime në Shqipëri e një në Kosovë për t'i fotografuar e marrë shënim familjet që shpëtuan hebrenj dhe Mike Fishman, president i shërbimit për punësim në Nju-Jork - “Service Employees International Union, Local 32BJ”, për t'u ndihmuar mijëra shqiptarëve në rajonin e Nju-Jorkut në punësim dhe për t'u ofruar lehtësira të tjera. Oratori ynë kyç qe kongresisti Tom Lantosh - Lantos, hebreu amerikan që kishte arritur t'u ikte kampeve naziste të vdekjes dhe që në vitin 1992 paraqiti Rezolutën e Parë të Kongresit për pavarësinë e Kosovës për ta përsëritur atë më pas edhe shumë herë të tjera. Në darkë folën po ashtu edhe Kryetari i Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Henri Haid - Henry Hyde dhe ish-kryetari Ben Gilman, një amerikano hebre tjetër i madh që përkrah meje dhe Shirlit, për mbi njëzet vjet me radhë ka qëndruar në ballë të luftës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve dhe në ballë të pavarësisë se Kosovës. Ndër folësit tjerë ishin edhe senatori amerikan i Nju-Jorkut, Charls Schumer, senatori i shtetit të Nju-Jorkut Jeff Klein, Rabini Joseph Potasnik, kryesues i bordit të rabinëve për Nju-Jorkun, Rabini Arthur Schneier (Apeli i Lëvizjes për Ndërgjegjen), Peshkop Mark Sopi, dhe etërit Lush Gjergji dhe Shan Zefi, at Pjetër Popaj, ministri i Kosovës Ardian Gjini, profesori shqiptar Petrit Zorba dhe Apostol Kotani nga radhët e shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael. Guvernatori Pataki dhe senatori i shtetit të Nju-Jorkut Nick Spano dërguan përshëndetjet e tyre zyrtare nga Albani në formë të një rezolute të Senatit të Nju-Jorkut duke mbështetur pavarësinë për Kosovën, e cila u miratua më 10 maj të këtij viti dhe u nënshkrua nga guvernatori me kohë për ta pasur të gatshme për darkën tonë, gjatë të cilës ajo u prezantua e plotë. Përshëndetjet dhe uratat e tyre për mbrëmjen tonë të asaj nate i dërguan po ashtu edhe peshkopi shqiptar ortodoks, Nikon, Kancelari i Kishës ortodokse At Artur Liolini dhe kardinali Edward Egan nga Nju-Jorku. Ndaj kjo natë nuk qe vetëm natë kremteje, por qe “shpërthimi i parë i topit” mbi harkun e makinerive propagandistike serbe dhe greke se beteja e ballafaqimit publik për imazhin dhe të ardhmen e popullit shqiptar tani është bërë një dhe unike. Grusht i dytë dytë mbi makinerinë propaganduese serbe - takimi me Rabinin Shnajder dhe me Kardinalin Edward Egan. Breshëria e dytë e të shtënave që u shkrepën nga Lidhja jonë Qytetare dhe delegacioni i saj nga Kosova e nga Shqipëria u bë më 16 maj në takimet e caktuara që më parë me rabinin Shnajder - Schneider në zyrat e Sinagogës së tij në Park East dhe me Kardinalin Edward Egan poashtu në rezidencën e tij. Takim me rëndësi shumë të madhe ishte takimi me Rabinin Shnajder, një lider i respektuar gjerësisht në botë për të drejtat e njeriut, drejtësinë shoqërore dhe paqen dhe ne i jemi mirënjohës deri në pafundësi mikut tonë të pazëvendësueshëm, Ben Gilman për ndihmën që na dha për realizimin e këtij takimi. (Rabini Shnajder sapo qe kthyer nga një udhëtim në Rusi ku kishte shkuar me presidentin Bush për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtuese të gjashtëdhejtëvjetorit të çlirimit të hebrenjve nga kampet naziste të vdekjes). Koha e takimit tonë nuk do të mund të ishte kurrë më e mirë me që s'kishte veçse tri javë që një delegacion priftërinjsh të kishës ortodokse serbe ishin takuar me të në Nju-Jork dhe fotografitë e bëra me të i kishin vënë tashmë në vebfaqen e Kongresit të Unitetit Serb (Lobi i Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe) për të fituar avantazh politik në Uashington para seancës tonë dëgjimore dhe për ta ngritur çështjen e tyre para administratës së presidentit Bush se “Kosova dhe Metohija” duhet të ngelin pjesë integrale e Serbisë (Ndërkohë që unë për suksesin e madh të këtij takimi do ta shkruaj një artikull të veçantë, keni mirësinë e shikojeni fotografinë e këtij sesioni të rëndësishëm që patëm me rabinin e nderuar dhe me At Sopin). Gjëja që më bëri përshtypjen më të madhe e më ngeli në mendje pas këtij takimi ishte shikimi i befasuar në fytyrën e Rabinit Shnajder, kur në përgjigjen që i bëri një pyetjeje, Peshkop Sopi nxori në shesh se midis tij dhe liderit të kishës ortodokse serbe nuk ekzistonte asnjë komunikim, megjithëse peshkopi Sopi kishte provuar të kontaktonte me të disa herë gjatë dy viteve të kaluara. Është e qartë se kisha ortodokse serbe kishte treguar mungesë respekti për peshkopin Sopi dhe për kongregacionin e tij të madh në Kosovë, ndërkohë që, sipas asaj që tha peshkopi Sopi, partiarku serb një herë e kishte ngritur receptorin e telefonit të tij në Beograd por me ta kuptuar se kush ishte ana e kundërt ia kishte dorëzuar atë sekretari të tij për ta vazhduar bisedën me bashkëfolësin, që ishte vetë peshkopi Sopi. Rabini Shnajder, njeriu që ka punuar aq shumë për t'i afruar shumë fraksione të përçara religjioze dhe etnike në tërë botën, nuk kishte as njohurinë më të vogël për këtë gjë dhe prandaj dukej qartë se zbulimi i këtij realiteti nga peshkopi Sopi e tronditi në masë. Ai premtoi se prej atë ditë e tutje njërën ndër prioritetet e tij kryesore do ta kishte procesin e krijimit të paqes dhe ripajtimit etnik e fetar në Kosovë dhe në Serbi. Takimi me kardinalin Egan në rezidencën e tij prapa Katedrales së Shën Patrikut në Menheten vetëm pak kohë para se të niseshim për në Uashington ishte rëndësishëm për disa aspekte. (Duke e shfrytëzuar pozitën time si ish-kongresist dhe si Kalorës i Maltës në Kishën Katolike, takimin e aranzhova vetë me ndihmën e sekretarit të kardinalit). Peshkop Sopin e priti dhe i dëshiroi mirëseardhje shumë të ngrohtë vetë kardinali Egan, i cili e shprehu hapur mbështetjen e tij për popullin shqiptar dhe premtoi se sugjerimin tim për mbajtjen e një meshe vjetore për të gjithë shqiptarët në Katedralen e Shën Partikut do ta vinte në jetë ose me rastin e ditëlindjes së Nënës Terezë, më 26 gusht, ose për çdo 28 nëntor, ditën e flamurit kombëtar. (Ju lutem shikoni fotografinë e delegacionit tonë në rezidencën e Kardinalit të nderuar). Dhe goditja e tretë mbi harkun propagandistik të Serbisë dhe “lobit të saj ortodoks” në Uashington qe takimi ynë me kongresistët Lantosh (Lantos), Haid (Hyde) dhe Rorabaher (Rohrabacher) dhe seanca e plotë dëgjimore në Komitetin Për Marrëdhënie Ndërkombëtare për Kosovën më 18 maj, në të cilin presidenti Bush kishte dërguar zyrtarin e tretë të lartë nga radhët e Departamentit të Shtetit, ambasadorin Nikolas Berns (Nicholas Burns) për t'u marrë me politikën, aktualisht të dobët e të pamjaftueshme të SHBA-ve për Kosovën dhe Ballkanin. Që në fillim u bë plotësisht e qartë për të gjithë të pranishmit që dhomën ku po mbahej seanca e kishin mbushur qosh më qosh, se ky aktivitet do të ishte një seancë dëgjimore e rëndësishme për statusin final të Kosovës. Një ditë para seancës, në “Washington Post” u shfaq një artikull qendror, me titullin “Bush ka planin për veprim për statusin e Kosovës”. Pasi që nuk arriti dot t'ua mbushte mendjen z. Hyde dhe z. Lantosh për ta shtyrë apo anuluar fare këtë seancë, Administrata e presidentit Bush vendosi që kishte ardhur koha për të vepruar me qëllim të ndërprerjes së përkeqësimit të mëtejmë të kushteve dhe zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë. Kjo qe një fitore e madhe për angazhimin dhe lobimin tonë të pandërprerë, me që dihet botërisht se Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane e ka përsëritur papushim, që nga mbarimi i fushatës bombarduese kundër Serbisë në vitin 1999 se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e jo Evropa dhe Kombet e Bashkuara e kanë fuqinë dhe duhet ta kenë vendosmërinë e përkushtimin për t'u vënë në ballë të procesit që do të kulmojë në pavarësinë e Kosovës, opsioni i vetëm real për paqe të qëndrueshme dhe për stabilitet në Ballkan dhe bashkë me këtë edhe në Evropë, e cila është në interesin vital të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (shikojeni dëshminë e Shirley Cloyes për Kosovën në www.aacl.com që e ngre dhe e sqaron këtë çështje shumë mirë). Breshëria e katërt e fushatës tonë me opinionin publik kundër gënjeshtrave me bisht dhe propagandës së Serbisë u zhvillua në Merilend dhe Uashington D.C., ku delegacioni ynë i prirë nga Peshkopi Sopi u takua me Kardinalin McCarrick, lider i krye dioqezës në Baltimor (shikoni fotografitë), me kryepeshkopin Montalvo, i cili njëherësh është përfaqësues i Papa Benediktit XVI dhe Vatikanit në Uashington (shikoje foton) dhe me liderë të tjerë të Konferencës Katolike të ShBA-ve e me peshkopë e aktivistë të ndryshëm të organizatave katolike të bamirësisë. Kjo fazë përfundoi me një aktivitet të nivelit të lartë në Uashington në mëngjesin e 20 majit, ku me ndihmën e ish-kongresistit Ben Gilman dhe me ndihmën e Lee Hamiltonit, ia dolëm që Ardian Gjinin, ministrin e Kosovës për mjedisin dhe për planifikimin hapësinor dhe Këshilltaren e LQSHA për çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes, t'i fusnim brenda Qendrës Ndërkombëtare “Woodrow Wilson” në Uashington për të mbajtur që të dy fjalimet e tyre. (shikoje foton). Në këtë forum fola shkurtimisht edhe unë. Komentet e bëra atje i mbarova me fjalët falënderuese për këtë Qendër, në emër të shqiptarëve, për rolin vendimtar dhe shpëtimtar që presidenti Woodrow Wilson e kishte luajtur për shpetimin e shtetit shqiptar nga zhdukja totale politike dhe gjeografike në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dhe së fundi, më 20 maj, Shirli dhe unë, të shoqëruar nga Ardian Gjini, morëm rrugën për në Nju-Jork, ndërsa peshkop Sopi, etërit Gjergji e Zefi dhe anëtarë të tjerë të bordit të Lidhjes tonë nga Miçigeni, Marash Nuculaj, Zef Dedivanaj dhe Kol Dedvukaj, u nisën për Miçigen ku, për udhëtimin dhe aktivitetet tona të suksesshme, do t'i raportonin At Anton Qirës dhe popullit shqiptar të rajonit të gjerë të Detroidit. Në vend të përmbylljes: Unë besoj se për shqiptarët në Ballkan nuk ka pasur kurrë deri më tani kohë më të mira dhe se prandaj ne nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë që ky rast madhështor të na rrëshqasë nga duart Më 23 maj, Shirley dhe unë iu bashkuam delegacionit përsëri, kësaj radhe në Kishën e Shën Palit, për të marrë pjesë në funeralin e Pjetër Nuculajt, kushëririt të parë të Marashit, që kishte vdekur tragjikisht në një fatkeqësi trafiku gjatë kohës kur ne ishim në Uashington. Ai s'kishte veçse 40 vjeç dhe prapa la gruan me pesë fëmijë. Pata nderin që ma dhanë fjalën për të folur në funeralin e Pjetrit dhe këtë shkrim po e përmbyll me disa fjalë që i përdora në këtë fjalim me qëllim që sadokudo ta ngushëlloja familjen, mikun dhe patriotin tonë të madh, Marashin dhe komunitetin shqiptar atje. Thash se Zoti ka një qëllim, edhe kur na sjell në jetë edhe kur na merr, të gjithëve pa dallim. Me që ne s'jemi veçse sot për nesër, dhe që të gjithë e dimë nga mësimet e fesë dhe përvoja jonë se adetet e Zotit të Madhërishëm nuk janë adete tonat, ne nuk e dimë arsyen përse Pjetri na u rrëmbye nga duart, ne dhe familjes së tij, kaq herët dhe në kohën kur na duhej më së shumti. Pastaj thash se Zoti mund ta marrë cilindo prej nesh sot apo nesër dhe se prandaj gjithë ajo që mund të bëjmë është që nga vdekja tragjike e Pjetrit, të nxjerrim sërish një mësim të përbotshëm për të gjithë ne sa jemi këtu dhe të tjerë: Ta duam, ta shtrëngojmë e përqafojmë, ta respektojmë e ta ndihmojmë njëri-tjetrin për çdo ditë sepse as ne as miqtë, as familjet tona dhe askush nuk do të rrojmë përjetë. Obligimet tona ditore po na largojnë vëmendjen me lehtësi shumë të papërfillshme nga ky mësim që kemi përpara sot dhe ne duhet ta pranojmë këtë fakt patjetër në qoftë se duam që vdekja e sotme e Pjetrit apo e cilitdo njeriu tjetër prej nesh nesër, të ketë kuptim për ata që ngelin pas. Fjalimin e përfundova me fjalët se besoja se Pjetri tani ishte në qiell pranë Nënës Terezës dhe se prandaj ne të gjithë duhej t'i luteshim atij dhe nënës Terezë që të na kthejnë paqen, mençurinë e zgjuarsinë e kurajën që na duhet për t'i ndihmuar familjet tona, miqtë tanë dhe kombin tanë shqiptar. Këtë artikull e fillova duke e theksuar ndarjen e Kishës nga Shteti. Artikullin po e përfundoj duke kërkuar dhe afirmuar praninë e Zotit në çdo gjë që bëjmë, duke e pranuar se që të gjithë sa jemi duhet të ndalemi e ta dëgjojmë zërin e Perëndisë së Madhërishme brenda nesh. Ky është një pohim personal, nuk është një prononcim politik. Unë besoj se tek populli shqiptar e kam dëgjuar zërin e të Madhit Zot, e kam dëgjuar padallim, tek myslimanë dhe të krishterë, e kam dëgjuar veçanërisht tek babai im i ndjerë që fliste shqip me të motrën e tij të vogël, hallën time, e kam dëgjuar në vitin 1985, vitin që ishte viti i parë i detyrës sime prej kongresisti, kur baba im krejt rastësisht u takua me shqiptarë të Kosovës, dhe pastaj në vitin 1993 kur u takova me Shirley-n, përsëri krejt rastësisht. Tani di më shumë se kurrë ndonjë herë më parë se unë duhet të vazhdoj të punoj e të lutem për popullin shqiptar, veçanërisht për pjesën e tij që po e kërkon pareshtur lirinë e Kosovës, lirinë e Kosovës tani nga despotët serbë në Beograd. Unë besoj se për shqiptarët në Ballkan nuk ka pasur kurrë deri më tani kohë më të mira dhe se prandaj ne nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë që ky rast madhështor të mos e fitojë respektin e duhur e të merituar nga tërë bota për kombin shqiptar, duke lejuar që ai të na rrëshqasë nga duart për shkak të përtacisë, mosveprimit apo veprimit tonë të pavend.

Hon. Joseph J. DIOGUARDI Ish-kongresmen dhe Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane 15-20 Maj 2005

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net