
BISEDIMET E VJENËS – RREZIKOJNË TË ARDHMEN E KOSOVËS
Shkruan: Sejdi Veseli
Këto far t’i quajmë bisedime, të cilat kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, u përgatiten, u përzgjodh vendi i zhvillimit të tyre dhe thirren, sipas skenarëve të përpiluara nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar, pa u konsultuar fare pala kosovare. Për të gjitha zhvillimet gjatë fazës përgatitore të këtyre far bisedimeve, ndërmjetësuesit e “pa anshëm” ndërkombëtar e njoftuan palën shqiptare, vetëm atëherë pasi i kishin harmonizuar qëndrimet e tyre në përputhje me kërkesat e Beogradit zyrtar. Këto sjellje të ndërmjetësuesve të matufosur ndërkombëtar nuk mund të konsiderohen ndryshe, pos injorim deri në shkallën e nënçmimit ndaj palës shqiptare, edhe pse dihet se ajo realisht e ka të drejtën për të negociuar dhe vendosur, vetëm në lidhje me përgatitjen e referendumit për vetëvendosje të popullit të kësaj krahine shqiptare, të ndarë dhunshëm nga tërësia e natyrshme e Shqipërisë Etnike,te aneksuar nga Serbia hegjemoniste dhe të
çliruar nga lufta heroike dhe sakrificat sublime të bijve dhe bijave të tij nën Flamurin e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur edhe nga Fuqia më e madhe e kohës NATO-ja. Zhvillimet rreth këtyre far bisedimeve po dëshmojnë, se kundërshtimi i
vendosur ndaj këtyre far bisedimesh nga përfaqësuesit e dëshmuar të popullit shqiptarë, siç është Simboli i rezistencës Bacë Adem Demaçi dhe i disa subjekteve politike, siç është Lëvizja Vetëvendosje ishte i drejtë. Për të dëshmuar se kanë të drejta ata që kundërshtojnë këto far bisedimesh, ka argumente me bollëk. Por, megjithatë e vlen të theksohet, se përfundimi i këtyre far bisedimeve (gjoja teknike), për palën shqiptare do të jetë edhe një kapitullim. Parashtrohet pyetja, pse? Përgjigja e vetme dhe përmbledhëse do të ishte: sepse, delegacionit të shqiptarëve i është rezervuar pozita e pabarabartë, në raport me atë të palës serbijane. Por, pa marrë parasysh se kjo pabarazi shprehet në shumë drejtime, palës shqiptare, me siguri të magjepsur nga kamerat televizive dhe për hir të përgjegjshmërisë (lexo: servilizmit,mëditjet e larta...) ndaj faktorëve ndërkombëtar, kjo pozitë e pabarabartë (edhe pse shihet se është e inskenuar) nuk u bënë përshtypje.
Për ndryshim nga pala serbijane, palës shqiptare i mungojnë kompetencat e domosdoshme vendimmarrëse dhe ekzekutive, për implementimin e obligimeve që do të dilnin nga ndonjë marrëveshje eventuale, qoftë ajo e imponuar nga ndërmjetësuesit e “pa anshëm” ndërkombëtar, si pasojë e pozitës së padefinuar statusore të vendit që e përfaqësojnë. Çka është edhe më keq, këto bisedime, jo vetëm se drejtohen dhe mbikëqyren nga faktori ndërkombëtar, ato zhvillohen ndërmjet dy palëve të cilat deri
para pak kohësh ishin në luftë. Njëra palë (serbijane) ushtronte gjenocidin, ndërsa pala tjetër (shqiptare) mbrohej nga ky gjenocid, andaj edhe secila ulet para flamurit kombëtar të popullit(vendit) që e përfaqëson. Pala serbijane e dinë para cilit flamur do të ulet, ndërsa pala “shqiptare” e dresuar për t’u ulur para flamujve të huaj, nuk e ka të qartë, se prapa cilit flamur do të ulet, përballë palës serbe. Siç u pa, në këto bisedime pala “shqiptare” e nënçmoi vetën deri në atë shkallë, sa që ministrat e të ashtuquajturave IPVQ të Kosovës pranojnë të ulen si të barabartë për nga rangu edhe me këshilltarët e Tadiqit dhe Koshtunicës! Thënë me dashamirësi, sa nuk është bërë tepër vonë, të gjithë ata të cilët krekosen se janë të mandatuar me votën e lirë të shqiptarëve, do të duhej ta
kuptojnë përfundimisht, se po vazhduan të marrin pjesë në këto far bisedimesh, pasojat për interesat legjitime të popullit të Kosovës, pashmangshëm do të jenë vështirë të riparueshme dhe me siguri nuk do të mund t’i ikni përgjegjësisë! Është momenti i fundit, që të mandatuarit e popullit t’i lënë anash interesat e tyre meskine dhe të vihen në shërbim të interesave legjitime të popullit që ua fali besimin me votën e tij, duke marr vendime të guximshme, ashtu siç veproi më në fund, para pak ditësh Ministri i Jashtëm shqiptar, Z. Besnik Mustafaj: -së pari për refuzimin e parevokueshëm për pjesëmarrje në bisedime të drejtpërdrejta me Serbinë, për të ardhmen e Kosovës. Nuk ka arsyetim më të qëndrueshëm për një vendim të tillë, se vullneti i më se dy milionë shqiptarëve. Vullnet ky i legjitimuar nga lufta e armatosur çlirimtare, të cilën u detyruan ta bëjnë, jo pse kishin pretendime territoriale ndaj trojeve etnike të popujve me të cilët kufizohen, por për t’u çliruar nga terrori i organizuar shtetëror i përmasave të gjenocidit i cili ushtrohej mbi ta nga pushtuesi serbo-çetnik. Kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, e cila nuk mund të kontestohet as nga Bashkësia Ndërkombëtare, sepse ky terror i shtetit serbijanë u ushtrua ndaj shqiptarëve, para syve të saj; -së dyti për pezullimin e bisedimeve teknike me palën serbijane, derisa të organizohej dhe kryhej referendumi gjithë popullor i Kosovës për
vetëvendosje. Natyrisht nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Është e ditur se këto bisedime do të parashtrohen si domosdoshmëri, pasi që nga Bashkësia Ndërkombëtare të pranoheshin rezultatet e referendumit gjithë popullor. Është momenti fundit që, si Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu dhe servilet e saj vendor, t’ia vejnë gishtin kokës dhe të rishikojnë sjelljet e tyre në raport me shqiptarët , para se t’i kalojnë kufijtë e durimit të tyre, sepse po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme,
por edhe vështirë të riparueshme! Pra, do të ishte në shërbim të interesit të përgjithshëm, jo vetëm të Ballkanit, që Bashkësia Ndërkombëtare t’u thotë stop veprimeve të disa
qarqeve të saj, si dhe instruktorëve të tyre, që të bëjnë kujdes, mos ta sjellin punën për t’u bindur përfundimisht: -se nuk ka forcë e cila do të jetë e aftë për ta shtypur rezistencën e
popullit shqiptar, në mbrojtje të interesave të tij legjitime, njerëzore dhe kombëtare;
-se kanë përendur në pa kthim ato kohëra kur bëheshin pazarllëqe me të drejtat kombëtare dhe trojet etnike të shqiptarëve, sikur ato të ishin plaçka të thjeshta të tregut; -se rezistenca e shqiptarëve nuk do ndalet, për derisa nuk krijohen kushtet optimale për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të pa tjetërsueshme dhe të ligjshe, për t’u vetë përcaktuar dhe për të vetëvendosur për të ardhmen e tyre dhe atë, vetëm në bazë të vullnetit të tyre të lirë!
Prishtinë, me 20 mars 2006
|