Shkrimtarja Dones, në Veri me virgjërat e malësive
MIRDITË. Ka një muaj që shkrimtarja e njohur Elvira Dones, e cila që prej vitit 1988 jeton dhe punon në Zvicër dhe Amerikë, ka përshkruar disa krahina të Shqipërisë së Epërme, duke nisur nga malësitë e Tropojës, të Malësisë së Madhe, është ulur në qytetin e Shkodrës dhe më pas ka kaluar luginës së Fanit të Mirditës. Objekti: një dokumentar për virgjërat e Veriut shqiptar, një fenomen i jashtëzakonshëm dhe shumë grishës për publikun evropian, ndërkohë një temë jo aq e rrahur në gazetari apo letërsinë artistike. E shoqëruar dhe nga një kineast amerikan, Dones ka takuar 6 virgjnat e malësive dhe ka përjetuar histori reale nga jeta e tyre, por ka vëzhguar nga afër histori të panumërta, për t'i sjellë rreth muajit tetor në ekranin e televizionit publik zviceran. Për gazetën Ballkan ka rrëfyer tipologjitë e virgjërave, por dhe punën e bërë në sheshin e xhirimit, ndërkohë që nuk e fsheh se ky kalim i saj nëpër këto histori ka bërë që "të bjerë në dashuri" me to. 
Zonja Dones, ka disa kohë që ju kaloni malësive të Veriut të Shqipërisë duke u fokusuar në jetën e virgjërave, është një temë hulumtuese që ju ka qëndruar në kokë prej kohësh, apo thjeshtë një joshje artistike?
Ishte thjeshtë nga ato gjëra që mund të quhen të çuditshme dhe në të njëjtën kohë kishin një domethënie të tyre, përse kanë ndodhur, si kanë ndodhur sepse në thelb dimë shumë pak për to kështu që është një joshje imja shumë e vjetër, qëkur mora vesh për herë të parë që ekzistonin. Të dish që ekzistojnë dhe të shkosh pastaj të hulumtosh, si janë, për çfarë arsyesh e kanë bërë, cili ka qenë konteksti historiko-social për të cilin e kanë bërë dhe kjo është një tjetër punë, kësisoj m'u desh të kalonin 20 vite dhe të rritesha dhe unë personalisht në shumë drejtime që të vija të hulumtoja për këtë gjë.
"Takimi" juaj me virgjërat ka qenë përmes librave, përmes studimit të kësaj dukurie apo për diçka më konkrete?
Ka qenë një rast akoma më konkret, një fqinj i prindërve të mij, isha e vogël fare atëhere, e kishte në një foto të familjes njërën syresh. Qe një foto e një fisi të madh, foto e përgjithshme në dasëm dhe unë pashë aty një grua me veshje prej burri, fytyra e saj ishte burrërore. Qe nga Kosova, sepse fqinji i prindërve të mij ishte kosovarë me origjinë dhe ai më tha se është grua, por është e veshur si burrë dhe quhet virgjëreshë. Që atëhere u ndez tek unë një shkëndijë e vogël që më ka vënë në mendime rreth asaj gjëje.
Por ju sa keni qenë në Shqipëri, me sa dimë nuk para keni marrë ndonjë nisëm për të shkruajtur ose për ta ekranizuar diçka të tillë, kur shkuat jashtë u ngacmua ajo shkëndija e kahershme?
Jo, unë atëhere nuk merresha me dokumentarin, isha tepër e re, vërtetë kisha nevojë të rritesha në gjithçka, pastaj nën komunizmin ne nuk e udhëtonim vendin tonë. Unë kam patur fatin e madhe të studioja gjuhët dhe të shoqëroja grupe të huajsh, ose kur punoja më vonë në televizionin shqiptar, kësisoj duhej krijuar dhe një bagazh pas shpatullave për të ardhur dhe për t'u marrë me një temë të tillë.
Po shkrimtarë të huaj, kineastë apo studiues me sa njihni ju, janë marrë me këtë temë?
Kineastë jo, ndërsa është marrë një antropologe angleze që quhet Antonia Jang, unë e lexova librin e saj para disa vjetësh, është libër serioz pa pretendimin të njohë gjithë fenomenin sepse po vinte në një territor të panjohur duke qenë e huaj, por ama të gjithë personazhet që ajo ka takuar, fotografuar, hulumtuar dhe kataloguar në njëfarë mënyre dëftejnë për një punë shumë serioze të saj.
Atëhere ju nga imazhet që keni patur fillimisht dhe njohjen më pas etj, keni menduar që të merreni në një mënyrë shterruese me këtë fenomen shqiptar?
Varet çfarë do të thotë kjo, nuk ekziston asnjë studim i saktë në territorin tonë rreth këtij fenomeni, nuk kemi një "censis", unë do të vazhdoj të hulumtoj sepse nga natyra mbetem si ai njeriu që vazhdon të "kruajë", si ai "miu i bibliotekës", nëse e arrij dot deri në fund apo jo, u takon dhe studiuesve të merren pastaj. Nga një herë shkrimtari paraprin ose ngjet e kundërta që një studiues ka filluar dhe shkrimtari bën diçka që të jetë letrare. Në rastin tim unë i kam bërë të dyja, dokumentarin ende nuk e kam mbaruar, jam në xhirimet e tij, por kam shkruajtur një libër para se ta bëja këtë, më pëlqejnë shpesh herë operacionet e dyfishta. Një libër që është një hulumtim gazetaresk kthehet në një vepër artistike ose e kundërta. Pra në rastin e virgjërave shkrova një roman duke marrë një personazh hipotetik, natyrisht është i fiksionuar, niset nga Bjeshkët e Nemura të Shqipërisë dhe përfundon në Amerikë, është një vepër artsitike, por ama më pëlqejnë pikvështrimet e ndryshme, pikvështrimi i shkrimtarit dhe i gazetarit. Pasi mbarova punën letrare vendosa t'i futesha punës gazetareske për ta parë e njohur disi më mirë fenomenin nga afër.
Po të krahasosh në vetvete imazhin hipotetik të mëparshëm, pra nga ai percepsion i parë me këtë të tashmin kur keni kaluar në disa zona të Shqipërisë së Epërme dhe jeni takuar me to, si i perceptoni ato, jetën e tyre?
Një dashuri e plotë dua të them. Kur bëj një vepër dokumentari "bie në dashuri" me personazhin dhe është e paevitueshme, sepse po nuk krijove një afrim me personazhin do të ishte diçka e ftohtë dhe e shkëputur, pa kuptim; sa më shumë që i pashë nga afër aq më të bukura janë secila prej tyre, pesha që kanë mbi shpatulla është e madhe. Ato mund të duken të gjitha njësoj kur i sheh me paragjykim nga jashtë, sepse duke folur me njerëz dhe kolegë në Tiranë thonë: "si, ekziston një fenomen i tillë në Shqipëri, ku dreqin i gjen këto personazhe?!". Dhe në një farë mënyre ka një paragjykim që është thjeshtë bardh e zi, është diçka primitive.
Në fakt është diçka primitive?
Jo, por dhe e kohës nuk mund të quhet, por ama çdo gjëje para se t'i vihet një targë, duhet parë se në ç'kushte ekonomiko, historike dhe sociale ka ndodhur kjo gjë. Kanë qenë arsye ekonomike në rradhë të parë pse kanë ndodhur, sepse duke shkuar e studiuar Kanunin, gruaja, "linja e tamblit", ose "linja e qumështit" nuk ka patur asnjë të drejtë mbi pronën në familje. Kësisoj kryefamiljari duke mos patur asnjë djalë në trungun e tij ka sakrifikuar njërën nga vajzat duke e kthyer në mashkull, në mënyrë që ajo të blente dhe të shiste tokë, ose të martonte motrat e tjera pas saj, pra ka patur një arsye ekonomike të fortë. Primitive apo jo?! Sot Shqipëria ka ndryshuar shumë gjëra, që nga regjimi, ka ndryshuar femra, sot një femër vendos për jetën e saj. Unë i kam bezdi targat. Secila prej gjashtë grave mbart një botë më vete, të gjitha kanë karakteristika të vetat. Psh njëra prej tyre ka qenë "brigadier", kishte nën vete 300 burra, vëllai i saj kishte qenë sekretar partie, me ndryshimin e regjimit dhe plakjen e saj ajo varet nga të tjerë njerëz, ja pra ku u ndryshuan gjërat. Ndërsa një tjetër në fshatin Tpla, ajo ka qenë familje kulaku, kështu që e ka vuajtur, e ka përjetuar të qenit burrë të saj nga një pikë më e ulët, nga pika e të persekutuarit në njëfarë mënyre. Të gjitha këto gjëra krijojnë në karakterin e personit gjëra të veçanta. Një tjetër bën shoferin dhe ëndërron të ikë në Amerikë, ëndëron të rifillojë një jetë si grua, sepse është e vetmja e virgjën, që thotë "po, është të shkosh kundër natyrës!". Sepse një femër ka të drejtë dhe detyrë të japë dashuri në kuptimin e plotë të fjalës. Jo vetëm për motrën, mbesën, nipin a të tjerë të afërm, por dhe një mashkulli, pra gjysmës tjetër të njerëzimit, pra ajo është shumë e qartë, e kthjellët në të gjitha mendimet e saj, dhe ndjen se po të kishte patur tjetër rrjedhë familjare do të kishte marrë rrugën normale të një gruaje. Është pak anakronikë, kjo po, në kuptimin që jemi në 2006, jemi në Evropë, jemi në Shqipëri, njeriu ka më shumë përzgjedhje për jetën e vet.
Ndërkohë keni ardhur në Mirditë pas takimit të gjashtë personazheve për t'u "takuar" me historinë e veçantë të Virgjnës së njohur të Gëziqit që u vra nga gjermanët në tetor të vitit 1944 nën rrobat e një burri, emocioni juaj?
Pata lexuar një shkrim në një të përditshme për Gjergj Bibën dhe m'u duk një rast sinjifikativ për këtë hulumtim që unë po bëj, sepse në njëfarë mënyre është kujtesa historike, pra këto gra nuk janë sot, nuk janë të nxjerra nga kapelja si sensacionalizëm, kanë qenë gjithmonë sidomos në Veriun e vendit, ka patur në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi. Ishte në njëfarë mënyre "La memoria storika", që më interesonte shumë kujtimi i saj që u vra nga gjermanët dhe nuk tha se ishte një grua sepse ajo e identifikonte veten me një mashkull dhe ishte krenare me këtë lloj gjëje, m'u duk një rast vërtetë për t'u përfshirë në këtë dokumentar.
Kur do të jetë ky dokumentar i juaji për publikun?
Do të jetë për publikun zviceran pasi unë punoj në atë televizion, por dhe atë evropian më gjerë, do te shfaqet në Amerikë dhe do të jetë në dy versione, ky është një bashkëprodhim i imi me televizionin publik zvicerian, kështuqë do të jete në anglisht, italisht, variantin francez dhe gjermane.
Ndërkaq shqiptarët ku dhe si do ta shohin, nuk do të ishte e udhës të përshtatej në shqip dhe nga ndonjë televizion shqiptar me audiencë?
Kam qenë gjithnjë e hapur sepse Shqipëria është djepi im, nëse dikush do të jetë interesuar pse jo, janë gjëra që bëhen lehtë, intervistat janë në shqip, tekstin vërtetë do ta shkruaj në anglisht, por një përkthim nuk është i vështirë, pra nëse dikush nga televizionet do të jetë i interesuar pse jo....
Bisedoi: Gjergj Marku
|