Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Refleksion-Keqkuptimi për Besëlidhjen e malësorëve...

TEMAT

 Jo vetëm shënime udhëtimi

Toka e Katedraleve

 Stresi në punë

 Karta e Bolonjës

 Luftë gazetës "Mirdita"

 Një jetë për JETËN...

 Beselidhja

 Politikanët shqiptarë

 Në zemër të Mirditës

 Statusi i Kosovës

 "Zogu i Zi" dhe Korbi i Zi  

 Historia dhe Kodi Penal 

Inxhinjer Zabjelini

Auditimi i vetëm 

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Keqkuptimi për Beslidhjen e malësorëve…

-opinion nga Gj. Marku

Kohët e fundit analistë të ndryshëm nëpër gazeta, kanë anatemuar deri në skajshmëri një tubim të zhvilluar para pak kohësh në një lëndinë të Malësisë së Shkodrës, pikërisht në Kushe të Hotit, atje ku u nënshkrua një Memorandum apo Besëlidhje, me një lloj preambule dhe “ligje” të kodifikiuara në 15 pika. Analistët menjëherë “mprehën” penat, sapo panë një kronikë në televizion, madje shumë prej tyre pa i shkelur ndonjëherë ato zona dhe pa e “prekur” me dorë plagën e tmerrshme të gjakmarrjes. Kur e pashë si kronikë televizive, mendja më vajti tek ndonjëfarë kuvendi, që mund të jetë dirigjuar nga ndonjë “mekanizëm”, që fabrikon emra OJQ-sh, e ku patetika e harmonizuar me llogje, zë thelbin e problemit dhe për këtë nuk se isha kundër asaj gjuajtje me “artileri të rëndë” të ndonjë analisti ndaj këtij organizmi, thuajse kanunor, duke rimodeluar disa akte të tij. Por e vërteta qe krejt ndryshe. I lexova disa herë të 15 pikat, por, me përjashtim të disa konstatimeve, të cilat i përcjell mjaft saktë prof.dr i nderuar Ismet Elezi në një gazetë të përditshme, nuk po gjeja gjëkund pikëtakimi me ndonjë akt donkishotesk të atyre pesë mijë malësorëve, siç i përshkruante një miku im analist dikund në një të përditshme, që ishin mbledhur për t'i vënë fre gjakmarrjes, këtë plagë të tmerrshme, që e ka futur Malësinë e Madhe në gati “gjak për shpi…”. Madje analisti i njohur për “luftën dhëmb për dhëmb me Kanunin e Maleve”, duket se është hera e dytë, që del ashpërsisht kundër kësaj dukurie “atavike” që sjellin në mjedisin shqiptar “kuvende të tilla” të marroqëve malësorë, pikërisht në kohët tona moderne, kur ligji, duhet të jetë Bibla e së Drejtës. Herën e parë, ka qenë një përcjellje e një gazetari të një kuvendi në Orosh të Mirditës, kur pleqësia e një fisi e bëri hasha një të ri të gjindjes së atij fisi, i cili gjatë një vjedhje, që e kishte kthyer në hobi, vret dhe një kosovar, trupin e të cilit e mbulon në një gropë afër një rrëpire mali. Burrat e fisit Kadeli asokohe, u mblodhën dhe publikisht e bënë hasha të afërmin e tyre, duke u kërkuar organeve të drejtësisë dënimin me vdekje, ndërsa ua përcollën vendimin e pleqësisë edhe familjes nga Kosova. I riu në fjalë u dënua me burgim të përjetshëm, për faktin se për hatër të Europës nuk ekziston vendimi ekstrem, ndërsa është i përjashtuar dhe nga fisi në fjalë! Miku im analist, përmes një letre drejtuar një gazete të përdishme ku ishte botuar lajmi në fjalë, e quajti një arkaizëm të pashoq dhe risjellje në kohë të normave të një kanuni mesjetar! Në fakt çfarë ndodhi që prej asaj ndodhie?! Familja nga Kosova u ngushëllua nga ky akt, ashtu si dhe u plotësua në ngushëllimin e saj në masën që dha ligja për personin në fjalë. Por që prej asaj dite, vendi i quajtur Majë e Malthit, që ishte kthyer në rrugën e ferrit për kosovarët, që vinin nga vende të ndryshme të Europës, nuk u bënë më pre e grabitjeve, opinioni i atyre krahinave ishte ndikuar së tepërmi, qoftë nga ky veprim i malësorëve oroshas, por edhe nga vendimi ligjor! Tani të vijmë tek ngjarja e ndodhur në Hot të Malësisë së Madhe. Dikush nga shkruesit e opinioneve thotë se nuk duhet të kemi dyshim se të gjithë ata burra qëllimmirë janë nxitur në këtë aksion prej vuajtjes e dhimbjes humane, por më pas nxjerr shpatën për të shënuar “që ka pjellë ringjallja e Kanunit”!. Pra, tërë këtë dhimbje ia faturon, pikërisht, “pjellës famëkeqe-Kanun”! Pra, ky Kanuni, është e keqja e madhe.

Natyrisht, përfundime të tilla, dalin kur nuk ke hyrë në brendësi të Kanunit. Sepse, nëse do të ishte kështu, atëhere shqiptarët, malësorët, edhe të Jugut, edhe të Veriut, në kohët kur ka vepruar Kanuni dhe kur mungonte shteti i së drejtës, duhej të kishin “dalë fare” me kohë. E vërteta rezulton krejt ndryshe, Kanuni i Maleve Shqiptare, sipas studiuesve të njohur të kësaj fushe “përfaqëson një shkallë mjaft të ngritur të shoqërisë shqiptare në malet tona”, dhe si i tillë ai mbetet një kryevlerë e trashëgimisë sonë në Fushën e së Drejtës. Natyrisht, për të qenë të saktë, Kanuni i përket edhe historisë, edhe së sotmes. Mirëpo “gogoli Kanun” nuk është gjithçfarë ajo është shfaqur e vepruar në emër të tij, ku janë vrarë e masakruar dhjetra e qindra jetë njerëzish si në Veri ashtu dhe në Jug a në mes të Tiranës, ndaj jo më kot Kadareja, ka nxjerrë përfundimin më të qasur së vërtetës reale, duke thënë se ajo që po ndodh në Shqipëri, me gjakmarrjet e shumta, vrasjet, ku nuk kursehen as gra e as fëmijë, po realizohet deformimi i Kanunit, pra një karikaturë e keqe e tij. Dhe e vërteta kjo është. Në gjithë këto vite tranzicioni të tejzgjatur nuk është Kanuni i Vjetër që ngujon fëmijë e vret gra, dhe as që vë njerëz në grykë të kallashnikovit me nenet e tij. Gjithkush e di se nuk janë më ato mekanizma, që e mbanin në këmbë kanunin, si vetëqevrisja, pleqësitë, besa, kuvendi etj, pra rrojmë në kushtet e një shoqërie të hapur që kërkon të integrohet në Europë, problemi është se, pikërisht ato që duhej të vepronin sot, pra, instrumentet e shoqërisë së sotme, janë të ndryshkura, pa jetë. Studiuesi Aurel Plasari para disa vitesh shprehet në një gazetë shqiptare: “Kanuni duhet parë jo në shpërdorimet, por në përdorimet e tij korrekte. Kështu mund të përftohet një nocion tërësor i asaj çfarë ishin institucionet e tij si ide, si mënyrë të menduari…”. Për njerëzit, që nuk e njohin Kanunin, shpesh ai njëjtësohet me gjakmarrjen, madje mohuesit dhe denigruesit e Kanunit këtë dukuri e përdorin si argumentin kryesor për rrëzimin e tij. Në librin e dhjetë “Kanuni kundër mbrapshtivet”, kreu i 20-të trajton Hjeksninë, kreu i 21-të Vjedhninë dhe kreu i 22-të Vrasën. Kanuni nuk mund të mos merrej me të, përderisa ishte krimi më i rëndë. Në vetvete si dhe për dukuri të tjera, Kanuni ka vendosur norma, që parandalonin, kufizonin, ndëshkonin vrasjet. Në këtë kapitull delikat, fjalë pas fjale, Kanuni paralajmëron me lejtmotivin “mos me vra”. Nënteksti ishte i qartë: “se po vrave, do të vritesh”. Cili mund të ishte qëndrimi ndryshe asokohe? Vështirë të thuhet. Studiuesi Ndue Dedaj, në librin e tij “Kanuni dhe koha e sotme”, thotë se Kanunit i lipsej të vinte rregull, për të shmangur te keqen e mëtejshme. Në mungesë të shtetit, ligjit, gjykatës, ai ishte gjyqi i Dheut. Gjakmarrja, në arsyetimin më të thjeshtë, ishte veç e drejta e shpagimit, dënimit të vrasësit për një vrasje të kryer. “Gjak për gjak” ishte aksioma e njohur e patjetërsueshme e së drejtës së lashtë, ndryshe parimi i Tailonit. Natyra apo cilësia e shpaguesit, dhënësit të dënimit kapital është një tjetër gjë. Asgjësimi fizik i tjetrit lejohej në bazë të Kanunit vetëm në kushte të veçanta. Malësorët nuk kishin bërë ligje për të vrarë veten. Ata me pushkë për mbrojtjen e trojeve, me këngë, dasma, rite, festa kanë dëshmuar dëshirën për të jetuar, për liri e pavarësi.

Një shqyrtim i vëmendshëm i dokeve të Kanunit nxjerr dukshëm në pah kërkesën e përsëritur për të ndaluar vrasjen. Le të kujtojmë disa syresh: “Fjala mort nuk ban”, “Goja s'qet kënd në gjak”, “Po qiti pushkë prita mbi gra, fëmi, shpi a mbi bagëti, punon kundra kanunit”, “Mbrenda flamurit të vet nuk mund të marrë kush shokë, për me i dalë kujt në pritë”, “kush e ep fishekun, gjakun e bën të ve'n”, dhe një varg kufizimesh të tjera. Kanuni përcakton qartë se vetëm “dorasi bije në gjak”, gjithnjë sipas formulës klasike “gjaku shkon për gisht”. Më vonë për 24 orë duhej të ruheshin dhe njerëzit e shtëpisë a të afërmit e vrasësit. Nga marrja e gjakut përjashtoheshin gratë, fëmijët, prifti etj. Duke folur për mungesën e shtetit, le të shikojmë se sa domethënëse është letra me të cilën Don Bibaj, një prift i vjetër shqiptar i drejtohet një misionari austriak: “Popujt e tjerë janë ma fatlum, ata kanë qeverina që kujdesen për qetsinë e vendit, që interesohen për të drejtat e secilit nënshtetas, që ndjekin cubat dhe bakqijt, që ndëshkojnë gjakbasit. Ju (të huejt) keni ushtarë, xhandarë, polici, institute përmirësimi, burgje, kurse na nuk kemi kurgja. Në vend të tyre kemi vetëm ligjin e vjetër e të rreptë të të parëve tanë, i cili mbështetet: sy për sy e dhamb për dhamb. Arma ndër ne asht e vetmja gjyqtare, por tue qenë se arma njeh vetëm një ndëshkim, ngjan shpesherë që ajo e kapërcen masën e drejtë, bahet mizore, e cila i ngarkon popullit taksën ma të randë të gjakut…”. Nisur nga ky këndvështrim interesant, ndonëse e një personazhi letrar, pleqësitë e maleve kanë bërë kuvende të vazhdueshme për kufizimin e vrasjeve, për pasojë dhe të gjakmarrjes e hakmarrjes. Kështu mbahet mend Kuvendi i Dheut në Kashnjet më 17 gusht 1904 për të ndaluar “vrasjen për fis” ku sanksionohej prerë se “kush të vrasë për fis, për 15 vjet është i nxjerrun prej bajrakut, toka do t'i mbetet djerr, do të kishte një gjobë njëqind desh e një ka si dhe do t'i digjej shtëpia”. Ka një Libër të gjatë të Pashkruar Pajtimesh vit pas viti e dekadë pas dekade, për të ardhur tek shembulli unikal i pajtuesit Anton Çeta në Kosovë, i cili në 1990 e ktheu atë vetë në legjendë me thënien e famshme “me fal asht trimni e jo me vra”, një formulë magjike, që uli armët e vëllavrasjes në Kosovë. Duke analizuar aktin e “Beslidhjes së Kushës”, disa opinionshkrues duket se nxjerrin një përfundim tejet të gabuar, sikur ata 5 mijë burra, me apo pa qeleshe, janë mbledhur në atë nahije të Shkodrës, për të konservuar dhe shenjtëruar Kanunin e famshëm të dikurshëm, këtë “kod barbar”! Nuk po shtyhemi për ta mbrojtur apo jo Kanunin, porse duhet kuptuar se në saj të këtij Institucioni Vetqeverisës, siç e thamë dhe më lart, i cili u formua dhe u përsos për vite të tëra, i ruajti këto zona nga anarkia, ruajti vetqenien, gjuhën, kulturën, ndërsa fati i kishte ndëshkuar gjithëherë me “Gurin e Sizifit” në kurriz. E vecanta e Kanunit të Shqiptarëve është se në thelb të tij ka patur kërkesën për barazi, ashtu siç dëshmon dhe filozofia, letërsia dhe e drejta antike greke, romake etj, dhe drejtimi me rregulla nisi që në qelizë, në atë që quhej shtëpi, ( shtëpia kishte tiparet e një shteti në miniaturë dhe e tillë paraqitej në marëdhënie me njësitë e tjera përbërëse të krahinës, (shtëpi, fis, katund, bajrak). Dhe kësisoj shekull pas shekulli, shqiptarët ndërtuan një “shtet” mjaft origjinal, pa patur në të vërtetë shtet.

Mendimtarë të ndryshem të antikitetit si Aristoteli, juristët e Romës së Vjetër e deri tek Hegeli, kanë vënë në dukje tiparin themelor të të Drejtës Zakonore “si e drejtë e pashkruar”. Ndërsa profesor Ismet Elezi shënon se shndërrimi në e Drejtë e Shkruar shënon një shkallë më të lartë të zhvillimit të saj. Ajo është dokumentuar me daljen e Ligjeve të Hamurabit në Babiloni, të Ligjeve Manu në Hindi (rreth 2000 vjet para Krishtit), të Ligjeve të Drakonit në Greqi (shekulli IV para Krishtit); të Ligjeve të 12 Tabelave në Romë, 450 vjet para lindjes së Jezusit, etj. Vërtetë janë kohë tepër të largëta e të mjegullta për t'u përfytyruar nga ne, sidoqoftë kemi njjë ide për antikitetin, arkitekturën, teatrin, luftërat, shtetet, perenditë e gjysëmperenditë, mitet etj. Edhe qytetërimi i lashtë ilir ka patur me siguri “tabelat” e veta të drejtësisë së saposhkruar në qendra të tilla si Shkodra, Durrësi, Bylis, Apollonia, Ulqini, ashtu si në male të Drejtën e Pashkruar. Për të ardhur tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka tërhequr vëmendjen e një vargu studiuesish të vendit dhe të huaj; më pas Kanuni i Skëndërbeut, Kanuni i Labërisë dhe Kanuni i Maleve, një larmi e gjëre kanunesh, që është dhe shprehje e shkallës së demokracisë në ligjvënien e kohëve pa shtet. Burimet e së Drejtës së Pashkruar përbëjnë rrjedhën e një vetqeverisjeje origjinale, që u bë aksi ekzistencial i rezistencës Kombëtare. Tani të vijmë tek meraku i analistëve “anti-Kanun”, përditësimi i normave të këtij Kanuni tash e tutje, për vrasësit, të ngujuarit, e deri tek shkrehësit e armëve në vende publike. Psh, këta fare mirë mund t'u kishin sqaruar instrumenteve të shtetit, edhe një drejtori policie, që thotë se nuk e njohim kodin zakonor, por ligjin, se a do të ishte mirë, që shkrehje armësh të mos ketë, sepse më së pari, nuk duhet të ketë armë në duart e popullsisë civile, ndërsa ndërmerren aksione sa për sy e faqe, kur me një zbatim korrekt të ligjit, asnjë armë sot nuk do të ishte në duart e shqiptarëve! Pa folur pastaj për të vrarët e shumtë “të ditur” dhe vrasësit e larguar në drejtim të paditur tash 15 vite!. Fakti është fakt, vetëm në rrethin e Shkodrës janë afro 180 persona dhe 83 familje të ngujuara; 62 persona dhe 23 familje janë të ngujuara në Malësinë e Madhe, po ashtu 8 persona në Pukë e rrethe të tjera. Me këtë dukuri, kanë bërë sikur janë marrë organet shtetërore dhe disa organizma fantazmë pajtues, por sërish gjendja nuk është rregulluar. Madje është ashpërsuar dhe ligji për gjakmarrjen (neni 78 i Kodit Penal), por pa u tha mirë boja në letër, është shkrehur këmbëza e pushkës për të shënuar të vrarin e rradhës. Burrat e urtë të maleve, qoftë dhe këta të “Beslidhjes së Re”, do ta quanim, të cilët janë gjendur para një tuneli pa dritë, kur shteti nuk funksionon, vrasësit livadhisin të lirë, paguajnë nën dorë togat e zeza dhe i përballen ditën për diell familjes së viktimës, dhe shteti nuk ka as më të voglin impenjim, i janë drejtuar një rrugëzgjidhje, që nuk riformaton një “kanun arkaik”, por në emër të vetëekzistencës. Jam krejt i sigurtë, se këta lloj analistësh, që e marrin temën para një ekrani televizori, po të ishin tek shtëpia e një të ngujuari, ku gruas i duhet të punojë e robëtohet për të mbajtur një turrë fëmijësh (nga 3 muajsh deri në 10 vjet mosha), të shohë se si fëmija e prek lirinë në hapësirën e një miniburgu në një dhomëz shtëpie, ndërsa nuk e ndjen prej vitesh ndërrimin e stinëve, dhe kur polici, gjykatësi, prokurori, shteti ngre supet, me siguri do të kishte një opinion krejt tjetër për gjestin fisnik të atyre 5 mijë malësorëve, të cilët jo se e zëvëndësuan shtetin, por i thanë atij: “po të presim, edhe pse po ecën me hapin e breshkës!. Por deri kur të vish ti, të paktën do të kemi ca jetë njerëzish më shumë, ca buzëqeshje fëmijësh më shumë!”. Mendoj se ky është mesazhi që ata kanë përcjellë përmes këtij organizimi. Dhe kjo ka dhënë efektin e vet edhe në Malin e Zi, që në 1970, kur së paku, atje ka pak më shumë shtet ligjor sesa tek ne. Është e çuditshme se sa me duf sillet njëri prej analistëve në disa momente, kur kërkon ndonjë zë “në atë tubim sui generis”, që ta dënonte këtë kanun barbar mesjetar! Çudi e madhe, pse gjithë ky mllef ndaj një institucioni, që ruajti vetëqenin e këtyre trojeve për mijëra e mijëra vjet. Së pari, le të kujtohemi se nga vjen fjala Kanun. Thelbi i saj vjen nga greqishtja kanon , që do të thotë mjet matje, një vegël që shërben për të hequr viza të drejta. Në semantikën popullore, Kanuni nënkupton një peshim të gjërave, dhënie të drejte, preçizim i asaj që lejohet të ndodhë dhe i asaj që ndalohet. Në rastin konkret, i dashur mik analist, përse nuk i shohim ato 15 pikat e Beslidhjes, të cilat siç e theksuam, jo se do t'i quanim normale në kushtet e funksionimit normal të shtetit, por me atë çfarë ne prekim për ditë, edhe ti në mes të Tiranës, edhe unë pak më lart, dhe ai tjetri në majë të bjeshkëve, atje ku kullave, po u rivendosen sërish frëngjitë! Është akt pozitiv, thotë një drejtues policie, por ne nuk e njohim. Atëhere parandaloji vrasjet, ngujimet, dërgoji nxënësit në shkolla, sillua fëmijëve sërish buzëqeshjen që ua ka falë Zoti. E nëse nuk e bën ti, atëhere, në emër të jetës janë ata, të Besëlidhjes, që po kërkojnë ta bëjnë. E keqe është kjo?! “Ëh, jo! Ju burrat me qeleshe rrini mënjanë, se jeni jashtë kohe, jeni të jashtëligjshëm, këta le të vriten, sepse ne na duhet ligji, na duhet koha, pa për njeriun pak rëndësi ka”, duket sikur argumenton pala “pro-shtet” dhe anti-Kanun! Shikojini mesazhet e atyre misionarëve. Askush nga ata, që janë shprehur deri më sot, nuk ka thënë se “duam të jemi ne shteti”, por e kanë quajtur si një hap kalimtar, për periudhën mosfunksionuese të shtetit aktual, ku për pasojë gjakmarrja ka shtrirë metastazat e saj në mënyrë të përbindshme. Këta tregohen shumë realist dhe me këmbë në tokë. E fillojnë me pleqësitë, përzgjedhjen e tyre, ndërmjetësuesit, ata do të shkojnë shtëpi më shtëpi të të ngujuarve për t'u ardhur atyre në mbrojtje dhe për t'u siguruar lirinë, për të dërguar fëmijët në shkollë. Njëri prej tyre, Mustafa Daija, kryetar i shoqatës së misionarëve thotë me sinqeritet të pashtirë, se “ne na duhet besim, ashtu si vëllezërve tanë në Malin e Zi, kur për të besuar në këtë nismë u deshën plot 24 vjet”. Ai ka besim se më pastaj shteti do ta ketë më të lehtë për të vepruar, pasi pikat e marrëveshjes kanë forcë vetëm në rastet kur shteti nuk e ka kapur ende vrasësin dhe kur arrihet që policia të mos ketë problem për ruajtjen e familjeve të ngujuar, atëhere ata do ta kenë të lehtë për të kryer detyrën. Madje miratimi i kësaj marrëveshje, shprehet i bindur ai, do ta bënte popullin që të rriste besimin tek policia, e cila nuk do të rrinte duarkryq për kapjen e vrasësve dhe vënien e tyre në bankën e drejtësisë. Shih sa fisnikë janë ata burra, që po veprojnë me “Kanunin-barbar!”… Tepër i irrituar, ndaj asaj që kanë bërë të pesë mijë malësorët, sërish miku im analist konkludon se “në Besëlidhje thjeshtë nënvizohet e zeza mbi të bardhë: përveç atij që kryen krimin e vrasjes, nuk ka të drejtë të ngujohet kush tjetër”. Pra, sipas tij, “kontributi që kanë dhënë pesë mijë burrat e malësisë, përfshirë dhe ata që kanë ardhur nga Detroiti i SHBA-ve, nuk ka të bëjë me ndonjë apel mbi çbërjen e Kanunit, përkundrazi ka të bëjë me legjitimimin e tij, rrjedhimisht me injorimin e ligjit e të asaj ngrehinës së madhe me emrin shtet”. Dhe më pas ai del në përfundimin se aty, “edhe pse vendosen disa sanksione që mund të quhen të drejta dhe të paqortueshme”, ku si risi del ngujimi i doracit,-alias autor i krimit dhe tashmë jo më familja apo të afërmit, por nga ana tjetër, “kjo legjitimon si pa të keq institucionin e ngujimit”!. Këtu duket se brenda një trupi kemi dy analistë, njërin në një “shtet në epruvetë” dhe tjetrin në këtë realin, që po e jetojmë sot. Me shkrimet e tij miku im dhe analistë të tjerë për të njëmijtën herë e kanë thënë se nuk kemi shtet, ose për të qenë më konkret, në disa zona as që i vjen era atij. Për të mos humbur vijën logjike të frazës, m'u kujtua në një seminar para një jave në Shkodër ku flitej për krijimin e besimit tek qeverisja vendore, një përfaqësues nga bashkia e Tropojës, i cili solli një shembull shumë befasues, ku ndër tjera sqaronte se atje, në atë qytet të “Shipërisë europiane”, nuk ka fare polici tatimore, kësisoj atje nuk realizohet asnjë taksë vendore!

Pra, ky është shteti për të cilin flasim, dhe jo ai virtuali, që e shohim nga ekrani i televizioneve. Në këtë rast kush duket se “po i bën atentat shtetit ligjor”, këta 5 mijë malësorë, apo ata që kanë abandonuar “enklava” të tëra në të keqen e vet?!

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net