Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
Lajmërime të ndryshme Për anëtarët

Ju jeni: Dossier: Epitaf për komunizmin...

TEMAT

 Festivali XV shqiptar në NY

 Bastisja e Përkujtimores

  Festa e Ç/Lirimit

  Episkopi serb kërcënon

  Epitaf për komunizmin

  Zoja e Shkodrës

 

 

.

.

  

  

 

 

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

DOSSIER: EPITAF PER KOMUNIZMIN
"... Rëndësia historike e përmbysjes së komunizmit është aq e madhe sa që  mund të barazohet me atë të rënies së Perandorisë Romake. Rrjedhimisht, edhe pasojat kanë për të qenë të krahasueshme me të: herë pozitive e herë negative, shoqëruar me plot përmbysje e tronditje të renda e të dhimbshme.  ( ... ) Kjo ngjarje solli ndryshime të jashtëzakonshme në konfiguracionin e botës së sotme. Procesi i vështirë e plot plagë i këtij ndryshimi do të kërkojë shumë kohë ... Të ndërtosh një botë tjetër të re mbi gërmadhat e komunizmit, kjo është një ndërmarrje e cila do të jetë, ndofta, po aq e gjatë dhe komplekse sa edhe vetë procesi i krijimit të Europës së Krishterë, mbas invazioneve të mëdha barbare ... "   Vaclav HAVEL                                                                        
                               
Nga Simbad DETARI

Ndërkohë që Asambleja Kombëtare e Këshillit të Europës kohët e fundit, ka miratuar një rezolute për dënimin e regjimeve totalitare komuniste, mendoj se shoqëria shqiptare duhet t’i rikthehet edhe një herë shikimit të historisë dhe tragjedisë qe ai regjim i shkaktoi vendit tonë, Shqipërisë. Parë në ketë plan, pikë së pari duhet theksuar diçka tepër e rëndësishme. Pikërisht faktin se, ajo që në librat, studimet, referencat e opinionet mbi ish-regjimet komuniste totalitare të Lindjes është cilësuar shpesh herë si ”përjashtimi shqiptar”, s'është thjesht një togfjalësh i rastit por nje e vërtete e padiskutueshme. Shqipëria, edhe pse në një regjim i cili iu referua vazhdimisht e në mënyrë ekstreme e dogmatike, ideologjisë, teorisë e praktikës marksiste-leniniste, në tërësinë e ekzistencës së saj totalitare e veçanërisht pas fillimit të viteve '60, nisi një rrugë e cila qe krejtësisht origjinale e që devijoi ne mënyrë te dukshme dhe fanatike nga ajo e vendeve të tjera komuniste të bllokut të Lindjes. Për ta provuar e ilustruar këtë, mjafton të japim vetëm disa shembej. Ndër vendet e Europës Lindore, askush prej tyre nuk qëndroi fanatikisht, verbërisht e gjer në fund aq staliniste sa Shqipëria e, asnjë prej tyre, s'u  shkëput nga Moska për t'u lidhur me Kinën e Mao Ce Dunit. Po ashtu, asnjë prej tyre, s'pati në krye, për një kohë aq të gjatë, duke filluar nga viti 1944 e gjer në 1985, një lider totalitar me cilësi e tipare si ato të Enver Hoxhës. Askush, bile, edhe vetë BRSS i Stalinit, nuk vazhdoi me tmerre e spastrime të përgjakshme, gjer në fund të viteve '80. Nga ana tjetër, asnjë ekonomi e vendeve komuniste të Lindjes europiane, nuk njohu aq prapambetje, mizerje e varfëri të tillë ekstreme, si ajo e Shqipërisë. E, së fundi, asnjë prej regjimeve të tilla komuniste, s'u izolua aq çmendurisht e hermetikisht, duke burgosur egërsisht shtetasit e vet, brenda kufijsh të mbyllur me tela me gjemba e bunkerë. ( Gjë, e cila, më pas provokoi tek ata obsesionin dramatik e shkatërrimtar të ikjes jashtë tij, për të mos u kthyer ndoshta kurrë ...Por, le t'i kthehemi përsëri konstatimit të nënvizuar në krye të këtij shkrimi duke e shoqëruar atë, përsëri, me një varg pyetjesh. Pra, përse, Shqipëria është cilësuar vazhdimisht “ rast i veçantë ” ? Mos vallë, thjesht, për shkak të gabimeve të bëra, në ndërtimin e një utopie të marrë? ( Lidhur mbi konceptin e "Utopisë Komuniste", vazhdohet të spekulohet edhe sot e kësaj dite duke këmbëngulur se, në thelb, qëllimi i ndërtimit të një shoqërie të tillë, ishte tepër njerëzor dhe i drejtë.  Në fakt, realizimi i saj, nuk u vërtetua kurrë prej realitetit historik. E cilësuar "teorikisht", si shoqëri e së drejtës, barazisë e lumturisë njerëzore, shoqëria komuniste u shndërrua në diktaturë ekstreme të pakicës mbi shumicën, në ndërtimin e një kolektivizmi social e ekonomik, i cili fshiu me dhunë veçoritë dhe identitetet individuale, që shtypi egërsisht të drejtat më elementare njerëzore duke e zhytur vendin në autarkizëm, disfatë, frikë e mjerim njerëzor. Ndryshe nga "eksperienca" reale komuniste, teoritë utopiste të lindura qysh në shekullin e V-VI -të para Krishtit, që nga Pitagora e Platoni e duke vazhduar më  pas, gjatë Rilindjes Europiane, në Angli e Francë me Tomas Morin e Kampanelën, aspironin për një qytetërim të përkryer dhe të lumtur njerëzor ... )Apo, ajo që ndodhi tek ne, ishte thjesht rrjedhojë e pushtetit absolut të  Enver Hoxhës ? ( Fajit të një individi të plotfuqishëm, i cili me dhunë e terror, deshi me çdo kusht të shkruajë emrin e tij në histori ?). Apo, për shkak të këmbënguljes në realizimin e një ideje qe s’ishte as marksiste, as leniniste, as staliniste, por vetëm ... enveriste ? A, thjesht, nga dëshira për të ndërtuar një shoqëri të re. Me histori, njerëz e principe të reja, pavarësisht nga mjetet e rrugët e përgjakshme që u përdorën për atë qëllim? Apo, mos, për rrjedhojë të një kokëfortësie vetëvrasëse e primitive, tipike ballkanike, e cila për fat të keq jetoi jo pak, por 46 vjet me radhë ?...( ... Është interesante të theksohet fakti se, për shqiptarët, mësimi, përvetësimi e përkushtimi ndaj ideve e literaturës marksiste - leniniste e klasikëve të saj, ishte dhe mbeti gjithmonë diçka e largët, abstrakte dhe e pa asimilueshme. Si në asnjë vend tjetër komunist të Lindjes, librat e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, bënin pjesë ndër tekstet më  të palexuara e më të pakuptueshme, jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por dhe për vetë komunistët e  kuadrot. Sipas mendimit tim, jo vetëm mbas çlirimit, por dhe shumë dekada më pas, për "ideologët" dhe drejtuesit e lartë partiakë, literatura dhe vetë teoria marksiste - leniniste, mbetën vazhdimisht një dogmë e "mësuar" keq e mos më keq, përciptas e në mënyrë eklektike. Sloganet e saj, përdoreshin e cilësoheshin të nevojshëm sa për fasadë e, vetëm në raste referencash, perifrazimesh e citimesh nëpër fjalime, kongrese apo artikuj teorikë politikë ... Në shkollat e mesme dhe në universitet, bie fjala, mësimi dhe interesimi i studenteve ndaj lëndëve e literaturës marksiste ( Historisë së PPSH - së, Ekonomisë Politike, Materializmit Dialektik e Historik ), pat qenë gjithmonë tepër i përciptë, indiferent, artificial e sa për të kaluar radhën. Nëpër biblioteka, vatra kulture, ndërmarrje, shkolla e reparte ushtarake, veprat e"klasikëve" ekzistonin pa dyshim me bollëk por, ato shfletoheshin aq rrallë, sa që qëndronin vazhdimisht të "reja ",  sikur sapo kishin dalë nga shtypshkronja. Në  fakt, "klasikët", qenë fasada e Shqipërisë marksiste. Në  Shqipëri luftohej  e këmbëngulej të përvetësoheshin vetëm "veprat" e Partisë e shokut Enver ) ... Por, që të rikthehemi në “temë”, duket se enigmat dhe pyetjet e kësaj natyre janë të shumta e natyrisht, do të ish mirë që të gjithave t'u jepej përgjigje. Por, medet, fenomeni shqiptar, është aq kompleks, paradoksal e  plot labirinte sa që, zbërthimi i tij i detajuar do të mund të krahasohej, pa asnjë mëdyshje, me vetë pamundësinë e shpjegimit të misterit të Sfinksit të Piramidave të  Egjiptit. Sigurisht, ky shkrim s'pretendon absolutisht t'u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, e as të marrë përsipër shpjegimin e kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në këmbë pushtetin totalitar në Shqipëri. Ai, gjithashtu, s'merr përsipër të jetë as edhe afresk i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Por, gjithsesi sot pas katrahurës që ndodhi, tek ne duhet pa  tjetër qe të behet një bilanc definitiv i vetë periudhës totalitare. Për t'i  u rikthyer, pra, kujtimit të mynxyrshëm të asaj epoke delirante. Mbi të gjitha, me filozofinë e thjeshtë por edhe të domosdoshme, për Ruajtjen e Memories si edhe mbështetjes së fuqishme të Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur se: “... kadavrës vazhdojnë t' i rriten thonjtë e flokët edhe mbas vdekjes ...” Për rrjedhojë, denoncimi i Enverizmit e Epokës së tij, patjetër që lypset të shoqërohet edhe me një Rizgjim të Fortë të Memories. Edhe pse një gjë e tillë, tani që kanë kaluar 70 vjet nga triumfi i totalitarizmit në Shqipëri, patjetër që do të vazhdojë të përjetohet në formën e një "psikodrame kolektive". Një gjë e tillë, do të jetë e pashmangshme, sepse, siç shprehet studiuesja e njohur e shoqërive totalitare Maria Ferreti, ndërkohë që "... dimensionet e vërteta të tragjedisë dhe pasojave të saj kanë përfunduar së skicuari, nis të shtrohet një problem tjetër: ai i "fajësisë kolektive". Ideja e Pendesës, shprehje e mirënjohjes kolektive ndaj viktimave të së kaluarës, është njëkohësisht edhe një Mesazh Memorie ndaj tyre i cili, ndërkohë, ndofta, lipset të shoqërohet  edhe me kërkesën e listave të emrave, si të xhelatëve ashtu edhe të viktimave të tyre. Por, diçka e tillë, do të qe në të njëjtën kohë, sa e nevojshme aq dhe e papranueshme, sepse do të vinte nenë akuzë një shoqëri të gjithë, në të cilën kufijtë midis xhelatëve e viktimave do të qenë shumë vështirë të skicoheshin. Në të kundërtën, "metastazat e kolaboracionizmit", në forma nga më të ndryshmet, do të shfaqeshin me brutalitet e egërsi, në gjithë trupin e shoqërisë. Sepse, në rrethana të tilla, si do të cilësoheshin, bie fjala, ish-komunistët e vjetër të akuzuar si mbështetës e përkrahës të regjimit? Ç’qëndrim do mbahej ndaj ish-militantëve e kuadrove të Partisë? Po, ndaj intelektualeve, shkrimtarëve e artistëve të asaj epoke? E, për më tepër, ndaj denonciatorëve, bashkëpunëtorëve, oficerëve të Sigurimit, të policisë e ushtrisë ? Medet!… Plagët e hapura nga diktatura, janë endé shumë të freskëta e të thella e, shërimin e tyre mund ta bëjë vetëm KOHA ..." ( Maria Ferreti " La memoire refoulée ".  Annales HSS.  Nr. 6. 1995 ) Por, ndërkohë, pa dyshim, përgjigjen e plotë dhe përfundimtare rreth specifikës e dhunës totalitare shqiptare, do ta japë në vazhdimësi e paralelisht: Koha e Historia. Sepse, vetë fenomeni i sistemit e ideologjisë  që u zbatua në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera të Lindjes, përfshirë dhe Shqipërinë, ( megjithë diferencat e ndryshimet, për të cilat folëm pak më lart ), do të mbeten për shumë kohë një nga subjektet më të diskutuara të historisë. Procesi i gjatë e kompleks i asaj epoke do të zhvillohet, jo vetëm nëpërmjet studimeve, analizave, traktateve, librave e dëshmive por mbi të gjitha, prej vetë jetës e ndërgjegjes njerëzore. Ai po shprehet, pikë së pari, në transformimet e thella tronditëse e tepër të dhimbshme psikologjiko - sociale. Në vetë ankthin e pafund, gjymtimin e  sakatosjen e shpirtrave që përjetuan direkt e tragjikisht atë epokë. Së dyti, në ndërgjegjen e atyre brezave të cilët, edhe pse ndofta disi me vonesë, u bënë megjithatë, dëshmitarë e përjetuan pasojat e saj. E, së treti, në jetën e atyre që do vijnë më pas e që, në një farë mënyre, s'do arrijnë t'u shpëtojnë dot ndikimeve e pasojave të  radioaktivitetit  të dramave të së kaluarës. Kësisoj, rrjedhimisht, njerëzit do t'i jetojnë edhe për shumë kohë e gjenerata, pasojat e ankthet post-totalitare. Jo vetëm në planin e kujtimeve e traumave të së kaluarës, por edhe në atë të realitetit aktual e shpresave për t'u ndarë përfundimisht nga e Keqja. Sepse, në situatën kur një sistem vdes, dekompozohet e shpërbëhet duke vonuar të zëvendësohet me një tjetër, krijohet një boshllëk, i cili për pasojë bën që pjesa më e madhe e njerëzve, përveç humbjes së jetës e ëndrrave të tyre, të ndihen edhe të ç’gënjyer e të mashtruar.16 vjet pas rrëzimit të sistemit të egër komunist në Shqipëri, koha tregoi se, në periudha të tilla të tejzgjatura tranzicioni, në vendet e sfilitura prej totalitarizmit, shoqëria e njerëzit bien në gjendje shpirtërore deziluzioni e çoroditje të thellë duke mos arritur të rikrijojnë dot identitetin e tyre të vërtetë, aq të rëndësishëm për të nisur një jetë tjetër të re. Në Shqipëri, këto gjendje e kriza sociale e shpirtërore, sidomos kur është fjala për ata që kanë drejtuar e drejtojnë shtetin e politikën, janë shfrytëzuar në mënyrë tepër cinike e primitive, për të krijuar terrene të favorshëm për radikalizma nga më të ndryshmet, të cilat në më të shumtën e rasteve, të rikujtojnë, format e metodat e drejtimit, brutalitetit, dhunës e frikës së sistemit të kaluar. Për fat të keq, psikologji e situata të tilla të dëmshme e me pasoja tepër të renda, në vendin tonë kanë inkurajuar një egoizëm të pafré, i cili shpesh është shoqëruar me shumë kaos e zhgënjime, si edhe me ngjarje tepër barbare, violente e hakmarrëse. Ato kanë nxitur e frymëzuar ide e veprime të dhunshme, të cilat janë bërë me arsyetimin se, gjoja, ngadhënjimi mbi të Keqen dhe triumfi i Lirisë, justifikojnë gjithçka, pavarësisht se qysh, pse, me ç'mjete e nga cilat motive kryhen. Por, ajo që është edhe më e keqe, është fakti se psikoza të kësaj natyre, krahas përçarjes, urrejtjes, rivalitetit e ekstremizmit, kanë nxitur e frymëzuar daljen në skenën politike të njerëzve pa principe, ekstremiste, aventurierë të paskrupull, pseudo - politikanë e intelektuale snobë. Kjo, pastaj e shoqëruar me një korrupsion të pa parë e veprimtari kriminale si edhe kultin e konsumizmit primitiv; shkurt me triumfin e asaj që Vaclav Haveli e quan me plot te drejte: ... Diktatura e Parasë. Kësisoj, pas rënies së regjimit totalitar në Shqipëri, proceseve të reja demokratike e vendosjes se pluralizmit, aspiratat për ndërtimin e një shoqërie të re civile, të emancipuar e të lirë, mbeten endé detyra mjaft të vështira e, në të njëjtën kohë, për fat të keq dhe jo fort të afërta. Natyrisht, parashikime e konstatime të tilla, s'duhet të çojnë në Fatalizëm e humbje përfundimtare të Shpresës. Sepse, ashtu si ne, lëngatën e kalvarin e gjatë totalitar, e përshkuan edhe shumë popuj të tjerë, të cilët luftojnë e përpiqen për ditë që të ndahen përfundimisht nga e Kaluara. Është kjo arsyeja pse, post - komunizmi e ankthet e tij, nuk janë probleme të cilat na  përkasin vetëm ne, por edhe botës mbarë. Puna është se, sa të angazhuar e të përkushtuar  jemi e do te jemi ne, aktualisht e në të ardhmen, se edhe si e qysh : ... do të arrijmë të ndërtojmë, mbi gërmadhat që ai ( komunizmi ) na ka lënë, një hapësirë të re demokratike,  lirie e  mirëqenie ( Vaclav Havel " Le cauchemar du monde post - communiste ".   Editions Anatolia. 1993 ).

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net