“Ditët e Podrimjes...”
nga Gjergj Marku RRËSHEN . “Intriguar” me figurshmëri të tillë kanë nisur sot “Ditët e Podrimjes” në qarkun e Lezhës, për të filluar një veprimari të një lloji të veçantë në nderim të poetit të madh kosovar Ali Podrimes. Nderi i parë i ka takuar Mirditës, që poeti, i quajtur thellësisht kombëtar, të vinte këmbën, në tokën e bekuar të Mirditës, siç e cilësoi ai.
Një ditë e ngarkuar me veprimtari të ngjeshura, por që ka lënë mbresa të pashlyeshme tek poeti kosovar dhe të gjithë të pranishmit. Pak a shumë axhenda ka qenë kjo: një takim në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrëshen, z. Preng Toma, ku u pi dhe kafeja e parë. Më pas një takim me intelektualë e krijues mirditorë në një sallë, ku ishte organizuar pak a shumë një tryezë ovale, dhe u ku u shkëmbyen mendime, u sollën përshëndetjet e rastit nga drejtuesi i shtëpisë botuese MIRDITA Ndue Dedaj, n/prefekti dhe studiuesi Bardhok Pulaj e të tjerë. Më pas e ka marrë fjalën poeti Ali Podrimja. Fjalës së tij nuk i kanë shpëtuar mbresat e veçanta nga Mirdita. “Gjate rrugës që po vija me Bardh Ricën (kryetar i qarkut Lezhë) dhe Zef Ndrekën (drejtor i gazetës BALLKAN), po meditoja për pocionin e bukur dhe pamjen mahnitëse të kësaj krahine, që pa e tepruar, mund ta quaja dhe si vendlindjen time, pasi baba më ka folur shumë për këto anë. Ai e ka bërë shpesh këtë rrugë vite më parë, kur vinte për Shkodër, Lezhë a gjetkë. Për këtë trevë kam dëgjuar që i ri, dhe kam kënaqësinë, të jem mes jush, ashtu siç e kam ndjerë veten gjithnjë mirë kur kam qenë në shtëpitë, fjala vjen, të Martin Camajt a miq të mij të fesë katolike, pasi gjëja më e shtrenjtë që kemi ne është harmonia fetare, dhe unë njoh shqiptarizmën mbi gjithçka. Do të kisha dashur të vija këtu më i ri, mes njerëzve të një gjaku, pasi historia e Gjakovës sime është e lidhur aq shumë me Mirditën tuaj.
Duke u ndalur tek krijimtaria letrare, Podrimja ka thënë se unë nuk merrem me politikë, por poezinë time e kam patur prej motesh politike, dhe i flet politikës. Unë kam shumë shokë që e paraqesin poezinë e tyre në hapësirën gjuhësore dhe jo në hapësirën e shtetit politik, brenda kufijve politikë. Kam marrë pjesë në dy tri prezantime që ka patur shteti shqiptar në botën e jashtme. Kur kemi qenë të gjithë aty të huajt e kanë kuptuar se jemi një komb që e meritojmë respektin kam qenë në Francë ku ishte një ekip i zgjedhur nga Shqipëria, poetë piktorë dhe intelektualë të tjerë, ishte aty dhe Kadareja ynë, Maks Velo, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu dhe piktorë të tjerë, të cilët linin atë mbresën se shqiptarët nuk janë një grup njerëzish, por janë një popull që shtrihen në një hapësirë mjaft të madhe. Kështu veprojnë dhe popujt e tjerë që i kemi përreth.
Ne duhet të mësojmë dhe nga e keqja, u është drejtuar intelektualëvë dhe studiuesve mirditorë poeti Podrimja. Po sjell një rast të jetuar. Ishte një mbramje e kulturës serbe në Paris, serbët merrnin dy tre piktorë apo krijues nga Serbia, shpiknin një poet nga Kosova, që ishte serb, shkonin në Bosnjë merrnin dhe dy-tre të tillë, dilnin në Kroaci merrnin dhe një tjetër, shkonin në Hungari e kërkonin një poet serb që shkruante në gjuhën hungareze e merrnin dhe atë, dilnin në Rumani ku ka mjaft serbë, merrnin dy tre dhe aty, dhe me paraqitjen e tyre në botën e jashtme, ata tregonin dhe hapësirën e tyre shpirtërore, pra etninë.
Tek ne kjo nuk ndodh. Pse? Sepse ne shqiptarët shpesh duam të luajmë rolin e fisit e bajraktarit. Por çështja e kombit është shumë më e madhe se çështja e fisit. Unë e dij, në luftën e fundit në Kosovë në UCK nuk kanë luftuar vetëm njerëz nga Kosova, ka patur shumë dhe nga Shqipëria të cilët kanë ra, madje dhe nga arbëreshët, sepse e dinin se po qe se fiton çështja shqiptare në Kosovë ajo ishte një çështje madhore e kombit tonë, dhe kishin vendosur me pushkë t'i dilnin tankut serb. Sepse serbët vazhdimisht talleshin me luftëtarët e Kosovës se “pushka nuk do ta mundë tankun”, mirëpo ndodhi ajo që sot e shohim si realitet. Shqiptarët për herë të parë u orientuan në mënyrën më dinjitoze dhe gjetën aleancën e duhur, që e kanë kërkuar me vite.
Ajo që ndodhi për 50 vite duhet t'ia lëmë historisë dhe ne nuk duhet të merremi me të, duhet të merremi me të ardhmen. Mirëpo Kundera, ky shkrimtar i madh çek që jeton në Paris thotë “shpesh herë ne duhet ta kujtojmë të kaluarën, se e kaluara na shtyn ta duam edhe të ardhmen”
Në përgjithësi arti është politik, por politika nuk është gjithçka, politika e këput fillin e vet aty ku fillojnë të krijohen vlerat, të hulumtohet e bukura, ajo që njerëzve u kthen identitetin e humbur. Mua më duket se 50 vjet, megjithëse ajo qe pjesë e historisë dhe se shqiptarët nuk jetuan në planet tjetër, është histori me të cilën natyrisht nuk krenohemi. Mua vërtetë nuk më intereson politika dhe nuk merrem me politikë, mirëpo në raste të tilla, duhen thënë ca fjalë. Ne shqiptarëve na ka munguar kaherë organizimi i brendshëm, pra ai kombëtar dhe secili nga ne mund të kontribuojë atë që e kërkon çështja e kombit, çështja e Atdheut. E kam thënë dhe në Prishtinë e Kosovë gjithandej se Atdheu as fyhet, as vidhet dhe as vritet luftëtari i tij, ne të gjithë jemi luftëtarë të një çështje kombëtare, e cila ende nuk ka përfunduar. Në realitet kufiri në mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ekziston, ai që e ka shkulur atë “gur” ka qenë, madje një miku im më i ngushtë, Agim Ramadani, ka qenë piktor, poet dhe luftëtar, e kishte kryer akademinë e ushtrisë në Zagreb. Ai qe larguar nga përndjekja serbe, dhe jemi takuar në Zyrih, në një koncert me Pagarushën dhe Vaçe Zelën, unë recitoja ato këndonin. Gimi më dhuroj një pikturë me emërtimin “Refugjatja”. Përse kjo? Më qe drejtuar se pa kaluar Kosova nëpër këtë rrugë, kurrë nuk do të fitohet.
Neve shqiptarëve na duhet të kryejmë në mes nesh edhe infrastrukturën, sepse një popull nuk e lidh vetëm gjuha, kultura, letërsia, arti, vetëm dashuria, respekti, por i lodh edhe rruga. Ju i keni parë gjithë ata refugjatë si kanë kaluar këndej, si kanë arritur deri në Durrës, një gjysëm milioni njerëz, ajo qe një admirim i madhe edhe për Shqipërinë për pritjen e ngrohtë këtu. E kam kaluar atë rrugë përmes Maqedonisë. Shqipëria e vogël bëri të madhen gjë.
Disa MENDOJNË SE Shqipëria është e vogël, por ajo ka atë që nuk e kanë të tjerët, dinjitetin, në momentin e vështirë e kupton se çdo të thotë njeri i një gjaku. Këtë na e kanë lënë amanet të parët tanë. Në Gjermani më ka rënë rasti t'u tregoj gjermanëve se jemi nga ata të vjetrit; ju mund të krijoni sërish ndonjë Bismark të Ri, e të tjerë e të tjerë, por ne do të jemi ata që kemi qenë. Për këtë e ndiej veten tepër të lumtur, që gjendem në mesin tuaj si vëlla, si shkrues dhe për të cilën, më ka folur shumë baba im, i cili ka qenë idhtar i madh i Bajram Currit, shtëpia ime gjindet pranë kullës së Bajram Currit në Gjakovë. Pikëllimi më i madh i familjes sime ka qenë kur kanë parë se nga ajo kullë legjendare, filluan të heqin gurët për të ndërtuar shtëpi. Pra, gjithkund ka matrapazë, të pafytyrë, por kjo i takon historisë, neve na takon e ardhmja. A do të jetë kjo Shqipëria që është, që disa dëshirojnë ta shohin nga Durrësi në Kosovë, apo ajo Shqipëria që ka qenë gjithmonë…
Preng Toma i ka prezantuar atë që bëhet në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të Mirditës, duke bërë një bilanc të jetës kulturore në Mirditë, duke thënë se kemi një shtëpi botuese shumë të mirë dhe një gazetë Mirdita, që i japn kulturës së kësaj treve me histori të rrallë.
|