Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net

TITUJT E GAZETËS

  Faqe Kryesore

  Editorial-M. Graf

 Apel politikës

  Problemore-autostrada

 Veprimtari artistike

  Politikë

  Ekonomi

  Personazh-Mark Tirta

  Kronika

 Aktuale

  Ekskluzive

  Biznes

  Kritikë-botime

 

 

 

 

 

  

  Faqe Kryesore


KËRKIM

 

 

Graf, “krajlica e malësorëve” në ditët tona

Kur shfleton albumin me rreth 200 faqe dhe qindra foto shumë interesante, që e rrokin Shqipërinë nga Petrela në Jezercë, autorja e tij Marjanne Graf, një humaniste e njohur austriake, e cila prej 15 vitesh i bie kryq e tërthor “vendit të shqipeve”, sidomos Veriut të tij, krahasimi menjëherë të vjen me një nga humanistet më të shquara të fillimshekullut të kaluar, që shqiptarët e pagëzuan me nderën e tyre të veçantë “Krajlica e malësorëve”. Ndonëse Edith Durham, qe nisur nga Londra për të përmirësuar shëndetin e saj të ligësht në Alpet e Ballkanit, ajo hyri aq shumë në jetën e shqiptarëve, hallet dhe brengat e tyre, saqë parlamentari britanik Herbert pati shënuar se “ndërsa Shqipëria i dha kuptim jetës së saj, zonjusha Durham e rivendosi Shqipërinë ne kujtesën e Europës”. Qe veprimtare bamirëse, infermiere, e para grua korespondente lufte, artiste, shkrimtare dhe etnografe. E tillë vjen në kohët tona dhe “krajlica” e malësorëve të sotëm, Marjanne Graf, e nderuar me qytetare nderi të disa komunave e bashkive të vendit. Gruaja që ka më se 10 vite, që investohet me të gjithë energjitë e saj në zona të thella dhe me probleme të theksuara sociale e ku “kujtesa” e shtetit shkon me shumë vonesë, ndërsa, thotë se e ka të vështirë të ndahet më nga ky vend mahnitës, i kontradiktave, të papriturave, por dhe bukurive joshëse. Grac i Austrisë, vendi i lindjes së Graf, qyteti me katër universitete të shquara europiane, njihet si vendi ku u arsimuan figura të shquara si kirurgu Frederik Shiroka, inxhinieri konstruktor Gjovalin Gjadri, gjuhëtari Eqrem Cabej, studiuesi Skënder Luarasi, poeti Lasgush Poradeci dhe shumë e shumë specialistë të të gjithë fushave, ushtarakë e sidomos prelatë të lartë të kishës katolike shqiptare, që i dhanë aq shumë kulturës dhe historisë kombëtare. Nga ana tjetër nuk është aspak e rastit që shumë gjuhëtarë, që kanë hedhur themelet e gjuhësisë shqipe, kanë qenë austriakë apo gjermanë si Haan, Majer, Lambertc, që ruajnë fondin autentik të gegnishtes, por dhe sot ka nga ata që japin kontribute në fushën e historisë, si albanologu Peter Bartl, etj. Tërë gjurmimeve të saj, në vitin 2003 ajo i kushton një libër me fotografi dhe ilustrime me titullin “Shqipëria në veri të Shkumbinit”. Marianne Graf ka një veprimtari të dendur sociale dhe humanitare si presidente e shoqatës së ndihmave “Albania-Austri partnershaft”. Ajo është nderuar me shumë dekorata e tituj dhe pikërisht “qytetare nderi”, për njësitë vendore; Fier, Mamurras, Rubik, Pukë, Drenës, Kosovë, Rrap, Qaf-Mali. Mban medaljen më të lartë shtetërore me titullin “Medalja Nënë Tereza” në Shqipëri në vitin 1996, është nderuar me çmimet kombëtare austriake si “Jozef Krajner” në Austri 1999 dhe çmimi “Johani i Madh” si dhe “Gruaja e Vitit 2002”, po ashtu dhe çmimin “Humanitar-2003”, dorëzuar nga Gorbaçov dhe Helmut Kohl. Ka një veprimari të begatë me publikun dhe median në Austri dhe Shqipëri si në botimet periodike, konferenca kombëtare e ndërkombëtare për çështjet e arsimit, simpoziume, organizata dhe institucione shtetërore ose jo për kulturën, ka patur prezencë në mediat lokale dhe qendrore influente, dokumentar dhe programe satelitore. Shquhen disa tituj emisionesh si “Një ëngjëll në Shqipëri”, “Netë të gjata shqiptare”, “Varfëria me respektin takohen”, etj. Dhjetra shkolla të tipeve të ndryshme, ambulanca, shtëpi fëmijësh si në shumë krahina mbajnë vulën e kujdesit të saj dhe të shoqatës që drejton.

Takimi me Shqipërinë

Vjen në Shqipëri aty nga viti 1992. Graf thotë se e njoha Shqipërinë duke qenë shumë larg Shqipërisë, ende pa e perceptuar drejtpërdrejt ekzistencën e saj. Njohja ime për të erdhi si rezultat i dashurisë sime për botën malore amtare, si dhe udhëtimeve të shumta për qëllime studimi me burrin tim. Jetën e malësorëve të saj, thotë ajo, e gjeta në lartësitë e Nepalit dhe të Jemenit, po aq sa dhe në tregimet e prindërve të mij rreth luftës për ekzistencë të fshatarëve austriakë në kohët e kaluara, forcën e lidhjeve familjare patriarkale të saj unë e ndjeva në qëndresën e fortë të familjeve të mëdha të vendeve të Alpeve dhe të Azisë Juglindore dhe respektin ndaj të moshuarve m'u dha mundësia ta njoh te shumë fise të Afrikës. Kësisoj, gruaja që do t'i binte pëllëmbë për pëllëmbë shkrepave e kreshtave të frikshme, por mahnitëse të Veriut të vendit, duke filluar në vitin 1992, thotë se që gjatë vizitës së parë asokohe, nuk u habita aq shumë, pasi shumë gjëra që ndesha këtu, m'u dukën të njohura. Por unë mbeta pa mend nga mungesa e madhe e shpresës, nga përçarja dhe mosmarrëveshjet e mëdha që ekzistonin këtu midis njerëzve, nga konfirmizmi komunist që hasej kudo, nga mungesa e cfarëdolloj infrastrukture dhe nga 700 mijë bunkerët, që, si krijesa të frikshme mbulonin vendin si çibanë. Njohja e mirë e gjendjes dhe pamja e dëshpëruar e këtij vendi, bënë që ky vend jo vetëm t'i hynte në zemër bamirëses austriake, por dhe e bindën për të marrë vendimin për ta ndihmuar këtë vend me përkushtimin më të madh, pavarësisht nga pasojat. Graf e tërheq peisazhi shqiptar, “peisazhi i një vendi të virgjër dhe pafundësisht i bukur”, por “që është treguar e tregohet i pamëshirshëm me banorët e vet”, thotë ajo. Kjo vjen nga toka jashtëzakonisht e varfër, por ca më shumë nga e kaluara plot vuajtje, e cila nën tiraninë gjatë historisë më të re, arriti një pikë kulmore torturuese. Një sistem brutal, i cili përmbysi plotësisht rendin e vjetër, shkaktoi shumë viktima dhe dëme të pariparueshme të pasurive kulturore, e vendosi vendin në karantinë për dhjetëra vjet, u krijoj njerëzve mjaft probleme, të cilët ata, megjithë përpjekjet, nuk janë në gjendje t'i zgjidhin vetëm. Mirëkuptimi im për këto probleme, mënyra ime e sjelljes si rezultat i këtij mirëkuptimi, por edhe gjuha (e flet po si një shqiptare e shkolluar), e cila është çelësi më i mirë për të kuptuar një popull, më mundësuan të futesha e të kontaktoja me të gjitha shtresat e popullsisë të këtij vendi. Ato hapën për mua lugina e kasolle, të cilat zakonisht hapen me vështirësi për të huajt. Me kënaqësi kujtoj nga ato fshatra të largët ura druri të varura dhe shtigje, nga ku mund të përfundoje në greminë, mikpritjen prekëse në banesat e thjeshta “të pasura me pickime pleshtash”, netët e akullta dhe ngrohtësinë shëruese të llojeve të shumta të çajit të malit dhe të rakisë. Të pish bashkë me fshatarë dhe me barinj duhan kundërmues dhe të përjeshtosh me ish të burgosur shijen e keqe të përbuzjes njerëzore dhe të vdekjes në kampet e ish të burgosurve, t'u shpëtosh bashkë me ndihmëtarët, gurëve, që rrëzoheshin tatëpjetë shkëmbit, rrëshqitjeve në baltë, si dhe kallashnikovëve kërcënues, të ëndërrosh me artistët dhe të zhvillosh diskutime të nxehta me politikanët, këto janë më shumë sesa ngjarje interesante.

Fotografitë

Albumi, ka një ndarje interesante, në pjesët sqaruese, me fare pak fjalë njohëse, në formë rrëfimesh apo essesh, por që shoqërohet nga fotografi të shumta, fokusuar në një këndshikim origjinal, ndërsa, është e çuditshme, ashtu si Durham, ajo përdor mrekullisht dhe skicën. Por fotoja është shumë domethënëse, në ngjyrat e veta, aspak e stisur, që flet shumë. “Nëse dikush do të dëshiromnte të më qortonte për faktin se në fotografitë kam kapur vetëm anët e mira të Shqipërisë së Veriut, ai ka të drejtë...”. Në fakt, Graf mund të ketë fokusuar me mijëra pamje nga gjendja e rëndë prej 13 vitesh, dhe shumë prej tyre janë promocionuar në kërkim të ndihmave për nevojtarët e këtyre krahinave. Nëse hap një web-site www.albaniaaustria.com gjen aty qindra e qindra pamje të dhimbshme e të trishtueshme, që sadopak kanë ndikuar në ndërgjegjen e europianëve dhe të miqve të saj austriakë, për të ndihmuar të vobegtët e këtyre anëve. Por në rastin konkret ajo i ka ikur atij sensi, ndaj thotë se në këtë libër, mbizotëron përpjekja ime që, megjithë mjerimin, tashmë të njohur, dhe klasifikimin që i bëjnë Shqipërisë si Oborri i Pasmë dhe si Shtëpia e të Varfërve të Europës, të tregoj atë që ia vlen të ruhet dhe të shikohet. Unë dëshëroj gjithashtu, t'u hap sytë njerëzve për peisazhin madhështor dhe bukuritë e vogla, të cilat në këtë vend ekzistojnë me shumicë përkrah këtij trishtimi. Kapituj dhe poezi të zgjedhura

Në 32 kapituj të ndarë, në rrëfime dhe deduksione ekstremalisht të ngjeshura, përfund disa prej sfondeve jeshil ku janë katrorizuar fotot e mrekullueshme, janë përzgjedhur dhe vargje poezishë, që i shkojnë përshtat më së miri këtij albumi, duke krijuar një simbiozë mardhëniesh, për një paraqitje emocionale të viseve të Veriut të Shqipërisë. Është përzgjedhur Martin Camaj me “vendin tem”, ( Kur të vdes, le të bahem ba/ në malet e mija në pranverë/ në vjeshtë do të bahem farë...Kur të vdes, të bahem ujë/ e fryma eme avull/ në fusha do të bie si shi...Kur te vdes/ le të bahem gur/ në skajin e vendit tem/ të qindroj kufi. ..”; por nuk harron dhe Xhevahir Spahiun me vjershën “ Histori ”, Llazar Siliqi me “ Përsëri u përtëri jeta ”, Preç Zogaj me “ Fantazmat e ditës ”, Ismail Kadare me “ Përse mendohen këto male” , pjesë nga “ Brenga e Ballkanit ” të Edith Durham, nga “ Skëndërbeu ” i Sabri Godos, Esat Mekuli me “ Malli për të pambërrijshmen ”, Betim Muço me “ Autoportret ”.

Peisazheve mahnitëse

“Është një nga vendet më të bukura të botës. Unë e dija këtë, kur isha i detyruar ta braktisja dhe kur më lejonin të vija përsëri, ai ishte më i bukuri nga të gjithë...”. Është nuni i Skënderit, Nderimi, i cili e shpreh këtë bindje të patundshme. Ndërkohë që ai patos dhe sentimentalizëm qëllon në shenjë me këtë konstatim, të cilin unë duhet ta miratoj nga thellësia e zemrës, ne qëndrojmë ulur në një tarracë madhështore mbi shtëpitë e Krujës, mu në mes të kështjellës së Heroit Kombëtar Shqiptar, Skëndërbeut.... Kështu, kaq thjeshtë e bukur, e rrëfen Graf takimin me Krujën, duke përshkruar pamjen përrallore atje ku shtrihet lagjia e Kështjellës, shpatet e kodrave, që ulen butë teposhtes me ullishtat e pyjet e vogla me pishë dhe më tej tyre, fusha që shtrihet drejt detit. Këtu vërtetë bukuria të lë pa mend. Këtë duhet të ketë menduar dhe Skëndërbeu, thotë në heshtje austriakja e mahnitur nga ky peisazh, kur qëndronte këtu dhe shikonte vendin e tij, të cilin iu desh ta mbronte nga turqit. Skëndërbeu është figurë qendrore e hisorisë së këtij vendi, simbol i heroizmit dhe dashurisë për liri. “Kulshedra e Arbënit”- e quajti atë Frang Bardhi,”Athleta Christi”, e quajti Papa Calixtus. Në pak fjalë ajo rrëfen historinë e këtij heroi të madh shqiptar. E nëse piktori anglez Eduard Lir e cilësoi Krujën para 100 vitesh si një “qytet i vogël, i dashur, afër qiellit”, si i tillë mund të quhet edhe sot, sepse mund të bëhet, përfundon Graf, duke i qëndruar në krah mendimit të Nderimit, i cili thotë se “ne do ta gjejmë përsëri ritmin tonë të lashtë krutan”, ndërsa ajo përshkruan shëtitjet nëpër Pazarin e Vjetër, muzeun Etnografik, një burim uji të njohur, një pemë ulliri të shekullit të 7-të afër Teqesë, ndërsa sëbashku me ndihmëtarët e saj është ulur ashtu thjeshtë krutançe në sheshin e lartësuar para Muzeumit duke festuar me “një fergesë”, një specialitet vendi, dhe me një gotë vere mbremjën e sapofilluar në një qytet, ku lindi dëshira e vrullshme e shqiptarëve për pavarësi, e cila u plotësua vetëm më 1912.

Nëpër malësi, Mirdita në e bukura...

Marianne Graf e përshkruan me penel të veçantë lëvizjen e saj nëpër malësi, dhe e karakterizon që në hyrje: “atje ku dimri është i ashpër, pranvera është dy herë më e bukur”. Kur në malësinë e Shqipërisë shkrin dëbora, në fillim e druajtur, por më vonë edhe më shpërthyese, çel pranvera, gjithmonë më kujtohen fjalët e nënës sime. Veçanërisht e bukur është kjo stinë në zonën e maleve të mesit të Mirditës. Duke ardhur nga Tirana, merr kthesën djathtas për në Milot dhe pasi kalon lumin Fan, ende dredhues si në parahistori, pas disa kilometrash arrin në Mirditë. Nuk vazhdon gjatë dhe bie pre e magjisë së ngjyrave të peisazhit. Në fillim mbizotëron një ngjyrë llaku në të florinjtë, që ndriçon prej shpateve karstike poshtë dhe shpejt bashkohet me ngjyrën e bimës qumështore, ndërsa më tej duke filluar nga Fierza, vizitorin e uritur për pranverë e entusiazmojnë së tepërmi lulet e bajameve, kajsive dhe qershive. Është një fat i mirë, nëse ndodhesh këtu pikërisht në kohën e luleve boshtra. Bima endemike, që ne në Austri e njohim me emrin europaeische Forsythia, shfaqet në mënyrë masive, sidomos rreth Oroshit. Por, këtu nuk të bën përshtypje vetëm flora, e gjithë krahina me bukurinë e saj nuk ka të dytë. Historia e Mirditës përshkruhet në pak fjalë si qendra kryesore katolikëve, krahina e veçantë që ta uron mirëseardhjen që me emrin e saj, ndërsa jo më kot ky vend cilësohet në vlerësimin e vetë shqiptarëve, si vendi i mikpritjes “atje ku të presin me bukë, kripë e zemër”.

“Të therej një bushtër e kuqe dhe një dele...”

Me Rubikun Marianne Graf e lidhin shumë gjëra, që në ardhje të saj. Dhe jo vetëm për investimet e sjella këtu, që e kalojnë 1 miliard lekët, apo në bamirësitë e panumërta, vetëm operacioni i Klajdit 3 vjeçar në Austri, i cili jetën ia kushton mamasë së dytë-Graf (50 mijë euro për të shmangur vrimën në zemër), por edhe për peisazhin impozant atje lart tek kisha e të Shëlbuemit, prej ku kishte jetuar për 10 vjet një famullitar po austriak, e ku me sa duket historia e solli të takohen dy breza bamirësish të veçantë. Kishën e të Shëlbuemit, ajo e quan si “Kisha për udhëtimin e Krishtit në qiell”. Ajo dallon atje lart mbi luginën e lumit Fan, mbi një shkëmb gëlqeror vezullues me ngjyrë të bardhë. Pranë saj ndodhet novixiati i françeskanëve; i braktisur në këmbët e saj, gjendet qyteti i vogël i Rubikut. Pavarësisht nga stina, kur ngjitesh sipër, çdo herë të befason rishtas pamja madhështore thellë mbi lumin Fan, një herë me ngjyrë bruz, njëherë me ngjyra argjendi dhe pastaj përsëri me valët e ngjyrosura ngjyrë gri-kafe. Qysh në kohët e hershme vendi ka qenë një qendër ndërlidhëse. Sipas mitologjisë greke, Rubigo, ishte perendia që personifikonte fishkjen e drithrave. Për ta zbutur perendinë, për një kohë të gjatë në prill të çdo viti therej një bushtër e kuqe dhe një dele, të cilat flijoheshin me verë. Sot dihet se shkaktari i tharjes së shumë fushave me drithëra nuk ishte kjo perendi. Shkaktari i dëmeve duhet kërkuar më shumë tek burimet acide nga shkëmbinjtë me përmbajtje bakri.

Kullat me frymën e malësorëve brenda

Graf përshkruan gjithë rajonet e viseve të Veriut dhe Verilindjes nga i ka rënë të shkojë, duke vëzhguar imtësisht kullat e moçme, niset Luginës së Matit, shkel në fshatin Shul Batërr, aty ku një mëngjes herët kishin pikasur tej mjegullës karakteristike një kështjellë me mure, në fakt një njësi unike që zbërthehej tej atij tisi mëngjesi në një renditje kullash të ngjashme me kështjellat, dhe papritur duke ecur tutje luginës, thotë Graf, më krijohet një ndjenjë sikur me çdo hap që bëj përpara shkoj dy hapa prapa, -tek e kaluara. Atë e tërheq kultura e popullit në të ndërtuar dhe gjithçka të ruajtur me kujdes, por e shqetëson deri në trishtim bjerrja edhe humbja e saj. “Jemi në një vend krejt të izoluar, i cili ruan të kaluarën e largët, asnjë frymë njeriu nuk duket, mos vallë janë mure të magjepsur, që ngrihen para nesh, si të kenë hedhur shtat nga format e rrumbullakosura të një guri vullkanik. Megjithëse ndërtesat, në ndonjë rast, mbajnë rëndë vulën e vjetërsisë, ato të gjitha transmetojnë një shkallë të lartë artizanale dhe saktësi. Gurë të përpunuar me mjeshtëri të lartë bashkohen aristikisht në shtylla, mbajtëse, harqe dhe mërtek, dhe e detyrojnë vizitorin për një vrojtim më të saktë të portaleve, të punuara me dashurinë më të madhe. Me eksperimente modernizuese të mjerueshme edhe estetikës nuk i është shkaktuar shumë dëm, sidoqoftë këto plagë janë të shërueshme. Por, shkatërrimi dhe prishja masive, që vihen re në disa vende të shkaktojnë një shqetësim të madh. Më tej ajo thotë se rrënqethem kur kujtoj një ngjarje që ndodhi para disa ditësh në Klos. Gjatë rrugës nga Bulqiza në Tiranë, bëmë një pushim për të parë urën e Darsit, këtë urë të famshme, që është një nga urat e pakta nga koha e turqve, që ruhet akoma. Çfarë tmerri kur vajtëm tek vendi i urës së vjetër dhe pamë një urë të drejtë betoni të parafabrikuar, e cila, përveç kësaj nuk të çonte asgjëkundi! Asnjë rrugë që të shpie më tej, asnjë rrugicë, vetëm një shteg i ngushtë gjarpëron në male. Pyetjes për shkakun e kësaj, iu përgjigj në mënyrë lapidare një funksionar i komunës: “Në Tiranë u miratua një urë e re!...”.

'97, Zoti ishte me ne!...

Puka e luginave të thella e bjeshkëve të larta, ka qenë vendi që Graf e ka shkelur më shumë se askund, se dhe varfëria këtu ka qenë e skajshme. Që nga viti 1993 kemi dërguar në këto fshatra të largëta dhjetëra maune, me ndihma, të ndërtojmë dhjetra shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, cerdhe fëmijësh, ura etj rrëfen Graf. “Zoti ishte me ne, kujton ajo dhe ndihmëtari më i afart i saj Skënderi, kur risjellin në kujtesë rrugët malore të përshkuara, shkarjet e gurëve, kamionë që rrëshqisnin dhe ura që përkuleshin nga pesha. Udhëtimet e vitit të kaosit '97 të linin një shije të hidhur sa herë kalonin në ato kthesa të rrezikshme. “Zoti ishte me ne”, mendoj dhe unë dhe i largoj shpejt ato kujtime për ato fytyra të egra, për kallashnikovët që i mbanin lirshëm në supe. Duke kaluar Pukën, vendi bëhet sërish i egër, bie thikë deri në Fushë Arrëz. Pikërisht në një vend këtu ndodhet e para shkollë shqipe e kësaj krahine, e cila u ngrit në vitin 1903 nga një konsull austriak.

Kur këndon Sadiku

Marianne Graf ka patur miqësi të panumërta me njerëz nga më të thjeshtët, dhe takimin me ta e përshkruan në mënyrë brilante. Ja, njëra prej tyre. Një natë e acartë dimri, bëri që shpura e saj të kalonte natën në një shtëpi të thjeshtë atje në bjeshkët e Veriut, pikërisht tek Sadiku, kjo ka mbetur dhe nga mbrëmjet e paharrueshme. “Kur hymë në odën e miqve, rrëfen më tej ajo,- na ftuan të rehatoheshim mbi fier të mbështjellë dhe të mbështetur në jastëkë shpine në murin e dhomës. Isha e vetëdijshme për nderën që m'u bë nga i zoti i shtëpisë, një burrë i varfër dhe i rrudhur nga jeta e rëndë dhe nga punët e shumta, kur me mirësjelljen më të madhe më caktoi të zija vend në qoshen pranë oxhakut, që cilësohet dhe si “pjesë e shenjtë” e banesës. Raki, cigare të hedhura veç e veç për secilin, qepë ujëse, fare të njoma, djathë si dhe histori, që u treguan me gjeste burrërore nga Sadiku, na bënë që të mos e ndjenim fare kohën e gjatë, që kaloi deri sa u shtrua darka. Më habiti fakti që në atë dhomë plot muhabet erdhën edhe shumë fqinj të asaj familjeje. Pastaj djemtë e Sadikut vunë para nesh një sofër, një lloj tryeze e ulët ngrënjeje, të cilën e mbushën plot përzemërsi me gjellët e thjeshta, por të veçanta të malësisë. Darkën e miqve e hapi Sadiku, duke më dhënë mua kokën e dashit. Më pas me dorë të stërvitur ai këputi pjesët më të mira të gjellëve dhe na i vuri nëpër pjata. Filluam të hanim, përtypeshim me zhurmë, bënim muhabet dhe rrufisnim, duke u përkulur mbi sofër, ndërsa flaka e llampës së nxirë nga tymi bënte lojëra. Koha, kur vetëm një orë në ditë kishte furnizim me energji elektrike tashmë kishte kaluar. Për ne kjo ishte romantike, por për ata, nuk mund të ndihej në asnjë mënyrë e tillë. Në këto çaste, ne të gjithë, përfshirë edhe mikpritësin tonë, shijuam çaste të lumtura. Por, kur pastaj Sadiku kapi çiftelinë me bisht të gjatë, mbrëmja u bë e përsosur. Edhe vetë emri përkëdhelës i kësaj vegle muzikore, që nga instrumentisti, për shkak të formës së ndërtimit, quhet “lot i zgjatur”, tregon për karakterin lirik të melodive që luhen dhe shoqërohen me të. Pasi akordoi zërin, në një mënyrë të pazakontë për veshët tanë, por me mjeshtëri, Sadiku filloj të këndojë për krenarinë, besën, heroizmin, fisnikërinë. Ai dhe ne u kredhëm në ëndërrime. Ndërsa ai dhe miqtë e tij kujtonin origjinën e tyre, mua m'u shfaqën para syve të shpirtit muzikantët e Abersesë, Simon Geigenmusi dhe kuarteti i Zauhensit. Ishte një muzikë popullore e mirëfilltë, që prek rrënjët e ne të gjithëve...

“Me raki mbyten hallet...”

“Nëse i zoti i shtëpisë është në gjendje të të ofrojë raki, kjo tregon se ai ka aftësi dhe di t'i trajtojë më së miri dhuratat e natyrës. Ndoshta mund të tingëllojë për të qeshur, por ajo që te ne në Austri, është Vinoteka, në Shqipëri është Rakiteka. Veç rakive të zakonshme të kumbullave, qershive dhe mollëve të egra, numërohen si të veçanta rakia që nxirret nga llojet e ndryshme të rrushit, rakia e manaferrave dhe ajo e boronicave”, përshkruan ajo. Nuk duhen harruar as llojet e rakisë së zier nga mani i bardhë dhe i zi, nga frutet e luleshtrydheve dhe thanat e kuqe. Pikërisht, kjo e fundit, rakia e thanës, është një ilaç shtëpie e sprovuar për reumatizëm dhe dhimbjet e kokës. Shquhet në mënyrë të veçantë rakia e rrushit si qetësuese e stomakut. Duhet nënvizuar se në malet e Shqipërisë Veriore rakia, është përgjithësisht, i vetmi medikament, përveç çajit. Rakia përdoret edhe si dizefektues tek njerëzit dhe kafshët, por edhe për ndrydhjet, për këputje mishi, për enjtjet, pickimet nga insektet, infeksionet e ndryshme, për masazh dhe fërkime si dhe për nxehjen e lëkurës dhe rregullimin e qarkullimit të gjakut. Esenca të veçanta të përziera me raki, psh nga sherbela, përdoren ndaj hemoragjisë së dhëmbëve, ngërçeve e shqetësimeve të tjera. Pavarësisht se sa e shumëkërkuar është rakia, konjaku i Alpeve Shqiptare, si çdo gjë tjetër ka dhe anën e saj të dytë. Ajo ka, dhe këtë e përmendin dhe fjalët e urta, efekte shumë shkatërruese. Alkoli, si mjet i harrimit të hallit të çdo lloji, është fatkeqësisht i pranishëm në të gjitha shtresat e të gjitha vendeve. Pikërisht papunësia dhe frika për vetë ekzistencën, si dhe mungesa e optimizmit për të ardhmen, bëjnë që shumë të rinj t'i afrohen gotës. Te ne, në Perendim, dhënia pas drogës, vjen nga mendjelehtësia për jetën dhe për shkak të bollëkut. Ndërsa këtu në malësitë e Veriut, në mënyrë absurde thuhet “me raki mbyten hallet”.

Në Alpet shqiptare, tek kulla e ngujimit

Graf është e impresionuar nga udhëtimet e saj nëpër Shkodër dhe Malësinë e Madhe, ndërsa bukuritë e Alpeve, historitë dhe legjendat, të lënë vërtetë pa mend. Atë e shoqëron Skënderi. Kur bëhet fjalë për Alpet, shënon ajo, Skënderi bie në ëndërrime. Nëna e tij e ka origjinën nga krahina e vargmalit Dinarik, që zgjatet drejt veriperendimit, në anën tjetër të kufirit. Vuthaj është një fshat i vogël, në pjesën e Malit të Zi, të banuar nga shqiptarë dhe që duhet të jetë “vendi më i bukur në tokën e Zotit”. Por Skënderi betohet se edhe pjesa shqiptare është përrallore dhe e vecantë. Ndaj të yshtur nga ky rrëfim, ajo niset një ditë prej dite drejt Dukagjinit. Me Landrover marrin udhën duke ndjekur lumin Kir, ku një peisazh i mahnitshëm të tërheq në magjinë e vet. Kalojnë Ndreaj dhe Lotaj, lart përroit të Shalës. Sa më në Veri të vemi, thotë ajo, aq më e keqe dhe e prishur është rruga, por, gjithashtu, edhe më madhështore bëhet pamja e botës malore, edhe më fantastike me shtëpitë e fshatarëve. Duke patur parasysh dëborën e madhe, skeletet e çative vendosen me pjerrësi 50 për qind. Të vjen keq që aty-këtu, çatia me llamarinë, tashmë karakteristike për vendet e Botës së Tretë, zëvëndëson çatinë tradicionale të mbuluar me dërrasa! Të tërhequr nga gjëmimi i egër i përroit malor, hedhim një vështrim të shkurtër nga ura e Gerës, në grykën afërsisht 100 metra të thellë. Për të vajtur në Theth na mbetet të kalojmë edhe një kthesë të fortë. Para nesh shfaqen masive gjigande shkëmbinjsh nga koha e akullnajeve, ujëvara që bien thikë dhe uji i kthjellët malor, që formojnë për vizitorin një skenë piktoreske. Tre malet me lartësi mbi 2500 metra, Radohima, Sheniku dhe Papluku, synojnë madhërishëm drejt qiellit. Është i jashtëzakonshëm ajo që përcjell kjo vizitore e rrallë e Shqipërisë veriore, kur duke u ngjitur këtyre maleve, takon një kullë të veçantë, që të kujton përshkrimet e Kadaresë, në romanin Prilli i thyer, apo ai më i fundit të autorit vendas në Mirditë, Ndue Dedaj “Dashuri në kullën e ngujimit”. Mariane, duke rrëfyer udhëtimin e saj, vazhdon: “Mëhilli pret tashmë, para mullirit të vogël me ujë. Pas përshëndetjes miqësore, ai na çon në rrugën më të shkurtër, tek kulla e Mark Koçekut. Kjo shtëpi mbrojtëse përbën një nga joshjet më të mëdha në Dukagjin. Ajo është ndërtuar mbi një shkëmb të rrumbullakosur dhe, me historinë e saj, nga sa thuhet, mbi 500 vjeçare, është një dëshmitare e heshtur e jetës fisnore me kodin e vet ligjor, Kanunin e lekë Dukagjinit.qysh në fillim, Kulla-mbrojtëse, me frëngjitë e saj të vogla dhe e pajisur vetëm me dy dysheme të ndërmjetme druri, shërbente për ata që kishin rënë në gjakmarrje. Këtu ngujoheshin vrasësit, për t'u mbrojtur nga hakmarrja vdekjeprurëse. Për muaj të tërë, në mos për vite, deri sa të ishte shlyer borxhi i gjakut ose të ishte bërë ndërmjetësim pajtimi i fiseve, kjo ndërtesë trekatëshe ishte një burg i vetëzgjedhur, ku mund të hynte vetëm një grua për t'u dhënë ushqim të ngujuarve. Tregimet për ringjalljen e gjakmarrjes edhe atje në majë të bjeshkës, edhe kur je duke provuar qullin e shijshëm me ajkë, të shkaktojnë keqardhje dhe të krijojnë një gjendje emocionale jo të mirë.

Drejt Petrelës mesdhetare

Shtegtimi i Graf shkon dhe më tutje deri në cepin e largët të Tropojës për kufi me Kosovën, atje ku e presin njerëzit me pakot e ndihmave që ka përgatitur për ta. Hyn në shtëpitë e malësorëve, njihet me bukuritë e virgjëra të këtyre malësive, me zellin e grave malësore, me këtë vend dhe ngjyrat e tij, për të rënë ditët më pas në Petrelën e bekuar me klimë mesdhetare. “Ta përfshish Petrelën në Shqipërinë e Veriut është guxim i tepruar”, shënon ajo. Por duke u nisur nga fakti që lumi Shkumbin është kufiri midis Veriut të banuar nga gegët, dhe Jugut, të banuar nga toskët, është e qartë se fshati i vogël, që ndodhet 12 kilometra në jug të Tiranës, bën pjesë në Veriun geg. Shtegtimi tjeter do te jete per ne Jug. Qëndron pak kohë atje, pasi punët e shumta e ngutin të largohet, por premton se “sapo të ma lejojë koha, unë do t'i vizitoj përsëri simbolin e urtësisë-drurët plot dinjitet të ullinjëve, të nderuar qysh në lashtësi, të Petrelës Arkadike”. Për të ecur më pas rrugëve të Tiranës, në kërkim të shpirtit të vjetër të Tiranës, ajo i bie pash e më pash në këmbë kryeqytetit tonë. Ndoshta shpirti i vjetër tiranas ndodhej vetëm në vështrimin prapa të zbukuruar të një malësori?! Në “Parkun Rinia”, të ringjallur takojmë Xhemalin. I lindur dhe i rritur në Tiranë, ai është një bir i mirëfilltë i këtij qyteti. I sigurtë ai na shpie në Tiranën e vjetër. Këtu sheh disa shtëpi të vjetra, me ballkone të gdhendura e të zbukuruara plot dashuri; atje më tej një peisazh i vjetër çatishë dhe disa porta karateristike shtëpish. Xhemali di se ku të na çojë. Ai herë pas here na tregon disa oborre të prapmë, mjaft joshës e tërheqës, të cilët me lulet e tyre plot aromë, të ftojnë të qëndrosh gjatë për t'i parë. “Nuk do të jenë dhe për shumë kohë”, thotë Skënderi., “spekulantët e trojeve dijnë mirë si t'i fusin në thes pronarët e këtyre shtëpive, shumica e të cilëve janë të varfër”.Vizita në xhaminë Ethem Beu krijon, gjithashtu atmosferë befasuese për vizitorin. Megjithëse ajo që pamë ne në vizitat e shëtitjet, që bëmë në qytet nuk ishte shumë, një gjë është e sigurtë: ai shpirti i vjetër i mirë i Tiranës ekziston akoma. Ndoshta, kryetari i tanishëm i Tiranës, artisti Edi Rama, di ta ruajë dhe ta mbrojë atë, krahas programit të tij progresiv për gjallërimin e qytetit. Dhe, duke përmbyllur në fund shënimet e saj, humanistja austriake, beson në përtëritjen e forcave të këtij vendi, që iu deshën 1912 vjet sipas erës kristiane të kohës, të kenë një shtet të vetin dhe pothuajse 5 dekada pëtr të flakur komunizmin. Shqipëria, vendi tërheqës dhe i nëpërkëmbur në Jugun diellor të Europës, duhet të bëhet patjetër një antar me vlerë të barabartë i familjes europiane. Dhe këtë nuk e thotë me gjuhën diplomatike apo lajkatuese të një politikani, por si një shqiptare e madhe, sepse, siç shënon ajo, nuk mund ta kuptojë jetën e saj pa këtë vend. “Të gjitha këto përjetime, takime e biseda të përbashkëta me shqiptarë”, thotë Graf, “më ndihmuan për ta njohur e kuptuar me të gjitha shqisat këtë vend, prandaj u jam mirënjohëse të gjithë atyre që ma dhanë këtë mundësi. Nuk është për t'u çuditur, që pikërisht kështu Shqipëria, u bë për mua atdheu im i dytë. Prandaj them se sa herë që udhëtoj dhe kudo ku mbërrij-në Austri ose në Shqipëri- unë vij në shtëpi....”.

Gjergj Marku

 

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net