Rikthimi nostalgjik i diktaturës hoxhiane në Ferizaj të Kosovës (Reflektimi për historinë dhe mbamendjen historike)
Ndue Ukaj
Dijetari francez Saint Beuvit shkruan: “Kur mendojmë sinqerisht të kaluarën, kur e kuptojmë mirë atë, do të thotë se e kemi vështruar saktë të ardhmen”. Analizuar në kontekstin e gjendjes shqiptare, ky mendim, më shumë se shpreh një premisë njohje e rinjohje, për të perceptuar qartë të ardhmen, kontekstualizon një detyrë Sui Generis, për gjithë ata që merren me konsolidimin e kombit, veçanërisht elitat intelektuale dhe ato mediatike, të cilat në shekullin tonë kanë një peshë të rëndësishme, për të shtruar dhe debatuar në mënyrë sa më konstruktive të kaluarën dhe të tashmen, për hir të së ardhmes, me një qasje analitike, të drejtë dhe objektive, dhe në dritën e argumenteve. E kaluara Shqiptare, është një e kaluar e karakterizuar me pushtime të shumta nga barbarë të llojllojshme, prej atyre aziatikë-shkatërrimtar, deri te ata karpatian, që bashkë me pushtimet sollën zvetënime kulturore, degradim moral e nacional. Është një e kaluar tragjike, mbase më tragjikja në gjeografinë perëndimore, në të cilën gjendemi fizikisht dhe në të cilën synojmë të integrohemi shpirtërisht. Si rezultat i kësaj, pushtimeve të njëpasnjëshme dhe pa fuqisë së kombit për të qenë unik në ditë të vështira, kombi shqiptar, edhe pse ndër më të lashtit, ende vazhdon përpëlitjet për demokraci, për stabilitet të brendshëm, vazhdon përpëlitjet për një konsolidim dhe mirëqenie qytetare. Mbase edhe përpëlitjet për ekzistencë dhe mëvetësi. Në kontekstin e gjithë kësaj, sot ne kemi një të kaluar shumë të pa konsoliduar, një histori të fragmentuar, sipas apetiteve të çdo njërit që i është tekur të merret me historinë tonë. Gjitha këto sjellin deri te fakti, se edhe trajtimet ndaj figurave të së kaluarës, i kemi të fragmentuara. Ashtu siç është copëzuar gjeografia nacionale nga të tjerët (edhe këtu them prej paaftësisë sonë për të qenë unik dhe të përcaktuar qartë për të ardhmen, mbase kjo temë kërkon një trajtim të veçantë), ashtu në me vetëdije apo pa të, copëzojmë historinë tonë; copëzojmë shpeshherë në mënyrën me primitive duke ripushkatuar dhe përdhunuar segmentet kruciale që na bënë të jemi gjallë dhe duke glorifikuar segmentet që na errësuan jetën. Dhe kështu persekutohet edhe njëherë historia jonë. Mbase kështu ndodh me ata që kremtojmë datëlindjen e Enver Hoxhës dhe lanë në harresë Gjergj Kastriotin, në jubileun e së cilit gjendemi, Pjetër Bogdanin e Gjergj Fishtën. Mbase edhe sosh që Nënës Tereze nuk hezitojnë t'i thonë “magjupe”. Po, po kjo është gjendja jonë e mjerimit, që çdo ditë e më shumë kërkon të ngre kokë, si gjarpër dinak e helmues, që bluan shpirtin shqiptar. Dhe ky mjerim merr përmasën edhe më tragjike, kur segmentet e caktuara shqiptare nuk heshtin së kërkuari që të amnistohet pushtimi turk-anadollak, sepse na paska pas “shpëtuar”. Se çfarë ironie. Po, po nga mjerimi ynë ata quhen “miqtë” tanë që na kanë shkatërruar, na kanë ndarë e përçarë, na kanë vrarë e na kanë përçudnuar gjithë jetën tonë, plagët e së cilit pushtim i vujamë edhe sot e gjithë ditën. Dhe kështu një ditë, do të kërkohet të amnistohet edhe pushtimi Serbo-sllavë, sepse na paska bërë aq shumë krime mbi qenien shqiptare. Po, po ne pranojmë vetëm anën e përmbysur të historisë sonë, sepse ky është produkti i shumë shkrolësave të historisë sonë, i shumë diletantëve qëllimkëqij, që janë aq shumë të prirur për përdhunim të vlerave të mirëfillta. Kjo është ironia jonë më e pazakontë Dhe sot e gjithë ditën, nuk është shtruar drejtë pse gjithë kjo krizë e cila na përcjell vazhdimisht? Pse tranzicioni ynë është më i stërngarkuar me barriera, që të shumtën e herëve vështirë tejkalohen? Në fund të fundit pse edhe sot e gjithë ditën mbetemi të pa unifikuar? Një ngjarje e pazakonshme u bë temë debati publik. Festimi i datëlindjes së Enver Hoxhës, nga një grup njerëzish në Ferizaj, qytet në Kosovë, ishte precedenti më kompleks në këto pesëmbëdhjetë vitet e përpëlitjeve shqiptare për demokraci, pas dekompozim të ish sistemit diktatorial. Në periudhën kur po rigjenerohen të këqiajt që solli ajo diktaturë. Rikthimi i figurës më të urryer të historisë shqiptare, që la Shqipërinë në prapambeturi ekstreme, që vrau e shkatërroj elementet më të pastërta nacionale, që izoloj Shqipërinë dhe që shkatërroj shpirtin shqiptar, që figurat më të mëdha, siç është Atë Gjergj Fishta, ja nxori edhe eshtrat nga varri për të hedhur në lumë, t'i kremtohet datëlindja, është një çështje me domethënie, më shumë se tragjike, tragjiciteti i së cilës shtron nevojën imediate për nisma të përbashkëta kombëtare në analizimin e drejtë dhe objektivë, të gjithë historisë sonë. Për të ndërtuar kështu një histori unike. Është kjo detyrë emergjente e qendrave politike dhe kulturore edhe në Tiranë edhe në Prishtinë. Në fakt më shumë se ngjarja në vete, kërkon një trajtim të gjithanshëm fenomeni që është më se tragjik për të tashmen nacionale. Jemi në vlugun e proceseve, dhe dalja në skenë e kësaj ngjarje, me kërkesën e nënshkruar nga njëmijë qytetar, tregon se sa telashe të brendshme ka kombi ynë, probleme që ngërthejnë në vete perceptime të komplikuara për vetëpërcaktimet e së ardhmes. Më shumë se një tragjikë e injorancës sonë publike, kjo ngjarje është një sinjal se vetëdija shqiptare, edhe për kundër pësimeve që ka përjetuar, ende nuk ka arritur katharsisin aq shumë të domosdoshëm. Kur kremtohej datëlindja e diktatorit, teksa bisedonim me disa miq, bisedua në cyti në viktimat e shumta që përdhunoj regjimi lindoro-komunist. Dhe në luteshim që ata mos të na mallkojnë. Jo, jo, ata s'na mallkojnë, sepse e deshtën Shqipërinë më shumë se çdo gjë mbi dhe. Ata presin pendimin tonë!
|