DIELLI NUK MUND TË MBULOHET ME SHOSHË!
Shkruan:Sejdi Veseli
Këtyre ditëve të këtij qershori nëpër të gjitha komunat e Kosovës, përjashtuar enklavat serbijane dhe Kuvendin e saj, në vend se të bëheshin përgatitjet e duhura për shënimin e shtatëvjetorit të një epoke të pakontestueshme të lavdisë kombëtare, në realitet po bëhen veprime përgatitore për shënimin e përvjetorit të shtatë i invadimit të Kosovës nga forcat shumëkombëshe dhe i instalimit të një aparteidi sui generis, nga administrata proserbe e UNMIK-ut.
Lufta heroike e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri të pakontestueshme këtë Epokë të lavdisë dhe krenarisë tonë kombëtare!
Nuk mund të kontestohet edhe nga kalemxhinjtë shpirtshitur, të dreqi dhe i biri, se ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me luftën heroike që bëri, i detyroi formacionet operative ushtarake, paraushtarake dhe policore të pushtuesit serbo-çetnik , që të largohen me bisht ndër këmbë nga Kosova!
Edhe me këtë rast duhet cekur, se në dy muajt e fundit, kjo luftë e drejt dhe çlirimtare, u mbështet aktivisht edhe nga aviacioni i forcës më të madhe ushtarake të kohës-NATO-s.
Edhe në këtë përvjetor të shatë që nga përfundimi i kësaj lufte heroike, po bëhen veprimet përgatitore për mbajtjen e tubimeve të shumta përkujtimore, në emër të kësaj Epopeje të lavdisë kombëtare shqiptare. Siç e do e drejta, do të duhej të mbaheshin shumë fjalime dhe evokime kujtimesh, nga ish pjesëtarë të ditëve të dhembjes dhe të krenarisë sonë kombëtare. Por, për fat të keq, siç edhe mund të shihet, nuk do të ftohen shumica e atyre të cilët, jo vetëm se kanë çka të thonë, por edhe që e meritojnë ngase kanë qenë pjesëmarrës aktiv të kësaj Epopeje, ngase nuk janë të përshtatshëm nga organizatorët e këtyre tubimeve.
Siç është e ditur, në këto tubime jo pak profiter do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’u promovuar si bashkëluftëtarë të Atyre, të cilët i shtuan lavdinë dhe krenarinë këtij kombi, duke i kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur nga pushtuesi fashizoid serbo-çetnik, me gjakun dhe grykën e armëve të tyre çlirimtare.
Çka është edhe më keq, shumë nga folësit në këto tubim, do të tentojmë të promovojnë veten tyre edhe si drejtues të dëshmorëve të kombit, ndërsa realiteti është diçka krejt tjetër. Ky soj i profiterve të luftës, as që i kanë njohur fare asnjërin nga dëshmorët, por kanë dëgjuar nga të tjerët, për ta dhe për veprat e tyre heroike.
Mjerisht në mesin e këtyre folësve gjendet edhe ndonjëri prej atyre i cili ka kaluar nëpër flakët e luftës çlirimtare, nën uniformën e Famëmadhes UÇK, por që në bazë të sjelljeve të tyre të pasluftës u vetë shndërruan në individ të papërfillshëm, jo vetëm nga luftëtarët e vërtetë të lirisë, por edhe sidomos nga vetë populli i regjioneve të vendlindjes së tyre. Thjesht, ky soj i zhurmaxhinjëve tashmë janë letra të vetëdjeguara. Por, për fat të mirë, numri i këtyre faqëzave është i papërfillshëm.
Çka është edhe më keq, nëpër këto tubime do të shkumojnë para mikrofonave edhe ata të cilët qysh prej fillimit të veprimeve të para çlirimtare, shpifën pa dallim dhe në vazhdimësi vazhdojnë të shpifin kundër luftëtarëve të lirisë, edhe kundër atyre të cilët ranë në altarin e lirisë, se gjoja ata na qenkan “dorë e zgjatur e UDB-së”, se gjoja “këta janë të shitur të dreqi dhe i biri”, se gjoja “këta po na e prishin rehatinë”, se gjoja “këtyre kemi me ua pa sherrin”... ... ..
Nëpër manifestimet e organizuara për shënimin e këtij përvjetori, do të kakarisin edhe të atillët, të cilët jo vetëm se ishin deklaruar publikisht: “se diferencohen dhe distancohen nga prishësit e bashkëjetesës dhe vëllazërim bashkimit”, por që edhe kishin marrë pjesë në fushatat kërcënuese, për ta detyruar popullin që Ai të distancohet nga bijat dhe bijtë e tij më besnik.
Me fjalimet e tyre të përgatitura me mjeshtri, nëpër manifestimet për shënimin edhe të këtij përvjetori, do të përpiqen të promovohen si “patriotë të mëdhenj” edhe larot proserbe, të cilët jo fort moti, nëpër odat e tyre u kanë shtruar sofrat me plotë të mira ekspeditave të policisë kriminale serboçetnike, i kanë ushqyer me informata të gjithanshme dhe të mjaftueshme, dhe u kanë pri për t’i kapur në befasi djemtë e zgjedhur dhe vashat më besnike të popullit.
Nëpër manifestimet për shënimin edhe të këtij përvjetori, do të kakarisin si gjelat qafërrjepur edhe të atillët, të cilët në të kaluarën e afërt, jo vetëm se i kishin bojkotuar (“leqitë”) familjet e atyre të cilët ua rrezikonin “Bashkësinë e kombeve dhe kombësive të vëllazëruara dhe të barabarta të Jugosllavisë” së tyre të dashur, por edhe i patën ndërruar mbiemrat familjar për t’u dëshmuar, se e meritojnë taxhinë që u hidhej në strajca nga xhelatët e popullit.
Në mesin e folësve edhe në këtë përvjetor, do të përpiqen të promovohen edhe ata, të cilët që në fillim të luftës, jo vetëm se e refuzuan uniformën e Lavdisë Kombëtare, atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të dreqit dhe të birit, nuk kursyen mund as mjete për ta penguar fillimin, zhvillimin dhe përfundimin me sukses të luftës së armatosur çlirimtare.
Këta zotërinj, si në përvjetorët e rënieve heroike të Dëshmorëve, ashtu edhe në këtë përvjetor, do të dalin para popullit, sikur manekinet në sfilatat e modës, të veshur dhe të pispillosur sipas trendëve më të reja mondane, për të llomotitur, se gjoja na qenkan të “vendosur” dhe në “angazhim” e sipër, për ta “quar në vend amanetin e Dëshmorëve të Kombit”.
Për këtë soj të shqipfolësve, deri në momentin kur me siguri do të nxirren para organeve të drejtësisë, për t’u përgjigjur për dëmet jo të vogla që i shkaktuan popullit, me gjuhën e të cilit shërbehen, as që e meriton të flitet.
Shumica e organizatorëve të shënimit të këtij përvjetori, mund të thonë çfarë të duanë.
Në shumicën e manifestimeve “kushtuar” këtij përvjetori, nuk i kanë ftuar më të merituarit.
Me këtë gjest shumë primitiv dhe me siguri të frymëzuar partiakisht, po e rishpalosin fytyrën e tyre të vërtetë.
Është momenti fundit që këta zotërinj ta kuptojnë njëherë e mirë, çka është në të mirën e tyre, se:
-pa pjesëmarrjen në manifestimet, sidomos të kësaj natyre edhe e atyre, të cilët me armë në dorë e lanë me gjakun e tyre të njomë, çdo cep të Atëmëmëdheut, për ta çliruar Atë nga thundra e pushtuesve fashizoid;
-pa pjesëmarrjen e bashkëshortëve dhe fëmijëve të dëshmorëve, shkurt pa pjesëmarrjen e Etërve dhe Nënëlokeve të UÇK-së, organizatorët e manifestimeve të tilla mund t’i konsiderojnë si t’u teket, por kurrsesi për nderë të shënimit të epopeve kombëtare!
Kjo formë e organizimit të shënimit të një përvjetori kaq të rëndësishëm, mund ta quajnë si t’ua do shpirtngushtësia e tyre, por kurrsesi të ngadhënjimit fitimtar të luftës të armatosur çlirimtare. Zaten, shumica e manifestimeve edhe e këtij qershori nuk mund të quhen ndryshe, pos edhe një maskaradë lajkatare e servilëve shqipfolës ndaj atyre qarqeve ndërkombëtare, të cilat me veprimet e tyre administrative-politike-diplomatike dhe ushtarako-policore, po përpiqen në vazhdimësi për ta larguar popullin tonë, nga liria e fituar nga bijat dhe bijtë e tij besnik, me shumë gjak dhe sakrifica.
Shumica e organizatorëve të manifestimeve të këtij qershori (në vigjilje të dt.12 dhe menjëherë pas saj), s’janë tjetërkush, pos të mandatuarit nga verdikti i votës së popullit. Siç edhe dihet, këtë besim të elektoratit shqiptar e fituan duke e mashtruar atë, se do t’i prijnë me vetëmohim dhe paanësi, drejt ditëve më të mira. Por ndodhi diçka tjetër, një numër jo i vogël i të mandatarëve të popullit, në vend se të përpiqeshin për t’i përmbushur premtimet që i kishin dhënë elektoratit, ata që prej fillimit të mandatit e shfrytëzojnë kontratën me zgjedhësit, në shërbim të përçarjes brendashqiptare, të pasurimit të shpejtë (me siguri jo të ndershëm), si të vetes, ashtu edhe të klaneve dhe akraballëkut të tyre.
Injorimi i qëllimshëm nga të mandatuarit e votës së lirë të popullit i atyre të cilët i ofruan çfarë patën të shtrenjtës Liri të Atëmëmëdheut, edhe gjatë shënimit të këtij përvjetori të shtatë të ngadhënjimit fitimtar të UÇK-së, kundër pushtuesit fashizoid, kam bindjen, se këto veprime të pahijshme i bënë, sipas direktivave nga partitë e tyre mëmë. Kjo është për çdo keqardhje. Por, mos të mashtrohen këta zotërinj, se me këto gjeste primitive, thjeshtë antikombëtare do t’i përdhosin veteranët dhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet e viktimave të luftës dhe ish të burgosurit politik.
Jo!
Ata, me këtë gjest e kanë ritreguar vetëm primitivizmin dhe shkallën e “patriotizmit” të tyre!
Mos të mashtrohen, se më në fund populli ka filluar ta kuptojë një të vërtetë të madhe, se falë punës së “suksesshme” të shumicës prej folësve nëpër përvjetorë (kryesisht njëpartiake), qofshin ata të mandatuar apo të pamandatuar, sot:
-shumica e çlirimtarëve, jo vetëm nuk kanë kulm mbi kokë, por janë të papunë dhe pa asnjë mbrojtje sociale;
-pensionistet pa pensione;
-fëmijët e moshave të ndryshme, jo vetëm të luftëtarëve të lirisë, invalidëve të luftës dhe të punës, të dëshmorëve dhe të viktimave civile të luftës, të ish të burgosurve politik dhe të pensionistëve, si të atyre të plaçkitur nga pushtuesit, ashtu dhe të atyre të nxjerrur në pension pas luftës, me rroba të shqyera bredhin rrugëve. Ata bredhin edhe nëpër shi dhe acar, prej kafiterie në kafteri dhe para firmave të “shokëve”të baballarëve të tyre, ashtu të zbehët, në vend se të shkonin në shkollë, të detyruar nga kënga e mjerimit të zorrëve të tyre të njoma dhe të zbrazëta, me refrenin tronditës:”doni cigare, mbushje telefoni...”, “doni të bleni një çamçakëz...”, “ju lutem më ndihmoni”... ... ..
-edhe gratë e dëshmorëve dhe të viktimave civile të luftës, edhe Baballarët dhe Nënëloket e UÇK-së, shëtisin me qeska në duart e vyshkura nga pesha e moteve plotë dhembje, prej një kontejneri deri te kontejneri tjetër i mbeturinave, në kërkim të një kothere buke për të shuar urinë e jetimëve që rrisin.
Mos të mashtrohen këta zotërinj, se nuk e ka thënë populli rastësisht: “Më së ëmbli qeshët ai i cili qeshet i fundit!”
Me siguri, përfituesit aktual në kurriz të popullit, nuk do të jenë ata të cilët do të qeshën të fundit!
Me 12 qershor 2006, Prishtinë
2.
THUNDRA E ROBOTËVE SHQIPFOLËS UNMIKISTANEZ SHKEL MBI KOKAT E TË RINJVE SHQIPTAR!
Shkruan: Sejdi Veseli
Para selisë qendrore të UNMIK-ut në Prishtinë, me 08 qershor 2006, në ora 12:00 filloi një demonstratë gjithë popullore.
Kjo demonstratë ishte organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në bashkëpunim me Lëvizjen Popullore të Kosovës, Organizatën për Bashkimin Kombëtar, Thirrjet e Nënave-Gjakovë, 16 marsi 1999-Krushë e Vogël, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së-Dukagjin dhe Ferizaj, Shoqata e ish të burgosurve politik-Ferizaj,Unioni i Studentëve Shqiptar, Sindikata e Pavarur e Agrokompleksit, Sindikata e Pavarur e Energjetikës së Kosovës, Alternativistat(Të rinjtë e ADK-së) dhe Iniciativa Qytetare e Llapit.
Kërkesa bazë e kësaj demonstrate ishte:Largimi i UNMIKISTANIT nga KOSOVA. Këtë kërkesë, Organizatorët e kësaj demonstrate paqësore e argumentonin me fakte të qëndrueshme: “...Për t’i ndalur të këqijat që vendit tonë po i imponohen – decentralizimin, negociatat me Serbinë për shtëpinë tonë, pengimin e krijimit të zonave të veçanta të cilat po uzurpojnë kulturën dhe historinë tonë, parandalimin e procesit të rikolonizimit të Kosovës, ndërprerjen e plaçkitjes së Kosovës dhe hapjen e mundësisë për zhvillimin e saj, nevojitet një gjë:bllokimi i pushtetit të UNMIK-ut dhe sikurse institucioneve tona, derisa të na pranohet e drejta për vetëvendosje, shprehje e lirshme e vullnetit të popullit. Liria dhe barazia....Mos lejo që interesi yt të mohohet, që vullneti yt të shkelet, që parat tua të vidhen nga matrapazë të korruptuar. Mos prano që tjetërkush të vendos për fatin tënd. Luftoje padrejtësinë. Bashkohu në demonstratë. Dhe mos u ndal. Deri në vetëvendosje.”
Disa nga parullat që u shpalosen në këtë demonstratë gjithë popullore ishin:
Decentralizim => Ndarje - Ndarja => Luftë!; Zonat e veçanta rreth objekteve fetare – Uzurpim i kulturës dhe historisë sonë!; Standardi 4 dhe “kthimi i qëndrueshëm” janë rikolonizim i Kosovës!; Liria është statusi! ;Poshtë Rezoluta famëkeqe 1244!; 12:44 YOU’RE TIME’S UP!; 12:44 Serizisht dëmton shëndetin tuaj!; Vetëvendosje!; Jo negociata, vetëvendosje!; Nuk duam një UNMIK tjetër – duam vetëvendosje!; Say no to every UNMIK – say no to EUMIK!; YUNMIK !
UNMIKOLONIALISM-UNMIKOLONILIZËM!
Liria është e panegociushme!; Punëtorë të të gjitha sindikatave, bashkohuni kundër Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit (AKM)!; Ju e ndatë Mitrovicën, në bashkëpunim me Koshtunicën!; Poshtë klasa e korruptuar politike dhe institucionet kundërpopullore!; Poshtë Grupi Negociator!
Duamë punë!
Rroga jote mujore sa 200 pensione të mia!
Që 4 herë që dal në zgjedhje, sot jam edhe më i varfër! ....
Thirrjes për demonstratë iu përgjigjen të gjitha shtresat, përjashtuar “funksionarët” e partive politike dhe të mandatuarit me votën e popullit, të cilët ishin ngujuar në zyrat e tyre luksoze, ashtu siç strehohen miúshet e lagura nëpër shtrofullat e tyre të mjera.
Kolona e demonstruesve u nisë nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje drejt selisë qendrore të UNMIKISTANIT, me Simbolin e rezistencës shqiptare Bacë Adem Demaçi në mesin e tyre. Si gjatë marshimit ashtu dhe pasi u përqendruan para hyrje daljet e selisë qendrore të UNMIKISTANIT, demonstruesit ishin shumë dinjitoz dhe të sjellshëm, ashtu dhe veprimet e tyre ishin paqësore.
Deri në orët e hershme të 09 qershorit, përveç disa fotografimeve nga ana e intelegjencis unmikistaneze dhe të dresuarëve të tyre vendor, tjetër veprim nga organet represive ndaj demonstruesve nuk pati.
Aty rreth orës 03.30 , kur prezenca e qytetarëve ishte zvogëluar, vendqëndrimet e demonstruesve u bënë cak i mësymjes të rrufeshme për robotët unmikistanez, të ashtuquajtur Njësia e speciale e Shërbimit Policor të “Kosovës”, të sjellur nga Mitrovica. Përkundër faktit, që nuk u përdorën gazrat helmuese dhe armët, specialcat shpkist dhe mu..etnik, ashtu, sikur para dy javësh instruktorët e tyre unmikistanez kundra nënave sypërlotura, të vejave dhe jetimeve shqiptare të fshatit Krushë e Vogël, në formë të shfrenuar e përdorën dhunën fizike, për çka do t’ua kishin lakmi edhe specialcat e Millosheviqit. Të rinjtë, shumica të moshës jomadhore përplaseshin me fytyrë për asfalti, ju dredhoheshin duart deri në pëlcitjen e kockave, shqelmoheshin, u vihej thundra e policit derisa u viheshin prangat plastike...
Edhe pas këtij rrebeshi që pësuan, demonstruesit vazhduan të qëndrojnë para selisë së “demokratit” Petersen, deri kur u sulmuan serish nga robotët unmikistanez rreth orë 11.00, me që rast u arrestuan edhe shumica e drejtuesve të demonstratës.
Sipas komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosje, ky intervenim i policisë u bë “me
vendim të posaçëm” të krye”demokratit” Soren Jessen Petersen, i cili ka të drejtën despotike që t’u përcaktoj paraburgimin të arrestuarve, në kohëzgjatje prej 72 orësh.
Me siguri ky vendim i posaçëm është marr edhe me pëlqimin e kuislingëve vendor, që identifikohen si drejtues të ashtuquajturave IPVQ, e që në realitet nuk kanë kompetenca, guxim dhe as gatishmëri për ta “pritur macen unmikistaneze as prej përsheshit”!
Për këtë ka mjaft argumente. Por, konsideroj se është e mjaftueshme që me këtë rast të citoj këtë deklarim të krye”demokratit” unmikistanez z.Petersen, të 09 qershorit 2006, gjatë “konsultës”së tij me partitë politike, në lidhje me shtyrjen apo mos shtyrjen e zgjedhjeve vendore: ““Çdokush duhet ta ketë rastin që t’i shpalosë mendimet e veta, por në bazë Rezolutës 1244, serish unë vendos për këtë...”
Po sipas kësaj komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, mësohet se ky veprim i Krye”demokratit” unmikistanez është ndërmarrë, me qëllim të përmbushjes së kërkesës të mësuesve ideor të administratës së tij, kreut shovinist të Beogradit, për arrestimin e drejtuesit të kësaj lëvizje, veprimtarit të shquar Albin Kurtit.
Ky veprim i egër ndaj demonstruesve paqësor, rinxjerrë në pah një të vërtetë të pakontestueshme, se të gjitha planet dhe veprimet e Unmikistanit, nuk janë tjetër pos një brumë i gatuar, sipas recetave të Beogradit zyrtar.
Është koha e fundit që populli shqiptar të kuptojë, se përballë kërkesave të tij të drejta, qëndron një Protektor shumë finok, i vendosur të vazhdoj me avazet e pararendësve të tij, i porositur dhe i vendosur për t’i realizuar të gjitha alashverishet e tyre dhe të tij me Beogradin. Pra, pa u mërzitur shumë, se ato janë në kundërshti të plotë me interesat e drejta të popullit shumicë në Kosovë. Se qëllimet thelbësore të sjelljeve të tij, janë krijimi i rrethanave të cilat do të shfrytëzoheshin nga hegjemonistet serbijan, duke përfituar maksimalen e të mudshmës.
Andaj, nuk është për t’u çuditur se sjelljet e administratës të drejtuar nga dora e fortë edhe e këtij Protektori, në koordinim të plotë me disa segmente të KFOR-it, plotë kërcënime dhe dhunë edhe ndaj protestuesve joviolent dhe gazetarëve shqiptar, ngjasojnë për shumëçka, jo vetëm me sjelljet e një pushteti kolonialist të tipit klasik, por çka është edhe më keq, me sjelljet dhe veprimet e ish-pushtuesit serbijan.
Sjelljet e papërgjegjshme të shumicës së atyre të cilët thirren në verdiktin e votës së lirë të popullit dhe të disa drejtuesve partiak, edhe në raport me veprimet represive të shërbëtorëve të diktaturës kolonialiste unmikistaneze, si në Krushën e Vogël ashtu edhe ndaj demonstruesve paqësor, do të duhej të ndikonin, që populli ta kuptoj drejt dhe mirë, se nga kjo kastë shoqërore nuk mund të pret asgjë të mirë. Aq më tepër, ajo ka dhënë dëshmi të bollshme, si në të kaluarën ashtu edhe kësaj radhe, se nuk janë të interesuar për një të ardhme më të mirë të popullit, në emër të të cilit flasin, por për interesat e tyre personale dhe të kamarilles së tyre.
Tani më, populli ka mjaft argumente të qëndrueshme për t’u bindur, se “përfaqësuesit” e tij me shpirt servili, do të vazhdojnë të shkojnë edhe pas petersenave, ahtisarave, rukerave... ... ... si “Muqa pas dajive”, pa u mërzitur fare, se po shkelin me pafytyrësi mbi gjakun dhe sakrificat sublime të luftëtarëve të UÇK-së dhe të popullit në përgjithësi, për të fituar të drejtën e natyrshme për të vetëvendosur për të ardhmen e tij, ashtu si dhe popujt tjerë për një jetë të lirë dhe dinjitoze në Atëmemëdheun e tij, të çliruar nga thundra e hasmit barbar serboçetnik dhe të ribashkuar në një shtete të vetëm etnik.
Demonstratat e 08-09 qershorit 2006, për ata që kanë sy e vesh, dëshmojnë një të vërtet të madhe, se populli shqiptar ka bijë dhe bija besnike të tij, të cilët po përbashkohen përreth Flamurit kombëtar, të vendosur që të japin hisen e tyre të plotë të kontributit deri në përmbushjen e plotë të aspiratave të tij shekullore, për të jetuar i lirë dhe me dinjitet në Atëmëmdheun e tij!
Demonstrata e 08-09 qershorit 2006 është një porosi e qartë, se do të ballafaqohen ma pasoja të paparashikueshme, të gjithë ata të cilët përpiqen (së koti), për ta penguar popullin shqiptar në rrugën e tij të drejtë dhe të natyrshme, për jetësimin e të drejtës së tij për të vetëvendosur për të ardhmen e tij.
Kjo demonstratë është edhe një paralajmërim, se shqiptarët do ta dënojnë pamëshirshëm pabesinë, e cila nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e karakterit të tyre!
Situata nëpër të cilën po kalojmë na e imponon, që t’i ngjeshim radhët me besa-besë në kuadër të atij subjekti i cili është përcaktuar e deklaruar publikisht dhe që po dëshmohet me vepra konkrete, se është i vendosur që ta qojë deri në fund Amanetin e Dëshmorëve të Kombit!
Tjetër rrugë nuk kemi!
Prishtinë, me 11 qershor 2006