Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: - Analiza-Bardhok Biba-dossier

TEMAT

  Promemoria

  Shqiperia, shteti klon

  Kosova, rrugëzgjidhjet

  Pronat Shqiptarëve

  Suedia dhe Shqiptarët

  Premtimet e Nanos

  Bardhok Biba- dossier

  Identiteti shqiptar

  Politika dhe feja

  Identiteti ynë Europian


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Gusht '49, vrasjet që tronditën Mirditën…

Nga Gjergj Marku

 

7 gusht 1949, Qafë Valmiri. Tre burra të armatosur, merrnin rrugës së Kaçinarit, për të rënë poshtë në bregun e Fanit të Madh e më pas të përpjetës për në Shpal. Një aradhë punëtorësh të sapolistuar për punë, vinin më pas. I afrohen një majë kodre, në formën e një qafe, pak metra në të kapërcyer të një kodrine, kur befas një batare e zgjatur pushkësh, vjellin nga grykat e zjarrta fishekë të panumërt, shënjuar mbi njërin prej tyre.

Gjithçka ishte projektuar saktë, dy plumba kishin marrë trupin e sekretarit politik të PK të Mirditës, njëherit deputet i kësaj zone, 29 vjeçarit Bardhok Biba. E tërë mizanskena reale e një masakre të veçantë përkundër regjimit komunist, kishte ardhur si një rrufe në qiell të pastër, e pa menduar prej askujt. Dy shoqëruesit, me dy pushka karakatinë mbi supe (enigma e parë!) nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, përveç ritualit malësor të rregullimit të kufomës, vënies së dy duarve në mes sipas zakonit. Atentatorët, pasi kanë kqyrur nga afër dhe janë bindur saktësisht se “i pari i Mirditës”, kishte dhënë shpirt, kanë lënë një pusullë në gëmushat ku kishin zënë pritën me mbishkrimin “Në emër të Komitetit të Maleve” dhe ia kishin mbathur prej andej, për të mbetur sot e asaj dite pas 55 vjetësh si “simbol kolektiv” ekzekutorësh, me të gjithë lehtësirat e krijuara nga një dorë e padukshme për të ekziluar matanë kufirit.

Shumëkush do ta cilësonte këtë si vrasje e Shekullit për shqiptarët, duke e përafruar me atë të Avni Rustemit, por që në fakt nuk ngjajnë gjithaq me njëra tjetrën. Sidoqoftë, për regjimin e sapoinstaluar komunist, me një jetë veçse 5 vjeçare deri në ato vite, ishte një shuplakë e rëndë, nga më të rëndat që ai po provonte në malet e Veriut. A mund ta kapërdinte “Tirana” këtë gjë? Shumë hipoteza janë hedhur rreth asaj që ndodhi, dhe asaj që do të ndodhte më pas. Sepse, fill pas kësaj vrasje, tamam-tamam, ditën pas varrimit, do të fillonte tragjedia e vërtetë, që do të kaplonte tërë Mirditën. Në epiqendër të ofensivës së reparteve të ndjekjes, tashmë do të vihej jo vetëm i quajturi “Komitet i Maleve”, që në Mirditë mendohej të kishte bastionin kryesor, por dhe ndaj familjeve që mendohej të kishin lidhje me reaksionin! Mirdita do të kthehej në një gulag të vërtetë, tërë malet e kreshtat e saj do të kriheshin nga repartet e ndjekjes nga më të specializuarat, ndërsa për familje të tëra, filloj linçimi me të gjitha mënyrat e torturës e të persekutimit.

Edhe pse kanë kaluar 55 vite, ende kjo vrasje komentohet në dy kampe diametralisht të kundërta, dhe politika e përdor sa herë afrohen përvjetorët, edhe pse “palët” e dëmtuara njëllojshëm me vrasjen, japin shenja të një pajtimi. Disa e lidhin me faktin se vetë Bardhok Biba, ishte një misionar pajtimi me zë në Mirditë e në Veri; disa të tjerë, me faktin se edhe dyert e të vrarëve e të masakruarve, më pas ishin nga familjet më të fisme të Mirditës.

Por, fatkeqësisht është sërish, politika, që vazhdon në gërgasjen e saj.

Kush ishte dhe përse

u vra Bardhok Biba?

Ishte njëri prej pinjollëve të derës së njohur të Gjomarkajve në Orosh. Derë e njohur, e shënuar ne histori që pas luftës austro-turke të vitit 1737-39, ku njëri prej kësaj dere ka qenë komandant i forcave të Mirditës. Më vonë Bib Doda, nga kjo derë është i pari Pasha i krishterë, që njihej nga Perandoria e larte Osmane, komandues i një ushtrie prej 10.000 vetësh, “gjeneral brigade” pas luftës ruso-turke në brigjet e Danubit. Edhe Napoloni i Tretë i dhuron atij “Shpatën e argjentë”. Më pas është Papa, që e nderon me urdhërin e Shën-Gregorit; janë tërë ato diplomaci si ato të Francës, etj që vendosin lidhje me Mirditën, në sajë të emrit të kësaj dere të njohur. Udhën e tij, që i jep emër Mirditës e vijon Preng Bib Doda, njëri ndër udhëheqësit “më të ndritur e mendjehollë”, të Veriut, siç e përshkruan në kujtimet e tij diplomati Eqrem Bej Vlora.

Me luftë, diplomaci, aleanca fluide apo të qëndrueshme, Gjomarkajt arritën të ruajnë unitetin e krahinës së Mirditës, duke i dhënë emër deri në kufij të legjendës, me të përmendurën “Republikë e Mirditës”.

Pikërisht, në këtë derë me zë, kishte lindur Bardhok Biba në janar të vitit 1920. Shkollohet në konviktin e Oroshit, të ngritur po nga Gjomarkajt dhe më pastaj në gjimnazet e Shkodrës. Atje bie në kontakt me ide të reja të kohës, me Emin Durakun, Branko Kadia, Sadik Bekteshi, Hajdar Dushi, kosovarin Xheladin Hana, Nazmi Rushiti, Tom Kola e të tjerë. I ndikuar nga këto ide e qëndrime përjashtohet nga shkolla dhe i shoqëruar me xhandarë dërgohet në Orosh. Është koha kur ai qëndron gjysëm ilegal për disa kohë, deri sa përfshihet në vorbullën e luftës NACL, fillimisht në Shkodër dhe më pas komisar i çetës Pukë – Mirditë, duke përhapur idetë progresiste të kohës.

Pas çlirimit të vendit në vitin 1947 zgjidhet deputet për Mirditën në Kuvendin Popullor. Më 23 dhjetor 1948 emërohet Sekretar Politik i PK Mirditë.

Është periudha kur ai merret gjërësisht me Mirditën e varfër, piketon qytete të reja, dhe strategji të zhvillimit, ndërkohë që para '44-s kishte arritur që përmes një kuvendi unikal të pajtimit të gjaqeve, të krijohej mundësia e faljes së mbi 500 gjaqeve, duke e reduktuar këtë fenomen vëllavrasës në këtë krahinë. Për t'u shënuar është se pas '44-s në Mirditë gjithsej shënohen vetëm 3 raste gjakmarrjesh. Pikërisht në një nga detyrat, që po kryente në zonën e Oroshit dhe të Kaçinarit, planifikohet të ekzekutohet nga “Komiteti i Maleve”, të cilët i kishin shpallur luftë të hapur regjimit që po vendosej edhe në Mirditë. Dy plumba, një në gjoks dhe një tjetër në brinjë do t'i merrnin jetën atij, që pak kohë më pas Kuvendi Popullor do t'i akordonte titullin “Hero i Popullit”. Për afro 41 vjet Bardhok Biba do të mbetej simbol i Mirditës, deri sa pas këtij viti, busti i tij, i Pal Melyshit, Ndrecë Ndue Gjokës, katër heorinave etj, do të fshiheshin nga faqja e dheut, dhe “data e përkujtimit të rënies” gjithmonë do t'i mblidhte mirditorët të ndarë në dysh.

Gusht 1949, natyra zemëratën

me “borë të kuqe”

Më 9 gusht 1949, vetëm dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, sipas dëshmitarëve, me urdhër nga lart ishte përgatitur një nga ofensivat më famëkeqe, që do të synonin jo atentatorët e Bardhok Bibës, por tërë Mirdi tën. Tashmë, ishte menduar që përmes kësaj, të arrihej të nënshtrohej Mirdita, dhe rast më i qëlluar nuk mund të gjendej. Një brigade e specializuar për ndjekjen e bandave, nën komandën e kolonel Z. Kambos, hyn natën në Mirditë. Ishin hartuar lista në të gjithë fshatrat e Mirditës. Janë mbi 300 të arrestuar brenda pak orësh. Rreth 300 familje grumbullohen dhe vendoset internimi i tyre në Tepelenë. Shumica e të burgosurve dërgohen në Shkodër a gjetkë.

Pas shoshitjeve, 26 prej të arrestuarve, caktohen të dalin në gjyq. Caktohet trupi gjykues me ngutjen më të madhe, me prokuror ushtarak S. Çarçani, një gjyq farsë sipas dëshmitarëve, me kryetar të trupit gjykues të Gjykatës së Lartë kolonel B. Klosi dhe prokuror M. Bllaca. Prej 20 të pandehurve, për të cilët prokurori kërkoi dënimin me vdekje, gjykata vendos 4 me vdekje në litar dhe 10 të tjerë me pushkatim. Ekzekutimi i vendimit do të bëhej në Qafë Valmir, bash atje ku ishte vra Bardhok Biba.

Kështu u bë, gjithçka pasi ishte lajmëruar dhe popullsia për ta parë skenën me sy. Pasi i çuan në vendin ku ishte hapur një gropë e madhe, filluan ekzekutimin në sy të njerëzve të pranishëm atje, duke i vrarë një e nga një, të parin, pastaj të dytin, që i treti të shihte të dytin e kështu me rradhë. Më pastaj i hodhën në gropë, edhe ndonjëri që nuk vdiç me plumbin e parë, u mbulua për së gjalli në dhe me lutjen për ta qëlluar; një i varur që për gjatësinë që kishte, i mbërritën këmbët në tokë, u tërhoq për këmbësh që të realizohej vdekja e tij.

Po sipas dëshmitarëve, moti pas gjithë kësaj kasaphane, ka qenë i tmerrshëm, bora që ra gjithë natën, thuhet se ra me ngjyrën e kuqërremtë, nuk dihet nëse, natyra po qante këtë tragjedi të trishtë në malet e Mirditës, apo mallkonte ekzekutorët gjakftohtë.

Pushkatimet do të kishin vijuar dhe më pas, sipas porosisë së “Mehmet Shehut”, që në varrim të Bardhok Bibës, i kishte thënë dhe të atit, Bibës: “do t'ia dërgoj 100 kriminelë tek koka tët biri”, por plaku i urtë, megjithë dhimbjen që kishte për humbjen e të vetmit djalë, i ishte kthyer me urtësinë e malësorit të mençur: “mos merrni në qafë njerëz të pafajshëm!”, por fati ka qenë që mënxyra me Mirditën të mos shkonte më tej, pikërisht se vëmendjen e Qeverisë së Tiranës e tërhoqi konflikti në kufirin shqiptaro-grek.

Të pushkatuarit, sipas dëshmitarëve nuk kishin asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës, dhe nuk kishin gisht në këtë punë, por që ishin përzgjedhur me kujdes nga familje të dëgjuara e me peshë në bajraqet e Mirditës. Absurdi në këto pushkatime, ka shkuar deri aty sa dhe kur nuk është gjetur në shtëpi emri i listuar, është marrë i vëllai dhe ky është pushkatuar. Po ashtu janë internuar gra shtatzëna, që kanë lindur në kampe internimi etj. Është ndër masakrat, që ndërgjegja e krejt Mirditës, do ta mbajë gjatë në shpinën e saj, si një nga mënxyrat, që do të mbahen gjatë mend, dhe si një fakt i përdorjes në mënyrën më makabër të teorisë së nënshtrimit me metodat më të rafinuara makiaveliste të një krahine të tërë.

Të ekzekutuarit e 17 gushtit 1949

Mbrëmjen e 17 gushtit janë kryer dy lloj ekzekutimesh. Katër prej tyre me varje dhe 10 me ekzekutim me plumb.

Të varurit :

1.Preng Ded Kola, Orosh.

2.Pjetër D. Vila , Kaçinar.

3.Dodë Mark Biba, Kthellë Epër.

4.Pjetër Paloka, Kaçinar.

Të pushkatuar :

1.Nikollë Bardhok Bajraktari, Rrëshen.

2.Llesh Gjon Melyshi, Malaj.

3.Nikoll Llesh Bajraktari, Orosh.

4.Ndrecë Mark Ndoj, Kaçinar.

5.Bardhok Dodë Gjini, Prosek.

6.Gjok Gjin Kaçi, Bukmirë.

7.Gjergj Beleshi, Kthellë Epër, vritet për të vëllanë, Dodën.

8.Ndoc Gjet Cupi, Blinisht.

9.Preng Shkurt Nikolli, Orosh.

10.Frrok Mata, Kaçinar.

Bisedë me Lek Shtia,

jetim prej tre muajsh

Kur iu vra i ati, Nikollë Bajraktari, një burrë i dëgjuar i krahinës së Rrëshenit, nga një derë e njohur të Bajraktarit, ai ishtë vetëm se 3 muajsh, dhe natyrisht nuk mban mend asgjë. Ashtu si dhe djali i Gjok Kaçit, i cili lind në të njëtin vend internimi, në Tepelenë.

Leka fillon e rrëfen për gjithë peripecitë që e kanë shoqëruar gjatë gjit hë jetës, pas ekzekutimit të të atit. Por ai ka qenë i bindur se i ati i tij asnjëherë nuk ka patur dorë në këtë vrasje. Dhe këtë ia ka ngulur mirë në mendje e ëma e tij. Në rrëfimin e tij të argumentuar me fakte, që, ende thotë ai nuk ka ardhur koha t'i nxjerrim të tëra në dritë, ai sqaron se masakra që u bë mbi 14 burra nga dyer të fisme të Mirditës, ishte bërë për tjetër qëllim dhe vrasja e Bardhok Bibës, ishte thjeshtë alibia. Ai thotë se masakra e Valmirit nuk është një rastësi, ajo është planifikuar me djallëzi. Bardhok Biba nuk ishte person pa emër, ai kishte suport krahinor dhe të traditës së familjes nga rridhte dhe për këtë ishte shënuar të vritej.

Ai thotë se listimi i babait tim për t'u pushkatuar nuk ishte rastësi, sepse ai ishte i dëgjuar, me dy gjuhë të huaja, toger në kohën e Zogut, pastaj në brigadën e 17 S, mik i Tuk Jakovës, dhe për influencën që kishte anëtar i këshillit popullor për Mirditën pas '44.

I pyetur për marëdhëniet që kishte i ati me Bardhok Bibën, asokohe deputet, ai thotë se kanë qenë tepër normale, dhe nëse Bardhoku do të ishte gjallë ky ekzekutim nuk do të ndodhte kurrë. Shtia sjell një detaj, kur i ati aty nga '48 vuante nga tuberkulozi dhe kishte nevojë për klimë pishe, me leje të Bardhok Bibës, kishte shkuar të pushonte në bjeshkët e Nënshejtit. E gjitha kjo bëhej që im atë të mos akuzohej se kishte kontakte në male me të arratisurit në mal. Kur u vra Bardhoku, ka qenë tek shtëpia, erdhën disa persona dhe i kanë thënë “ik!”. “Nuk kam përse të iki, se nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, u ka thënë baba. Aty në shtëpi e kanë marrë pas disa ditësh.

Pas ekzekutimit të tij 17 pjesëtarë të familjes na kanë internuar për 4 vjet në Tepelenë.

Pyetjes nëse është parë nga ana e familjes së Bardhok Bibës, si djali i vrasësit të Bardhokut, ai thotë se unë kam mbaruar gjimnazin, në të njëtën shkollë aty ku ka mbaruar e bija e Bardhokut, Marija, asnjëherë nuk është parë shtrembër nga ana e saj. Të dy kishim ngelur jetim, në të njëjtën muaj, gusht 1949. Kisha siklet, për akuzën që i ishte vënë në shpinë, ndaj e kam pyetur nënën, nëse i ka patur borxh baba Bardhok Bibës, nëna më qe përgjigjur rri dhe rritu i qetë për këtë gjë, jo vetëm që nuk ka gisht në atë vrasje, por ta them si sekret ta mbash për vete, ata kanë patur dhe shoqëri e muhabet të mirë me njëri tjetrin. Për Marien, vajzën e Bardhok Bibës, gjithnjë kemi patur respekt si familje thotë Leka, dhe ajo nuk ka mbajtur ndonjëherë mëri me mua. Maria ka mbetur jetime 10 ditë para meje, ka mbetur jetime në moshën 2 vjeçe. Ka mbetur jetime një vajzë e vetme, duke përjashtuar përkrahjen e Partisë që pati më pas. Por nuk pati as vëlla e as motër. Në kuptimin familjar, ajo ka mbetur jetime më keq se unë. Unë kam mbetur jetim tragjikisht, i sulmuar dhe nga lufta klasore, por ama kam patur edhe një vëlla, edhe dy motra. Për mua ai gusht i vitit 1949, mbetet gusht i Zi, për të dy krahët.

Tjetër gjë, ç'bën politika, fanatikë ka në të dy krahët, por unë e ngushëlloj Marien për babain e saj dhe ajo më ngushëllon mua, ndaj mendoj se ai gusht duhet parë e studiuar si fenomen krahinor për atë dramë që solli dhe kjo u duhet lënë në dorë studiuesve të mirëfilltë, të paanshëm për të hulumtuar rreth asaj masakre dhe enigmës që mbart në vetvete prej disa dekadash.

Pas 55 vitesh

Salla e pallatit të kulturës Rrëshen, sërish është bërë “skenë” e ndeshjes së dy koncepteve dhe qëndrimeve për këto dy vrasje makabër para 55 vitesh. Më së pari, nga ana e Partisë Komuniste, është përkujtuar 55 vjetori i vrasjes së Bardhok Bibës nën montazhin muziko-lerar “Xhevahir ka rrit Mirdita”, ku merrnin pjesë komunistë e të ftuar nga krahina të ndryshme të vendit dhe ku spikaste referuesi kryesor Hysni Milloshi. Ky i fundit, duke e krahasuar me një tribun B. Bibën, ka thënë se reaksioni kishte piketuar të vriste Bardhok Bibën, ngaqë ky kishte hyrë në legjendë për së gjalli dhe kish kthyer në legjendë tërë Mirditën. Ai kishte qenë Maratonomaku i parë që kishte sjellë në Mirditë traktin e parë të PKSH. Dhe ndryshe nga çdo rreth tjetër, pas çlirimit, ky rreth u detyrua të përjetojë një “luftë të dytë” dhe të shfaqë para kombit një legjendë të gjallë rezistence nga ku u lartësuan 7 Heronj të Popullit, katër prej të cilëve gra, diçka unikale që nuk kishte ndodhur në ndonjë vend të Europës e Botës, në rrethanat kur një vend konsiderohej i çliruar dhe nuk luftohej me pushtues, po me kundërshtarë të brendshëm.

Megjithatë Milloshi, ndryshe nga përkujtimoret e tjera, ka mundur të “zbusë” sadopak qëndrimin “ndaj reaksionit” që përvjetor për përvjetor janë etiketuar edhe 14 të vrarët pas 7 gushtit. Është e vërtetë, tha ai, se kur u vra Bardhok Biba, pati edhe viktima, ndoshta edhe të pafajshëm, por ajo ishte ende kohë lufte kundër reaksionit, që donte të përmbyste me dhunë pushtetin popullor, si dhe nga ana tjetër, kish dhe ekstremistë apo armiq brenda Partisë, të cilët ose nuk e kuptonin dallimin midis terrorit të bardhë e rezistencës së kuqe, ose donin të armiqësonin popullin e Mirditës me pushtetin e tij popullor, prandaj Enver Hoxha thotë Milloshi, reagoj energjikisht kundër orvajtjes për të pushkatuar 100 burra mirditas.

Në fakt, përse u vra

Bardhok Biba?

Ka dëshmi të ndryshme. Vetë Ndue P. Gjomarku, i cili pas ‘92, në zyrën e presidentit të atëhershem Sali Berisha, do të deklaronte se “ne e vramë Bardhok Bibën”, dhe në libër e etiketon si të keqen që mbolli komunizmin në Mirditë, pavarësisht se ishin kushërinj të të njëtjës derë (gjyshërit vëllezër), më pas do të shprehej, se firma e tij në letrën sigluese, që ishte lënë në gëmushat pak metra tutje trupit të pajetë të deputetit, ishte thjeshtë e kryetarit të organizatës “Komiteti i Maleve”, por që nuk kishte vendosur thjeshtë ai, gjithçka ishte bërë me votim në atë komitet dhe ai aty kishte vetëm një votë!. Ndue P. Gjomarku ka bërë dhe një libër të tërë rreth kësaj ngjarje e të tjera që lidhën me frontin e rezistencës në male pas '45 deri sa arratiset, megjithathë gjithçka ngelet enigmë, sipas studiuesve, nga veprimtaria e tij, rolin që ai pati në vrasjen e Bardhok Bibës, fakti që ai, më së pari, arratiset për në Jugosllavi, e ku dihet se ekzilantët politikë në atë vend, që ende mbante marëdhënie të mira me Tiranën zyrtare, nuk para i kishin qejf; nga ana tjetër, në mos kemi një koordinim në mes UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit, për të nënshtruar Mirditën si bastion, dhe kjo ishte bërë në bashkëpunim. Gjithçka mbetet e hapur në këtë çështje.

Fakti, që tregon një ish-bashkëkohës i B. Bibës, në një takim me Mehmet Shehun, është interesant. në pyetjen që bëri Mehmet Shehu “sa kriminelë janë asgjësuar?”, Mirdita doli më keq! “Shoku Mehmet, mos kujtoni se ata janë frikacake, ata kanë dalë në male për idealin e tyre, për të vdekur,-kishte thënë Bardhoku”. Ndërsa më pas në atë takim i ka mëshuar idesë se do të punojmë që ata, që nuk kanë lyer duart me gjak t'i kthejmë në shtëpi. Janë disa të arratisur në mal, që dorëzohen në besë të Bardhok Bibës. Më tej ai shton se Bardhok Biba ishte personi që iu vu famëkeqit Toger Baba, që kishte ardh me betimin për ta nënshtruar Mirditën, duke bërë vrasje e tortura më makabret, që u përngjajnë holokausteve, duke ekzekutuar pa gjyq këshilltarë e njerëz të thjeshtë, në emër të mbledhjes së armëve. Ai u bë njeriu më katran, në vrasjet e panumërta të tij, deri sa desh të përdhunonte dhe një nuse të virgjër, por që pas denoncimit dënohet dhe ekzekutohet. Ishte B. Biba që ua hoqi nga qafa këtë bishë mirditorëve.

Duke njohur tërë këtë aktivitet dhe animin e tij tek pajtimi, kthimi nga rruga e gabuar, mospërhapja e luftës së klasave, bashkëkohësi vazhdon në idenë e tij se u mendua likujdimi i tij fizik në bashkëpunim me agjentura të huaja.

Të njëjtën gjë rrëfen dhe një i afërm i Bardhokut. Ai thotë se për 50 vite politika është përpjekur ta paraqesë Bardhokun të veçuar nga fisi i tij. Ai thotë se Bardhok Biba ishte nga një derë e fisme, njeri me shpirt të madh, dhe nëse ai do t'i shpëtonte atentatit të 7 gushtit 1949, kishte aq shpirt sa do t'i falte atentatorët dhe shumë prej tyre do t'i bindëte për t'u kthyer në shtëpi. Ai kurrë nuk do t'i aprovonte ato që u bënë mbi 14 viktimat martirë dhe qindra familje mirditase të internuara e të persekutuara për një gjysëm shekulli në këtë krahinë..

Vrasja e tij ka qenë fatale edhe për vrasësit, vrasja e tij do të ekspozonte gjithë fisin Gjomarkaj para persekutimeve të shumllojshme, ashtu si dhe familjeve të tjera mirditore, një tragjedi që do t'a ndante më dysh Mirditën për 50 vjet, por dhe sot e asaj dite.

Në gusht të vitit '49 ra borë në gusht. A kishte lidhje zemërimi i motit me këto vrasje? Figurativisht po, pasi qe një goditje e rëndë për Mir ditën, për të dyja palët. Më e keqja, thonë studiuesit kjo lloj mendësie për të këndvështruar këtë ngjarje bardh e zi vazhdon dhe sot e asaj dite. Çuditërisht tek figura e B. Bibës, më shumë i është mëshuar idealit komunist se sa atij njerëzor, sepse ai, më së pari, qe luftëtar i së resë, emancipimit shoqëror e më pas luftëtar partizan. Ai qe njeriu që zbatoi dhënien e besës, marrjen në besë e deri tek falja e gjakut të të vëllait për interesa madhore. Figura e tij duhet trajtuar si një figurë historike me një kontribut real në kohët më të vështira të Mirditës.

Në kohë revolucionesh ka heronj dhe viktima, Bardhok Biba u vra, përveç të tjerash, sepse me mentalitetin e ri, po konkuronte vlerat e ariistokracisë së vjetër, ai u vra, se po linte në hije trashëgiminë e derës së tij, e cila e kishte vendosur autoritetin përmes atributesh tashmë të tejkaluara dhe trashëgimisë. Dera kapidanore ishte zgjeruar shumë dhe duket nuk mund të tolerohej dalja e një “kapidani” jashtë ndikimit të tyre.

Por, a i kishin menduar vrasësit pasojat? Mendojmë se jo në kurriz të tyre, thone studiuesit, pasi dhe urdhëruesit dhe ekzekutorët, ose janë gjallë, ose kanë vdekur në emigracion. Dikush tjetër e pagoi dhe e shfrytëzoi. Vrasjet politike të njerëzve të rëndësishëm vazhdimisht janë shfrytëzuar për realizimin e synimeve strategjike të forcave të caktuara. Kështu, 17 gushti 1949, ishte një rast shumë i mirë që qeveria të shtrinte ndikimin e saj përfundimisht në Mirditë, duke bërë një terror të pashembullt. Sidoqoftë, të gjithë mirditorët e ekulibruar, janë me atë se duhen braktisur llogoret e vjetra, armët e vjetra dhe njerëzit e vjetër, që shfrytëzojnë dy të parat me mjeshtërinë e vjetër për të ndarë heronjtë dhe viktimat në palë. Duhet bërë një hap njerëzor për respektimin e të dy palëve.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net